• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY GJERMANITË, VERIGA E DOBËT E PERËNDIMIT

February 20, 2022 by s p

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – “Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022 – Përktheu: Eugjen Merlika

Një aspekt i udhëheqësisë politike është të përballuarit me rrjeshtimin e saj duke ngritur pyetje të pavolitëshme. Është ajo që NATO do të jetë e detyruar të bëjë me Gjermaninë. Nuk do të ketë asnjë mundësi t’i vihet fre ambicjeve territoriale të Vladimir Putinit, nëse para së gjithash nuk do të fillohet t’i kërkohet rregull Gjermanisë. Ja tre pyetjet që, simbas mendimit tim, kërkojnë përgjigje të menjëherëshme.

Nëse Rusia do të dhunonte kufijtë e Ukrainës, a do t’ishte e gatëshme Gjermania të ndalonte gazsjellësin Nord Sream 2, edhe në rastin në të cilin Rusia do të kufizohej, fillimisht, të mësynte vetëm një pjesë të vogël të truallit ukrainas? Nëse Rusia do të pushtonte një vend antar të NATO-s, a do të votonte Gjermania për të vënë në veprim Nenin 5 të NATO-s mbi mbrojtjen e përbashkët?

PSD dhe shtetet federalë me shumicë PSD a marrin financime nga Rusia?  

Është e një rëndësie vendimtare që këtyre pyetjeve t’u sigurohet një përgjigje publike. Në të kundërt Gjermania do të vazhdojë të luajë lodërzat e saj me aleatët, siç ka bërë në të shkuarën mbi Nord Stream 2. Anxhela Merkel e kishte siguruar Joe Biden-in se zotohej të bllokonte Nord Stream 2 në çastin kur Rusia do të vendoste të kthente furnizimet energjitike në armë strategjike. Por as Merkel as Olaf Scholz nuk kanë menduar ndonjëherë t’i impononin sanksione Nord Stream 2, sepse zotimi i tyre formal në të vërtetë ishte një gënjeshtër e bukur dhe e mirë. Edhe nëse Gjermania do të pranonte të fuste në traktativa Nord Stream 2, ve bast se do t’i hante premtimet në rastin e agresionit rus mbi Ukrainën, në të njëjtën ditë të mësymjes. Gjermania nuk është aspak e gatëshme të flijojë sigurinë e saj energjitike për dashurinë kundrejt Donbasit. Gjermanët janë mjeshtër të pakalueshëm kur bëhet fjalë të këmbehen letrat në tryezë.

Ajo që bota ende nuk e ka kuptuar mirë është se deri në çfarë pike Gjermania është bërë aleate e Rusisë. E kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndërhyrjen e Gerhard Shrëderit, megjithëse ndikimi i tij është ende shumë i fuqishëm në PSD. Në Gjermani ka një numër shumë të madh gjermanësh që ndjehen kulturalisht e politikisht të afërt me Rusinë. Ndoshta nuk deklarohen në një mëndje me Putinin, por udhëheqësi rus është një kundërshtar i njohur, ndërsa qytetari i thjeshtë nuk i kupton më udhëheqësit amerikanë si Xhorxh Bush e Donald Trump.

Mos të harrojmë fjalët e Frank Valter Shtainmaierit, presidentit gjerman, i cili ka deklaruar se gjermanët nuk do të luftojnë kurrë kundë rusëve, n’asnjë rast. Atëherë çfarë do të bëhet me Nenin 5 të NATO-s, klauzola e ndihmës së ndërsjelltë? Pikërisht për këtë arsye pyetja ime e dytë, e nënvizuar më sipët, merr një rëndësi të veçantë. Jam i bindur se parlamenti gjerman nuk do të miratonte kurrë vënien në veprim të Nenit 5 për sa i përket Gjermanisë. Simbas atij që do të gjendet në timonin e Vëndit n’atë çast, Gjermania madje mund të kërkojë ndalimin e një vendimi mbi Nenin 5 në gjirin e Këshillit të Atllantikut Verior. NATO-ja do të bënte mirë të përballohej me kohë me aleatët e saj mbi çështjen në fjalë. Kur them të përballohet në kohë, sigurisht nuk mendoj për një përplasje të ndezur ose sulmuese, sepse të fajësuarit e ndërsjelltë nuk çon n’asnjë drejtim. Mbaj parasysh një shqyrtim të thelluar që të shërbejë për të tfilluar qëndrimet e secilit. Në Gjermani nuk ka një rrahje të vërtetë mendimesh  mbi pasojat e panjohura të vijës së saj politike. Një tërësi pasojash që nuk janë vënë kurrë në diskutim kundrejt lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet modelit ekonomik gjerman dhe dykuptimësisë së tij në politikën e jashtëme. Nëse modeli i juaj ekonomik priret të grumbullojë një tepri të gjërë e të pathyeshme pasurish të bllokuara ndaj pjesës tjetër të botës, i dilni përballë mundësisë së sanksioneve. Simbas kësaj vije qëndrimi kuptohet përse udhëheqësit e ndryshëm gjermanë kanë parapëlqyer gjithmonë të shkojnë krah për krah me diktatorët.

Meqë disa shtete më të vegjël në gjirin e Bashkimit Evropian ndjekin të njëjtën logjikë, BE matet shumë të përballojë Gjermaninë mbi argumentë të tillë. BE është formuar nga shumë Gjermani të vogla. Kriza e borxhit sovran në brendësi të zonës euro është shkaktuar, me të njëjtën përgjegjësi, si nga borxhi i Greqisë ashtu edhe nga mbifitimi i Gjermanisë. Gjermania arriti t’a drejtojë rrahjen e mendimeve në terma të drejtësisë tatimore. Bashkimi evropian u tërhoq mbrapsht, duke i lënë fushë të lirë Gjermanisë që bëri atë që deshi.      

Duhet të pranoj se kam humbur çdo shpresë për BE. Përse NATO duhet të pranojë lojën dyfishe të Gjermanisë? Arsyeja ndoshta duhet kërkuar tek diplomacia gjermane, që është shumë më e efëktëshme se sa fama e saj e din të lëvizë në përsosmëri lodrat e saj të zotërimit. Faktor edhe më përcaktues  gjithsej, duket se është një paragjykim që zhyt rrënjë në një të shkuar mjaft të largët. Klasa drejtuese amerikane ka mbetur e lidhur emocionalisht me Gjermaninë. Drejtuesit ushtarakë amerikanë kujtojnë guximin e Helmut Shmitit, kur lejoi vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në tokën gjermane, megjithë protestat e vetë partisë së tij. Kujtojnë rolin e luajtur nga Helmut Koli mbas shkërmoqjes së komunizmit n’Evropë. E natyrisht adhurojnë BMW dhe Mercedesat e tyre.

Klasa politike në Francë e presidentët francezë, vlerësohen në terma të marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë, që për Francën janë të një rëndësie më eprore se ato me Bashkimin evropian. Por ky është një qëndrim jo më i pranueshëm as për NATO-n as për Bashkimin evropian. Gjermania përbën verigën më të dobët e më të brishtë të qëndrimit perëndimor. NATO-ja duhet të zgjedhë ndërmjet përballimit me Gjermaninë ose lënies liri Putinit të veprojë, me ndihmën e fshehtë të aleatit më besnik të tij.

“Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022   Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

SHOQATA AMERIKANO-SHQIPTARE E ZBATIMIT TË LIGJIT I DORËZON “ÇEKUN E ARTË” KOLEGUT RESMI HASANPAPA

February 19, 2022 by s p

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit i dorëzoi “çekun e artë” kolegut Resmi Hasanpapa ne shenje vleresimi, respekti dhe mirenjohje per perkushtim ne sherbim te komunitetit, rendit dhe qetesise publike. Resmi Hasanpapa është efektivi i Policisë Rrugore që prej gjashtë vitesh punon si vullnetar Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë. Ai u shperblye me një donacion  prej 10.000 dollarësh nga Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit. Resmi Hasanpapa ka një histori të trishtë. Bashkë me kolegun e tij Allaman Dervishi ata kanë ndaluar në Tiranë një mjet të vjedhur dhe janë përleshur me dy autorët e armatosur, të cilët më pas kanë hapur dhe zjarr ndaj efektivëve. Allaman Dervishi mbeti i vdekur në vend dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa Resmi Hasanpapa mori një plumb në këmbë i cili e la në karrige me rroga gjatë pjesës tjetër të jetës. Përfaqësuesi i Shoqatës Erald Krisafi, në emër të drejtuesit të shoqatës Elton Shametaj, i ka dhuruar çekun z. Hasanpapa, dhe është shprehur se kjo shoqatë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të Policisë per sherbime te dalluara dhe te suksesshme. Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit ka dhene shpesh here ndihme dhe per punonjes te tjere te Policise Shqiptare dhe te Policise se Kosoves.

Filed Under: Analiza

Frymëzim Isufaj*: Pavarësia e Kosovës është rezultat i luftës për çlirim dhe mbështetjes së pa kompromis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

February 19, 2022 by s p

Të nderuar Ambasadorë dhe Diplomatë,

Te dashur miq,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju drejtohem sonte. Po ashtu, dëshiroj t’ju falënderoj që keni ardhe sonte për të festuar së bashku me ne 14 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Dy vitet e fundit ishin vërtet sfiduese për ne, ashtu siç ishin për të gjithë njerëzimin. Pandemia ka lënë pasoja të shumta, në shëndetin e qytetarëve dhe ekonomisë sonë. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ndihmuan, në çfarëdo forme, në sfidimin e pandemisë. Më vjen mirë që më në fund mund të mblidhemi bashkë, të festojmë dhe të bisedojmë me njëri tjetrin. Sonte festojmë Shpalljen e Pavarësisë së vendit tonë. Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të shumë gjeneratave, të cilët luftuan për idealet sublime të lirisë dhe paqes. Ndërsa festojmë, kujtojmë se arritjet tona qëndrojnë mbi supet e të gjithë atyre që mbështetën kërkesën e palëkundur të Kosovës për liri dhe demokraci, aleatëve tanë këtu në SHBA dhe në mbarë botën. Liria dhe pavarësia që gëzon sot Kosova dhe përparimi i saj janë të lidhura ngushtë me punën dhe kontributin e palodhur të diasporës sonë. Diaspora jonë këtu në SHBA meriton po aq merita për vënien e themeleve të shtetit të Kosovës. Prandaj, sonte dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj komunitetit shqiptar në Amerikë dhe ndaj të gjithë atyre që kontribuuan që vendi ynë të frymojë lirshëm. Pavarësia e cila rrjedh nga vullneti i popullit tonë, rrënjët i ka te çlirimi, te lufta e pastër për liri. Falë luftës për çlirim dhe mbështetjes së pa kompromis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne sot e shijojmë këtë liri, ne sot e gëzojmë ndjenjën e të qenit shtet. Ne jemi përballur dhe do të vazhdojmë të përballemi me pengesa të panumërta, të brendshme dhe të jashtme, por kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme: medaljet në sport, shpërblimet në art dhe kulturë, arritjet në shkencë dhe inovacion nga të rinjtë kosovarë, e bën të ndihet krenar çdo qytetar të Republikës sonë dhe më gjerë. Katërmbëdhjetë vjet më parë, kur Kosova shpalli Pavarësinë, nuk ishte, thjesht, vetëm një ditë feste. Ishte një zotim se po ndërtojmë një shtet, i cili do të sjellë paqe e stabilitet afatgjatë në Evropë. Kurorëzim i këtij zotimi është jo vetëm krijimi i Ushtrisë sonë, porse edhe pjesëmarrja e saj në misione paqeruajtëse. Ambasadori Isufaj përmendi edhe strehimin e afganëve në Kosovë-një akt zemërgjerësie dhe vlere e shqiptarisë. Me kete rast, falenderoj Federaten Pan Shqiptare Vatra, me te cilen ne kuader te Memorandumit te Bashkepunimit, kemi punuar ngushte ne bashkeorganizimin e ketij eventi.  

Fjala e mbajtur me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në darkën e pritjes ne New York.

Filed Under: Analiza

LETËR SHKRIMTARIT AG APOLLONI NË PRISHTINË NË DITËN E PAVARËSISË

February 18, 2022 by s p

VISAR ZHITI


I dashur Ag Apolloni,libri Juaj “Një fije shprese, një fije shkrepëse” më erdhi në vigjilje të Festës së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurt, si një ogur që më gëzoi dhe më mallëngjeu që kur mora ndër duar zarfin me adresën e Universitetit të Prishtinës, Rruga “Eqrem Çabej”, me ato pulla postale aq paqësore të shtetit të Kosovës, që sa luftë dhe gjak u desh të arrihej në këtë adresë. Dhe e ndjeva si një kumt që s’erdhi rastësisht në këtë ditë, prandaj lashë çdo punë e plan dhe e lexova dokuromanin Tuaj, siç e quani, dhe sapo e mbarova. Faleminderit dhe përgëzime, ju them së pari, megjithëse nuk do të donim të kishte romane të tilla të rëndë, tragjikë, e kam fjalën që të mos ndodhnin më në jetë, por Ju që në faqet e para tregoni se ngjarje të tilla janë të lashta sa vetë historia e njeriut. Duhet të dimë të përballemi. Dhe e nisni me Eskilin, atin e tragjedisë, dhe mbërrini në Gjakovë sot, me ato nëna tragjike që pushtuesi fqinjë u vrau djemtë e bashkëshortët dhe i shndërroi në Niobe mitologjike.Keni shkruar një roman tronditës, me dinjitetin e dhimbjes, me madhështinë e brendshme të nënave të Kosovës, denonconi krimin e madh, siperan ndaj cinizmit intelektual, që i ngashnjen vuajtja e të tjerëve për ta shkruar sa më parë, ajo përqarje gjasme poetike, me skandale për të bërë përshtypje, etj, etj. Romani Juaj është serioz, nëse na lejon ta themi teoria e romanit, qê e arrijnë shkrimtarët seriozë, që dinë të kujtojnë, të duan e ta ndjejnë dhëmbjen, jo si estetikë, por si plagë. Aty nuk qan askush që ta shohin, por ama shenjat e pikësimit në tekst më janë dukur se kanë format e lotëve. Aq sa ç’ka frymë biblike dhe urtësi të Kuranit, ka dhe epikën e lahutës fishtiane. Është roman i gravurës së një mendimi stoik, i ndjenjës së qëndresës më shumë dhe i pritjes së mynxyrshme, që edhe duke lënë shumëçka, ka dashur të jetë një altorelief, ngjarje pa lëvizje, pra e qëndrueshme e asaj që ndodhi në Kosovë në fund të shekullit XX, mbi të gjitha një himn për nënën shqiptare atje. Na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë, thoshin latinët. Unë po them se ju, bijtë e bijat e Kosovës, jeni të mrekullueshëm, ju duam shumë…Do desha ta mbyll duke e përsëritur dhe me Ju si profesor i letrave në Universitetin e Prishtinës, që letërsia shqipe e pas ‘90 është më e mirë, ajo u shkëput nga festa e rremë e socrealizmit, diti të tregojë me art atë që kishte qenë e ndaluar traumatikisht, burgjet dhe internimet në Shqipërinë e diktaturës dhe atë të luftës dhe të krimeve të pushtuesit në Kosovë, duke e universalizuar madje, por shpesh intekektualët tanë dhe institucionet tona i mbitërheq “gulagu” dhe “holokausti”, kur është “i huaj”, ai sollzhenician sovjetik a i nazifashistëve gjetiu, që natyrisht ato janë vuajtje e njeriut, nuk janë të huaja dhe duhet rënë në gjunjë para tyre, por duke mos harruar Tivarin tonë, masakrën e atjeshme, kampin e Tepelenës, burgjet e Burrelit, Spaçit, etj, Reçakun si varr masiv i hapur, Prekazin heroik, etj, të pushkatuarit tanë, jemi komb martir. Edhe romani Juaj është libër i kujtesës, ne jemi ajo që kujtojmë, thoshte poetii madh Mario Luzi, dhe mua më pëlqen ta kujtoj shpesh këtë. Jo thjeshtë vetëm ta tregojmë vuajtjen, por ta shndërrojmë në përvojë dhe vlerë, ata që bënë krime t’i burgosim nëpër romanet tona, kjo na takon ne më shumë, jo me urrejtje, por me dhimbje, edhe me dashuri, plagët t’i kthejmë në brilantë.Prandaj dhe e çmoj romanin Tuaj dhe s’kishte si të mos e lexoja të gjithin në ditën e shpalljes se Pavarësisë së Kosovës tonë, kur Bota është prapë e shqetësuar, në prag luftrash të tjera e revanshesh…Të mbrohemi ne edhe duke sulmuar me librat tanë. Por sot gëzuar Festën!Juaji,Visar ZhitiChicago, 17.02.2023

Filed Under: Analiza

TIRANA NË SYTË E MBESËS SË DE RADES

February 18, 2022 by s p

Braziliana me origjinë arbëreshe Maria Clara de Abreu Rada: 

“#ilustrações tiranas”

Në mes të vitit 2018 ishim të ftuar së bashku me dr. Etleva Lala, në vilën private të ambasadorit të Brazilit në Hungari, Shkëlqesisë së Tij, Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas dhe bashkëshortes së tij të nderuar, zonjës Maria Clara de Abreu Rada, e cila po ashtu punonte si diplomate pranë kësaj ambasade. – Ishim të ftuar në këtë pritje të organizuar prej tyre me rastin e largimit të tyre nga Hungaria, dhe fillimit të misionit të ri diplomatik në Shqipëri si përfaqësues të Brazilit. – Dr. Etleva Lala u kishte dhënë mësim për gjuhën dhe kulturën shqipe të dy diplomatëve gjatë kohës që ata ishin në Budapest, gjë që e vlerësonin shumë jo vetëm për shkak të misionit të tyre diplomatik në Shqipëri, por sepse kishin një pasion të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. – Në këtë pritje, e nderuara zonja Maria Clara de Abreu Rada, foli shkurtazi, por me shumë pasion për origjinën e saj arbëreshe e dashurinë dhe respektin që kishte për shqiptarët. Ishte shumë e lumtur që po shkonte në Shqipëri për të vazhduar karrierën dipomatike si përfaqësuese e Brazilit, në vendin e xhaxhait të saj, De Radës, siç e quante ajo, së bashku me bashkëshortin Shqipërinë. – Nuk më ka rastisur ta takoja më zonjën e nderuar, por para disa ditësh, në Budapest, postieri na solli një zarf, në të cilin ndodhej libri i zonjës Maria Clara de Abreu Rada, gjë që ishte një surpizë e jashtëzakonshme. Duke dëshiruar t’i shpreh konsideratat dhe respektin për zonjën Rada, vendosa të shkruaj për veprën e saj, duke shpresuar se së shpejti mund të takohemi përsëri.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

E apasionuar me rrugët, rrugicat, ndërtesat, njerëzit e gjithçka që ndodhej në Shqipërinë e ëndërruar kaq shumë prej xhaxhait të saj, De Radës, i cili edhe pse ia kishte kushtuar të gjithë jetën e tij Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk arriti kurrë të shkelte në tokën shqiptare, Maria Clara Rada e shikonte ndoshta Tiranën edhe me sytë e tij. Me një etje dhe dëshirë për të parë dhe fiksuar çdo gjë që shikonte në Tiranë, ajo shëtiste çdo ditë në çdo rrugë e rrugicë të Tiranës bashkë me qentë e saj të bukur, dhe me celularin e saj, me të cilin fiksonte momente nga më të ndryshmet. 

Askush nuk e merrte me mend që Tirana ishte kaq e pasur me ilustrime murale, derisa filluam të ndjekim fotot e panumërta të Maria Clara Rada në rrjetet sociale. Me celularin e saj ajo fiksonte dhe na prezantonte një Tiranë ndryshe nga ajo që ne në mënyrë subjektive mendojmë se është. Format origjinale të artit të rrugës (street art) në Tiranë, të cilat artistët e kësaj fushe mjaft interesante i kanë paraqitur në vende nga më të ndryshmet në grafite, piktura murale, simboleve dhe vizatime, duke krijuar një art të veçantë urbanistik, artin e rrugës (street art) në Tiranë, këto vepra të bukura do të kishin mbetur absolutisht të panjohura për ne, nëse Maria Clara nuk do të kishte ndërmarrë këtë projekt kaq të bukur.

Libri i Maria Clarës përmban vetëm një numër të vogël nga sasia e madhe e fotove që ajo ka publikuar në rrjetet sociale, por monumentalizimi i tyre në libër i jep këtij projekti rëndësinë monumentale që ai ka për artin urban të Tiranës në vitet që ajo jetoi në Tiranë. Dora e stërvitur, syri i mprehtë, përqëndrimi psiqik në përbajtjen e tyre, ndjesia shpirtërore, qëllimi që ato të përjetësohen si dëshmi e një kohe, tregojnë profesionalizmin dhe guximin intelektual, për një transmetim, komunikim me të gjithë ata që dëshirojnë të shijonë këtë art sa të veçantë aq edhe të arritur. 

Duke ndjekur një plan të studiuar mirë, të analizuar thellë dhe të menduar me kujdes, në këtë libër autorja arbëreshe Maria Clara Rada, ka përzgjedhur momente shumë intersante të shtrira në 380 foto-ilustrime, sipas përzgjedhjes së saj nga këndvështrimi artistik, përmbajtësor dhe simbolik, duke mos ndjekur një renditje strikte tematike, kohore apo autoriale, por duke ndjekur instinktin e saj intelektual sesi Tirana vjen të njerëzit. Në monografinë e saj “#ilustrações tiranas” diplomatja braziliane me origjinë arbëreshe shpreh në mënyrë indirekte edhe eksperiencen e saj që kishte fituar nëpër vende të ndryshme të botës ku kishte shërbyer si diplomate, pa lënë anash edhe atë të vendlindjes së saj Brazilit, si dhe të origjinës stërgjyshorëre arbëreshe nga Italia e Jugut, të cilën e kishte vizituar më shumë se një herë.

Libri #ilustrações tiranas i autores e diplomates braziliane me origjinë arbëreshe Maria Clara Rada, i botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese “Papelaio” në Brasilia përmban disa nga përfaqësuesit më të mirë të artit të rrugës në Tiranë në vitet 2018-2021. Arti i rrugës (street art), ashtu si çdo fushë tjetër e artit, është duke ndryshuar me një ritëm e dinamikë të shpejtë, si një nga format origjinale të shprehjes shpirtërore të krijuesve të saj-artistëve, të cilët me mjeshtri pasqyrojnë në mënyra të ndryshme krijuese përditshmërinë, personazhe nga jeta e kulturës e historisë, filmit, traditës, por edhe varfërinë, e sistemin e kaluar komunist, duke i dhënë forma karakteristike e simbole, përmes ndjesisë sa reale aq edhe imagjinare jetës së sotme, përmes rikujtimit të së kaluarës së largët apo asaj të afërt.

Ky art ngërthen në vetvete porosi të caktuara simbolike, që para disa vitesh mund të vëreheshin dhe identifikoheshin vetëm në murale ose vende të caktuara të qyteteve, ndërsa sot, ato mund t’i vërejmë në forma të ndryshme të organizuara të paraqitjes të tyre, si në festivale zyrtare, ekspozita apo botime të veçanta. 

Krijuesit-artistët e “street art” shpalosin veprat e tyre artistike si pjesë e jetës urbane që janë zbukurime të ambienteve, godinave dhe lagjeve, që më parë cilësoheshin si të lëna pasdore dhe pa jetë, duke i konsideruar ato si të shëmtuara dhe pa asnjë lloj vlere. 

Disa nga vendet ku këto imazhe të artistëve shqiptarë dhe të huaj paraqiten janë kabinat e vjetra të telefonit, portat, muret e shtëpive, trotuaret, muret dhe fasadat e godinave dhe të pallateve etj. Aty mund të shikohen personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera.

Autorja arbëreshe Maria Clara de Abreu, Rada, në botimin e saj, që është një botim cilësor dhe luksoz, me anë të 380 foto-ilustrimeve të saj, që kanë dimensione të ndryshme, nuk është marrë me identifikimin e autorëve të këtyre autorëve-artisëve krijues, ngase të shumtën e rasteve ata nuk i kanë firmosur krijimet e tyre. Në këtë mënyrë, me kolazhin e saj, ajo e fut lexuesit në një botë plot pikëpyetje dhe hap një derë për hulumtime dhe kërkime për këdo që është i interesuar për më ditur më shumë. Eksformacioni, i cili sipas studiuesit danez Tor Nørretranders është mungesa e qëllimshme e informacionit, është shpesh shumë më produktiv sesa informacioni, sepse e nxit lexuesit të bëhet aktiv në kërkimin e informacionit. 

Edhe ne ramë në kurthin e eksformacionit të përdorur nga Maria Clara de Rada, dhe filluam kërkimet për autorët e këtyre ilustrimeve, duke arritur të sigurojmë disa nga emrat e krijuesve-artitëve të këtyre grafiteve, simboleve dhe pikturave urbane të Tiranës dhe Shqipërisë të cilët janë si vijon: Aida Hani, Artur Bushi, Franko Dine, Ardit Boriçi, Najada Begaj, Endrit Haxhiaj, Toni Sulo, Eljan Tanini, Vera Grace Chang, Ivo Moja, JahOne e Glow Graff (nga Bulgaria), Bifido, Davide DPA, Flavio Solo & Diamond, Noel Emilia GAZZANO, Claudia Cavallo (nga Italia), Mabel Vicentef (nga Argjentina), Yann Lazoo (nga Franca), Harriet Wood (nga Anglia), Ljiljana Galusic (nga Bosnia-Herzegovina), Stinkfish (nga Kolumbia), Theic Licuado (nga Uruguaj). Veprat artistike të tyre, arbëreshja Maria Clara Rada i ka paraqitur me një korrektësi të lartë profesionale duke ruajtur si cilësinë ashtu edhe përmbajtjen e tyre, gjë që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për t’u realizuar, për shkak të vendeve ku ato ndodhen.

Është e qartë se arbëreshja Maria ClaraRada e ka hobi fotografinë. Në fakt, ajo ka marrë pjesë edhe në konkursin “Colors of Albania,” konkurs ky i organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ku fotografitë e saj profesionale u pritën jashtëzakonisht mirë. Ajo pohon se street art nuk është thjeshtë arti rruge, sepse pikturat, grafitet, simbolet dhe vizatimet tregojë diçka, një histori madje ndonjëherë ngërthejnë në vetvete një filozofi. 

Ajo e shikon tërë këtë krijimtari artistike murale dhe tjetër nga një kënvështrim tjetër, duke e përjetuar si një rrëfim apo komunikim sa me kohën aq edhe me njerëzit, duke i dhënë shpirt përmes paraqitjes vizuale tranformimit të tij në fotografi, për t’a përjetësuar atë si një gjë që nuk duhet të harrohet dhe as të zhduket pa lënë gjurmë. Përzgjedhja e objekteve, figurave historike, njerëzve të zakonshëm, botës floreale, kafshëve, rrugëve, godinave të ndryshme, me një fjalë e përditshmërisë, po ashtu edhe e personazheve të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikaturat dhe aktorët e filmave, peisazheve reale dhe fantastikë, mozaikëve, tromp l’oeils abstrakteve, portreteve etj., të krijon ndjesi, sikur je duke bredhur rrugëve apo rrugicave, bulevardeve, shesheve, lagjeve të Tiranës apo Shqipërisë kur shfleton librin. Nga faqja e parë deri te faqja e fundit e monografisë, ndjehet një frymëzim shpirtëror, jo e një të huaji, po e një njeriu që në gjak, mendje e shpirt ka dhe ndan çdo gjë me Tiranën, me shqiptarët.

RRËFIMI NË VETËN E PARË I AUTORES SË MONOGRAFISË MARIA CLARA DE ABREU RADA “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO”  

BRASILIA MË 2021

“Gjyshi im José thoshte se babai i tij, Salvatore Rada, ishte italian – kalabrez. Salvatore emigroi në Brazil së bashku me dy vëllëzërit e tij Agostino dhe Francesco. Gjyshi im vështrirë se e njohu babanë e tij, pasi Salvatore vdiq kur José ishte vetëm dy vjeç. Gjithmonë i thuhej se babai dhe xhaxhallarët e tij flisnin një gjuhë të çuditshme. Unë jam rritur me një kurreshtje të madhe për të ditur se nga vinin Radat. Ne dinim për një regjistrim të vetëm të asaj gjuhe të folur nga tre vëllëzërit emigrantë Rada. Një mbishkrim në gurin e varrit ku Salvatore, Francesco dhe Agostino pushojnë në varrezat e Soledade de Minas, thotë: 

“VOLAU IM SI MOGLOREVE

VELEM TO GAROIM CURTO VODES TO

FAGLIAS DATO JIETO MOS MO GARO

TO MO PREXIO CURTO VIMO TO COIM

AGOSTINI ITO VOLA”

Misteri zgjati deri në vitin 2001, kur një ditë, një mik na dha një të dhënë të çmuar për ekzistencën e enklavave të vogla të shqiptarëve që ishin strehuar në Kalabri dhe Siçili pas pushtimit turk në Shqipëri. A mund të jetë shqip?

Bingo! Falë internetit të fuqishëm, ne zbuluam Arbëreshët – Shqiptarët që ishin larguar nga vendi i tyre në shekullin e 15-të dhe jetojnë ende sot në Kalabri dhe në Italinë e Jugut. Ata ende flasin gjuhën shqipe arkaike – arbëreshe, një gjuhë pa ndikimin e mëvonshëm të gjuhës turke. Gjuha e stërgjyshit tim dhe e vëllëzërve të tij ishte arbëreshe. Në vitin 2001, për herë të parë që nga viti 1890, dëgjuam dhe ishim në gjendje të kuptonim parardhësit e mi. Fatkeqësisht, gjyshi im José nuk arriti të dëshmonte këtë histori. 

Guri i varrit foli. Mësuam se ishte lamtumira e përzemërt dhe poetike e Agostinit ndaj vëllait të tij më të madh Francesco, i cili kishte vdekur.

“VËLLAI IM I SHQUAR.

UNË KURRË NUK DO TË TË HARROJ DHE DO TË 

MË MUNGOSH DERI NË VDEKJE. MOS MË HARRO 

DHE MË PRIT DERISA TË TAKOHEMI PËRSËRI. 

UNË NUK DO TË TË HARROJ DHE PRES RIBASHKIMIN TONË.

VËLLAI YT AGOSTINO”

Ne gjithashtu zbuluam se Rada është familja e një prej autorëve më të shquar arbëreshë, Girolamo (ose Jeronim) de Rada, një kushëri i Salvatores, i cili gjithashtu lindi në fshatin e vogël Macchia Albanese në Kalbri. Ky zbulim më ka çuar tashmë në enklavat Arbëreshe të Macchia Albanese dhe San Demetrio Corone, në Kalabri dhe në Prizren, në Kosovë. Kështu që, një ditë, pas 500 vjetësh, një nga Radat ishte kthyer në Shqipëri! Unë pata nderin t’i shërbeja Brazilit në tokën e shqiponjave.

Ky koleksion imazhesh vjen nga dëshira për të shlyer gëzimin që kam jetuar për tre vjet në Tiranë (2018-2021) dhe privilegjin e njohjes së Shqipërisë nga afër. Ato janë pjesë e surpizave dhe ngjyrave që mbushën shëtitjet e mia nëpër rrugët e qytetit dhe vendit.

Tirana është kryeqytet i rrallë dhe i gëzueshëm. Ka vrullin e një qytetit të ri. Sapo arrita këtu, këto ngjyra, këto vizatime, ky art urbanistik më ftoi të eksploroja qoshet e vogla të qytetit. Imazhet që kam mbledhur i kam emëruar #ilustraçõestiranas. Shumë prej tyre janë rezultat i ndryshimit politik në një vend që del, jo pa shumë pengesa, nga një prej regjimeve më të mbyllura komuniste të shekullullit 20-të.

Në fillim të viteve 2000 kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kreu ndërhyrjet e para në skenën urbane të qytetit. Kam dëgjuar që ai ishte frymëzuar nga ngjyrat e Pelourinhos në Salvador, Bahia. Trendi vazhdoi dhe deri me sot qeveria e qytetit inkurajon dhe sponsorizon artistët për të pikturuar qytetin. Këto imazhe janë në kutitë e telefonit, portat, muret, pikturat murale, trotuaret… Ju mund të shihni personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera. Ju gjithashtu do të gjeni disa nisma spontane dhe private, disa nga këto të çuditshme dhe të imta, po ja ku janë, duke zbukuruar rrugën. Kam gjetur gjithashtu ilustrime përtej Tiranës, në të gjithë vendin. Disa nga këto ilustrime gjenden në faqet që vijojnë.

Këtu arrita rastësisht dhe me dëshirë. Unë me të vërtetë dëshiroja të përjetoja Shqipërinë dhe të rimerrja historinë e familjes sime. Në fund të misionit tim diplomatik, lë pas këto përshtypje të lumtura, miq të dashur dhe mirënjohje të thellë për popullin shqiptar për pritjen e tyre bujare. 

Shpresoj të rikthehem së shpejti.

Shumë faleminderit! Mirupasfshim

Maria Clara de Abreu Rada.”

NË VIJIM SJELLIM NJË PJESË TË CITATIT PËR VIZITËN E ZONJËS MARIA CLARA RADA DHE BABAIT TË SAJ ZOTIT PAULO VICTOR RADA NË SHËN MITËR, ITALI E JUGUT, VENDORIGJINA E TYRE, QË ËSHTË BOTUAR 

NGA ARBËRESHËT, STËRGJYSHËRIT E AUTORES SË “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO”  

BRASILIA MË 2021

“Pasardhësit e De Radës ka Brazili në Itali”

“Tek muaji i llonarit, Paulo Victor Rada dhe e bila Maria Clara Rada, ka Brazilia, erdhën Shën Mitër, sa t’i rindërtojin origjinat e familjes së tyre dhe sa t’e njihjin më ka afër gjuhën dhe kulturën e stërgjyshit të tyre të njohur, poeti i madh Jeronim De Rada, ka Maqi. Është e dyta herë çë dy pasardhësit e poetit vinjen te katundi jonë, pasi çë i kanë zbuluar rrënjët e tyre arbëreshe, pothuaj rastësisht; në të vërtetë, për ndjetë kureshtjes së së shoqit të Maria Klarës për mbishkrimin e varrit të një stërgjyshi të tyre, të shkruar me një gjuhë çë nëng mund të identifikohej, mund u kish çuar origjina arbëreshe, dhe pikërisht shënmitrote, të familjes së tyre. Mbiemri Rada nëng është i zakonshëm në Brazil, por ka fillimi mendohej se ai mund të kishë një origji- në slave; vetëm pasi çë e zbuluan qenien e arbëreshëvet në Kalabri, dhe çë e shprishtin mbi internetin tekstin e gurit varri (të diktuar arbërisht por të shkruar ka një brazilian), ata arrë-vuan sa t’e kishin një përkthim, edhe po të përgjithshëm, të tekstit, por të vlefshëm sa të vërtetohej se ish vërteta arbërisht. E zbuluan, pra, se mbjatu pasi Bashkimit të Italisë, rreth vitit 1875, tre vëllezër, Francesco, Agostino dhe Salvatore Rada, kishin mëguar tek qyteti i Soledade-s dhe ka atej e kishin nisur origjinën e prejardhjes braziliane të De Radës. Gjatë ditëvet të qëndrimit të tyre Shën Mitër, të strehuar ka Qendra Studimesh Deradiane e Michelangelo La Luna-s, i ati dhe e bila, përveç se vanë tek ndarja ku u le De Rada, e patën mundësinë t’e shikojin Regjistrin e Gjendjes Civile të Bashkisë sa t’e rindërtojin gjenealogjinë e familjes së tyre…”

Citat i nga: http://webcache.googleusercontent.com/search?q=cache:v5w6LtJmU3wJ:www.comune.vaccarizzoalbanese.cs.it/index.php%3Faction%3Dindex%26p%3D390+&cd=13&hl=sq&ct=clnk&gl=hu

Me siguri Jeronim De Rada do ishte krenar me mbesën e tij, Maria Clara Rada, jo vetëm për ndjenjat e shprehura prej saj për Shqipërinë e tij të dashur, por sepse edhe për kaq pak kohë sa ndenji në Shqipëri, me librin e saj ajo arriti të krijojë një memorie për sot dhe për brezat e ardhshëm, që Tirana e tranzicionit të shihet ndryshe nga ç’duket pa fotografitë e saj. Të bukurën nuk kanë sy ta shohin të gjithë, prandaj duhet një De Rada që të na mësojë ta shohim dhe vlerësojmë atë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT