• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokratët, përpjekje për shkarkimin e Presidentit Trump

January 11, 2021 by dgreca

– Republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat./

Demokratët e Kongresit amerikan ndërmorën të hënën një përpjekje të dytë për të detyruar Presidentin Donald Trump të largohet nga posti, duke paraqitur akuzën për “nxitje rebelimi”, lidhur me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit javën e kaluar.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët pritet ta marrë në shqyrtim çështjen të mërkurën. Nëse akuza miratohet, kjo do ta bënte zotin Trump të vetmin president në historinë e SHBA ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi.

Mijëra mbështetës të Presidentit Trump sulmuan Kapitolin javën e kaluar, duke i detyruar ligjvënësit që po çertifikonin fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden të iknin nga salla. Pesë veta humbën jetën gjatë sulmit të dhunshëm në Kapitol.

Dhuna erdhi pasi Presidenti Trump i nxiti mbështetësit të marshonin mbi Kapitol gjatë një tubimi ku ai përsëriti pretendimet e pabazuara se disfata e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit ishte e paligjshme.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, shumë prej kolegëve të saj demokratë dhe disa republikanë thonë se presidentit nuk mund t’i besohet më mandati, i cili i përfundon më 20 janar.

“Në mbrojtje të Kushtetutës sonë dhe të demokracisë sonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky President përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për të dyja këto,” shkroi zonja Pelosi të dielën në një mesazh drejtuar kolegëve të saj demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Dhoma e Përfaqësuesve nuk duhet të miratojë kurrë një rezolutë që kërkon heqjen e një presidenti të zgjedhur në mënyrë të rregullt, pa seanca dëgjimore, debat ose votim të regjistruar”, tha anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Alex Mooney, i cili ngriti kundërshtime rreth projekt-rezolutës.

Më herët të hënën, republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat.

Zonja Pelosi tha se demokratët po i bëjnë thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të përgjigjet brenda 24 orësh pas miratimit të legjislacionit që i kërkon atij të mobilizojë kabinetin për të hequr Trump në bazë të Amendamentit të 25-të.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën mbi rezolutën që bën thirrje për përdorimin e Amendamentit të 25-të.

Zoti Pence dhe republikanët e tjerë kanë treguar pak interes për përdorimin e amendamentit në fjalë.

Në një deklaratë me video pas sulmit, zoti Trump pranoi se një administratë e re do të merrte detyrën më 20 janar, por nuk është shfaqur në publik. Twitter dhe Facebook kanë pezulluar llogaritë e tij, duke përmendur rrezikun se ai mund të nxisë dhunë.

Zoti Pence ishte në Kapitol së bashku me familjen e tij të mërkurën, kur mbështetësit e Presidentit Trump sulmuan ndërtesën. Sipas njoftimeve, ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin që nga ajo ditë.

Zyra e zotit Pence nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Një burim tha javën e kaluar se ai ishte kundër idesë së përdorimit të Amendamentit të 25-të për të rrëzuar zotin Trump.

Zonja Pelosi kishte thënë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të votonte për të ngritur akuzën për rebelim, nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron. Ndihmësit e udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili votoi kundër njohjes së fitores së zotit Biden, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre përsëri akuza kundër zotit Trump, Senati, i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët, nuk do t’i merrte në shqyrtim ato para datës 19 Janar, dita e fundit e plotë e zotit Trump në detyrë.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokratët, Donald Trump, shkarkimi i Presidentit

KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË

January 11, 2021 by dgreca

Nga ALDO CAZZULLO-Përktheu: EUGJEN MERLIKA/

Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.

Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.

Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës. 

Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.

Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.

Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më  të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.

Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është.  Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.

Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.

“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: ALDO CAZZULLO, Bote e permbysur, Eugjen Merlika

Qeveritarë që të këpusin shpirtin

January 10, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Eshtë bërë virale në internet një video ku disa qeveritarë shqiptarë darkojnë në një restorant në Dubai. Po pse ore si i dini qeveritarët tuaj ju, të varfër? Nuk kanë lekë sa për të ngrënë një drekë a një darkë në Dubai? I ngatërroni me veten ju që mezi shkoni një fundjavë në ndonjë lokal fshati? Se jo për gjë por kohët e fundit, jeni bërë dhe shumë bio. E doni gjithçka bio. Si kujtoni se nuk kanë lekë të shkojnë deri në Dubai ata? Nuk kanë me çfarë të ikin? Ta porosisin një tavolinë ku deri femrat me gjak të pastër arab të dredhin belin sipër tavolinës. Po ju paskeni mbaruar. Kaq fisnikë i dini ata sa me të vërtetë nuk kanë nga bredhin nëpër lindjen e mesme a të largët. Ata po i ha të gjallë euro-ja dhe dollari, leku kurse ju uji, mola, tërmeti, covidi, grindja. U rrofshin mëritë me njëri-tjetrin. Aq sa shqyheni edhe për firot dhe arritjet e Donald Trumpit në Amerikë. Dhe çfarë është për t’u theksuar ka të bëj me atë që mirë rrjeti bën humor, se në fund të fundit përkon edhe me një situatë përmbytjesh, ajo gangrena tashmë 30 vjeçare e mbi mungesën e investimeve në shtratifikimin e lumenjëve dhe kanaleve kulluese a hidrovorëve. Kurrë nuk e kuptuan se sa i rëndësishëm është një planifikim i tillë mbarë kombëtar sidomos për zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Me faktin që plot qytetarë presin akoma për t’ju ndërtuar shtëpia nga tërmeti i dimrit të 2019-ës, për më keq që përkon me situatën e rëndë të pandemisë, me urdhëresat për shtet rrethim, për mbyllje pas orës 8 a 10. Me korrupsionin në investime ku për më keq akoma  asfalti thyehet e del si copa çokollatash, pra cilësia e dobët e investimeve fasadë. Dhe  mirë rrjetet sociale, po kërcen kryeministri e debaton me njerëzit në faqen e tij në fb. U hakërrohet që një i tretë ua ka paguar shpenzimet. I duket për mburrje që një i tretë të paguan, një tretë të ndërton rrugë, spitale. Kurse ti vetëm gërrvërr me qytetarët. Gati të na mbysi dhe mirë e ka se ne i dimë ministrat tanë kothere. Për gjynaf, të shkretët. Nuk e kanë bërë milionin e eurovë për kokë personi në familje akoma. Se sa të mbulon një i tretë e dinë mirë shumë nga ata që janë pjesëmarrës në samite, a, work shop-e. Madje pijet alkolike janë komplet jashtë standartit. Dhe kush e porosit e ka nga xhepi sa nuk e luan topi. Për më keq akoma kur thua nga një i tretë, sepse do të thotë që je i kapur pasi ai që po të paguan shpenzimet do mbrapsht një tender.  Për më keq akoma kur dalin shtypistat me xhel në kokë dhe ulërasin se, çfarë do hanë qeveritarët, suflaqe? Mirë e ka se, ne i dimë akoma kothere qeveritarët tanë. Pastaj janë qeveritarë ata, ”dinjiteti” i shtetit. Megjithëse ca javë më parë ndezën gjithë webet ku i kanë e ku nuk i kanë, si në Tiranë dhe Prishtinë për shpenzimet ditore të presidentes në detyrë të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Shqipëri. Ishin kaq modeste sa ta mendosh për titullin që mban dhe ata që i përkasin protokollit etj., të emocionon modestia e shtetarit tënd. Mirëpo shtypistat e Tiranës i quanin dramatike. Madje ulërinin megjithëse një shishe vere në Dubai mund të kushtoj sa gjysma e shpenzimeve ditore të presidentes Vjosa Osmani. Boll më për Zotin. Mos u kacafysni me fjalë me Edi Ramën se, nuk dini gjë fare. Aq fonde sa lëvrohen në Shqipëri, vendi ishte bërë njëqind herë. Por kush e beson.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Qeveritaret tane

MJAFT ME TIFOZERI TE SEMURE!

January 10, 2021 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/ Tifozëria (tifozllëku), kur përjetohet me tepri e bën njeriun të sëmurë mendërisht, pa e kuptuar ai vetë. Kur një person është tifoz i sëmurë, pra simpatizant i tepruar ndaj një ideje, njeriu, grupi shoqëror, ose partie politike, kjo e bën atë të pakënshëm në shoqëri. Një tifoz i sëmurë është i pakëndshëm në shoqëri sepse ai shpreh simpati të tepruar për një ide, person, grup shoqëror, ose parti politike pa dhënë argumente logjike dhe fakte reale, por vetëm se ashtu i është mbushur mendja atij. Me një fjalë, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin, opinionin e vet, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet dhe me njerëzit e familjes që mendojnë ndryshe, por kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së një grupi të madh shoqëror, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për mbarë shoqërinë e një vendi. Kur tifozëria merr përmasa globale bëhet rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunismi në vitet 1945-1989.

Të gjithë ne që u lindëm e u formuam në shkollën socialiste gjatë regjimit komunist, u brumosëm me dashje a padashje me simpati të tepruar ndaj ideologjisë socialiste-komuniste. Kur na pyesnin vizitorët e huaj që na takonin: “Si jeni?, ne u përgjigjeshim: “Mirë, shumë mirë”. Këtë përgjigje e jepnim sepse ashtu mendonim, sepse nuk e dinim se sa të varfër ishim, se sa shumë të drejta na mungonin. Ne ishim njerëz me tru të shpëlarë. Ne ishim të tillë sepse ishim bombarduar gjatë gjithë jetës nga propaganda e partisë-shtet e cila e paraqiste jetën e botës kapitaliste si jetë në vuajtje, ku masat e popullit shtypeshin e shfrytëzoheshin nga kapitalistët. Në këto vende ne dëgjonim se masatpopullore ishin të pakënaqura dhe ngriheshin në greva, etj. Kjo propagandë na i mbushte mendjen se ne që jetonim në sistemin socialist ishim njerëz të kënaqur, sepse edhe pse na mungonin disa gjëra, ne punonim e sakrifikonim për të ardhmen e lumtur komuniste. Me një fjalë, ne nuk e kuptonim se njeriu në kapitalizëm ngrihej në greva sepse kishte të drejtën e grevës, të cilën e shfrytëzonte për të përmirësuar jetën e vet. Kurse ne votonim për kandidatët që ishin vënë në listë pa na pyetur kush, dhe nuk e vrisnim mendjen se ne nuk e kishim të drejtën e votës së lirë.

Në vitet 1990-1992 edhe në Shqipëri u pranua se sistemi socialist kapitulloi si sistem politiko-shoqëror dhe si ideologji. Pas vitit 1992 edhe në Shqipëri u krijuan kushte që shumë shqiptarë me shkollim mesatar e të lartë të ecnin në rrugën e re të formimit larg programeve të partisë-shtet. Por njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas vitit 1992 kur u ndërrua regjimi, u bënë edhe më tifozë të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe arritën të krijonin një klasë politike që i shërben enverizmit, mban gjallë nostalgjinë komuniste dhe i mban masat popullore të trembura, trushpëlara, që nuk e njohin forcën e votës së lirë. 

Kam frikë se në Shqipëri ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste, kështu që më 25 prill votuesit shqiptarë mund t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët pas viteve 1990-1991 quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë pa qenë demokratë të vertetë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Mjaft, Thanas L.Gjika, Tifozeri te semura

Komisioni i “tutorëve” të PD preludi i dhurimit të madatit të tretë tiranozaurit të Shqipërisë

January 10, 2021 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

PD është në kulmin e krizës të saj të identitetit prej konsumimit të lidërshipit dhe humbjes së besimit tek elektorati.

Në emër të ndryshimit të PD-së pas zgjedhjeve të 2013-tës, Lulzim Basha bëri një riorganizim me bazë vullnetare të partisë, duke mos përfshirë në listën e deputetëve të asaj kohe majën e kupolës që e zëvendësoi me një prurje të re. Ky riorganizim mbështetej po tek dora e fortë e njëshit, që përpilonte listat e deputetëve, duke eleminuar kështu garën free and fair që nga niveli brenda partisë deri në nivelin e deputetëve.

Prej tetë vjetësh Edi Rama ka eleminuar të gjitha shtyllat e shtetit, ka shfrytëzuar pushtetin për afera gjigande korruptive, ka bërë të nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntat pa hasur asnjë pengesë nga opozita, sepse opozita ka krizë përfaqësimi.

E vetmja opozitë ka qenë ajo e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kjo zyrtarja është pa gojë e pa zë, sepse zëri i saj është i pabesueshëm!

Tiranozauri i Shqipërisë do të jetë deri sa opozita do të mbetet një hardhucë, pa emra, pa identitet, pa kauza, pa kredibilitet tek elektorati!

Kjo opozitë, përfshirë edhe Jozefina Topallin me shokë po i japin mandatin e tretë Edi Ramës, duke e rrezikuar të ardhmen e Shqipërisë.

Por veprimi më arbitrar, i ndërmarrë nga lidërshipi i PD është krijimi i një pseudoforumi ilegjitim i ashtuquajtur “Komisioni i vlerësimit të kandidaturave në PD”, ku Lulzim Basha riciklon emra si Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli që i përjashtoi më 2013. I katërti i këtij komisioni Bujar Nishani deri më 2017 ishte presidenti i Republikës!

Ky komision nuk gëzon respekt në opinion dhe ka fytyrën e një komisioni tutorësh, duke i dhënë këtë fytyrë edhe PD-së.

Kam dëgjuar se ky komision ka përjashtuar Dr.Halim Kosovën, sikur përjashtoi edhe historianin e njohur Romeo Gurakuqi!

Është e papranueshme që fytyra të PD-së të konsumuara nga ndryshku i lluksit të pushtetit, të shkaktojnë  kataklizmën e partisë! Një akt që duhej të shmangej!

Tutorët dihet se do të zgjedhin profile që i shkon për shtat tutorizmit të PD dhe jo interesit kombëtar të shqiptarëve!

Nëse në derën e PD qëndrojnë këta katër tutorë, askush nuk do të dëshirojë as të trokasë dhe as të jetë pjesë e kësaj partie!

Sot luhet fati i Shqipërisë! Nëse do të kthehet definitivisht një Republikë Banane apo do të dalë nga vorbulla ku e ka futur kasta politike.

Duket sikur ka një marrëveshje të heshtur midis dy anëve të monedhës, kastës që riciklon pushtetin këto tre dekada duke e kapur shtetin dhe degjeneruar përfundimisht sistemin demokratik!

Komisioni i tutorëve në PD është barrierë për ta kthyer në zero efektin e reformës së sistemit zgjedhor, sepse përjashton të gjithë ata emra që kanë personalitet, integritet dhe simpatinë e elektoratit.

Integriteti i kandidatëve për deputetë është kompetencë e institucionit përkatës, jo e një komisioni ilegjitim, emrat në përbërje të të cilit nuk gëzojnë asnjë lloj reputacioni as në opinionin publik dhe as në elektorat.

Jemi në gjysmën e parë të janarit e zgjedhjet janë tek dera.

Nëse populli kërkon ndryshim, duhet ta dijë se kjo opozitë e paralizuar nga brenda, është në shërbimin e uzurpatorit të të gjitha pushteteve dhe po përgatitet t’ia dhurojë në tabaka mandatin e tretë tiranozaurit Edi Rama.

Kjo është e vërteta!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Komisioni I tutoreve, PD, tiranozauri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT