• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME VOTIMET NË QYTETET U HAP NJË FAZË E NDRYSHME

October 25, 2021 by s p

Nga MASSIMO FRANCO/

Fitorja e qëndrës së majtë, veçanërisht e PD, është e pastër: në Romë e Torino, mbas Milanos, Napolit e Bolonjës të fituara në rradhën e parë. Po ashtu e tillë është edhe humbja e qëndrës së djathtë, që mban vetëm Triesten e fiton në Kalabri; dhe në brendësi të saj e përbërëses populiste si të Legës si të Vëllezërve t’Italisë. Por në gjithë brendësinë e sistemit politik zgjatet hija e një mosvotimi që sjell elemente paqartësie dhe alarmi për përfundimet. Dhe shtrin një vello të rëndë pasigurie mbi qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të aleancave dhe të ekipeve drejtues. Në fakt, mbas votës së djeshme hapet, nuk mbyllet një fazë e re. Do të fillojnë të shihen përvijimet duke filluar nga zgjedhja e presidentit të Republikës, në shkurt 2022. N’atë çast do të formësohen të tjera aleanca. Do të kuptohet nëse kryeministri Mario Draghi do të mundet të verë në siguri ndihmat evropiane, pa qënë i frenuar, o akoma më keq i bojkotuar nga hakmarrje apo shkurtore zgjedhore. Enriko Letta, sekretari i PD thotë se opinioni publik është më përpara se partitë. Ka kryer në kutitë e votimit një saldim që grindshmëria e së majtës dhe protagonizmi i kryebashkiakeve nuk ka arritur t’a prodhojë. Por pasojë e domosdoshme e këtij pohimi është nevoja për të përimtuar në thellësi arsyen se përse më shumë se gjysma, në disa raste madje dy votues në tre, kanë mbetur në shtëpi. Letta ka shtuar se suksesi i djeshëm i kushtohet bashkësisë së rrjeshtimit të tij. Ndoshta. Megjithatë, më shumë se e bashkuar qëndra e majtë është treguar e njësishme: meritë e padyshimtë, për t’u vërtetuar me kohë. Në mënyrë paradoksale, është ajo që nuk ka treguar qëndra e djathtë. Është paraqitur e bashkuar por jo e njësishme; madje, në mënyrë të maskuar grindavece dhe e ndarë. Kundërshtia për të drejtuar ndërmjet legistit Matteo Salvini e Xhorxhia Melonit të Vt’I, së fundi i ka dëmtuar që të dy; e është pasqyruar tek kandidatët, të mirë apo më pak të mirë që ishin: me Silvio Berluskonin në rolin e vëzhguesit të dyshimtë. Qarja për këtë dukuri për të përligjur humbjen bie erë vetëshkarkimi dhe alibie. Është përgjegjësi e partive që i kanë thirrur, fakti që nuk kanë arritur t’i sjellin votuesit në kutitë e votimeve. Prandaj, që sot hapet një çështje që ka të bëjë me çdo forcë politike. Por një gjë është të riorganizohen aleancat mbi bazën e miratimit fitues, e tjetër është të rifillosh ecjen nga një humbje që djeg më shumë nga mëtimi i të qënurit shumicë në Vend. Për PD në fakt çështja është si të gjejë edhe me aleatët atë “fushë të gjërë” të thirrur si një synim por ende për t’u sendërtuar; e lrijuar nga zgjedhësit por e katandisur në një karikaturë nga kujtesa e ndarjes së rencianëve dhe nga mekja e boshtit me L5Y të Xhuzeppe Contes. Megjithatë, përceptimi është se ndershmëria kundrejt qeverisë Draghi dhe evropeizmi e bëjnë partinë e Lettës një qëndër tërheqjeje edhe për aleatët: edhe se herë herë mbytëse. Kështu një grilizëm tashmë mbeturinor, mund të paraqesë, në sajë të afërsisë me PD, ndonjë kromozom evropeist. Ndërsa qëndra e djathtë ndodhet në një gjëndje të kundërt e më të ndërlikuar, pjesërisht e varur nga fakti që Lega e FI janë në qeveri, Vt’I në opozitë. Shumë nga vështirësia e Salvinit për të bërë një zgjedhje të qartë ndërmjet përkatësisë në koalicionin e Draghit dhe joshjes së skajshmërisë së Melonit. Por ende më shumë, hipoteka johenike përfaqësohet nga pa-aftësia për të kryer një rishikim të vendosjes së tyre evropiane. Qerrja e luftës dhe Vt’I mbeten të rrënjosur në një arqipelag populist, sa të ndryshëm aq dhe agresiv, të paracaktuar për veçim. Evroskeptiçizmi i zhurmshëm dhe i herëmbashershëm i tyre dobëson pozitat pro-BE të Berliskonit. Aq sa vjen vetvetiu pyetja nëse mungesa e kthesës evropiane varet nga një e metë vullneti, apo nga pamundësia e Salvinit e Melonit për të këmbyer lëkurën, vlerat dhe njëmendësinë. Mbetja e llogarisë është megjithatë negative. Luhatja ndërmjet qeverisë e opozitës, mosbesimet, kandidaturat e vona e të kompromiseve kanë bërë që e djathta të mbante në votimet e dyta zgjedhësit e herës së parë, pa mundur të kalojë rrethimin kulturor e të përqindjeve që e dënojnë me humbje. Më shumë se një koleksion gabimesh qemë të pranishëm në një rast vigan të hedhur poshtë. Qytete si Roma, Torino, Napoli ishin më shumë se të mundshëm për t’u fituar: deri n’atë pikë sa pesë vite më parë në dy prej tyre kishte fituar Lëvizja Pesë Yje. E thëna më e përhapur është se zgjedhjet politike pothuaj kurrë nuk shkelin mbi gjurmët e atyre vendore. Është e vështirë të mohohet. Megjithatë, në një stinë ndryshimesh të mëdha, qëndra e djathtë duket se zbulohet më pak e pajisur se sa e majta për të kuptuar se çfarë po ndodh. Nuk mjafton të vetëquhesh, madje edhe të jesh shumicë politike në Itali, nëse mbrapa nuk je në gjëndje të tregosh kah përgjegjësie e aftësi qeverisëse. Rreziku trasversal që spikat në sfond është kthimi i mosvotimit në zemërim; e të gënjyerit se mund të kalërohet në dobinë tënde. “Corriere della Sera”, 18 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SHQETËSIMET E SHUMTA DHE RAKETAT E PAQES TË KIM JONG-UN-it

October 23, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI

Ka shumë shqetësime Kim Jong-uni dhe kërkon t’I shkarkojë mbi vartësit e tij dhe mbi botën. Të djelën Marshalli ka thënë se Koreja e Veriut është përpara një “krize të paparë, gjëndja është e errët” dhe i urdhëroi vartësit e tij “të përmirësojnë kushtet e jetës së popullsisë”. Kimi rrjeshtoi probleme të ushqimit, të veshmbathjes e të banesave, duke i veshur përgjegjësinë burokracisë. Loja e vjetër e njohur e udhëheqësit më të lartë, që ka ndryshuar cerimonialin e forcës për përvjetorin e 76 të Partisë së Punonjësve: në vend të paradës në Phenian ka përuruar një ekspozitë të mbyllur të arsenalit luftarak. Janë vënë në dukje raketa të reja me shpejtësi më të madhe se zëri dhe për nënëdetëset.

Kim ka paditur “armiqësi” dhe “hipokrizi” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ka përsëritur se arsenali, nga i cili nuk do të shkëputet kurrë, shërben për “vetmbrojtje e paqë”.  Përfundimi: “jemi duke ndërtuar një fuqi ushtarake të pathyeshme” (çmimin e paguajnë koreano-veriorët e uritur).

Shqetësimi i dytë, për çastin, është që as këto shfaqje të fuqisë shkatërrimtare duket se nuk i interesojnë Washingtonit, të përqëndruar mbi përballimin me Kinën. Nuk kanë shërbyer për të tërhequr një vëmëndje të veçantë as hedhjet e shtatorit: një raketë e lëshuar nga një tren, një kruiz me rreze të gjatë dhe një predhë hipersonike (që fluturon me 6.200 km. në orë e që e kishin prodhuar vetëm amerikanët, rusët e kinezët). Mbas Trump-it dhe tre takimeve me Kimin, Shtëpia e Bardhë u kthye në “durimin strategjik” të hershëm, të përbërë nga veçimi ekonomik dhe politik, që nga Klintoni, Bushi dhe Obama, nuk kanë ndaluar përparimin e maqinës luftarake koreano veriore. Në plan është edhe një nëndetëse bërthamore dhe një raketë ndërkontinentale shumë predhëshe. Shpejt a vonë, problemet e shumta të Kimit do të dalin përsëri nën formë kërcënimi të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara dhe durimi strategjik duhet t’i lëshojë vendin një vije më krijuese.

“Corriere della Sera”, 12 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

MESAZH TAIVANIT NGA XI: “RIBASHKIMI I PASHMANGËSHËM”

October 22, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI/

Ribashkimi i Taivanit Kinës “është historikisht I pashmangëshëm e do të sendërtohet”. Fjalë të Xi Jinping-ut, që është kthyer mbi çështjen në një fjalim të mbajtur në Sallën e Madhe të Popullit të Tienanmenit mbasi kishte lëshuar në fillim të tetorit turma aeroplanësh  lufte përqark ishullit që ende nuk pranon t’i nënështrohet “pashmangshmërisë”.

Që kur është në fuqi, nga 2012, Xi ka folur shumë herë mbi çështjen taivaneze, duke ndërsjellë tone paqtuese me kërcënime për përdorimin e fuqisë. Në këtë rast ai ka zgjedhur vijën më të matur kur ka pohuar se “ribashkimi nëpërmjet mjeteve paqësore është ai më i miri për interesat e kombit kinez, përfshirë edhe bashkatdhetarët taivanezë”. Por ka shtuar se “ata që harrojnë zanafillën e tyre, tradhëtojnë mëmëdhenë e kërkojnë të ndajnë Vendin nuk do të kenë një fund të mirë, do të përçmohen nga populli e do të dënohen nga historia”.

Në të shkuarën Xi e ka shpallur “mision historik” dhe “zotim të paluajtëshëm” risjelljen nën kontrollin e qeverisë komuniste ishullin, ku më 1949 u strehuan kombëtaristët Gomindan të Çan Kai Shi-së, të mundur në luftën civile nga Ushtria e kuqe e Maos. Në 2019 ka shpalosur hapur hijen e veprimit ushtarak duke thënë se nuk donte e nuk mund të bënte “asnjë premtim të heqjes dorë nga përdorimi i fuqisë, mbajmë mundësinë e sendërtimit të çfarëdo mase të nevojshme”.

Këtë herë Xi i bëri thirrje historisë dhe pashmangshmërisë së synimit që bën pjesë në premtimin e tij për “ripërtëritjen e kombit kinez”. Politologët e botës së globalizuar, nga Taipei në Washington , u vunë shpejt në punë për të deshifruar fjalimin e Xi Jinping-ut. Duhet të mbajmë parasysh se është mbajtur në kremtimin e 110-vjetorit të revolucionit të frymëzuar nga doktor Sun Jat-sen-i, që më 1911 përmbysi të fundmin perandor të dinastisë Çin, duke themeluar Republikën e Kinës. Bëhet fjalë për një ditë të krenarisë kombëtare në të dy anët e ngushticës: Taipei do t’a kremtojë nesër. Xi ka përvehtësuar trashëgiminë të të parit udhëheqës revolucionar, Sun Jat-Senit, që themeloi Gomindanin, e ky mund të lexohet si një shenjë respekti kundrejt Taivanit ku u tërhoq Gomindani i përzënë nga pjesa tjetër e Kinës, vëren historiani i njohur Rana Mitter, doçent i politikës kineze në Oxford. “Në muajt e fundit Pekini ka përdorur pothuaj të njëjtën gjuhë kërcënuese kundrejt Taivanit dhe kjo fjalë e Xi-së mund të jetë një orvatje për të këshilluar një rrugë paqësore”, thotë profesori. Një ndërpretim i hollë, por duhet kujtuar se Xi ka premtuar shumë herë se zgjidhja e çështjes taivaneze nuk mund t’u lihet më brezave t’ardhshëm, siç është bërë për shtatëdhjetë vite, nga dhjetori i 1949, kur Çan Kai Shi-ja zbarkoi mbi ishull dhe u ngujua aty. Që atëherë Taivani është vetëqeverisur, duke u kthyer nga diktaturë me ligje lufte deri në vitet 80, në një demokraci të pjekur, e në një fuqi ekonomike.

Kur thotë se çështja taivaneze nuk mund t’i kalohet pa zgjidhje brezit pasardhës, Xi-ja zbulon synimin e tij: do të jetë ai përbashkuesi i madh. Ka ende shumë vite përpara për të kryer misionin, sepse ka bërë të ndryshohet Kushtetuta për të qënë një president pa kufizim kohe e vitin e ardhshëm Kongresi i Partisë komuniste do t’i japë një tjetër pesëvjeçar si Sekretar i përgjithshëm. Por për të çuar në fund misionin “e pashmangshëm” të ribashkimit me Taivanin ai i ka lënë vetes pak opcione. Karta m’e mirë ishte ajo “Një Vënd dy sisteme”, e përdorur për të fituar kthimin e Hong Kongut nga kolonizuesit britanikë. Por në Taipei kanë vërejtur mirë se si u mbyll çështja hongkongase në muajt e fundit dhe një hipotezë ribashkimi n’atë model tashmë është e vdekur.

Këtë javë ministri i Mbrojtjes taivaneze ka dhënë piskamën mbi përgatitjet e sulmit kinez, duke paralajmëruar se më 2025 Pekini do të ketë aftësinë për të provuar mësymjen; presidenteja Tsai Ing-wen i ka bërë një thirrje bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të shmangë “katastrofën e rënies së Taivanit në duar kineze”.

Sot përgjigja e Taipeit fjalimit të Xi-së është hartuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Kinën: 23 milionë banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin t’ardhmen dhe zhvillimin e Taivanit; modeli Një vënd e dy Sisteme është treguar i gabuar. Të djelën, më 10 tetor, do të flasë presidentja Tsai Ing-wen, në ditën të cilën Taivani ka zgjedhur për të kremtuar Festën kombëtare për revolucionin republikan të Sun Jat-sen-it. Përpara pallatit presidencial të Taipeit do të zhvillohet një paradë ushtarake me raketa dhe do të shigjetojnë aeroplanët për t’i lajmëruar Pekinit vullnetin e qëndresës.

“Corriere della Sera”, 9 tetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Aferat me Portet e  Durrësit dhe gjumi i thellë i opozitës

October 21, 2021 by s p

Gëzim Zilja/

U bënë mbi dy vjet, që flitet për kthimin e Portit të Durrësit, port me rëndësi strategjike, në port qejfesh, rezidencash, parqesh, një lloj Dubai në zemër të Shqipërisë dhe ndërtimin e një të riu në Porto Romano. Mënyra sesi po serviren këto investime ngjall shumë dyshime se po kryhet një akt i madh antikombëtar me pasoja të rënda e të pariparueshme. Kjo mund të sjellë veç të tjerave mangësi në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme. Në Republikën e Shqipërisë ka një dokument themeltar që quhet, Strategjia e Sigurimit Kombëtar ku theksohet: “… SSK-ja është dokumenti më themelor planifikues për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë…”Komisioni i SSK-së nuk është mbledhur për të dhënëmendim për këto investime dhe kjo përbën një shkelje të rëndë lidhur me pozicionin strategjik të Portit të Durrësit. 

Për portin shkruhet:”…: Mbështetur në këtë dokument në portin e Durrësit janë bërë investime me vlerë qindra milionëshe për modernizimin e tij dhe realizimin e SSK-së…” Afera me arabët hedh në erë investimet e bëra në Portin e Durrësit, që  çuditërisht ende vazhdojnë. A do të përgjigjet kush për shkatërrimin e këtyre investimeve, si godina të administratës, magazina, bazë logjistike, riparim, zgjerim, thellim kalatash etj?

Në mbledhjen për zgjedhjen e kompanive konkuruese më 22.09.2021 ministrja Balluku tha: “ Porti aktual na bën krenar por fatkeqësisht duhet ta ndryshojmë…. Ndotja akustike, ndotja e ajrit janë problem për qytetin. Kjo pengon zhvillimin…” Kaq arsye gjeti ministresha, që të spostohet Porti i Durrësit.Po aty me një lehtësi marramendëse e plot krenari ajo parashikoi se: “… Durrësi do të kthehet në një pikë referimi për të gjithë Mesdheun. Projekti i zhvillimit i një marine elitare dhe një balline ujore do të konkurojë të gjithë investimet në fushën turistike e ndërtimit në kryeqytetet europiane e në të gjithë botën. Disa vite më parë një investim i tillë quhej utopi. Tani te ne këto janë bërë të zakonshme …”Kjo mënyrë të shprehuri të kujton veprën e “pavdekshme” të etërve, Metallurgjikun e famshëm, tashmë një varrezë gjigande dhe atë shprehjen: Shqipëria është fanar ndriçues në Europë. Investitori arab në një intervistë të stërzgjatur me Blendi Fevziun pohoi plot sinqeritet: “…Unë do t’i kryejë këto investime dhe do t’i shesë të gjitha ndërtimet kryesisht arabëve por edhe të huajve, që të nxjerr fitimet e mija…” Pyetja është: Çfarë fiton Shqipëria nga ky investim gjigand?! Do të punësojë kamerierë e fshatarët përreth do të shesin patate e qepë? Me këtë terr informativ dhe mungesë transparence, Porti i Durresit me 80ha tokë, e 76ha akuarium mund të ndodhë që një ditë të quhet Emiratet e Bashkuara Arabe të Ballkanit Perëndimor. 

Gjatë paraqitjes së projekteve për Porto Romanon çdo përfaqësuesi firme  iu lanë pesë minuta kohë.  Ministrja Balluku deklaroi me një fudollëk të pajustifikuar:“…Personalisht  e kam bezdi kur më kufizojnëkohën… Kohënpër paraqitjen e projekteve e kam vendosur unë, vetëm 6 muaj. Meqënëse bashkëpuntorët e mi janë më miqësorë ( çast kur minitresha buzqëqeshi duke ngritur vetullën e djathtë) po shtoj plus 2(dy) muaj, pra tetë muaj…” Pastaj plot madhështi shtoi: “… Me shumë kënaqësi u them se këtu nuk flitet thjesht për një port të një shteti të vogël, por për një port me rëndësi të veçantë për rajonin. Ky port bëhet për të ndryshuar konceptin për tregëtinë detare jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin. Flitet për një kapacitet ekonomik që do të reflektojë jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Ballkanin…” Pra veç të tjerave ministrja dhe shtabi i saj do të mësojnë rajonin e më gjerë të ndryshojnë konceptin për tregëtinë detare!?Nuk u tha se çfarë kapaciteti do të ketë fillimisht ky port, deri ku mund të shkojë vlera e projektit, cilët do të jenë financuesit etj. etj.  Në fjalim ajo parashikoi, që në vitin 2030 Porto Romano ( Porti i Durrësit, ka kapacitet 5 miljon tonë në vit) do të ketë një kapacitet prej 50 miljonë tonë në vit!? Si shtet rrumpallë që jemi, në Porto Romano vitet e fundit janë ndërtuar dy terminale të reja, që kufizojnë shumë ndërtimin e portit të ri. Ç’do të bëhet me to? Dhe kryesorja: Për gjithë këto projekte e investime gjigande, a do të ketë oponencë? Që të ndërtosh porte të tillë duhet të jenë ndërtuar më parë autostrada e rrugë hekurudhore, që lidhin Durrësin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa këto Porto Romano në madhësinë që kërkon Balluku është një utopi. Para disa ditësh u njoftua se në  Sofie u nënshkrua memorandumi tri palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për Korridorin VIII (projekt i vitit 1996) si një hap i rëndësishëm bashkëpunimi midis tri vendeve, për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ky memorandum i përmendur si një fitore e madhe e qeverisë Rama, është një copë letër mirëkuptimi firmosur nga tre ministrat e transporteve. Në komunikatë anashkalohet një fakt themelor: nuk thuhet se për Korridorin VIII nuk ka asnjë financim dhe ndihmë nga BE-ja; kjo u la si detyrë parësore për të tri vendet pjesëmarrëse por pa afat kohor. Sa para dhe kohë i duhen Shqipërisë të ndërtojë pjesën e saj të hekurudhës dhe autostradën deri në Qafë Thanë? Si do të arrijë ky port gjigand të thithë e shpërndajë 50 milionë tonë mallra në vit, kur deri sot asnjëherë nuk është kaluar shifra 5(pesë) milion ton/vit, që është kapaciteti i përgjithshëm i portit ekzistues? Pse opozita nuk kërkon transparencë të thellë, që të kuptojmë se ç’po ndodh me portet e Shqipërisë, të Vlorës e të Durrësit? Këto janë investime që ose  e nxjerrin në dritë Shqipërinë ose i bëjnë gropën. Dhe gjithë kjo lihet në dorë të ministres, që pa e fyer duhet të them, që nuk ka njohuritë e duhura për ndërtimin e porteve, transportit detar e atë tokësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

A E SHPËTON KUVENDI KOMBËTAR PARTINË DEMOKRATIKE?

October 20, 2021 by s p

Nga Agustin Mirakaj*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qendrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra dhe linjën editoriale të gazetës Dielli.

Qëndrestarët për liri, votë të lirë dhe demokraci do të mbeten të pathyeshëm përgjithmonë ndaj pazarxhinjve të lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Çdo demokrat distancohet sot nga autoritarizmi dhe njëanshmëria e kundraligjshme e kryeademokratit Basha në përfaqësimin e vlerave dhe në opozitarizmin e tij. Në tetë vite opozitë Basha na ka sjellur nga njëra humbje në tjetrën, ndaj sot, më shumë se kurrë nevojitet mbledhja e Kuvendit Kombëtar që të marrë vendim për vazhdimin në serinë e humbjeve apo rifillimin e ri të një opozite reale dhe pastrimin e Partisë Demokratike nga humbësit e njëpasnjëshëm, pazarxhinjtë dhe minuesit e vendimmarrjes demokratike në PD. Duke parë nga afër se çfarë po ndodh mund të them me besim të plotë se Partia Demokratike është drejt shkatërrimit nëse nuk u kthehet forumeve të partisë për të marrë vendime që përcaktojnë të ardhmen e partisë demokratike. Gjendja politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri është alarmante. Demokracia në pushtet dhe në opozitë, është marrë peng. Sot Partia Demokratike është përpara një kolapsi ku forca të errëta duan ta shkatërrojnë atë. Dhe kjo nuk është e rastësishme sepse partia punes, pra neokomunistët rilindas, në bashkëpumin me të infiltruarit e vet po bëjnë të pamundurën për asgjësimin e opozitës shqiptare. A do e lejoni ju këtë që të ndodhë? Unë besoj se jo, sepse forca jonë është më e madhe sepse populli është me ne. PD sot është kthyer në një çetë servilësh dhe të paaftësh që i servilosen kryetarit pë të mbajtur pozitat në seli dhe popullin fatkeqësisht në opozitë pa një perspektivë konkrete. Urgjenca e mbledhjes se Kuvendit Kombëtar është shpëtimi i Partisë Demokratike nga pazaret me neokomunistët në pushtet, me autoritarizmin në opozitë. Çdo vendimmarrje duhet të burojë nga Kuvendi Kombëtar ku çdo demokrat duhet ta thotë fjalën e tij. Ky Kuvend është bashkësi e qindra e mijërave mendime, kontribute dhe vlera, për të çuar përpara Partinë Demokratike. Kuvendi Kombëtar do të ndajë një herë e përgjithmonë se demokratët do të shkojnë me Berishën dhe të drejtën e tij që përfaqëson elektoratin dhe demokratët e vërtetë, apo me Bashën për të qëndruar në opozitë përjetë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 233
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT