Nga PAOLO SALOM/Të paditet amtisemitizmi, sot duket një mundim I kotë. Është e vështirë të gjindet ndonjëri që të mos jetë I një mëndje se urrejtja kundrejt hebrenjve është një ndjenjë që I përket çasteve më t’errta të Historisë. Megjithatë gjindemi, në këto ditë të vështira, përballë një shtimi në fuqi të shumëfishtë të rasteve që është vërtetë e lodhëshme të përcaktohen në mënyrë tjetër. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë teatro rrahjesh njerëzish të njohur si hebrenj nga veshja e tyre, thirrje sharjesh para sinagogave e qëndrave kulturore hebraike, kryqe të thyera të vizatuara në muret e lagjeve që janë të banuara kryesisht prej hebrenjsh.
Në social-ët kjo fushatë sulmuese arrin nivele marramendëse. Për të bërë vetëm një shembull: fjalia “Hitleri duhej të kish mbaruar punën e tij”, në lakime të ndryshme, është dukur së fundmi në 17 mijë mesazhe në Twitter. Arsyeja e gjithë kësaj? Lufta ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, përballimi për të satën herë në një Lindje të Mesme ku paqja duket në ikje sa herë që është gati për t’u sendërtuar. Tani, pa hyrë në arsyet e një lufte që vazhdon prej një qindvjetori e pa shpallur se Izraeli – ose më mirë qeveria e tij – nuk është e pakritikueshme, duhet të pyesim se përse sa herë që fjala, n’atë kontekst tejet të vështirë, kalon në armët, lind një cunami sharjesh (dhe veprimesh) kundër Izraelit dhe hebrenjve.
E nuk janë vetëm rrymat islamike motorri i gjithë kësaj: një pjesë e gjërë e politikës dhe e opinionit publik, nuk ka rëndësi se në ç’Vënd, hedh rregullisht helmin. Pra: ç’është antisemitizmi? Si t’a shquajmë nga kritika e ligjëshme ndaj Shtetit hebraik? Përgjigja është e thjeshtë. Është antisemitizëm çfarëdo pohimi, që duke u nisur nga problemi i pazgjidhur palestinez, i mohon hebrenjve – dhe vetëm atyre – të drejtën për të jetuar si një komb i pavarur. Njësoj si grushti i qëlluar mbi një hebre të takuar rastësisht dhjetëmijë kilometra larg Tel Avivit apo Jeruzalemit.
“Corriere della Sera”, 29 maj 2021 E përktheu Eugjen Merlika