
Të nderuar Ambasadorë dhe Diplomatë,
Te dashur miq,
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju drejtohem sonte. Po ashtu, dëshiroj t’ju falënderoj që keni ardhe sonte për të festuar së bashku me ne 14 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Dy vitet e fundit ishin vërtet sfiduese për ne, ashtu siç ishin për të gjithë njerëzimin. Pandemia ka lënë pasoja të shumta, në shëndetin e qytetarëve dhe ekonomisë sonë. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ndihmuan, në çfarëdo forme, në sfidimin e pandemisë. Më vjen mirë që më në fund mund të mblidhemi bashkë, të festojmë dhe të bisedojmë me njëri tjetrin. Sonte festojmë Shpalljen e Pavarësisë së vendit tonë. Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të shumë gjeneratave, të cilët luftuan për idealet sublime të lirisë dhe paqes. Ndërsa festojmë, kujtojmë se arritjet tona qëndrojnë mbi supet e të gjithë atyre që mbështetën kërkesën e palëkundur të Kosovës për liri dhe demokraci, aleatëve tanë këtu në SHBA dhe në mbarë botën. Liria dhe pavarësia që gëzon sot Kosova dhe përparimi i saj janë të lidhura ngushtë me punën dhe kontributin e palodhur të diasporës sonë. Diaspora jonë këtu në SHBA meriton po aq merita për vënien e themeleve të shtetit të Kosovës. Prandaj, sonte dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj komunitetit shqiptar në Amerikë dhe ndaj të gjithë atyre që kontribuuan që vendi ynë të frymojë lirshëm. Pavarësia e cila rrjedh nga vullneti i popullit tonë, rrënjët i ka te çlirimi, te lufta e pastër për liri. Falë luftës për çlirim dhe mbështetjes së pa kompromis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ne sot e shijojmë këtë liri, ne sot e gëzojmë ndjenjën e të qenit shtet. Ne jemi përballur dhe do të vazhdojmë të përballemi me pengesa të panumërta, të brendshme dhe të jashtme, por kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme: medaljet në sport, shpërblimet në art dhe kulturë, arritjet në shkencë dhe inovacion nga të rinjtë kosovarë, e bën të ndihet krenar çdo qytetar të Republikës sonë dhe më gjerë. Katërmbëdhjetë vjet më parë, kur Kosova shpalli Pavarësinë, nuk ishte, thjesht, vetëm një ditë feste. Ishte një zotim se po ndërtojmë një shtet, i cili do të sjellë paqe e stabilitet afatgjatë në Evropë. Kurorëzim i këtij zotimi është jo vetëm krijimi i Ushtrisë sonë, porse edhe pjesëmarrja e saj në misione paqeruajtëse. Ambasadori Isufaj përmendi edhe strehimin e afganëve në Kosovë-një akt zemërgjerësie dhe vlere e shqiptarisë. Me kete rast, falenderoj Federaten Pan Shqiptare Vatra, me te cilen ne kuader te Memorandumit te Bashkepunimit, kemi punuar ngushte ne bashkeorganizimin e ketij eventi.
Fjala e mbajtur me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në darkën e pritjes ne New York.