• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rroftë Rama, rroftë mbreti!

April 3, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Jo, 110 milion euro dëm ekonomik, por sikur edhe Shqipërinë të djegi, nuk e arreston njeri Ramën. Mos mbani shpresa kot. Mos prisni të hapen dyert e SPAK-ut. Kjo nuk është një humbje e re. Ka gati dy vjet që gëlon lart e poshtë. Dhe veç Webeve gjoja të djathtë askush nga e majta nuk e komenton dëmin e ekonomik. Madje Webet e majta janë kapur me dremitjet e Lulit në një Rang Rover etj. Ose me faktin që Luli është Gjinoja dhe mbrapa tij qëndron Berisha apo Ilir Meta me Monikën. Dhe këmbëngulin kaq shumë, të çojnë sms me shumicë, se ata janë me të vërtetë nga pas. Këmbëngulin të mbushin mendjen se pas tij janë me të vërtetë ata kriminelët e Gërdecit dhe hajdutët e Thesarit etj. Por që ne naivët nuk duam të besojmë. Dhe se kur u thua, po mirë, përse nuk i denonconi në organet përkatëse apo arrestojini, si Berishën, si Metën e të tjerë, nuk të kthejnë përgjigje. Megjithatë këta janë çfarë janë dhe janë pikërisht këta që komandojnë Lulin. Në fakt dëmi ekonomik që Rama i ka shkaktuar vendit nuk është vetëm gjoba e këtij investitorit italian. Por është trefish a katërfish dhe kjo do të vërtetohej kollaj nëse do të kishim vërtetë një sistem drejtësie të pavarur. Por nuk e kemi. Dhe fakti që SPAK hesht e merret me kontenirët e bananeve dhe porositësin shqiptar një mësues pensionist, është propagandë e përkryer e specialistëve të nomeklaturës për të krijuar skenarë ku ta arrijnë e të zhvendosin vëmendjen e publikut nga dështimi real. Dhe kjo shkon për veshët e atyre që besojnë se, vërtetë ne kemi bërë reformë në drejtësi? Po të kishim bërë, sot në Shqipëri, nga dosja 339 nuk do të hetoheshin 21 komisonerë të Durrësit. Ku dy nga të cilët kanë ndërruar jetë, por Damian Gjiknuri. Madje duhej të ishte në burg, se u kap me telefon në vesh, me zë e me figurë si i thonë fjalës. Por e keni kandidat, e kemi kryetar reforme etj. Drejtësia Shqiptare e ”reformuar” nuk shikon asnjë dëm ekonomik, madje është shpifje e ndyrë sipas Ramës. Dhe shqiptarët urra, burra, Lul gjumashi, këlyshi i Berishës dhe i Metës. Uaaaa, mësues, 72 vjeç merret me tregtinë e drogës nga Ekuadori. Pra jo 110 milion euro dëm por Shqipërinë të djegi, ai prapë është në këmbë. Nuk i preket fije nga parruajtja e tij. Eshtë kalur Zotit. Dhe këtë të drejtë ia keni dhënë ju që tmerroheni nga ndryshimi. Tmerroheni ta zgjidhni presidentin nga populli, tmerroheni ta kushtëzoni mandatin e shtetarit etj. Tmerroheni të keni institucione të pavaruara etj. Tmerroheni të votojnë djemtë e vajzat tuaja nga janë e ku janë nëpër botë. Dhe rrihni gjoksin se jeni patriotë që e doni vendin dhe gjakun tuaj. Kësisoj mos u habisni kur të vij dita që Edi të shesi edhe Shqipërinë. Madje të bëj ndonjë referendum për shpalljen e tij mbret. Ju me qejf do ta votoni. Se e keni gjetur vegjën. Kë të votojmë thoni, Lulin që fle. Është fare e thjeshtë, votoni ndryshimin. Por kush e kupton. Kush gjykon kështu, rroftë Rama, rroftë mbreti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Rrofte Rama Mbret!

FESTIMI I PASHKËVE NË KOHËN E DIKTATURËS

April 3, 2021 by dgreca

NGA FILIP GURAZIU/

    Festa e ‘Pashkës’ për kristiant asht festa e ‘Ringjalljes’ së Jezusit, pra festa ma e randësishme dhe  e gëzueshme për besimtarët. Jezu Krishti i kryqzuem ndrroi jetë të “prenden e zezë” e mbas tri ditëve, pra të dielen u ringjall. Data e celebrimit të këtij evenimenti lidhet me kalendarin e bazuem në sistemin e muejit “lunar” e ndrron prej vjetit ne vjetë, por gjithmonë bjen në ditën e dielë. 

Emni i kësaj feste rrjedh prej emnit të festës ebraike ‘Pesach’ e citueme te Testamenti i  vjetër prej Moisiut, kur përshkruen lirimin e ebrejve prej sundimit të egjiptianve, e ka kuptimin e ‘kalimit përtej’, prej skllavnisë në liri. Në besimin  Kristian, asht marrë ky moment per me spjegue ‘kalimin përtej’ te Jezu Krishtit prej vdekjës njerëzore në ringjalljen shpirtnore qiellore të përjetshme që shoqnohet me simboliken e ‘purifikimit’ të mëkateve njerëzore drejt nji jete të dytë të vertetë  me “pasterti” shpirtnore.
    Qysh në kohët e lashta pagane, vêja  asht konsiderue prej popujve të ndryshem si simbol i jetës, si simbol i rilindjes së jetës. Në përiudhen  kristiane të Romës, për festen e ‘Pashkës’ vêtë filluen me u lye ( si shej gëzimi e bukurie) e faleshin si dhuratë ndër miq e të aferm për me i urue atyne shpresë për nji jetë ma të mirë e lumtuni. Kjo traditë popullore shoqnoi festen e ‘Pashkës’ deri në ditët tona.
    Në periudhen e diktaturës komuniste ishte reptësisht e ndalueme lyemja e vêve  si dhe dënohej si  propogandë armiqësore karshi parimeve ateiste komuniste. Por ky terror nuk mbrriti me ndalue  familjet e kristiane me ngjyrosë vêtë për festen e ‘Pashkës’, natyrisht kjo mbetej mbrenda nji rrethi të ngushtë familjar e miqësor. Në atë periudhë kishat ishin të mbylluna e feja ishte e ndalueme. Festa zhvillohej brenda mureve të shtëpisë. Simbas festës së ‘ringjalljes’ baheshin urime në mes njeni tjetrit për ringjalljen e shpresës për nji jetë të lirë në Shqipninë e sundueme prej diktaturës komuniste. Si çdo rast gëzimi, edhe festimi i ‘Pashkës’ përmblidhej në gatimin e ushqimeve të zgjedhuna, tradita  kërkonte gatimin e mishit të qingjit të pjekun të shoqnuem me venë, por në atë kohe vorfnie pak kush mund t’a realizonte kët lloj ushqimi. Para se me fillue dreka, nën drejtimin e ma të moshuemit, pjestarêt e familjes bajshin  lutje ‘Krishtit të ringjallun’ për nji jetë sa ma të mirë e përfundojshin tue ba kryq. Gëzimi ndahej  me të aferm e me miq, sipas mundsive ( në klandestinitet) baheshin vizita ndërmjet njeni tjetrit. Ishte traditë, nji lojë (të cilën e aplikojshin zakonisht fëmijtë)  e quejtun ” pikja e vêve “, ndesheshin dy vê, fituesi ishte ai që kishte vên ma të fortë. Lëvozhgat e vêve të ngjyrosuna hidheshin mshehtas në vendin e plehnave, ose groposeshin mbrenda oborrit të shtëpive, kuptohet prej frigës të urdhnit të partisë.
     Diktatura komuniste bante çmos që të prishte çdo iniciativë per me festue Pashkët e sajonte aktivitete masive pikërisht në ditën e dielë të ‘Pashkës’. Në prill të vitit 1979, ditën e ‘Pashkes’ drejtuesit komunist të Shkodrës vendosën me organizue aksionin masiv të popullsisë ne fshat për grumbullimin e shegave të egra  në malin pranë fushës së Torovices ! Aksion i pandigjuem, qesharak e absurd.! Kuptohej se kjo bahej vetëm per me pengue me çdo kusht festimin e ‘Pashkës’. 

   Pikërisht atë ditë nade në orën 7 e 20 minuta ndodhi termeti shkatrrimtar ( 1979) ku vdiqen rreth 48 persona nën gërmadhat e shtëpijave të rrenueme. Ky numer do të kishte qenë shumë herë ma i madh  nëqoftëse  populli nuk do të kishte shkue në aksion, por do të kishte qendrue në shtëpi. 

   Për besimtarët katolike kjo ishte nji shej i qartë i ndihmës së  Zotit, që i mbushi mendjen ‘ komunistave të pafe’ për me organizue aksionin pikërisht ditën e Pashkës’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, Packet ne Diktature

Në vend të homazheve për autorin e librit “Cafo Beg Ulqini…”

April 2, 2021 by dgreca

Shkruan: Dr. Nail  Draga– Në Prishtinë, më 18 mars 2021, në moshën 86 vjeçare vdiq Fahri Buçinca, veteran i arsimit dhe autor i disa botimeve më vlera shkencore e kulturore. Duke qenë dhëndër i Ulqinit, ka treguar një interesim të veçantë për figurën e Cafo Alibegut, i cili ka qenë personaliteti më i njohur i Ulqinit në shek.XX. Eshtë meritë e tij  dhe bashkëshortës së tij Naxhije Alibegaj, mësuese e nderuar, që për 40 vite kanë mbledhur lëndë me interes për  këtë personalitet emblematik, që u kurorëzua me botimin e librit “Cafo Beg Ulqini-jeta dhe veprimtaria politike”,Art Club, Ulqin, 2009. Ishte ky botimi i parë kushtuar këtij personaliteti të anatemuar nga pushteti monist  i kohës, duke qenë dhuratë për qytetarët e Ulqinit dhe më gjerë, me qasje shumëdimensionale për kohën kur ka jetuar e vepruar Cafo Begu.

Në nderim të autorit. më këtë rast po ribotoj recensionin për këtë libër, me rastin e përurimit të mbajtur në Ulqin, më 5.7.2009). 

MONOGRAFI QË I KA MUNGUAR LITERATURËS SHQIPE

Fahri Buçinca, CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, Botoi: Art Club, Ulqin 2009

Gamës së gjerë të botimeve që trajtojnë tema në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi iu shtohet edhe  një botim më vlera të veçanta. Fjala është për monografinë me titull  CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, të autorit Fahri Buçinca.

Është ky një botim i veçantë i cili i ka munguar literaturës sonë në shqip, sepse personaliteti i Cafo Begut ka qenë i anatemuar nga pushteti i kohës sikurse disa  figura të tjera madhore kombëtare shqiptare. 

Nuk ka dilemë së një veprim i tillë nga pushteti komunist bëhëj me qellim, sepse figurat madhore ishin vazhdimisht pengesë për realizimin e planeve të tyre djallëzore. Duke i  sulmuar dhe dhënë epitete të ndryshme negative këtyre figurave tentohej që ata të largoheshin nga kujtesa e popullit. Por edhe pse diçka të tillë perjetoj edhe vet Cafo Begu ai mbeti i pamposhtur sepse   është personaliteti më i madh politik që ka dhënë Ulqini deri më sot.

Në saje të një atmosfere dhe absurditeti të tillë për Cafo Begun ka qenë e ndaluar të flitej sepse pasonin masat ndëshkuese, ndërsa të rinjtë kanë pasur mundësi vetëm të kenë dëgjuar për emrin e tij, e asgjë më shumë. Por,  duhej të ndodhnin ndryshime të mëdha për të pasur mundësi për të folur dhe shkruar për figura të tilla kombëtare siç ishte Cafo Begu. 

Dhe pikërisht rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989, ishte fillimi i fundit të sistemit komunist që pësoi disfatë  në vitin 1990, me aplikimin e pluralizmit politik. Pikërisht nga ajo kohë ngjarjet dhe figurat e anatemuara filluan të ringjallën me dimensionin e tyre të vërtetë, e jo ashtu siç na e kishin imponuar pushtetarët dhe kalemxhinjtë e tyre vite më radhë. 

Autori në ketë botim na ofron të dhëna me interes për jetën dhe veprimtarinë politike të Cafo Beg Ulqinit, nga rinia e tij e deri në momentin e vdekjes së tij në Shkodër më 24.12.1977 në Shkodër. Të dhënat e prezantuara përfshijnë jo vetëm një regjion të ngushtë siç është Ulqini me rethinën e tij, por pothuaj edhe hapësirën mbarëkombëtare.

Duke e redaktuar ketë libër  kam përjetuar momente të veçanta emocionale, sepse për të parën herë kisha mundësi të njihem me jetën dhe veprimtarinë  e Cafo Begut dhe vëllaut të tij Hodo Begut. Veprimtaria dhe jeta e tyre paraqet një dramë të veçantë familjare, që në një farë mënyre janë sinonim i vuajtjeve të përgjithshme të shqiptarëve në ketë mjedis. Nuk ka dilemë se diçka të tillë do të përjetojnë edhe lexuesit e këti libri  e në veçanti ata familje  apo pasardhësit e tyre që i  kanë përjetuar maltretimet dhe ndeshkimet e ndryshme nga ana e pushtetit të kohës.

Në  saje të këti botimi për të parën herë kemi mundësi të njihemi edhe me emra të personave dhe familjeve të ndryshme të cilët e kanë ndihmuar apo kanë qenë bashkëmenditarë të Cafo Begut. Po ashtu këtu për të parën herë paraqitet një regjistër i indivdëve të pushkatuar, dënuar dhe të përsekutuar nga ana e pushtetit komunist. Nuk ka dilemë se sëcili prej tyre paraqet çështje në vehte sepse kanë përjetuar maltretime dhe torturime të ndryshme. Të dhënat e prezantuara këtu janë vetëm epizodike, që meritojnë një qasje të veçantë për të ndriçuar të vertetën e kohës.

Por, pa dyshim  se në ketë aspekt një familje  paraqet ekzemplarë të veçantë të  qendrimit. Fjala është për familjen e Simon Gjokës-Shkrelit nga Shën Gjergji e cila për besë, nder e burrni ka vuajtur shumë. Madje vuajtjet e tyre janë biblike që pak kush mund ta imagjinojë, që shkon deri në atë nivel duke shpallur të vdekun djalin e gjallë. Një sakrificë  të tillë sublime kanë mundur ta  përjetojnë vetëm familjet me dinjitet të jashtëzakonshëm të karakterit  dhe besës shqiptare.

Ndonëse Cafo Begu pas arratisjës nga  janari i vitit 1953 jetonte në Shqipëri përkatësisht në  Shkodër ku edhe vdiq në vitin 1977, në moshën 85 vjeçare, ai kishte nostalgji të madhe për Ulqinin e tij. Me interes është një detal nga një takim që ka pasur një ulqinak në vitin 1972  më Cafo Begun në Shkodër në dyqanin ku ka punuar të Dugajt e Reja, ku në mes tjerash ai e ka pyetur së “a ka me e permend kush emnin tem në Ulqin”. 

Nëse emri i tij deri me rënien e sistemit komunist ka qenë i anatemuar, më vendosjen e pluralizmit ai filloj të marrë përmasat reale. Dhe botimi i këtij libri, dëshmon në mënyrë bindëse së Cafo Begu, është pjesë e pandarë e Ulqinit dhe si i tillë do të jetë përherë.

Në libër jepën të dhëna më interes më rastin e  vendosjes së komunistëve në Ulqin në nëntor  1944 dhe instalimit të pushtetit të tyre ku  pushtetarët e rinj burgosen, përsekutuan dhe pushkatuan një numër të konsideruar të qytetarëve të Ulqinit dhe viseve tjera, që kanë qenë përkrahesit e Cafo Begut. Dhe në ketë situatë për jetë a vdekje Cafo Begu më disa bashkëluftëtar dual në ilegalitet(nëntor 1944-janar 1953). Kjo periudhë kohore paraqet sakrificën më të madhe për jetë a vdekje sepse ai ndiqej në të gjitha anët, por ishte populli ai që e strehoj dhe e mbajti duke rrezikuar jetën e tyre si në Anë të Malit, Krajë, Shtoj, Tivari i Naltë, Shkodër e përfundimisht në Ulqin.

Cafo Begu ishte në mes dy zjarrëve. Ai  ndiqej nga të dy regjimet si në Shqipëri dhe Jugosllavi. Kjo ishte fatkeqsi e madhe sepse të ndiqej individi i cili ka punuar për çështjen kombëtare ishte utopi e kohës. Sepse  bashkimi i tokave shqiptare më shtetin amë Shqipërinë nuk mund ti mveshet Cafo Begut krim, sepse këto ishin qasjet e idealistëve kombëtarë, që janë prezantuar gjatë okupimit italian dhe ati gjerman. Madje një ide e tillë fillimisht ka qenë e përkrahur edhe nga komunistët në fillim të Luftës së Dytë Botërore, por më pas ata devijuan platformën e tyre, ku si dëshmi transparente na shërben   mbledhja historike e Mukjes. Nga një devijim i tillë del se atyre nuk iu ka interesuar çështja kombëtare shqiptare në përgjithësi, por marrja e pushtetit dhe instalimi i sistemit komunist i cili pati pasoja të mëdha për popullin shqiptarë. 

Autori i këtij  libri meriton falënderim të veçantë sepse ai ka treguar  angazhim serioz disavjeçar duke mbledhur e përpunuar një material të gjerë dhe shumëdimensional për figurën e Cafo Begut. Autori me një durim i cili është për admirim nuk është zhgenjyer as atëherë kur i kanë munguar të  dhënat e nevojshme për ca periudha përkatëse, apo kur individ të ndryshëm kanë refuzuar e ngurruar për të dhënë informacionet e duhura.

Ky botim  në një farë mënyre paraqet një dosje të çështjeve deri më tash pak apo aspak të njohura për mjedisin tonë. Andaj kur të lexohet ky libër do të kemi mundësi të gjykojmë për individet dhe rrethanat e kohës. 

Nuk ka dilemë se ky libër do të hap debate të natyrave të ndryshme. Por, jemi të mendimit se vetëm një debat i tillë do të jetë në favor të këtij botimi, sepse të dhëna të reja do të plotësojnë figurën komplekse të Cafo Begut. Ky botim avancon njohuritë për ketë personalitet dhe të bashkëmendimtarëve të të tij, ndërsa  edhe këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se historia e jonë meriton të rishkruhet, me dokumenta dhe fakte konkrete pa paragjykime dhe qasje ideologjike. Pikërisht nga ky konstatim, nuk dyshojmë se në sajë të të dhënave të reja që do të ofrohen, janë të gjitha gjasat që  botimi i dytë  të jetë i plotësuar dhe i zgjëruar.

Vlerë e veçantë e këtij botimi është së ai është  paisur me një numër të konsideruar të fotografive të cilat për të parën herë i prezatohen opinionit.

Duke e lexuar këtë libër  del qartë së ka ardhur koha që për ngjarjet apo figurat e ndryshme kombëtare të shkruhet e vërteta sepse gjatë periudhës së komunizmit na është imponuar një realitet tjetër. Një dukuri e tillë nuk është çudi sepse historinë e kanë shkruar fitimtarët duke ia përshtatur interesave të tyre me ngjyrim ideologjik. Ndërsa sot në rrethana të tjera është obligim moral dhe profesional që të shkruhet e vërteta ashtu si ka qenë duke u bazuar në fakte dhe argumente të kohës. Ngjarjët e kohës së Cafo Begut që na dëshmohet madje edhe përmes individeve pjesëmarrës të drejtpërdrejt, dëshmojnë një realitet tjetër i cili duhet të jetë mësim për të gjithë ata që do të merren me shkrime të kësaj periudhe kohore. Vetëm me një veprim të tillë  do ti shërbejmë realitetit sikurse veprohet kudo në botën e qytetëruar.

Duke i falënderuar këtij botimi Cafo Begu nuk është më figurë e panjohur dhe e anatemauar si e ka paraqitur pushteti i kohës, por ai është me ne, të çdo individ e familje. Andaj ky libër përfundimisht heq dilemat  dhe kureshtjen e të gjithë neve, ku padyshim lexuesi do të jetë ai që do të japë gjykimin dhe vlerësimin e vet.

Monografia e cila i kushtohet  Cafo Beg Ulqinit, duhet të jetë pjesë e çdo familje ulqinake në mënyrë të veçantë dhe të gjithë neve në përgjithësi. Ajo duhet të lexohet dhe analizohet, sepse kjo paraqet të kaluarën tonë në një periudhë të caktuar kohore. Vetëm kur të lexohet atëherë do të jemi në gjendje për të kuptuar vuajtjet e popullit tonë që duhet të jetë mësim për të sotmën dhe të ardhmen.

                                                                                      

Filed Under: Analiza Tagged With: Cafo beg Ulqini, DR. NAIL DRAGA

KTHESA IMAGJINARE

March 31, 2021 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

“Po sikur…?” ose “Çfarë do të kishte ndodhur, nëse”…? Janë pyetje që bëhen kur njeriu i ka zgjidhur të gjitha problemet e kohës, ose i klasifikon si të pazgjidhshme në këtë botë që përsërit gabimet; me të pasur e të varfër, të drejtë e të padrejtë, shtypës e të shtypur.
Nëse Perandoria Bizantine, për shembull, do të kishte mbijetuar, ajo do të mbulonte sot pjesën më të madhe të Europës Juglindore dhe Anadollit. Emër Ballkan nuk do të kishte, as ballkanizim.   (Gadishulli Ballkanik është sinonim i krijuar në shekullin e 19-të, për provincat e Perandorisë Osmane në Evropën Juglindore).
Në qoftë se kryqëzata e katërt, që kulmoi në vitin 1204 me shkatërrimin e Kostandinopojës në vend të Egjiptit siç ishte planifikuar, fillimisht do të shmangej, dhe pushtuesit Perëndimorë, që maskoheshin si kryqtarë, do të ishin në anën e Perandorisë, turqit osmanë nuk do të lejoheshin kurrë të hynin në Europë. Por, duke marrë parasysh të metat e Perandorisë Bizantine, nuk mund të imagjinohet që ajo të zgjerohej, sidoqoftë do të kontribuonte shumë për një Europë më paqësore pa frymën e kryqëzatave që i solli më shumë dëme vetes sesa osmanëve. Në fund të fundit, Luteri i quajti Kryqëzatat Historike si “E Keqja e Papatit” dhe historiani Runciman shkroi: “Nuk kishte kurrë një krim më të madh kundër njerëzimit sesa Kryqëzata e Katërt.”
Mbijetesa e Perandorisë Bizantine do të nënkuptonte gjithashtu që propaganda cariste se Moska ishte Roma e Tretë do të ishte e pakuptimtë. Sidoqoftë, Ballkani Jugor do të ishte me Albanë, Dardanë dhe Maqedoni të veriut që do të flisnin gjuhën zyrtare të perandorisë (greqishten). Mbajtja e osmanëve jashtë Europës do të nënkuptonte lehtësim për shumicën e shteteve europiane. Mbretëria e Hungarisë do të ishte lojtar kryesor në rivalitet me Boheminë. Të mos ishin në gjendje të zgjeroheshin drejt Lindjes ose Veriut do të thotë që Habsburgët duhej të zgjeroheshin drejt Jugut dhe Perëndimit; kështu, Zvicra do të ishte më e vogël. Vendet rreth Serbisë dhe Bullgarisë do të begatonin dhe heronj do të kishte më shumë nga fushat e dijes dhe mendimit sesa nga ushtria. Luftra më pak do të kishte.
Sa i përket vetë Perandorisë Bizantine, monarkia ishte thelbësore dhe nëse do të ishte me fat mund të krijohej një Dinasti tjetër maqedonase e cila do të siguronte vazhdimësinë e Maqedonisë nga koha e lashtë në të sotmen. Përveç osmanëve, armiqtë kryesorë të Bizantit do të ishin Republikat e Genovas, Venedikut dhe Mbretëria e Siçilisë, që mund të baraspeshoheshin nga një Aleancë mes Hungarisë, Perandorisë së Shenjtë Romake dhe shteteve të tjera italiane. Nacionalizëm nuk do të kishte. Nëse kështu, një formë e re Iluminizmi mund të përhapej në mbarë Perandorinë, duke shkaktuar reforma. Por Monarkia do të ishte forma bazë e qeverisjes dhe Perandoria ndoshta do të dukej si një formë më e vogël e Perandorisë cariste ruse e cila do të ishte shpërbërë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Kthesa imagjinare

EVROPA DHE FUQITË E MËDHA: KTHIMI (I DOBISHËM) I SHBA

March 28, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Përktheu Eugjen Merlika /

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e ka quajtur vrasës kryetarin e Rusisë Vladimir Putin dhe kjo gjë ka shkaktuar, natyrisht, një zhurmë të madhe. Simbas zakoneve në fuqi, janë dy rastet në të cilët mund të kuptohet se përse kush qeveris një fuqi të madhe ka vendosur publikisht të quajë vrasës kryetarin e një qeverie të huaj. Mund të jetë, së pari që ky kryetar qeverie të jetë një diktator i egër i një Vendi të vogël. T’a paditësh se është një vrasës do të thotë një paralajmërim: mos më jep bezdi ose do t’a paguash shtrenjtë. Rasti i dytë është ai në të cilin kryetari i një qeverie të huaj drejton një fuqi të madhe dhe ai që e ka quajtur vrasës po përgatitet t’i shpallë luftë. Por nëse lufta është e përjashtuar – siç, fatmirësisht është në këtë çast ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – atëherë zgjedhja për të vulosur me fjalën “vrasës” kryetarin e qeverisë së një fuqie tjetër të madhe, hëpërhë nuk mund të jetë e deshifrueshme (siç ka vërejtur Sergio Romano, Corriere 19 mars). Lehtësisht, në fakt, dy fuqitë në t’ardhmen do të gjinden të zotuara në bisedime mbi tema të interesit të përbashkët. Ndoshta do të ketë nevojë për ndonjë takim mes dy kryetarëve të qeverive: si mund t’i shtrëngohet publikisht dora e atij që po ashtu, publikisht, është quajtur vrasës?

Bëhet e natyrshme të ngrihet ndonjë pyetje mbi arsyet e Biden-it po ashtu si edhe mbi strategjinë amerikane në një epokë të karakterizuar nga dy rrethana: fillimi në stil të gjërë i shemërisë ndërmjet fuqive të mëdha, e për më tepër rritja e aftësisë manovruese të shumë fuqive mesatare si Turqia ose Irani (për të qëndruar në fushën gjeopolitike që na intereson më shumë ne evropianëve).

Duke përjashtuar së pari gafën, mund të njohim se arsyet e Biden-it mund të jenë më shumë se një. Donte t’i bënte thirrje asaj pjese të publikut amerikan që beson në epërsinë morale të Shteteve të Bashkuara. Donte pastaj të lajmëronte Putinin se me humbjen e Donald Trump-it, epoka e provokacioneve ruse të pandëshkuara ka mbaruar. Donte së fundi të sqaronte evropianët, Gjermaninë në krye, se tani e tutje do të kushtojë shtrenjt ngrënia me dy lugë (rasti i gazsjellësit Nord Stream e jo vetëm ai).

Miratohen apo jo, sidoqoftë janë arsye të kuptueshme. Por si inkuadrohet kjo në lojën “Risiko” në shemërinë gjeopolitike, fatmirësisht paqësore, ndërmjet fuqive të mëdha? Me çfarë letrash Amerika e Biden-it merr pjesë në lojë? Ka një rrezik që nuk mund të lihet në heshtje. Siç ka ndodhur shpesh herë në histori, fuqia e madhe një kohë zotëruese, e që përceptohet në rënie, mund të kryejë gabime mbas gabimesh në përpjekjen për të rifituar me nxitim pozitën e mëparëshme të forcës. Është e drejtë të pyetet se mbas Administratave të Obamës e të Trump-it që, në mënyra të ndryshme, kishin kuptuar rënien amerikane, a mos Bideni përfaqëson epokën e iluzionit: një farësoj “vere hindiane”, një fazë të shkurtër në të cilën Amerika duket se rifiton rolin zotërues por që i paraprin një dobësimi të mëtejshëm, përfundimtar, në të njëjtën kohë të rëndë e të shpejtë të fuqisë. Mund t’a mendojë ai që beson se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë dy fuqi të mëdha (Kina e Rusia) njëheresh. Pa mbajtur parasysh se duke zgjedhur rrugën e përballimit në drejtim të të dyjave, rrezikon t’i shtyjë njërën në krahët e tjetrës, duke ndihmuar formimin e një aleance të fortë kundëramerikane e kundërperëndimore.

Por, duke dashur të jemi ndjellamirë, të përfytyrojmë se strategjia amerikane të jetë e qartë, që Administrata e re  është duke bërë një përllogaritje realiste të fuqive të saj e të atyre të fuqive të tjera e që ve bast me të drejtë, duke menduar se Rusia e Kina nuk mund t’i japin jetë lehtësisht mes tyre një aleance të qëndrueshme, duke qënë të shumta e të hershme arsyet e mosbesimit të tyre të ndërsjelltë. Ndoshta është vetëm një formë e wishful thinking (të shkëmbehen ëndërrat vetiake për të vërtetën),  por ne evropianëve, e veçanërisht italianëve, na leverdis të besojmë në qetësinë e në arsyetueshmërinë e vlerësimeve amerikane. Arsyeja është se kemi nevojë për amerikanët. Kemi veçanërisht ne vojë ne italianët meqënëse, për shkak të gabimeve perëndimorë e të një inercie të zgjatur italike, Mesdheu është bërë një det i rrezikshëm, me rusët e turqit që kanë zënë vënd para derës së shtëpisë sonë. Shumica e bashkatdhetarëve tanë duket se është e pavetëdijshme për rreziqet. Në një Mesdhe kur rusët e turqit në shemëri ndërmjet tyre marrin qëndrime prej pronari, për ne ka pasoja negative. Jo vetëm janë dëmtuar interest tona jetike ekonomike në zonë. Jo vetëm të tjerë (jo ne) mund të hapin e të mbyllin rubinetat që rregullojnë valët e të mërguarve kundrejt Italisë dhe pjesës tjetër t’Evropës. Përveç kësaj ndryshimi i barazpeshave ushtarake krijon rreziqe për njënjësinë tonë territoriale, ndoshta jo menjëherë, por në t’ardhmen.

Mbasi të jenë mbaruar dërdëllitjet “evropikisht korrekte”, mbasi të jetë pohuar, siç parashikon rituali, që Evropa duhet të kryejë këtë e atë për të ndihmuar paqen në Mesdhe, bashkëpunimin mes popujve etj.,  amerikanëve duhet t’i drejtohemi për t’u përpjekur të ndalojnë praninë e padëshiruar e të rëndë të rusëve e turqve në kopshtin e shtëpisë sonë. Nëse ky është përfundimi Evropa mund të jetë vetëm një partner i ri i Shteteve të Bashkuara, nuk mund t’i zëvendësojë, siç tregojnë edhe rezultatet deri tani pak të ndritëshme të operacionit Irini për të ndaluar hyrjen e armëve në Libi. Me që ra fjala për të, nuk mund të gënjehemi se mjafton një qeveri e bashkimit kombëtar për të mundur kaosin. Duhet të shpresojmë se me Biden-in Amerika me të vërtetë është “kthyer”. E duhet të shpresojmë që investimi i pashmangëshëm gjeostrategjik i madh i Shteteve të Bashkuara në shemëri me Kinën n’Azi, mos t’a çojë Biden-in në ndjekje të gjurmëve të Trump-it e të çinteresohet për Mesdheun. Me një sy për çfarë ndodh në këtë det për ne evropianët (për italianët së pari) nuk është shumë e rëndësishme që Putini të njihet prej të gjithëve si një tip pak i besueshëm. Sidoqoftë ai është. Siç është edhe turku Erdogan. Është e rëndësishme më shumë që, në këtë det e ndërmjet brigjeve të tij të rivendoset ajo barazpeshë që në vitet e fundit është thyer në dobi të tipave pak të besueshëm.

“Corriere della Sera”, 22 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika         

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Pianebianco, Eugjen Merlika, Kthimi I SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT