• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIZA TURKE DHE ZJARRI NË KUFIJTË TANË

December 27, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI – “Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Sot Rexhep Taip Erdogan nuk është më thjesht presidenti iTurqisë. Është një diktator në labirintin e tij, i mundur nga realiteti, i burgosur në një krizë që nga financiare po bëhet shoqërore e ndoshta shpejt mërgimtare e gjeopolitike. Erdogani ka pushuar nga puna një sërë guvernatorësh e funksionarësh të lartë të bankës qëndrore, sepse ata kanë guxuar t’i kujtonin parimin e së vërtetës: ikja e kapitaleve e kthen  një Vënd në zhvillim në një anije pa timon në një det me stuhi. Përgjigja është vetëm ngritja e treguesve të interesit për të frenuar inflaksionin, duke treguar se kuptohen ligjet bazë të një ekonomie me 83 milion banorë.

Erdogani bën të kundërtën. Kundërvepron ndaj zjarrit financiar që ai vetë e ka ndezur si një jo vax i vendosur të kurohet nga Covidi me një shurup magjik. Inflaksioni është tashmë përmbi 20 %, por diktatori vazhdon të detyrojë uljen e përqindjes së interesit. Ka vendosur katër të tilla rrjesht dhe lira turke në 2021 është fundosur me 56 % kundrejt dollarit. Tani rënia vetëm mund të shpejtohet mbas uljes për të satën herë të diktatorit të enjten. Dje monedha ka pësuar një tjetër humbje, një rënie prej 6% kundrejt dollarit në pak orë. Do të rriten çmimet e energjisë, të ushqimeve e të gjitha mallrave të importuara. Inflaksioni do t’I kalojë 30 %. Kursimet e shtresës së mesme po kthehen në pluhur, shtimet e pagave më të ulta nuk do të mjaftojnë për të patur bukë në tryezat e milionë të varfërvet. Në të kundërt, do të ushqejnë shtjellën infernale të çmimeve.

Gjëndja rrezikon të shpëtojë nga duart e nuk mund t’a urojmë atë. Në kufijtë e saj Evropa ka kërcënimin bjellorus, atë të Moskës mbi Ukrainën, fuçinë e barutit libiane. Shfaqja e milionë të mërguarve të ikur nga Venezuela na kujton se njerëzit e varfër largohen nga mbi-inflaksioni, kur mundin. Sot rreziku është në dyert tona, por ne po bëjmë të pamundurën për të kthyer vështrimin nga ana tjetër.

“Corriere della Sera”, 17 dhjetor 2021   E përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

Konflikti i Ukrainës, a mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në Kosovë?

December 27, 2021 by s p

Shqiprim Pula/

Disa po e ndërlidhin si strategji të Putinit rrezikimin e veriut të Kosovës me Ukrainën? A mund të rrezikohet Kosova? Më 1989 u konsiderua e përfunduar lufta e ftohtë, dhe ndërlidhej me rikrijimin e rendit të ri botëror nga sa konsiderohej si dypolare në atë unipolare, në krye me ShBA-të, si superfuqi e vetme globale me NATO-n si mekanizëm që shërben për ҁështje të interesave Euro-Atlantike. Me shpalljen e mëvetësisë së Kosovës, në Shkurt 2008, Rusia pushtoi një pjesë të territorit të Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) në Gusht 2008, dhe më pas pushtoi territor në Ukarainë (Donbasi dhe Krimea) më 2014, duke i’u kundërvënë perëndimit, me arsyetimin “si nevojë” për popullatën Ruse në këto vende. Ky veprim ushtarak i Rusisë kundrejt këtyre dy shteteve u bë që të pengohej edhe integrimi i tyre potencial në NATO, ngase më 2004 tre shtetet baltike si Lituania, Letonia dhe Estonia i’u bashkuan NATO-s dhe mesa duket ishte një lloj sinjali se duke u zgjeruar aleanca veriatlantike po i afrohej kufijve të Rusise, dhe veproi në Gjeorgji e Ukraine për të parandaluar një anëtarësim të tyre në NATO.Që nga 2014, kur në Ukraine (Donbasi dhe Krimea) u aneksuan ushtarakisht nga ana e Rusisë, Ukraina gjendet në një mungesë balanci politik ndërmejet perëndimit dhe Rusisë, nga konflikti i ngrirë që u krijua dhe me një paqëndrueshmëri reale të perspektivës së saj.Lidhja apo paralelja e ngritur ndërmjet veriut të Kosovës dhe Krimes në Ukrainë, ka një emërues të përbashkët që është mos-administrimi i tërësishëm i territorit nga ana e qeverisë qëndrore në dyja vendet, ndërkaq, duhet theksuar se aneksimi politik e institucional i veriut të Kosovës ka ndodhur në praninë e trupave ushtarake të Francës, pas hyrjes së NATO-s në gjithë Kosovën, kurse aneksimi i territorit në Ukarinë ka ndodhur përmes ndërhyrjes ushtarake të forcave Ruse.Duhet kujtuar që nga fund-shekulli i kaluar i tërë Ballkani ka pasur nevojë për vëmendjen ndërkombëtare e veҁanërisht atë amerikane. Të dyja vendet aktualisht kanë dy të përbashkëta, e para, nevojën e padiskutueshme të ndihmës të ҁfarëdo lloji nga perëndimi për shkak të agresivitetit të Rusisë ndaj Ukrainës ashtu sikurse agresiviteti i Serbisë ndaj Kosovës, dhe e dyta, si Kosova ashtu dhe Ukraina, vazhdojnë të mbetën shtete të cilat nuk ushtrojnë sovranitet të plotë mbi gjithë territorin e tyre, e për rrjedhojë konsiderohet konflikt i ngrirë si për Kosovën me Serbinë ashtu dhe për Ukrainën me Rusinë. Fatkeqësisht, duhet thënë, se në rastin e Kosovës, kemi pasur individë që rastësisht janë gjendur në politikë dhe kanë keqkalkuluar politikisht për të shtrirë dhe mbajtur nën administrim të tërë territorin e vendit. E që nga 1999 e këndej, kohë-pas-kohe, Europa sikur humbiste interesimin ndaj Ballkanit e veҁanërisht Kosovës, shpesh herë duke u shtirur se duan t’a zgjidhin konfliktin e ngrirë në mes Kosovës e Serbisë, por pa ndonjë entuziazem të theksuar!. Madje, pas fillimit të procesit të dialogut më 2011, ata edhe publikisht deklaroheshin se do të pranojmë ҁdo marrëveshje që palët do t’a arrijnë mes vete.

Filed Under: Analiza

EVROPA DHE PUTINI: LOJA E MADHE E GAZIT

December 26, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO – “Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021- Përktheu: Eugjen Merlika

Sikur të jenë funksionarët e Brukselit dhe të Berlinit, me shkujdesjen miratuese të qeverisë gjermane, t’i japin shah mat Vladimir Putinit, duke fundosur projektin strategjik që ka më për zemër, pra gazsjellësin Nord Stream 2? Dukej e mbaruar vetëm një muaj më parë, për gazsjellësin ruso-gjerman që vrapon nën detin Balltik, duke i ardhur rrotull Ukrainës, e që kur të hyjë në veprim do t’a bënte udhëheqësin e Kremlinit zotëruesin e vërtetë të furnizimeve energjetike evropiane. Dukej se Putini e kishte fituar ndeshjen, mbasi në maj Joe Biden, n’emër të aleancës me Berlinin, kishte vendosur të mos përsëriste sanksionet jashtëterritoriale kundra ndërmarrjeve që merrnin pjesë në projektin, duke i hapur kështu rrugën plotësimit të strukturës gjatë verës. Dukej se vërtetimi i Autoritetit gjerman për rrjetet dhe provimi i mëtejshëm i Komisionit evropian, do t’ishin vetëm dy kalime vetëm formale.

Sigurisht, ndonjë pengesë e vogël ishte, në kuadrin e ligjëshmërisë së bashkësisë, së cilës i nënështrohet çdo gazsjellës që hyn në territorin e BE. Ajo detyron, ndërmjet gjërave të tjera, t’ashtuquajturin “unbundling”, pra ndarjen e rreptë ndërmjet kompanisë që prodhon, t’asaj që transporton e t’asaj që shpërndan gazin. Është e kundërta e asaj që bën Gazpromi, monopolisti i Shtetit rus. Kështu, më 16 nëndorin e shkuar Bundesnetzagentur-a kishte pezulluar dëshmimin e Nord Stream AG, shoqëria që ndërton impiantin, sepse nuk i është nënështruar së drejtës bashkësore, duke mbajtur selinë ligjore në Zvicër. Megjithatë dukej si një pengesë e parëndësishme dhe e zgjidhëshme: zërat qarkullonin se rregullkërkuesit do të ishin kënaqur me një shoqëri ndihmëse të krijuar enkas nga Gazpromi në Gjermani dhe e caktuar të mbarështonte pjesën gjermane të Nord Stream 2.

Por, pastaj ndodhën dy gjëra. E para që në Berlin u vendos një qeveri e re federale, nën kancelarin Olaf Scholz, me socialdemokratët, liberalët e mbi të gjitha  të gjelbërtit, që prej kohësh kanë kundërshtuar gazsjellësin. E dyta është që kriza ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përsëri u rëndua, përballë kërcënimit të vërtetë apo të pandehur të mësymjes ushtarake nga ana e Putinit.

Ky skenar lufte ka shtyrë Scholzin dhe rishministren e Jashtëme Annalena Baerbock për të vendosur një “lidhje” ndërmjet krizës ukrainase dhe Nord Stream 2, siç kishin kërkuar aleatët amerikanë: nëse Rusia do të dhunojë integritetin territorial të Kievit, gazsjellësi do të bllokohej përfundimisht. Koncepti është ritheksuar dje nga zëvendës kancelari Robert Habeck, simbas të cilit përballë një agresioni “asgjë nuk do t’ishte e pamenduar” përsa i takon pasojave.

Por fakti i ri  nuk është aq kundërveprimi i mundshëm ndaj një akti lufte (të pamundshëm) të Putinit. Tani kuptohet sepse në 177 faqe të marrëveshjes së qeverisë ndërmjet PSD, PL e të Gjelbërvet Nord Sream 2 as që përmëndet. Në të vërtetë është argumenti juridik formal që e ka vënë në ujdi qeverinë e Berlinit, duke i dhënë të gjithë ortakëve një motivim, në dukje të thatë. Më parë Baerbock, pastaj Scholz e dje së fundi Habeck, kanë përsëritur se gazsjellësi nuk mund të hyjë në veprim, sepse nuk respekton rregullat e konkurrencës në fuqi në BE. Një kryevepër dhelpërie, ajo e Scholz-it, që për këtë dhe tema të tjera si Reforma e Paktit të qëndrueshmërisë do të flasë sot në Romë me Mario Draghin: “Bëhet fjalë për një projekt ekonomik privat dhe duhet të respektojë të drejtën komunitare. Mbi këtë vendos në mënyrë krejtësisht jo politike një autoritet gjerman”. Vetëm me një fjali, kançelari i ri ka hedhur n’erë një copë të Ostpolitikës të dëshiruar nga shoku i partisë Gerhard Schröder  dhe gjashtëmbëdhjetë vjet mos pranimi nga ana e Anxhela Merkel-it për t’a vënë në diskutim projektin.

Konkretisht, Bundesnetzagentur-a ka vënë duart përpara duke thënë se mbi transportin e gazit nuk mund të vendosë më parë se gjysma e vitit tjetër. Pastaj u takon burrecëve të Brukselit të rishikojnë proçedurën gjë që do të kërkojë kohën e saj. Siç thuhej në fillim, janë kode dhe tekste ligjesh të Bashkimit evropian, që po i japin shah matin e parë Vladimir Putinit. Do të shohim cila do të jetë lëvizja e tij e fundit.

“Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

Në Kosovë festohet Krishtlindja, Meshë Solemne dhe Koncert në Katedralen Shën Nënë Tereza

December 25, 2021 by s p

-Mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA para katër vitesh në 5 Shtator 2017, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2021/ Në Kosovë festohet gëzuar Krishtlindja 2021 me urimet edhe për 2022-tën e 23 vjetorit të Lirisë e të 14 vjetorit të Pavarësisë.

“Për shumë mot Kërshëndellat e gëzuar e me bekime Viti i Ri 2022!”, ka uruar në porosinë e tij  Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. E udhëhequr nga Ipeshkvi në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezës,  Mesha solemne e Krishtlindjes u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para katër vitesh në 5 Shtator 2017, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

Shumë solemne dhe madhështore ishte festa – shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në Kosovë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2017 ishte  shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë…

E për festën e Krishtlindjes 2021, para meshës solemne  të nisur në mesnatë në Katedralen Shën Nënë Tereza të kryeqytetit të Kosovës u mbajt Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, nga ora 11:00 u mbajt Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e në ora 18:00 Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në lagjen Ulpiana të kryeqytetit të Kosovës.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindja festohet nga qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Krishtlindjet në Kosovë festohen tradicionalisht, e në vitin 1999 për herë të parë në liri dhe në vitin 2008 për herë të parë në pavarësi.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para më shumë se 13 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Analiza

Vepër që risjell pas heshtjes së gjatë figurën letrare të Kristo Floqit (1876-1951)

December 24, 2021 by s p

Ymer Çiraku

Libri i botuar kohëve të fundit i Jonela Spahos me titull: “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, është një studimi i gjerë monografik mbi veprën letrare të K. Floqit, dramaturg dhe publicist i njohur i viteve `20-30 të shekullit të kaluar. Ky botim përkon edhe me 145 vjetorin e lindjes, si dhe 70 vjetorin e vdekjes së tij. 

Si studioi në Athinë për drejtësi, punoi avokat. Mori pjesë në lëvizjet patriotike të fillim shekullit të kaluar, pastaj për një kohë shkoi si emigrant në Amerikë, ku atje iu përkushtua shtypit për kauzën shqiptare dhe pati kontakte me Nolin, Konicën dhe figura patriotësh të tjerë. Pas disa vitesh me aktivitet të njohur në shoqërinë “Vatra”, duke drejtuar për një kohë edhe gazetën emërmadhe “Dielli”, vendos që të kthehet sërish në Atdhe, tashmë i çliruar pas pushtimit 5 shekullor otoman. Krahas aktivitetit në administratën e lartë të kohës, do të ketë angazhim të gjerë dhe të pandalur në fushën e letërsisë, sidomos me krijime dramaturgjike, duke qënë ndër më të spikaturit në këtë zhanër. Por rrethana jashtëletrare, kryesisht ato të natyrës politike, e kryqëzuan për një kohë të gjatë në mënyrë tërësore, jo vetëm aktivitetin politiko-shoqëror të autorit, por edhe kontributin e tij letrar. Prandaj, mund të thuhet se botimi i këtij studimi monografik, ka meritë sepse i rizgjon këto vlera letrare prej statusit të tyre të mbulimit prej heshtjes së gjatë, ku ato ishin dënuar që të qëndronin, për gati gjysëm shekulli.

Në krijimtarinë e këtij autori, përfshihen rreth 20 komedi dhe farsa, tri drama, një tragjedi, dy vëllime me poezi, si dhe dy poema: “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”. Për kohën kur ai shkroi e botoi në vitet `20-`30, K. Floqi ishte nga autorët më të njohur në fushën e krijimeve skenike. Siç shkruante studiuesi i ri aso kohe, Jup Kastarti te “Revista letrare” (1944), e drejtuar nga M. Kuteli, V. Kokona dhe S. Spasse, sikur të krijohej mundësia që të bëhej e njohur tërësia e kësaj krijimtarie e shpërndarë nëpër shtypin e kohës, por edhe jo pak pjesë të mbetura në dorëshkrim, jo vetëm që do t`i jepnin një vend nderi këtij komediografi, por kështu do të pasurohej edhe biblioteka e varfër e dramaturgjisë shqiptare. 

Ky botim i studiueses, bën pjesë ndër ato studime të prirjes, që do të cilësoheshin si shterruese, sepse këtu hulumtohet në mënyre të plotë rreth jetës dhe veprës letrare të kësaj figure. Autorja shqyrton para së gjithash dramat dhe komeditë e këtij autori, që ishin nga ato vepra, të cilat, kur botoheshin e viheshin në skenë, shënonin ngjarje për qytetin e Korçës dhe më gjerë, ku edhe u luajtën mjaft prej tyre, nëpër qytete të ndryshme apo edhe në fshatra përreth. 

 Drama e komedi si Karl Topia, Pësime e mësime, Osman Opingaxhiu, Dhëndër me përdhunë, Merre ta marrim, Martesë me pahir, Ministri kandidat, Rrogat e nëpunësve, Bija e bankierit dhe mjaft të tjera, janë ndjekur me mjaft interes, të vëna në skenë sipas rastit te kinema Mazhestik, në mjediset e mitropolisë, apo edhe në disa fshatra të Korçës – organizuar nga grupet teatrore të atyre klubeve artistike, që kishin fituar një traditë dhe gjallëronin jetën e njerëzve aso kohe. Siç e vren autorja e studimit, sukses të dukshëm ka njohur sidomos drama Fe e kombësi, me theks të spikatur patriotik dhe e vënë në skenë disa hërë radhazi nga grupi teatror i Vlorës më 1928, në Gjirokastër më 1936, pastaj nga grupi teatror Apollonia në Fier etj. Po kështu, drama Karlo Topia u interpretua në Vlorë më 1924 me rastin e ardhjes atje të Fan S. Nolit, më 1928 u vu në skenë nga shoqëria Besa shqiptare në Shkodër, më 1935 nga grupi teatror Durrësi etj.

Nga shkrimet e botuara nëpër gazetat e kohës, si dhe nga kujtimet e njërezve që i kanë ndjekur ato shfaqje, vrehet se ato kanë lënë gjurmë të pashlyera dhe janë vlerësuar për frymën emancipuese që kanë përcjellë – sidomos në fshikullimin e mentaliteteve patriarkale dhe të veseve e zullumeve të shoqërisë dhe të administratës së kohës. Të përcjella këto dukuri gjithnjë me shpoti therrëse, me humor e sarkazëm. 

Studimi i përfshirë në këtë libër, mendoj se ka vlerë të dyfishtë. Nga njëra anë se për herë të parë, këtu ndriçohet në mënyrë të gjerë dhe të argumentuar profili letrar i një personaliteti të spikatur si Kristo Floqi, por që për fat të keq, i lënë në hije, në harresë, prej një kohe të gjatë. Por nga ana tjetër, ashtu si edhe në raste të tjera fatesh të ngjajshëm shkrimtarësh, pra, të lënë në hije jo për arsye tjetër, veçse prej shkaqesh jashtë letrare, ky rizbulim e kjo rinjohje dhe mbërritje e tyre për te lexuesi i sotëm, krijon premisat për ta pasuruar më tej dhe kështu – për ta ridimensionuar relievin/hartën e historisë së letërsisë shqipe. Pra, për t`i sjellë kështu kësaj letërsie tërë vlerat që asaj i kanë munguar e që i takojnë.

Ne nuk mund që ta kemi kurrsesi luksin për t`ia lejuar vetes, që ta ngushtojmë dhe minimizojmë qarkun tonë kombëtar letrar prej kriteresh përtej (jashtë) letrare. Përmes këtij studimi, tashmë lexuesi e ka të plotë edhe veprën dhe jetën e një autori të përjashtuar nga komunikimi, sikundër është K. Floqi dhe kësisoj, panorama letrare, sidomos ajo e dramës dhe e komedisë së viteve `20-30 të shekullit të kaluar, shpaloset dhe bëhet më e plotë. Ku këtu, zë vendin e vet veçse të merituar, edhe një nga autorët më të spikatur të këtij zhanri letrar. 

Dhe prej këtij studimi të gjerë monografik, mbi jetën dhe veprën e K. Floqit, mund të nxiten dhe të lindin pse jo, projekte regjisorësh, për të risjellë e vënë në skenë ndonjë (apo edhe disa) nga veprat e këtij autori. Ato krijime do të sjellin natyrshëm koloritin mbresëlënës të kohës, të mjediseve karakteristike dhe të atyre personazheve, aq të skalitur e aq të qëmtuar nga realiteti, prej autorit të tyre të talentuar.

Do të theksoja se ky është një studim që lexohet me interes. Kjo ka ardhur sepse arrihet që të alternohet e të kombinohet drejt si interpretimi, ashtu edhe informacioni, i cili, derdhet i begatë në faqet e librit dhe është i vjelur prej shumë burimesh. Kjo e ka shpëtuar studimin nga narrativa monotone përsiatëse dhe interpretuese, siç mund të vrehet nëpër studime të kësaj natyre, duke i siguruar kështu këtij studimi, një frymëmarrje e lirshmëri në lexim, pikërisht edhe prej informacionit të larmishëm, që ai përcjell. Pra, është një studim me vlerë, i punuar dhe i mbajtur në duar prej jo pak vitesh prej autores, shkruar me dashuri e përkushtim, me skrupulozitet dhe objektivitet analize dhe interpretimi. Dhe kjo është siguruar duke gjurmuar dhe duke hulumtuar me akribi shkencore nëpër arkiva të ndryshme, brenda e jashtë vendit, sidomos në SHBA, kudo ku u end e u formua ky personalitet – sa letrar, aq edhe si patriot, vatran i përkushtuar, drejtues e bashkëpunëtor gazetash mjaft të njohura të asaj kohe si Dielli në Amerikë, Agimi në Shkodër dhe disa të tjera. Pra, krahas lëvrimit të letërsisë, njëherazi mbetet një figurë me emër edhe si publicist, si jurist dhe si mbajtës i posteve të larta shtetërore të kohës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • 216
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT