
Nga WOLFGANG MÜNCHAU – “Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022 – Përktheu: Eugjen Merlika
Një aspekt i udhëheqësisë politike është të përballuarit me rrjeshtimin e saj duke ngritur pyetje të pavolitëshme. Është ajo që NATO do të jetë e detyruar të bëjë me Gjermaninë. Nuk do të ketë asnjë mundësi t’i vihet fre ambicjeve territoriale të Vladimir Putinit, nëse para së gjithash nuk do të fillohet t’i kërkohet rregull Gjermanisë. Ja tre pyetjet që, simbas mendimit tim, kërkojnë përgjigje të menjëherëshme.
Nëse Rusia do të dhunonte kufijtë e Ukrainës, a do t’ishte e gatëshme Gjermania të ndalonte gazsjellësin Nord Sream 2, edhe në rastin në të cilin Rusia do të kufizohej, fillimisht, të mësynte vetëm një pjesë të vogël të truallit ukrainas? Nëse Rusia do të pushtonte një vend antar të NATO-s, a do të votonte Gjermania për të vënë në veprim Nenin 5 të NATO-s mbi mbrojtjen e përbashkët?
PSD dhe shtetet federalë me shumicë PSD a marrin financime nga Rusia?
Është e një rëndësie vendimtare që këtyre pyetjeve t’u sigurohet një përgjigje publike. Në të kundërt Gjermania do të vazhdojë të luajë lodërzat e saj me aleatët, siç ka bërë në të shkuarën mbi Nord Stream 2. Anxhela Merkel e kishte siguruar Joe Biden-in se zotohej të bllokonte Nord Stream 2 në çastin kur Rusia do të vendoste të kthente furnizimet energjitike në armë strategjike. Por as Merkel as Olaf Scholz nuk kanë menduar ndonjëherë t’i impononin sanksione Nord Stream 2, sepse zotimi i tyre formal në të vërtetë ishte një gënjeshtër e bukur dhe e mirë. Edhe nëse Gjermania do të pranonte të fuste në traktativa Nord Stream 2, ve bast se do t’i hante premtimet në rastin e agresionit rus mbi Ukrainën, në të njëjtën ditë të mësymjes. Gjermania nuk është aspak e gatëshme të flijojë sigurinë e saj energjitike për dashurinë kundrejt Donbasit. Gjermanët janë mjeshtër të pakalueshëm kur bëhet fjalë të këmbehen letrat në tryezë.
Ajo që bota ende nuk e ka kuptuar mirë është se deri në çfarë pike Gjermania është bërë aleate e Rusisë. E kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndërhyrjen e Gerhard Shrëderit, megjithëse ndikimi i tij është ende shumë i fuqishëm në PSD. Në Gjermani ka një numër shumë të madh gjermanësh që ndjehen kulturalisht e politikisht të afërt me Rusinë. Ndoshta nuk deklarohen në një mëndje me Putinin, por udhëheqësi rus është një kundërshtar i njohur, ndërsa qytetari i thjeshtë nuk i kupton më udhëheqësit amerikanë si Xhorxh Bush e Donald Trump.
Mos të harrojmë fjalët e Frank Valter Shtainmaierit, presidentit gjerman, i cili ka deklaruar se gjermanët nuk do të luftojnë kurrë kundë rusëve, n’asnjë rast. Atëherë çfarë do të bëhet me Nenin 5 të NATO-s, klauzola e ndihmës së ndërsjelltë? Pikërisht për këtë arsye pyetja ime e dytë, e nënvizuar më sipët, merr një rëndësi të veçantë. Jam i bindur se parlamenti gjerman nuk do të miratonte kurrë vënien në veprim të Nenit 5 për sa i përket Gjermanisë. Simbas atij që do të gjendet në timonin e Vëndit n’atë çast, Gjermania madje mund të kërkojë ndalimin e një vendimi mbi Nenin 5 në gjirin e Këshillit të Atllantikut Verior. NATO-ja do të bënte mirë të përballohej me kohë me aleatët e saj mbi çështjen në fjalë. Kur them të përballohet në kohë, sigurisht nuk mendoj për një përplasje të ndezur ose sulmuese, sepse të fajësuarit e ndërsjelltë nuk çon n’asnjë drejtim. Mbaj parasysh një shqyrtim të thelluar që të shërbejë për të tfilluar qëndrimet e secilit. Në Gjermani nuk ka një rrahje të vërtetë mendimesh mbi pasojat e panjohura të vijës së saj politike. Një tërësi pasojash që nuk janë vënë kurrë në diskutim kundrejt lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet modelit ekonomik gjerman dhe dykuptimësisë së tij në politikën e jashtëme. Nëse modeli i juaj ekonomik priret të grumbullojë një tepri të gjërë e të pathyeshme pasurish të bllokuara ndaj pjesës tjetër të botës, i dilni përballë mundësisë së sanksioneve. Simbas kësaj vije qëndrimi kuptohet përse udhëheqësit e ndryshëm gjermanë kanë parapëlqyer gjithmonë të shkojnë krah për krah me diktatorët.
Meqë disa shtete më të vegjël në gjirin e Bashkimit Evropian ndjekin të njëjtën logjikë, BE matet shumë të përballojë Gjermaninë mbi argumentë të tillë. BE është formuar nga shumë Gjermani të vogla. Kriza e borxhit sovran në brendësi të zonës euro është shkaktuar, me të njëjtën përgjegjësi, si nga borxhi i Greqisë ashtu edhe nga mbifitimi i Gjermanisë. Gjermania arriti t’a drejtojë rrahjen e mendimeve në terma të drejtësisë tatimore. Bashkimi evropian u tërhoq mbrapsht, duke i lënë fushë të lirë Gjermanisë që bëri atë që deshi.
Duhet të pranoj se kam humbur çdo shpresë për BE. Përse NATO duhet të pranojë lojën dyfishe të Gjermanisë? Arsyeja ndoshta duhet kërkuar tek diplomacia gjermane, që është shumë më e efëktëshme se sa fama e saj e din të lëvizë në përsosmëri lodrat e saj të zotërimit. Faktor edhe më përcaktues gjithsej, duket se është një paragjykim që zhyt rrënjë në një të shkuar mjaft të largët. Klasa drejtuese amerikane ka mbetur e lidhur emocionalisht me Gjermaninë. Drejtuesit ushtarakë amerikanë kujtojnë guximin e Helmut Shmitit, kur lejoi vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në tokën gjermane, megjithë protestat e vetë partisë së tij. Kujtojnë rolin e luajtur nga Helmut Koli mbas shkërmoqjes së komunizmit n’Evropë. E natyrisht adhurojnë BMW dhe Mercedesat e tyre.
Klasa politike në Francë e presidentët francezë, vlerësohen në terma të marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë, që për Francën janë të një rëndësie më eprore se ato me Bashkimin evropian. Por ky është një qëndrim jo më i pranueshëm as për NATO-n as për Bashkimin evropian. Gjermania përbën verigën më të dobët e më të brishtë të qëndrimit perëndimor. NATO-ja duhet të zgjedhë ndërmjet përballimit me Gjermaninë ose lënies liri Putinit të veprojë, me ndihmën e fshehtë të aleatit më besnik të tij.
“Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika