• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAMILJA, PUNA, SHOQËRIA: TË RISHIKOHET ROLI I GRAVE

March 10, 2021 by dgreca

Nga CHRISTINE LAGARDE-Përktheu:Eugjen MERLIKA/

Me vërshimin e pandemisë së COVID – 19 gjithë botës i është  dashur të përballojë një vit sakrificash. Shumë kanë humbur jetën, ose të dashurit e tyre. Të tjerë kanë luftuar ashpërsisht për mbijetesë, në rrafshin fizik, emotiv e financiar. Viti që shkoi ka treguar dukshëm  se ndikimi shoqëror dhe ekonomik i pandemisë mbi jetën e grave ka qënë  veçanërisht i rëndë. Një numur jo proporcional i grave punon në sektorët më të goditur nga pandemia. Me shumë gjasë zhvillojnë veprimtari informale të pambrojtur nga programet e mbështetjes publike. Të shumtave u është dashur të kujdesen të vetme për familiarët më të rinj apo më të moshuar, ndërsa detyroheshin t’i bënin ballë detyrave të punës.   

Është shqetësuese se si këto rrethana rrezikojnë të shuajnë përparimet e arritura me çmim të lartë në frontin e barazisë gjinore. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.

Por ka edhe shpresa ndryshimi. Krizat qenësore pështjellojnë mënyrën tonë të jetës së përditëshme e na shtyjnë të rithemelojmë disa prej vlerave tona. Pandemia jo vetëm ka hequr perden mbi mangësitë e rënda të shoqërisë sonë por na ka shtrënguar të veprojmë në mënyrë tjetër. Është pikërisht këtu që shoh mundësinë e një ndryshimi në të mirë. Për këtë sot, në Ditën ndërkombëtare të gruas, ftoj të gjithë të thyejnë skemat e të përqafojnë të reja, më të përshtatëshme ndaj nevojave të së sotmes. Familja, puna dhe roli i jonë i drejtimit janë detyra që kërkojnë shumë zotime.

Puna fillon në familje, zëmra dhe qëndra e jetës sonë gjatë izolimit. Pandemia ka nxjerrë qartësisht në dritë çekuilibrin ndërmjet burrave e grave sa i përket punës së papaguar. Por na ka vërtetuar se edhe shokët tanë mund të marrin peshën e tyre. Në disa raste etërit, të angazhuar në punë nga shtëpia apo të detyruar me një orar të punës të kufizuar, kanë marrë në dorë frenat e familjes, ndërsa nënat kryenin detyra thelbësore përtej mureve shtëpiake.

Një thyerje e tillë e normave, nëse vazhdon, mund t’i sjellë grave lirinë për t’u realizuar gjetiu, në punë e në bashkësi. Një pjesëmarrje më e gjërë e grave në botën e punës, me shërbime të përshtatëshme për ndihmën fëminore dhe një organizim jo të ngurtë në orarin e punës në dobi të grave e të burrave, do të lejonte të kryhej një hap i madh përpara në mbushjen e hendekut pagësor mes gjinive. Në BE gratë fitojnë mesatarisht 14,1 % më pak se burrat. Nëse detyrat shtëpijake janë ndarë në mënyrë më të barabartë në brendësi të familjes, bijtë rriten me një ide më barazuese të rolit në krahasim me brezat e mëparshëm. 

Kësaj i shtohet angazhimi në vëndin e punës. Pandemia ka nxjerrë në pah rolin profesional të pamohueshëm që gratë luajnë në shoqëri. Përfaqësojnë tre të katërtat e 18 milion punonjësve shoqo-shëndetësorë në zonën euro e japin ndihmesën në të njëjtën masë në botën e arsimit. Të dy sektorët kanë qenë të domosdoshëm gjatë pandemisë. Tashmë që kemi parë se cila është vlera e vërtetë e këtyre figurave për shoqërinë, është e rëndësishme që ajo të jetë e mirënjohur e të shpërblehet në mënyrë të përshtatëshme.

Ka nevojë edhe për më shumë gra dhe në fushat e shkencës, të teknologjisë, t’ingjinjerisë e të matematikës. Në këta sektorë të karakterizuar nga një trajtim më i mirë ekonomik, një prani më e madhe femërore do të japë ndihmesën që të pakësohet ndryshimi në pagesa ndërmjet gjinive. Veç asaj profesionet shkencore përbëjnë një faktor përcaktues për risinë dhe për kalimin drejt një ekonomie më digjitale dhe më të pranueshme.

Duhet të shohim përtej karrierave tradicionale: le të nxisim gratë e vajzat të shquhen n’ato fusha në të cilat pak prej tyre janë futur. Sot Banka Kombëtare Evropiane fillon një organizim të ri të programit të bursave të studimit për studentet n’ekonomi, që synon të mbushë praninë e kufizuar të grave në këtë sektor. 

Puna angazhon edhe në drejtim. Pandemia ka treguar vlerën e drejtimit femëror, veçanërisht në kohë krizash. Kërkimet e zhvilluara gjatë pandemisë kanë zbuluar se gratë janë konsideruar nga bashkëpuntorët e tyre më t’efektëshme se burrat. Janë në gjëndje të bisedojnë e të merren vesh më mirë me vartësit.

Por megjithatë janë gra vetëm 18,5% të kryetarëve të qeverive të Vendeve të BE. Edhe se përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së BE (51%), prania e tyre në parlamentet kombëtare nuk kalon një të tretën e antarëve. Asnjë nga bankat qëndrore të zonës euro, guvernatorët e të cilave janë emëruar nga qeveritë kombëtare, është e drejtuar nga një grua. Përqindja e përfaqësisë femërore është po aq e ulët në organet administrative të ndërmarrjeve. Në shoqëritë më të mëdha evropiane të kuotuara në bursë, gratë zenë vetëm 7,5 % të posteve drejtuese. Në BQE, nga viti 2013 deri në 2019, kemi më se dyfishuar praninë femërore në drejtimin e lartë dhe objektivi i ynë është t’arrijmë një kuotë prej 40% deri në 2026.

Është çasti të rishikojmë drejtimin e të sjellim më shumë ndryshueshmëri në organet e administratës, në parlamentet e në administratat publike. Një ndarje më e barabartë e detyrave shtëpiake dhe mundësi më të mëdha për karrierë do t’i lejojnë më shumë grave të japin ndihmesën e tyre akoma më tepër për shoqërinë, të marrin pjesë veprueshëm në jetën politike dhe t’i japin zë mjaft aspiratave ende të padëgjuara.

Të shkojmë përpara me ambicie drejt këtij qëllimi në mënyrë që shoqëria e jonë të rishfaqet më e fuqishme, më e barabartë e më e pranueshme nga pandemia.

Christine Lagarde ka qënë për tetë vite drejtoreshë e Fondit monetar ndërkombëtar. Mga 2019 ka pasuar Mario Dragin në kryesinë e Bankës qëndrore evropiane.

“Corriere della Sera, 8 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Christine Lagarde, Eugjen Merlika

Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut

March 9, 2021 by dgreca

tablo rreth regjistrimit të popullsisë)

Albulenë Halili &

Shemsedin Ibrahimi*

“Totalitarizmi mund të lulëzojë atje ku njerëzit refuzojnë sistematikisht që të merren me realitetin dhe janë të gatshëm të zëvendësojnë arsyen me ideologjinë dhe trillimet.”Hana Arend

Prolog

Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut është regjistrimi i popullsisë. Ai përbën njërin nga proceset më të rëndësishme për shqiptarët, që nga pavarësimi i vendit nga ish Jugosllavia, por njëkohësisht është thelbësor edhe për të ardhmen e vetë shtetit.

Maqedonia e Veriut po përgatitet që operacionin më të rëndësishëm për vendin, regjistrimin e popullsisë, ta realizojë pas një vonese pothuajse dydekadëshe. Kjo vonesë per se dëshmon mungesën e vullnetit, por edhe paaftësinë e këtij shteti për të realizuar një operacion, i cili në një shtet e shoqëri normale, do të qe vetëm një operacion i thjeshtë statistikor. Kjo vonesë e parëndomtë për një shtet evropian, në të njëjtën kohë hedh dyshimin rreth legjitimitetit të strukturave shtetërore gjegjëse, se regjistrimi, i cili nuk ka mundur të realizohet për dy dekada, do të mund të realizohet si dhe të realizohet sipas standardeve të duhura.

Por, pyetja thelbësore që duhet të parashtrohet tani është: përse në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk është vetëm një operacion statistikor?

E para, për shkak të natyrës së këtij shteti, të rregulluar kësisoji që në gjenezë të tij, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta, ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, përqindja e etnive që jetojnë në këtë shtet është kategori kushtetuese. 

Ndërkaq arsyeja e dytë madhore është se gjithmonë ka pasur tendenca që këto numra të manipulohen me qëllim të ruajtjes së status quo-së.

Sfondi historik

Nëse u hedhim një vështrim historik të dhënave zyrtare statistikore të regjistrimit të popullsisë, do të vijmë në përfundim se në Maqedoni, duke filluar nga viti 1949, tendenca e strukturave të ndryshme shtetërore republikane dhe federative të asaj kohe kanë qenë në drejtim të minimizimit të numrit të etnisë shqiptare, rritjes së numrit të etnisë maqedonase dhe asaj turke dhe mospërfilljes së etnive të tjera, të cilat në të shumtën e rasteve janë regjistruar si maqedonas. E gjithë kjo është bërë duke përdorur forma të presionit dhe të manipulimit strukturor.

Presioni kryesisht është përqendruar në dy kahe. Njëri kah ka qenë manipulimi konceptual, duke krijuar bindje pasigurie, në kuptimin e krijimit të hamendjes për numrin e të tjerëve dhe pa e vënë kurrë në diskutim numrin e “popullsisë shumicë”. Kjo vërtet ka krijuar pasiguri dhe frikë të shqiptarët, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u shpallën bashkëpunëtorë të fashistëve, armiq të shtetit dhe në një formë – të padëshiruar. Duke u shpallur të padëshiruar, atyre iu ofrua opsioni i largimit nga vendi nëpërmjet marrëveshjeve tashmë të nënshkruara midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë për shkëmbimin (lexo: shpërnguljen) e popullsisë myslimane. 

Shqiptarët, të ndodhur në udhëkryq historik, e patën shumë vështirë të qëndrojnë gjatë dhe disa prej tyre edhe iu nënshtruan kësaj trysnie. Kështu, sipas të dhënave statistikore, në vitin 1953, numri i shqiptarëve është përgjysmuar dhe është rritur numri i turqve edhe pse logjikisht turq nuk do të duhej të kishte në Maqedoni, meqenëse ishte realizuar marrëveshja e këmbimit të popullsisë myslimane (lexo turke). Çuditërisht, gjatë këtij viti dyfishohet numri i kësaj etnie. Nuk ka statistikë e as metodologji që është në gjendje që ta shpjegojë këtë, porse me fjalor dhe metoda politike, për të mos thënë gjenocidale.

Tabela 1. Të dhëna nga regjistrimi i popullsisë gjatë viteve 1953-2002

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shteti i pavarur (Maqedonia, Republika ish-jugosllave e Maqedonisë) përveç sistemit e elitës institucionale e politike, nga regjimi pararendës trashëgoi edhe mendësinë shtetërore dhe qasjen ndaj shqiptarëve, të cilët mbetën qiraxhinj në shtëpinë e vet.  

Edhe sot, Maqedonia e Veriut ka një shoqëri multietnike, por sistemi kushtetues, pra shteti i krijuar në gjysmën e territoreve historikisht shqiptare, është monoetnik. Sipas preambulës, të amendamentuar me ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, ky shtet u takon qytetarëve të ndarë në dy kategori: popullit maqedonas dhe qytetarëve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, (…). 

Së dyti, po në preambulë thuhet se këta qytetarë, “në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran (…)”. Shikuar historikisht, për hir të së vërtetës, në asnjërën nga këto ngjarje historike nuk pasqyrohet vullneti i shqiptarëve. Këto ngjarje janë bërë: ose pa shqiptarët, ose kundër tyre.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut janë realizuar dy regjistrime të popullsisë: në vitin 1994 dhe 2002. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është kryer në vitin 2002. Numri i përgjithshëm i banorëve sipas këtij regjistrimi ka qenë 2 022 547 milionë banorë, përqindja e maqedonasve – 64.2%, ndërkaq ajo e shqiptarëve – 25.2%. 

Përgjatë gjithë këtyre viteve, në hapësirën shqiptare ka pasur zëra se shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë: më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të popullsisë, se numri i popullsisë shqiptare është 33%, 47 %, më i lartë se 40%, etj.

Në vitin 2011 ishte planifikuar që të realizohet procesi i regjistrimit, por ai pati dështuar për shkak të mospajtimeve midis partnerëve të koalicionit qeveritar rreth metodologjisë dhe siç thuhej, vështirësive teknike.

Perspektiva

Procesi i regjistrimit është caktuar që të realizohet gjatë periudhës 1-21 prill 2021. Ligji për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë u miratua në Kuvend në janar të këtij viti. Votimi i këtij ligji u bojkotua nga opozita maqedonase OBRM-PDUKM dhe E majta (Levica). Vlen të theksohet se i tërë spektri politik shqiptar pa dallim, ka votuar pro këtij ligji. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme se ligji është metodologjia për përgatitjen dhe realizimin e regjistrimit, e cila u shpall nga drejtori i Entit shtetëror për statistikë pa shqyrtim publik, ditë pas votimit të ligjit në kuvend. Sipas kësaj metodologjie, familjarët nuk do ta kenë të drejtën të deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të afërmve të tyre që janë në mërgim. Pra regjistrimi i të afërmve të cilët nuk gjenden në vend në kohën e regjistrimit, lihet në mëshirën e një sistemi onlajn jofunksional dhe me shumë probleme.

Vetja dhe Tjetri

Gjatë gjithë këtyre viteve regjistrimi i popullsisë është parë si gogol nga strukturat shtetërore, ndaj dhe është shmangur deri sa më kjo nuk ishte e mundur. Këto struktura në një farë mënyre kanë qenë gjatë gjithë kohës të vetëdijshme për realitetin demografik në vend. Ndonëse Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar procesin e regjistrimit që nga viti 2002, strukturat shtetërore gjegjëse kanë të dhëna të mjaftueshme për të pasur projeksione mbi gjendjen aktuale demografike dhe lëvizjet e popullsisë. 

Projeksionet mbështeten në natalitetin, mortalitetin dhe rritjen e popullsisë në vend. Përveç këtyre, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet, do të duhej të mundësonte sigurimin e projeksioneve të pavaruara të cilat përpilohen nga të dhëna e indikatorë zyrtarë nga dikastere të ndryshme shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë, kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike, ato të telekomunikacionit, ndërmarrjet publike komunale e kështu me radhë.

Sa i përket natalitetit, të dhënat nga tabela e mëposhtme dëshmojnë se rritja natyrore sipas përkatësisë etnike për vitet 2008-2010, te shqiptarët është pozitive krahasuar me atë tek etnia maqedonase, ku vite me radhë është i pranishëm një trend rënës. 

Tabela 2. Lëvizja natyrore e popullsisë në vitet 2008-2010  

E njëjta gjë ndodh, sipas të dhënave zyrtare statistikore edhe me vitet pasuese 2015-2019, edhe pse te këto të dhëna mungojnë shifrat e vdekshmërisë sipas përkatësisë etnike, gjë që na pamundëson që të kemi rezultate lidhur me lëvizjen natyrore të popullsisë për këto vite dhe të bëjmë krahasime me periudhën paraprake.

Tabela 3. Numri i foshnjeve të lindura gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Tabela 4. Struktura e lindjeve gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Në figurat më poshtë, tabelat 3 dhe 4 janë paraqitur vizualisht për dy vite të zgjedhura nga botimi i fundit vjetor i Entit për Statistika, pra vitet 2015 dhe 2019, me qëllim të krahasimit.

Figura 1. Lindjet sipas përkatësisë etnike në vitin 2015

Figura 2. Lindjet sipas përkatësisë etnike 2019

Më poshtë kemi hartën me të dhëna ku pasqyrohet rritja natyrore e popullsisë gjatë vitit 2019 sipas rajoneve statistikore sipas të cilave është e ndarë Maqedonia e Veriut. Nga harta shihet qartë se rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe të popullsisë në krahasim me rajonet tjera. 

Figura 3. Rritja natyrore sipas rajoneve statistikore për vitin 2019

Te projeksionet shqiptare duhet të merren parasysh po ashtu deklaratat e përfaqësuesve shqiptarë, si ato në pushtet, ashtu edhe ato të opozitës. Këtu duhet pasur parasysh deklaratat si ajo e zv. ministrit të Punëve të Brendshme A. Nuhiu, i cili para një muaji pati thënë se: “sipas pasaportave valide, 30.4% janë shqiptarë duke marrë parasysh se ka edhe shqiptarë që nuk posedojnë pasaporta në shqip”. Në të njëjtën periudhë kohore, ish ministri i Arsimit Ademi, deklaroi se numri i nxënësve për vitin shkollor 2017/18, ka qenë 121 mijë e 272 maqedonas respektivisht 64,22%, ndërsa i atyre shqiptarë 60,709 respektivisht 32,15%”.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi në shkollat e mesme thonë se mbi 35 përqind e nxënësve të regjistruar në nivel të republikës janë shqiptarë. Numri i nxënësve maqedonas mund të jetë edhe më i vogël nëse merren parasysh se shumë nxënës shqiptarë, por edhe nxënësit e bashkësive etnike turke, rome, vllehe, serbe e boshnjake që mësimin e vijojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase.

Edhe nga opozita shqiptare kemi analiza dhe përfundime që janë në të njëjtën vijë. Deputeti i opozitës shqiptare H. Snopçe pati deklaruar në janar të këtij viti se: “Nëse merren të mirëqena të dhënat e vitit 2002 dhe nëse statistikisht i analizojmë lëvizjet e lindshmërisë dhe vdekshmërisë prej vitit 2003 deri në vitin 2019, unë ju garantoj se shqiptarët nuk janë më pak se 29 %, por janë mbi 29 %.”

Sa i përket palës maqedonase, diskursi i tyre mund të mos jetë i harmonizuar, por interesi i tyre i përbashkët dhe qëllimi final gjithsesi se po. 

Pas shpalljes se regjistrimi do të realizohet, vlen të veçohen dy deklarata mjaft indikative të kreut të shtetit. E para, se: “liderët e partive politike do të duhet të nënshkruajnë deklaratë politike dhe se rezultatet nga regjistrimi nuk do të sjellin rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit apo Kushtetutës”, dhe e dyta, se ai është kundër përfshirjes së grafës etnike në formularin e regjistrimit. Kjo gjithsesi se është shprehje e panikut dhe frikës nga përballja me rezultatet e regjistrimit, po qe se ai kryhet siç duhet, që do të shpërfaqte realitetin e mohuar përgjatë gjithë historisë së këtij shteti. 

Në këtë vijë, është edhe deklarata e drejtorit të Entit shtetëror për statistika, i cili në një artikull të Balkan Insight në vitin 2020, pati deklaruar se etnia nuk është faktori thelbësor në Maqedoninë e Veriut. 

Ka reagime të ndryshme, por emërues i përbashkët i këtyre reagimeve është numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që në vitin 2012 ish-udhëheqësi i OBRM-PDUKM, Lupço Georgievski kishte deklaruar se shqiptarët përbëjnë 30% të popullsisë. 

Opinioni maqedonas është i ndarë në dy pjesë sa i përket procesit të regjistrimit. Ata që e përkrahin OBRM-PDUKM, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i vogël se 20% dhe e shprehin frikën se rezultatet nuk do të jenë të sakta dhe ky numër do të jetë shumë më i madh. Pjesa tjetër janë përkrahësit e LSDM-së, të cilët janë për realizimin e regjistrimit dhe deklarohen se nuk do t’i kontestojnë rezultatet, por se në fund, të njëjtat nuk do të ndikojnë në të drejtat e fituara të asnjë etniteti. Në këtë vijë ishin edhe deklaratat e mësipërme të presidentit të vendit.

Pleksja e procesit

Nuk ka mbetur as edhe një muaj nga fillimi i procesit dhe çështjet që dalin në pah mund të ndikojnë ndjeshëm rezultatin e regjistrimit. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me homologen e tij bullgare në mars të këtij viti, duke u përgjigjur lidhur me ankesat bullgare për shkeljen e të drejtave të bullgarëve dhe pamundësisë së tyre për ta kultivuar dhe shprehur identitetin e tyre deklaroi se “organizatat qytetare duhet të takohen dhe të kërkojnë nga këshillat  regjistrues të shtojnë një rubrikë për regjistrimin e bullgarëve”. Bullgaria deri tani ka ndarë me mijëra pasaporta bullgare në Maqedoninë Lindore duke mos përjashtuar as ish zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Sipas një të dhëne, të vitit 2006, në gazetën maqedonase “Veçer” thuhet se që nga viti 1990 e deri në nëntor të 2006, 10 198 maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare. Sipas të dhënave zyrtare të prezentuara në tetor të vitit të kaluar në parlamentin bullgar, në periudhën prej janarit 2010 deri në tetor 2020 janë ndarë gjithsejt 66 mijë shtetësi bullgare për shtetas maqedonasë. 

Epilog

Në Maqedoninë e Veriut të gjithë flasin për numrin e shqiptarëve e askush nuk flet për numrin e të tjerëve në këtë shtet. Çka do që të kishte ndodhur me numrin e  përgjithshëm të popullsisë, do të kishte prekur të gjitha grupet etnike në këtë vend. Pra, nëse kanë emigruar shqiptarët, kjo nuk do të thotë se nuk kanë emigruar edhe maqedonasit, turqit, serbët, etj. Nëse është zvogëluar numri i shqiptarëve si pasojë e emigrimit, kjo s’do të thotë se nuk është zvogëluar edhe numri i të tjerëve në këtë vend.

Parashikimi i parë, lidhet me numrin e përgjithshëm të popullsisë, i cili, sipas të gjitha parametrave matëse, pritet të jetë diku rreth 1 milionë e gjysmë. Vitin e kaluar vetë drejtori i Entit shtetëror të statistikave pati deklaruar se: “Kam frikë se nuk ka më shumë se 1.5. milionë banorë në shtet, por këtë nuk mund ta vërtetoj”. 

Megjithatë, ky regjistrim mund të mos e shpërfaqë të vërtetën demografike dhe pabarazinë e mohuar sistematike mbi të cilën rri ulur këmbëkryq ky shtet, por një gjë është e vërtetë, ai nuk do të nxjerrë numër më të vogël të shqiptarëve, sepse pikërisht te shqiptaret të gjithë treguesit e matshëm janë rritës. 

Mbarëvajtja dhe rezultatet e regjistrimit mund të sjellin dy skenare të mundshme, si vijon:

– Në skenarin më të mirë, pra në qoftë se procesi i regjistrimit përshkohet nga respektimi i rregullave dhe parimeve të pranuara botërisht për të kryerjen e këtij procesi, rezultatet e regjistrimit pritet që të shpërfaqin një realitet krejtësisht të ri e të mohuar për një kohë të gjatë.

Çështja problemore atëherë do të ishte, duke marrë për bazë argumentimin më lart, se ky realitet i ri duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht, pra që në aktin më të lartë juridik, kushtetutën e vendit, e cila është po ashtu pjesë thelbësore e problemit të këtij shteti, duke e shfuqizuar burimin e të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%.

– Në skenarin më të keq mund të ndodhin dy variante edhe atë: OBRM-PDUKM të mos i njohë rezultatet e regjistrimit dhe të propozojë një datë tjetër të mbajtjes së tij, që do të kishte ndërlikime brenda dhe jashtë në aspektin e legjitimitetit institucional, ose rezultatet e dala na regjistrimi të jenë si pasojë e ndonjë manipulimi sistematik të krijuar dhe zbatuar me vite që formalisht të ulin numrin e shqiptarëve. Kjo e fundit, do t’i elektrizonte dhe zhgënjente ata, kurse veprimet për të ardhmen askush nuk do të mundte t’i parashikonte.

Në të dy skenarët e paraqitur më lart, shqiptarët duhet të veprojnë me një zë, të ofrojnë alternativat, rrugëzgjidhjet dhe strategjinë e ardhshme. Partitë politike shqiptare, dhe jo vetëm ato, por edhe universitetet shqiptare, OJQ-të, mediat, sektori privat dhe inteligjencia duhet të mobilizohen, që t’i paraprijnë procesit. 

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet:

  • Të krijojë mekanizma që nuk do të lejojnë që procesi i regjistrimit të zhvillohet pa përfshirjen e plotë të ekspertizës dhe politikës shqiptare që në fillim e deri në përfundimin e regjistrimit;
  • Të bëjë fushatë për të promovuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë shqiptare si një proces shumë i rëndësishëm dhe historik i shqiptarëve;
  • Të krijojë debat gjithpërfshirës, ku nuk do të diskutohet vetëm për regjistrimin e shqiptarëve, por të diskutohet si një proces i përgjithshëm shoqëror, ku shqiptarët janë faktor kyç.

Po ashtu, ata duhet të jenë të përgatitur për të dy situatat:

– Në rast se rezultatet nuk janë në përputhje me projeksionet e tyre dhe treguesit e institucioneve të tjera të cilat janë paraqitur më lart në këtë artikull; apo edhe në rastin e kundërt, pra,

– Në qoftë se këto projeksione e evidenca dalin të vërtetuara.

Ndodhemi, pra përpara një procesi kombëtar historik dhe kemi nevojë për qasje policentrike e fushëveprim shumëvektorësh që do t’i përfshijnë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë. Ashtu siç kemi nevojë për vigjilencë, unitet dhe një strategji bashkëkohore për të ardhmen tonë dhe brezave që do të lëmë pas.

—
Shënim:

Tabela 1 dhe 2 janë marrë nga Profesor I. Zeqiri, tabela 3 dhe 4 dhe figura 3 janë marrë nga Enti Shtetëror i Statistikave, ndërkaq figura 1 dhe 2 janë krijuar nga autorët e këtij teksti nga të dhënat zyrtare të marra nga Enti statistikor.

*E dergoi per Dielli:Albulena Halili

Filed Under: Analiza Tagged With: Albulena Halili, maqedonia e Veriut, nyja gordiane, Shemsedin Ibrahimi

ORTEKU QE FILLOI SHEMBJEN OKUPIMIT SHEKULLOR SERB

March 9, 2021 by dgreca

-40-Vjetori i Pranverës së Madhe Kosovare 1981/

Demonstratat e vitit 1981, si lavë vullkani përfshinë të gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë. Ky ortek nisi lëkundjen e zhbërjes së ish-Jugaosllavisë dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare në Kosovë. Në këto Demonstrata drejtpërdrejt, apo tërthorazi të motivuar nga vetëdija e natyrshme në kërkim të lirisë e çlirimit të Kosovës, u përfshinë të gjitha mjediset, grupmoshat, gjinitë e nivelet e shqiptarëve. Janë të paqëndrueshme propagandatë shpifëse, injoruese e delirante se, këto ngjarje ishin të herëshme dhe rrënuan gjithëçka që ishte arritur me Kushtetutën e 1974, “Ishim Republikë, veç emrin që nuk e kishim”. Por, mos të ndodhnin këto demonstrata, sot jo që nuk do kishim shtetin, por do ngelnim edhe me keq se Vojvodina, që sot është vetëm “shprehje gjeografike”, e cila krahasur me Kosovën,  kishte epërsi e privilegje politike e shtetërore shumë më të mdha. 

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

Në vargonin e kërkesave të natyrshme kombëtare politike e historike shqiptare në Kosovë, “Pranvera e madhe kosovare 1981”, është orteku më i fuqishëm, është fillimi i fundit që lëkundi fortesën e okupimit shekullor serbë, filloi korigjimin e padrejtësisë historike shqiptare. Jo vetëm ndryshoi, por filloi shembjen e ndërtimit të padrejt të shtetit të sajuar Jugosllav, ndryshoi edhe moralin e palogjikshëm të shtresimeve politike brenda vet shqiptarëve në Kosovën e asaj kohe. Ky vargon rrënoi padrejtësinë e gjitha botëkuptimeve të robërisë sllave-komuniste dhe padrejtësinë historike përgjithësisht. Demonstratat e Pranveres 1981, nuk ishin as spontane e as të parakohëshme. Ato ishin strategji e vazhdimësisë së natyrshme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për kërkesa e të drejta kombëtare shqiptare. Ishin në kohën e nivelin e duhur dhe arritën efektet e synuara politike e kombëtare. Masivizimi dhe shtrirja e këtyre ngjarjeve, për kohën e rrethanat shoqërore ekzistuese, befasuan parashikimet e politikës, jo vetëm në ish-Jugosllavinë e atëhershme, e cila trumbetonte se në Kosovë, pas plotësimit të disa nga kërkesat politike shqiptare të 1968, për shumë kohë nuk do të ketë trazira shqiptare me kërkesa politike e kombëtare, sepse Kosova kishte përfituar autorizime “gadi sikur republikat”, një parashikim të tillë, fatkeqësisht e kishte edhe politika ndërkombëtare. 

            Kërkesat kombëtare

Madje, duke ju shërbyer verbërisht këtyre okupuesve, një qëndrim të përafërt e formësuan edhe kuadrot politike e shtetërore shqiptare që, ishin në shërbim të kësaj politike. Kjo “Pranverë Kosovare” ishte fillimi i një mbarimi të robërisë shekullore sërbe dhe fillimi i zhbërjes, apo fundit i Jugosllavisë avnoiste, kjo Pranverë e Madhe Kosovare, për dallim nga ngjarjet e “Solidarnostit” në Poloni, kishte qëllim dhe aspiratë historike për çlimim kombëtar nga robëria shekullore sllave. Megjithate, këto dy ngjarje mbrënda vitit 1981, lëkundën të gjitha konceptet e ndërtuara nga komunizmi në tërësi. Këto kërkesa politike e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, kishin një strategji të përgatitur gjatë dhe kishin shtrirje vazhdimësie me karteristika të veçanta. Këtë në zbatim praktike e dëshmoi vet procesi i zhvillimit dhe shtrirja hapësinore e tyre në gjitha mjediset urbane të Kosovës. Natyrshëm këto ngjarje i filluan studentët, vetëdija dhe ndërgjegjja më e guximshme e popullit, të cilëve ju bashkuan, shumë intelektualë, nxënës, arsimtarë, punëtorë, minatorë e nëpunës. Ato procese mjeshtërisht u dhanë si masazh informativ politik me formë e përmbajtje provokative social, të cilat në fillim një pjesë e politikës shtetërore qellimisht i trumbetoi si ngjarje joshqetësuese për administratën e ashpër të shtetit, i mori si veprim pakënaqësie për kushtet materiale dhe për pozitën e rëndë të studimeve. Kështu u mat niveli i veprimit të shtetit, politikës dhe organeve administrative shtetërore, edhe pse për këto të fundit, ishte deponuar forca e rrezikimi kërcnues për rinin studentore dhe vet popullin demonstruest. Pas analizës së thellë e rezultateve të pritura, shtrohen kërkesat politike e kombëtare, gjithnjë me vendosshmëri, forcë morale e zgjerime koncentrike. Pas realizimit të pjesërishëm të kërkesave anësore, por jo kërkesën për Kosovën Republikë deri në vetëvendosje, që ishte kërkesa bosht e  të vitit 1968, U lejua përdorimi i simboleve kombëtare, si Flamurit Kombëtar, u përmbush kërkesa për hapjen e Universitetit dhe Kushtetuta për zgjerimin dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës, me cilat krekosej padurueshëm në mënyrë delirante në çdo mjedise e nivel, jo vetëm politika sllave mbërnda dhe jashtë, por edhe pjesa e verbët politike shqiptare, siç veprojne edhe në ditët tona disa nga ish-kuandot komuniste shqiptare, të cilat jo-njerëzisht trumbetetojnë për “meritatë dhe kontributin” që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare në “kohën e tyre” Ata atëherë krekoseshin për Kushtetutën më “humane”, të cilën ato strukturat politike e qeveritare, edhe pse nuk ishin dëgjuar të gjallë dy dekada, 1948-1968, e merrnin për kontribut të punës së tyre dhe sikur me këtë kanë mbulluar “diellin me shoshë”, imponohje para vet shqiptarëve një moral politik jo i natyrshëm, se shqiptarët duhet të jenë të “kënaqur në robëri” dhe namit që kishte arritur për këte në politikën ndërkombëtare. Kjo sipas disa politikanëve të atëhershëm pro-Jugosllav, ndonjë “intelektuali, akademiku e shkenctari” edhe të sotshëm, është kontribut i ndjenjës së tyre kombëtare. Me këto veprime politike, ata injoronin e panjerzishëm edhe sot injorojnë kërkesat e atëhershme të studentëve dhe sakrificën e popullit shqiptarë, duke etiketuar jonjerëzisht atëherë e sot, se demonstratat ishin motivim e nxitje e nëntokës serbe dhe KGB ruse së cilës ata vet i sherbenin verbërisht, por, pa pëmendur se për këtë shqiptarët sakrifikuan mund, gjak dhe jetën e vetë.

            Shqiptarët demonstruan në nivelin e ndërgjegjes kombëtare

                 Pushteti sllavokomunist për ta venë në heshtje e shuar mendimin politik të shqiptarëve gjatë dhe pas demonstratave filloi ndjekjen masive, dhe për kohë të gjatë përhapnin urrejtje e armiqësi kundër shqiptarëve. Ata përgatiten për ti fyer, për ti goditur, për ti sjellur prapa parmakëve të burgjeve e për ti vrarë.  Për gjatë kohë trajtoi me mjete policore, administrative e ushtarake mbi shtatëqind mijë shqiptarë. Kreu burgosje e arrestime, vrasje e plagosje, ndjekje e diferencime, dhe në vazhdim të kohës ndërmorri masat e ndalim shkollimit e studimit dhe largimeve nga puna. Përdori gjitha mjetet e format dhunës për ngulfatjen e zhdukjen e substancës biologjike të çdo vlere matriale e shpirterore shqiptare në këtë hapësirë etnike autoktone shqiptare. Politika serbe mendonte se i erdhi koha e realizimit të strategjive, projekteve e memorandumeve për shuarjen e vetëdijesimit të shqiptarëve dhe mbytjen me dhunë të ndëgjegjes kombëtare shqiptare në Kosovë. Këto ndjenja kombëtare shqiptaret i kishin shprushur si zharavën e fjetur menjeherë pas vitit 1966, por ato muarën rritë e lëshuan shtat me manifestimin e 500 Vjetorit te Vdekjes së Skënderbeut, Konsulta për Njësimin e Gjuhës Letrare Kombëtare 1968. Rezistencë e qëndrueshme, ishte kalitur e forcuar që nga demonstratat e vitit 1968. Ndikime të veçanta shpirtërore bëri hyerja nga Shqipëria në Kosovë e literaturës kombëtare historike, letrare, programeve skenike e artistike muzikore. Veçmas ardhje-vajtjet e profesorëve nga Tirana në Universitetin e Prishtinës. Zhvillimet nga brenda që nga 1968 kishin rritje të natyrshme. Studentët organizatorë e pjesëmarrës aktiv të demonstratave të atëhershëm, tash ishin kuadro që drejtonin dhe mbanin në duar të tyre gjithë sistemin arsimor dhe pushtetit shpirtëror e material shqiptarë në Kosovë. Ata drejtonin e qeverisnin entet dhe institucionet e kulturës dhe shkencës si edhe ndërmarrjet ekonomike. Me një fjalë ata ish-nxënës e student, tash drejtonin qenien shpirtërore e materiale të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-jugosllavi. Të gjitha këto potenciale, u dëshmuan me veprimet atdhetare më 1975 Grupi i Kamenicës kur Bacë Adem Demaçin të burgosur për herë të tretë dhe për të dytën herë denohet me 15 vjet burg. Në vazhdim, pas vizitës së fundit titos më 1979, të cilin rinia dhe intelegjenca shqiptare e priti me paknaqësi. Për këtë revoltë pakënaqësie sistemi politik e policore komunist sllavë, ndërmorri masa të ashpra. Përveç trajtimeve të shumta policore, politika e atëhershme denoi me kundërvajtje, burg hetues dhe për vepra penale mbi 400 të rinj veprimtarë shqiptarë të çështjes kombëtare. Kjo fushatë arrestimesh e denimesh, forcoi vetdijen kombëtare të rinisë shkollore, studentore e intelektuale dhe përgatiti hapësira veprimi revoltues për fillimin e Demosntratave të Pranverës së Madhe Kosovare të 1981. Ky vargon veprimesh atdhetare dëshmoi hapur, se shqiptarët nuk mund të mashtroheshin nga verbëria kozmetike e politikës komuniste, e cila mendonte me shkurtpamësi, se ka arritur synimin, që edhe shqiptarët ti ç’vesh nga virtyti e krenaria kombëtare dhe ndjenjën  fetare e njerëzore, se edhe me shqiptarët ka krijuar, jo natyrshëm, një popull të kënaqur në robëri, se edhe nga shqiptarët ka krijuar proletarë të barabartë me njeriun figurë, pa ndjenjë kombëtare e tipar fisnik tjetër dallues.

            Demonstratat vitit 1981, si lavë vullkani, përfshinë të gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë. Në ato demonstrata drejtpërdrejt apo tërthorazi, u përfshinë të gjitha strukturat student, nxënës,arsimtarë, punëtorë nëpunës e sidomos minatorët dhe grevat e tyre rekordere të urisë, në demonatrata u përfshinë edhe gjitha grupmoshat e mjediset shqiptare. Dhuna e represioni i pushtetit serbë, i cili mendoi të hakmerrej edhe për Demnstratat e 1968, vetëm sa e forcoi dhe e zgjeroi aspiratën tonë kombëtare.

                        Pjatat që prishën “parajsën Jugosllave

 Pas 11 marsit 1981, kur “rrapllima e pjatave”, nga një femër shqiptare studente e Universistetit të Kosoës,në Qendrën Studentore të Prishtinë, lajmëruan rënien e komunizmit, dhe demonstrimin për plotësimin e kërkesës politike e kombëtare shqiptare për Kosovën Rapublikë dhe pavarësimin e saj nga okupuesi komunist sllavë. Demonstratat masive shqiptare u zgjeruan dhe u zhvilluan me ashpërsi e vendoshmëri edhe më 25 mars në Prizren dhe 26 mars 1981, “kur bartej stafeta” në Prishtinë dhe nga Prishtina nëpër qytetet tjera të Kosovës. Por, 1, 2 e 3 prilli i këtij viti, vala e demonstrimit përfshiu të gjitha qytetet, mjediset e nivelet në Kosovë. Shqiptarët masovikisht demonstronin në vazhdimësi të kohës me moral e nivel edhe më të lartë   të ndërgjegjes kombëtare dhe të vetdishëm së fortë e për një qëllimin të synuar historik deri në sakrificë. U shkund bindja e e politikës serbe dhe e shumicës nga individët në nivelet shqiptare. U këndellën zërat e mendjet, që më parë ishin kristalizuar politikisht e kombëtarisht gjatë shërbimit të verbët në pushtetin serb. Ky ortek bëri ndryshime pozitive në gjithë strukturën e shtresimeve politike shqiptare të “dimrave të ftohtë”, mbi katër dekada që karakterizohej, jo vetëm me të “ftohtë”, por edhe me verbëri naive e të panatyrshme, vetëm për interes të ngushtë primitiv, servilizëm e nënshtrim të heshtur, që aspironte krijimin e shqiptarit me psikologji robi, sikur ata janë të pasigurt e të paaftë për të krijuar hapësirën e vet shtetërore, duke ngritur ndërtimin e moralit negativ, se shqiptarët nuk mund të jenë vet subjekt i pushtetit dhe qeverisje se vetvetës. Ishin krijuar bindje jologjike, se shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për tu shkoqur nga ky soj i barbarisë e për të dalur nga robëria sllave. Madje, çdo tentim për dalje nga kjo robëri, që na e ndau padejtësisht Evropa. Thonin profetët e politikës nënshtruese. Shkelim në përcaktimin e fatit tonë të përcaktuar historik. Prishja e “fatit tonë kombëtar”, do të kushtonte me qindra mija të vrarë, e ndoshta edhe me shfarosjen tonë. Të gjitha këto paragjykime të trishta, kishin qellim të krijonin moral të deformuar e bindje të ligë për paaftësi kombëtare shqiptare. Këtë politikë të acart antishqiptare në Kosovë, e shkriu Pranvera e Madhe e vitit 1981.

Viti i lavdishëm i historisë sonë të re 

            Ky vit i lavdishëm i historisë sonë më të re, na bashkoi e na mbushi me vetëdije e guxim për veprime konkrete drejt lirisë e pavarësisë kombëtare. Që nga viti 1981, bashkëveprimi kombëtar u njësua në shkallë të lartë. Përkundër sulmeve rrënuese të gjitha vlerave materiale e shpirtërore shqiptare të pushtetit serb, ne përtëritnim forcën e vendosshmërisë si feniksi, për afro një dekadë 1981-1989 rezistuam duke hulumtuar të gjejmë formën adekuate të veprimeve vendimtare të ndarjes shpirtërore e fizike nga okupimi shekullor. Bëmë rezistencë të hapur në forma e menyra veprimi të ndryshme. Kur synohej rrënimi kushtetues kozmetik, që sipas politikës komuniste, Kosova kishte “përfituar autorizime gadi sa republikat”, i vuam këmbë. Kur përballeshim me synimet shkatërrimtare të substancës sonë, të sulmuar për zhdukje nga shumë drejtime, populli u ngrit në mbrojtje. Lubia kërkonte zhdukjen tonë shpirtërore e biologjike, para së cilës nuk u dorëzuam dhe ia pamundësuam ecjen. Nga ky uragan shkatërrues, mund  të shpëtonte, vetëm një popull vital i urtë, me mendje të zhdërvjellët e lëvizje kreative. U arritë të bëhet organizimi në parti politike 1990, të tfillojmë demokracinë. Kështu edhe në Kosovë u hapën proceset demokratike, u organizuam në veprime konkrete politike dhe imponuam rregulla të reja të lojës. Praktikisht filluam rrugën e zhveshjes së problemit kombëtar me veprime joviolente. Njoftuam opinionin ndërkombëtar për pozitën e rëndë dhe rrezikimin e qenies sonë kombëtare e njerëzore. Dëshmuam cilësi njerëzore e urtësi paqësore. Kërkuam ndryshimin e situatës të këtij realitetit të vrazhdë shoqëror. Hapëm rrugë të zgjedhjes demokratike të problemit pa dhunë e konflikte. Të gjitha këto përpjekje rezultuan me ndërkombëtarizimin e çështjes dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Të gjitha këto përpjekje demokratike, nga okupuesi shekullor sllav sikur u maurën për frikë e paaftësi e jonë, u marën për pa fuqi e pa dituri e jonë kombëtare, u etiketuam për nacionalizëm negativ, për secesion të pa natyrshëm, dhe krejt në fund. Kur u hargjuan të gjitha përpjekjet dhe format e veprimeve tona politike nga filozofia e politikës paqësore. Detyrimisht morëm mjetin e fundit, Veprimin Ushtarak. I cili, jashtë vullnetit e mundësisë sonë reale, që me gjakderdhje të kryhet zgjidhje e problemit shqiptarë në Kosovë, për ti hikur fatalitetit, pastrimit etnik dhe zhdukjes biologjike njerëzore e kombëtar, Doli publikisht zotdalsja Ushtria Çlirimtare e Kosovës /UÇK/ 1997. Praktikisht doli strategjia e veprimit ushtarak e politik, filozofia e re dhe e fundit, veprimi ushtarak e politik, si domosdo e “intervenimit kirurgjik”, i cila pasi u përcoll me vëmendje nga subjektet dhe qendrat diplomatike e ushtarake ndërkombëtare të vendosjes, Rambuje e Paris 1999, u analizua nga të gjitha këndet, niveli njerëzor, teknik e politik i veprimeve luftarake. Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpejt fitoi simpatinë e subjektit politikë e ushtarak ndërkombëtar NATO nga 24 mars deri më 10 qershor 1999, dhe arriti  të krijojë mrekullinë monumentale, aleancë të mirëfilltë me forcën më të madhe botërore të vullnetit, për shpëtimin e katastrofës njerëzore nga aparthejdi, gjenocidi dhe pastrimi etnik serb në Kosovë. Dëbojë dhunën serbe nga trojet shqiptare të Kosovës. Ktheu në tokën e djegur afro një milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga trojet e veta qershor 1999. Sigurojë qetësi dhe jetë normale për të gjithë njerëzit e ndjekur nga “toka e premtuar”, dhe të krijojë mjedis të shëndosh për formimin e institucioneve demokratike për këtë popull të ndjekur. Pranvera e madhe 1981, sot e tete vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikes së Kosovës, më 17 shkurt 2008, na shërben për datë e përvjetor të madh. I shërben kujtesës sonë pozitive hsitorike për krijimin e bashkëveprimit, për zhdukjen e përçarjeve, shëmtisë sonë kombëtare. Përkundër, se atëherë në “motin e madh” të 1981, ishim pa asnjërën nga këto subjekte politike e shtetërore. që sot i kemi në Republikën e Kosovës së pavarur. Edhe tash kërkohet të jemi të përgjegjëshëm e pergjegjës ndaj popullit, shtetit dhe pushtetit, ashtu siç ishim më 1981. Të përbashkuar rreth çështjes kombëtare dhe realizimit të aspiratës sonë historike që, sot në Kosovën e pasluftës kemi gjitha parakushtet e volitshme historike për ndërtimin e një shteti me punë të disiplinuar e demokraci të lartë civilizuese për ngritjen e shtetit dhe bashkimin kombëtar.  Në të kundërtën, do të na gjykojnë breznitë e ardhshme, do të na peshojë historia. Dhe me fajin tonë, të ndëshkohemi pafalshëm për moskonsolidimin tonë kombëtar në momentin vendimtar të

historisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: 40 vjetori, Demonstratat e 81, Ismail Gashi Sllovia

Natyrshëm

March 9, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Feja është i lashtë. Shkenca është e re. Njerëzit që besojnë vazhdojnë të besojnë. Shkenca i ndryshon vazhdimisht vlerat e veta. Gjithashtu, njerëzit kërkojnë të vërtetën më të thellë për të mbushur boshllëqet e lëna nga shkenca. 600 vjet më parë të gjithë ishin të sigurt se bota ishte e sheshtë dhe se shushunjat ishin forma më e mirë mjekimi. 50 vjet më parë, kishte shkencëtarë që thonin se sot të gjithë do të fluturonim me makina, dhe parashikonin se në të gjithë botën nuk do të kishte nevojë për më shumë se 4 kompjuterë. Edhe sot shkencëtarët nuk mund të kuptojnë se si funksionon graviteti ose si disa peshq mund të migrojnë mijëra kilometra për t’u kthyer përsëri në vendin e saktë ku kanë lindur. E njëjta shkencë që hodhi poshtë Adamin dhe Evën si përrallë të largët, na dha teorinë Bing Bang të krijimit, apo të efektit të pavarur, ose të pasojës pa shkak.
Shkenca është e re. Feja është traditë. E reja, në sulm. Tradita është në mbrojtje.  Kahjet nuk mund të jenë ndryshe, pasi do të kundërshtonin vetë natyrën e tyre. Ka shembuj të panumërt të shkencëtarëve të shquar, të kaluar dhe të tanishëm, që besojnë në Zot.
Bertrand Russell, matematikan dhe filozof i famshëm britanik, nuk besonte në Zot. Një herë u pyet nga një grua – “Z. Russell, ju nuk besoni në Zot, por çfarë do të bëni nëse, pasi të vdisni, papritur e gjeni veten para Zotit për gjykim?” Russell u përgjigj – “Në atë rast zonjë, unë do të jem i lumtur të ndryshoj mendim”.
Sondazhi i parë lidhur me besimin në Zot mes shkencëtarëve në Amerikë u krye më 1916, dhe krahasuar me rezultatet e një sondazhi të ngjashëm vitin e kaluar (2020) nga PEW, numri ishte njësoj: rreth 50 përqind e shkencëtarëve thanë se besojnë në Zot. Duket se 50 përqindshi tjetër pret ditën e gjykimit të fundit për të ndryshuar mendje. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Natyrshëm

ÇFARE FSHEH PLANI I QEVERISE KINEZE LIDHUR ME TRANSFERIMIN E UIGUREVE NE KRAHINA TE TJERA TE KINES?

March 6, 2021 by dgreca

Perktheu Gjon Kadeli/

Kina ka fillue nje proces transferimi te qinda mija puntoreve Uigure e te grupeve te tjera etnike te krahines Xinjiang ne pune te reja,shpesh here larg nga shtepite e tyne. Ky veprim asht tuej shkaktue paksimin e numrit te banoreve te asaj krahine qe perbahet me shumice nga Uiguret.
Qeveria kineze pretendon se nuk asht tuej u perpjekun te ndrushoje popullsine e krahines perendimore,sepse tranferimi  i puntoreve ka te baje me shtimin e te ardhunave te tyne dhe per t’i dhane fund papunsise se vazhdueshme ne zonat fshatare, si edhe me paksue vorfnine.
Por, simbas nje studimi te ba nga nje grup personash te nivelit te nalte britanik rreth kesaj ceshtjeje,qellimi nuk asht ai qe pretendohet. Ne baze te te dhanave qe kemi mbi kete gja, tuej perfshi ketu edhe kampet e riedukimit, te ndertueme ane e man krahines se Xingjangut gjate vjeteve te fundit, plani ka te baje me nje process detyrues shume te rrezikshem dhe se qellimi i vertet asht shperbamja (asimilimi) i pakicave kombetare, tuej ndryshue menyren e jeteses dhe
te mendimit te ketyne njerezve.
Ne nje film qe asht dergue nga nje person nga Xinjangu i Kines vehen ne dukje perpjekjet e shumta detyruese qe bahen gjate transferimit te Uigureve nga krahina e tyne ne pune neper fabrika e pune te tjera ne zona ,deri ne 4 mije kilometra larg shtepive te tyne.
Ne filmin ne fjale vehet ne dukje se si zyrtaret kineze folshin me nje burr, i cili shifej qarte se ngurronte shume per te dergue vajzen e tij Buzajat ne vende aq te largta. Baba ne fjal thote “patjeter ka ndonje njeri tjeter qe deshiron te shkoje.” Ai prap perpiqet me i bind ata tuej thane “ne mund te jetojme ketu sic kemi jetue deri tashti.”.
Mandej zyrtaret kinez folen drejt per drejt me vajzen e tij 19 vjecare Bazajnat. Ata i thane asaj se nese ajo rrin ketu do te martohet dhe keshtu, nuk do te mundet kurr te largohet nga ky vend.Zyrtaret kineze ju drejtuen perseri vajzes tuej i thane “mendo perseri, a do te
shkojsh.”.Nen presionin e madh te zyrtareve qeveritare dhe te gazetareve te
televizorit shttnore, ajo e luejti kryet disa here dhe u pergjejgj “nuk do te shkoi>” Megjithe kete, presioni vazhdoi, deri sa ma ne fund, tuej qa, pranoi tuej thane “une shkoi vetem ne qofte se shkojne edhe te tjere”.
Filmi mbaroi tuej tregue se si po perqafohesgin me sy te perlotun kur vajza Bazanjap e te tjerat te mobilizueme lane familjet e kulturen e tyne mbrapa
Ajo qe vihet ne dukje ne kete film asht nje fushate masive detyruese kineze per te shpergulun Uiguret e grupet te tjera etnike nga vendlindja e tyne.(Perkthyer nga  nhe artikull i BBC)

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Plani i fshehte kinez, Uiguret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 284
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT