Nga Eris Jashari/
Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri në vitin 1945 imponoi një mbretërim terrori që zgjati 45 vjet (Mehmetaj 2014, 507). Shteti shqiptar u izolua totalisht nga arena ndërkombëtare për pothuasje gjysmë shekulli, pra një gjeneratë e tërë, duke (mos) ecur nëpër kohë si shtet i vetëm. Struktura pronësore e ekonomisë shqiptare prej 45 vitesh ishte e dominuar nga pronësia shtetërore. Deri në mesin e viteve 1960, të gjitha format e aktiviteteve ekonomike private si në industri ashtu edhe në bujqësi u reduktuan gradualisht në minimum, e që ky proces kulmoi me Kushtetutën e Re të vitit 1976, e cila legalizoi konceptin e një “ekonomie socialiste” të bazuar në pronësinë shtetërore të të gjitha mjeteve të prodhimit, përfshirë tokën bujqësore, duke ndaluar edhe format minimale të pronës ose veprimtarisë private (Muço 1997, 9).
Edhe pse e izoluar ekonomikisht e kulturalisht nga bota, ndikimet dhe rrjedhojat gjetiu nëpër vendet tjera bënë që edhe në Shqipëri të fillonte të instalohej një frymë e re vlerash që ishin të kundërta me vlerat e sistemit komunist. Ekonomia e centralizuuar e mbyllur kishte dështuar si sistem qeverisës sepse kushtet e rënda, uria, papunësia, si dhe shkeljet e ndryshme të të drejtave të njeriut ishin përditshmëri e jetesës së qytetarëve në Shqipëri. Një shtet i dështuar është një vend qeveria e të cilit nuk funksionon në mënyrën e duhur (Jusufi 2017, 87).
Ramiz Alia, si kryetar i Partisë së Punës dhe njëherit Shef i shtetit, nuk pranonte të bënte hapa progresi drejt pluralizmit deri në fund të vitit 1990, kur shpërfaqi konceptin e një “pluralizmi idesh” (Chiodi 2012, 7). Gjysma e parë e vitit 1990 ishte e karakterizuar me përpjekje për organizime protestash nga studentët, por që regjimi ende ishte i aftë t’i kontrollonte rreptë dhe t’iu përgjigjej me qindra arrestime në Shkodër, Kavajë dhe në kryeqytetin e Tiranës (Chiodi 2012, 7). Kaosi veçse ishte shpërndarë në krejt vendin qysh verës së vitit 1990, duke u bërë endemik në shumë qytete. Të futur në dimër me kushte matieriale të rënda, pa ushqim dhe furnizime të rregullta me rrymë, kjo veç se e rëndoi situatën. Trupat ushtarake ishin të vendosura në qytete të mëdha për të mbrojtur institucionet shtetërore, të cilat herë pas here, involvoheshin në përplasje me protestues.
Më 13 nëntor 1990, në një ambient të ftohtë dhe aspak simpatik, Kuvendi i Popullit ishte mbledhur në sesionin e fundit të mbajtur si parlament njëpartiak (Luarasi 1997, 7). Tani Shqipëria po përgatitej për një fazë tranzicioni nga ekonomia centraliste e mbyllur, në një ekonomi të decentralizuar të hapur, ku vlerat si liria e individit dhe prona private ishin themeltare. Por, a do të mund të bëhet për së mbari një kalim i tillë prej një sistemi tërësisht ndryshe vlerash në tjetrin, duke qenë të njëjtit njerëz me përgjegjësi udhëheqëse në pushtet? Ngjarjet në vijim e dëshmojnë të kundërtën.
Palët e përfshira në trazira
Brenda një periudhe të shkurtër në Shqipëri, kalohet nga komunizmi, në një demokraci pluraliste në tranzicion, me rezultat përfundimtar të një shteti anarkik, kur për një moment thuajse asnjë institucion shtetëror nuk funksiononte. Përplasjet fillojnë në mes të atyre që ishin në pushtet përgjatë ish-sistemtit dhe atyre që erdhën në pushtet. Në lojë hyjnë përfituesit e skemave mashtruese piramidale të cilët e shfrytëzonin rastin e një kaosi insititucional si dhe mosdijen elementare të njerëzve në përgjithësi se si funksionin të bërit biznes në ekonominë e tregut. Shërbimet sekrete të huaja të ndryshme që favorizonin një Shqipëri të trazuar në kaos, luanin gjithashtu një rol kyç në përshkallëzimin e konfliktit, pa i lënë anash as grupet mafioze që tregtonin me drogë, armë, kalime ilegale kufitare të mallërave dhe njerëzve si dhe bënin vrasje të ndryshme për motive hakmarrëse.
Një nga dimenzionet e padrejtësisë në Shqipëri nisej nga ndarjet e reja sociale që ishin shfaqur midis “fituesve” të sistemti të ri (fermerëve, pronarëve të kioskave, shitësve me pakicë dhe biznesmenëve) dhe “humbësve” (pa toka, ish-pronarët e tokave, ish-elita komuniste dhe punonjësit e shtetit) (Miall 1997, 77). Qysh në start krijohet një ndarje e thellë që kishte të bënte direkt me ekzistencën personale të secilit, sepse kur dikush ngarend verbërisht pas pushtetit, dhe për një moment e humb atë, tentativat për t’u rikthyer në një pozicion të tillë do të shkonin përtej sjelljes së arsyeshme njerëzore. Në anën tjetër, të shtypur e të persekutuar deri dje nga kamxhiku i shtetit, tani me kamxhikun e shtetit në dorë, pala në pushtet do të rezistonte po në të njëjtën mënyrë, duke bërë kështu një ndarje të shoqërisë në dy tabore ekstreme.
Njëri tabor përfaqësohej nga partia e parë jokomuniste Partia Demokratike e Shqipërisë, që u formua në mes të disa anëtarëve të lëvizjes protestuese studentore dhe përfaqësuesve të dërguar nga Ramiz Alia për të ndërmjetësuar, në mes tyre edhe kardiologun e asaj kohe Sali Berishën.(Chiodi 2012, 8), kurse tabori tjetër ishte Partia e Punës, e cila e ndërroi emrin dhe simbolet dhe u bë Partia Socialiste, me udhëheqës të saj Fatos Nanon (Chiodi 2012, 9).
Partia Demokratike (PD) fiton zgjedhjet e 1992-tës dhe lideri i opozitës, Sali Berisha, u bë President i Shqipërisë. Kësaj radhe Perëndimi dhe veçanërisht SHBA-ja dhanë mbështetje të gjerë për fushatën e PD-së sepse me të synoheshin reformat. Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë, rreth 80%, ku PD-ja fitoi me 62% të votave dhe fitoi 92 nga 140 mandate në parlamenti, kurse Partia Socialiste fitoi 25.7%, pra 38 mandate (Chiodi 2012, 9). Gjatë viteve 1994-1997 vetë kryetari i PS-së Fatos Nano u arrestua dhe u dënua me vendim të formës së prerë nga organet gjyqësore për korrupsion (Krasniqi dhe Hackaj 2014, 75). Pa dashur për të aluduar nëse ishte real gjykimi apo jo, vetë fakti që kur vije në pushtet në 1997, Fatos Nano kërkon rigjykim dhe shpallet i pafajshëm, lë për të dyshuar në pavarësinë e sistemit gjyqësor kundrejt politikës.
Sipas Nicholson (1999) qyteti jugor i Vlorës, ishte zemra e të gjithë rebelimit të madh kundrejt qeverisë (Jusufi 2017, 89). Ky indikacion tregon që konflikti buronte nga një zonë me përkrahje të madhe të Partisë Socialiste, në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Por cilat ishin shkaqet që çuan në një rebelim që solli pasoja të mëdha qoftë në jetë njerëzish, në dëme institucionale, e në eksode të mëdha të popullësisë kundrejt vendeve tjera? A ishte lufta e pastër për pushtet, apo keqqeverisja e qeverisë në pushtet ajo që nxori njerëzit në rrugë kundër institucioneve shtetërore? Si dhe më e rëndësishmja, cili ishte roli i skemave piramidale mashtruese në rënien e plotë të funksionimit të shtetit?
Skemat piramidale Ponzi
Skemat piramidale u shfaqën për herë të parë në vitin 1993 dhe filluan të shfaqnin dobësinë e tyre në vjeshtën e vitit 1996 (Austin 1998, 62). Sistemi financiar shqiptar ishte ende i thjeshtë, në të vërtetë kishte pak banka private dhe vetëm tre banka shtetërore. Si bankat private ashtu edhe ato publike nuk ishin në gjendje të plotësonin kërkesat e sektorit privat për kredi, dhe si derivat i këtij defekti në sistemin financiar, lindën kompani depozituese që investonin në llogarinë e tyre në vend që të jepnin kredi (Balestri 2018, 1). Kështu këto kompani, nga fillimi i viteve 90 deri në fillim të vitit 1997, u shndërruan në skema piramidale të titulluara Ponzi, sipas Charles Ponzit, biznimsen i famshëm për këtë lloj mashtrimi në Amerikë (Michigan.gov). Më saktësisht, një skemë Ponzi është një mashtrim investimi që paguan investitorët ekzistues me fondet e mbledhura nga investitorët e rinj.
Si funksionojnë skemat piramidale?
Skemat piramidale funksinojnë në parimin që paratë e paguara nga investuesit e fundit, shërbejnë që të paguhen ata që kanë investuar më herët. Invesitorët e mëparshëm janë tërhequr nga reklamat ku premtohen përfitime të mëdha, me ç’rast si rezultat i investimit, kthimi i parave ose fitimi do të jetë shumë i madh. Lajmet e fitimeve të mëdha shpërndahen nga vetë investuesit, dhe më shumë njerëz vijnë dhe investojnë. Pagesat e atyre që vijnë, përdoren për të paguar ata që kanë investuar më herët. Shpesh ndodh, që ata që i kanë tërhequr fitimet, të investojnë prapë, sepse duan të fitojnë më shumë. Por në një moment, kur nuk ka më kush të investojë që të paguajë ata më sipër, aty veç fillon shembja e tyre. Ndodhë që, dikush që e njeh skemën e tillë, ose ata që e krijojnë vetë skemën, në momentin që i lexojnë shenjat e para të ndaljes së investimeve, tërheqin shuma marramendëse fitimi, duke lënë të djegur ata që kanë investuar të fundit (Jarvis 1999, 9).
Si ilustrim i kohëve moderne në të njëjtën logikë mashtrimi funksionojnë edhe paratë elektronike si Bitcoin. Dallimi esencial është se te këto para, nuk ka adresë ku të ankohesh dhe se skema e mashtrimit është globale, pra çdoherë përtërihet numri i atyre që investojnë në nivel botëror, dhe vazhdimisht fitojnë ata që e kontrollojnë skemën në kurriz të atyre që kanë investuar të fundit. Por kështu nuk mund të ndodhte në Shqipëri atë botë. Si një vend me popullësi të vogël, ishte tejet e pritshme që këto skema piramidale të shembeshin sepse hallka e invesitorëve të rinj do të këputej shumë shpejt, në momentin që nuk do të kishte më kush të investonte. Kur piramidat u shembën në janar dhe shkurt 1997, më shumë se gjysmë miliona shqiptarë humbën kursimet dhe burimin e vetëm të të ardhurave (Austin 1998, 62). Sipas Vickers (1998) pothuajse çdo familje shqiptare kishte investuar para në një skemë piramidale ose tjetër dhe thuajse secila familje kishte humbur kursimet e fituara me mund (Jusufi 2017, 94).
Injorimi i qeverisë ndaj paralajmërimeve
FMN-ja dhe Banka Botërore paralajmëruan se këto kompani ishin të pasigurta, por qeveria e Berishës, e cila përfitoi politikisht nga rritja e tyre spektakolare, nuk iu bind paralajmërimeve të tyre (Miall 1997, 80). Madje sipas autorit De Waal (2005), në mars të vitit 1996, qeveria përjashtoi piramidat nga një ligj bankar që do t’i kishte rregulluar ato dhe kjo bëri që firmat piramidale të tërhiqnin miliona para prej popullit që ishte i zhytur në borxh dhe në papunësi, me bindjen e fituar se vetëm droga, armët, nafta dhe kontrabandimi me njerëz do t’ua bënte të mundur kthimin e parave të tyre (Jusufi 2017, 93). U thyen depot e armëve, institucionet e shtetit si policia dhe ushtria ranë së funskionuari, madje kishte edhe ndër ta që kishin investuar e që ishin të prekur nga mashtrimi, burgjet me të burgosur u thyen, imazhet me tenka rrugëve, me fëmij, gra e burra me armë mbizotëruan gjithandej. Shqipëria u zhyt në një gjendje pa shtet, në një anarki të plotë pa asnjë institucion shtetëror në këmbë.
Shërbimet sekrete të huaja
Në 2 Mars 1997, Presidenti Sali Berisha shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shtetit dhe deklaroi: “Rebelët komunistë të armatosur, të ndihmuar dhe të financuar nga shërbimet e huaja të spiunazhit, kanë filluar veprimet ushtarake për të përmbysur Qeverinë me forcë dhe për të vendosur sundimin e tyre në të gjithë vendin (…) Ata shumë shpejt do të ndjejnë dorën e hekurt dhe ndëshkimin e plotë të ligjeve të këtij shteti (Holtom et al 2005, 5). Po ashtu nga qarqe të PD-së, bëhej thirrje se revolta që u organizua nga Partia Socialiste (PS), ishte e mbështetur nga Greqia, për të shkatërruar shtetin e Shqipërisë. Në anën tjetër, kjo e fundit shprehej pro të drejtës së popullsisë për të rrëzuar një qeveri, nëse është e nevojshme me forcë, kur nuk respekton të drejtat e njerëzve (Jusufi 2017, 91). A ka ndonjë të vërtetë në këto deklarata politike të pushtetarëve të asaj kohe sa i përket shërbimeve sekrete, dhe nëse po, a janë ndërhyrje për të rrëzuar partinë në pushtet, apo kanë pasur qëllime tjera destabilizuese për të konrektizuar planet e tyre?
Zani Qaushi, “i arratisur” nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi, ku u dënua për vrasje me 101 vite burg, ishte një ndër personat më me ndikim në konflikt, madje si faktor që ishte, mori në mbrojte në atë kohë Kreyministrin e Italisë Romano Prodin sa ishte në vizitë në Shqipëri (DOSJA 2020). Në një intervistë për një televizion grek, i transmetuar në Top Channel me përkthim shqip, i njëjti deklarohet se “…Unë po ndihmoj popullin e Vlorës, të Vorio Epirit dhe të gjithë Shqipërisë…” (Top Channel 2020). Termi Vorio Epir, përdoret vetëm nga qarqet greke si shprehje e hises në pjesën jugore të Shqipërisë, si të tyren. Në 5 mars 1997, disa gazetarë grekë, jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e “Vorio-Epirit” (Dragoj 2018). Nëse shtohet edhe fakti që kryeministrja e Turqisë Tansu Chiller paraljmëroi shtetin grek se nuk do të toleronte ndërhyrjen e shteteve të huaja në çështjet e brendshme të Shqipërisë atëherë lë shumë për t’u nënkuptuar se ka pasur tentativa jashtë Shqipërisë, në përshkallëzimin e këtij konflikti (Greco 1998, 7).
Nëse analizohet një raport i komisionit të ngritur në qershor të vitit 1998 për të hetuar trazirat e 1997-tës nga Kuvendi i Shqipërisë, komision ky i kryesuar nga deputeti i PD-së asokohe Spartak Ngjela, nga të gjeturat u konstatua se:
“Disekuilibrimi total i shoqërisë shqiptare ka ardhur si pasojë e konkurrimit të dy pakënaqësive: Pakënaqësisë së shoqërisë për humbjen financiare, dhe pakënaqësisë së opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të majit ‘96, pakënaqësi këto që erdhën dhe konverguan në një pikë ndaj një shteti intransigjent që nuk diti të përdorë mjetet politike për të shpëtuar shtetin dhe shoqërinë nga anarkia.” (Gazetatema 2021).
Në këtë raport, përgjegjës kryesor për trazirat e 97-tës bëhet ish-shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede, dhe propozohet që Shërbimi Informativ Kombëtar të mos jetë më brenda strukturave të forcave të armatosura. Lufta në Kosovë po ashtu përbënte një faktor tjetër ndikues në gjithë katrahurën e krijuar gjatë vitit 1997. Thyerja e depove të armëve dhe municioneve bëhej edhe me qëllim të përkrahjes së UÇK-së si lëvizje popullore për çlirim. Në disa raste, forcat ushtarake dhe policore jugosllave janë grumbulluar pranë kufirit shqiptar dhe helikopterët jugosllavë kanë fluturuar pranë kufijve shqiptarë (Austin 1998, 68). Kjo bëhej për faktin se, teritori shqiptar nuk shërbente vetëm si teritor mbrojtës por edhe trajnues e përgatitës ushtarakisht për celulat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëmet e trazirave dhe operacioni ALBA
Shifrat zyrtare për numrin e njerëzve të vrarë ndërmjet 1 Marsit dhe 20 Shtatorit 1997 ishin 1,311 dhe 1,450 të plagosur ndërsa ishin shkatërruar 1,200 depo ushtarake, me rreth 652,000 armë të kalibreve të ndryshme, rreth 1.5 miliardë municione, 3.5 milione granata dore, 3,600 ton pajisje eksplozivi dhe një milion mina të grabitura nga këto depo (Holtom et al 2005, 6) Nga ngjarjet më tragjike ishte ajo e 27 marsit 1997, ku anija luftarake italiane Sibilla përplasi barkën patrolluese shqiptare Kateri i Radës që ishte grabitur nga trafikantët dhe përdorej për kontrabandim me njerëz, gjersa ishte futur në ujërat italiane (Balestri 2018, 4). Barka e cila ishte e destinuar për ekuipazh prej 10 anëtarësh u fundos, dhe 81 nga rreth 120 njerëz që ishin në të, humbën jetën.
E shqetësuar për stabilitetin në një rajon dhe duke vepruar si në interesin e saj ashtu edhe në atë të komunitetit ndërkombëtar, qeveria italiane vendosi, gjatë periudhës 24-28 mars, të drejtojë një forcë të ndërhyrjes ndërkombëtare në Shqipëri (Miall 1997, 81). Greqia, Turqia, Austria, Danimarka, Franca, Rumania dhe Spanja me trupat e tyre gjithashtu kontribuan në të, kurse Sllovenia dhe Belgjika dërguan njësite mjekësore dhe Portugalia një avion. Në mënyrë ad hoc, aty për aty, operacioni Alba hyri në veprim me mandatin e krijimit të një mjedisi të sigurt për ndihmën humanitare dhe asistencën civile nga ana e OSBE në monitorimin e zgjedhjeve. Ajo mori një mandat nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Rezolutat 1101 dhe 1114 (Miall 1997, 81).
Vendosja e Operacionit Alba bëri të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997 pasuan trazirat e rënda në vend të cilat u karakterizuan nga një kulturë politike e polarizuar me antagonizma të thella ndërmjet forcave politike të grupuara rreth partive kryesore, asaj Socialiste dhe Demokratike (ODIHR 2001). Por që në fund, Sali Berisha dhe PD- ja humbën zgjedhjet, që rezultoi me dorëheqjen e tij nga posti i Presidentit. Kjo bëri që gradualisht të qetësohej situata dhe gjendja e tensionuar në vend. Sa i përket përgjegjësve të skemave piramidale, shumë prej tyre u dënuan me burg e disa u arratisën jashtë Shqipërisë, por që pak ka rëndësi kjo, sepse bilanci i viktimave dhe i dëmeve materiale nuk rikuperohen me asnjë dënim ligjor të mundshëm që mund të jep një gjykatë.
Përfundimi
Shtetet lindin, rriten, zhvillohen nëpër etapa sikurse njerëzit. Ato madje dinë edhe të shuhen së ekzistuari sepse janë krijime sociale, që kanë zanafillë dhe tepër lehtë mund të kenë përfundim. Në gjenezë, qytetarët e tij janë ata që e përbëjnë secilin institucion shtetëror të secilit vend kudo në botë. Në thelb janë Kushtetuta dhe ligjet e buruara nga fryma e popullit siç thotë Monteskje, ato që kanalizojnë jetën sociale, kulturore, ekonomike e politike në atë vend. Dhe përvojat e së kaluarës, sikurse në aspektin individual te njerëzit, edhe te shtetet janë ato që e rryejnë dhe e kalitin atë në rrugën e së ardhmes, çdo herë me shpresën që të shërbejnë si mësime për të mos u përsëritur gabimet prapë. Shqipëria e 1997-tës do të jetë një nga përvojat më të hidhura që ka mundur të përjetojë një popull nga vetë duart e tij. Ajo do të mbahet mend si një nga plagët më të rënda përgjatë historisë që s’do të harrohet kurrë.
Bibliografia
Austin, Robert C. 1998. “Albania and Kosovo: Roots of Instability.” Canadian Foreign Policy Journal 6(1): 61–72. http://dx.doi.org/10.1080/11926422.1998.9673163
Balestri, Di Luca. 2018. “Out of Albania: The Albanian Civil War and the Second Albanian ‘Migration Crisis’ (1997) Matricola 533082.” Unipi.it. https://eumomi.sp.unipi.it/wp-content/uploads/2021/09/LUCA-BALESTRI.pdf
Chiodi, Luisa. 2012. “Mass Migration, Student Protests and the Intelligentsia Popullore in the Albanian Transition to Democracy.” https://cadmus.eui.eu/handle/1814/26175
DOSJA. 2020. “Tmerri i ‘Çoles’ drejt lirimit nga burgu/ Zani Çaushi kërkesë Gjykatës: Kam fëmijë të mitur, më lironi të gjej pun.” DOSJA.AL. https://dosja.al/lajmi-i-fundit-tmerri-i-lagjes-se-coles-zani-caushi-kerkon-te-dale-nga-burgu-me-nxirrni-nga-burgu-qe-te-punesohem
Dragoj, Nuri. 2018. “Greqia Nuk Ka Hequr Dorë Nga Vorio-Epiri.” Bota Sot. https://www.botasot.info/opinione/981290/greqia-nuk-ka-hequr-dore-nga-vorio-epiri/
Gazetatema.net. 2021. ““97-a është vepër e CIA-s amerikane”: Kur Spartak Ngjela masakronte Berishën e Gazideden, për vrasjen e shqiptarëve”. https://www.gazetatema.net/2021/03/05/97-a-eshte-veper-e-cia-s-amerikane-kur-spartak-ngjela-masakronte-berishen-e-gazideden-per-vrasjen-e-shqiptareve/
Greco, Ettore. 1998, “DELEGATED PEACEKEEPING: THE CASE OF OPERATION ALBA” Iai.it. https://www.iai.it/sites/default/files/iai9801.pdf
Holtom, Paul. Smith, Henry. Mariani, Bernardo. Rynn, Simon. Attree, Larry dhe Sokolova, Juliana. 2005. “Hapja e një faqeje të re: Armët e Vogla dhe të Lehta në Shqipëri”. Org.uk. https://www.saferworld.org.uk/downloads/pubdocs/Albania%20ALB%20prelims.pdf
Jarvis, Christopher J. 1999. “The Rise and Fall of the Pyramid Schemes in Albania.” IMF Working Papers 99(98): 1. http://dx.doi.org/10.5089/9781451852127.001
Jusufi, Islam. 2017. “Albania’s Transformation since 1997: Successes and Failures.” Croatian international relations review 23(77): 81–115. http://dx.doi.org/10.1515/cirr-2017-0003
Krasniqi, Afrim dhe Hacak, Ardian. 2014. “SHQIPTARËT DHE MODELI SOCIAL EVROPIAN Demokracia e Brendshme Në Partitë Politike Shqiptare.” Fes.de. https://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/11316.pdf
Luarasi, Aleks. 1997. “Legal and Institutional Reform in Albania after the Democratic Revolution (1991 -1997).” Nato.int. https://www.nato.int/acad/fellow/95-97/luarasi.pdf
Mehmetaj, Jonida MA. 2014. “The impact of political culture in political system and rule of law: Albania case.” 1st Mediterranean Interdisciplinary Forum on Social Sciences and Humanities, MIFS 2014, 23-26 April, Beirut, Lebanon. https://doi.org/10.19044/esj.2014.v10n10p%25p
Miall, Hugh. 1997. “The OSCE Role in Albania: A Success for Conflict Prevention?” Helsinki monitor 8(4): 74–85. http://dx.doi.org/10.1163/157181497×00052
Miller-Jones, Edward R. 2010. Ponzi Schemes. Fastbook Publishing Ponzi Schemes (michigan.gov)
Muço, Marta. 1997. “Economic Transition in Albania: Political Constraints and Mentality Barriers.” Nato.int. https://www.nato.int/acad/fellow/95-97/muco.pdf
ODIHR. 2001. “REPUBLIKA E SHQIPËRISË ZGJEDHJET PARLAMENTARE” Osce.org. https://www.osce.org/files/f/documents/a/1/13560.pdf
Pata, Ylli. 2020. “Berisha Mohoi Manipulimin e 26 Majit 1996? Ja Si i Rrëzoi Zgjedhjet OSBE-ODIHR Dhe Denoncoi Dhunën Ndaj Opozitës.” Gazeta-shqip.com. https://www.gazeta-shqip.com/analize/berisha-mohoi-manipulimin-e-26-majit-1996-ja-si-i-rrezoi-zgjedhjet-osbe-
“Theoretical Approaches I – Core Theories.” 2016. Conflict Analysis and Resolution Information Services. https://carisuk.com/theories-i-core-theories/
Top Channel, Albania. 2020. “ZANI ÇAUSHI Duke Folur Greqisht Në 1997. Përmend VORIO EPIRIN.” https://www.youtube.com/watch?v=wpd4XXyQOdU
Web, Fjala. 2020. “A Ka Gisht CIA Në Trazirat e Vitit 1997? Përgjigja e Berishës.” https://www.youtube.com/watch?v=Txo_ZUT69tM
Zyrtare.net. 2020. “A ka gisht CIA në trazirat e vitit 1997? Përgjigjia e Berishës A ka gisht CIA në trazirat e vitit 1997? Përgjigja e Berishës – Zyrtare.net