Nga CHRISTINE LAGARDE/
Një janari ka qënë për mua një ditë e posaçme. Është fillimi i një viti, siç është për të gjithë, por është dhe ditëlindja ime. Më 1 janar 2002, kishte dhe një tjetër arsye për të festuar: atë ditë 12 Vëndet pjesëmarrëse në zonën e euros vinin në qarkullim kartëmonedhat e monedhat në euro.
E kalova atë ditë me familjen dhe miqtë në shtëpinë time në Normandi, në Francë, e pak para mesnatës shkuam së bashku në kërkim të sportelit automatik më t’afërm për të mundur të preknim me dorë kartmonedhat e para në euro. Simbas disa miqve të mij, kalimi në monedhën e re do të kishte mbingarkuar arkat automatike dhe kartëmonedhat në euro nuk do të ishin në to. Vumë bast se nëse shpërndarësi do të kishte nxjerrë franga franceze në vënd të eurove, ato para do t’u mbeteshin atyre.
Mbasi kaloi mesnata provuam të tëhiqnim para: nga sportelet dolën kartëmonedha të freskëta nga shtypia dhe të gjithë ngritëm dolli për monedhën e re evropiane.
Kjo përvojë e ime vetiake ësht vetëm një nga çastet e ndërrimit valutor më të gjërë të historisë; që atëherë zona e euros është zgjeruar gjithënjë e më tepër. Ata 12 Vënde janë bërë 19, me më shumë se 340 milion qytetarësh që bashkëndajnë të njëjtën monedhë, megjithë gjuhë e kultura të ndryshme, duke tejkaluar kufijtë kombëtarë. Euro i ka dhënë ndihmesën vetëdijës së bashkimit ndërmjet evropianëve. Në hulumtimin e fundit të Eurobarometrit, pyetjes mbi kuptimin e Bashkimit Evropian për qytetarët, 41 % e qytetarëve i janë përgjigjur duke eshoqëruar me euron. Monedha e përbashkët ka qënë e dyta vetëm mbas lirisë së lëvizjeve.
Është e qartë se euro dhe Evropa janë tashmë të pandashme. Për të rinjtë evropianë, që kanë njohur gjithmonë vetëm monedhën e përbashkët, duhet të jetë praktikisht e pamundur të përfytyrojnë Evropën pa euro. Mbështetja kundrejt monedhës së përbashkët ka arritur majën e saj historike në 2021. Simbas hulumtimit të fundit të Eurobarometrit ajo gëzon sot një tregues miratimi prej 78 %.
Kur mendoj për euron më vijnë në mëndje ndërmarrjet dhe bizneset familjare që kanë arritur suksesin në sajë të të mirave që rrjedhin nga euro dhe tregu i përbashkët. Nga 1990 deri në 2002 shkëmbimi i mallrave ndërmjet Vëndeve që më vonë u bashkuan në zonën e euros është shtuar më pak se 5 %, ndërsa është rritur rreth 200 % duke filluar nga hyrja në monedhën e përbashkët. Qytetarët kanë mundur të udhëtojnë pa ndërlikimet e kostot të lidhura me këmbimet e milionë studentë e puntorë jashtë nuk duhet të përdorin më valuta të ndryshme.
Euro pa dyshim ka fuqizuar aftësinë tonë të qëndresës. Nga birësimi i monedhës së përbashkët jemi pajisur me mjete më të mirë për të mbarështuar krizat. Goditjet ekonomike të fundit do të kishin qënë shumë më të rënda po të mos kishte qënë qëndrueshmëria dhe integrimi që euro i ka siguruar tregut të përbashkët. Në çastet kritike, si gjatë pandemisë, monedha e përbashkët ka qënë themelore për të bashkërenduar përgjigjet e ndryshme n’Evropë.
Banka qënrore evropiane është roje e euros dhe ne punojmë me zell për të mbrojtur monedhën e përbashkët. Është detyra e jonë të garantojmë sigurinë e kartëmonedhave dhe është edhe detyra e jonë të studjojmë forma pagesash plotësuese si euro dixhital.
Jemi duke riprojektuar për të parën herë kartëmonedhat tona, duke i mbajtur të sigurta e në pararojë, por në të njëjtën kohë duke i përshtatur, me qëllim që qytetarët evropianë të çdo moshe e të çdo prejardhjeje të mund të njihen në to. Do t’i kërkojmë mendimin qytetarëve mbi temat dhe elementët grafikë të kartëmonedhave tona t’ardhëshme; do të botojmë ndihmesat e tyre në 2024, më parë se të programohet hyrja e biletave të reja.
N’atë mbrëmje të ftohtë të njëzet viteve më parë nuk mund të përfytyroja kurrë se mbrojtja e euros do t’ishte bërë puna e ime kryesore. Por është ky zotimi që kam marrë duke vënë emrin tim mbi kartëmonedhat që ju përdorni çdo ditë. Ajo firmë paraqet zotimin tim kundrejt njërit prej simbolevemë të çmueshme të bashkësisë evropiane.
Le të ngremë dolli për 20 vitet e kartëmonedhave në euro!
“Corriere della Sera”, 31 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika