• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VËSHTRIM I SHKURTËR MBI NOVELËN “Alida” TË DINE DINES

May 31, 2021 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI*/

Novela “Alida” e Dine Dines, nis nga Burgu i Spaçit, ku dy të burgosur kryqëzojnë shikimin jashtë rrethimit me tel me gjemba  mbi dy të rinj, një vajzë e një djalë. Ata ishin barinj dhishë e në punën e tyre, por meqënëse po loznin me njeri tjetrin, nga të burgosurit, supozohet  virtualisht se ishin të dashuruar. Nga kjo fillesë, nëpërmjet gojës së të burgosurit Qani, shtjellohet gjithë historia e dashurisë me Alidën.

Berti, i tregon Dines (autorit),  se duke qenë i internuar në një sektor të fermës, punonte fort në brigatën e ndërtimit. Puna ishte e rëndë sa s’merret me mend, por ishte i detyruar të qëndronte kokë ulur nga e ashtuquajtura lufta e klasave. “Në internim- thotë Berti- një herë të kolliteshe e merrte vesh i gjithë sektori”. Në të njejtën kohë, në shtëpi Berti  lexonte shumë libra (ca të lejuar e ca të ndaluar), ushtrohej në fizarmonikë dhe në dizanjo (shkrim me germa të mëdha), të cilat i mbushnin boshllëkun e të qenit i internuar.

Kur krejt pa pritur një ditë e thërrasin Bertin të shkonte dhe të bënte qendrën e emulaçionit, ku përgjegjëse për këtë punë ishte Alida. Ajo ishte  një vajzë shumë e bukur nga pamja, hiret, fytyra, sytë, flokët, elegante në veshje , në ecje, sjellja etj. Berti tregon se bie brenda  siç i thonë që në shikim të parë. Por edhe Alida dukshëm ishte në të njejtën “turbullirë rinore”. Kështu pas disa ditësh në punë gjysëm të përbashkët, Berti i thotë :“Alida a ke ndonjë kundërshtim që pa na vëvë re njeri në këtë botë të takohemi ndonjëherë e të bisedojmë? Alida në cast, e miratoi me me kokë”.

Që nga ky moment, dshuria për Alidën zgjerohet, thellohet, bëhet motiv, në punë, në shtëpi, në sektor, në hetuesi, gjyq, në burg, në “lirinë” e pas burgut e në çdo segment të jetës së Bertit. Ajo mbetet vetëm si ide virtuale,  si një brengë që zgjati  gati tri dekada dhe që përfundoi e pa realizuar, por vetëm me disa  refuzime përgjigjesh në telefon.

Në trillën artistike të Alidës, lexuesi  krahas dashurisë, takohet  natyrshëm me Arkimedin e Platonin, me Shekspirin, Omar Khajamin, Paskal e Mark Tuejn, me klasikët e muzikës  Shtraus, Bah, List, Brams, e Shopen. Takohet me Nanan e miqt e familjes, me të rinjët në mbrëmje dëfrimi si Lilin e miqt e saj,me këngët e kohës kënduar nga Luan Zhegu e Liljana Kondakçi, me mësuesen Nerime  e bashkfshataren Nurije etj.

Trilla rrok një sasi të konsiderueshme vendesh si: Lushnje, Devoll, Korçë, Tiranë, Laprakë, hotel “Arbëria”, “Bar Elyse” e mbi të gjitha Burgu i Spaçit dhe i Qaf Barit. 

Novela Alida, në çdo fjalë e në çdo frazë, përciellë në mënyrë të koncentruar idenë se  dashuria e vërtetë është një nga motivet më të mëdha të jetës. Ajo nuk njeh kufi, je në internim apo në hetuesi, në burg apo në liri, je në një sistem totalitar e mizor apo në një vend të lirë. Ajo është ndjenja më e bukur që na buron nga shpirti e na mbush me optimizëm për ta shijuar atë dhe jetën në tërësi.

Por dashuria e një të internuari, të ndaluari e të burgosuri, ka edhe disa specifika, që masa e madhe e njerëzve të lirë nuk i ka përjetuar. Këtë pjesë boshllëku shoqëror  e plotëson bukur Alida.

Novela, në pamje të parë, e duke e vënë  rrëfimin nëpërmjet gojës së  Bertit,  duket sikur kjo është historia e këtij personazhi. Por,  përshkrimet e imta të personazheve, ngjarjeve , dialogjeve, brendisë, e specifikave, shpesh të bëjnë të mendohesh se kjo ngjarje më shumë i përket autorit se sa Bertit.

Por, parë në tërësi, Alida është  një vepër artistike e mirërealizuar, një novelë e bukur, e kënëshme për një gamë të madhe lexuesish. Por,  mbi të gjitha ajo ndriçon një pjesë të jetës së të persekutuarve e të përndjekurve politik të komunizmit në Shqipëri.

Duke lexuar Alidën, çdonjeri përvijon paralele të jetës tij me ato të treguara bukur nga autori Dine Dine. Thënë ndryshe çdonjeri nga ne, ka në lëkurën e tij alidat e veta ose femrat inversat mashkullor të alidave të novelës.

Faleminderit Dine Dine për Alidën që na dhurove. Rrofsh gjatë  dhe shkrofsh të tjera vepra të cilat janë e do të mbeten pasuri në kulturën tonë kombëtare.

Mbajtur ne promovimin e organizuar nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtareve te Shtunen, ne seline e Vatres.

NY, më 29 Maj 2021.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alida, Asllan Bushatij, Dine Dine

DOM NIKOLLË KAÇORRI, STRATEGU I HARRUAR I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

May 31, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin 1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste besimit musliman.Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që festonte Pashkë e Bajram.  Siç është traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.  Më vonë, numri dy i qeverisë shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat Zentralfriedhof të Vjenës. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.

Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e kalimit të tij në amshim — të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në përgjithësi.  Në një homazh të veçant kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se, “Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë.  Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.

Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund, largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në  politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet në komentin e RV.

Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes.  Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar.  Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit — fatkeqësisht, as atëherë as sot — këtij kleriku katolik — në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:  

*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:

…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës.  Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të hershme dhe të vonë — me motivin e vetëm — që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde…”


“…Pas shpalljes së pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.  Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë…”.

 “Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”.  Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik…”.

“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”   

(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë, që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste sllavo-komuniste,  por edhe harresa sot e këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve post-komunizëm! 

Mbetet për tu parë se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike — të shfaqura publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave — të disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë.  Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar — periudhën pra kur jetonte dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit.  Prandaj, nëqoftse më lejohet të parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye ideologjike e të tjera — me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit — nuk rëndon mbi të, por mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar. 

Frank Shkreli 


                  See the source image..

Thuhet se edhe në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Krej të Lurës na qenka një pllakë që e identifikon atë objekt si “Monument Kulture” të Republikës së Shqipërisë! S’ka nevojë për koment. Fotografia flet vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dom Nikoll Kaçorri, Frank shkreli, pavaresia

PAPËRGJEGJSHMËRI HISTORIKE

May 30, 2021 by dgreca

NGA URAN BUTKA*/

Në paraqitjen përpara mediave të projektit të Akademisë së Shkencave “Historia e re e shqiptarëve”, drejtues dhe anëtarë të komisionit hartues u  shprehën për përmasat, kriteret dhe vlerat e këtij projekti të ri.

Ka disa vite që shqiptarët e interesuar për historinë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe studiues, historianë, njerëz të kulturës etj. kërkojnë rishkrimin apo korigjimin e historisë, për shkak të një historie të deritanishme ende të politizuar, të deformuar dhe të njëanshme, por edhe për shkak se gjatë këtyre tri dekadave të demokracisë kanë dalë në dritë mjaft dokumente të reja, që kërkojnë doemos rishikimin e historisë.

Personalisht e kam parashtuar me kohë nevojën e këtij rishkrimi, prandaj edhe lajmin e përgatitjes së një historie të re të shqiptarëve e prita me pozitivitet. Mirëpo, në këto dy javë të paraqitjes në media të projektit nga Akademia e Shkencave, u zhgënjeva, dhe jo vetëm unë. Në daljen e parë të komisionit hartues, profesor Paskal Milo tha se ka boll fakte të reja që do të përfshihen në tekstin e ri. “Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Ky i ashtyquajturi “fakt historik”,  përbën një “zbulim” dhe një “lajm” për Paskal Milon, ndërkohë që sipas mendimit tim, është një tendencë politike e tij, sipas tipologjisë së propagandës së dikurshme komuniste, që paradamkoste  personalitete historike, për t’i njollosur dhe asgjësuar mandej. 

Përse duhej të trumbetonte me aq ngutje këtë paragjykim personal, kur për një periudhë prej dy vjetësh studimi, anëtarët e komisionit hartues do të ballafaqoheshin me dokumentet e faktet historike dhe do të konkludonin objektivisht? Përse deklaron se “do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me një një fakt të panjohur që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin? Në ç’dokument është mbështetur Paskal Milo për të nxjerrë me përparësi këtë “fakt historik të ri”? 

Në të vërtetë, nuk është një dëshmi e panjohur.  Filip Liço autor i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 2009, përfshin në këtë botim edhe një fragment kujtimesh te sekretarit të Napolon Zervës, kolonel Th.Sarandis, mbi një takim, sipas tij, mes Napoleon Zervës, me një grup të nacionalistëve shqiptarë, mes tyre edhe Mid’hat Frashëri, në fshatin Voskop te Korçës nga 1-3 maj 1944. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë dokument apo fakt historik, por me një kujtim të një ushtaraku grek të Zervës. Nuk mund të konsiderohen kujtimet si dokumente apo fakte historike të mirëfillta. Vetë prof.Paskal Milo dhe prof.Pëllumb Xhufi kanë theksuar disa herë se historia nuk bëhet me kujtimet, nga që ato përmbajnë subjektivizma apo interesa. Mirëpo, kur ju intereson atyre, i marrin dhe i paraqesin  kujtimet si fakte të vërteta, si në këtë rast. Mendoj që politikanë shqiptarë apo të huaj në kohë të ndryshme, kanë bërë takime madje edhe marrveshje edhe me kundërshtarët politikë apo armiqtë, në kushte e kontekste të caktuara historike. Përse nuk flet Paskal Milo për një takim të Enver Hoxhës më një oficer gjerman në kohën e Luftës? Unë e kam lexuar atë dokument dhe them se E.Hoxha u takua, por nuk bëri marrëveshje me oficerin gjerman. Kjo është e vërteta. Unë kam dijeni gjithashtu për takime të të djathtës shqiptare me të djathtën greke për marreveshje gjatë luftës, megjithëse ato nuk janë realizuar. Di edhe që  PKSh ka bërë takime, marrëveshje dhe bashkëpunime me lëvizjen komuniste Greke (EAM- Elas). Sipas një raporti të Britanik ”Një marrëveshje mes Frontit NÇ të Shqipërisë dhe EAM-it (Lëvizja komuniste greke) mendohet se është firmosur  midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë Frontit NÇ të Shqipërisë janë raportuar të kenë qenë Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarak) dhe Kristoferos Prinos. Një marrëveshje ushtarake mes Frontit NÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Një takim i mëvonshëm midis Frontit NÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944”.

Këto çështje duhen analizuar me objektivitet, pa qenë nevoja për akuza politike. Mirëpo Paskal Milo nxjerr konkluzione eklektike të qëllimshme:” Mid’hat Frashëri, më 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Së pari, sipas Th.Sarandis, N.Zerva u takua me nje grup nacionalistësh si Midhat Frashëri, Xhafer Dibra, Ali Këlcyra, Suat Asllani,, Tane Malishova, Ali Nivica, Shukli Zakomeri, Qazim Prodani, Thoma Orollogai etj dhe jo vetëm me kryetarin e Ballit Kombëtar, M.Frashërin. 

Së dyti, takimi mes tyre, gjithnjë sipas Sarandis, u bë me 1-3 maj 1944, kur dihet që operacioni zervist kundër popullsisë Çame nuk kishte nisur ende, ai filloi në 27 qershor 1944 dhe nuk duhet kursesi të ngatërrohet enkas Midhat Frasheri, mbrojtësi më i madh i çështjes çame, kur ishte Ambasador në Greqi apo në forumet ndërkonmbetare,  si edhe në  veprën e tij tanimë të botuar.

Së treti, as Th.Sarandis nuk thotë se u bë një marrëveshje, por një takim. Madje nuk e citon fare Mid’hat Frasherin, por  vetëm fjalët e Suat Asllanit, i cili nuk ishte pjesë e Ballit Kombëtar. 

Së katërti, vetë autoti i librit “ Probleme të marrëdhenieve greko-shqiptare”,  Filip Liço, argumenton: ”Mendojmë se të dhënat e paraqitura nga mbledhja në Voskop të Korçës nga Th. Sarandis, janë shumë të cunguara. Nga pohimet e tij që Greqia “të bashkohen me me çfarë do mënyrë me Shqipërinë”, apo “do t’ia transmetojmë (Zervës)  pikpamjet tuaja”, del se në atë mbledhje u shfaqen mendime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin shqiptaro-grek”, por nuk u bë ndonjë marrëveshje. Takim nuk do të thotë marrëveshje apo bashkëpunim. 

Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi e lidhin enkas “takimin” me Zervën,“shfarosësi  i popullsisë çame”, duke ia shtuar qëllimisht këtë bisht për efekt publik. Dihet se kush ishte N. Zervasi, që kreu genocid kundër popullsisë çame të Greqisë, por takimi me M.Frasherin dhe përfaqësuesit e te djathtës shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me këtë genocid. 

Dr.Ermal Frashëri, i diplomuar ne Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, del kundër këtyre insinuatave: “Milo krijon sensacion me Mithat Frashërin. Ai foli për Mithat Frashërin e Zervën pa dhënë kontekstin. Duke folur për një takim, pa dhënë arsyet dhe rrethanat, Milo krijoi insinuata për Mithat Frashërin”.

Duke u nisur nga ky  fakt, por edhe nga daljet në media të drejtuesve të komisionit të historisë,  mendoj që projekti i Akademisë së Shkencave për historine e re, është i tejkaluar, një model zyrar tashmë i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin, si edhe përzgjedhjen e historianëve pjësëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkuruese. Ndonëse thuhet publikisht se nuk është një projekt zyrtar, e nxjerrin vetë në shesh të kundërtën. Historiani Paskal Milo pohon: “Projekti  udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave”, ndërsa historiani Marenglen Kasmi e thotë më troç: “Duhet të ketë një version zyrtar të historisë dhe nuk e bëjnë më mirë këtë gjë, sesa institucionet shtetërore!”.

Siç shihet qartë, një koncept totalitar për historinë. Është provuar tanimë se të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë “ kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht, sepse janë udhëhequr e krijuar nga ky parim. 

Drejtues dhe historianë të projektit, prof.Paskal Milo dhe sidomos prof.Pëllumb Xhufi etj., kanë dëshmuar gjatë këtyrë tri dekadave një politizim të dukshëm e të dëmshëm në trajtimin sidomos të ngjarjeve të periudhës së Pavarësisë, të Luftës së Dytë  Botërore dhe të Pasluftës. “Si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik”, thekson Ermal Frashëri. 

Por edhe gjatë këtyre ditëve të prezantimit te projektit të Akademisë, këtë gjë kanë demonstruar, duke diktuar pikpamjet dhe mendësitë e tyre, pra, duke u përpjekur t’i paravënë  pikat mbi i-të mbi ngjarje e pesonalitete historike.  

 Dr.Ermal Frashëri, i përfshirë në këtë debat, jep argumentet pse teskti i ri, “nuk do te prodhojë asgje të re. Do të jetë një histori zyrtare, që ka ngjyrim mentaliteti totalitar…Vetë zyrtarizimi i punimit shkencor është antitezë e shkencës. Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë. Qasje e gabuar dhe organizim i mbrapshtë”

Në debatin televizv ABC-Njuz dt 13 5.2021,  moderatorit Endri Xhafo, i pyet prezantuesit e projektit:  A ka pasur luftë civile në vitet 1943-44?

Skender Gjinushi: Nuk ka pasur lufte civile. 

Pra, kryetari i Akdsdemisë së Shkencave, pronari i këtij projekti, vuri vulën këtij fenomeni kaq të debatueshem, në vend që të thoshte: këtë do ta vendosin historianët e komisionit mbi bazën e dokumenteve. Dihet që në këto 30 vite të demokracisë janë botuar me qindra botime, që dokumentojnë ekzistences e luftës civile në Shqipëri pas prishjes se njëanshme nga komunistët të Marrëveshjes se Mukjes.  Historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë ka pohuar publikisht ekzistencën e Luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e saj. Le të kujtojme debatin e tij në Muzeun Kombëtar me Presidentin Moisiu. 

Historiania Ana Lalaj, që nuk është pjesë e Komisionit, e kundërshtoi Gjinushin dhe të tjerët, duke thënë se kjo luftë nisi pas vendimit të PKSH në Konferencen e Labinotit, shtator 1943, ku u shpall lufta e marmatosur kundër kundër Ballit Kombëtar dhe çdo tendence tjetër, një luftë civile.

Rrjedhimisht ka pasur një luftë civile ndërmjet forcave komuniste me ato nacionaliste, e dokumentuar nga dokumentet e Arkivit të shtetit, Arkivit të Ushrisë, Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, arkivave të Britanisë, Gjermanisë, SHBA, Jugosllavisë etj. Thuajse gjithë oficeret britanikë që ishin atashuar në Shqipëri gjatë luftës, rreth 150, e kanë pohuar e vërtetuar Luftën civile, po ashtu edhe historianët e huaj si R.Bejl, B.Fisher etj. Por,  mjafton të lexosh raportet ushtarake të komandantëve dhe komisareve te divizioneve, brigadave, e batalioneve te ushtrisë NÇ, si Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Ndreko Rino, e shumë të tjerë, për të kuptuar vërtetësinë autentike dhe përmasat tragjike të luftës civile në Shqipëri. Mjafton të përmëndim luftën civile në Malësinë e Madhe, dhjetor 1944-shkurt 1945, një luftë frontale civile për një muaj e gjysmë pa ndërprerje, ku merrnin pjesë divizione dhe brigada të ushtrisë NÇ, që sulmuan ushtarakisht me zjarr e me hekur, dhe ku u vranë me qindra luftëtarë e malësorë nga të dy palët, u dogjën 34 shtëpi dhe pushkatuan e burgosën qindra malësorë, u internuar qindra familje në kampet e internimeve të  të gjithë Shqipërisë burg. 

Historianët enveristë e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot luftën civile, për të ngritur dhe mbrojtur mitin dhe glorifikimin e Luftës NÇ edhe të figurës së Enver Hoxhës, duke mohuar  e baltosur luftën e faktoreve të tjerë të luftës antifashiste. Dua t’u kujtoj atyre se luftën kundër italianëve e nisën nacionalistët qysh më 7 prill 1939, që betejën më të madhe kundër tyre, luftën e Gjormit 1 dhjetor 1942- janar 1943, ku u vra edhe koloneli Klementi, e kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar të Hysni Lepenicës, Skënder Muços dhe Isuf Luzajt, bashkë me çetën e partizane të Neki Ymerajt; që luftën e parë kundër italianëve menjëherë pas Konferences se Mukjes, 4 gusht 1943, e bënë forcat e bashkuara nacionaliste dhe partizane të komanduara nga Abaz Kupi, ku u vra edhe kapiteni Italian Scampa; që betejën e parë kryesore kundër gjermanëve e kanë bërë çetat nacionaliste të Safet Butkës më 13 gusht 1943 në kthesat e Barmashit, (sipas marreveshjes Bill Maklin-Safet Butka, 8 gusht 1943), betejë në të cilën  merrte pjesë e majori britanik Deivid Smail, ku u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruar mjaft mjete ushtarake, autoblinda etj. (shih D.Smajl, “Me detyrë në Shqipëri” dhe dok. arkivore). (Betejë të rëndësishme historianët komunistë e paraqesin luftën në Barmash, korrik 1943, ku forcat e Batalionit “Tomorri” goditën autokolonjën gjermane, duke kujtuar se ishte autokolonë italiane, dhe ikën pasi hodhën disa pushkë, duke e lënë gjithë zonën pa mbrojtje dhe gjermanët për hakmarrje dogjën Barmashin, vranë 117 viktima te pafajshme në Borovë etj); Po ashtu, përmendim betejat e Muharrem Bajraktrarit kundër gjermanëve, teksa i binin prapa krahëve komunistët; luftërat e Gani Krueziut  kundër gjermanëve etj. Mirëpo këto dokumente të reja të nxjerra nga arkivat pas përmbysjes së diktaturës komuniste, nuk i përmendin historianët Pëllumb Xhufi, Marenglen Kasmi etj për të treguar se vetëm Nacionalçlirimtarja me në krye E.Hoxhën ka luftuar, ndërsa Balli e Legaliteti  kanë bashkëpunuar me pushtuesit. 

Unë e vlerësoj Luftën NÇ kundër pushtuesve nazifashistë, gjakun deshmorëve partizanë për liri; vlerësoj edhe luftën e faktoreve te tjerë antifashistë, si Balli Kombëtar, edhe gjakun e deshmorëve nacionalistë për liri dhe Shqipëri etnike. Elementë bashkëpunues me okupatorët ka pasur nga të dy krahët. Veço qeveritë kolaboracioniste nën pushtimin Italian (1939) dhe Regjencën nën pushtimin gjerman (1943-1944), të cilat për mendimin tim janë reshtuar në drejtim historik të gabuar e të dënueshëm. I kësaj natyre ishte edhe bashkëpunimi  PKSH dhe E.Hoxhës me komunistët jugosllave e rusë gjatë e pas luftës në dëm të Shqipërisë.

Pyetjes së gazetarit Xhafo, si e çmoni Enver Hoxhën, historianët  iu përgjigjen:

Pëllumb Xhufi: “Ka pasur të mira dhe të këqia”.

Paskal Milo: “Pozitiv gjatë luftës, diktator pas luftës”.

Ana Lalaj: “Nuk ka dy Enverë, është vetëm një, Enveri -fytyra më e zezë historike, gjatë dhe pas luftës, ka urdhëruar të vriten njerës, jo vetëm kundërshtarë politikë, por edhe antifashistë brenda gjirit te lëvisjes NÇ, si Mustafa Gjinishi, Zai Fundo etj. E.Hoxha i thotë përfaqësuesit britanik  Palmer: Më kanë vrarë shokun e ngushtë Mustafa Gjinishin, kur Enveri e kishte urdhëruar vetë vrasjen e Gjinishit. Një mashtrues. Enveri- vegël e Jugosllavëve”.

Për mendimin tim, individët por edhe personazhet historike, duhet te paraqiten në komleksitetin e tyre, dhe jo bardhë apo zi. Por në vleresimin përfundimtar të tyre duhet peshuar ajo që është dominante në veprën e tyre. Dominante për Enver Hoxhën gjatë luftës ka qenë terrorizmi dhe demagogjia, lufta për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, (siç e pohon vetë) dhe pas luftës – diktatori komunist më i egër, për ta mbajtur pushtetin me anë të diktaturës më ekstreme se në gjithë vendet e Lindjes komuniste. 

Por drejtuesit e komisionit hartues të “Historisë së re të shqiptarëve” gjykojnë ndryshe. Në bidedën televizive të datës  dt 17 maj, në pëballjen e Pëllumb Xhufit, Marenglen Kasmit me Dritan Egro dhe Erald Kapri, u shfaqën mendimet ndryshe edhe për projektin e historisë, edhe për Enver Hoxhën, edhe për Mid’hat Frashërin.

Studiuesi Erald Kapri parashtroi argumentin e tij se “projekti i Akademisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi,  është i tipit sovjetik. S’ka alternativë, s’ka procedura konkuruese. Historinë e re duhet ta bëjnë studiues e historianë te rinj, të paideoliogjizuar, duhet  te kishte studiues nga diaspora,  si edhe histotianë të huaj.  Kemi nevojë për një model të ri.”

Por profesorët e mësyjnë: 

M.Kasmi: Çfarë diskuton ti? A ke recenca për botimet e tua? Nuk ke!

E. Kapri: Po vë në diskutim formimin tim?  Kam botuar 6 artikuj shkencorë dhe dy libra.  Për studimin “Mbreti Zog”, kam pasur recencën e Roderik Bejlit.

Dritan Egro: Kemi të njëjtin model të shkrimit të historisë, si në kohën e komunizmit, kur përcaktohej linja ideologjike dhe historianët ishin të detyruar ta mbushnin me fakte. Të gjitha botimet e historisë së Shqipërisë deri tani kanë qenë zyrtare dhe të politizuara. Kjo po ndodh edhe tani. U tha se do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me Mid’hat Frashërin  që paska bërë një takim me Napoleon Zervën, një shqipar me origjinë nga Suli… Ky është një qëndrim politik. Takimet duhen shikuar në kohën dhe kontekstin e tyre. Edhe  Ismail Qemali ka bërë një marrëveshje me palën greke, për një shtet të vetëm greko-shqiptar në vitin 1907. Kjo është e dokumentuar, e kam dokumentin. 

Mirëpo Pëllumb Xhufi, në vend të argumenteve historike, sillet me shumë “takt”: “Do të ishte mirë të merresh me  regjistrat  osmanë pë t’u bërë shumë i njohur …, duke harruar t’i thoshte vetes së tij: “do të ishte mirë Pëllumb te merresh vetëm me historinë e Mesjetes, që di ta bësh mirë, sesa me Luftën”.

Konkretisht, Pëllumb Xhufi lajthitet kur flet për një “marrëveshje” të Midhat Frashërit me të djathtën greke, duke e lidhur këtë me letrën e Mid’hat Frashërit datë 10.05.1944 , drejtuar Dhimitër Falos, (gazetar, shkrimtar, përkthyes i njohur, redaktor i revistës “Bota e Re” të Korçës”, (që e pushkatuan komunistët pa gjyq në vitin 1944), përfaqësues i Ballit Kombëtar, në bisedimet me të djathtën greke për realizimin e një lidhjeje ballkanike greko-shqiptare e më gjerë. Në këtë letër udhëzuese shprehet shqetësimi i M.Frashërit për të ardhmen e Ballkanit dhe të Shqipërisë, të rezikuara nga sllavo-komunizmi, i konsideruar në atë moment si një rrezik kryesor, kur gjermania naziste ishte ne prag të tërheqjes dhe humbjes. Në këto kushte, Midhati kërkonte  një përballje ballkanike, të shprehur në nje aleancë greko-shqiptare-turke ne formë federative pas lufte,  “që kështu në kohën e ardhshme të mund t`i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut”, shënonte Midhat Frashëri në pikën 8 të letrës. Unë e kam botuar këtë letër, të cilën Pëllumb Xhufi e ka kosideruar vijimisht si një akt tradhtie. Siç mund të konstatohet lehtësisht, ky propozim i M.Frashërit, provon të kundërtën. Po i citojmë pikat (kushtet) të cilat propozonte Mid’hat Frashëri:

1. Mbasi çështja e lidhjes në formë federative varet nga mundësitë e mbasluftës, prandaj

të dy palët marrin angazhimin që sot se janë të disponueme për realizimin e këtij projekti. (Plotësue me shkrim dore nga vetë Mid`hat Frashëri: të përpiqemi).

2. Baza e lidhjes do të jetë indipendenca dhe sovraniteti i plotë i të dy palëve.

3. Kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939. 

4. Bëjmë aleancë mossulmimi, defensive dhe ofensive, si edhe lidhje ushtarake.

5. Traktate ekonomike të ngushta ndërmjet të dy palëve.

6. Do të përpiqemi që kjo lidhje të bahet sa ma parë një lidhje greko-turko-shqiptare.

7. Në rast lufte, komanda e Përgjithshme Ushtarake do të vihet ë dorë të Greqisë.

8. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara Konferencës së Paqes si dy palë me një të vetëm interes, duke përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështunë kohën e ardhshme të mund t`i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut. (Plotësue me dorë nga vetë Mid`hat Frashëri: rivendikimet për Kosovën dhe Dibrën janë bazue mbi kartën e Atllantikut).

9. Në qoftë se zihet me gojë çështja e minoriteteve, kjo mund të jetë më fort një mjet

afrimi ndërmjet të dy palëve se sa një mjet largimi. Për përdorimin tuej ta kini ndërmend seminoritetet duhet t`i këqyrni me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne”.

Le t’i analizojmë me radhë këto pika negocimi.

Midhat Frashëri vendoste në radhë të parë indipendencën dhe sovranitetin: Baza e lidhjes do të jetë i plotë i të dy palëve, që plotësohet nga pika tjetër e propozimit: Kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939”

Ky kusht historik dhe politik  ishte shumë i rëndësishëm, sidomos për marëdhëniët shqiptaro-greke, sepse përjashtonte të gjitha synimet e përpjekjet e naconalshovinizmit grek që pretendonte dhe pretendon ende të ashtuquajturin Vorio-Epir. 

Po çpërrallis Pëllumb Xhufi?: “Me këtë nen Midhat Frashëri e shiti Kosovën dhe Çamërinë?!  Absurditet më të madh nuk mund të ketë! Aq më tepër nga një historian. Dihet botërisht që M.Frasheri, jo vetëm në këtë dokument, por në gjithë veprat e tij, ia ka kushtuar Kosovës dhe Çamërisë ): “Çështja e Epirit”,  “Shqiptarë e sllavë”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja Çame”, “Marëdheniet shqiptaro-geke”, “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe” etj, si edhe ka mbrojtur me argumente historike në Konferencen e Paqes në Paris dhe Lidhjen e kombeve”, si edhe në artikujt e botuar në shtypin evropian e shqiptar, sidomor ne vitet 1921-22 kur denonconte masakrat serbe në Kosovë e në Dibër dhe në 1923-1926, kur ishte ambassador ne Greqi, tek  denonconte botërisht dhunën, diskriminimin dhe shpërnguljen e popullsisë çame, që Midhati arriti t’i ndalonte me përpjekje të mëdha diplomatike.

Si njohës dhe vizionar i politikës kombëtare e ndërkombëtare, Midhati e vendoste  marrëveshjen e mundshme me Greqinë edhe në nivel evropian, kur propozonte: “Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara Konferencës së Paqes si dy palë me një të vetëm interes, duke përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështu në kohën e ardhshme të mund t`i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut”(pika 8). 

Ndërkohë që edhe në memorandumin paraqitur Konferencës së paqes në Paris, më 23 korrik 1946, Mid’hat Frashëri, i kërkonte Konferencës së paqes, “në emër të principeve të larta të së drejtës kombëtare e ndërkombërtare, që të përfshiheshin brenda shtetit të pavarur e paqedashës të Shqipërisë, krahinat shqiptare të Kosovës e të Çamërisë, të shkëputura padrejtësisht e me pasoja të rënda nga trupi i Shqipërisë”.

Tejet e rëndësishme ishte që Mid’hat Frashëri propozonte që në këtë projekt të përfshihej edhe Turqia, për ta kthyer në një aleancë më të gjerë e më të fortë ballkanike. 

Pra, Midhati, nga njëra anë përpiqej të neutralizonte angazhimet e mëparshme te politikës greke lidhur me “Vorio-Epirin”, nga ana tjetër e kushtëzonte marrëveshjen e mundshme me zotimin që Greqia të mbështeste rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e e Dibrës,( shënuar me shkrim dore të Midhatit: bazuar mbi Kartën e Atlantikut). Ai e parashikonte rrezikun që vinte  nga sllavo-komunizmi, ashtu edhe rrezikun që  vinte  nga imperializmat përtej Adriatikut,  për t’i bëhëj ballë bashkërisht rreziqeve si nga Lindja dhe nga Perëndimi. 

Në pikat e tjera Midhati udhëzonte:”Të behen aleanca mossulmimi ”midis Sjhqipërisë e greqisë si dy shtete  të pavarur e sovranë (pika 4) Gjithashtu, “Të bëhen traktate te ngushta ekonomike midis dy palëve”. – një propozim me vlerë për përparimin ekonomik të të dy vendeve.(pika 5)   

Si një evropianist i kohëve të moderne, Midhat Frashëri shprehet për minoritetet si një urë lidhëse midis dy vendeve: “Çështja e minoriteteve,  mund të jetë më fort një mjet afrimi ndërmjet të dy palëve se sa një mjet largimi. Për përdorimin tuej ta kini ndërmend seminoritetet duhet t`i kqyrni me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne”(pika 9)

 E debatueshme ishte pika 8: “Në rast lufte, komanda e Përgjithshme Ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë”. Për mendimin tim, mendimi i M.Frasherit është sa bashkëkohor, aq edhe luajal, që në rast të një lufte tjetër, pra të një ivazioni të huaj të mundshëm mbi Ballkanin (rrezikun sllavo-komunist, siç ndodhi ), komanda e përgjithshme t’i lihej Greqisë. Ai kërkon që të përfshihet edhe Turqia në aleancën ballkanike, por jo në komandë, sepse mund të keqinterpretohej si një reminishencë e politikës së vjetër osmane në Ballkan. Shqipëria nuk kishte një ushtri kombëtare dhe ishte në një luftë civile shkatërrimtare. Hamendësimi për rreziqet e një komande ushtarake greke, ishte  përjashtuar nga pikat e tjera të projektmarrëveshjes, por edhe nga traktatet  nderkombetare ku aderonte edhe Greqia, Shqipëria, Turqia etj.

P.Xhufi thotë: ”Midhat Frashëri bëri një marrëveshje me palën greke për një shtet greko-shqiptar(!), ku shqipëria do të ishte një provincë e greqisë, ku ministra do të ishin ministri i luftës i Greqisë dhe ministër i Brendshëm i Greqisë …!? 

E para, nuk u bë asnjë marrëveshje, sepse pala greke sic duket, nuk i pranoi kushtet e Mid’hat Frasherit. Nuk u bë kurrë një propozim apo marrveshje për një shtet greko-shqiptar, siç pretendon Xhufi. Midhati deklaronte në pikën e parë të propozimit të tij  indipendencën dhe sovranitetin e plotë  të dy palëve dhe kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939”: pra, një aleancë  në të ardhmen mes dy shteteve të pavarur. 

Lajthitja tjetër e Pëllumb Xhufit, natyrisht nga padija, është kur deklaron se Midhat Frashëri udhëtoi dy herë në greqi në vitin 1948, për të bërë marrëveshjen me Greqine!? Midhati në atë kohë ishte emigrant politik në Itali dhe ishte caktuar nga Aleatët anglo-ameikanë për të themeluar “Komitetin Shqipëri e lirë”. Udhëtimin në Greqi (korrik 1948) e bëri për t’u konsultuar me Abaz Ermenjin dhe emigrantët shqiptarë në kampin e Lavros, lidhur me kriteret e komitetit dhe pjesëmarrësit, dhe udhëtimin në Turqi ( 31 korrik 1948), në kolonine shqiptare te Stambollit, për t’u konsultuar me shqiptarët të atjeshëm ( Dokumentet e dëshmojnë këtë). Midhati i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit më 1948: “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju,  se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut. E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese…” 

Kështu, sipas këtij kriteri të Midhat Frashërit, nuk mund të merrnin pjesë në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, ata krerë të Bllokut Indipendent, apo të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që ishin komprometuar me pushtuesit nazifashistë, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur si Mustafa Kruja. Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Shefqet Verlaçi, Xhaferr Deva, Kadri Cakrani      etj, ndërkohë që Midhat Frashëri zgjodhi, si përfaqësues të Kosovës në komitet Said Kryeziun nga familja e shquar antifashiste Kryeziu. Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë” (1949), ështe tejet kuptimplotë.

Nuk kam asgjë personale me Prof.Pëllumb Xhufin dhe të tjerët, kam pasur debate mbi historinë dhe secili ka paraqitur opinionet e tij. Normale. Por tani që Pëllumb Xhufi është drejtor i projektit të historisë së re  të shqiptarëve, nuk mundem të hesht dhe te mos kundërshtoj hipotezat e tij ndikuese te Komisioni hartues, por edhe të dëmshme për  higjenën shoqërore. Shqiptarin, më tepër sesa plumbi, e ka vrarë padrejtësia e historisë.

     Si përfundim: Nuk mund të bëhet një shtëpi e re me qereste të vjetër.

* E dërgoi për Diellin vetë autori.    

Filed Under: Analiza Tagged With: PAPËRGJEGJSHMËRI HISTORIKE, Uran Butka

FRIKA NGA KINA VË N’UJDI BIDEN-in ME EVROPËN

May 30, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-“Corriere della Sera”-Perktheu_Eugjen Merlika/

Në pak muaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian po vihen në ujdi mbi pothuajse gjithshka në një mënyrë që dukej e pamendueshme një vit më parë. Thjesht, njëra mbas tjetrës, hallkat e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet dy blloqeve po kthehen në vënd. Në mars Washingtoni e Brukseli kanë pezulluar taksat e vendosura në vitet e shkuara nga të dy anët për debatin në lidhje me Airbus e Boeing. Në prill Joe Biden, i pari president amerikan që ka guxuar një gjë të tillë, ka propozuar një taksim të drejtë të të gjitha  shumëkombësheve Big Tech që sot i fshehin fitimet – edhe qeverive evropiane – në parajsat fiskale. Dje Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e Biden-it ka vënë drushtën në 15 %. Është një shenjë që po bisedohet për t’arritur në një marrëveshje në korrik, në një takim të nivelit të lartë në Venetik ndërmjet njëzet ekonomive të para të planetit. Jo rastësisht kolegët evropianë të Yellen-it – Daniele Franco për Italinë, Bruno Le Maire për Francën, Olaf Scholz për Gjermaninë – kanë pritur shpejt me dobi lëvizjen e Shteteve të Bashkuara.

            Mbas katër viteve të tmerrshme të Donald Trump-it, të tjera shenja vërtetojnë se marrëdhëniet euro – amerikane po kthehen të shtruara. Të hënën Brukseli ka bërë të ditur se do të tërheqë taksat e vendosura për shpagim të atyre që ish tycoon-i kishte imponuar kundër çelikut dhe aluminit evropian. Të martën administrate Biden ka hequr sanksionet synuese kundër gjermanit Matthias Warnig, një ish agjent i Stasit, prej dhjetëvjeçarësh afër Vladimir Putin-it, që drejton ndërmarrjen e gazsjellësit Nord Stream 2 ndërmjet Rusisë e Gjermanisë. Të enjten europarlamenti ka varrosur traktatin e investimeve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit evropian, që Angela Merkel e kishte dëshiruar fuqishëm e për të cilin Biden-i – para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë – ishte zëmëruar fort. E tani eurodeputetët afër kançelares kanë votuar të gjithë kundër marrëveshjes me Pekinin.

            Në thelb evropianë dhe amerikanë po bëjnë lëshime të pafundme për njëri tjetrin për të gjetur një klimë besimi të ndërsjelltë. E është gjithmonë pak miope të mendohet se gjithshka i detyrohet një njeriu të vetëm, veçanërisht nëse ka një fytyrë e një emër të njohur. Por mbërritja e Mario Draghi-t në Pallatin Chigi e ka lehtësuar këtë shkrirje. Kryeministri italian flet shpesh me Yellen, me Biden dhe të dërguarin e SHBA për klimën John Kerry. Ka studjuar në një universitet të zgjedhurish të Bostonit, ka punuar në një bankë amerikane dhe është i besuar në Shtetet e Baashkuara kur siguron se do t’a mbajë Italinë – dhe Evropën për sa të mundet – në binarët atllantikë. Në shkëmbim Biden-i  dëshëron mbi të gjitha një front të përbashkët në shemërinë e SHBA me Kinën: jo shumë më tepër. Edhe për këtë nuk është e thënë që kthjellimi i tanishëm të jetë normaliteti i ri, i qëndrueshëm. Por tashti dielli këtheu të shkëlqejë mbi Atllantikun e Veriut.

            “Corriere della Sera”, 25 maj 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Federico Fubini

ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË, GABIME QË NUK DUHET TË PËRSËRITEN

May 30, 2021 by dgreca

Nga PAOLO MIELI-Përktheu Eugjen Merlika/

Taivani ka pak më shumë se një të tretën e banorëve që ka Italia (23 milionë e gjysmë, kundrejt 60 milionëve tanë. U godit nga Covidi pak a shumë në të njëjtën kohë kur pandemia u përhap tek neve, në fillim të vitit 2020. Por që atëherë ka patur një numur të infektuarish krejtësisht të papërfillshëm në krahasim me atë italian (1256  kundrejt 4milionë e 150 mijë) dhe një pjese shumë më të pakët sasie të vdekurish (12 kundrejt 125.000 tonëve). Për të krahasuar Taivanin dhe Italinë duhet të shumëzojmë për tre pozitivët e tyre (do t’ishin pak më pak se 4.000) dhe të vdekurit e tyre (do të ngriheshin deri në 36). Në çdp rast nuk mund të shmanget llogaria përfundimtare: Taivani ka patur një tregues infektimesh dhe vdekjesh pabesueshmërisht më t’ulët se ai italian (e i të gjithë Vëndeve perëndimore).

Sigurisht Taivani është një ishull, ka mësuar të mbrohet nga virusi që nga kohët e krizës Sars (2003), është i pajisur me një aftësi të madhe ravijëzimi, ka një sistem mjekësor të shkëlqyer. Por duhet thënë se nuk “gëzon“ një regjim komunist (që do të thotë një qëndrim mbikqyrjeje, tipik i sistemit të trashëguar nga Mao). Megjithatë i ka bërë ballë koronavirusit  pa shpallur edhe një ditë të vetme mbylljeje.

Në një libër të rëndësishëm sapo të botuar, “Peshku i vogël. Një histori  virusesh e sekretesh” (Feltrinelli), Françesco Zambon sjell një hollësi kërshëruese: Taivani nuk bën pjesë në Organizatën botërore të shëndetësisë; megjithatë ishte i pajisur me një plan për të përballuar pandeminë në çdo drejtim, më të mirë se ai i Vëndeve “të mbuluara” nga OBSH. Zamboni është ai funksionar i OBSH i shtrënguar një vit më parë të tërhiqte një raport të miratuar nga drejtuesit e Organizatës në të cilin zbulohej se plani pandemik italian – në ndryshim nga ai i Taivanit – nuk ishte përditësuar që nga viti i largët 2006. Kurrë. Ranieri Guerra, zëvendës i Kryetarit të Organizatës botërore të shëndetësisë – përgjegjës, edhe se jo i vetmi i atij përditësimi të munguar – u muar (së bashku me Hans Kluge, drejtor i OBSH për Evropën) me rastin në mënyrë të tillë për të mos i dhënë asnjë lloj keqardhjeje ministrit të Shëndetësisë Roberto Speranza e mbi të gjitha kryeministrit Giuseppe Conte që, në fundin e janarit, kishte shkuar në televizion për të lëvduar përshtatshmërinë e atij plani. Si? Sa hap e mbyll sytë raporti i Zambonit u zhduk nga qarkullimi; mbas kësaj autori i raportit i qortuar u shty të largohej nga OBSH. Por edhe Ranieri Guerra ka paguar një çmim: për maturi u ndje i detyruar të mungonte në ekranet e dashura televizive, nëpërmjet të cilëve duke u imponuar si njëri ndër më të zellshmit komentatorë të gjithë çështjes Covid.

Më  vonë një rezolutë e Asamblesë botërore të shëndetit i ka besuar trembëdhjetë personaliteteve detyrën për të hetuar se përse koronavirusi ka vërshuar në Vendet e OBSH në mënyrë kaq rrënuese. Të trembëdhjetët (siç ka treguar ditë më parë Guido Santevecchi) kanë zbuluar se përgjegjësi të mëdha bien pikërisht mbi OBSH-në. “Jetojmë në shekullin e njëzetëenjëjtë, por sillemi si të ishim në Mesjetë”, ka paditur bashkëkryetarja e komisionit të hetimit, ish kryeministreja e Zelandës së Re, Helen Clark. Tjetra drejtuese e panelit të të trembëdhjetëve, ish presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf (Çmim Nobel për Paqen në 2011), ka paditur kryetarët e qeverive në fuqi më  2020 se nuk kanë marrë në konsideratë dosjet mbi krizat e mëparëshme shëndetësore dhe nuk e kanë ndjerë për detyrë të përshtasnin, në dritën e atyre dosjeve, planet pandemike.

Përgjegjësi i kësaj pengese të hatashme ka një emër e një mbiemër: Tedros Adhanom Ghebreyesus. Tedros ka qënë ministri tejet i kundërshtuar i shëndetit n’Etiopi nga 2005 deri më 2012; më 2017, në sajë të aftësisë së tij të manovrimit, u emërua drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vërtetoi menjëherë se ishte një politikan shumë i zoti, endës i madh i marrëdhënieve me qeveritë: sapo u ngjit në drejtim të OBSH-së – kujton Zamboni – emëroi diktatorin e Zimbabvet, Robert Mugabe (një zgjedhës i madh i tij), “Goodwill Ambassador për sëmundjet jo ngjitëse”. Dhe, për t’a përligjur emërimin, e përcaktoi Zimbabven “një Vend që ve në qëndrën e politikave të tij mbulesën shëndetësore universale dhe promovimin e shëndetit për t’i siguruar kura shëndetësore të gjithëve”. Në të vërtetë i mbilëvduari sistem shëndetësor i Mugabes, fatkeqësisht ishte i rrënuar dhe – sapo u muar vesh – Tedros u shtrëngua të tërheqë tinëz nderimin e despotit.

Por vazhdoi të bëjë për vete drejtuesit e Vëndeve të OBSH-së për të siguruar qëndrueshmërinë e tij e të funksionarëve në majë të organizatës. Qe paturpësisht sylesh me Kinën në muajt e parë të pandemisë dhe hyri në ndeshje për këtë me Donald Trump-in. Ajo që përbënte fatin e tij n’ata çaste ishte fakti se kundërtrampianët e tërë botës e falën në çast për çfarëdo shkujdesjeje, duke shfajësuar në të njëjtën kohë vetveten për veprime të padenja e të hapura si ato të paditura nga Zamboni.

Tani të gjithë Vëndet që kanë diçka për të fshehur (e për të kërkuar falje) sa i përket papregatitjes dhe moskokëçarjes me të cilën kanë përballuar pandeminë, bëhen gati për të rizgjedhur Tedrosin në drejtimin e OBSH. Dhe deri sa Tedros të qëndrojë në shalë, mund të jemi të sigurtë se Zambonëve të gjithë botës, pak a shumë në heshtje do t’u tregohet dera. N’atë pikë duhet vetëm të shpresojmë që virusi të mos paraqitet në trajtat e sotme apo në të tjera.

N’atë rast do t’ishte e këshillueshme që të merrej me kohë qëndrimi në Taivan. Edhe  se ishulli – për inat të një fushate për t’a pranuar të Giulio Terzit dhe Matteo Angiolit n’emër të Komitetit global për shtetin e së drejtës ”Marco Panella” – nuk gëzon gjithsesi konsideratë nga ana e Organizatës botërore të shëndetësisë.

“Corriere della Sera”, 16 maj 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Organizata Boterore e Shendetesise, PAOLO MIELI, Përktheu Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT