• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhë e dytë

March 28, 2021 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Dy gjëra duhet të pranojmë, jo njëherësh, por njërën ose tjetrën.
Nëse jemi popull i lashtë, në gjendjen që jemi, duhet ta ndjejmë se po vdesim. Së shpejti koha jonë mbaron.
Po të pranojmë se jemi popull i ri, atëherë duhet të bindemi, si fëmija, që ecën zënë për dore nga një i rritur, kur kapërcen rrugën. Sepse kjo po ndodh. Ne nuk dëgjojmë. Jemi pa bindje. Kemi 30 vjet, dhe nga një trotuar në tjetrin s’jemi në gjendje të hidhemi. Rrugën e kemi zënë. Fshatra të braktisur. Qytete si qendra refugjatësh, me njerëz që vijnë e ikin. Dhe udhëheqës po ata që ishin, hipokritë e të paturpshëm. 
Sa mirë kur dëgjon se ky apo ai person ka të kaluar kriminale dhe nuk lejohet të kandidojë. Por nga cilët? Ata që janë në krye kanë një të kaluar edhe më të zezë që lidhet me kohën e krimeve kundër njerëzimit, kur etërit e tyre bënin “ligjin”. Asnjë institucion nuk i ka dënuar. Gjykatës e prokurorë të dalë nga vetingu kanë plot krime ordinere për të zbardhur. Gjithësesi, me vetëm pak kulturë shoqërore, listat e personave që u ndalohet për të kandiduar, duhej të fillonin pikërisht me emrat e tyre. Edhe nëse sot ata vetë nuk duket të kenë kryer ndonjë krim, ose, për çështje kohe, nuk i shërbyen diktaturës, të paktën, mëkatet e prindërve u rëndojnë, dhe duhet të tërhiqen. Sepse dikur populli vërtet i fali por nuk i la për t’u bërë përsëri zgjedhē, apo hajdutë që thërrasin “Kapeni hajdutin!” 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Zgjedhe e dyte

KUR BOTA FILLOI TE MENDOJE SHQIP

March 28, 2021 by dgreca

“Gjithë atyre që dhanë mundin, gjakut dhe jetën e tyre për liri e pavarësi të Kosovës- Ismail Gashi-Sllovia/

Pas Demonstratave të 1981, shtypjes me dhunë të kërkesave shqiptare nga pushteti serbë. Pranvera e Madhe Shqiptare 1981, sikur pushoi së vepruari. Megjithatë, ringjallja, zgjerimi e këmbëngulësia shqiptare në kërkesa, masovizimi e përfshirja e gjithë hapësirës shqiptare mori rrugën e pavarësimit, më 1988, kur politika serbe në hakmarrje të ngjarjeve te 1968, planifikonte pezullimin e autonomisë së Kosovës, përmes akteve ligjore e “shprehjes së lire” të popullit, filluan “Kuvendimet Kushtetuese” për ndryshimet në Kushtetutën e 1974. Këto kuvendime mundësuan e formësuan kontakte me masat popullore, hapen rrugë që edhe në këto rrethana të niset fjala dhe mendimi i lirë demokratik i masës së shtypur shqiptare. Në këto tubime nëpër gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë, për herë të parë u  ringjall si feniksi shpërthimi e forcës akumuluese e cila shqetësoi politikën serbe. Shqiptarët pas shumë përpjekjeve  për liri në tetor-nëntor 1988 me Grevat e Minatorëve si dhe demonstratat e janar-shkurt dhe të nëntorit 1989  dhe janar-shkurt 1990 u shprehen dhe dolën hapur kundër ndryshime që rrezikonin autonominë e Kosovës.

            Në shkurt të 1989 filluan grevat e minatorëve më këmbëngulëset në kërkesa e më rrezistentët në kohë, të cilat më vonë u përkrahën edhe nga studentët dhe masat e gjëra të shqiptare. Grevat morën jehonë të madhe ndërkombëtare dhe lëkundën këmbët e sëmura të shtetit serbë. Në vjeshtë të 1989 shqiptarët e Kosovës organizuan protesta gjithëpopullore. Turmat e mëdha të popullit kalonin këmbë edhe qindra kilometra, Protestuesit vazhduan me ditë e net të tëra të qëndrojnë nëpër sheshet e qendrave të qyteteve, me pikësynim të përqendruar në Prishtinë. Më 23 mars 1989 Kuvendi i Kosovës me skenar e veprim mashtrues e të  dhunshëm, dha pëlqim për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës. Ndryshime të cilat më 28 mars 1989 Serbia i aprovoi në Kushtetutën serbe dhe definitivisht arriti të heq atë pjesë të autonomisë së Kosovës të cilën deri atëherë garantonte Kushtetuta e 1974. Në vazhdim shqiptarëve nuk ju mbeti opsion tjetër artikulimi, përveç organizimit politik dhe sakrificës së hapur e të zyrtarizuar me kërkesat e qarta politike, shtetërore e  kombëtare. Më 14 nëntor 1989 u themelua KMDLNJ, subjekti parë shqiptarë në Kosovë që mbrohen të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të rrezikuar. Në dhjetor të 1989 Veton Surroi në bashkëveprim me Branko Horvatin formuan UJDI, parti politike e nivelit jugosllav. Kurse më 23 dhjetor 1989, intelektualët e atdhetarët shqiptarë, formua LDK-në, parti politike shqiptare, kur zu fill ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Kosovë. Në vazhdim u formuan disa parti politike, subjekte tjera humanitare e shoqëri civile. Vitin  1990/91,me ligjet diskriminuese serbe që kërcnonin dhe rezikonin sistem arsimor shqiptar, rezikohej shkolla, gjuha, tekstet dhe progamet programet mesimore.,për ta sheptuar nga rezikimi u mor verpim drejte pavarësimit te shkolles shqipe nga sistemi arsimor komunsit serbe.Shkolla shqipe u mvehtësua,shqipatët vet e financonin dhe e drejtoni shkollën shqipe.Pas largimit nga objketet shkollore u mor vendim qe të vazhdohen mësimi në objekte privat”Shtëpi-shkolla”.Kuadrot shqiptare pergatitën materien kombëtare në lëndet me materie mesimore kombetare si,  Gjuha shqipe,historia,gjeofrafia,arti figurativ dhe muzikor, kudrot tona pastruan  tesktet dhe programet mësimore,kreyen pastrimin nga materia ideologjike dhe“vëllazërim-Bashkimit”,filluan reformen me lendë mêsimor të kohë si,informatikë dhe  Edukatë qytetare. Intelegjenca dhe rinia atdhetare shqiptare në vitin 1990 ndëmori veprimin e dytë, pas mvehtëmit  te shkollë shqipe të rëndësisë kombëtare, “Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve”, Lëvizje që kreu pajtimin e disa qindra e mija familjeve shqiptare, të cilat deri atëherë ishin në hasmëri për shkaqe të  ngarkesave e gjaqeve  që kishin pasur gjatë kohës dhe okupuesve nga e kaluara e tyre historike. Kjo Lëvizje e Pajtimit të Gjaqeve barti në vete fenomenin e unitetit kombëtar, disa muajve, sa zgjati Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve, siç e quanim këtë Lëvizje asaj kohe, u mbajtën qindra takime e tubime masive në përgëzim dhe manifestim të pajtimeve të gjaqeve. Praktikisht kryhej një proces integrues shpirtëror  kombëtar. Serbia përkundër masave të dhunshme, nuk arriti të ndal pajtimin kombëtar të kësaj Lëvizje masive kombëtare të shqiptarëve. Pas formimit të subjekteve partiake e shoqërive civile, organizimi politik i shqiptarëve në Kosovë mori formë dhe përmbajtje institucionale, veprim të cilin Serbia e shikonte me shqetësim. Andaj, kundër këtyre veprimeve politike shqiptare administrata e shtetit serb filloi të ndërmerr masa represive të cilat pushteti serb do ti zyrtarizon në shkallë shtetërore e kushtetuese. 

Kështu, më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, pas shumë përpjekjeve rezistuese ndaj dhunës serbe, aprovuan Deklaratën Kushtetues, dhe më 7 shtator 1990, pjesa shqiptare e këtij Kuvendi, në Kaçanik  aprovon Kushtetuta e Kosovës, Aktin themelor shtetëror, nga i cili në tetor 1991, mundësoi organizimin dhe mbajtjen e Referendumit për Pavarësi të Kosovës, në mbështetje të të cilit Kosova organizoi dy herë zgjedhjet Parlamentare e Presidenciale, të parat më 26 maj 1992. Parlamenti dalur nga këto zgjedhje, sikur edhe nga zgjedhjet e dyta të 22 marsit 1998, asnjëherë nuk u mbajt. Zgjedhjet e dyta të mbajtura në rrethana jo normale, kur më shumë se gjysma e Kosovës ishte në flakën e luftës.  

            Pas një vazhdimësie disa vjeçare të rezistencës e veprimit politik pasiv të udhëhequr nga  partitë politike. Më 1 Tetor1997, Demonstratat e Studentëve lëkundën çështjen, prishën rehatinë e përgjumjes dhe kthjelluan amullinë nga ai pozicion inert. Paraqitja me veprime ushtarake të UÇK-së, bashkëveprimi i saj me Unionin e Studentëve, ngritën edhe më lartë ndërkombëtarizimin i çështja së Kosovës, me përcaktim bindës e të qëndrueshëm trokitën në qendrat ndërkombëtare politike e ushtarake të vendosjes. Këto ishin ditët kur bota fliste e vepronte shqip për Kosovën, kur ishin shqetësuar jo vetëm okupuesin barbar serbë, por shqetësoi edhe forcat e veprimit politik shqiptar, të cilat i frikësoheshin shkallëzimit të mundshëm nga radikalizmi i formës së veprimit të hapur me demonstrata e veprime ushtarake. Madje, një ditë para daljes në demonstratat e studentëve, doli zëri i politikës paqësore, se për të gjitha këto veprime të organizuara nga Unioni i Studentëve, përgjegjësinë e bartin vet organizatorët e demonstratave, duke u çfajësuar kështu para okupatorit se kjo politikë në vazhdimësi i qëndron besnike parimeve të veta të deri tashme. 

            Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i atij 1998, Kosovën e gjeti nën tensionin më të ashpër të dhunës ushtarake e policore serbe. Sulmet e forcave serbe dhe rezistenca e armatosur e UÇK-së në Kullën e Parë të Jasharajve në Prekaz, nga zënë fill e merr kahe historia më e lavdishme kombëtare e cila do ti ndërron rrugë fatit të shqiptarëve në Kosovë. Praktikisht fillon lufta mes forcave të dhunës serbe dhe forcave të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Paraqitja publike e UÇK-së më 28 Nëntor1997, luftimet heroike dhe sakrifica historike në Prekaz e Komandantit të shndërruar në legjendë, Adem Jashari më 5, 6 e 7 mars 1998, luftimet në Likoshan, Qirez e Laushë, ngarkuan me urrejtje të tërbuar lubinë serbe, që ndaj shqiptarëve, popullatës civile, vendbanimeve, përgjithsisht qenies shqiptare t’ia mësyjnë me gjitha forcat. Kështu pasuan ndjekjet gjenocitale të pastrimit etnik duke vrarë, kallur e ndjekur masovikisht popullin nga vendbanimet e trojet e tyre etnike. Nga zonat e luftës u larguan qindra mija gra, fëmijë e pleq, në hapësirat e luftës ngelën vetëm ata që ishin të aftë për luftë me armikun serb. Treva komunale e Lypjanit nëpër vendbanimet e veta pati mbi 20.000 të strehuar për të cilët u përkujdes për strehimin e tyre, ushqimin dhe përkujdesën shëndetësor. Kjo gjendje vazhdoi kështu edhe gjatë ofanzivës së parë korrik–tetor 1998 dhe shkallëzohet tejmase në Ofanzivat e filluara më 24 mars e të përfunduara më 12 qershor 1999, gjatë 87 ditëve të bombardimeve të NATO-së, sulmeve tokësore nga ushtria, policia dhe grupet terroriste serbe në popullatën civile shqiptare dhe në anën tjetër  luftimeve mbrojtëse të UÇK-së.

            Ofanziva e parë serbe në popullatën shqiptare, sikur mori një miratim të heshtur nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, e ndihmuar edhe nga disa zëra të mekur të politikës paqësore të shqiptarëve në Kosovë, të cilët veprimin ushtarak të UÇK-së e shikonin për rrezikim të humbjes së prestigjit të tyre, edhe pse atë e thonin me versionin e zbutur paqësor, se nuk janë për luftë të armatosur, por për rezistencë paqësore dhe pa përdorimin e dhunës. Andaj, në programin e tyre e përjashtonin versionin e veprimit ushtarak. Këtë kundërshtim, këto forca politike shqiptare në Kosovë, e ngritën deri në atë shkallë, sa veprimet ushtarake shqiptare në Kosovë ti quajnë krijesa të huaja, të shtyra nga nëntoka serbe dhe të paguara nga spiunazhi ndërkombëtar. Mu për atë, çdo sulm që bënte UÇK-ja, këto forca politike e dënonin politikisht, ashtu siç e dënonte edhe vet pushteti okupues serbe. Madje, për disa raste “paqësorët shqiptar”, kërkuan edhe intervenim ndërkombëtar të Interpolit. Këto kundërveprime e përçarje ndërshqiptare në Kosovë, populli shqiptar i Kosovës i pagoi shtrenjtë, si në ofanzivën e parë, kur serbët për pësimet përjetuar nga UÇK-ja, edhe në ofanzivën e dytë, sulmuan popullatën civile e vendbanimet shqiptare të cilat nga këto pësuan shumë vrasje, plagosje kallje masive të vendbanimeve, vlerave materiale e shpirtërore të shqiptarëve dhe ndjekjen masive të popullatës civile nga ato zona të luftës. Të gjitha këto kryheshin në emër të një mbrojtjeje të shtetit serb dhe integritetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë. Këto veprime ushtarake e policore të dhunës serbe kryheshin në heshtje jo të natyrshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe politikës paqësore shqiptare në Kosovë. Ofanziva e parë zgjati deri më 15 tetor 1998, kur Serbia nga vetëkënaqësia e shpalli të likuiduar UÇK-në,  e cila realisht kontrollonte afro 40% të hapësirës së Kosovës, hapësirë që deri në korrik të 1998 mbikëqyrej nga forcat e UÇK-së, kontrollonte akset rrugore  Prishtinë-Pejë dhe Shtime-Prizren e shumë zona,  qytete e vendbanime të Drenicës Qendrore, Drenicës së Epërme, Trevës komunale të Malishevës, Rahovecit, Deçanit, Suharekës, Skenderajt, Gllogocit, hapësira të mëdha të Istogut, Klinës si edhe pjesë nga trevat komunale të Lypjanit dhe të Shtimes. Veprimi ushtarak i UCK-s, kushtëzoi faktorin ndërkombëtar për organizimin e Konferencës ndërkomëtare në Rambuje e Paris, nga e cila doli urrërrtia politike faktorin shqiptar dhe shkaktoi sulmet e NATO-s, nga 24 mars deri më 10 qershor 1999. Kur Kosova u liruar nga okupimi barbar shekollor serb.

 Në këtë ditar të thjeshtë, të mbajtur autentik me ngjarjet dhe kohën, do të shënojmë ngjarjet më esenciale të këtyre vlimeve, që nga fillimi i vitit 1998, të cilat janë mbajtur dhe me të cilat është informuar opinioni lokal i trevës së Lypjanit e më gjerë dhe me të cilat është sensibilizuar popullata shqiptare e kësaj hapësire. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur, dhe janë evidentuar ashtu siç kanë ndodhur, nga se në kohën kur mbaja detyrën e personit të autorizuar për informim, gjatë kohës së Ofanzivës së parë dhe ofanzivës të dytë, të cilat janë historia më e re e shqiptarëve të ndjekur dhe tokës së djegur të Kosovës martire të kësaj hapësire komunale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia, Kur Bota filloi, TE MENDOJE SHQIP

PAK FJALË RRETH RREAGIMIT TË SHTYPIT SERB NDAJ DEKLARATËS SË KRYEMINISTRIT TË SHQIPNIISË

March 28, 2021 by dgreca

Përgatiti Gjon Kadeli/ Washington/

Shtypi i Serbisë reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipnisë Z.Edi Ramës lidhun me përvjetorin e 22-të të bombadimeve të NATO-s në Serbi, sepse Z. Rama e krahasoi regjimin e Millosheviqit si nacional-socialist.
Pa dashtë me përkrahun Z.Ramën, mënyra se si reagoi shtypi serb duket i pa vend. Faktet se çfarë bani qeveria e Millosheviqit, si gjatë luftës në Bosnjë si edhe ato që bani kundër shqiptarëve në Kosovë, nuk kanë të cilsohen ndryshi, veçse,veprime çfarosjeje në masë të boshnjakëve
dhe të Shqiptarëve në Kosovë.
Përsa i përket Bosnjës, popullsia  muslimane e të cilës përban 45 përqind të popullsisë së përgjithshme prej rreth katër milionë banorë u damtue shumë rand. Mbi njqind mije u vranë e kush e dinë se sa u plagosën. Me qindra e qindra mija u dëbuen nga shtëpitë e tyne. Përveç kësaj në Srebreniçë u ba masakra ma e madhe në Europë që nga L.D.B.dhe ma shumë se 100 mijë shtëpi u shkatrruen.
Përsa i përket Kosovës rreth 12 mijë u vranë,për 1600 të tjerë nuk dihet fati i tyne, gadi nji milionë u dëbuen nga shtëpite e tyne.
Prandaj, siç vejnë në dukje këto fakte, dy popuj të ndryshëm ishin në pragun e dëbimit nga trojet e tyne njiherë e përgjithmon nga rregjimi i Milosheviqit.Për fat të mirë në Bosnjë ndërynë forcat e Kombeve të Bashkueme dhe në Kosovë forcat e NATO-s ndërhynë dhe kështu qëllimi i
Milloshviqit nuk u mbërrijtë.
Shtoi këtu se përsa u përket shqiptarëve, Serbia që nga 1844 dmth mbasi fitoi njifar autonomie nga Turqia, kishte përgaditë nji plan të fshehtë për të coptue tokat shqiptarë, që njihet me emnin NACERTANJE,
të cilin filluen t’a veshin në veprim mbas Luftës Ruso-Turke të 1877,kur filluen dëbimin e popullsisë shqiptare nga
Sanxhaku(Prefektura) e Nishit që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.
Gjatë këtij procesi u dëbuen rreth 300 mijë shqiptarë, prej të cilëve rreth 70 mijë u vranë. Plani në fjalë u vazhdue në mënyra të ndryshme deri më 1999.
Më duket mue si i çuditshëm qëndrimi që mban qeveria e Vuçiqit në bisedimet që janë zhviillue deri tashti ndërmjet zyrtarë kosovarë dhe serbë kur thotë se seçila palë duhet të marri diçka, kur njeriu të marri parasyshë ato që Serbia bani kudër Kosovës, pa pasë njifar mirsie, me tregue një farë keqardhje ose me kërkue një faljë, Siç e kanë ba të tjerë në raste të tilla.

Filed Under: Analiza Tagged With: Deklarata e Rames, Gjon kadeli, Shtypi serb

Të mos ndihemi inferiorë e të kompleksuar

March 28, 2021 by dgreca

–-Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet/

Nga Sadik ELSHANI/ *

Në bisedat tona të përditshme shpesh e dëgjojmë, e bëjmë pyetjen: Pse ne shqiptarët e ndijmë veten pak si të kompleksuar, më të ulët (inferiorë) ndaj të tjerëve, kur në situata të ndryshme ndodhemi në praninë e të tjerëve, kur i shohim politikanët, udhëheqësit tanë në takimet e tyre zyrtare në praninë e delegacioneve, zyrtarëve të huaj? Fatkeqësisht këtu ka dicka të vërtetë e që nuk duhet të jetë kështu. Fillimisht kjo vjen se trevat shqiptare si rrjedhoje e rrethanave historike katastrofike për ne kanë ngelur prapa në çdo pikëpamje, lëmi të jetës shoqërore, ekonomike,arsimore e shkencore, krahasuar me viset tjera të kontinentit europian. Megjithatë, shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta morale e njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Ndoshta ne nuk mund të nxirrnim nga mesi ynë një Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrant, Bethoven, por kur u është dhënë rasti, mundësia shqiptarëve, ata kanë shkëlqyer. (Diçka të ngjashme ka shprehur në vargje edhe Dritëro Agolli në një poezi të tij). Po, edhe populli ynë i vogël nga gjiri i vet nxori figura të përmasave botërore në të gjitha periudhat e qenjes së tij: Perandori Konstatin, Skenderbeu, Leunik Tomeo, Onufri, Aleksandër Moisiu,Shën/Nënë Tereza, Bekim Fefmiu, Ismail Kadare e shumë e shumë të tjerë.

Dikush që vjen nga një vend i zhvilluar, i përparuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai person vetë është më i ditur, më i përparuar, më i zoti se ti, për të vetmen arsye se po na vika nga një vend i madh, i zhvilluar. Vendi i tij mund të jetë më i zhvillur, më i përparuar, por ai vetë mund të jetë nën nivelin tënd. Përsse Ismail Kadare, Inva Mula, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë duhet ta ndiejnë veten inferiorë?! Cka kanë të tjerët më shumë se ata/ato? Asgjë. Kur i përket një populli të vogël, me shekuj të shtypur, atëherë ndihesh pak i druajtur, i tërhequr kur ndodhesh në mesin e të tjerëve. Kjo ndodh zakonisht në fillim, por me kalimin e kohës e sheh se të tjerët nuk janë më të mirë, më të zotët se ti. Këtë e kam ndier edhe vetë si dhe shumë kolege e kolegë të mi nga të gjitha viset shqiptare që kemi studiuar në universitetet e ish Jugosllavisë: Zagreb, Beograd, Sarajevë, Lubjanë, etj. (Unë kam studiuar në Universitetin e Zagrebit). Në fillim i kemi patur rezervat, druajtjet tona, sepse po vinim nga pjesët më të pazhvilluara të ish Jugosllavisë dhe tani po studionim së bashku me kolegët tanë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Spliti, Rijeka e shumë qytete të tjera që ofronin kushte, një jetë shumë më të mirë se vendbanimet tona. Por, pas pak kohe e kemi parë se në përgjithësi ata nuk ishin më të mirë, më të zotët se ne, dhe se kjo nuk kishte të bënte fare me përkatësinë kombëtare, apo vendlindjet tona. Me punë të përkushtuar, me vullnet të çelikët e me një vendosmëri për të ecur përpara çdo gjë është e mundur, çdo gjë mund të kompenzohet.

Disa e ndërrojnë edhe emrin për ta fshehur kombësinë e tyre, duke menduar, gabimisht, se nëse i pëkasësh një kombi, vendi të përparuar mund t’i maskosh të metat tua. Bota të respekton, vlerëson për atë që je, dhe për atë që mëton të jeshë. Kopja gjithmonë është më e shëmtuar se origjinali. Figurat tona të ndritura të përmendura më lart i ka bërë të madhërishme puna e tyre, talenti i tyre. Ata nuk e kanë mëshehur përkatësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, është i njohur rasti i Bekim Fehmiut kur me këmbëngulje ka kërkuar që në shtypin Italian të korrigjohej përkatësia e tij e gabuar kombëtare, “aktori jugosllav”, me “aktori shqiptar nga Jugosllavia”. Përndryshe ai do të tërhiqej nga projekti i filmit për Odiseun. Edhe një rast tjetër që lidhet me Bekim Fehmiun: Sipas bashkëshortes së tij, aktores, Branka Petriq, gjatë gjirimit të filmit “Avanturistët” Bekimit i kanë kërkuar që ai ta ndërrojë emrin, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Jo rastësisht e përmenda rastin e Bekimit, sepse shqiptarët në ish Jugosllavi për shkak të shtypjes së egër që ushtrohej ndaj tyre, mungesës së të drejtave më elementare, kishin mbetur prapa të tjerëve. Shpeshherë fyheshin dhe bëheshin objekt talljeje. Por, kur shqiptarët i fituan disa të drejta, ata e shfrytëzuan rastin dhe shkëlqyen gati në të gjtha lëmitë: kulturë, shkencë, sport, etj. Kur për magjistraturën time e fillova punën eksperimentale në një laborator të Fakultetit të Farmacisë e Biokimisë në Zagreb, ku edhe kisha studiuar, pas ca muajsh kur u bëmë pak më te afërt me njëri – tjetrin një docente me shumë dashamirësi m’u drejtua: “Koleg, ne nuk e kemi ditur që ka shqiptar që punon kështu.” Ju lutem mos e merrni këtë si një vetëlavdërim, sepse ka shumë shqiptarë që janë më të aftë e më të zotët se unë. E mora vetëm si shembull që më ka ndodhur mua. Jam i sigurt se u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve.

Në një takim që patëm me sopranon e njohur, Ermonela Jaho, në shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia, në tetor të vitit 2006, gjatë bisedës ajo na tregoi për një ngjarje që i kishte ndodhur në fillim të karrierës së saj në Itali: Kur paraqitësi i programit e kishte paraqitur atë si, sopranoja nga Shqipëria, salla kishte filluar të qeshte me tallje. Atëherë, ajo na tregoi, se edhe pse nga natyra është pak e turpshme, ajo e kishte mbledhur guximin dhe i ishte drejtuar publikut: “Pse po qeshni? Ju ende nuk më keni dëgjuar duke kënduar. Pasi e mbarova këngën e paraparë në program, iu drejtova përsëri publikut duke u thënë se, tani do t’u këndoja një këngë nga vendi im, këngën “Asaman, o lule”. Salla pastaj shpërtheu në duartrokitje”. Më duket se s’ka nevojë për koment. Janë këto figura që i kanë dhënë nder kombit, emrit të tyre dhe nuk kanë kërkuar lavdi në emrin e ndonjë kombi tjetër të cilit nuk i përkasin. Kombi na nderon vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë. Secili komb, i madh e i vogel, i ka veset dhe virtytet e veta, te mirët dhe të këqinjtë e vet. Prandaj, nuk duhet të ndihemi inferiorë, më të ulët, të kmpleksuar ndaj të tjerëve.

Ka edhe nga ata që në ndonjë situatë të caktuar i kanë mohuar, janë fshehur nga prindërit e tyre. Ka raste që ne i njohim personalisht kur nxënësi që ka qenë duke u shkolluar në qytet kur e ka parë prindin fshatar në qytet i është larguar, e ka mospërfillur kur ka qenë në shoqëri të shokëve të tij të shkollës. Për këtë temë, shkrimtari më i njohur slloven, Ivan Cankar (1876 – 1918), e ka një tregim të shkurtër antologjik me elemente vetëjetëshkrimore (autobiografike), “Greh” (“Mëkati”).  Këtë tregim e kemi patur në librin tonë të leximit në një nga vitet e shkollës fillore dhe që nga ajo kohë më është ngulitur thelle në kokën, mendjen time. Shkurtimisht, një nënë udhëton në këmbë për katër orë nga fshati për ta vizituar djalin e saj që shkonte në shkollë në Lubjanë, për t’i sjellur këmishat e lara dhe ca para. Ajo ishte duke pritur djalin e saj para dyerëve të shkollës kur zilja bie dhe nxënësit dalin nga shkolla pas përfundimit të mësimit. Kur djali e sheh nënën e tij të rraskapitur, të veshur me veshje fshatare, me çizmet e baltosura dhe me një boshçe ku i kishte këmishat e tij, djali nuk i paraqitet asaj. Një shok i klasës e pyet djalin se mos ishte ajo nëna e tij. Ai ia kthen: “Jo, ajo nuk është nëna ime”. Djali duke u fshehur në turmën e nxënësve largohet pa e takuar nënën e tij. Nëna pret për një kohë të gjatë dhe kur nuk e sheh djalin e saj niset drejt banesës së tij, duke menduar se mos ndoshta djali është i sëmurë dhe nuk ka ardhur në shkollë. Djalin e gjen në banesë dhe i tregon se e kishte pritur para shkollës, por djali i thotë se nuk e kishte parë. Dikur pasdite nëna niset për t’u kthyer në fshat. Djali e përcjell nënën nëpër qytet, por tani e bren ndërgjegjja për atë që kishte bërë pak më parë dhe dëshiron t’u thotë të gjithëve se ajo ishte nëna e tij. Kthehet në banesë dhe qanë me të madhe, por mëkati kishte zënë vend, ishte ngulitur në shpirtin e tij dhe të gjitha lotët e derdhura nuk mund ta lanin më.

Pra, kjo ndjenja e të qenit inferiorë ndaj të tjerëve manifestohet edhe te disa kombe të tjera. Në vitin 1977 në Qendrën Kulturore Studentore ne Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, profesori në pension i Fakultetit të Farmacisë, eksperti botëror i bimëve mjekësore, dr. Jovan Tucakov (1905 – 1978) e mbajti nje ligjëratë për bimët mjekësore dhe përdorimin e tyre për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ishin të pranishëm studentë nga një pjesë e mirë e territorit të ish Jugosllavise, isha edhe une dhe kolegu im i studimeve, Ekrem Guri (tani i ndjerë). (Unë atëherë studioja në Universitetin e Beogradit dhe po atë vit në vjeshtë kam kaluar në Universitetin e Zagrebit). Gjatë ligjeratës profesori e pyeste ndonjë student se prej nga ishin dhe kur ata i tregonin emrin e fshatit ai u tregonte se cilat bimë rriteshin në fshatin e tyre dhe pikërisht në cilin vend. Pastaj u tregonte për disa zakone, tradita të fshatit të tyre, si u këndonin bletëve, etj. Studentët pak si të turpëruar e ulnin kokën, ndërsa profesori pak si me qortim u drejtohej: “Mos u turpëroni nga prejardhja e juaj!”

Rëndësi kanë vlerat njerëzore që ti i rrezaton dhe jo emri yt, kombësia apo vendi prej nga vjen. Sillu mirë, me kulturë e respekt ndaj të tjerëve, tregohu i zoti në leminë, punën tënde dhe të gjithë do të respektojnë. Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet.

Philadelphia,  mars, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Jo inferiore, Sadik Elshani

GABIMI

March 28, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Ambicja për t’ia kaluar diktatorit, në krime, bëri që shumë udhëheqës ranë në kurthin e tij, dhe ai i dënoi a i vrau. Balluku, Shehu, Hazbiu, etj., njerëzit më besnikë të Hoxhës, nuk donin shembjen e diktaturës; apo ndonjë lloj demokracie; ata ishin pjellë e saj, qëndronin brenda saj, ëndërronin vetëm sesi të bëheshin më shtazë se Hoxha. Kjo ishte “tradhëtia” e tyre. Sa e vërtetë për të qeshur duket gjithë kjo, parë në konteksin e sotëm me nostalgjinë për diktaturën; shtypi e ushqen çdo ditë; ia merr kohën lirisë së fjalë për të përsëritur, nëpërmjet kujtimeve, me transkiptime, mbledhjet e burosë politike, ose proces verbalet e “shokut Enver”; kur pinjollë, xhonglerë të diktaturës, që thonë se ziheshin me prindërit pushtetarë – njerëz mediokër që s’bënin dot përpara pa ndërhyrjen e pushtetit – lejohen të merren me politikë a të bëhen “lidera”. Sa herë një popull duhet të bjerë viktimë për të kuptuar se është vërtetë viktimë? Të mos nxjerrësh mësim është paaftësi; njeriu, gabimet, ka frikë t’i lejojë, bëhet i patolerueshëm, sepse nuk di se si t’i ndreqi, dhe përfundon djallëzor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Gabimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • 282
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT