• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hebreitizimi i kryeministrit shqiptar

June 18, 2022 by s p

Shaban Murati/

Në ditën e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 qershor kryeministri i Shqipërisë njoftoi se qeveria e tij do të ngrejë në Tiranë Qendrën Hebraike dhe në Vlorë Muzeun Hebraik. Qeveria nuk ka ngritur ende në Tiranë as Muzeun e Kosovës dhe as Muzeun e Çamërisë.

Ç’është kjo ethe hebraike, që ka kaplluar kryeministrin e Shqipërisë? Po krijohet një narrativë e re artificiale marrëdhëniesh të jashtme, e cila po ve në dyshim historinë. Nuk po e dimë më: A janë shqiptarët, që kanë shpëtuar hebrejtë në Luftën e Dytë Botërore apo janë hebrejtë, që kanë shpëtuar shqiptarët? Kush duhet t’i jetë mirënjohës njeri-tjetrit: populli shqiptar apo populli hebre? Në çdo logjikë normale historike, diplomatike dhe etike i takon qeverisë izraelite të hapë Qendër Shqiptare dhe Muze Shqiptar në Izrael për aktin e rrallë historik të popullit shqiptar, që shpëtoi hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për faktin që Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, ku numuri i hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh se në fillim të saj. Kjo quhet mirënjohje.

Megjithë respektin për Izraelin, dihet se populli hebre nuk ka lozur as edhe një rol dhe nuk ka patur asnjë minimum rëndësie në historinë e popullit shqiptar. Gjeografia dhe historia na kanë caktuar shumë larg njeri-tjetrit. Ka shume popuj të tjerë, që do të meritonin më përpara Qendra në Shqipëri. Kontribute historike për popullin shqiptar ka dhënë Austria apo Bullgaria dhe madje Kina ka dhënë një kontribut shumë më të madh në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë dëshirë të konvertohet në çdo lloj feje, që të jetë qejfi i tij i ditës apo i natës. Hebreitizimi i tij është çeshtje personale, që duhet ta mbajë brenda mureve të shtëpisë së tij. Posti, që ka, i është besuar të menexhojë taksat tona dhe ato duhet të shkojnë në rradhë të parë për përjetësimin e memories historike të kombit tonë. E përsëris: Shqipëria nuk ka ende as Muze të Kosovës dhe as Muze të Çamërisë. Pa le më të ketë Muze të Masakrës së Tivarit.

Absurditete të tilla qeveritare mbijnë në shtete pa dinjitet dhe pa integritet, sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që populli, i cili ka shpëtuar një popull tjetër, ta ndjejë veten borxhli ndaj atij që ka shpëtuar.

Filed Under: Analiza

KOSOVA NË NATO DHE NË BE – JO KONFLIKT I NGRIRË

June 16, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Kryetari i Serbisë, Vuçiqi, thotë: “Populli serb mendon se konfliktin me Kosovën duhet ngrirë”. Ai i komenton zgjidhjet potenciale për marrëdhëniet midis dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve. Si një prej zgjidhjeve të “problemit” të Kosovës, sipas Vuçiqit, është që ky “problem” të shndërrohet në çështje të ngrirë. Po qe se një çështje midis dy shteteve nuk zgjidhet me vite dhe dekada, atëherë ajo qëndron në status quo. Status quo-ja, tërthorazi ngërthen në vete konfliktin e ngrirë. Për marrëdhëniet me Prishtinën, Vuçiqi thotë: “Do të bëj çmos që të përballem me qëndrimin e 80 për qind të njerëzve në Serbi të cilët mendojnë se  duhet ruajtur konfliktin e ngrirë”. 

Përfaqësuesit e Kosovës thonë se mosmarrëveshjet me Serbinë duhet të kapërcehen nëpërmjet dialogut.  

Konflikt të ngrirë kemi në pjesë të caktuara të botës, por jo edhe midis Kosovës dhe Serbisë, thonë ekspertët e konflikteve të ngrira dhe të pangrira të Institutit të Lajbnicit për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore.   

Ç’është konflikti i ngrirë? – Termi “konflikt i ngrirë” është shfaqur pas luftës së ftohtë dhe ka të bëjë me situatat e krijuara në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në atëkohë, grupet apo forcat separatiste kanë krijuar shtete, të cilat nuk kanë njohje ndërkombëtare. Ato krijohen pas ndërprerjes së konflikteve të armatosura, por pa një marrëveshje paqeje dhe kornize politike, që bën të mundur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.  

Megjithëkëtë, konflikt i ngrirë nënkupton edhe të heqësh dorë nga marrëveshja, për një kohë të pacaktuar, derisa nuk ndryshohen rrethanat dhe nuk krijohen kushtet për zgjidhjen e problemit.  Për këtë arsye, shpeshherë politikisht nuk pranohet si zgjidhje. Më parë kemi të bëjmë me pranimin e pafuqisë apo të pamundësisë objektive të mbartësve të forcës, jo vetëm të pushtetit, për të arritur kompromis dhe marrëveshje në të cilën fitojnë që të dyja palët.  

Shembulli që e ilustron më së miri këtë koncept është lufta për Nagorni-Karabah që ka zgjatur prej vitit 1988 deri në vitin 1994 ndërmjet Republikës së Azerbajxhanit dhe shumicës armene të këtij rajoni. Në luftë u zhvendosën rreth një milion njerëz. Në referendumin e mbajtur, shumica e votuesve të Nagorni-Karabahut votuan që t’i bashkëngjiten Armenisë, ndërsa azerët e kësaj pjese e bojkotuan votimin. 

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik konflikti u thellua, për arsye se Azerbajxhani e shpalli pavarësinë. Pas kësaj, shumica armene në Nagorni-Krabah votoi për shkëputje nga Azerbajxhani dhe e shpalli republikën. Më vonë e ndërroi emrin në Arcah.

*   *   *

Konflikte të ngrira – Çështja e Gjibraltarit (La Cuestión de Gibraltar) – Sovraniteti i Gjibraltarit ka qenë çështje më e rëndësishme e tensioneve në marrëdhëniet e Spanjës dhe Anglisë. Gjatë luftës për trashëgiminë spanjolle të Gjibraltarit, midis Spanjës dhe Anglisë, ushtria angleze dhe holandeze, më 4 gusht 1704, e morën qytetin e Gjibraltarit. Ushtria spanjolle dhe ajo franceze, e humbën luftën. Shkretimi i Gjibraltarit zgjati tri ditë, përkundër marrëveshjes se nuk do të ushtrohet dhunë ndaj popullsisë civile. Shumica e kishave katolike u shkatërruan. Shumica e popullsisë u dëbua, iku ose u vra nga ushtria angleze dhe holandeze. Me Marrëveshjen e Utrehtit (Utrecht) të vitit 1713, me të cilin përfundoi lufta midis Spanjës dhe Anglisë, Gjibraltari dhe ishulli Minorca, mbetën nën sovranitetin e Britanisë. Britania e Madhe në vazhdimësi ka sovranitet ndaj Gjibraltarit, përkundër përpjekjeve të shumta të Spanjës për ta kthyer nën pushtetin e vet. Që nga Marrëveshja e Utrehtit (Utrecht) të viti 1713 e këndej, tensionet midis Spanjës dhe Britanisë së Madhe për Gjibraltarin, nuk kanë pushuar. Spanja edhe më vonë ka pasur pretendime ndaj Gjibraltarit dhe ka kërkuar nga Londra që t’ia kthejë. Kontesti rreth Gjibraltarit, herë-herë ka marrë edhe formën e konfliktit të ngrirë.  

*   *   *

Territor për paqe – Izraeli dhe bota arabe – Shprehja “territor për paqe” është interpretim legal i Rezolutës 242 të Këshillit të Sigurimit të KB-ve që u përdor si bazë për arritjen e paqes midis arabëve dhe Izraelit. Shprehja territor për paqe është nxjerrë nga teksti i paragrafit të parë operativ të rezolutës që përcakton se paqja duhet të përfshijë zbatimin e dy parimeve: tërheqjen e forcave izraelite (të heqë dorë nga territori); dhe pushimin e të gjitha kërkesave apo të gjendjeve të luftës (Making Peace). Duke qenë se rezoluta parashikon zbatimin e të dy parimeve, ato bashkërisht mund të trajtohen si arritje e paqes duke hequr dorë  nga territori, që në mënyrë koncize quhet “territor për paqe”.  

Ky interpretim u kontestua gjerësisht për arsye se implikon se tërheqja e Izraelit ndërlidhet me gatishmërinë e fqinjëve të tij që formalisht të lidhin marrëveshje paqeje. Interpretimet oponentë të rezolutës konsiderojnë se Izraeli është i detyruar të tërhiqet pa kusht nga të gjitha territore e pushtuara në vitin 1967. 

Diplomati britanik, Lordi Karadon (Hugh Foot, Baron Caradon, 1907-1990) flet për lëshimet që duhet t’ia bëjnë Izraelit shtetet arabe, si pjesë e zgjidhjes gjithëpërfshirëse – sipas Rezolutës 242. “Parimet e Rezolutës 242 i kanë pranuar Egjipti, Jordania, Siria dhe Arabia Saudite. Respektohen edhe nga Izraeli. Po qe se Izraeli tërhiqet nga territoret e pushtuara në vitin 1967, të gjitha shtetet në atë rajon duhet të jenë të lira që të jetojnë brenda kufijve të sigurt dhe të pranuar, pa forcë dhe kanosje me forcë. Kjo nënkupton pajtimin që Izraeli të ketë të drejtë ekzistimi dhe të drejtë për shtet të vet. Kjo nuk është diçka e re. Kjo buron që nga viti 1967”. 

Më 19 qershor 1967 Izraeli ofroi tërheqjen nga Sinai dhe Golani si këmbim për paqen. Shtetet arabe, me Rezolutën e Kartumit të shtatorit të vitit 1967, ofertën e Izraelit e refuzua: “S’ka paqe me Izraelin, nuk ka njohje të Izraelit, nuk ka bisedime me Izraelin”.  

Formula “territor për paqe” u zbatua për herë të parë me Marrëveshje e paqes të vitit 1979, midis Izraelit dhe Egjiptit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Izraeli u tërhoq nga Sinai, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes, të mbështetur me ndihmën ekonomike të ShBA-së për të dyja palët.  

Në vitin 1994, një marrëveshje e ngjashme gjithëpërfshirëse që i referohet Rezolutës 242 krijoi bazën e marrëveshjes së paqes midis Izraelit dhe Jordanisë, sipas së cilës të dyja palët u tërhoqën në anët e veta të kufirit të njohur në shkallë ndërkombëtare. 

*   *   *

Marrëveshja e katër fuqive për Berlinin (Four Power Agreement on Berlin) – Marrëveshja e katër fuqive për Berlinin (Four Power Agreement on Berlin), i njohur si Marrëveshja e Berlinit apo Marrëveshje katërpalëshe për Berlinin, e 3 shtatorit të vitit 1971, e fuqive aleate të Luftës së Dytë Botërore, të përfaqësuar prej ambasadorëve të tyre. Katër ministra të Punëve të Jashtme, Alek Dagllas-Hom (Alec Douglas-Home, 1903-1995) i Mbretërisë së Bashkuar, Andrej Gromiko (Andei Gromyko; Starie Gromyki, Bjellorusi, 1909 – Moskë, 1989) i Bashkimit Sovjetik, Moris Shuman (Maurice Schumann, 1911-1998) i Francës dhe Uilliam P. Roxhërs (William Pierce Rogers, 1913-2001) i ShBA-së, më 3 qershor 1972 nënshkruan protokollin përfundimtar. Me Marrëveshjen e Berlinit si dhe me Marrëveshjen themelore (Grundlagenvertrag) që hyri në fuqi në qershor të vitit 1973, i njohën dy shtetet gjermane – Republikën Federale Gjermane dhe Republikën Demokratike Gjermane dhe dy vendet u obliguan të respektojnë sovranitetin e njëri-tjetrit. Në bazë të dy marrëveshjeve të sipërthëna, në shtator të vitit 1973, të dy shtetet gjermane iu bashkuan Kombeve të Bashkuara.   

*   *   *

Marrëveshja themelore e dy shteteve gjermane – “Marrëveshje për bazat e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane” e nënshkruar më 21 dhjetor 1972. Paraqet bazë për një sërë marrëveshjesh të tjera të dy shteteve gjermane deri në bashkimin e tyre në vitin 1990. Në nenin 1 të marrëveshjes thuhet se RFGJ dhe RDGJ do të zhvillojnë ndër vete marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë. Në nenin 2 thuhet se RFGJ dhe RDGJ do të udhëhiqen nga objektivat dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sidomos nga parimet e barazisë sovrane të shteteve, të respektimit të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore, i të drejtës për vetëvendosje, i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i mosdiskriminimit. Në nenin 3 thuhet se në përputhje me Kartën e KB, RFGJ dhe RDGJ, çështjet e kontestueshme të ndërsjella do t’i zgjidhin përjashtimisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kanosja me forcë apo nga përdorimi i forcës. Ata e konfirmojnë moscenimin e kufijve, tani dhe në të ardhmen dhe obligohen për respektimin e plotë të integriteteve territoriale të tyre. Marrëveshja ka 10 nene. U nënshkrua në Berlin më 21 dhjetor 1872 nga diplomati i RFGJ-së, Egon Bar* (Egon Bahr, 1922-2015) si dhe nga diplomati i RDGJ-së, Mihael Kol (Michael Kohl, 1929-1981). 

Shënim: I besueshmi i kancelarit gjerman Vili Brant (Willy Brandt, 1913-1992), Egon Bar (Egon Bahr, 1922-2015), ishte një prej arkitektëve kryesorë të hapjes së Gjermanisë kah Lindja, d.m.th. një prej themeluesve të ostpolitik. Më 1999, Egon Bar kritikoi ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë. 

*   *   *

Pas këtyre dy marrëveshjeve të sipërthëna, u lidhën një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare. Disa studiues thanë: “Filloi formalizimi i luftës së ftohtë dhe ndarja e Evropës”, ndërsa studiues të tjerë thanë se dy marrëveshjet e lartpërmendura shënojnë fillimin e fundit të luftës së ftohtë. Në vitin 2001, historiania amerikane, njohëse e luftës së ftohtë, Meri Elizë Sarot (Mary Elise Sarotte, 1968-) shkruan: “Përkundër frikës së gjithanshme, dy shtetet gjermane, si rezultat i dialogut për uljen e tensioneve, arritën të lidhin shumë marrëveshje”. 

Pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, në vitin 1990 dy shtetet gjermane u ribashkuan.       

*   *   *

Çështja e Gjibraltarit (La Cuestión de Gibraltar) edhe sot vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Spanjës. Shumica e madhe e banorëve të Gjibraltarit, kategorikisht janë kundër kthimit nën pushtetin e Spanjës, si dhe kundër propozimit për ndarjen e sovranitetit. Më 17 nëntor 2002, u mbajt referendumi në të cilin qytetarët e Gjibraltarit u deklaruan për ruajtjen e sovranitetit britanik mbi Gjibraltarin. Vetëm 1 për qind e qytetarëve kanë qenë për ndarjen e sovranitetit midis Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 99 për qind – për mbetjen e gjendjes së përtashme. Në shtator të vitit 2006, përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Gjibraltarit zhvilluan bisedime në Kordobë (Córdoba) të Spanjës, me një marrëveshje kornizë për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me Gjibraltarin dhe me Campo de Gibraltar, me të cilat hiqen disa kufizime të imponuara nga Spanja. Gjatë muajit maj të vitit 2009, u shtua numri i shkeljeve të ujërave territoriale të Gjibraltarit nga anijet spanjolle. Pas kësaj, pasojnë protestat diplomatike të qeverisë britanike.   

*   *   *

Vendet me “konflikte të ngrira”:

– Armenia dhe Azerbajxhani rreth Nagorno-Karabahut, i ngrirë që prej vitit 1994;

– Konflikti ndërmjet forcave ushtarake dhe paraushtarake në Moldavi rreth Pridnjestrolit, i ngrirë që nga viti 1992; 

– Konflikti në Gjeorgji rreth Osetisë Jugore dhe Abhazisë, i ngrirë që nga viti 2008;

– Konflikti i Qipros ndërmjet Qipros Veriore dhe Turqisë, i ngrirë në vitin 1974;

– Lufta në Ukrainën lindore, që nga viti 2014, edhe pse kohë pas kohe zhvilloheshin konflikte të armatosura. Po të mos ishte agresioni rus në Ukrainë, konfliktet atje do të mund të rezultonin me krijimin e konfliktit të ngrirë. Aktualisht, në atë pjesë të Ukrainës, midis forcave pushtuese ruse dhe ushtrisë ukrainase, zhvillohen luftime të përgjakshme. 

Kjo mënyrë e zgjidhjes së konflikteve është “burim i problemeve ekzistenciale për shtetet e vogla , të përfshira në to”. 

Konfliktet e ngrira nuk janë opsion i mirë politik për arsye se:

– konfliktet e ngrira gjithmonë paraqesin kërcënim që të shndërrohen në luftë të hapur; 

  – ato janë burim i konfliktit të ditëpërditshëm, me intensitet të ulët;

– gjithmonë krijojnë mundësinë e ndërhyrjes së fuqive të mëdha dhe të përplasjeve të tyre të ndërsjella, në kurriz dhe në dëm të atyre, për fatin e të cilëve vendosin;

– e vështirësojnë zhvillimin ekonomik;

– ekzistimi i konfliktit të ngrirë nxit mobilizimin etno-nacional të vazhdueshëm;      

   – nuk u kontribuon përpjekjeve për ndërtimin dhe për zhvillimin e shtetit ligjor, por krijojnë kushte plotësuese dhe terren të përshtatshëm për korrupsion dhe klientelizëm;  

  – konfliktet e ngrira u pengojnë shteteve në territoret e të cilave figurojnë, që të integrohen në BE. 

*   *   *

BE-ja dhe dialogu i ngrirë nuk janë kompatibilë (të pajtueshëm) – Ka të tillë në Serbi që propozojnë “ngrirjen e konfliktit në Kosovë, në mënyrë që një ditë, kur të ndryshojnë rrethanat në botë, të gjendet zgjidhje në dobi të Serbisë”.  

Një politikë e këtillë e konfliktit të ngrirë do ta çonte Serbinë në një rrugë gjeopolitike të gabuar. Me ngrirjen e konfliktit, Serbia në të ardhmen do të parapaguhej për luftëra të reja, me shumë të panjohura dhe si pasojë do të humbte çdo mundësi për t’u bërë një demokraci funksionale, juridikisht të rregulluar dhe ekonomikisht të zhvilluar.  

Serbia synon anëtarësimin në BE. Konflikti i ngrirë nënkupton ngrirjen e kandidaturës së Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Ai që mbështet idenë e ngrirjes së konfliktit, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për ngrirjen e integrimeve evropiane. Në Serbi ka që thonë: “Po qe se politika e ngrirjes së konfliktit e ka mbështetjen e qytetarëve, atëherë kjo do të ishte një  politikë legjitime , por problemi i Kosovës mbetet”.    

Shembuj pozitivë të konflikteve të ngrira – nuk ka. Vetë termi nënkupton në të vërtetë “paqe negative” , d.m.th. mungesë armiqësie, por jo edhe zgjidhje problemi. Në situata të konflikteve të ngrira, shpeshherë mungojnë mekanizmat e paralajmërimit. Ç’duhet bërë po qe se konflikti shpërthen përsëri, kurse rreziku për një të tillë, gjithmonë është i pranishëm. 

Sipas hulumtuesve të Institutit të Lajbnicit për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore, Serbia, duke marrë pjesë në dialogun e Brukselit, ka hequr dorë nga konflikti i ngrirë.  

Hulumtuesit e Institutit të Lajbnicit, Grupi për konflikte të ngrira dhe të pangrira, thonë: “Momenti i vetëm në të cilin Serbia ka mundur të arrijë konflikt të ngrirë në Kosovë, ka qenë ai pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Ka mundur të thotë: Nuk dëshirojmë dialog dhe dërgojmë ushtrinë në kufi. Këtë e ka bërë Azerbajxhani me ushtrinë e vet. Duke qenë se Serbia është përcaktuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për dialogun në Bruksel, ajo  ka pamundësuar që konflikti të stopohet, përkatësisht të ngrijë”. 

Ekzistojnë disa parametra të rëndësishëm që e mundësojnë lindjen e konfliktit të ngrirë, si opsion politik. 

Shtetet të cilët sot janë të përfshirë në konflikt të ngrirë, në terren janë të pavarura, por nuk njihen nga organizatat ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FIFA, Banka Botërore, etj. 

Rasti i Kosovës është krejt tjetër. Ajo është njohur nga 117 vende të botës dhe pothuajse nga të gjitha shtetet, anëtare të BE-së. Është anëtare e shumë organizatave. Për dallim nga vendet e tjera me konflikte të ngrira, në Kosovë është e pranishme edhe bashkësia ndërkombëtare. Përveç kësaj, në Kosovë nuk kemi as konflikt të armatosur, që është edhe një kusht. Për këtë arsye, raporti midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të trajtohet si konflikt i ngrirë.    

*   *   *

Sipas qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, Uashingtonit dhe Brukselit, rasti i Kosovës është i veçantë në botë. Këtë e thonë Uashingtoni, Londra, Parisi dhe Berlini. ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. 

Midis Kosovës, në një anë dhe territoreve që i ka pushtuar Rusia në Moldavi, në Gjeorgji dhe në Ukrainë, në anën tjetër, nuk mund të bëhet kurrfarë krahasimi. Midis Kosovës, në një anë dhe Pridnjestrolit të Moldavisë, Osetisë Jugore e Abhazisë – të Gjeorgjisë, të pushtuara nga Rusia, Krimesë së Ukrainës, të pushtuar nga Rusia, Donbasit apo Luganskut dhe Donjeckut, të Ukrainës, të pushtuar nga Rusia, në anën tjetër, nuk ka asgjë të përbashkët. Krahasimet dhe arsyetimet e kryetarit të Rusisë, Vladimir Putinit, janë kryekëput të pabaza. 

Kosova është subjekt historik. Ajo lufton për liri që nga viti i pushtimit serb, më 1912. Pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht me Kushtetutën e RSFJ-së, të vitit 1974, ka qenë pjesë konstitutive e federatës jugosllave. Me shpërbërjen e kësaj federate, Kosova është shkëputur prej saj, njësoj si pjesët e tjera federative. 

E mbështetur nga Moska, Serbia i bën obstruksione dialogut të Brukselit. E zvarrit atë deri në pafundësi. S’ka kompromis për Kosovën. Kompromis është pakoja e Ahtisarit. Kosova sa më parë duhet të pranohet në NATO dhe në BE. Serbisë, e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe e cila në rastin e invadimit rus në Ukrainë, është rreshtuar në anën e Rusisë, përgjithmonë duhet t’i ndalohet anëtarësimi në Union. Vendet e Perëndimit duhet ta privojnë Serbinë prej investimeve të tyre. Kompanitë e tyre duhet t’i vendosin në Kosovë dhe në Shqipëri.  

*   *   *

Qendrat proruse të BE-së duhet ta dinë se politika evropiane s’bëhet dot duke e anashkaluar ShBA-në. Ndryshe, të vjen lufta te pragu i derës. Qendrat filoserbe të BE-së, duke e lënë Kosovën në margjinat e agjendës së tyre, e çonin atë drejt një konflikti të ngrirë. I mbështetur nga Putini dhe i përkëdhelur nga qendrat filoserbe të BE-së, Vuçiqi manifestonte arrogancë, megalomani dhe mendjemadhësi. Stabilpolitick e Angela Merkelit u pa në Ukrainë. Arkitektët e ostpolitikës gjermane kishin parasysh kryesisht interesin ekonomik të Gjermanisë. Por, BE-ja dhe NATO-ja janë më shumë se kaq. Integrimi i Ballkanit Perëndimor s’bëhet dot, duke i lënë hapësirë Putinit që të penetrohet në rajon. Agresioni rus në Ukrainë i dha fund politikës lindore të Berlinit. 

*   *   *

Kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz, 1958-), gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 10 qershor 2022, tha se dialogu është e vetmja rrugë. Ai e ftoi Serbinë dhe Kosovën që sa më parë të lidhin marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe t’u japin fund tensioneve shumëvjeçare.     

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999

June 14, 2022 by s p

Prof.Dr. Muharrem Qafleshi/

Në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”, të autorit dr. Lulzim Nikës. Ky libër trajton përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për ta evituar eksodin e popullatës kosovare nga trojet stërgjyshore, kur përpjekjet diplomatike nuk dhanë rezultat, pikërisht në 50 vjetorin e themelimit të Aleancës së Veri-Atlantikut (NATO-s), e cila me 24 mars 1999, filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe. Fjalën përshëndetëse e bëri drejtori i Institutit Albanologjik, prof. dr. Hysen Matoshi, i cili librit të autorit dr. Lulzim Nikës, i bëri një përshkrimin analitike mbi ngjarjet që zhvilloheshin aso kohe si dhe përpjekjeve diplomatike të SHBA-së dhe Perëndimit (BE) në një anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Biografinë e autorit e paraqiti dr. Mustafë Haziri!

Sipas recensentit dr. Lush Culaj, libri i studiuesit dr. Lulzim Nikës, trajtojnë diplomacinë në të kaluarën e shqiptarëve janë të rralla dhe jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e huaja. Autori Lulzim Nika, në këtë studim ka qëllime mjaft të qarta për përpjekjet diplomatike ndërkombëtare në ato vite të mëdha të përcaktimit të fatit të Kosovës.

Ndërsa, recensenti dr. Muharrem Qafleshi, mes tjerash ka theksuar, se librin “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”, autori ka trajtur mjeshtërisht dhe profesionalisht Veprimtarinë Diplomatike Ndërkombëtare për çështjen e Kosovës para dhe gjatë luftës së Kosovës, duke shtjelluar përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, për parandalimin e luftës që kishte shkaktuar një krizë humanitare gjatë depërtimit të popullatës shqiptare të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në shtetet tjera evropiane, njëherit edhe spastrimin etnik të Kosovës.

Pas Konferencës së Dayton, shumica e shqiptarëve të Kosovës synonin pavarësinë e plotë.

Për të dyja palët si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, radikalizmi i qëndrimeve dhe përjashtimi reciprok i zgjidhjeve paqësore, e bënë të qartë se palët duhet të shkonin në luftë për të mbrojtur qëndrimet e tyre.

Meqenëse kartat e irredentizmit dhe terrorizmit të përdorura nga Slobodan Milosheviq, si një maskim për të vazhduar fushatën e dhunës në Kosovë për botën e civilizuar ishte më e pabesueshme, por autoritetet serbe gjetën pretekstin tjetër atë të veprimtarisë së UÇK-së, për të ndërmarrë masa brutale të paligjshme ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90-të, ku serbet hegjemon ishin gjenerues të konflikteve politike dhe ndëretnike. Ku regjimi autoritar dhe nacionalist Sllobodan Millosheviqit, bëri përpjekje që përmes ushtrisë jugosllave të krijonte Serbinë e Madhe.

Në këtë fazë, për herë të parë ndërhyrja e diplomacisë ndërkombëtare ishte specifike pasi ajo u mor në mënyrë të drejtpërdrejtë me palët në konflikt.

Etapa e parë e Diplomacisë ndërkombëtare ishte parandaluese ose e përpjekjeve diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës, duke organizuar edhe një Konferencë ndërkombëtare në Rambuje, përpara ndërhyrjes ushtarake të trupave të NATO-s me 24 prill 1999.

Autori me të drejtë konstaton se përkrahja amerikanë për Kosovën ishte në suaza të globalizmit të demokracisë dhe respektimit të identitetit individual e kolektiv dhe përpjekjet për parandalimin e tiranisë dhe autokracisë në vendet jo demokratike, siç ishte Serbia, e cila udhëhiqte një politikë dhe diplomaci me plot paradokse e djallëzi për të ushtruar dhunë brutale ndaj popullatës kosovare, andaj edhe kontributi diplomatik e ushtarak amerikan nuk mungojë për ta parandaluar eksodin e popullsisë kosovare.

Politikë të ngjashme diplomatike ka udhëhequr edhe Mbretëria e Bashkuar nën drejtimin e kryeministrit të asaj kohë Toni Bler dhe ministrit të Punëve të Jashtë Robin Kuk!

Ndërsa, për diplomacinë evropiane luftërat ballkanike ishte një kthjelle për ta, sepse po goditej rëndë projekti i tyre, ku vlerat themelore nga ana e Serbisë u shkelën në mënyrën më drastike dhe Evropa nuk ia doli që ta pengoj ngase proceset vendimmarrëse në BE ishin të gjata, andaj ishte e qartë se pa angazhimin amerikan vështirë së do t’ia dilnin. Prandaj, autori i këtij libri diplomacinë evropiane e quan me të drejtë si hezituese.

Diplomacia ruse, kundrejt ngjarjeve në Kosovë ishte mbështesë e Serbisë ortodokse dhe kundërshtuese e çështjes kombëtare të Kosovës!

Ngase dihet botërisht se Serbia është vendi me një angazhim të tejskajshëm në aleancën e vet strategjike ushtarake me Federatën Ruse.

Serbia, e cila kishte dhe ka traktat bashkëpunimi strategjik e ushtarak me Rusinë, bën tregti armësh më të, organizon stërvitje ushtarake të përbashkëta pra, gjithçka e lidh Serbinë me Rusinë duke e mbështetur njëra tjetrën në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Lulzim Nika

Vatra, monument historik i vetëdijes dhe i kulturës kombëtare

June 14, 2022 by s p

Perparim Rama*

Vëllazën të dashun,

Nuk di me e shprehë me fjalë sa i lumtur jam që sot po më jepet mundësia me folë me ju, e kështu, edhe me krejt bashkëkombasit e mi në Amerikë, në këtë përvjetor të federatës mbarëshqiptare Vatra, e cila sivjet po hyn në dekadën e dytë të shekullit të dytë, të veprimtarisë së vet. Ju e dini se erdha prej Prishtine veç me qenë këtu fizikisht midis jush.

Është një përvjetor ky për t’u pasë lakmi edhe prej vetë Shqipërisë, sepse Vatra u kriju në vitin tashmë të largët 1912, madje disa muaj para se shqiptarët në trojet e veta të shpallnin shtetin e tyre të mëvetësishëm.

E themeluar nga intelektuali, atdhetari dhe veprimtari i palodhshëm i çështjes shqiptare, Fan Noli, Vatra është jo vetëm ndër më të vjetrat, por edhe ndër të rëndësishmet organizata që ka themelu kombi ynë.

Ka pasë kohë madje, sikur ajo gjatë Luftës së Parë Botnore, kur Vatra e ka lujtë rolin e një qeverie shqiptare në ekzil, sa madje ka dërgu Fan Nolin dhe Faik Konicën në Evropë, që prej andej të avokonin për interesat tanë kombëtarë.

“Monument historik i vetëdijes dhe i kulturës kombëtare”, kështu e pati cilësu, me shumë të drejtë, Arshi Pipa, një tjetër intelektual i jashtëzakontë, prej të cilit ende mundemi me mësu shumë, e që e drejtoi Vatrën në vitin kthesë, 1991.

Vatra ka bërë dhe ende vazhdon e palodhshme, të kryejë punë të jashtëzakonshme, të shumta, të larmishme, e që mbeten ndër kontributet më madhore për fuqizimin e qenësisë shqiptare. Aktivitetet e saj shtrihen që prej lobimeve në Kongresin Amerikan, te angazhimet për demokratizimin e politikës shqiptare, për çlirimin e Kosovës, e deri te kontributet e panumërta në gjithë ato fusha nëpërmjet organit të saj, gazetës Dielli.

Po përfitoj, prandaj, nga ky bashkëbisedim me ju, që me i ba disa kërkesa, si kryetar i Kryeqytetit të Kosovës. E para, na ndihmoni që edhe flamuri i Kosovës të valojë si i barabartë në oborrin e Selisë së Kombeve të Bashkuara këtu në Nju Jork, pikërisht në metropolin ku edhe Vatra jonë e ka selinë e saj. Njëherësh kërkojmë prej jush, si Kosovë, ndihmesën tuaj për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, dhe në të gjitha strukturat e tjera të rëndësishme të botës demokratike.

Por përveç kërkesave, kam ardhë te ju edhe me oferta. Prishtinën, që e kemi marrë me e udhëheqë, kemi ndër mend ta transformojmë në një qytet të vlerave më bashkëkohore urbane, afariste, kulturore, turistike, ekologjike. Prandaj do të ketë shumë projekte, shumë nevojë për partneritete publiko-private, shumë punë për shumë lloj biznesesh, e sidomos për ato të infrastrukturës fillimisht, rrugore e banesore. Prandaj po vij me mesazhin për biznesmenët shqiptarë të ShBA-së, të çfarëdo profili qofshin, që t’i shohin ofertat tona për Prishtinën moderne. Ejani të bashkëpunojmë. Fuqizohemi më shumë kur fuqizojmë njëri-tjetrin. Forcohemi kur dëshmojmë se dimë e mundemi ta ndërtojmë bashkë vendin tonë.

Sot, hapësira shqiptare po ndërvepron, lidhjet shpirtërore po thellohen dhe komunikimi po intensifikohet e po shpeshtohet dita-ditës. Megjithatë, ne që jemi në Ballkan, gjithmonë mbetemi me njëfarë ndjesie se nuk po bëjmë sa duhet, se na presin edhe shumë punë, se urat lidhëse mes nesh munden e duhen me qenë më të shumta, se prirjet divergjente disi do të na shpërbëjnë.

Prandaj ju, të nderuar bashkatdhetarë, anëtarë të federatës Vatra, duke qenë me seli në një kryeqendër aq të rëndësishme të globit, me tagrin që jua jep historia dhe emrat e mëdhenj të kombit tonë që Vatrën e themeluan dhe e udhëhoqën, ju e gëzoni edhe autoritetin moral që ta përhapni frymën tuaj përbashkuese e mbarëshqiptare edhe në Ballkan e në gjithë botën.

Ne, si Kryeqytet i Kosovës, lidhjet me Vatrën duam me i mbajtë të përzemërta dhe gjithmonë e më të forta, sikurse me çdo organizëm tjetër mbarëshqiptar.

Në fund, po ju lë me urimin:

Gëzuar 110 vjetorin! Federata Panshqiptare Vatra u shekulloftë sërish!

*Kryetari i Komunës së Prishtinës, fjalë përshëndetëse në 110 vjetorin e Vatrës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Perparim Rama

Televizioni Boin është CNN-i i Malësisë dhe i Diasporës

June 9, 2022 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj/

Në verën e vitit 2000 një grup malësorësh shqiptarë udhëtuam nga New York-u për në Prishtinë, për të vizituar Kosovën tonë të lirë. Arritëm atje në Itakën tonë pas një çerek shekulli. Ishim dënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, sepse kishim qënë aktiv në lëvizjen e shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për bashkimin kombëtar, edhe pse të gjitha aktivitetet tona kishin qënë në pajtueshmeri me Kushtetutën dhe ligjet amerikane. Ndërsa po kalonim me aeroplan nëpër qiellin e kaltërt të Dardanisë nga dritaret e aeroplanit po shikonim fushat dhe malet e bukura të asaj treve historike dhe legjendare.

Përveç qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur edhe një grup malësorësh nga Mali i Zi, midis të cilëve dalloheshin Tomë Bojaj dhe Luigj Berishaj të emisionit televiziv në gjuhën shqipe në Podgoricë për të marre pjesë në Panairin e Librit. Aty po merrja pjesë edhe unë me disa vepra të botuara anglisht dhe shqip në New York. Organizatorët e këtij Panairi e pritën mirë ndërmarrjen time botuese Gjonlekaj Publishin Company. Gjatë atyre ditëve në Prishtinë shumicën e kohës e kaluam me Tomën Bojaj dhe Luigjin Berishaj. Tomë Bojaj ishte njeri i veçantë. Ky djalë i ri të jepte përshtypjen e një profesionisti që aspironte punë të mëdha dhe të mira. Toma ishte shumë i matur dhe i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare. Fliste ngadalë dhe nuk premtonte shumë. Kishte alergji ndaj fjalëve të mëdha e punëve të vogla. Ishte optimist në jetë, por ajo çka shkëlqente në sytë dhe fytyrën e tij ishin cilësitë e tij të mrekullueshe prej një patrioti të vërtetë. Fliste me pasion për historinë, kulturën dhe traditat tona, e veçanërisht ato të Malësisë së Madhe.

U miqësuam në Prishtinë, mbase ndikim të madh kishin idealet dhe profesionet tona të përbashkëta. Toma ishte elegant dhe çdo punë i kishte hije. Ishte shumë i brengosur lidhur me shtypjet dhe diskriminimet sërbo-malazeze ndaj malësorëve. Këto cilësi fisnike dhe patriotike e shtynë që një vit më vonë, pikërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 2001 të themelonte Televizionin e pavarur në gjuhën shqipe.

Data të cilën e kishte caktuar për inagurimin e këtij televizioni tregonte më së miri kush ishte Tomë Bojaj. Këtij televizioni i dha emërin BOIN që ishte vendlindja e tij në Grudën historike të Malësisë së Madhe, ku kishin jetuar shumë familje të përmendura . Puna dhe përpjekjet për themelimin e këtij televizioni kishin qënë tepët të vështira, por Toma dhe bashkëshortja e tij Sandra Bojaj ia kishin vënë themelet e forta që për më shumë se dy dekada nuk e lëkundën asnjë herë stuhitë e ndryshme, bile as ato shoviniste. Ky televizion u themelua për qëllime të mira kombëtare dhe Zonja Bojaj meriton respekt gjithëkombëtarë sepse po e vazhdon amanetin e burrit të saj të ndjerë.

Tragjedia e tij personale sëmundja dhe më vonë vdekja kishin qënë katastrofë e papërshkrueshme për familjen e tij dhe për të gjithë malësorët në Malësi e në diasporë.Toma u përcoll me nderime të mëdha. Dom Nosh Gjolaj në një intervistë që u transmetua në TV BOIN e krahsoi Tomë Bojajn me burrat më të përmendur të Malësisë së Madhe. Në ato kohë të vështira dëgjoheshin përshpërima se ky televizion mund të ndërpriste transmetimet. Por shikuesit e rregullt të këtij televizioni i luteshin Zotit që të mos ndodhë një gjë e tillë.

Zonja Sandra Bojaj ishte para dy provave të mëdha e të vështira: jeta, edukimi dhe arsimi i katër fëmijëve të moshës tepër të re. Por edhe vazhdimi i Televizionit BOIN, që ishte amanet i burrit të saj.

Ajo mori dy përgjegjësi të mëdha në jetë, duke vazhduar kujdesin e gjithanshëm të fëmijëve dhe të Televizionit BOIN me nder e dinjitet. Qëndrimi i saj na kujton ato malësoret fisnike të shekullit të kaluar, të atyre malësoreve te mrekullueshme të cilat pas vdekjes së burrave ruanin shtëpinë, nderin e familjes dhe fisit. Ky rast i veçantë evokon një zonjë amerikane e cila mori përsipër vazhdimin e gazetës “The Washington Post” pas vdekjes tragjike të burrit të saj. Kjo grua e famshme amerikane quhej Katharine Graham e cila e menaxhoi këtë gazetë, duke hyrë në historinë e Amerikës për guximin dhe aftësitë e saj të veçanta në përparimin e gazetarisë. Ajo ishte gruaja e parë në Amerikë e cila kishte krijuar “Tryezën e Rrumbullakët”, për t’u ulur të gjithë njësoj. Zonja Katherine Graham vdiq në vitin 1991 dhe u përcoll për në amëshim me nderimet më të mëdha nga elita politike dhe intelektuale e Washingtonit, ku kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. Bush dhe dy ish-presidentë amerikanë.

Sot qytetërimi botëror e konsideron televizionin si fuqinë e katërt të shoqërisë njerëzore, ku bëjnë pjesë ekzektivi, legjislativi dhe gjyqësori. Televizioni BOIN shkëlqen si drita e diellit në ekranet televizive të Malësisë mbase edhe me shumë në diasporën e Amerikës dhe Evropës. Malësorët e Amerikës bile edhe ata që e kuptojnë mirë gjuhën angleze, përsëri qëndrojnë gjithë ditën dhe në mbrëmje deri vonë me këtë kanal të dashur. Qëndrojnë edhe më shumë ata që kanë nostalgji për vendlindjet e tyre. TV BOIN është një pasqyrë e vërtetë e Malësisë dhe Tuzit. Gazetarët dhe punëtorët teknikë janë të mrekullueshëm. Gazetaret e TV BOIN bisedojnë me popullin shumë të qeta dhe pa provokime. Edhe telespektatorët e diasporës ndihen mirë kur i shikojnë emisionet të cilat i drejtojnë ato. TV BOIN është shumë i kujdesshëm ndaj te varfërve, që tregon se janë edhe humanistë. Të gjitha këto veprime bëhen me sugjerimet e Drejtoreshës Ekzekutive Zonjës Sandra Bojaj dhe personelit të këtij televizioni. TV BOIN ishte iniciator për ndërtimin e gjithë atyre shtëpive për më të varfërit. Kameramanët Mark Ujkaj dhe Xhenan Dresheviq janë specialistë të xhirimeve më të bukura të ngjarjeve dhe natyrës piktoreske të maleve dhe fushave tona. Edhe këta meritojnë respekt njësoj si personeli i gazetarisë.

TV BOIN luan rol të shkëlqyeshëm në afirimin e të rinjëve dhe të rejave duke filluar nga shkollat fillore deri në shkollën e mesme të Tuzit. Ky emisin televiziv është shumë korrekt dhe i balancuar me instituconet fetare, qofshin ato të krishtera ose islame. Ata përciellin me shumë kujdes të gjitha aktivitetet kulturore, duke qënë të pranishëm në gëzime dhe hidhërime të mëdha. TV BOIN ishte pranë Tuzit dhe Malësië për kërkesat e tyre politike, sidomos për themelimin e Komunës së Tuzit. Ky televizon transmeton me përgjegjësi dhe përpikmëri të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Tuzit dhe festat tjera të kësaj Perfekture shumë të re, duke qënë shumë objektiv kur është fjala për përparimet e medha gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësië në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur t’i kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës. Shumica e bashkëvendasve tanë nga ato treva janë shumë të kënaqur me punën që bën TV BOIN.

Ky televizion ka bërë gjithë ato dokumentare filmike dhe reportazhe. Marrim si shembull reportazhin e fundit në lidhje me “Kullën e Çun Mulës dhe pasardhësve të tij. Ky reportazh zgjoi ndjenjat e respektit dhe dashurisë në diasporë për këtë familje heroike dhe fisnike, ku bën pjesë edhe autori i këtij shënimi. Te mos harrojmë vlerën e madhe të Arkivit të TV BOIN.

Për më shumë se dy dekada, e nuk kam dëgjuar dhe as nuk kam parë asnjë përpjekje ose thirrje serioze shoqërore për të ndihmuar vazhdimisht këtë emision televiziv. Është e vërtetë se disa individë kanë dhënë kontribute të dukshme për të mirën e këtij mediumi, por numri i tyre është i vogël. Kohët po ndryshojnë dhe ekonomia po stagnon, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe lëndëve tjera djegëse.

Automjetet të cilat duhet t’i vëjë në veprim TV BOIN kërkojnë shumë gaz dhe riparime dhe kjo gjëndje që filloi pas sulmit të Rusisë në Ukraian e përkeqësoi gjëndjen, sidomos ekonominë e cila varet tek nafta. Televizioni BOIN për ne në Amerikë është si një dritare, jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysëm errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Zonja Bojaj ka kaluar ditë të vështira sidomos pas vdekjes së burrit të saj, ngase disa njerëz të mbrapshtë të pabesë të Malësisë në bashkëpunim me oraganet antishqiptare e kanë kërcënuar shumë herë me gjoba dhe kërcënime të tjera shumë shqetësuese. Të gjithë e dimë se në të gjitha veprimtaritë serioze çështja financiare luan rol vendimtar. Dëgjohen fjalë të mira për Boinin.

Po një fjalë e urtë popullore thotë: “fjalët e mira dhe gurët në strajcë nuk ndihëmojnë gjë”. Dëgjoj fjalë të mira por siç duket ato janë gurë në strajcë e jo bukë në strajcë. Në Kosovë populli thotë: “është me të dhënme e jo me të thënme”. Sikur mijëra familje të jepnin vetëm 25 cent amrikane ( një quarter) në ditë TV BOIN do të shkëlqente. Ata do të kishin mundësi të dërgonin bashkëpunëtorë dhe korrespondentë në të gjitha shtetet ku jeton diaspora. Diaspora e Malësië në Amerikë dhe në Evropë mund të kontribojë qindra mijëra dollarë në vit. TV BOIN duhet të hapë një llogari rrjedhëse për depozitimin e mjeteve drejtëpërsëdrejti, mundësisht edhe ndonjë llogari tjetër elektronike moderne për grumbullimin e fondeve. Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tring Smalja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit.

Viti i parë i dekadës së tretë të këtij Televizioni duhet të jetë viti më i sukseshëm i mbështjes financiare. Në qoftë se ne e plotësojmë këtë mbështetje, atëherë edhe Televizioni BOIN do plotësojë dëshirat tona.

Im zot Noli do të kishte thënë mbahu Sander e mos ki frikë se ke vëllezrit në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjek Gjonlekaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT