Prof.dr. Memli Shaip Krasniqi, Instituti Albanologjik-Prishtinë/
Gazeta amerikane “The Daily Herald” e 6 korrikut të vitit 1970 shkruante për përshtypjet e gazetarit amerikan nga vizita e bërë Kosovës, që, sipas tij, quhej “Shqipëria tjetër” dhe e cila po përjetonte një rilindje të vërtetë kulturore dhe politike. Ndonëse ky zhvillim i ngjarjeve nuk i shkonte për shtati qarqeve serbe, Beogradi, njëherë për njëherë, nuk mund të bënte asgjë për të ndaluar ose së paku për të penguar këtë proces. Për më tepër, shqiptarët në Jugosllavi, edhe pse të ndarë nga një kufi i hekurt me shtetin Shqiptar, kishin filluar hapur të flisnin për kombin shqiptar dhe dëshirën e tyre për bashkim me Shqipërinë. Shtresa e re intelektuale e kësaj “Shqipërie tjetër” nuk fshihte admirimin për udhëheqësin e fuqishëm të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vërehej një interesim i madh i rinisë shqiptare për librat e shumtë të përkthyer në gjuhën shqipe. Rinia shqiptare dëgjonte muzikën perëndimore,“Beatles”ose Bob Dilanin, por edhe muzikën popullore shqiptare. Kosova në këtë kohë kishte marrë nga Shqipëria rreth 17.000 libra, disa nga të cilët, ishin të një cilësie të lartë artistike, sikur që ishin veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadaresë. Po kështu kishin filluar të lejoheshin edhe vizitat e grupeve të ndryshme artistike dhe turistike në Shqipëri, gjatë të cilave, personat më të moshuar ishin të impresionuar nga ndryshimet e mëdha që kishte bërë Shqipëria. Nga ana tjetër, gjenerata e re shqiptare nga Kosova, të cilët për herë të parë kishin vizituar Shqipërinë, nuk ishin ndarë me përshtypje të mira për kushtet e jetesës në shtetin amë. Në një artikull tjetër bëhej fjalë për përpjekjet e Jugosllavisë për të investuar më shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Udhëheqja jugosllave theksonte se Kosova paraqet hapësirën bujqësore me densitetin më të madh të popullsisë në botë, si dhe një nga zonat më të prapambetura ekonomike në Federatën Jugosllave, ku 2/3 e popullsisë merren me bujqësi. Prandaj Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë kishte vendosur që zhvillimit ekonomik të Kosovës t’i jepet prioritet në planin ekonomik të Jugosllavisë për periudhën 1971-75. Jo zyrtarisht flitej për një shumë të investimit prej 600 milionë dollarësh deri në vitin 1975, çka kishte sjellë jo pak kundërshtime nga njësitë e tjera të Federatës Jugosllave. Gjithashtu në këtë artikull theksohej se tensionet politike në Kosovë kishin rënë në shkurt të vitit 1969, atëherë kur udhëheqja partiake jugosllave vendosi kundër bërjes së Kosovës republikë e shtatë e federatës. Arsye e mospërkrahjes së kësaj kërkese të shqiptarëve ishte se kjo kinse do të shpinte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në të vërtetë, nëse Kosova do të bëhej republikë, ajo do të mund të shkëputej nga Jugosllavia duke u bashkuar me Shqipërinë, çka do të pasohej me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Ky do të ishte fundi i RSFJ-së.
Institucionet amerikane, përfshirë edhe Shërbimin Sekret Amerikan (Central Intelligence Agency-CIA), përcillnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në RSFJ-në dhe përpilonin raporte dhe analiza mbi Jugosllavinë e pas Titos. Kështu në raportin e CIA-së të 13 tetorit 1972 , theksohej se problemet e këtij shteti në politikën e tij të ekuilibrit ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si dhe kundërthënieve dhe urrejtjeve etnike, do të dalin më shumë në pah në periudhën e pas Titos. Sipas këtij raporti, kryetari Tito, në përpjekje për të siguruar funksionimin dhe mbijetesën e federatës jugosllave edhe pas tij, krijoi sistemin e udhëheqjes kolektive në parti, pra në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, si dhe në institucionet shtetërore. Ky sistem politik, i njohur si vetëqeverisje – një përzierje e liberalizmit perëndimor dhe komunizmit, ishte kundërshtuar nga sovjetikët, konfuz për perëndimorët, por edhe i pakuptueshëm nga qytetarët e Jugosllavisë. I vetmi element unifikues i RSF të Jugosllavisë ishte ushtria, e cila edhe sipas këtij raporti ishte kërcënuar se do të ndërhynte në rast të shpërbërjes së federatës. Në përshkrimin e aftësive politike të Titos, shërbimi sekret amerikan theksonte aftësinë e tij që rreth vetes të përfshinte njerëz të aftë e profesionalisht të përgatitur. Në të vërtetë, Tito kishte vendosur sistemin kolektiv të udhëheqjes (sipas modelit të Zvicrës), si një formë kjo e parandalimit që një njësi federale të koncentrojë në duart të veta pushtetin qendror. Pra ishte një përpjekje e drejtuar kundër tendencave hegjemoniste të RS të Serbisë. Një fushë tjetër problematike pas periudhës së Titos, sipas këtij raporti, ishin edhe dallimet ekonomike dhe sociale ndërmjet republikave veriore dhe perëndimore të zhvilluara me njësitë më pak të zhvilluara të jugut dhe të lindjes. Fuqia botërore që do të mundohej të përfitonte në periudhën pas Titos ishte BRSS-ja, e cila shpresonte ta rikthente Federatën Jugosllave në përqafimin e socializmit ortodoks të tyrin. Moska mbështetej në faktin se problemet e brendshme ekonomike dhe rivaliteti etnik, do t’i mundësonte asaj që të gjente mbështetës brenda strukturës shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë së pas Titos. BRSS-ja, ashtu si vendet perëndimore, shfrytëzonte rastin që si shkëmbim për kreditë e mëdha të anashkalonte organet federale, duke bërë marrëveshje të drejtpërdrejta me institucionet republikane dhe ato lokale. Sigurisht, vazhdonte raporti, disa vjet pas Titos, si rezultat edhe përzierjes nga jashtë, do vinte deri te koalicioni ndërmjet liderëve konservativë dhe ushtarakëve në përpjekjen për të rivendosur pushtetin qendror, me ç’rast mund të dalë në skenë edhe ndonjë lider, i cili do të mundohet t’u imponohet njësive të tjera federale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime të mundshme pas Titos, do të përkrahnin një Jugosllavi të bashkuar dhe të decentralizuar, ngase çdo përkrahje për njësi të veçanta të federatës vetëm do të përforconte ndikimin e BRSS-së në Jugosllavinë e pas Titos.
Në vitin 1977 Kosova kishte marrë 56 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, të cilat do t’i investonte në sistemin e ujitjes dhe të drenazhimit, me çka do të ndihmoheshin rreth 35.000 bujq të Kosovës. Se sa Jugosllavia ishte e rëndësishme për Perëndimin tregonte fakti se Banka Botërore, me seli në Uashington, deri në vitin 1979 i kishte huazuar RSFJ-së rreth 12 miliardë dollarë. Madje në vitin 1979 Jugosllavia ishte huazuesi i pestë më i madh i Bankës Botërore. Pas vdekjes së J.B.Titos, më 1980, ekspertët perëndimorë dhe ata të Jugosllavisë parashikonin se vështirësitë ekonomike mund të nxisnin procese politike të cilat do të destabilizonin Federatën Jugosllave. Prandaj, sipas tyre, në rast të ndonjë krize të brendshme politike në Jugosllavi, nuk do të kishte rrezik të drejtpërdrejtë nga ndonjë invazion i BRSS-së, por më shumë të rritjes së ndikimit rus duke ndihmuar disa grupe të caktuara në Jugosllavi. Raporte me përmbajtje të njëjta i vinin udhëheqjes së Jugosllavisë edhe nga kryeqyteti sovjetik (Moska), në të cilat shprehej brengosja e BRSS-së lidhur me kërcënimet për kryengritje që kinse vinin kundër RSFJ-së nga ana e emigracionit politik jugosllavë (flitej për rreth 50.000 persona të armatosur). Njëkohësisht, Todor Zhivkovi (udhëheqësi bullgar), gjatë takimit me Santiago Karillon (liderin e Partisë Komuniste të Spanjës), kishte deklaruar se ishte i drejtë çdo intervenim ushtarak që shërbente për të ruajtur sistemin socialistë dhe se në rast nevoje, duhet të ndihmohet Jugosllavia, që edhe pas vdekjes së Titos të mbetej vend socialistë. Me fjalë të tjera BRSS-ja shfrytëzonte edhe emigracionin djathtist kroat si presion për të mbajtur ose edhe për të kthyer Jugosllavinë e pas Titos në kuadër të sistemit socialistë të Lindjes. Prandaj nuk habit fakti se në Londër, gjatë kongresit të Këshillit Kombëtar Kroat (Hrvatskog narodnog vijeća), pikëpamja dhe parulla që dominonte ishte: më mirë një Jugosllavi jo e unifikuar dhe e pushtuar nga Rusia, sesa një Jugosllavi e bashkuar dhe e mbështetur nga Amerika. Kjo tezë e Këshillit Kombëtar Kroat mbështetej edhe me spekulimet se pas vdekjes së Titos, BRSS-ja dhe SHBA-ja, do të ndanin sferat e ndikimit në RSFJ. Sipas këtyre parashikimeve Bashkimi Sovjetik do të vendoste zonën e vet të ndikimit në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe në RS të Maqedonisë, përderisa SHBA-ja ndikimin e tyre do ta shtrinin në pjesën tjetër të Jugosllavisë. Sipas pikëpamjeve perëndimore, pas vdekjes së Titos, ata do të duhej të përkrahnin udhëheqjen kolektive për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftën qytetare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikonin se në periudhën e pas Titos, institucionet e Federatës Jugosllave dhe sidomos Armata Popullore e Jugosllavisë do të intervenonin në rast të ndonjë përpjekjeje për shkëputje të Kroacisë ose të Kosovës. Në kushte të luftës qytetare, Armata Popullore e Jugosllavisë, do të kërkonte ndërhyrjen e BRSS-së. Në një skenar të tillë të ngjarjeve, SHBA-ja parashikonte se në rast se RPS e Shqipërisë do të rezistonte kundër intervenimit të mundshëm ushtarak të BRSS-së në Jugosllavi, atëherë amerikanët mund të merrnin parasysh të përkrahnin politikisht dhe me ndihma të kufizuara ushtarake bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (“In these circumstances, if the Albanians gave some promise of being prepared to resist Soviet intervention, the USA might consider extending political support and even limited military assistance to Greater Albania.” Shih: A. Ross Johnson and Arnold L. Horelick, Communist Political Succession, A Report prepared for Department of State-June 1972, 65). Gjithashtu, edhe në skenarin kur BRSS-ja do të sulmonte Jugosllavinë, pa pasur si shkas luftën qytetare, pra kur Kosova do të vazhdonte të ishte pjesë e SFRJ-së, RPS e Shqipërisë nëse do të kërkonte mbështetjen dhe ndihmën ushtarake perëndimore kundër BRSS-së, përsëri SHBA-ja do t’ia afronin. Ndërkohë prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze (1978) nxiti shqetësimin e SHBA për mundësinë e rikthimit të Shqipërisë në Paktin e Vrashavës. Prandaj amerikanët u interesuan për t’u njohur me potencialin ekonomik e ushtarak të Shqipërisë dhe vendosmërisë së Tiranës për t’u ballafaquar me një agresion të mundshëm të Bashkimit Sovjetik, vetëm apo me Jugosllavinë. Njohuri mbi plane të tilla të BRSS-së kishte edhe shteti shqiptar, për të cilën u bë e qartë se pushtimi i Jugosllavisë nga Pakti i Varshavës do të thoshte se këto forca ushtarake (disa nga njësitë speciale të këtyre vendeve mësonin edhe gjuhën shqipe) nuk do të ndaleshin pa sulmuar edhe RPS të Shqipërisë. Prandaj, Tirana zyrtare, duke kuptuar se SHBA-ja dhe NATO, në rast të agresionit të BRSS kundër RSF të Jugosllavisë ose RPS të Shqipërisë, nuk do të intervenonin hapur por do të ofronin ndihma ushtarake dhe ekonomike, deklaronte se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të hynte gjithashtu në luftë.
Qëndrimin e tillë dhe interesimin e NATO-s për Shqipërinë, në rast të hyrjes së BRSS në Jugosllavi, ia kishte konfirmuar ambasadorit jugosllavë në Tiranë, Branko Komatinës, edhe ambasadori italian. Prandaj pas prishjes së raporteve me Kinën, Shqipëria, ndonëse mbronte dhe propagandonte rrymën ideologjike të pastër komuniste, përsëri për nevoja të sigurisë ishte orientuar për mbështetje dhe lidhje më të forta me Francën kapitaliste, e cila vazhdonte të ishte një nga fuqitë nukleare dhe më me ndikim në arenën ndërkombëtare. Ndërsa, pas refuzimit të heshtur të Shqipërisë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, qëndrim të cilin qeveria amerikane e toleronte, për sa kohë që Enver Hoxha dhe shteti Shqiptar vazhdonin të ishin kundër pranisë ruse dhe Paktit të Varshavës në territorin shqiptar, Washingtoni nxiste vendet perëndimore për t’u afruar me Tiranën, sidomos RF të Gjermanisë dhe Britaninë e Madhe.
Në raportin amerikan të vitit 1979 lidhur me problemin e Kosovës do të theksohej se për mbijetesën e Jugosllavisë, ku pos raporteve kroato-serbe, rëndësi do t’u kushtohej edhe raporteve shqiptaro-serbe. Potencohej se udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, Kosovën e konsideronte vetëm përkohësisht pjesë të Jugosllavisë. Prandaj, pas Titos, shpërthimi konfliktit shqiptaro-serb do të nxiste shpërthimin e konflikteve etnike në pjesë të tjera të Federatës Jugosllave dhe në një mënyrë zgjidhja e problemit të Kosovës mund të ishte element kyç për mbijetesën e saj. Po kështu theksohej se nacionalizmi shqiptar do të ballafaqohej me dy rryma: atë me ngjyrime islamiste, i orientuar kah vendet arabe, në të cilat shkollohej elita fetare myslimane shqiptare dhe rinia studentore, që do të drejtohej për inspirim kah Tirana. Ndërkohë, BRSS-ja kishte filluar të ndërhynte në Kosovë, pikësëpari me ndihmën e elementit serb në Kosovë, disa nga të cilët kishin krijuar Partinë e re Komuniste të Jugosllavisë. Njëkohësisht me rastin e prishjes së Shqipërisë me Kinën më 1979, BRSS-ja kishte filluar të shikonte mënyra për afrim me Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe Kosovën si mundësi.
Nga ana tjetër, Enver Hoxha, duke u nisur nga qasjet pragmatike, ashtu si udhëheqësi i RSF të Jugosllavisë, J. B. Tito, në politikën e jashtme objektiv kryesor kishte ruajtjen e pavarësisë së RPS të Shqipërisë, sidomos nga BRSS-ja dhe Pakti i Varshavës. Kurse në planin afatgjatë, shteti Shqiptar dhe Enver Hoxha, llogarisnin se në periudhën e pas-Titos, RSF e Jugosllavisë do të shpërbëhej dhe në atë rast Kosova dhe vendbanimet e tjera shqiptare do t’i bashkoheshin shtetit amë. Ndërkohë organizatat ilegale shqiptare por edhe pjesë të elitës institucionale të Kosovës, ishin për krijimin e një republike shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, ku në kuadër të Kosovës do të përfshiheshin të gjitha vendbanimet shqiptare në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe RS të Maqedonisë. Ky ishte, së paku, edhe synimi dhe dëshira që prof.dr. Ymer Jaka, sekretar i Arsimit, i Shkencës dhe i Kulturës së KSA të Kosovës, ia deklaroi Tefta Camit, ministres së Arsimit të RPS të Shqipërisë me rastin e vizitës zyrtare në Tiranë të organizuar gjatë fundit të vitit 1979. Ndërsa Enver Hoxha shprehte brengën se në periudhën e pas-Titos në Kosovë mund të nisnin trazirat, qoftë si rezultat i vlerësimeve të gabuara të vetë shqiptarëve të Kosovës ose edhe të provokimeve serbe me qëllim që të nxisin urrejtjen e kombeve të tjera të Jugosllavisë kundër shqiptarëve. Kjo do të thotë se shteti Shqiptar nuk ishte i interesuar për shpërbërjen e Jugosllavisë në rrethanat e një rreziku permanent sovjetik dhe në anën tjetër që procesi i fillimit të dezintegrimit të brendshëm të Jugosllavisë si një domosdoshmëri e kohës, mos të fillonte në kurriz të shqiptarëve dhe të Kosovës.