• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

February 9, 2021 by dgreca

Nga Ken Bredemeier-VOA/

 Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi.

Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. 

Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.

Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane”. Ish-Presidenti republikan u akuzua më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët për nxitje të rebelimit, duke u bërë kështu i vetmi president që akuzohet dy herë dhe i vetmi ish-president që përballet me një gjyq në Senat.

Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një “përjashtim të janarit” që do t’u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit.

“Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë… Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë”, i tha ai gjyqit, në të cilin senatorët shërbejnë si anëtarë të trupës gjykuese.

Avokatët e mbrojtjes planifikojnë të argumentojnë se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres.

Por shumica e ekspertëve ligjorë thonë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrën, siç u shpreh profesori i drejtësisë i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, një studiues kryesor i këtij procesi.

Demokratët e Senatit pritet të mbizotërojnë në votimin e së martës mbrëma mbi kushtetueshmërinë e gjyqit. Një përpjekje republikane për ta bllokuar gjyqin mbi një bazë të tillë u rrëzua muajin e kaluar në një votim që përfundoi 55-45.

Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t’u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.

Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Por pavarësisht rezultatit zoti Trump do të jetë i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati.

Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zoti Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për “nxitje rebelimi”.

Me përfundimin e mandatit të tij, më 20 janar, ditë kur u inaugurua Presidenti i ri i vendit Joe Biden, zoti Trump u nis drejt Floridës.

Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk pritet të marrë pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.

Nëntë ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët shërbejnë si prokurorë të çështjes, thonë se zoti Trump, falë nxitjes së mbështetësve për të msyrë drejt Kapitolit, për të përmbysur humbjen në zgjedhje, është “i vetmi përgjegjës” për trazirat që pasuan.

Zoti Trump u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si “të papranueshëm”. Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi me breshërinë e pretendimeve të tij të pabazuara, të hedhura për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, i kushtuan atij mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve “që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen” duke marshuar drejt Kapitolit.

Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen”.

“Ne do të luftojmë”, shtoi ai. “Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet”, tha zoti Trump.

Në një argumentim ligjor të çështjes përpara gjyqit në Senat, prokurorët e çështjes thanë se: “Përgjegjësia e Presidentit Trump për ngjarjet e 6 janarit është e qartë” dhe se “sjellja e tij duhet të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje”, edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. David Schoen dhe Bruce Castor, dy avokatët me eksperiencë që do të përfaqësojnë zotin Trump, argumentojnë se duke qenë se ai nuk është më president, ai nuk mund të hiqet nga detyra dhe se gjyqi ndaj tij është anti-kushtetues.

Sidoqoftë, Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati. Për më tepër, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve argumentojnë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.

Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor.

Senatori Paul thotë se ekzistojnë “zero shanse për dënimin e tij”. Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.

Të martën, avokatët e zotit Trump dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë sërish si prokurorë, debatuan për kushtetueshmërinë e zhvillimit të gjyqit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fillojnë të paraqesin argumentet e tyre të mërkurën, ndoshta duke shfaqur disa nga xhirimet e marra gjatë orëve të trazirave.

Në vazhdim, avokatët e presidentit do të përgjigjen me mbrojtjen e tij. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.

Avokatët e zotit Trump kanë ngritur një mbrojtje të fuqishme dhe pretendojnë se ish-presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar.

Në një material përmbledhës të paraqitur të hënën, ata pretenduan se çështja kundër tij është një “teatër politik” i demokratëve anti-Trump. Avokatët e zotit Trump sugjeruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t’u angazhuar në një protestë paqësore.

“Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona”, shkruajnë avokatët. “Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.

Në përgjigje, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë thanë se, “Ne jetojmë në një vend të qeverisur nga shteti ligjor, dhe jo nga dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje”.

“Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta”, shkruajnë ata. “Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t’i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota. Siç thuhet në akuzë, Presidenti Trump shkeli betimin e detyrës së tij dhe tradhtoi popullin amerikan”, shkruajnë prokurorët.

Filed Under: Analiza Tagged With: gjyqi, Presidenti Trump, Vota ne Senat

BARAZI

February 8, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Fjala nuk ndryshon, por ndryshon idea e saj dhe kushtet. Si rrjedhim, e njëjta fjalë interpretohet ndryshe. Koncepti i barazisë, për shembull, siç u shpreh në Deklaratën Pavarësisë më 1776, kishte si qëllim të përçonte të drejtën e Amerikës për të qenë e barabartë me kombet e tjerë. Ajo që Deklarata e Pavarësisë kishte për qëllim të deklaronte ishte fakt i qartë se një popull i ri po përgatitej të merrte statusin e vet të barabartë me kombet e botës. 
Por në dekadat pas pavarësisë, amerikanët filluan të lexonin pohimin e zhurmshëm se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” në terma të ndryshëm. Vizioni i ‘barazisë mes kombeve’ po i linte vendin ‘barazisë brenda kombit’. Kjo ishte mënyra sesi Abraham Lincoln ritheksoi paragrafin e Deklaratës së Pavarësisë që ‘të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë’ në Fjalimin e Getisburgut në vitin 1863, që ndihmoi për t’i thënë fund vizionit të ‘barazisë mes kombeve’ – që Thomas Jeffersoni e kishte artikuluar më 1776 – dhe tani po e njëjta shprehje sfidonte statusin politik, juridik e shoqëror të racës e gjinisë brenda kombit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Barazi

Vdes ish-Sekretari i Shtetit George P. Shultz

February 8, 2021 by dgreca

Nga Naser Sertolli/VOA-Ish-Sekretari amerikan i Shtetit George P. Shultz, një titan i jetës akademike, biznesit dhe diplomacisë amerikane i cili kaloi shumicën e viteve 80 duke u përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik e duke krijuar një kurs paqeje për Lindjen e Mesme, u nda nga jeta në moshën 100 vjeçare.

Zoti Schultz vdiq të shtunën në shtëpinë e tij e cila ndodhet në kampusin e Universitetit të Stanfordit. Ai ishte një bashkëpunëtor i shquar i Institutin kërkimor Hoover, e mbante titullin e profesorit në Shkollën Pasuniversitare të Biznesit në Stanford edhe pas daljes së tij në pension.

Instituti Hoover njoftoi vdekjen e zotit Schultz të dielën, por nuk bëri të ditur shkaqet e vdekjes.

Një republikan i përjetshëm, zoti Shultz mbajti tre poste të rëndësishme në kabinetet qeveritare gjatë administratave të drejtuara nga republikanët.

Ai ishte Sekretar i Punës, Sekretar i Thesari dhe drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit nën Presidentin Richard M. Nixon përpara se të shpenzonte më shumë se gjashtë vjet në detyrën e Sekretarit të Shtetit kur Shtëpia e Bardhë drejtohej nga Presidenti Ronald Reagan.

Zoti Schultz ishte sekretari Shtetit me kohën më të gjatë të qëndrimit në këtë detyrë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë jetës së tij, zoti Shultz pati suksese në pothuajse gjithçka që preku, përfshirë fushën akademike, mësimdhënien, shërbimet qeveritare dhe botën e korporatave. Ai u respektua gjerësisht nga kolegët e tij që i përkisnin të dy krahëve të politikës.

Pas hedhjes në erë në tetorit e vitit 1983 të kazermave ushtarake amerikane në Bejrut, ku si pasojë u vranë 241 ushtarë, zoti Shultz punoi pa u lodhur për t’i dhënë fund luftës brutale civile në Liban. Ai kaloi orë të panumërta duke shërbyer si ndërmjetës mes palëve në një përpjekje për të siguruar tërheqjen e forcave izraelite.

Përvoja e bëri atë të besonte se stabiliteti në rajon mund të sigurohej vetëm me një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Ai u nis për një mision ambicioz, por përfundimisht të pasuksesshëm për t’i ulur palët në tryezën e negociatave.

Megjithëse zoti Shultz nuk e arriti qëllimin e tij për ta futur Organizatën Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelin në një kurs drejt një marrëveshje paqeje, ai formësoi rrugën për përpjekjet e administratave të ardhshme në Lindjen e Mesme, duke legjitimuar palestinezët si një popull me aspirata e interesa të vlefshëm në përcaktimin e së ardhmes së tyre.

Si kryediplomat i kombit, zoti Shultz negocioi traktatin e parë për zvogëlimin e arsenalit bërthamor të Bashkimit Sovjetik, megjithë kundërshtimet e ashpra nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev ndaj “Iniciativës Strategjike të Mbrojtjes” së Presidentit Reagan.

Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi i vitit 1987 ishte një përpjekje historike për të ndryshuar kursin e garës së armëve bërthamore, një qëllim të cilin ai nuk e braktisi kurrë në jetën private.

“Tashmë që dimë kaq shumë mbi këto armë dhe fuqinë e tyre”, tha zoti Shultz në një intervistë në 2008 “ato janë pothuajse armë që nuk do t’i përdorim, kështu që mendoj se do të ishim më mirë pa to”.

Ish-Sekretari i Shtetit Henry A. Kissinger, duke reflektuar në kujtimet e tij mbi atë që e ka cilësuar si “Shultzi shumë analitik, i qetë dhe altruist”, i dedikoi atij një vlerësim të jashtëzakonshëm në ditarin e tij: “Nëse do të zgjidhja një amerikan, të cilit do t’i besoja fatin e kombit në krizë, do të ishte George Shultz”.

George Pratt Shultz lindi më 13 dhjetor 1920, në qytetin e Nju Jorkut dhe u rrit në Englewood të Nju Xhersit. Ai studioi ekonomi, çështje publike e ndërkombëtare në Universitetin e Princeton-it, ku dhe u diplomua në 1942.

Pas Princeton-it, zoti Shultz iu bashkua trupave të Marinës dhe u ngjit në gradën e kapitenit si oficer artilerie gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në 1949 ai morri gradën e doktorit në ekonomi në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit (MIT) dhe dha mësim aty dhe në Universitetin e Çikagos, ku shërbeu si dekan i shkollës së biznesit. Përvoja e tij në administratë përfshinte një post si një nga ekonomistët kryesor të Këshillit të Konsuletëve Ekonomikë të Presidentit Dwight D. Eisenhower dhe si drejtor i Zyrës për Menaxhimin dhe buxhetin gjatë administratës Nixon.

Zoti Shultz ishte president i kompanisë së ndërtimit dhe inxhinierisë Bechtel Group nga 1975-1982 dhe dha mësim me kohë të pjesshme në Universitetin Stanford përpara se t’i bashkohej administratës Reagan në 1982, duke zëvendësuar Alexander Haig-un, i cili dha dorëheqjen pas përplasjeve të shpeshta me anëtarët e tjerë të administratës.

Në 1985 u shënua një mosmarrëveshje e rrallë publike mes zotit Reagan dhe zotit Shultz, kur presidenti urdhëroi me mijëra punonjës të qeverisë federale me qasje tek informacionet e sekrete, që të kryenin një test me aparatin që identifikon gjënjeshtrat, kjo si një mënyrë për të bllokuar rrjedhjen e informacionit. Zoti Shultz u tha gazetarëve se në atë “moment që kjo qeveri e ka humbur besimin tek unë do të jetë dhe dita kur unë largohem”. Shumë shpejt administrata e tërhoqi kërkesën. Një mosmarrëveshje më serioze ishte rreth shitjes sekrete të armëve Iranit në 1985 me shpresën për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane të mbajtur në Liban nga milicia e Hezbollahut.

Megjithëse zoti Shultz e kundërshtoi, zoti Reagan vazhdoi me marrëveshjen dhe miliona dollarë nga Irani shkuan tek guerilasit e krahut të djathtë Contra në Nikaragua.

Pasi Reagan u largua nga detyra, zoti Shultz u kthye tek kompania Bechtel.

Ai u tërhoq nga bordi i kompanisë në 2006 dhe u kthye në universitetin e Stanford-it dhe në Institutin Hoover.

Në vitin 2000, ai u shndërrua në një nga mbështetësit e hershëm të kandidimit për president të George W. Bush, babai i të cilit kishte qenë nënpresident ndërsa zoti Shultz shërbente si Sekretar Shteti. Zoti Schultz shërbeu si këshilltar jozyrtar i fushatës së tij.

Zoti Shultz mbeti një avokat i flaktë i kontrollit të armëve në vitet e tij të mëvonshme, duke folur kundër disa qëndrimeve kryesore të republikanëve. Ai shkaktoi polemika pasi e quajti luftën kundër drogës për qëllime argëtimi, të mbështetur nga zoti Reagan, një dështim dhe qortoi embargon e gjatë të Shteteve të Bashkuara mbi Kubën duke e cilësuar atë “të çmendur”.

Ai ishte gjithashtu një ithtar i shquar i përpjekjeve për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se injorimi i rreziqeve ishte vetëvrasje.

Zoti Shultz, së bashku me ish-sekretarin republikan të Shtetit Henry Kissinger, tërhoqën vëmendjen e shtypit gjatë fushatës presidenciale të 2016, kur refuzoi të mbështesë kandidatin republikan Donald Trump. Ai u citua të thoshte “Zoti na ndihmoftë” kur u pyet mbi mundësitë e zotit Trump për të ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Shultz ka qenë i martuar me Helena “Obie” O’Brien, një infermiere e ushtrisë me të cilën u takua gjatë Luftën e Dytë Botërore dhe patën pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj, në 1995, ai u martua me Charlotte Maillard, në vitin 1997.

Në 1989 zotit Shultz i është dhënë titulli më i lartë civil i kombit, Medalja Presidenciale e Lirisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: 100 vjeç, George P. Shultz, vdiq

Vota e harruar e emigrantit

February 7, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Sipas gjasave edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 emigrantët shqiptarë nëpër botë nuk do të votojnë. Kushdo që supozon në një Komision zgjedhor të suksesshëm, është palë e regresit plot 30 vjeçar të politikës në Shqipëri. Madje është një turp intelektual që shtypi nuk ka asfare presion mbi reduktimin e borxhit që kasta politike ka ndaj qytetarit të saj. Madje kur dëgjon si justifikim se mënyra se si votojnë emigrantët shqiptarë të Kosovës, me postë dhe që supozon probleme etj., bashkëpunon fuqishëm me regresistët. Në raport me Kosovën ne jemi vite dritë mbrapa. Qytetaria e shqiptarëve të Dardanisë është tërësisht ndryshe nga ajo e shtetit amë. Kuptohet ne po e ndërtojmë demokracinë me mendësinë e diktatit. Shqiptarët emigrantë të Dardanisë votojnë thjeshtë, e gjeni mënyrën e aplikuar në faqen e KQZ-ës së Prishtinës. Për ta kuptuar, emigrantit nga Dardania i duhet të regjistrohet online. Dhe komisionerët KQZ-ës në Prishtinë bëjnë verifikimin përmes telefonit. Më tutje ky qytetar printon fletën e votimit, voton dhe e nis atë të mbyllur në zarf përmes postës. Dhe kjo ka një afat të paracaktuar, që domethënë voton më herët, pasi posta do ditë të çojë në destinacion votën tuaj. Kësisoj votat e emigrantëve mblidhen mënjanë në seksionin përkatës dhe numërohen në fund. Pasi ka mbaruar votimi dhe numërimi i votave në gjithë vendin. Kaq dhe nuk ka se ku vej më thjeshtë. Kurse në Shqipëri ka një heshtje humnerë në lidhje me këtë çështje. Madje ca mjekrrosha me kollare nëpër studio ja hedhin fajin KQZ-ës në Tiranë. Qeveria e ka bërë të sajën, e nxorri ligjin, i mbete KQZ-ës të operoj më tej. KQZ-ja ngre supet dhe kërkon konsensus politik. Opozita ja hedh fajin të dyjave, kurse shtypistat analizojnë lart e poshtë mbi teknikat efikase dhe jo efikase apo problematikat në vendet e tjera mbi këtë çështje. Ndaj borxhi moral karshi gjakut nëpër botë është bërë një mur ndarës i tipit të Berlinit. Aq të forta janë përplasjet ër politikë sa mbas një dopio raki të heqin edhe qafe. Kësisoj pavarsisht rrahjes së gjoksit jemi vendi më bullist në botë karshi qytetarit tonë. Emigrantët shqiptarë sot qofshin kushdo e kudo ku janë nuk e kanë të drejtën e votës. Dhe kjo është e kuptueshme. Asnjëra nga palët nuk e do votën e tyre. Nuk e duan njëshat, nuk e duan as sejmenët e tyre. Nuk e do as fuqia intelektuale që aludon me argumenta pa fund mbi firot e votës me postë, biometrike, elktonike etj. Tek ne faji nuk ka qënë asnjëherë i njëshave, madje rreziku më i madh janë dyshat e treshat anës, mbrapa, para dhe sipër… Dhe kjo është e kuptueshme, kultura e diktatit të diktaturës. Ndaj edhe çështja e votës së emigrantit sot është temë e mbyllur. Kontigjent i burokracisë. Shkurt nuk na duan. Regjistrat, kartat e identitetit, fletoret me emra tashmë janë kopsitur. Emigrantët pa diskutim që i do i prishin balancat. Dhe sa për dijeni, thuajse 85% e emigrantëve nëpër botë votojnë në shtetin amë. Sigurisht bëjnë përjashtim vendet e Afrikës, Shqipëria, Bolivia dhe Koreja e Veriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Vota e harruar

Vend i çuditshëm

February 7, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Të gjitha luftërat fillojnë shumë kohë para se të qëllohet plumbi i parë dhe vazhdojnë shumë kohë pasi plumbi i fundit të ketë bërë punën e vet. Hoxha me “shokë” mbollën komunizmin në Shqipërinë e lodhur; si foshnje e morrën në duar, e shtrënguan fort, nga dashuria a tjetër, dhe e asfiksuan. Ajo që ishte planifikuar si marrje e shpejtë e pushtetit, u bë një nga konfliktet më të hidhura e më të gjata të Partisë me Popullin. Familja u shkatërrua; u krijua e re, dhe vëllai u hodh në luftë me vëllain. Të gjithë përballeshin me të njëjtën pyetje: “Me cilën anë je?”, si në ndeshje futbolli. Vendimi mund merrej në sekondë, por pasoja ishte e vazhdueshme për pjesën tjetër të jetës; dikush merrte anën e pushtetit dhe dikush hidhej në Ferr. Të merrje anën ishte e vështirë, derisa provoje a dëgjoje për vuajtje, krime, vrasje, burgje, internime (që s’duhej të kishin ndodhur) dhe vendosej se çfarë lloj shpirti kishe. Pastaj filloje të flisje, flisje, e flasje dhe bëheshe produkt i sistemit.
Në zemrën e njeriut mbillen shumë fara, por asnjëherë nuk dihet se çfarë do të rritet. Mund të bëhesh i keq dhe përfiton përkohësisht. Mund të jesh i varfër, por ke shpresë. Dielli ende shkëlqen ditën dhe hëna bën dritë natën. Kur edhe shpresa humbet, një farë zilie fillon të rritet. Kur shtytja të merr përpara, ke vetëm një detyrë, të zgjedhë anën. Disa zgjedhin anën e fituesit. Kjo është pika ku bota e tyre nis të formohet dhe nuk ndryshon më. E ardhmja shpaloset se si do të jetë.
Kur jemi fëmijë, besojmë se bota është plot magjira. Besojmë në mite e legjenda, dhe se koha pret, tashmja mund të ndalet, dhe e ardhmja është e përcaktuar nga fati. Kjo është bota që mbajmë mend nga koha e fëmijërisë, por që s’do të donim ta kishim njohur a provuar kurrë, botë ku njeriu bëhej simulant, i poshtër, dembel; si i dergjuri në shtrat, i cili kur sheh shiringën hidhet e thotë: “Doktor, jam mirë, nuk kam gjë”, dhe del me vrap nga spitali.
Të jesh jashtë është mirë. Jeton më mirë, takohesh me shumë njerëz të ndryshëm, sheh vende të mrekullueshme. Kur lëviz, njeriu jeton. Por duhet të jetë gjithmonë e kundërta; kur jeton, njeriu lëviz. Nga kjo lind edhe nevoja për të qenë i lirë, që pastaj të mund të jetosh. Pra, është vullneti i lirë dhe jo vullneti i detyruar apo “puna vullnetare” (shpikje e asaj kohe për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve).
Dhe nëse atje ku shkon, njerëzit duan të dinë për të kaluarën tënde, u thuaj një gënjeshtër, tjetri bëhet kurioz, kërkon përsëri, dhe ti u thuaj se vjen nga një vend i çuditshëm, se nuk di të qash, as të duash, as të kundërshtosh, se nuk e njeh dhimbjen që sjell dashuria. Dhe nëse duan ta dinë, thuaji edhe se do të kthehesh kur të mbarojnë vendet për të jetuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Vend I çuditshem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 298
  • 299
  • 300
  • 301
  • 302
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT