• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfimi për Flamurin në vetën e parë

November 29, 2021 by s p

Bajram Mjeku/

Secili shqiptar, ka një rrëfim mbresëlënës për Flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare të shtrirë mbi cohë të kuqe.Personalisht kam njëfarë bindje se kur flas apo shkruaj për Flamurin kombëtar, kam edhe ndjesi, edhe emocione ndryshe.Për herë të parë më është bërë dhuratë Flamuri kombëtar që e shihni në këtë fotografi më 6 tetor të vitit 1968. Ishte një ditë e bukur me diell, derisa ia shtonte hijeshinë rrëzëllima e vesës së mëngjesit. Ishte dita kur ish-Jugosllavia komuniste lejoi që shqiptarët në ish-Jugosllavi, do të mund ta përdornin zyrtarisht flamurin kombëtar, pasi deri në këtë kohë, për flamurin dhe shqiponjën dykrenare ishin vrarë e burgosur qindra shqiptarë.Po këtë vit në kampin komunist, ndodhën shumë protesta studentore në Evropën Lindore, derisa protesta të këtilla pati edhe në Kosovë.Ditën e 6 tetorit të vitit 1968, nuk do ta harroj asnjëherë në jetën time. Isha vetëm pesë vjeç dhe Flamuri që m’u bë dhuratë ishte i përmasave të vogla. Ai u soll në familjen time nga studentët shqiptarë, të cilët ishin anëtarë të Shoqatës Kulturore të Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lubjanës, të cilët atëbotë studionin në këtë Universitet prestigjioz së bashku me axhën tim.Tre vjet më vonë, të njëjtit studentë vizituan Republikën e Shqipërisë. Dekanati i Fakultetit Teknik në Universitetin e Lubjanës, kishte krijuar pretekstin se studentët kishin nevojë për një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë dhe kështu rreth dhjetë studentë shqiptarë patën fatin e tyre të vizitonin Shqipërinë në një vizitë dyjavëshe!Mbas vizitës, unë fitova edhe dy dhurata; një flamur me shkabën dykrenare dhe një fanelë kuqezi të Klubit të futbollit “Flamurtari” të Vlorës! Flamurin dhe fanelën i ruante me kujdesin më të madh nëna ime në arkën e saj, të cilës gjithmonë i vinte erë ftonjësh. Fanelën kuqezi, nuk e kam veshur më shumë se dy herë në jetën time nga frika se do të më grisej. Derisa unë rritesha, fanela mbeti po ajo në përmasat e vogla të saj!Edhe sot kujtoj se Flamuri i prodhuar atëbotë në Shqipëri i përkiste një stofi cilësor, por njëzetetetë vjet më vonë, më saktë gjatë operacionit të ushtrisë serbe i koduar me emrin “Patkoi” në luftën e fundit në Kosovë, flamuri kombëtar dhe fanela e Klubit të futbollit “Flamurtari”, mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së djegur…Flamuri kombëtar, jo vetëm është simboli ynë i shenjtë, por është edhe ndër më të bukurit në botë. Është shkaba dykrenare, e cila qëndron aq bukur mbi stofin e kuq dhe simbolizon aq denjësisht shkathtësinë, forcën dhe energjinë në historinë tonë tragjike, për të mbërrijtur këtu ku jemi sot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajram Mjeku

MENDIMI USHTARAK I ISMAIL QEMALIT PËR FORCAT E ARMATOSURA

November 28, 2021 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Mjeshtër I Madh)

STRATEGJIA E PARË, MBROJTJA E VENDIT NGA COPËTIMI

Për të krijuar Forcat e Armatosur, në rrethanat e atëhershme, Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe Ismail Qemalit i duhej një strategji. Strategjia ishte e thjeshtë. Siç del nga dokumentacioni i kohës, i Qeverisë së Vlorës, sipas kësaj strategjie, fillimisht, në fazën e parë synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi. Në planin e brendshëm vendi vuante e përjetonte vështirësi të rënda ekonomike, shoqërore, politiko-ushtarake, si dhe të pasigurisë publike, që ishin rrjedhojë e mungesës së shtetit me institucionet e tij. Në këto rrethana vendit dhe popullit shqiptar i duhej të mbrohej për të mbijetuar ndaj lakmisë dhe pushtimit të shteteve fqinje, por dhe për të vendosur rregullin, qetësinë e rendin mbi anarkinë dhe mungesat e shumta. Shtetit të ri i duhej të krijonte institucionet e tij, midis të cilave dhe Forcat e Armatosura. Qeveria mori masa për të mbrojtur vendin me ato pak forca që kishte në dispozicion. Ismail Qemali urdhëroi të krijohej një forcë e vogël e armatosur, e cila mori për detyrë të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë-Vlorë, duke u vendosur në Qafën e Llogorasë.Forcat e Armatosura dhe Ushtria Shqiptare duhej të krijoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Për këtë qëllim do shfrytëzoheshin pjesët e efektivave dhe të strukturave ekzistuese ushtarake ende në përbërje të njësive ushtarake turke që vepronin në Shqipëri, ende në atë kohë. Ishte e kuptueshme se këto forca do bazoheshin tek ushtarakët me origjinë shqiptare të çdo krahine. Shumica e tyre bënin pjesë në strukturat rezerviste dhe aktive. Pjesa tjetër, ajo e angazhuar në luftime, ishin vullnetarë popullorë të krahinave të ndryshme shqiptare. Ndërkohë nevoja e ngutshme për të krijuar një forcë të organizuar ushtarakisht e detyroi Qeverinë e Vlorës të hynte fillimisht në bisedime me komandën e ushtrisë turke në Berat, me qëllim që të siguronte armë për forcat shqiptare. Kjo strategji dallohet qartë në letrën që Ismail Qemali i dërgonte prefektit të Beratit, më 9 dhjetor 1912, ku i shkruan: “…Qëllimi ynë kryesor është si ta shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe ta forcojmë atë për t’u përleshur me armikun. Kjo është për ne një çështje jetësore, njëkohësisht një detyrë e shenjtë për shefat e armatave …” dhe më poshtë vazhdon: “… merrni masat që t’u sigurohen ushtarakëve nevojat në këtë kohë krize dhe të mbahet qetësia”. Kjo ishte një detyrë e vështirë, po të kihet parasysh shthurja e përgjithshme e ushtrisë turke dhe sidomos fakti që, pas shpalljes së Pavarësisë, ushtarët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë turke e konsideronin të huaj vazhdimin e shërbimit nën flamurin e Turqisë. Ata filluan të dezertonin në masë nga radhët e ushtrisë turke, sidomos nga divizioni i Janinës, për t’a mbrojtur atë nga pushtimi grek.Strategjia për krijimin e Forcave të Armatosura nisi të vihej në zbatim menjëherë me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe me formimin e dikasterit të Luftës (Mbrojtjes). Kuvendi Kombëtar i Vlorës në mbledhjen e tij të parë, më 4 dhjetor 1912, zgjodhi “Grupin ekzekutiv të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”, të cilin edhe e ligjëroi, duke e dekretuar dhe duke e bërë të njohur për tërë vendin. Në përbërje të kësaj Qeveria përfshihej edhe një dikaster mjaft i rëndësishëm, ai me emërtimin Ministria e Luftës (e Mbrojtjes), i cili ishte edhe hallka kryesore organizative dhe drejtuese e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vendim bëhej i njohur në aktin e kohës të Kuvendit, ku shkruhej: “Në përbërje të këtij grupi bënte pjesë edhe dikasteri i rëndësishëm i Luftës (i Mbrojtjes Kombëtare) i kryesuar nga Mehmet Pashë Dërralla (Tetova)”, gjeneral karriere dhe komandant i shquar i kryengritjeve shqiptare të viteve 1909-911. Ky dikaster, në bashkëpunim me dikasterin e Punëve të Brendshme, morën masa për mbrojtjen e trojeve shqiptare, ruajtjen e rendit brenda vendit dhe për këtë nisën punën për të organizuar strukturat përbërëse të Forcave të Armatosura shqiptare. Sipas vizionit, strategjisë dhe skemës së përpunuar nga drejtuesit dhe shtabet ushtarake të dikastereve të mësipërme, krijimi dhe organizimi i forcave u krye në dy faza.

INSTITUCIONET E PARA TË FORCAVE TË ARMATOSURA

Në fillim u formua dhe u organizua Ministria e Luftës, Shtabi Madhor dhe Ministria e Punëve të Brendshme me strukturat më të mundshme ushtarake si ato vullnetare, rezerviste dhe xhandarmëria e policia, në periudhën relativisht të shkurtër nga nëntori 1912 deri në qershor 1913. Faza tjetër filloi në fillim të qershorit 1913 dhe vijoi deri më 22 janar 1914, kur Qeveria e Përkohshme e Vlorës pushoi së vepruari dhe u largua nga skena politike shqiptare. Në fazën e dytë u formua Zyra e Shtabit Madhor dhe u riorganizua struktura e Xhandarmërisë. Po në këtë kohë nisi edhe organizimi i forcave aktive. Pra, vetë përshkallëzimi i organizimit të Forcave të Armatosura, të organizmave drejtuese dhe strukturave përbërëse të tyre, dëshmon për një njohje të thellë të gjendjes reale të mundësive ushtarake të Shqipërisë së asaj kohe. Siç u theksua më lart, së pari, në fazën e parë në përbërje të Forcave të Armatosura u përfshinë forcat rezerviste me origjinë shqiptare, që përbëheshin në masë nga ushtarakë të moshës 40-60 vjeç, të cilët thirreshin me terminologjinë ushtarake turke “redifë” ose “muhtafizë”. Formacionet rezerviste ishin reparte të rregullta, të pajisura me armatime e municione të lehta, të veshur me uniforma ushtarake të ushtrisë së rregullt, kur thirreshin në luftë. Këto reparte ishin të organizuara, të disiplinuara dhe, ç’është më kryesorja, më të përgatitur ushtarakisht, pasi ishin stërvitur sipas normave dhe kërkesave klasike ushtarake. Ata njihnin dhe dinin të zbatonin gjatë gjithë veprimtarive luftarake taktikën e luftës me front të rregullt. Këto ishin formacione me bazë batalioni, që vepronin atë kohë në disa krahina të vendit, në Skrapar, Berat, Vlorë, Tepelenë, Delvinë etj., por edhe në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, ku u përdorën me mjaft efekti. Forcat rezerviste përbënin një masë të konsiderueshme të Ushtrisë Shqiptare.Struktura tjetër përbërëse, edhe kjo masive, ishin forcat vullnetare, të cilat në fillimet e Qeverisë së Vlorës ishin mjaft aktive. Ato ishin të organizuara në formacione të thjeshta, tradicionale, në bazë çetash të fshatrave ose të lagjeve të qytetit, me një prijës të njohur në krye dhe vepronin sipas taktikës tradicionale. Deri në qershor 1913 numri i tyre u rrit mjaft. Strukturë parësore e Forcave të Armatosura shqiptare ishte Xhandarmëria. Ajo nisi të krijohej qysh në fillimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u shtri deri në maj 1913. Kjo strukturë u vlerësua me shumë seriozitet nga Qeveria dhe Ministria e Luftës si dhe ajo e Brendshme, sepse ishte një forcë që merrej kryesisht me sigurimin e rendit dhe të qetësisë së brendshme, por edhe me mbrojtjen e vendit, krahas trukturave të tjera ushtarake. Dokumentet e Qeverisë së Vlorës dëshmojnë se të gjitha përpjekjet e bëra nga organet e saj dhe ministritë përkatëse, çuan në organizimin e një force që, deri nga fillimi i qershorit 1913, u shtri në mjaft zona ku njihej pushteti i kësaj qeverie. Madje, për organizimin e saj dhe të policisë e të drejtësisë të Qeverisë së Vlorës, u krijuan edhe disa komisione përkatëse. Sidoqoftë organizimi më cilësor i kësaj force do të niste pas qershorit 1913. Mbi përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për organizimin e Forcave të Armatosura mund të formohet një ide jo vetëm nga dokumentacioni vendas, por edhe nga një raport që i dërgonte Vjenës konsulli i Austro-Hungarisë pranë Qeverisë së Vlorës, Lejhanec, i cili ndiqte nga afër veprimtarinë e kësaj Qeverie.Lidhur me këtë ai raportonte: “…. kohët e fundit Qeveria e Përkohshme është marrë me çështje organizative edhe po bën emërime të shumta sidomos në fushën e administratës së brendshme…”. Ministria e Luftës ose e Mbrojtjes Kombëtare, e cila, së bashku me pjesët përbërëse të saj, do të kryente edhe detyrën e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, përbënte hallkën më të lartë organizuese e drejtuese të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Kjo ministri përbëhej nga “…zyra e Shtatit Madhnuer (Shtabit Madhor), zyrën qarkore, zyrën herrtare (logjistika) dhe zyrën shëndetësore …”.

FORMIMI I SHTABIT MADHOR APO SHTATI MADHNUER

Dikasteri i Luftës përgatiti dhe përpunoi konceptin dhe platformën e organizimit të ushtrisë dhe të strukturave përbërëse të saj në përputhje me gjendjen që ishte krijuar në Shqipëri. Struktura e saj ishte sanksionuar dhe përmbledhur në një rregullore shumë të vogël, e emërtuar “Rregullorja për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, e cila u hartua më 22 prill 1913. Ajo ishte shumë e shkurtër, e përbërë nga 7 pika, dhe ishte e shkruar vetëm në një faqe. Në rregullore shkruhej se deri në daljen e rregulloreve të reja ushtarake do të funksiononin rregulloret ekzistuese të ushtrisë turke. Qeveria udhëzoi Ministrinë e Luftës që për organizimin e një ushtrie të rregullt shqiptare të shikohej përvoja e ushtrive evropiane, që vërtetonte edhe njëherë vizionin e qartë mbi krijimin e saj dhe se ishte e interesuar për krijimin e një ushtrie të kohës. Në fazën pasuese, e cila nisi në qershor dhe vijoi deri nga dhjetori i vitit 1913, sipas strategjisë së I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës, u kalua në një nivel më cilësor të organizimit dhe të përgatitjes së Forcave të Armatosura, të strukturave të veçanta, si dhe në hallkat drejtuese e në veprimtarinë e tyre.Pikërisht në maj 1913, në përputhje me parashikimet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Luftës dhe si nevojë e një hallke të qendërzuar, që do të shërbente për organizimin, përgatitjen, bashkërendimin dhe drejtimin profesional të veprimeve luftarake të Forcave të Armatosura, u formua Shtabi Madhor apo Shtati Madhnuer, siç quhej në terminologjinë autentike të kohës. Ky Shtab, që ishte konceptuar shumë i thjeshtë dhe tepër racional në ndërtim, vetëm me 5 zyra, do t’i jepte një hop organizimit të Forcave të Armatosura, por ai në të vërtetë u mor me gjithçka që kishte të bënte me veprimet luftarake, me furnizimet etj. në frontet e luftimeve në Jug, në Shqipërinë e Mesme apo edhe në atë të Veriut. Për këtë tregues dëshmojnë qarkoret e hartuara e të dërguara nga ky shtab me firmën e Kryetarit të tij, major Ali Shefqet Shkupit, në lidhje me problemet e përmendura më sipër. Elementet përbërëse të shtabit, të përcaktuara në “Rregulloren e përkohshme të Ministrisë së Luftës” të 22 prillit 1913, ishin: “1. Qarqet e Shtatit Madhnuer. 2. Shkresina e Shtatit Madhnuer. 3. Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve. 4. Komisioni i trajtimit të policisë e të xhandarmërisë .5. Komisioni i ndërtimit”. Konceptimi dhe formimi i këtij shtabi, ku vepronin një grup ushtarakësh mjaft të formuar, me kulturë profesionale ushtarake të nivelit akademik dhe me përvojë të lakmueshme luftërash, dëshmonte edhe për një kulturë të mirë politiko-ushtarake të drejtuesve të shtetit dhe të udhëheqësve ushtarakë shqiptarë të asaj kohe, të afirmuar nga Qeveria e Vlorës. Ky shtab, që varej nga Ministria e Luftës, shërbente edhe si një organ këshillimor për çështjet ushtarake pranë Qeverisë së Vlorës.Ngritjen e këtij shtabi të lartë ushtarak e bënte të njohur për qeverinë austrohungareze në Vjenë, konsulli i saj në Vlorë, Lejhanec, që raportonte: “Në fillim të qershorit 1913 në Vlorë funksiononte një zyrë e Shtatmadhorisë, një lloj organi ushtarak i Qeverisë së Përkohshme”. Ky shtab, siç vërtetoi zhvillimi i ngjarjeve të kohës, luajti një rol të dukshëm në organizimin e zhvillimin e Forcave të Armatosura në fazën e dytë, siç ishte përmirësimi i strukturave të saj, veçanërisht të Xhandarmërisë dhe të forcave aktive. Kështu, për të organizuar mbi baza të shëndosha strukturën e forcave aktive të Ushtrisë, Ministria e Luftës dhe Shtabi Madhor urdhëruan krijimin e një kompanie të ashtuquajtur “Model”. Sipas shëmbëlltyrës së saj u krijua imazhi i kësaj strukture. Po në këtë fazë nisi edhe riorganizimi i xhandarmërisë e cila, veçanërisht pas qershorit, pati një përmirësim të dukshëm. Ky nivel u rrit më tej pas tetorit të po këtij viti, kur në Vlorë arriti grupi i oficerëve holandezë të kolonel De Weer-it dhe majorit Thomson, të cilët, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913 në Londër, duhej të organizonin xhandarmërinë shqiptare. Eshtë vendi të vihet në dukje se Qeveria e Vlorës dhe ushtarakët shqiptarë ndihmuan pa asnjë hezitim në punën e ushtarakëve holandezë për riorganizimin e Xhandarmërisë Shqiptare sipas koncepteve të përparuar të asaj kohe, për t’a bërë atë sa më efektive në veprimet e saj. Ajo u organizua tashmë mbi bazën e 4 detashmenteve, reparte këto të barabarta me një batalion, me 300 xhandarë secili. Çdo repart drejtohej nga një oficer shqiptar i shquar dhe me shumë përvojë. Të tillë ishin major Mustafa Aranitasi, kapiten Mustafa Maksuti (Shehu), kapiten Kasem Qafëzezi dhe kapiten Rexhep Shala. Koncepti i drejtë në krijimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, u vërejt edhe në formimin e shërbimeve mbështetëse, siç ishin ai i Prapavija (6 maj 1913), i Mobilizimit (3 qershor 1913) dhe i Zbulimit ose Informativ (15 qershor 1913). Pa këto shërbime vështirë se mund të kryenin veprimtarinë e tyre strukturat ose hallkat drejtuese të Forcave të Armatosura shqiptare.

PËRPILIMI I RREGULLOREVE TË PARA PËR USHTARAKUN

Ndërkohë, Qeveria e Vlorës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Luftës dhe Shtabin Madhor, përcaktuan edhe vetë nivelin e të drejtës elektorale dhe politike të ushtarakut shqiptar. Në atë kohë ishte përcaktuar se përveç oficerëve, ushtarakët e tjerë nuk lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhjet, me qëllim që të mënjanohej ndikimi tyre nga politika. Një veprimtari sintezë, që evidentoi dhe afirmoi më së miri mendimin dhe vizionin ushtarak shqiptar për atë kohë, ishte pikërisht hartimi dhe publikimi i rregullores “Mbi organizimin e Milicisë Shqiptare”, që u miratua nga vetë Kryesia e Qeverisë së Përkohshme më 3 qershor 1913. Kjo rregullore u hartua me qëllim që të shpallte e të bënte të njohur projektin e Qeverisë së Vlorës për konceptin dhe mënyrën e organizimit të forcave ushtarake ekzistuese të vendit, deri sa të krijoheshin kushtet dhe mundësitë për krijimin e ushtrisë së rregullt. Kjo duket mjaft mirë nëse i referohemi vetë rregullores, ku parashikohet dhe përshkruhet qartë e saktë çdo gjë që lidhet me sistemin e organizimit ushtarak të përzgjedhur, sipas të cilit do të kryhej organizimi i fuqive ushtarake shqiptare deri në kohën e përcaktuar për krijimin e Ushtrisë së rregullt. Po kështu, në të përcaktohej edhe gjithçka tjetër për detyrimin ushtarak, moshën e të detyruarve për këtë shërbim, skemën e organizimit të brendshëm, detyrat luftarake, hierarkinë ushtarake, uniformën, armatimet, mënyrat e lajmërimit, vendvendosjen e reparteve e të nënreparteve sipas madhësisë së tyre, çështjet e administrimit dhe të rregullit dhe deri te trajtimi financiar i ushtarakëve të së gjithë niveleve. Rregullorja në të vërtetë ishte një akt ligjor për nga përmbajtja, edhe për faktin se ajo u miratua nga vetë Qeveria e Vlorës, duke i dhënë asaj atributet dhe forcën ligjore. Njëherësh, hartimi i rregullores dëshmon qartë nivelin e lartë të dijeve dhe të kulturës profesionale ushtarake të anëtarëve të Shtabit Madhor shqiptar; prandaj miratimi i rregullores rriti prestigjin e këtij organi ushtarak jo vetëm në vend. Për këtë rregullore konsulli austro-hungarez në Vlorë do të shkruante: “Zyra (e Shtabi Madhor) hartoi rregulloren mbi funksionimin e milicisë shqiptare, sipas së cilës kjo e fundit duhej të ishte një forcë e organizuar, e ngritur mbi bazën e detyrimit ushtarak të përgjithshëm dhe që kishte për detyrë mbrojtjen e vendit deri sa të krijohej një ushtri e rregullt”.Qeveria e Vlorës dhe kryetari i saj I. Qemali ditën të përzgjidhen e të përcaktojnë hallkat drejtuese në nivel strategjik, për Forcat e Armatosura që ishin në organizim e sipër, në shkallë vendi. Në këto kushte, deri sa të krijohej Komanda e Përgjithshme, kjo detyrë iu ngarkua Ministrisë së Luftës. Por një dukuri që përshfaqi vizionin dhe konceptin modern të Qeverisë, madje dhe të udhëheqësve ushtarakë shqiptarë të viteve 1912-1913, ishte prirja dhe vendosmëria e tyre për organizimin e një Force të Armatosur me profil të tillë. Prandaj ata sugjeruan kryerjen më parë të studimit të disa sistemeve ushtarake evropiane. Ja si e përshkruan këtë vendim konsulli i cituar më lart, në një raport të tij: “…administrata ushtarake shqiptare kishte ndërmend të bënte më parë studime mbi sistemet e ndryshme ushtarake evropiane. Pastaj të vendoste të mbështetej në njërin prej tyre ose të krijonte një sistem të ri të vetin, që t’u përshtatej kushteve të shtetit të ri të pavarur”. Për të ilustruar këtë prirje, mjafton të përmendim që të gjitha porositë e Qeverisë së Vlorës për armatime e municione për Forcat e Armatosura shqiptare u bënë në Austri, kurse ato për uniformat e reja, në Itali. Për këtë në librin “Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha” thuhet: “Porosi të rëndësishme u bënë në arsenalet e Austro-Hungarisë, me gjithë ngushticën e madhe të mjeteve financiare”. Ndërsa ambasadori i Vjenës në Romë, Merei, thotë: “…se në Ministrinë e Jashtme italiane kishte marrë vesh për ardhjen në Itali të disa përfaqësuesve të Qeverisë Vlorës për të blerë uniforma për xhandarmërinë shqiptare”. Së fundi duam të vëmë në dukje se është merita dhe vendosmëria e Qeverisë Shqiptare dhe e vetë I. Qemalit për t’u dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare një karakter dhe përmbajtje sa më shumë që të ishte e mundur kombëtare. Kjo vendosmëri dhe prirje duket nëse i referohemi përzgjedhjes së drejtuesve ushtarakë kryesorë të Forcave të Armatosura: përzgjedhja e gjeneral Dërrallës në krye të Ministrisë së Luftës, e major Ali Shefqet Shkupit në krye të Shtabit Madhor, si dhe e oficerëve të shquar të asaj periudhe, Ismail Haki Tatzati, Mustafa Maksuti, Kasem Qafëzezi dhe Meleq Frashëri etj., që vinin nga trevat e ndryshme të vendit, në krye të formacioneve kryesore të Forcave të Armatosura shqiptare. Kjo dukuri shfaqet edhe më poshtë, në formacionet e tjera ushtarake, ku gjeje mjaft ushtarakë komandues edhe nga Kosova. Trevat shqiptare në vitet 1912-1913 edhe më tepër se deri atëherë u vlerësuan si faktor bashkimi dhe krenarie gjithëkombëtare. Madje, uniforma e këtyre forcave vlerësohej si e tillë. Kjo shfaqje tipike përshkruhet shumë qartë në revistën ZGJIMI, që botohej në Korçë, në numrin e 33-të të saj, ku botohej edhe një fotografi e tre ushtarakëve shqiptarë të viti 1913, në të cilën shkruhej: “Shikoni pakëz këtë fytyrë, e patë? Këto janë uniformat e ushtrisë shqiptare. Kjo është rroba e Kombit Shqiptar! Kjo është rroba që do të thotë se në këtë botë është një shtet që quhet Shqipëri!”. Kësisoj Ushtria Shqiptare vlerësohej në thelb si pasqyra e vetë kombit dhe e shtetit shqiptar. Nuk ka vlerësim dhe simbolikë më të qartë në këtë plan.Me gjithë përpjekjet për të krijuar një ushtri kombëtare të rregullt e bashkëkohore për shtetin e ri shqiptar, sipas përfytyrimit dhe përmasave të sotme, Qeveria e Vlorës nuk ia arriti dot qëllimit që i kishte vënë vetes, për shkak të mundësive të kufizuara materiale dhe kohës, pasi veprimtaria e saj u ndërpre. Megjithatë ajo hodhi bazat e para dhe shënoi fillimet e organizimit të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura në vendin tonë. Ajo krijoi rreth 12000 forca, nga të cilat 4000-5000 ishin xhandarë. Në këto struktura u bashkuan dhe shërbyen rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë të karrierës, që ishin shkolluar në Turqi. Kështu, vizioni dhe mendimi ushtarak i Qeverisë së Vlorës dhe i ushtarakëve që kishte përreth, me gjithë kufizimet e kohës, duhet të vlerësohen si një shërbim ndaj vendit dhe popullit shqiptar në tërësi dhe ndaj Forcave të Armatosura dhe artit ushtarak shqiptar në veçanti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bernard Zotaj

Ngrihet flamuri shqiptar ne Waterbury, Connecticut

November 28, 2021 by s p

Ceremonine e drejtoi ndihmësi i kryetarit te bashkise Waterbury Monroe Webster. Fjalime mbajten state senator Joan Hartley, kryetari I keshillit te Eldermeneve Paul Pernerewsti, dhe dy perfaqsues te shtetit të Connecticut Ronald Napoli Jr., Geraldo Reyes. Te gjithe perfaqesuesit theksuan rendesine dhe vlerat e medha te komunitetit shqiptar ne Connecticut. Ne vecanti u vleresuan vlerat familjare dhe kulturore te shqiptareve ku spikat suksesi i femijeve shqiptar ne shkollat publike.Mbledhjen e pershendeti edhe presidentja e AAMC Albana Lame dhe presidenti i Komunitetit Hasan Prishtina Xhemal Dani.Kryetari i ditës u zgjodh veterani i luftes Memet Abazi.

Filed Under: Analiza

Një vlerësim mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, dhe sjelljen e autoriteteve otomane ndaj shqiptarëve në agimin e pavarësisë së Shqipërisë

November 27, 2021 by s p

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/

Shqyrtimi i mëposhtëm është pjesë e një kumtimi të ndërtuar mbi dokumentacionin arkivor të konsujve të Mbretërisë së Bashkuar të  Britanisë së Madhe, që gjendeshin në vitin 1912 në qendrat e tre prej katër vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Osmane, pikërisht në pragun e pavarësimit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për dosjet e nënkonsullatës britanike në Shkup të drejtuar nga Peckham, nënkonsullatës britanike në Monastir nga e cila kanë raportuar Greig dhe Morgan dhe nënkonsullatës britanike në Shkodër drejtuar nga Nikolla Suma, shkodran, të cilave u janë shtuar analizat përgjithësuese të Konsullit të Përgjithshëm Harry Lamb në Selanik. Një rëndësi të veçantë kanë sidomos raportet e zv konsullit britanik në Shkup, Peckam, mbasi Vilajeti Kosovës u bë qendra më e trazuar botës shqiptare në vitin 1912, gjegjësisht në prag të shpërthimit të luftrave ballkanike dhe pavarësimit të Shqipërisë. E ndjeva për detyrë ta botoj pjesën konkluzive të punimit tim, në kuadrin e debatit të hapur nga qarqe të caktuara politike joshqiptare dhe trysnisë së ushtruar mbi studiuesit shqiptarë në muajt e fundit, për rishkrimin, sipas orekseve politike të çastit, të historisë së Shqipërisë nën pushtimin otoman. Kjo trysni po orvatet të imponojë deri edhe vetëpërmbysje të punës së bërë për dhjetëvjeçarë nga studiuesit, të imponojë tërheqje nga puna e bërë, shmangie nga kriteret shkencore, përkulje intelektuale dhe rrumbullakosje të fakteve historike.

TRYSNIA NEO-OTOMANISTE MBI SHQIPËRINË DHE KOSOVËN E FILLIMSHEKULLIT XXI

Trysnia neo-otomaniste mbi Shqipërinë dhe Kosovën e fillimshekullit XXI vjen në një moment fort mirë të studiuar nga ata që e kanë inicuar. Shqipëria dhe Kosova aktuale janë dy shtete të dobëta politikisht, me rryma të forta paqartësie në aspektin identitar arbnor paraotoman, me probleme të rënda në respektimin e shtetit ligjor, me ecje të ngadalshme, dikund edhe të prapësueme, në procesin integrues europian dhe me mungesë përkrahje në totalitet nga tërësia e vendeve të Bashkimit Europian. Kësisoj ajo përpjekje mund të konsiderohet shumë e rrezikshme dhe përçarëse për bashkësinë e qytetarëve të lirë shqiptarë të dekadës së dytë të shekullit XXI, të cilët deri tani e kishin në çështje të zgjidhur teorike, vlerësimin mbi trashëgimin osman në trojet e tyre.

Shqyrtimi i kujdesshëm i mbi 900 faqeve dokumentacion, të dy dosjeve të vitit 1912 më ka mundësuar të rikrijoj një tablo të plotë të ngjarjeve që historiografia i konsideron si kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, parë në këndvështrimin e raportuesve britanikë. Dokumentacioni të jep mundësinë të vlerësohet kronologjia e ngjarjeve, niveli i përhapjes së lëvizjes kryengritëse nacionale në Shqipëri, intensiteti i veprimtarisë kryengritëse në të gjitha krahinat shqiptare, rrjedhat e verteta të ngjarjeve në vilajetet shqiptare në vitin 1912, programet politike, situata në ushtrinë turke, gjendja kulturore, niveli i perceptimit politik i shoqërisë shqiptare dhe orientimet politike të krahinave të ndryshme shqiptare në linjat përparimtare apo regresiste shqiptare, impostimet politike të shtresave të ndryshme dhe krahinave të ndryshme të shoqërisë shqiptare në orientimet e jetës së brendshme të Perandorisë Osmane dhe niveli i tronditjes së solli kryengritja mbi shoqërinë politike otomane të kohës.

KRYENGRITJA NË VILAJETIN E KOSOVËS SI PJESË PËRMBYLLËSE E REVOLUCIONIT NACIONAL SHQIPTAR

Së pari, më duhet të saktësoj, se kryengritja e vitit 1912, e filluar në Vilajetin e Kosovës, ka qenë pjesa përmbyllëse e Revolucionit Nacional Shqiptar të viteve 1910-1912. Ajo kryengritje është kulmimi i tretë i rizgjimit më të rëndësishëm të popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, rizgjim i cili ka ndodhur në rrethanat e presionit të thellë shtypës dhe otomanizues të qeverisë së Turqve të Rinj mbi kombin shqiptar, shtypjes së thellë ekonomike mbi popullsinë dhe pasqyrimit të procesit dekompozues të ushtrisë otomane dhe sistemit të arrnuar politik të këtij shteti në vdekje e sipër.

Së dyti, një nxitje të rëndësishme për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës kanë luajtur pjesmarrja e disa prej anëtarëve më të rëndësishëm të parisë krahinore në jetën politike turke dhe bashkëveprimi me opozitën Ententiste kundër qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Duhet të saktësohet, se paria e vilajetit njëlloj si paritë e vilajeteve të tjera, i përkiste formimeve të ndryshme politike. Anëtarët e saj kanë pasur vizione jo unitare mbi të ardhmen e vilajeteve shqiptare në Perandori dhe në Ballkan dhe kësisoj janë paraqitur me programe jo plotësisht unitare në përfaqësimin e tyre pranë autoriteteve osmane. Grupet shqiptare të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup përshkruhen në këtë mënyrë nga diplomati britanik, përsa i perket orientimeve politike. Ai dallon tri grupime politike brenda levizjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit: 1. Grupi i parë ishte ai opozitar Ententist (dhe përfaqësohej nga Hasan Prishtina, i cili arriti të fitonte objektivin e vet kryesor, rënien e qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim” dhe kërkonte më pas diçka më shumë se garanci, që Shqipëria nuk do të trajtohej në të ardhmen ashtu sikurse kishte qenë trajtuar në të shkuarën. 13 pikat e kërkuara në programin e përpiliuar nga ai pasqyrojnë në një farë mënyre politikën e këtij grupimi. 2 Grupimi politik Autonomist i përfaqësuar nga Riza Beu (Kryeziu). Kjo parti synonte si hap të fundit, në qoftë se jo autonominë e menjëhereshme, një Guvernator të Përgjithshëm të zgjedhur. 3 Partia Konservatore e përfaqësuar nga Isa Boletini, përfaqësonte fiset malore dhe qëllim i tyre ishte ruajtja e shoqërisë tradicionale, organizuar dhe ruajtur nga zakonet tradicionale të krahinës së tyre, në të cilën ata ishin mësuar të sundonin. (PRO.FO.195 2407. doc.no.67, faqe 256-257, Peckham to Lamb, Uscub, August 12, 1912.)

Së treti, kryengritja e vitit 1912, me epiqendër Vilajetin e Kosovës, është shoqëruar me precipitim të situatës edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, në Vilajetin e Manastirit kryesisht, por edhe në atë të Janinës dhe të Shkodrës. Gjithashtu nga drejtuesit e krahut përparimtar të kryengritjes është pretenduar dhe bërë çfarë ka qenë e mundur në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe, që kryengritja e nisur në Kosovë, të shoqërohej me zhvillime të ngjashme edhe në krahina të tjera të Shqipërisë. Në të vertetë, ajo çfarë ka ndodhur në Vilajetin e Kosovës në rrjedhen e muajve maj-gusht 1912, nuk është shoqëruar me të njejtën masë, intensitet ushtarak dhe luftarak edhe në pjesët e tjera të vilajeteve shqiptare, por gjithsesi situata ka qenë ngjashmërisht e tensionuar, mjaftueshëm për të tronditur seriozisht sundimin ottoman në Shqipëri, por edhe për të ndezur përgatitjet e qarqeve të caktuara ballkanike për të ndaluar procesin e krijimit të një entiteti të ri ballkanik që do të mbante njëlloj të ngushtuara hapësirat gjeopolitike të tyre në Ballkan. Emërtimi kryengritje e përgjithshme kësisoj, së paku do të duhet të ridimensionohet, saktësohet, të vendoset në kontekstin e zhvillimeve konkrete të ngjarjeve të periudhës dhe të analizohet në të gjithë elementët e saj përbërës. Nga ana tjetër, që të kesh kryengritje të përgjithshme duhet të kesh një organizatë mbarëkombëtare drejtuese. Një organizatë e tillë nuk është se nuk ka ekzistuar, por asaj i ka munguar një efiçencë në praktikë. Unë besoj se ka qenë jo e mundur në rrethanat e sfondeve të ndryshme kulturore, organizimi dhe mbajtja nën një shtyllë te vetme e të gjitha prirjeve të parisë shqiptare.

ZHVILLIMET POLITIKE USHTARAKE TË KRYENGRITJES SHQIPTARE NË VILAJETIN E SHKUPIT

Së katërti, zhvillimet politike ushtarake të kryengritjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit më 1912, i janë bashkëngjitur ç’organizimit të përgjithshëm ushtarak, rebelimeve të herëpasherëshme të ushtrisë otomane në vilajetet e banuara nga shqiptarët. Ky ç’organizim vërtet është përshpejtuar nga vala e papërballueshme dhe masive e kryengritjes në krahinë, por nga ana tjetër, bashkëshoqërimi i kryengritjes me këtë rebelim të ushtrisë si dhe me veprimtarinë e partisë opozitare turke, ka kornizuar shpesh herë ligjërimin patriotik shqiptar, ka moderuar objektivin e pastër antiosman dhe karakterin laik e iluminist përbashkues të të gjithë segmenteve përbërëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar në këtë mënyrë një qasje më të prapësueme se programi politik, tehu i qartë antiosman i kryengritësve të Malësisë së Madhe të vitit 1911, programi i Memorandumit të Greçës dhe nga aktiviteti albanianist i qarqeve shqiptare me formim të europianizuem nën ndikimin dhe mbështetjen e fuqishme edhe financiare të  Austrisë, mbrojtësës së vetme madhore të popullit shqiptar.

Së pesti, progamet politike të kryengritjes së vitit 1912 kanë një bazament themelor të përbashkët dhe diferencohen në pikat e tyre kulmore varësisht vendit ku janë prodhuar, ku janë rishkruar, varësisht aspiratave të individëve udhëheqës së krahinave respektive. Dokumentacioni që kemi pasur në dispozicion na mundësoi të dallojmë shkrime programesh politike, vetëm në muajin gusht 1912, një në Vilajetin e Shkupit, një në Shqipërinë e Jugut dhe një në Shkodër. Të tri këto manifeste pretendojnë të jenë pjesë e një lëvizjeje, por ata dallojnë në pikën goditëse të procesit shkëputës nga Perandoria Osmane. Gjithsesi, ndikimi i klasës së otomanizuar dhe turkomane ka qenë një faktor i rëndësishëm frenues që ka përkulur tehun e qartë kombëtarist, albanianist, të unifikuar e mirëfilli separatist të kryengritjes shqiptare të vitit 1912 dhe kjo gjë vihet re krejtësisht qartë sidomos në rrjedhat e ngjarjeve Vilajetin e Shkupit më 1912. Lëvizja e Vilajetit të Shkupit i bashkëngjitej programit më të përparuar politik të Malësisë së Madhe, krahinë e cila, pikërisht në këtë kohë, siç duket serish me nxitjen edhe të Ismail Qemalit, ka avancuar një memorandum me kërkesat e mëposhtme: 1.përkufizimin e kufijve politikë të Shqipërisë; 2.njohjen e flamurit shqiptar; 3.emërimin e një guvernatori të përgjithshëm për të gjithë Shqipërinë, të zgjedhur nga fisnikëria e vjetër shqiptare; 4.Heqjen nga Shqipëria të të gjithë zyrtarëve që u përkisnin racave të tjera dhe emërimin e shqiptarëve në vend të tyre; 5.pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e cila do të duhej të mësohej me germa latine; 6. Pranimi i të gjitha këtyre kërkesave duhej të garantohej prej Fuqive të Mëdha (PRO.FO.195.2406 Inclosure No.1, in Consul-General Lamb’s dispatch No.67 of 22 May, 1912, Translation of letter in “Yeni Asr” of the same date from a correspondent at Uscub.) Me datën 7 gusht 1912 Hasan Prishtina, Mehmet Pashë Tetova, Riza Kryeziu, Isa Boletini dhe Jahja Aga paraqitën një Mazbatë me kërkesa si më poshtë vijon: Albabeti kombëtar me germa latine të përdorej për gjuhën shqipe në katër vilajetet shqiptare;  Një Lice duhej të ndertohej për çdo sanxhak të vilajeteve shqiptare; Gjuha amtare e nxënësve duhej të ishte gjuhë e arsimimit në të gjitha shkollat fillore; Me perjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, shqiptarët duhej ta kryenin shërbimin ushtarak në Turqinë Europiane; Qeveria duhej t’i pajiste banorët e krahinave kufitare me armë; Zyrtarët qeveritare duhej të dinin gjuhën shqipe dhe të njihnin zakonet krahinore; Një amnisti e përgjithshme dhe e pakushtëzuar për të gjitha veprat penale që nga fillimi i kryengritjes; Nxjerrja para gjykimit parlamentar (Impeachment) i kabinetit të Said Pashës; Rrugët dhe hekurudhat të ndërtoheshin sa më shpejt që të ishte e mundshme; Ligji zakonor shqiptar të aplikohej në disa krahina dhe lokalitete; Të formoheshin nahije të reja; të fillohej shfrytëzimi i minierave dhe pasurive pyjore; dhe reduktimi i taksës se deles (Aghnan) (PRO.FO.195.2407, doc.no 65, faqe 214, Peckham to Lamb, Uscub 8 August 1912). Ndërkaq, në Memorandumin e shfaqur në Monastir formulohej edhe kërkesa për një guvernator të përgjithshëm europian, në memorandumin e Shqipërisë së Jugut (Sinjë) kërkohej caktimi i një Inspektori të Përgjithshëm për një përiudhë të përcaktuar (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089 dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19,. August 1912), kurse Memorandumi i shfaqur në Shkodër në disa aspekte shkonte shumë përtej dokumentit të Sinjës, duke përcaktuar krijimin e një Asambleje Nacionale Shqiptare, të pavarur nga Parlamenti i Stambollit, i cili do të kontrollonte financat e Shqipërisë dhe forcat e veta territoriale. (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089, dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19  August, 1912.)

SJELLJA E AUTORITETEVE OSMANE NË VILAJETIN E KOSOVËS

Së gjashti, sjellja e autoriteteve osmane në Vilajetin e Kosovës, ndaj shqiptarëve edhe të moderuar pjesmarrës në lëvizje, ka qenë e ashpër, edhe përkunder kodeve të së drejtës zakonore shqiptare. Rasti më flagrant, që ndodhte jo në fillimet të pushtimit barbar pesë shekullor, por në muajt e fundit të agonisë osmane në Shqipëri, ka qenë transferimi, dmth internimi dhe mbajtja nën mbikqyrje si pengje, e grave dhe familjeve të disa prej liderve të kryengritjes shqiptare të Kosovës, të transferuar në Shkup, të cilin dokumentacioni britanik na lejon ta ridimensionojmë dhe faktojmë duke përcaktuar shumë qartë, se sjellja e qeverisë osmane në Shqipëri ishte në konstanten e vet antishqiptare, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit edhe pas pesë shekujsh barbarizëm, çkombëtarizim dhe përkulje identitare iliro-arbnore. Ky ka qenë një prej veprimeve më të rënda që ka shokuar opinionin publik në Kosovë. Në këndvështrimin e diplomatit britanik zv.konsullit Peckham, ky veprim përbënte provokimin më të rëndë për nxitjen e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare në Kosovë (PRO.FO.195.2407, doc no. 49, faqe 5, Uscub, July 9, 1912).

Së shtati, punimi sjell një panoramë të plotë të zhvillimeve ushtarake në terren. Mbi të gjitha dokumentacioni mundëson të saktësohet, se ajo çfarë është konsideruar në historiografinë zyrtare shqiptare si pushtim i qyteteve të vilajetit, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, ka qenë më së shumti një invadim popullor shqiptar, kryesisht i armatosur, per shkak të mosreagimit të vërtetë ushtarak të ushtrisë turke në kushtet e zgjedhjes se qasjes mosreaguese nga ana e autoriteteve qeveritare qendrore osmane dhe dezintegrimit të njësive ushtarake. Kjo zgjedhje politike e Stambollit ka ardhur për shkak të intensitetit të veprimeve kryengritëse, presionit të gjërë popullor shqiptar kundër pushtimit dhe procesit dezertues në ushtrinë turke, në kushtet e rritjes së ndikimit të opozitës politike në radhët e ushtrisë.

SJELLJA ZYRTARE E STAMBOLLIT NDAJ SHQIPËRISË DHE POPULLIT SHQIPTAR

Në fund fare duhet të theksojmë se sjellja zyrtare e Stambollit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar edhe në momentet e fundit të agonisë së autoritetit shtetëror otoman në trevat tona, për shkak të goditjes rrënjësore të kryengritjeve 1910-1912, ka vazhduar te jetë e njejtë: një politikë e pasinqertë, dredharake, përherë brutale dhe kriminale, regresive dhe frenuese në aspektin e emancipimit arsimor dhe kulturor, shtypëse në aspektin e lirisë në përgjithësi. Kjo politikë dhe ky veprim ushtarak e la territorin e katër vilajeteve në prag të fillimit të luftrave ballkanike, në një gjendje të mjeruar në pikëpamje të kohezionit material, të papërgatitur në pikpamje të organizimit politik dhe administrativ, dhe krejtësisht e “gatshme” për të qenë një prehë e pambrojtur para stuhisë së shfrenuar të qarqeve shoviniste ballkanike. Kjo situatë rezultoi fatale në përiudhën vijuese, veçanërisht për hapësirat skajore të trojeve të banuara nga shqiptarët, në të cilat, goditja e ashpër ushtarake e ushtrive ballkanike, e gjeti popullsinë në një situatë post-traumatike dhe përgjithësisht të paorganizueme në masën e duhur për të përballuar intensitetin e makinerive ushtarake të shovinistëve fqinjë. Në pikëpamje të përballimit politik të agresionit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në fund të vitit 1912 dhe fillim të 1913, Shqipëria, ndonëse e identifikuar territorialisht në mendjen e lidershipit rilindas shqiptar, ka qenë e paidentifikueme administrativisht dhe politikisht nga kanceleritë e fuqive, që patën në dorë fatin e të ardhmen e këtij vendi. Kjo sepse presioni shtypës i shtetit osman mbi shqiptarët, mungesa e tolerancës minimale politike për të pranuar programin autonomist për riorganizimin e katër vilajeteve ku shqiptarët jetonin në shumicë, mungesa e tolerancës kulturore edhe në mësimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e sistemin arsimor shqiptar, nuk u mundësoi shqiptarëve, qoftë edhe në rrjedhën e vitit 1912, të identifikoheshin administrativisht dhe politikisht nën një njësi të vetme territoriale brenda perandorisë, gjë që do ta kishte lehtësuar veprimin politik të fuqisë së vetme mbrojtësë të Shqipërisë, Perandorisë Austro-Hungareze, në diskutimet diplomatike të kohës, respektivisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Ballplatz-i u gjend i vetëm në mbrojtje të kombit shqiptar.

E gjithë kjo na nxjerr sërish në përfundimin se kasta drejtuese otomane e Kostandinopojës, operoi mbi popullin shqiptar dhe tokat shqiptare, deri në momentin e fundit të agonisë së sundimit të saj në trevat tona, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit, me mentalitetin, mjetet dhe metodat e pushtuesit. Faktet për këtë sjellje gjenden me shumicë, para së gjithash në arkivat otomane, të cilat rezultojnë të jenë të studiuara në mënyrë të papërshtatshme dhe aspak shterruese. Edhe sikur sot dikush apriori të kërkojë të ndryshojë thelbin e pushtimit otoman në Shqipëri, do të duhet të kujtojë që brezat e ardhshëm do të jenë të lirë dhe plotësisht të çliruar nga vargonjtë e presioneve politike, të gërmojnë me kompetencë arkiven e pamasë otomane për Shqipërinë dhe dokumentacionin po aq të gjërë të kancelerive të fuqive të mëdha për periudhën e pushtimit otoman në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Romeo Gurakuqi

Nji kujtim i Luigj Gurakuqit në përvjetorin e Pamvarsisë

November 27, 2021 by s p

Processed with VSCO with ih5 preset

Prof. Dr. Ardian Ndreca/

Këtë vit janë mbushë plot 96 vite qysh se në Bari u vra pabesisht nji prej burrave ma të shquem që pat nxjerrë ndonjiherë Shqipnija: Luigj Gurakuqi. Gurakuqi ka qenë nji figurë e domosdoshme në nji kohë që irracionalja sundonte mendjet e zemrat e shqiptarve. Irracionale âsht çdo gja që i përket interesave të ngushta dhe që pengon afirmimin e interesave kombtare. Luigj Gurakuqi nuk ishte nji njerí që i ndezte nji qiri djallit e nji tjetër Hyut, ai i ndejti besnik deri në fund parimeve të veta edhe atëherë kur Ahmet Zogu deshti ta bante për vete me të mirë. Ai ishte i bindun në marrjen e pushtetit me anën e mjeteve demokratike, kjo gja e shtyu me drejtue në Shkodër së bashku me Át Anton Harapin, Shuk Gurakuqin, Át Gjergj Fishtën dhe dom Lazër Shantojën, gazetën e famshme «Ora e Maleve». Fitorja e grupit demokrat «Ora e Maleve» në zgjedhjet e 27 dhetorit 1923 e gëzoi pa masë Gurakuqin, ashtu siç e idhnoi fillimi i Revolucionit antizogist në Vlonë nji vit mâ vonë. Në mars të vitit 1924 si Zogu ashtu edhe Gurakuqi ishin të mbërthyem në shtrat, i pari mbasi ishte plagosë prej Beqir Walterit, i dyti për shkak se i sëmurë. Kur e pyetnin Avni Rustemin se çka po bân Opozita e si mendon me u sjellë në Parlament, ai përgjegjej me nervozizëm: “Opozita âsht tue pushue: kemi Gurakuqin e smuet”. Me vrasjen e Luigj Gurakuqit për vendin tonë merrte fund andrra e nji fillimi të mbarë si Shtet. Mjerisht krismat e asaj mbramje të trishtueshme në Bari, do të shungullonin për shumë vite me rradhë, tue përsëritë jehonën e trathtisë edhe për nji tjetër gjysmë shekulli në Shqipni. Kur ra qeverija e Fan Nolit, tregon Anton Harapi në kujtimet e veta, e takova Luigjin dhe i bana dy pyetje të thata por të forta:

“- Si me falimentue kështu, Luigj? si me dalë me hikë Ju tash prej Shqipnije? – Kishte vdekë në kambë burri i dheut; me e pasë pré gjak s’kishte qitë. U kuq, i u muer goja, shtërngoj buzët e i dha vehtes: – P. Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik të Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja un këtu, e dij se derdhet gjak, e derdhet kot. Të kishte pse, nuk po shikojshem fort për gjak qi derdhet, se mâ për vehte jo se jo, por po më vjen si trathtí t’a marr në qafë popullin e shkretë”. Çka dëshironte zemra e Luigj Gurakuqit për atdheun e vet: “Nji Shqipní të drejtë, të plotë, të bashkueme, ku biri mos të dahet nga Nana, deshti Gurakuqi. Nji Shqipní të mirë, ku vllau mos të jetë shërbtori as gjaksori i vllaut, nji Shqipní jetese e jo nji Shqipní zije, nji Shqipní drite e jo nji Shqipní t’errët – lypi Gurakuqi” – kështu shkruente në vitin 1944 Zef Pali prej shtyllave të «Hyllit të Dritës». Nxansi i De Radës në Shën Mitër Koronë, pjesmarrësi në shpalljen e Pamvarsisë, ideologu i Shtetit modern shqiptar – kur u vra në Bari hante vetëm nji herë në ditë e veshte pantallona të vjetrueme. Në xhepat e ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira, prej të cilave atë mbramje kishte dijtë me heqë aq sa duhej për me i blé nji kukull vajzës së mikut të tij: patriotit Sotir Gjika. Autoritetet italiane nuk lejuen që funerali të mbahej në qytet, por vetëm mbrenda mureve të vorrezës. N’ato çasa tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruejti veshjen me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dborë” për t’ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zojës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Walterit etj. Të gjithë e njohim vendimin e turpshëm të gjyqit të Tranit, dijmë edhe reagimet e ashpra që patën miqtë e Gurakuqit: Salih Hoxha, Mustafa Kruja, Lazër Shantoja, Stavro Vinjau, Fan Noli, Ali Këlcyra etj.

“Gjyqi i Tranit, – shkruente Lazër Shantoja në vitin 1925, âsht – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut. Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësiës, Mussolini na e vrau me gjyqë… me armën e civilizimit e të drejtësisë!”. Megjithatë padrejtësija e gjyqit të Tranit do të ndreqej kur miqtë e Gurakuqit do të ktheheshin në Shqipní mbas prillit 1939, vetëm atëherë vrasësi i tij do të merrte dënimin e merituem.

Sot mâ shumë se kurrë Luigj Gurakuqi ishte dashtë me i mësue diçka të gjithë shqiptarëve, por mâ fort e mâ atyne që duhet të ndiejshin paksa përgjegjsi përpara kombit e s’kanë përgjegjsi – si thonte Gj. Fishta – “msa kanë telat e telegrafit për fjalët që përshkohen ndër to”. S’ka gja që shtëpija e Gurakuqit âsht shkatrrue, s’ka gja që te vorri i tij (i cili âsht afër vorrit të Pashko Vasës e Migjenit), ndodhet në nji kand të shëmtuem që s’nderon të ramët për atdhe.

Të paktën nji gja të ndiejnë ata që ia kanë zanë vendin Gurakuqit e shokëve të tij. Të ndiejnë fjalët e Gurakuqit kur thonte: “Kam dalë në shesh e jam me ballë t’hapët: nuk jam mësuem me u futun në thes”.

Nuk mund t’i kërkojmë politikanëve të sotshëm me bâ çka ka bâ Gurakuqi e as me vdekë me aq pare në xhep sa ka pasë Gurakuqi, por nji gja mundemi me ia kërkue: mos vazhdoni me e mbytë sistematikisht andrrën e tij për nji Shtet të denjë shqiptar!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ardian Ndreca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT