• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koha që Shqipëria ta kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut

October 14, 2021 by s p

Nga Akri Çipa

Takimi i radhës i Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit që ende nuk janë pjesë e unionit ishte gati i papërfillshëm për zgjerimin, çështjen më nevralgjike për rajonin. Ndërkohë që në Brdo të Sllovenisë u rikonfirmua mbështetja për rimëkëmbjen ekonomike dhe për paketën afatmesme të investimeve nga BE, integrimi evropian i vendeve të Ballkanit mbeti një thëngjill që nuk duhej prekur.

Përpara këtij fakti, kryeministri Rama mbajti një fjalim me doza të theksuara pesimizmi, duke nënvijëzuar dhe një qëndrim kritik, gati qesëndisës, për vendimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përfshihet në konfliktin bilateral ndërmjet këtyre dy vendeve. Më herët ai ka kritikuar në korrik Sofjen zyrtare nga Athina, si dhe në fillim të shtatorit teksa merrte pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Përdorimi i vetos ose presionit të vetos së një vendi anëtar kundrejt një vendi aspirant për t’u bërë pjesë e BE-së është padyshim një veprim tejet i dëmshëm për procesin e integrimit. Ngritja e çështjeve bilaterale në nivel evropian është parimisht e gabuar, krijon skepticizëm për procesin e integrimit, sikurse dhe vë në dyshim vetë besueshmërinë e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, nuk është detyrë e Tiranës zyrtare të trajtojë si kazuse çështjet ende të pazgjidhura ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në radhë të parë, sepse Shqipëria nuk ka arsye të shpenzojë kredite diplomatike dhe t’i cenojë marrëdhëniet me Bullgarinë për hir të Maqedonisë së Veriut. Parlamenti shqiptar njohu pa bëzajtur prezencën e “minoritetit bullgar” në vend, pas presionit të Sofjes. Nëse ligjvënësit tanë nuk patën guxim t’i thoshin jo Sofjes atëherë, kur bëhej fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë për interesat e vendit tonë, nuk ka asnjë sens kundërvënia e tanishme për hir të problematikave që Sofja ka me Shkupin.

Përtej kësaj, binjakëzimi i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut është një anormalitet që nuk ka më asnjë sens. Kjo për vetë faktin se rrugëtimi i tyre përgjatë negociatave mund të jetë plotësisht i ndryshëm. Ajo do të varet nga kapacitetet e ndryshme negociuese të të dy vendeve dhe të aftësisë për të vazhduar me reformat e dakordësuara me BE-në. Kjo do të thotë se në parim një ndarje ndërmjet tyre është e natyrshme, për të mos thënë e pashmangshme, në hallkat vijuese të procesit.

Le të vijmë te thelbi i shqetësimit se pse Shqipëria nuk po ngre si kërkesë zyrtare ndarjen e saj nga Shkupi në rrugëtimin evropian. Kjo do t’i hapte rrugë konfirmimit të kornizës negociuese që është përgatitur dhe propozuar nga Komisioni Evropian, si dhe mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendet e BE-së.

Vendimi për ta ritheksuar vazhdimësinë e këtij binjakëzimi, sikurse bëri kryeministri Rama në qershor të këtij viti gjatë vizitës së tij në Sofje, bie ndesh me interesin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë. Mbi të gjitha nëse është realisht e vërtetë se, sikurse pranohet zyrtarisht, e vetmja pengesë për çeljen e negociatave të Shqipërisë mbetet vetoja bullgare ndaj fqinjit tonë.

Përpara këtij fakti, kryeministri Rama dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të kenë guximin ta propozojnë zyrtarisht ndarjen. Pas të gjithave, kjo nuk do të ishte hera e parë që hidhet në tryezë ky propozim, duke qenë se pak muaj më parë ishte vetë komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi, që e hodhi dhe e mbështeste si ide.

Marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut nuk janë argument kundër këtij propozimi. Me këtë kërkesë Shqipëria nuk do t’i cenonte aspak marrëdhëniet me vendin fqinj, për vetë faktin se bëhet fjalë për një pengesë që tejkalon kapacitetin e Shqipërisë.

Padyshim që një përpjekje e tillë e Shqipërisë për të ngritur idenë e ndarjes me Maqedoninë e Veriut do të haste në kundërshtime. Në fakt, shumë vendimmarrës dhe komentues janë shprehur në parim kundër edhe gjatë muajve të fundit. Gjithsesi kredibiliteti i tyre është i ulët, për vetë faktin se këta janë po ata të cilët në vitin 2019 ishin të gatshëm të pranonin ndarjen e Shkupit nga Tirana, kur kjo e fundit u bllokua nga Franca dhe disa vende të tjera anëtare.

Nëse Shqipëria do të kishte sukses në bindjen e shteteve anëtare për ta ndarë atë nga Shkupi dhe në nisjen e negociatave, kjo do të mbetej për t’u parë. Megjithatë, në rastin më të mirë, do t’ia dilte të bënte një hap më përpara në procesin tashmë të tejzgjatur të integrimit. Në rastin më të keq, do të tregonte që vetoja reale nuk është në Sofje. Edhe në këtë rast, e vërteta do të ishte çliruese.

Publikuar fillimisht në sbunker.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Cipa

Në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, vjen në Tiranë Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael

September 8, 2021 by s p

Dielli

Duke filluar nga dita e dielë, datë 12 shtator, Tirana do të mirëpresë Festivalin Kulturor Shqipëri-Izrael, një event i jashtëzakonshëm që do të nxjerrë në pah artin shqiptar dhe atë izraelit, shkëmbimet historike ndërmjet popullit shqiptar dhe atij hebre dhe skenën vibruese artistike të Shqipërisë. Festivali, i planifikuar në datat 12-21 shtator, do të sjellë një varietet eventesh dhe shfaqjesh në fushat e muzikës klasike dhe tradicionale, arteve figurative, fotografisë, letërsisë, kinematografisë, kostumografisë, e të tjerë.

Ky event vjen në 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit dhe do të shërbejë për të celebruar marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet dy vendeve dhe ndërmjet dy popujve. Festivali është një iniciativë unike në skenën kulturore shqiptare dhe ballkanike. Ndër pjesëmarrësit e këtij viti do jenë Klezmer Orchestra nga Izraeli, Kuartet Harqesh nga Filarmonia e Berlinit, Nitzan Bartana nga Orkestra e Bazelit (Zvicër), dirigjentja Suzana Turku “Mjeshtër i Madh”, Sivan Rotem nga Izraeli, e shumë të ftuar të tjerë të veçantë. Një pjesë e madhe e artistëve të ftuar nga jashtë vjen të performojë në Shqipëri për herë të parë. Almira Emiri, Drejtore Artistike e Festivalit dhe pianiste shqiptare e mirënjohur në arenën europiane dhe në Izrael, e cilëson eventin si një mundësi të artë promovimi për artin dhe kulturën: “Arti izraelit dhe thesaret e kulturës botërore hebraike duhet dhe mund të jenë shumë më të pranishme në Shqipëri. Dhe anasjelltas: tradita e shkëlqyer kulturore dhe kreativiteti bashkëkohor i shqiptarëve duhet dhe mund të jetë shumë më i aksesueshëm për publikun izraelit. Duke sjellë së bashku kulturën dhe traditën nga Izraeli dhe Shqipëria, ky festival do të kontribuojë në dialogun ndërkulturor dhe ndër-breznor, si dhe të krijojë mundësi për të ushqyer tolerancë dhe diversitet.” Anëtare Nderi e Festivalit është Avital Leibovich, Drejtore e Zyrës në Jeruzalem të Komitetit Hebre Amerikan (American Jewish Committee), e cila rishtazi mori titullin “Urdhëri i Skënderbeut” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Znj. Leibovich e vë theksin te mundësitë dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve: “Marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve është unike, jo vetëm prej të shkuarës, por edhe prej të tashmes. Ngjashmëritë ndërmjet nesh janë më të mëdha se diferencat dhe arti është një mjet i fuqishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve.” Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael është një iniciativë e Qendrës Shalom në Shqipëri dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Jashtme e e Shqipërisë, Bashkia Tiranë, Ambasada e Izraelit në Tiranë, si dhe Komiteti Hebre Amerikan (American Jewish Committee) dhe Kongresi Hebre Amerikan (American Jewish Congress). Më shumë informacione për festivalin mund të gjenden te faqja www.shalom.al dhe në Facebook, Twitter dhe Instagram.

Filed Under: Featured Tagged With: Akri Cipa, Evital Leibovich, Shqiperi-Izrael

Spastrim etnik pa pikë gjakimi në Luginën e Preshevës

December 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa*/

Me përjashtime të vogla, dy dekadat e fundit e kanë gjetur Luginën e Preshevës të harruar në politikat e shteteve shqiptare. Përballë kësaj indiference, rreth 80 mijë shqiptarë autoktonë janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme represioni, mungesë investimesh dhe një perspektivë pesimiste për të ardhmen.

Përtej gjesteve simbolike, shumë pak kohë është shpenzuar nga dy shtetet shqiptare për të ravijëzuar një politikë koherente në lidhje me Luginën. Autoktonia dhe prezenca e shqiptarëve aty është përpjekur të luftohet me gjithfarë mjetesh nga institucionet qendrore serbe, duke filluar nga anashkalimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në projektet zhvillimore ekonomike, deri në përdorimin e mjeteve burokratike për të anormalizuar jetesën e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Sot, Lugina e Preshevës është nga zonat më të prapambetura ekonomike në Serbi. Përtej elementeve bazike, banorët nuk mund të marrin shërbime mjekësore përveçse duke udhëtuar dhjetëra kilometra, kryesisht në qytetin e Nishit. Investimet në arsim janë inekzistente.

Si një pjesë integrale e kombit shqiptar dhe si përjetuesit më të mëdhenj të diskriminimit shtetëror serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë një vëmendje më të madhe institucionale si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kohët e fundit ka pasur mëtime për ta ndrequr këtë gabim.

Për fat të keq, opinioni publik shqiptar u kujtua për shqiptarët e Luginës vetëm kur kjo e fundit u bë subjekt i diskutimeve për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje hipotetike për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre. Megjithatë, përtej kësaj hipoteze që u refuzua forcërisht, ka pasur rishtazi një sërë përpjekjesh për ta riparë qasjen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, pati një rol aktiv në përbashkimin e entiteteve të ndryshme politike në Luginën e Preshevës përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi. Në të njëjtën kohë, si Ministri Cakaj, edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kanë ngritur si çështje format më të targetuara dhe eksplicite të diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi. Në takimin e përbashkët të qeverive më 2 tetor, Shqipëria dhe Kosova u dakordësuan për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës.

Këto hapa janë të nevojshëm dhe duhen përshëndetur si një moment i ri. Por është e dukshme që këto përpjekje duhen shumëfishuar dhe thelluar nëpërmjet një qasjeje më të gjerë dhe afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për faktorizimin e tyre.

Një nga shfaqjet më problematike të diskriminimit shtetëror serb është fshirja e adresave të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë. Nëpërmjet verifikimeve jo transparente dhe tendencioze, institucionet serbe kanë shfrytëzuar ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim për të pasivizuar adresat e përhershme të vendbanimit. Kjo ka sjellë “zhdukjen” nga regjistrat e Luginës të qindra e mijëra shqiptarëve.

Duke pasivizuar adresat e vendbanimeve, Serbia po shkel në mënyrë flagrante të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë duke iu pamundësuar atyre marrjen e letërnjoftimeve të reja, marrjen e shërbimeve mjekësore ose asistencave sociale. Në mënyrë të përçudnuar, institucionet serbe po i shndërrojnë këta subjekte në qytetarë të dorës së dytë duke iu hequr të drejtën e votës. Përmes proceseve burokratike dhe diskriminimit sistemik, shteti serb është duke realizuar, pa zhurmë dhe pa derdhur asnjë pikë gjak, një spastrim të mirëfilltë etnik në Luginën e Preshevës.

Ngritja e fenomenit malinj të pasivizimit të adresave në raport me komunitetin ndërkombëtar është tejet e nevojshme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë gjetur në këtë drejtim një konsistencë vokale. Megjithatë, kjo problematikë dhe simotrat e saj nuk ekzistojnë në vakuum. Ato janë produkt i institucioneve dhe politikave shtetërore të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, këto çështje duhen ngritur në nivelet maksimale edhe në kontaktet bilaterale me Serbinë.

Për Shqipërinë është e pafalshme që të mos ngrihet në nivel institucional ky shqetësim me palën serbe. Kjo mungesë bëhet edhe më e theksuar duke marrë parasysh intensifikimin e kontakteve ndërmjet dy shteteve në vitet e fundit – edhe për hir të platformave rajonale që po synohen. Raportet e Shqipërisë zyrtare me Serbinë nuk mund të anashkalojnë politikat e jashtme destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve dhe politikat e brendshme diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kosova, nga ana e saj, duhet t’i ngrejë shqetësimet për Luginën e Preshevës në të njëjtin nivel me shqetësimet e presupozuara nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që Lugina të imponohet si një pikë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Përballë këmbënguljeve malinje të palës serbe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se detyrimet e Serbisë ndaj minoritetit shqiptar janë po aq substanciale sa ato të Kosovës ndaj minoritetit serb. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë lloj bishtnimi ndaj këtyre përgjegjësive.

Është e rëndësishme që nëpërmjet një qasjeje të re nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të motivohen dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për një ndërgjegjësim më të madh dhe aktivizëm të shtuar. Kjo nënkupton kontakte të shumëfishuara me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin e vetëqeverisjes së komunitetit shqiptar në Serbi. Hapja e degës së Këshillit në Medvegjë, me mbështetjen e autoriteteve të Shqipërisë, është një fillim i mirë, por sigurisht jo i mjaftueshëm.

Së treti, është e nevojshme që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një strukturë të posaçme për të bashkëvepruar dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në tetor të këtij viti, Kryeministri Hoti njoftoi krijimin e një zyre për Preshevën në varësi të tij. Normalisht një pozicion i tillë në varësi të Kryeministrisë ka më shumë vizibilitet. Megjithatë, do të ishte e udhës që një zyrë e tillë të hapej nga Ministria e Jashtme dhe të shndërrohej në një strukturë të qëndrueshme institucionale. E njëjta strukturë duhet të ngrihet edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ose, edhe më mirë akoma, ajo mund të konceptohet si një iniciativë e përbashkët e dy Ministrive të Jashtme.

Fondi i përbashkët për Luginën, i dakordësuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbetet modest në vetvete. Të dy shtetet, në bashkëpunim edhe me diasporën, kanë mundësi për ta rritur shumë më shumë kontributin e tyre. Kjo mbështetje duhet të fillojë nga elementët më bazikë në arsimin shqip, median dhe aktivitetet kulturore, për t’u zgjeruar më pas me pak vullnet dhe koordinim me përfaqësuesit lokalë në fusha të tjera zhvillimore.

Nëpërmjet tre rrugëve – intensifikimit të marrëdhënieve me vetë përfaqësuesit dhe strukturat lokale, reagimit në rrugë zyrtare ndaj Serbisë për politikat diskriminuese dhe ndërkombëtarizimit të formave të diskriminimit shtetëror serb – mund të rikonceptualizohet roli i Luginës. Lënia në harresë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës pas luftës në Kosovë është një mëkat i madh që nuk duhet të rëndojë më mbi politikëbërësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. 

Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

  

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Lugina e Presheves, Spastrimi Etnik

Roli parapolitik i kishës serbe dhe zgjedhjet në Mal të Zi

August 30, 2020 by dgreca

Nga Akri Çip-

Sot, në 30 gusht, Mali i Zi do të organizojë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006. Për shkak të një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka tërhequr interes të madh në rajon dhe më gjerë. Përpara rreziqeve të theksuara për stabilitetin e Malit të Zi dhe për kërcënimet që mund të lindin nga mungesa e këtij stabiliteti, Shqipëria duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve atje.

Kësaj radhe, zgjedhjet në Mal të Zi po mbahen në një kohë kur ka tensione të shtuara ndërmjet qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo e fundit, në kundërshtimin e saj ndaj Ligjit për Liritë Fetare të qeverisë aktuale ka kaluar në një sërë qëndrimesh destabilizuese dhe një ofensivë të mirëfilltë politike. Një sërë protestash disa mujore kanë kapluar vendin, nën orientimin dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të klerit. 

Presidenti Gjukanoviç është në përmbyllje të dekadës së tretë në pushtet, por alternativa politike inekzistente ka sjellë një situatë të komplikuar për demokratizimin e vendit dhe për rotacionin politik. Nësë shumë votues malazezë, duke përfshirë edhe votues të Gjukanoviç dhe të partisë së tij, janë kritikë me qeverisjen, nivelin e korrupsionit dhe me shtetin e kapur, nga ana tjetër përballen me një opozitë malazeze të dominuar nga ndjenjat pro-serbe që vë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit. E ka theksuar jo pak këtë gjë kryeministri aktual Dusko Markovic, i cili i ka etiketuar si kërcënim për pavarësinë e vendit mbajtësit e flamujve serbë në protestat e këtyre muajve.

Në këto kondita erdhi dhe mbështetja e hapur publike e kryeministrit Rama për presidentin Gjukanoviç dhe partinë e tij. Kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme për fqinjin tonë dhe ofroi një mbështetje bujare ndaj presidentit malazez, pavarësisht se emri tij nuk është në fletën e votimit këtë fundjavë. Por, teksa konteksti aktual nuk lë dyshime për faktin se cili rezultat zgjedhor në Mal të Zi i shërben stabilitetit të vendit dhe të rajonit, vetë shprehja e kësaj mbështetjeje lë vend për pikëpyetje dhe mbart në vetvete elementin e të panevojshmes.

Pavarësisht mesazhit të Kryeministrit Rama, efekti elektoral i kësaj mbështetjeje është thuajse inekzistent. Pak kush mund të besojë se videoja e shkurtër e kryeministrit shqiptar do të lëvizë qoftë edhe një votë të vetme në shportën e socialdemokratëve të Gjukanoviç. Por, nga ana tjetër, ekziston rreziku real që ajo të përdoret në mënyrë eksplicite nga opozita dhe qarqet pro-serbe për të ndezur bazën e tyre dhe për të mbështetur teoritë konspirative për një pakt të Gjukanoviç me shqiptarët për të shtypur minoritetin serb në Mal të Zi.

Institute dhe organizata të ndryshme rajonale të lidhura me Beogradin u fryjnë këtyre pikëpamjeve. Për shembull, Instituti Ndërkombëtar për Studimet për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme (IFIMES), me qendër në Slloveni dhe me një orientim të qartë pro-serb, përfshin në gati çdo publikim të saj për rajonin një parashikim konspirativ se Milo Gjukanoviç do të paraqitet së shpejti në cilësinë e dëshmitarit të palës mbrojtëse në gjyqin në Hagë (ende të pakonfirmuar) të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Më shumë se sa të ndihmojë, qasja e kryeministrit Rama mund të ketë efektin negativ të përdorimit të saj nga forcat e errëta pro-serbe dhe pro-ruse të politikës dhe parapolitikës në Mal të Zi që propagandojnë teori të tilla. Maksimizimi i impaktit pozitiv në zgjedhjet në fjalë do të kishte qënë ndihma dhe ndërmjetësimi i Shqipërisë zyrtare për të mundësuar bashkimin e faktorëve politikë shqiptarë në Mal të Zi në një koalicion të vetëm. Pati një përpjekje për t’u vlerësuar të komunitetit shqiptar në Amerikë për të bindur të gjithë spektrin politik në Mal të Zi që të futet në zgjedhje me një listë të përbashkët. Për fat të keq, kjo nuk u arrit. Ndoshta një qasje më aktive e përfaqësuesve zyrtarë të Shqipërisë mund të kishte arritur një rezultat pozitiv.

Faktori shqiptar në Mal të Zi mbetet kyç për stabilitetin dhe orientimin pro-perëndimor të vendit. Që nga referendumi mbi pavarësinë e Malit të Zi, ku vota e shqiptarëve lëvizi gjilpërën drejt po-së, dhe në të gjitha zhvillimet në vijim, vota shqiptare ka qënë garante dhe përcaktuese për të gjitha proceset themeltare të Malit të Zi.

Pikërisht për këtë arsye, partitë opozitare në Mal të Zi kanë gati një muaj që përpiqen të demonizojnë votën shqiptare. Liderët opozitarë kanë sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë muajit të fundit votuesit malazezë me origjinë shqiptare që jetojnë në emigrim dhe që janë rikthyer atje në prag të zgjedhjeve për të dhënë votën e tyre.

Në këtë kontekst, nuk duhet harruar dhe historia e rishtë e Malit të Zi. Gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare u parandalua një grusht shteti, ku indiciet të çonin tek dy oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit si orkestrues të planit. Zgjedhjet e vitit 2016 ishin kyç për futjen e Malit të Zi në NATO, teksa ftesa zyrtare ishte lëshuar nga aleanca në dhjetor të vitit 2015 dhe zgjedhjet parlamentare shërbyen si një referendum jozyrtar për anëtarësimin. Tentativa për ta destabilizuar Malin e Zi dështoi dhe anëtarësimi në NATO u zyrtarizua në qershor të vitit 2017.

Protestat e organizuara nga kisha dhe partitë pro-serbe kanë vazhduar edhe këtë javë, në prag të zgjedhjeve. Sloganet e tyre kanë variuar nga sulmet ad hominem ndaj presidentit dhe qeverisë, deri në ato me tone etno-nacionaliste duke përfshirë thirrjet “Kosova është Serbi”.

Ndryshe nga demonstratat e lindura natyrshëm në Bjellorusi kundrejt regjimit të President Aleksandër Lukashenko, protestat malazeze janë të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në bashkëpunim me segmente politike pro-serbe dhe pro-ruse. Ndryshe nga kërkesat për demokratizim në Bjellorusi, zgjedhjet e së dielës në Mal të Zi mbartin në vetvete elementet e sfidave gjeopolitike dhe përplasjet për orientimin gjeostrategjik të vendit.

Shqipëria duhet të jetë vigjilente.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Kisha sebe, M Zi, Zgjedjet

Addressing the elephant in the room: How the EU can move the Serbia-Kosovo dialogue forward

July 14, 2020 by dgreca

By Akri Çipa

When U.S. Special Envoy Richard Grenell announced last month that President Hashim Thaçi and President Aleksandar Vučić would participate in a Washington summit to resume the dialogue between Kosovo and Serbia, one could not but feel sorry for the European Union.

The EU spearheaded and put tremendous resources, energy and political capital in facilitating the dialogue between Kosovo and Serbia to help them settle their protracted issues, without managing however to reach a final resolution. The U.S. initiative to take the lead and try to succeed where the EU had failed, was received with much skepticism in Brussels and in EU capitals.

But as the Specialist Prosecutor’s Office, Kosovo’s Hague-based prosecution, controversially announced on June 24 that it had filed an indictment charging, among others, President Thaçi, suddenly a new opportunity arose. The prosecutor’s abnormal decision to digress from legal tradition and its previously stated commitment to keep the content of indictments “confidential, unless and until confirmed by the pre-trial judge”, suddenly led to the cancellation of the D.C. meeting.

In a quick and unexpected manner, the EU and European leaders suddenly rushed to exploit this chance to take again the reins of the peace efforts. With Kosovo’s and Serbia’s representatives participating in a virtual summit hosted by France and Germany on July 10, an EU-hosted virtual meeting on July 12, and expected to meet face to face in Brussels on July 16, EU Special Envoy Miroslav Lajčák confidently stated that the EU-facilitated dialogue is “back on track.”

However, the efforts will be unlikely to succeed unless past process flaws are corrected and the elephant in the room addressed.

The biggest problem of the Brussels dialogue has been the lack of a specific negotiating framework and its elusive objective. While the EU refers to the vague “normalization of relations” as the dialogue’s goal, it is clear to every casual bystander there can be no final solution of the dispute without mutual recognition. Failing to address this design flaw, merely contributes to the continuation of a never-ending process that has frustrated many – most importantly the people in Kosovo and Serbia.

Previous EU-facilitated agreements on select economic and trade issues did not manage to create the set of preconditions and build the necessary trust to address more controversial political issues. The bottom-up approach spectacularly failed and, currently, there is no established consensus in both countries about settling the issue once and for all. Moreover, this situation emboldened Serbia’s aggressive behavior, with its leaders waging a hostile and corrupted global derecognition campaign against Kosovo.

To change this status quo, it is time for EU and European leaders to be bold. They have the opportunity to create momentum, assuage the concerns and skepticism in Kosovo about EU’s lack of decisiveness, and provide the means for selling a comprehensive agreement to both countries.

Every observer can attest that the vagueness that has plagued the process so far has irreparably harmed both EU’s credibility and its ability to deliver. Being straightforward and creating the mutual recognition framework for the dialogue presents a unique opportunity to inject energy in the system.

This should be Mr. Lajčák’s first and foremost strategic objective. His mandate has already received wide support from EU member states. Coming from Slovakia, one of the five EU countries that have come short of recognizing Kosovo, gives his role an added layer of complexity. Being direct about the need for mutual recognition and a final comprehensive agreement would finally take the shackles off.

Support in this endeavor from High Representative Borrell, as well as President Macron and Chancellor Merkel, will be key. While delineating the mutual recognition framework will create some pushback from the five non-recognizing states, disruption can only help the process. Non-recognizing states are, after all, as interested as everyone else to finally see this conflict settled.

After last month’s elections in Serbia, which were boycotted by the opposition, President Vučić reigns uncontested and with an airtight majority in Parliament. It is past time to push him, and the Serbian political class, to finally reckon with their past and confront their people with the fact that mutual recognition, albeit a hard-truth, is inevitable.

The sin of complacency has plagued the EU for too long. Kicking the can down the road again and continuing with half-measures and half-solutions just keeps the two countries in a limbo and holds them back in their EU perspective.

The EU has now a renewed opportunity to deliver. At stake is the credibility of the process, as well as the fate of EU’s quest for geopolitical relevance. It’s time for real leadership, strategic thinking, and boldness.

The article was first published in The Brussels Times.

Filed Under: Opinion Tagged With: Addressing the elephant in the room, Akri Cipa

Artikujt e fundit

  • Dardanët…
  • DEKLARATA E PAVARËSISË – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
  • 2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!
  • Penalizimet e kryeministrit për pyetje ndaj gazetarëve janë rast tipik shqiptar. Këto penalizime duhen refuzuar
  • Në Kroaci u zhvillua shkolla verore e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare
  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
  • 2 Korrik 1990 si revoltë ndaj sistemit komunist
  • Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi
  • EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI
  • KËSHILLI BASHKIAK LIBOHOVË I JEP TITULLIN “MIRËNJOHJA E QYTETIT” (PAS VDEKJES) ATDHETARIT QERIM BAJRAM HAXHIU
  • LA PATRIE (1920) / IMZOT LUIGJ BUMÇI : “POPULLI SHQIPTAR, ME VULLNETIN E TIJ, NUK DO TA LËSHOJË KURRË VLORËN.” – SHKRESA DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS
  • KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990
  • Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966
  • JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!
  • “MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT