• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRUTET E SHTETIT

November 4, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI- A është Shqipëria demokraci ose përmirësimi i fundit i mundshëm në qeverisje? A nuk është e mundur të bëjë një hap më tej drejt njohjes dhe organizimit të të drejtave të shtetasve?
Nuk do të ketë kurrë një shtet me të vërtetë të lirë nëse individi nuk njihet si një fuqi më e lartë dhe e pavarur, nga e cila rrjedh e gjithë fuqia dhe autoriteti e vet, dhe qeveria ta trajtojë në përputhje me rrethanat.
Vëzhguesi e kënaq veten duke imagjinuar një shtet të paktën që mund të jetë i drejtë për të gjithë njerëzit, jashtë e brenda, të rinj e të vjetër, dhe individin t’a trajtojë me respekt, jo si pronë, as si të pasur a të varfër, as nën komandë, por si një fqinj, i cili nuk do të mendonte se ishte në kundërshtim me prehjen e tij nëse disa do të jetonin larg, duke mos u përzier me të, ose të përqafuar prej tij, të cilët përmbushnin të gjitha detyrat e fqinjëve. Një shtet i cili jep këtë lloj fruti dhe e lejon atë të bjerë sapo të piqet, do të përgatiste rrugën për një Shtet akoma më të mirë, të cilin gjithashtu vëshguesi e ka imagjinuar, por ende nuk e ka parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Frutet e shtetit

SHËMBULLI KINEZ PO PUSHTON BOTËN

November 3, 2020 by dgreca

Nga DANILO TAINO-Corriere della Sera/

George Kennan, një nga strategët më të mëdhenj të politikës së jashtëme amerikane të shekullit të shkuar, më 1946 dërgoi nga Moska në Washington një Long Telegram, në të cilin përimtonte natyrën e Bashkimit Sovjetik dhe propozonte një metodë për të përballuar regjimin e Stalinit. Telegrami i gjatë përfundonte kështu: “Më së fundi, rreziku më i madh që mund të kemi në të përballuarit e komunizmit sovjetik do t’ishte që ne t’i lejonim vetes të bëhemi si ata me të cilët matemi”. Ishte një ftesë për të bërë dallimin e Shteteve të Bashkuara e të Perëndimit nga diktatura kolonialiste e BRSS, për të mos ndjekur gjurmët e saj me iluzionin për të fituar n’atë mënyrë belegun e mbasluftës. Me këtë logjikë Kennan qe njëri ndër arkitektët e Planit Marshal të 1948. 

Në këta muaj kemi hyrë si sonambulë në rrezikun që diplomati amerikan e quante si “më të madhin”, të verbuar natyrisht jo nga Bashkimi Sovjetik por nga regjimi kinez. Shëmbulli kinez është bërë zotërues duke filluar nga përgjigja ndaj Covid-19.

Kundërveprimi ndaj pandemisë i Evropës, i Shteteve të Bashkuara dhe i demokracive të tjera ka qënë, në panikun e krijuar nga vrulli i virusit, pa e menduar gjatë, pothuajse si një refleks i kushtëzuar: të mbyllemi në shtëpi, siç ka bërë Kina. Ndoshta i kuptueshëm në fazat e para të rritjes epidemike, kur bota ishte e papregatitur: nuk e njihte koronavirusin, shihte të vdekurit, nuk kishte strukturat për të përballuar krizën. N’ata çaste u vendos – së pari n’Itali – të ndiqej shëmbulli i zbatuar nga Pekini: lockdown. Ndoshta ishte e pashmangëshme: kush befasohet nuk ka kohë të arsyetojë. Problemi është se zgjidhja kineze është e zbatueshme me sukses vetëm në Kinë, në fakt duket se ka funksionuar mjaftueshëm (e kuptueshme retorika ngadhnjyese e presdidentit Xi Jinping). Në demokracitë – ku nuk mund të vendoset një polic para çdo apartamenti të infektuar, ku informacioni nuk mund të jetë i kufizuar, ku kritikët nuk mund të futen në burg – është e pamundur të kallkanoset jeta. Për fat është e pamundur.

Është kjo kundërshti që ka penguar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të mundnin pandeminë, prandaj ende sot numërojmë të infektuarit e të vdekurit. Kemi zgjedhur një mënyrë për të përballuar krizën që nuk mund të ishte e jona, që nuk mund të kishte sukses. Jemi bërë mjaftueshëm kinezë, në kuptimin e pasuesve të Partisë komuniste kineze, dhe jemi duke paguar pasojat. Të thuhet se gjëndja është jashtë kontrollit, ose rrezikon të jetë është pranimi i pamundësisë për të kontrolluar një dukuri me metodat dhe instrumentët e një diktature. Ajo që ishte në mos e ligjësueshme, së paku e kuptueshme në kohët e para të pandemisë, është e papropozueshme sot: nëse një mënyrë nuk funksionon, nuk ka kuptim të ngulet këmbë në të e për më tepër të përsëritet.

Problemi është se pandemia do të zgjasë shumë. Nuk do të zgjidhet në nivel Kombesh të veçanta, përfshirë edhe Kinën, do të mbetet e rrezikëshme deri sa virusi të jetë mundur në një pjesë të mirë të botës. A është e mundur të mbetemi në perspektivën e një lockdown-i mbas një tjetri, të një stop and go të shoqërive dhe ekonomive të tëra? Ndoshta për gjithë vitin 2021 e përtej? Me përfundimin e shkatërrimit të bashkësive të tëra, të varfërimit të vëndeve që tani të varfëra dhe t’atyre gjithënjë më pak të pasura, të vërdallosjes së burrave e grave nga frika me rezultate sëmundjesh shkatërrimtare psikologjike e shoqërore? Të vazhdohet të ndiqet sot modeli kinez pa patur asnjë mundësi për t’u barazuar me të, nuk do të thotë vetëm një dënim për një kohë të gjatë me varfërim dhe ankth në çdo vështrim të jetës: do të thotë edhe t’i jepet shëmbullit totalitar, iliberal e policor kinez një fitore mbi pjesën tjetër të botës, mbi demokracitë, t’arritur madje pa luftuar, çeljen e një faze t’errët, e me gjasë jo paqësore për gjithë botën.

Me koronavirusin do të na duhet të bashkëjetojmë për shumë kohë. Duhet të fuqizojmë masat shëndetësore, veçanërisht për të mbrojtur infermierët, mjekët, të moshuarit e të sëmurët më shumë në rrezik. Do të na duhet të investojmë për të pakësuar vdekjet. Por në të njëjtën kohë duhet të rihapim botën simbas shëmbujsh të ndryshëm nga ata që zhvillon Kina si pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës së qeverisjes në diktaturë. Pa kulturë, pa liri zgjidhjesh e lëvizjesh, pa të drejtë rrahje mendimesh e kritikash do të jemi të gjithë jo vetëm më të varfër e më të angështuar: do të jemi edhe të njëjtësuar me modelin e Vëndit nga u nis pandemia. Përgjegjësia e shoqërive demokratike e të lira është t’a shmangin, siç këmbëngulte 75 vite më parë George Kennan. Të dyshohet se qeveritë nuk janë në gjëndje t’a bëjnë është e ligjëshme. Por më e ligjëshme është të vihen para përgjegjësive të tyre.

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2020     Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taino, PO PUSHTON BOTËN, SHËMBULLI KINEZ

NJË KANDIDATURË NË PRITJE

November 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA-

Krijimi i një Komisioni për të shoshitur e përzgjedhur kandidaturat  për t’u paraqitur në zgjedhjet e ardhëshme kuvendore, i shpallur para pak muajsh nga kryetari i PD, z. Lulzim Basha, u quajt si një risi e dobishme në jetën politike shqiptare të dhjetë viteve të fundit. Si e tillë, si një dukuri jashtë skemave populiste, krijimi i atij komisioni, i paraqitur si një ndihmesë në dobi të meritokracisë në përcaktimin e përfaqësuesve t’ardhshëm të partisë demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, të partisë së parë mbas komuniste në kalesën shqiptare, pati anët e saj pozitive, por edhe ndonjë mangësi.

Duhet pranuar se vëllimi i punës që ka përballuar ai komision ka qënë tepër i madh e pesha e vendimeve  në kohë tepër të shtrënguara, mjaft e rëndë. Si përfundim ka patur mjaft vendime që kanë zgjuar dyshime, qejfprishje e mos miratime, gjëra që janë edhe të zakonshme në raste të tilla vlerësimesh, ku kufiri ndërmjet objektivitetit “shkencor” dhe parapëlqimeve ideore a pragmatiste është një zonë e hirtë në të cilën pështjellimi i tyre nuk është i pamundur. Përbërja e atij komisioni pesë vetësh, ku tre prej tyre janë veprimtarë të hershëm të partisë, me funksione shumë të rëndësishme shtetërore në të shkuarën jo të largët të Vendit e dy të tjerë të marrë nga bota akademike e me një personalitet të përvijuar pozitivisht, mendoj se flet qartë për qëllimet e synimet e punës së tyre. Dy profesorët universitarë, Enriketa Pandelejmoni e Mark Marku, janë risia e dukurisë e janë një hap i mirë përpara në synimin e përzgjedhjes së kuadrove të një partie të madhe, por shërbejnë edhe si një mburojë që përligj “kthesën”në strategjinë e saj ku, në gjithë historinë e kalesës PD, ashtu si dhe partitë e tjera, kanë parapëlqyer në thelb trashëgiminë komuniste të drejtimit majësor edhe në përcaktimin e përzgjedhjeve cilësore e të përgjegjësimit të kuadrove. Por nuk është e vështirë të tejshihet në veprimtarinë e komisionit se përzgjedhja është kryer me logjikën e vjetër të partisë, mbasi raporti ndërmjet patriarkëve të vjetër e intelektualëve të rinj (jo aq në moshë sa në veprimtari politike) është tre me dy, në dobi të të parëve.

Pa hyrë në hollësi të vendimeve të komisionit, i cili ka dhënë ndihmesën e tij, por që nuk mbetet i plotfuqishëm, mbasi partia cakton një numur kandidatësh që nuk kalojnë në sitën e tij, por mbeten në fuqi për garën zgjedhore, po ndalem në një vendim të tij: Lorenc Luka caktohet në listë pritjeje. Konkretisht përjashtohet nga pjesëmarrja në garë, duke pritur një “mrekulli” të ditëve të fundit, që nuk kuptohet se nga mund të vijë. Un nuk e di se cilët kanë qënë kriteret që kanë mbizotëruar në atë vendim e po ashtu nuk di nëse vendimi ka qënë i njëzëshëm apo përfundim i një rrahje mendimesh në gjirin e komisionit. Në rastin e parë do t’a quaja shqetësues atë, sepse është marrë pa u thelluar aspak në historinë vetiake e familjare të kandidatit e në rastin e dytë do t’a quaja si një shfaqje të prirjes për të larguar emra të vjetër e për t’i zëvendësuar me prurje të reja të “revolucionit” të vitit 20019.

Lorenc Luka është bir i një familjeje të ndershme qytetare të shekullit të shkuar. Gjyshi i tij, të cilit Lorenci i trashëgoi emrin, ka qnë një tregëtar atdhetar, i njohur në qytetin e tij e më përtej për ndershmërinë e tij karakteristike. I papërzierë politikisht gjatë luftës së Dytë botërore, mbas mbarimit të saj pësoi marrjen me dhunë të gjithë pasurisë së tij, si qindra e mijra tregëtarë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Si pasojë e këtij akti grabitqar të fituesve të “revolucionit bolshevik shqiptar”, djali i madh, Zefi, kërkoi rrugën e jetës së tij jashtë Shqipërisë, duke u kthyer në një veprimtar kundërkomunist në rradhët e mërgimit të gjatë të mbas luftës. Babai i Lorencit, Karleti, me nënën e tij, Gjuzepinën, një grua ëngjëllore, u degdisën në kampin e çfarosjes së Tepelenës. Karleti njëzetvjeçar braktisi veglat e gjimnastikës në të cilën premtonte shumë e i u nënështrua ngarkesave të druve mbi shpinë në ferrin e Tepelenës. Vëllai tjetër, Viktori, u arrestua e kaloi vite të tëra të rinisë së tij në burgun famëzi të Burrelit.

Ky është kuadri familjar në të cilin lindi Lorenci. Mbas prishjes së kampit të Tepelenës, familja e Karletit u shpërngul, së bashku me shumë shokë e shoqe të fatkeqësive, në sektorin e Savrës së NB “29 nëntori” të Lushnjës. Atje ai u njoh e u dashurua me Margaritën, një bashkëqytetare të tij. Nga ajo dashuri, ndër të parat mbas vitesh të gjata internimi që përfundoi në martesë, lindi Lorenci. Ishte ai një ndër të parët fëmijë të lindur në kampin e Savrës. Për të gjithë banorët e kampit ai u bë simbol i shpresës, i jetës që rilindëte, i një t’ardhmeje më të mirë që zinte fill në arsyet e mpakura nga terrorizmi i viteve të Tepelenës.

Më pas familja e liruar nga internimi u kthye  në vendin e saj, në Shkodrën e traditave kulturore mijëvjeçare. Lorenci u rrit në mjedisin katolik e atdhetar t’atij qyteti që, edhe në gjysmë shekullin e zi të diktaturës komuniste, ruajti dinjitetin njerëzor duke mos pranuar skajshmërinë e diktaturës, duke ruajtur pjesërisht vlerat morale të trashëguara. Viti 1990 e gjeti Lorencin djalë të formuar tridhjetetre vjeçar, në sintoni me pjesën më të mirë të bashkëqytetarëve të tij, në përpjekje për të rrëzuar simbolet e komunizmit e për të kërkuar demokracinë. N’atë kohë Lorenci nuk mendoi, si shumica e bashkëmoshatarëve të tij të kohës, për t’u larguar nga Vendi i tij, edhe se n’Amerikë kishte xhaxhain e tij, të vendosur atje prej shumë vitesh. Ai vendosi të qëndrojë në qytetin e tij. I u vu studimit dhe u diplomua në drejtësi e hyri në partinë demokratike. Në sajë të ndershmërisë familiare e vetiake, të vullnetit krijues në punën e tij në vite ai fitoi respektin e besimin e bashkëqytetarëve e të partisë demokratike, të cilët e ngjitën dy herë në detyrën e kryetarit të bashkisë së qytetit e n’atë të kryetarit të qarkut Shkodër. Gjatë qëndrimit n’ato detyra të rëndësishme ai dha ndihmesën e tij për të ngritur Muzeun e Kujtesës në godinën e ish Degës së punëve të nbrendëshme të Shodrës, për të pasqyruar aty të gjitha shfaqjet mizore të luftës së klasave e të diktaturës gjakatare komuniste në qarkun e Shkodrës. Në legjislaturën ekzistuese Lorenci u zgjodh deputet, duke alternuar misionin e administratorit me atë të ligjvënësit, gjë që është mënyra më e mirë për formimin e plotë të një politikani.

    Sot Komisioni vlerësues i kandidatëve për deputetë e ka lënë në pritshmëri Lorenc Lukën. Më duket e drejtë që një njeri i lindur në një kamp internimi të regjimit komunist, fakt ky i përveçëm në gjithë aradhën e politikanëve të sotëm shqiptarë, të ketë mundësinë për të kërkuar edhe njëherë tjetër votbesimin e qytetarëve të tij. Nëse këtë votbesim ata , për arsye të ndryshme, nuk do t’i a japin më, ai besoj se do t’a pranojë me qetësi atë vendim, duke përsiatur në vetvehte gjithshka që e shkuara si administrator e si politikan do t’i sjellin para ndërgjegjes së tij, për të ballafaquar atë që ka bërë me atë që nuk ka mundur të bëjë, atë që ka dëshiruar të sjellë në jetën e qytetit të tij me atë që realisht ka sendërtuar në dobi të bashkëqytetarëve e të gjithë shqiptarëve, duke bërë kështu bilancin e gjithë jetës së tij politike.

Jeta është një provim i vazhdueshëm e prania vepruese në politikë ballafaqon këdo me përfundimet e punës së tij. Por në demokraci duhet të jetë gjithmonë masa e votuesve ajo që duhet të përcaktojë në të vërtetë suksesin apo dështimin e një politikani, vazhdimin ose jo t’asaj jete. Ky rregull themeltar i demokracisë që nga koha e Perikliut e deri në ditët tona, fatkeqësisht në çerek shekullin e fundit, në sajë të marrëveshjeve të ndryshme mes partive e mekanizmave zgjedhore të bashkërenduara po prej tyre në Shqipërinë tonë, të shoqëruara këto me tjetërsimin e votës, pothuajse është fshirë nga praktika e votimeve me listat e mbyllura të hartuara nga kryetarët e forcave politike. Shpresojmë që listat e hapura në zgjedhjet e ardhëshme të jenë fillimi i rivendosjes së këtij kriteri bazë të bashkëjetesës demokratike.

Lorenc Luka, ashtu si ndonjë tjetër, përfaqësojnë në politikën e sotme”të fundmit e Mohikanëve” t’asaj pjese të shoqërisë shqiptare që provoi në kurrizin e saj barrën më të rëndë të diktaturës, që u aktivizuan me partinë demokratike në gjithë këta vite të kalesës. Ata i besuan asaj partie, si një force politike që do të ndryshonte Shqipërinë, do të sillte për të një demokraci të vërtetë, do të ndreqte gjithë padrejtësitë e shekullit komunist. Si të tillë besoj se meritojnë të venë kandidaturat në një parti së cilës vazhdojnë ende t’i besojnë. Një komision në të cilin vendos ish presidenti Bujar Nishani që, ndërmjet të tjerave, ka mbetur proverbial për mos dekretimin e Ardian Ndrecës e Visar Zhitit, dy prej intelektualëve më të spikatur të jetës kulturore shqiptare si ambasadorë në Vatikan, me të gjitha pasojat negative t’atij veprimi, nuk besoj të ketë tagrin e duhur për t’i përjashtuar.

Një vendim i tillë do t’i jepte grushtin e nokautit shpresave të gjithë atyre shqiptarëve që ushqejnë iluzionin se partia demokratike vazhdon të përfaqësojë interesat e ish të përndjekurve politikë në Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, NË PRITJE, NJË KANDIDATURË

DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHENË FUND PANDËSHKUESHMËRISË SË KRIMEVE KUNDËR GAZETARËVE

November 3, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/ Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve (2 Nentori, 2020) është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga organizata mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve.  Është një ditë që bota i kushton vëmendje krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, në përgjithësi.  Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), me qëndër të Vjenë, tha me ketë rast se mosndëshkimi me të cilin kryhen krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdoi të rritet edhe këtë vit pasi qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet që bëhen e janë bërë kundër gazetarve.

Sipas burimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe enteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së fjalës, gjatë 14-viteve të fundit, janë vrarë rreth 1500 gazetarë, vetëm e vetëm, se kanë kryer detyrën e tyre, duke raportuar lajmet dhe duke informuar publikun.  Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Kina, Turqia, Saudi Arabia, Egjipti dhe Rusia burgosin më së shumti gazetarët për punën që bëjnë, në krahasim me vendet e tjera. 

Në këtë ditë, kujtohen gazetarët të cilët janë sulmuar, janë abuzuar, frikësuar dhe kërcënuan nga qeveri të ndryshme dhe grupe kriminale të lidhura me qeveritë due prëfaqsues të tyre.  Shumë prej tyre humbën jetën në mbrojtje të së vërtetës. Ja dhe disa shifra trishtuese, sipas UNESCO-s 2020, në lidhje me krimet kundër gazetarëve në botë: Në dekadën e kaluar, një gazetar është vrarë diku në botë, mesatarisht, çdo katër ditë.  Viti 2019 tregon numrin më të ulët të vdekjeve të regjistruara nga UNESCO në dekadën e fundit (vetëm) 57 vdekje. Në vitin 2019, numri më i lartë i sulmeve fatale ndodhi në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve, ndërkohë që ky rajon përfaqëson 40% të vrasjeve totale të gazetarëve, të regjistruara në  mbarë botën, pasuar nga Azia dhe rajoni i Paqësorit, me 26% të vrasjeve.  Shumica e gazetarëve u vranë në vendet pa konflikt të armatosur, sipas UNESCO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, mbrojtëse të drejtave dhe lirive të gazetarëve, anë e mbanë botës.

Këto ente ndërkombëtare të gazetarëve thekësojnë se, “në nentë nga dhjetë raste” të këtyre krimeve, vrasësit e gazetarëve — anë e mbanë botës — nuk ndëshkohen për krimet e tyre.  E mosndëshkimi i këtyre krimeve ndaj gazetarëve, nënvijojnë këto organizata, inkurajon vet autorët e krimit për të ndërmarrë vrasje të tjera dhe njëkohësisht krime të tilla kanë një efekt tronditës edhe në shoqërinë ku ndodhë krimi, por edhe në radhët e vet gazetarëve që dekurajohen që të kryejnë detyreën siç ua kërkon etika gazetareske, duke raportuar të vërtetën.  Mosndëshkimi krijon dhe inkurajon mosndëshkimin dhe shpeshëherë ka si pasojë edhe përkeqësimin e gjëndjes në vend, përfshirë prishjen e rendit dhe të qetësisë, si dhe shkeljet e rënda ligjore dhe turbullirat politike.

Ekspertët dhe entet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve thonë se sado të tmershme që janë këto shifra për krimet kundër gazetarëve, ato nuk përfshijnë një numër shumë më të madh gazetarësh — anë e mbanë botës — të cilët çdo ditë pësojnë sulme fizike, shpesh fatale, përfshirë tortura, ndalime arbitrare, frikësime dhe kërcënime të llojllojshme nga policia dhe ndër autoritetet më të larta qeveritare.  Ata thekësojnë, gjithashtu, se gratë dhe femërat gazetare përballen edhe me më shumë rreziqe, në kryerjen e profesionit të gazetarisë, përfshirë edhe dhunën seksuale ndaj tyre.  

Është e turrpëshme për cilëndo shoqëri që sulmet ndaj gazetarëve të kalojnë të pandëshkuara.  Mosndëshkimi i sulmeve dhe i krimeve kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias, i dërgon mesazhin edhe shoqërise, në përgjithësi, që të mos ketë besim në gjyqësorin dhe as në mbrojtjen e ligjit dhe të respektimit due zbatuimit të drejtave universale të njeriut, në përgjithësi. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve, por jo vetëm ndaj gazetarëve, inkurajon krime edhe kundër grupeve të tjera të interesit, duke vendosur në këtë mënyrë një kulturë mosndëshkimi dhe mos tolerance, në cilëndo shoqëri qoftë. Prandaj, qoftë Amerika, qoftë, Shqipëria, Kosova, Franca apo Gjermania, Rusia ose Kina, ose cilido vend qoftë, pa liri të vërtetë të shtypit nuk ka as liri të tjera dhe as demokraci të vërtetë.  Dhe pa ndëshkim të krimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve – vetëm e vetëm se kryejnë detyrën e vet për të informuar publikun me fakte dhe objektivisht — nuk ka as liri të vërtetë të shtypit dhe as zbatim të drejtave të tjera bazë të njeriut — pa marrë parasyshë se për cilin vend flitet.

“Kur gazetarët janë në shënjestër për t’u sulmuar për punën që kryejnë, shoqëritë në tërësi paguajnë një çmim të rendë. Nëse nuk i mbrojmë gazetarët, mundësia jonë për të qenë të informuar dhe për të marrë vendime të bazuara në prova dhe fakte, pengohet rëndë. Kur gazetarët nuk mund të bëjnë punën e tyre në siguri, ne humbasim një mbrojtje të rëndësishme kundër pandemisë së keqinformimit dhe dezinformimit, që është përhapur në internet” vitet e fundit, u shpreh Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve. 

Udhëheqsi botëror shtoi se përhapja e lajmeve dhe analizave të bazuara në fakte, varen nga mbrojtja dhe siguria e gazetarëve që kryejnë raportime të tilla të pavarura, të rrënjosura në parimin themelor: “gazetaria pa frikë dhe pa favore”. Antonio Guterres përfundoi mesazhin e tij duke bërë thirrje për një “shtyp të lirë që mund të luaj rolin e vet thelbësor, në paqe, drejtësi, zhvillim të qëndrueshëm dhe në mbrojtje të drejtave universale të njeriut”. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo në mesazhin e tij me këtë rast tha se, “Gazetarët kanë një rol kritik në shoqëri, por shumë shpesh kërcënohen, sulmohen apo vriten – krime që shpesh nuk ndëshkohen. Në Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve, ne u bëjmë thirrje qeverive të hetojnë dhe të dëmshpërblejnë këto krime”, ashtuqë t’u jepet zgjidhje krimeve dhe abuzimeve kundër gazetarëve, shkruan kryediplomati amerikan, Mike Pompeo me këtë rast.  Në deklaratën të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se, në Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve, “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje qeverive të ndërmarrin hetime të pavarura dhe transparente ndaj kërcënimeve, sulmeve dhe vrasjeve kur ato ndodhin; të ndërmarrim reforma reforma të praktikave policore që mundësojnë keqtrajtim të gazetarëve; dhe që qeveritë të shfuqizojnë ligjet dhe praktikat që kufizojnë lirinë e tyre të shprehjes.

Duke lexuar mesazhe dhe raporte të tilla dekurajuese për krimet ndaj gazetarëve dhe gazetarisë së lirë në përgjithësi — nga viti në vit — duket se bota është duke kaluar nepër një periudhë të historisë, ndoshta si rrallë herë më parë, kur po sulmohet liria e gazetarit, fjala e lirë dhe të drejtat e njeriut nga përfaqsues të qeverive dhe enteve që, pikërisht, kanë për detyrë mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe lirive bazë të njeriut për qytetarët e vet.  Kjo situatë e krijuar duhet të na bind se sot bota, më shumë se kurdoherë tjetër më parë, ka nevojë për gazetarë dhe përfaqësues të tjerë të medias, të cilët – përballë gjithë këytre sfidave dhe kërcënimeve — të premtojnë se, nga dita në ditë, do të ushtrojnë profesionin e tyre me etikë të lartë gazetareske — gjithmonë larg interesave të posaçme dhe sidomos larg influencave dhe propagandës politike të qeverive dhe shoqërive në të cilat jetojnë e veprojnë.

Frank Shkreli 

See the source image

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita nderkombetare, Frank shkreli, Kriemt kudner Gazetareve

BREZI I HESHTUR

November 1, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit LULUSHI-

“..Jemi mësuar. Çdo gjë është e jona…”, shkruan Agron F. Çorati në romanin “Në kërkim të vetvetes”.  Mesazhi është i qartë: Çdo gjë që bëjmë ndikon mbi vetë ne – çdo hap, çdo veprim, çdo sjellje – prandaj mësohemi të durojmë edhe diktaturën më mizore dhe të mos shkëputemi lehtë prej saj. I kemi shkaktuar shumë të këqia vetes.
“…Jeta në qytetin e zymtë, ku njeriu ecën mendueshëm vetëm, si uji që rrjedh me presion prej rubinetit të prishur. Më poshtë uji i çezmës bashkohet me ujrat e shiut dhe shkon tatëpjetë si një lëndë e vetme. Njeriu qëndron një copë herë, duke vështruar rrëketë e vogla që bashkohen pa zhurmë e vazhdojnë rrugën në një shtrat të vetëm, dhe kapërcen në anën tjetër….”
Është historia 45 vjeçare në këtë fragment shkëpur nga ky libër shkruar në vitet 1960. Sigurimi ia gjeti në dorëshkrim dhe autori u dënua. Libri u botua 18 vjet pas vdekjes, më 1995. Autori Agron F. Çoratit, shkrimtar disident, ishte  Dostojevski ynë, shkruan publicisti Reshat Kripa, edhe ky ish i burgosur e përndjekur nga diktatura.
Por mos u mundoni ta gjeni emrin e Çoratit në historinë e letërsisë, as në shkolla; edhe kritika letrate ka thënë thuajse aspak për këtë autor, i cili me përshkrimet e tij të kujton të mëdhenjtë Balzak, Hugo, Dostojevsk e Kafka.
Në Shqipëri koha ecën shumë ngadalë. Librat e realizmit socialist ende mbushin libraritë; ka edhe kanale televizive vetëm për filmat-propagandë të asaj periudhe. Shqiptarët kanë sot Librarinë Agolli e Pallatin Kadare, ndërsa ndonjë prej librave të Çoratit shumë rrallë mund të gjendet në tezgat për rreth Pazarit të ri në Tiranë.
“Në kërkim të vetvetes” është libër autobiografik ose kështu ka dashur ta paraqesë autori. Është një libër jete për çdo njeri që kalon në errësirën pa shpresë të asaj periudhe. Zymtësia e pesazheve, mendimi përshkrues analitik, mundimet e përditëshme shoqërojnë personazhin në kërkim të vetvetes; dhe në fund e gjen atë në fshatin e të internuarve; lë Tiranën për rrugët plot baltë; dhe heq dorë për hir të dashurisë nga katedra e mësimdhënies. Çorati ishte intelektual. Kishte studiuar jashtë. Kishte qenë edhe përkrahës i Nacional Çlirimtares, por u tërhoq duke e denoncuar në opinion Partinë Komuniste si vegël të Partisë Komuniste jugosllave. (H. Çobani, Parathënie).
“Në kërkim të vetvetes” është rrëfim i njeriut, i cili pasi kalon nëpër vështirësi arrin në përfundimin se në komunizëm ka vetëm dy alternativa; ose t’i shërbesh ose t’a luftosh. Autori zgjedh të dytën; luftën e armatosur me heshtje stoike, larg “rrjedhës me shi e ujra të ndotur”. Dhe për këtë regjimi e ndëshkoi. Çorati përfundoi në burgje e kampe internimi dhe më pas punëtor ngarkim-shkarkimi, ku edhe ndërroi jetë në moshën 54 vjeçare. Lindur më 1922, Agron F. Çorati i përket brezit të lënë qëllimish në heshtje të inteligjencës shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Brezi i heshtur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • 326
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT