• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vrasja e Soleimanit zuri në befasi evropianët

January 7, 2020 by dgreca

Nga Rikard Jozwiak /Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të vrarë liderin ushtarak iranian, Qasem Soleimani më 3 janar, i ka zënë në befasi evropianët.

Prandaj ata tani janë duke tentuar të bëjnë diçka, çfarëdo veprimi të mundshëm, për të treguar unitet.

Më 6 janar, NATO-ja ka mbajtur një takim urgjent në nivel ambasadorësh në Bruksel, të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Duke folur për gazetarë më vonë, ai ka theksuar se NATO-ja është e përgatitur për të vazhduar misionin trajnues në Irak “kur të krijohen rrethanat”.

Gjenerali, Qassem Soleimani.
Gjenerali, Qassem Soleimani.

Ky mision është pezulluar pas vrasjes së Soleimanit, që nënkupton se ushtarët janë duke qëndruar nëpër kazermat e tyre. Mirëpo ata shumë shpejt mund të nisen drejt shtëpive të tyre për arsye të sigurisë, bazuar në burimet e autorit, sidomos pasi Parlamenti irakian ka miratuar një rezolutë jo të detyrueshme për largim të trupave të huaja nga ky shtet.

Stoltenberg është detyruar të mohojë ndonjë mospajtim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Duke refuzuar që të përgjigjet nëse ka pasur ndonjë kritikë brenda aleancës për vendimin e marrë nga SHBA-ja, ai ka insistuar se “të gjithë aleatët për vite të tëra kanë shprehur shqetësim për aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme”, duke shtuar se të gjithë janë të brengosur për testimet raketore të Iranit dhe mbështetjen e tij për një mori të grupeve terroriste.

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai ka shtuar edhe se është arritur pajtueshmëri që “një konflikt i ri nuk është interes i askujt, andaj Irani duhet të përmbahet nga dhuna dhe provokimi në të ardhmen”.

Teksa NATO-ja në pjesën më të madhe të saj është e formësuar sipas dëshirës së Uashingtonit, organizata tjetër e madhe politike në Bruksel, Bashkimi Evropian, duket se është duke hasur në vështirësi për të krijuar një qëndrim unik.

Shumica e diplomatëve me të cilët autori ka biseduar kanë qenë të shokuar me përshkallëzimin e fundit të situatës. Një zyrtar nga një shtet i vendit perëndimor ka thënë se “shumica prej nesh besojnë se hapi i administratës së Trumpit është i pamatur nëse jo edhe i çmendur, mirëpo ne nuk mund ta themi këtë gjë hapur”. Kjo pasi motoja tipike për Brukselin është: ulja e tensioneve dhe dialogu.

Kjo është ajo për të cilën mund të pajtohen tani për tani 28 vendet anëtare, pasi ato dëshirojnë të mbajnë gjallë marrëveshjen bërthamore me Iranin me çdo kusht.

Shumica e vendeve anëtare të BE-së dëshirojnë të krijojnë një hapësirë eventuale transatlantike dhe ndarje të mundshme mes vendeve të bllokut evropian, sidomos atyre në shtetet lindore që dëshirojnë të rreshtohen më afër Uashingtonit dhe atyre që duan të mbajnë distancë. Shtetet baltike dhe Polonia kanë treguar se “qëndrojnë” afër Shteteve të Bashkuara dhe të drejtës së tyre për të mbrojtur veten, si dhe insistojnë se në pjesën perëndimore të Evropës zyrtarët mund të tingëllojnë më diplomatik, ndonëse e mendojnë të njëjtën gjë.

Ambasadorët evropianë do ta diskutojnë këtë çështje më 7 janar derisa një këshill për punë të jashtme i BE-së, që ishte planifikuar të diskutonte në fund të janarit, do të shtyhet për një datë të pacaktuar. Nuk përjashtohet mundësia që ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif të shkojë në Bruksel apo që shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell ta ftojë atë ndaras. Zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano, u ka thënë mediave në Bruksel se “varet nga ana iraniane që të pranojë ftesën. Besoj se është interes i të dyja palëve që të vazhdojnë bashkëpunimin”.

Iranianët vajtojnë për komandantin e vrarë
Fotogaleri Iranianët vajtojnë për komandantin e vrarë

Ndonëse shumica e ministrave të Jashtëm të BE-së miratojnë prezencën e Zarifit në Bruksel, një diplomat i ka thënë autorit se dy deklaratat e nisura nga Borrell deri më tani “kanë qenë në emrin e tij dhe jo të Bashkimit Evropian”. Kjo gjë sipas tij tregon dallime potenciale në mesin e kryeqyteteve evropiane.

Çfarë lë edhe më shumë përshtypje është se ky njoftim është bërë i ditur në mesditën e 6 janarit, ndonëse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ishte planifikuar të lëshonte një deklaratë për situatën e krijuar më vonë gjatë ditës, por ajo nuk është publikuar kurrë.

Të dy zyrtarët është thënë se janë duke punuar në një deklaratë të përbashkët, që ende nuk është publikuar, ndërkohë që njerëzit me të cilët ka biseduar autori kanë thënë se Brukseli do të vazhdojë të publikojë deklaratë pas deklarate derisa lojtarët kryesorë marrin vendime.

Përgatiti: Krenare Cubolli-Evropa e Lire

Filed Under: Analiza Tagged With: Evropa-Vrasja e Soleimanit

Thirrje Vatranëve: Të Bashkohemi në nji Kuvend…

January 7, 2020 by dgreca

– Me drejtësi, matuni, dhe përgjegjësi/

Nga Mithat Gashi*/

Vatra po tejkalon nji gjendje krize. Në gjuhen shqipe kemi nji shprehje, “Çdo e keqe e bjen edhe nji të mirë,”dhe lshpresojmë që kjo e keqe do të na bjere nji të mirë. Fjala kineze për krizë na jep nji përshkrim shprese.  Për të shkrue fjalën “KRIZË”, kinezët përdorin karakteret e fjalëve “RREZIK” dhe “MUNDËSI”, dhe në këtë kontekst, po parafrazojmë nji thanje t’presidentin amerikan John F. Kennedy: Në nji krizë, jemi të vetëdijshem për rrezikun, por duhet t’pranojmë mundësinë.

Kriza dhe Mundesitë për Mirëvajtjen e Vatrës

Gjate 100-e-sa-vjetëve, Vatra ka tejkalue kriza të ndryshme, por antarët e saj, me mundime dhe sakrifica, kanë gjetë mundësitë për vazhdimësine e kësaj organizate.  Gjendja e krijueme asht kjo: Kemi dy rryma të cilat kanë thirrë që të bahen dy kuvende të Vatrës, nji me 19 janar 2020 në Michigan, dhe nji me 25 prill 2020 në New York.  Sejcila palë paraqet arsyet e veta. Në nji krah janë vatranët që krijuen Komisionin 5 Tetor 2019 dhe në krahun tjetër janë vatranët që mbështesin Kryesinë, së cilës i kaloi mandati në qershor të 2019-tës. Ata që mbeshtesin Kryesin dhe Kuvendin e 19 janarit thonë që Komisioni asht i paligjshëm. 


Çfarë i shtyu vatranët për të krijue Komisionin 5 Tetor 2020? 

    Janë shum faktorë që ndikuen në krijimin e Komisionit Vatra. Po përmendim vetëm disa: 

1) Vendimet e Kryesisë pa konsultë dhe aprovim nga Këshilli Drejtues: Si u morën vendimet e Kryesisë gjatë këtyne dy vjetëve të fundit?  Këshilli Drejtues asht organi vendim-marrës ma i naltë mbas Kuvendit. Këshilli Drejtues gjatë dy vjetëve e gjysë asht mbledhë vetëm dy herë. Kanunorja e Vatrës kërkon që Keshilli të mblidhet gjashtë herë në vit dhe amandamentet e kanë katër herë në vit.

2) Vatra duhej të kishte Kuvend Pune në vitin 2018. Kuvendi i punës do të kishte delegatët të cilët do të propozonin dhe do t’merrnin vendime për planet njivjeçare të Vatrës. Kryesia do të vepronte simbas planeve dhe udhezimeve të Kuvendit.  Pse nuk u thirr Kuvendi i Punës? Kryesia vendosi të punoje në krye të vet, pa u konsultue, dhe pa marrë aprovimin e antarëve të saj. 

3) Pse nuk u thirr Kuvendi zgjedhor në 2019? Tue mos thirrë Kuvendin në 2019, Kryesia lejoi skadimin e mandatit të saj, dhe ndikoi që vatranët të krijojne Komisionin 5 Tetor 2019. 

4. Kryesia nuk i denoi shkeljet e Kuvendit të 2017. Në atë Kuvend, kredencialet e delegatëve nuk u verifikuen me korrektësi. Disa kryetarë degësh i ngritën antarësitë e degëve të tyne në minutën e fundit për të shtue numrin e delegatëve. Ende sot nuk dihen të gjith emnat e 73 delegatëve që morën pjesë në ktë Kuvend. Ma vonë u muer vesh që kishte delegatë të cilët ishin antarësue në Vater para nji viti, dhe kishte delegatë që kishin emigrue ne SHBA para 8 muejsh. Simbas Kanunorës, delegati duhet të jetë të paktën dy vjet antar i Vatrës. 

Për hirë të harmonizimit dhe të mirëvajtjes së Vatrës, Kryesia e kishte obligim që t’distancohej nga këto shkelje.

5. Kryesia dhe Keshilli Drejtues nuk u aprovuen nga Kuvendi.    

Pikat 1, 2, dhe 3 janë të mjaftueshme për ta ba Komisionin 5 Tetor 2019 të ligjshëm.  Antarët e Vatrës kanë të drejtë me u aktivizue kur diçka asht e padrejtë. Tue u bazue ne konceptin e të drejtave naturale, njerëzit nuk kanë qendrue duerkryq. Jane aktivizue.  Po t’i hedhim nji sy Deklaratës së Pavarësisë së Amerikes, do të shohim që Thomas Jefferson, përpiluesi e kësaj deklarate, i influencuem kryesisht nga filozofi anglez, John Locke, një pjesen e të drejtave natyrore të njerëzve dhe marrëdhëniet me qeverinë, thekson që asht detyre e njerezve që ta ndryshojë ose shfuqizojë nji qeveri, dhe të krijojë një qeveri të re, kur ajo nuk i mbron të drejtat e popullit qe ka premtue me qeverisë. Mandej, neni 18 i Kanunores ban fjale per thirrjen e mbledhjes se Komisionit (Keshillit Drejtues) dhe Amendment 11-e ban fjale per zavendsimin e kryetarit. Autorët e Kanunores i kanë pasë parasyshë këto parime kur e kanë hartue nenin 18 të saj, që ban fjale per të drejtën e katër antarëve me  kërkue thirrjen për nji mbledhje ekstraordinare.

Ç’ndodhi mbas krijimit të Komisionit Vatra? 

Antarët e Komisionit Vatra me daten 6 tetor 2019 i drejtuen nji letër Kryesisë dhe i kërkuen takim. Teksti i letrës ishte: “Me date 5 tetor 2019 në Bronx, New York City, një grup vatranësh nga Këshilli Drejtues i VATRES, nga Keshilli i të urteve dhe kryetare degësh të VATRES u mblodh dhe krijuan një Komision që kërkon takimin me Kryesinë e Vatrës me datë 20 tetor në ora 11:00 AM në selinë e Vatrës. Ju lutemi konfirmoni takimin me 14 Tetor 2019.” Kreysia nuk pranoi takim. Komisioni deklaroi daten e Kuvendit me 25 prill 2020 në New York, dhe që antarët e ketij Komisioni do të merren me pregatitjen e Kuvendit.  

Vendimi i Kryesisë me 11 dhjetor 2019 mbolli faren e ndamjes së Vatrës

Pak kohë mbasi Komisioni caktoi daten qe Kuvendi do te mbahet me 25 prill 2020, me 11 dhjetor 2019, Kryesia deklaroi që do të bahet Kuvendi me 19 janar 2020 në Michigan.  Pra Kryesia: 1) Nuk organizoi Kuvend Pune ne 2018; 2) nuk mblodhi Keshillin Drejtues dy here ne vit; 3) Nuk bani Kuven ne 2019; 4) Nuk pranoi te ulet dhe të bisedojë me Komisionin qe vatranët krijuen me 5 tetor, dhe 5) Caktoi nji datë tjetër për Kuvend.  Vendimi ne piken 5 asht praktikisht akt drejt krijimit të dy Vatrave, tue zyrtaruzue keshtu perçamjen e fillueme qyshë në kuvendin e 2017ës.

Antaret e Komisionit Vatra jane: Sergio Bitici, Ahmet Giaffo, Ahmet Hoti, Dr. Nexhat Kalici, Kris Kirka, Dr. Elton Mara, dhe Armin Zotaj. Antarët e Kryesise jane: Zef Balaj, Sokol Bejleri, Tom Beno, Marjana Bulku, Marjan Cubi, Besim Malota, Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Adiratik Spahiu, Nazo Velu, dhe Dr. Skender Murtenzani (i cili deklaroi me ane t’nji e maile që ka dhanë doreheqje nga Kryesia, dhe propozoi nji date tjetër për Kuvend). 

Shmang’ja e Rrezikut dhe Mundesitë për Bashkim në nji Kuvend

    Për t’organizue nji Kuvend të nji organizate që ka disa degë, si asht Vatra, duhet kohë. Kryesia ka deklarue Kuvendin e saj me 19 janar në Michigan, pra mendon që do të organizoje nji Kuvend mbrenda nji mueji.  Nëse asht e vërtetë që mund te bahet organizimi mbrenda nji mueji, at’herë pse Kryesia nuk e organizoi Kuvendin e Punës në vitin 2018? Pse nuk e organizoi Kuvendin zgjedhor në pranver apo verë të vitit 2019?  

Mundesitë për t’u bashkue nën nji Kuvend me datën 25 prill 2020 janë të mundëshme. Antarët e Komisionit që përbahen prej shtatë vetëve e kane lanë nji derë hapun në mbledhjen që kanë ba me 21 dhjetor 2019 në Newburgh, që këtij Komisioni t’i shtohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe të bashkpunojnë për t’organizue Kuvendin me 25 prill 2020, apo po të bien dakord të caktojnë nji datë tjetër. 

Po të jetë qellimi që të bahet nji Kuvend i rregullt, ç’të keqe ka që Kuvendi të organizohet nga Komisioni? Ç’të keqe ka që këtij Komisioni t’i bashkohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe te punojnë se bashku mbrenda harmonisë kombëtare për te vû Vatrën në hullinë që meriton? 

Për t’ju shmangë rrezikut të ndjamjes në fraksione sot apo n’të ardhmen, Vatrës i duhen antarë të drejtë, punëtorë, dhe drejtues degësh të devotshëm. Vatrës nuk i duhen kryetare degësh të papërgjegjëshem, të cilët nuk janë në gjendje të dërgojnë listat dhe regjistrimet e degëve me rregull. Nuk i duhen kryetar degësh që manipulojnë, dhe publikisht genjejnë duke deklarue se filani ka qenë antarë i degës time për 5-6 vjet, ku dihej qe ajo degë nuk i kishte gjashte vjet që ishte formue. Vatrës nuk i duhen drejtues degësh që nuk aplikojnë kanoren në zgjedhjen e delegateve në Kuvend.  Vatres nuk ibduhen drejtues qe ç’fuqizojne amandamentet qe vatranet kane aprovue gjate nji shekulli. Vatres nuk i duhen kryetarë që kërkojne me ba ura nderlidhese me agresoret fqinjë, kur urave u mungojne kambët. Kur Greqia t’u jape të njajtat te drejta shqiptareve ne Greki që kanë grekofonet ne Shqipni, atehere kemi vû bazat për ura.

Vatrës i duhen njerëz te ndershëm dhe punëtorë. Vatres i duhen drejtues vizionarë.  I duhen njerëz që janë të përkushtuem për të mirën e Komunitetit dhe të Kombit. Njerëz të tillë do t’a fusin Vatrë në hullinë e historisë së saj.   

Mithat Gashi asht antare i Vatres qe në vitin 1990. Ka mbarue studimet pas-universitare në Columbia University School of International Affairs dhe doktoraturën në Fordham University.

***

3 Shenim nga Editori

Shënimi i Editorit: 1- Dr. Skënder Murtezani nuk ka dhënë dorëheqje nga kryesia e Vatrës. Një deklaratë e tij për dorëheqje u bë në Komisionin e Përgatitjes së Kuvendit, i cili nuk nuk ka tager për të miratuar dorëheqje.Kjo iu tha z. Murtezani, i cili u mirëkuptua dhe u sqarua. Dr. Murtezani nuk mundi të merrte pjesë në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë me anëtarët e Këshillit, ku u mor vendimi për Kuvendin e Michiganit, por Ai ia delegoi votën e vet nënkryetarit Agim Rexhaj.Nuk ka akt zyrtar të dorëheqjes dhe pagesat dhe Listat e anëtarësisë së degës së Queensit janë dorëzuar në Vatër, 100 anëtarë.Dega e Queensit eshte dalluar per aktivitete ne vazhdimesi dhe kryetari i saj Dr. Myrtezani, duhet pergezuar qe gjene kohe te merret me Vatren. Veprimtarite e deges jane ndjekur nga Kryetari i vatres dhe jane pasqyruar nga Gazeta DIELLI.

2-  Komisioni i 5 Tetorit duhet të sqarojë masën e vatranëve se ku e mbështesin ata vetshpalljen e këtij Komisioni? Nëse, pas 6 muajësh vetshpallet një tjetër Komision i 6 apo 7 tetorit, a nuk krijohet precedent për të ardhmen e Vatrës? Kushtetuta e Vatrës nuk e njeh këtë lloj praktike në 107 vite egzistencë. Parktika e Vatrës njeh ndëshkime për ata që dalin jashtë qëndrimit zyrtar, sic ishte përjashtimi i degës së Westchester-it me kryetar Nick Markolaj në vitin 2013, pro jo krijime komisionesh të tipit të 5 tetorit,  nga grupe të pakënaqurish. Kuvendit i kanë dhënë mbështetje shumica e degëve.Si praktikë demokratike vendos shumica, por me votë, jo me sharje e kërcënime.

3- Deri tani i kanë thënë”PO” Kuvendit dhe kanë dërguar pagesat e anëtarësisë për dy vitet:

1- Jacksonville-Florida

2- Tampa -Clearwater-Florida

3- Hudson Valley-NY

4- Queens, NY

5- South Florida

6-Hartford CT

7-Michigan

8- Toronto

9- Qendra

 Vendi për bashkim është KUVENDI.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mithat Gashi-Thirrje Vatraneve-Bashkimi

PËRSE TRUMP-I URDHËROI SULMIN KUNDËR SULEJMANIT? DY SKENARËT

January 7, 2020 by dgreca

Nga MASSIMO GAGGI/

           


“Corriere della sera”, 4 janar 2020 – E përktheu Eugjen Merlika/

“Loja ka ndryshuar”. Ministri i Mbrojtjes së SHBA, Mark Esper, e kishte thënë pak orë më parë se vrasja e Kasem Sulejmanit, duke lajmëruar se, përballë planeve të reja të sulmit të Iranit kundër SHBA, Washingtoni do të ishte përgjigjur me veprime ushtarake të parakohëshme. Por askush nuk mund të merrte me mënd se Donald Trump-i, presidenti që arriti të zgjidhej duke premtuar se do t’a nxirrte Amerikën nga luftërat, do të guxonte të asgjësonte një personazh që Bushi dhe Obama as që e kishin përceptuar për t’a goditur. Presidenti amerikan na ka mësuar me ndryshime të menjëherëshme, por këtë herë veprimi është aq i stërmadh sa që shkon shumë më përtej lojës së paparashikueshmërisë së Trump-it dealmaker. Skenarët që mund të ndillen janë në thelb dy. I pari është ai i veprimit të vendosur mbasi është marrë vesh se gjenerali që, prej njëzet vitesh është regjizori i të gjithë veprimeve të dhunëshme të zbatuara nga forcat filo-iraniane jashtë, që nga Siria në Irak, duke kaluar nëpër Liban e Gaza, po përgatisnin veprime edhe më mizore kundër objektivave amerikane. I vetëdijshëm se sidoqoftë viktimat amerikane do të ishin, presidenti ka vendosur të kundërveprojë më parë, për të mos u dukur  si një drejtues që e kalërojnë ngjarjet. Shpreson se, duke asgjësuar një strateg që të gjithë – aleatë e kundërshtarë – e quajnë të pazëvendësueshëm e të pashembulltë, aftësia sulmuese e regjimit, shpejt a vonë, do të pakësohet: mbrëmë ka pohuar se ka vepruar për t’i dhënë fund një lufte, jo për t’a filluar. Duhet të ketë peshuar shumë edhe rrethimi i ambasadës amerikane n’Irak në prag të Vitit të ri, që ka risjellë në mëndjen e Trump-it makthin e 1979; qytetarë të SHBA pengje të revolucionarëve shiitë, një episod që ai gjithmonë e ka quajtur një njollë turpi për Amerikën.

            Skenari i dytë është ai i një shtimi dramatik të tensionit ndërkombëtar i nxitur për të bërë të përfundojë në plan të dytë proçesi për shkarkimin. Senati duhej të kthehej në një gjykatë ditët e ardhëshme, por drejtuesi i tij, republikani Mitch McConnell, bëri me dije dje se kjo pjesë e Parlamentit javën e ardhëshme do të merret me diçka tjetër: një raport tepër i fshehtë mbi krizën iraniane. Ndërthurja e këtyre ngjarjeve, në një farë mënyre, kujton skenarin e përshkruar, pak mbas skandalit Lewinsky që çoi në shkarkimin e Bill Clintonit, në filmin “Seksi dhe pushteti”. Ajo komedi “e zezë” mbi një luftë të stisur të kurdisur për të ndihmuar rizgjedhjen e një presidenti, kujtohet vazhdimisht në këto orë në Washington edhe sepse Trump-i, shpesh i paditur se bën politikë sikur të ishte në një realitet televiziv, në 2011 e akuzoi më shumë se një herë Barack Obamën, që shikonte rrezikun e një humbjeje në zgjedhjet presidenciale, se donte të rifitonte miratime duke hapur një konflikt me Iranin.

            Por skenari i parë është shumë më i besueshëm, edhe se njëri nuk përjashton tjetrin: sigurisht gjëndja shpirtërore e një Trump-i që ndjehet i rrethuar edhe se e quan pushtetin e tij pothuajse të pakufizuar ka patur peshën e tij. Por hapa të ndryshme të tij në të shkuarën – që nga fillimi i tërheqjes nga Siria tek heqja dorë në çastin e fundit për hakmarrjen amerikane mbas rrëzimit të një droni të SHBA për të mos krijuar një spirale të vështirë për t’u kontrolluar – bëjnë të besohet që presidenti nuk e ka patur të lehtë të jepte urdhërin për të asgjësuar Sulejmanin.  Atëherë mund të pyetet jo vetëm përse e ka bërë, por edhe mbi çfarë të dhënash është bazuar dhe si i ka llogaritur rreziqet: e dinte se gjenerali, drejtues i një fuqie paraushtarake që ka udhëhequr shumë sulme terroriste, është edhe një personazh tejet popullor në Iran, madje ikona kulturore e qëndresës kundrejt embargos nën të cilën Vëndi është vënë prej dhjetëvjeçarësh? Nga kush është këshilluar tani që të gjithë personazhet më të njohur që kanë patur poste në Shtëpinë e Bardhë apo në Pentagon, janë larguar apo përzënë? John Bolton, këshilltari për çështjet ndërkombëtare i pushuar nga puna pak muaj më parë si luftënxitës, dje ka qënë i pari që ka përgëzuar presidentin. Dhe secretari i shtetit, Mike Pompeo, regjizor i përzënies së tij, dje i është përgjigjur ashpër ministrit të Jashtëm francez duke pohuar se pa Sulejmanin bota është më e sigurtë.

            Pompeo dhe Trump-i nuk mund të mos e dijnë se Teherani do të kundërveprojë egërsisht dhe që kjo mund të shpjerë në një spirale të pakontrollueshme. Robert Malley që ka qënë në krye të tryezës së Lindjes së Mesme në Shtëpinë e Bardhë të Barack Obamës, ndoshta zmadhon kur e quan sulmin me drone në aeroportin e Bagdatit një shpallje lufte. Por pasojat do të jenë të rënda në nivel ndërkombëtar dhe të brëndshëm, duke mbajtur parasysh se demokratët janë tërbuar – dhe shumë të trembur – për kalërimin e Kongresit. Biden e padit Trump-in se ka hedhur një llokum dinamiti në një fuçi baruti. Nancy Pelosi kërkon një raport të hollësishëm mbi atë që ka ndodhur dhe mënyrën me të cilën presidenti mendon t’a mbarështojë krizën. Përgjigja e parë ka qënë përçmuese: Trump-i ka lëshuar një tweet të një komentuesi të së djathtës që, kryetarit të senatorëve demokratë Chuck Schumer që ankohej për mungesë informacioni Kongresit, i është përgjigjur se të informohej ai ishte njësoj sikur të informoheshin iranianët. Trump-i do të godasë ashpër edhe në planin e brëndshëm, por duhet të ketë lëvizur mbi të gjitha për të parapritur sulme të reja duke mbajtur para sysh fantazmën e Jimmy Carter-it: “Jemi pranë jush, nuk mund t’a merrni me mënd sa. Jemi gati” e kishte kërcënuar pak ditë më parë drejtuesi i Quds Force.

            “Corriere della sera”, 4 janar 2020       E përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Massimo Gaggi-Eugjen Merlika-Trump-Sulejmani

Psikologjia etnike si dëshmi e origjinës ilire të popullit tone

January 5, 2020 by dgreca

Nga Anton Çefa/

           “Populli shqiptar vjen prej kohësh të largëta ndoshta me më pak ndryshime në gjendjen, doket dhe zakonet e tij sesa çdo bashkësi tjetër në Evropë./H. Holland/

          Prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve është pranuar dhe argumentuar shkencërisht nga historia, arkeologjia, antropologjia, gjuhësia, si leksik dhe si strukturë gramatikore, toponimia, antroponimia, etnografia, historia e artit, gjeografia, gjenetika.

          Argumente të shëndosha për këtë fakt na japin edhe mjaft përbërës etnopsikologjikë të përbashkët të ilirëve dhe të shqiptarëve, që po përpiqem t’i parashtroj këtu.

          Historikisht është pranuar që ilirët erdhen në Ballkan nga fundi i neolitit dhe fillimi i kohës së bronxit, rreth 4000 vjet më parë, dhe u formuan si etnos autokton si rrjedhojë e një procesi të gjatë simbioze me popullsinë e lashtë pellazge, që gjetën në këto troje.        

          Në kohën e hekurit, shek. IX-V p.e.r., ilirët kishin arritur të krijojnë “një kulturë materiale e shpirtërore me tipare të përbashkëta”. 1). Ata përparuan shumë dhe qenë bërë një faktor i rëndësishëm historik në Europën Juglindore. Gjatë shekujve të gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të pare, zhvillohet procesi i mbrujtjes etnike të shqiptarëve, që përfundoi me kristalizimin e kombësisë shqiptare. Në këtë proces të gjatë mbrujtjeje etnike, tharmet më me peshë sigurisht i përbëjnë “substancat shpirtërore”. Kështu, trashëgimia ilire në psikën shqiptare vjen si element vazhdimësie, dhe, si rrjedhim, si argument i origjinës ilire të popullit tonë, i mbijetesës shqiptare nga ama ilire. Çdo krijim në fushën e kulturës, qoftë lëndore, qoftë ideale, ka vulën e shpirtit etnik, që qëndron gjithnjë në rrënjët e vetëdijes dhe të nënvetëdijes së njeriut si prush i pafikur i vatrës.

          Duke folur për lidhjet e popullit tonë me ilirët, dhe kryesisht duke vënë në dukje vazhdimësinë iliro-shqiptare në elemente të kulturës shpirtërore, Shuflaj, në librin “Serbët dhe shqiptarët”, ka shkruar: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër qe nji faktor i fortë i historisë, i cili njihej me emnin ilir. Mandej u zhduk per synin e historishkruesvet nder pshtjellimet e Gadishullit Ballkan, por fshehtazi bashkëpunonte në lulzimet gjuhësore e folklorike të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue n’emnin shqiptar, dha shenja të reja të fuqisë së vet krijuese . . .” 2).

          Trashëgimia shpirtërore ilire në psikën tonë është e gjerë, e larmishme dhe e një rëndësie të dorës së parë. Ajo përfshin të gjitha hiset e saj: atë ndjenjësore-emocionale, atë intelektuale dhe atë volitive.

          Ideali i lirisë, ndjenja e fuqishme për lirinë, qëndresa e vazhdueshme për ta mbrojtur dhe për ta rifituar lirinë e humbur, trimëria dhe heroizmi që e shoqërojnë dhe e jetësojnë këtë ideal dhe këtë ndjenjë, janë atribute shpirtërore të ilirëve, të arbërve dhe të shqiptarëve. “Si familja ashtu edhe heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve si edhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.”, ka shkruar Çabej. 3). Dijetari gjerman  Falmerajer e ka cilësuar popullin tonë “fanatikisht liridashës”.4).

          Lidhur ngusht me idealin dhe ndjenjën e lirisë qe ngjizur në shpirtin ilir karakteri luftarak, veti që u trashëgua më vonë tek shqiptarët. “Ilirët qenë më shumë se çdo gjë tjetër, luftëtarë”, ka shkruar Karl Patcsh në veprën e tij “Ilirët”5). Dhe më poshtë: “Puna kryekrejet për ta ishte lufta . . .”. I njëjti tipar karakteri është pohuar edhe për ne nga shumë e shumë të huaj, shkencëtarë a udhëtarë të zakonshëm, që kanë kaluar nëpër vendin tonë. “Zotësia ushtarake i është lindur kësaj race, shkruan Çabej, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm.”6).

          Të parëve tanë ilirë dhe ne shqiptarëve, na është dashur të luftojmë tërë jetën për t’u përballuar sulmeve pushtuese të perandorive të fuqishme: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine, Perandorive mesjetare kalimtare Bullgare e Serbe, Perandorisë Osmane, dhe pushtuesve të tjerë të mëvonshëm italianë e gjermanë; por shqiptari “gjithnjë është rebeluar”, siç është shprehur Herbert Louis 7), dhe nuk është nënshtruar. A nuk është ky “rebelim” një medalion i artë në gjoksin e shqiptarit siç ka qenë i varur edhe në gjokset ilire! Me të drejtë, ka shkruar arkeologu Italian Ugolini: “Qenë pushtuesa të huej në Shqipni, por nuk qenë zotnuesa mbi të tanë shqiptarët” 8).Ndërsa vetë malësorët tanë të Veriut janë shprehur: “Na jemi si rana qi rrin, i hueji si shiu qi vjen e shkon.” 9).

          Ilirët kanë qenë të njohur për grindjet mes fiseve, siç e dëshmon historia e tyre dhe siç na e ka pohuar edhe Karl Patsch, por në kohën e rreziqeve të përbashkëta, ata bashkonin armët në luftë kundër armikut. “Asht nji gja mallëngjyese me vu re se, në orvatjen supreme për të mbrojtë pamvarsinë e tyne kundër nji anmiku të huej, të tri mbretnit që themeloi raca e Ilirve luftuen së bashku.” 10), ka shkruar Zavalani. A nuk ka ndodhur kështu gjithnjë edhe me shqiptarët?

          Luftat e vazhdueshme për liri kultivuan në shpirtin iliro-shqiptar një dashuri të veçantë dhe një nderim thuaj mistik për armët. Karl Patsch na e ka vënë në dukje këtë atribut shpirtëror të ilirëve: “Si një popull luftarak u jipnin ilirët, sikurse shqiptarët e sotëm, një rëndësi të posaçme armëve të mira e të bukura.” 11). Dhe, më poshtë: “Se sa fort i kishin për zemër armët e tregojnë sendet e stolisjes së trupit e të shtëpisë së tyre, të cilat i bënin në ngjasim e në formë harqesh, shigjetash, shishash, etj.” 12). Këtë nderim të veçantë për armët e kanë ruajtur shqiptarët, sidomos ata të maleve. Shqiptarët i prodhonin vetë armët dhe i zbukuronin me motive atdhetare dhe artistike nga më të ndryshmet. Të gjithë burrat e malësive ishin të armatosur. Djemve, që në moshën 12-15 vjeçare u jepeshin armët, bile organizoheshin ceremoni të veçanta për këtë eveniment. Një nga lojërat e preferuara ndër male tona qe gjuajtja e shenjit.

          Gjatë historisë së vet, shqiptari është karakterizuar për aftësitë e tij organizative e administrative, bile për problemet më të larta shtetërore. Mjerisht, rrethanat historike kanë kushtëzuar që këtë veti të çmueshme karakteri, ai ta shfaqë kryesisht në dobi të të huajve. Perandorinë Romake, në kohën kur ajo qe gati të shembej nga sulmet e fiseve barbare, qenë perandorët me origjinë ilire që e shpëtuan dhe e futën në rrugët e stabilitetit dhe të prosperitetit. Dhe sa e sa vezirë e udhëheqës të lartë shqiptarë, mjafton të përmendim vetëm Qiprilinjët, e qeverisën dhe e drejtuan Perandorinë Otomane për aq e aq kohë! Apo nuk qe edhe një Mehmet Ali që themeloi shtetin modern të Egjiptit!

          Gjithsesi nuk mund t’u mohohet shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre ilirë fakti që këtë dhunti shpirtërore e kanë vënë edhe në dobi të tyre; çka e shfaqën në ndjenjën dhe në aftësitë e tyre intelektuale për të bërë ligje, mbi bazën e të cilave të rregullonin e të disiplinonin jetën e tyre individuale e shoqërore.

          Dihet se elementi i qëndrueshëm i organizimit shoqëror të ilirëve dhe më vonë të shqiptarëve ishte fisi, i cili vetëqeverisej në bazë të normave ligjore tradicionale, përbërës të të cilave u trashëguan tek ne. Ishte ky organizim i brendshëm shoqëror mbi bazën e të drejtës zakonore, që u detyruan t’ua njohin ilirëve pushtuesit romakë dhe shqiptarëve pushtuesit osmanë.

          Çështjet me rëndësi shoqërore e politike të fiseve, katundeve, krahinave shqyrtoheshin dhe zgjidheshin në kuvende, d. m. th. në mbledhjet e përgjithshme të burrave. Kuvendet qenë organizma vetëqeverisëse si për ilirët si edhe për shqiptarët. “Kuvendet e bajrakëve në kohën e sundimit otoman, ka shkruar Zavalani, kanë qenë sigurisht vazhdimi i traditave të trashigueme nga fiset iliriane” 13). 

          Siç dihet, ligjet kanunore qenë ndërtuar nën frymëzimin dhe mbi bazën e virtyteve të çmueshme të shpirtit tonë etnik: burrërisë dhe nderit, besës dhe ndores, mikpritjes dhe faljes, ndjenjave dhe idealeve për liri, drejtësi e barazi, respektit për njeriun, etj. A i patën ilirët këto virtyte? Ne që trashëguam ligjet ilire të vetëqeverisjes, trashëguam pa asnjë mëdyshje edhe frymën e tyre, strukturën etike mbi bazën e së cilës u ndërtuan këto ligje. Trashëgimia e kësaj kuintesence psikike nga ilirët tek shqiptarët është një argument i padiskutueshëm i lidhjes së tyre gjenetike.  

          Nga ato pak të dhëna që kemi për të drejtën zakonore të ilirëve, nga normat juridike të kuvendeve ilire (nuk dimë ende nëse qenë përmbledhur ato në ndonjë kod të shkruar si e drejta zakonore romake tek “12 Tabelat”), ne hamendësojmë atë ideal dhe ndjenjë lirie, që përmendëm më lart, po edhe idealin dhe ndjenjën për drejtësi dhe barazi të individit, që patën të parët tanë ilirë dhe që frymëzoi atë të drejtë.

          Na dëshmohen konkretisht tek kanuni ynë edhe disa institucione juridike ilire. “Vazhdimësinë iliro-shqiptare, shkruan Nicholas Brent (alias Nelson Çabej), e dëshmojnë edhe disa të dhëna nga fusha e së drejtës zakonore . . . të shqiptarëve. Kështu, është konstatuar se ekziston një ngjashmëri e dukshme midis institucioneve juridike provinciale të Ilirikut (ku siç dihet u ruajtën institucionet juridike të vetë ilirëve) dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe deri në shekullin e kaluar në Shqipëri janë ruajtur e kanë funksionuar tre institucione origjinale ilire: e drejta e parablerjes, institucioni i vëllamërisë dhe institucioni kanunor i martesës me grabitje dhe me blerje.” 14).

          Vlen të theksohet këtu, në mënyrë të veçantë, institucioni i kumbarisë në të prerët e flokëve, doke e gjallë në malet tona qysh prej Dibre e deri në Malësi të Madhe, që Palaj, ky njohës i thellë i psikës dhe i dokeve të maleve, vetë bir i tyre, e equan një “doke aq të bukur të jetës iliro-pagane.” 15). Tek “Kanuni i Skanderbegut”, Dom Frano Illia, mbledhës e kodifikues i këtij Kanuni, ka vënë shënimin: “Si në përgjithësi kumaria e flokve në veçanti ka per qellim zgjanimin e rrethit shoqnor, asht jasht riteve fetare e përdoret ma të shumten per të lidhë dy shtëpi besimesh të ndryshme.” 16). Vëllamëria, kumbaria në të prerët e flokëve, zakonet e mikpritjes janë pasqyrë e prirjeve të një shpirti kozmopolit. Me admirim për mirëpritjen shqiptare me zemër të hapur edhe ndaj një të huaji që i troket në derë, Durham ka shkruar në parathënien e librit “High Albania”: “Nëse një njeri është i hirshëm dhe i sjellshëm ndaj të huajve, kjo tregon se ai është Qytetar i Botës, dhe se zemra e tij nuk është ishull i shkëputur nga tokët e tjera, por është kontinent që i bashkon ato”17).

          Elemente të këtyre institucioneve i gjejmë edhe në eposin tonë të kreshnikëve, ku kryekreshniku Muji, mbasi pi qumështin e zanave, bëhet vëllamë me to, dhe ato e ndihmojnë kur ai gjendet në rrezik.18).

          Një fill psikologjik i përbashkët mes ilirëve dhe shqiptarëve na përshkohet në qëndrimin e tyre ndaj pushtetit qëndror, qoftë ky edhe i huaj. Kështu “Kanuni i njeh pushtetin fuqisë që sundon ‘kalanë’, pra atij që ka në dorë selinë tradicionale të trevës, por kjo gja nuk shtyn individin me ja dorëzue vetveten atij pushteti” 19), shkruan Ardian Ndreca. Dhe ai vetë sqaron më poshtë: “Autoriteti suprem mbetë ndërgjegjja e personit e përpara gjykatës së kësaj ndërgjegjeje nuk ka asnji forcë të jashtme që mund të sundojë. Asht kjo ndërgjegje që dënon por edhe din me falë, që vret por edhe që shpëton, që merr por edhe që jep – tue i lanë të mbinatyrshmes një vend krejt të veçantë, personal dhe të pashprehshëm në terma juridike.” 20).

          Krejt në analogji më këtë qëndrim kanë vepruar edhe ilirët. Zavalani shkruan: “Në Shqipni fiset e maleve ruejten vetqeverimin e tyne si komunitete të veçueme. Por malcorët dhe katundarët ilirian ishin besnikë ndaj Perandorit dhe i shtroheshin autoritetit të përfaqësuesve të tij për çdo çashtje që kapërxente kufijt e administratës së tyne lokale. Ata ishin pronarë të vegjël dhe mbanin me kambëngulje të drejtat e tyne kundër orvatjeve të tregtarëve të Romës me përvehtësue toka e me sigurue privilegje në dam të tyne.” 21). (Po japim në referenca një dokument që vërteton këtë qëndrim. *).

*   *   *

          Duke iu referuar historisë, Çabej, ka aritur në përfundimin që “është fuqia e personalitetit ajo që . . .  luan tek shqiptarët si edhe tek stërgjyshët e tyre, ilirët, një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu. Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën e bashkëjetesës kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit.” 22). Këtë tipar të psikës sonë, Çabej e ilustron me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skendërbeun dhe me Ali Pashë Tepelenën. (* * Sqarimi tek referencat).

          Lidhur me këtë problem, para së gjithash, duhet të dallojmë autoritetin e zgjedhur ose të fituar me merita nga ai i imponuari. Në rastin e parë, nëse duam t’i vëmë këtij atributi shpirtëror një argument psikologjik që qëndron si shkak i kësaj dukurie, duhet të pranojmë se shqiptari i kanunit pranon me ndërgjegje autoritetin e zgjedhur. Ja çka thotë Zef Valentini: Shqiptari, “në diskutim, flet si privat . . . ; por botërisht, duke lënë peng fjalën dhe zërin zyrtar të vetin, ai nuk këqyr opinionin e vet, por, me një shpirt të çuditshëm brenda kufijve të lirisë e të demokracisë së tij, pikërisht pse është demokrat i vertetë, është seriozisht i respektueshem ndaj autoritetit, d. m. th. kundrejt të parëve që kanë pasur qindra vjetësh eksperiencë, kundrejt ligjit që është fryti i eksperiencës dhe kundrejt autoriteteve që mishërojnë personin dhe vullnetin e komunitetit. Parimi është: në shtëpinë time unë jam privat e mbret; në katund ose në kishë unë jam gjymtyrë e komunitetit.” 23).

          Tradita në rrafshin psikologjik është tradita e maleve. Malet kanë ushqyer gjithnjë fushat dhe qytetet; kështu që ndikimi i tyre ka qenë gjithnjë i dukshëm. Aq më tepër që Shqipëria dhe trojet shqiptare, në përgjithësi, janë malore.

          Mjaft përbërës të psikës ilire kanë ardhur deri në ditët tona nga fusha e mitologjisë, folkorit, besimeve e kulteve popullore, etj. Me interes të veçantë shkencor është ruajtja në ndërgjegjen e malësorëve të Veriut deri vonë e besimit në hyjninë e Tokës, një besim tejet i lashtë i kohëve kur njerëzit adhuronin kafshët, drurët dhe dukuri të ndryshme të natyrës. Bernardin Palaj na tregon një episod që e dëshmom këtë: një burrë ndjek gjaksin e djalit në lëndinë dhe bash atëherë kur i matet për ta vrarë detyrohet ta falë dhe t’i japë besë e ndore, sepse gjaksin e zë gjaku dhe i bie ndore tokës (“pse gjaku atë e xuni, e tuj u ra gjujve, ndore tokës i rá!”). 24). Pra, i bie ndore dhe i kërkon besë hyjneshës Tokë. Një besim i tillë është më i lashtë se i qytetërimit ilir; ai i takon qytetërimit proto-indoevropian pellazg. Dihet se besimi fillestar i ilirëve qe anikonik (pa fytyra, pa figure, pa shtatore a relieve). Më vonë, nën influencën e grekëve, ata i atropomorfizuan perënditë e tyre. 

          Gjeçovi, duke folur për zakonet e mikpritjes, na ka përmendur emrin e një perëndie ilire, si duket, antropomorfe. Ndër të tjera, i zoti i shtëpisë i drejtohet mikut me këtë betim: “Në laça dorën e anmikut me të prekun në bukë e në krypë t’eme, Zoti Parun më gjoftë e më sterfartë me rrfet e veta!” 25). Duket qartë se këtu kemi të bëjmë më një perëndi pagane të kohëve ilire, ndoshta me perëndinë mbrojtëse të mikut dhe të mikpritjes që ka mbijetuar në besimin e malësorëve.

          Shumë i përhapur dhe i çmuar ndër ilirë ka qenë besimi tek perëndia e Diellit, besim që ka mbetur i gjallë deri vonë ndër male tona. Nuk është çudi që sot e kësaj dite mund të dëgjosh nga goja e malësorëve të Veriut betime në diell. Për më tepër: “Çamët edhe sot i këndojnë perëndisë së lashtë të diellit, Zeusit: ‘Diell- o diell-o / ama buk’ e miell-o / sa të hamë premë / bashkë me t’ime ëmë.” 26).

          Perandori romak me origjinë ilire, Aureliani, ngriti në Romë Tempullin e Diellit. “Si ilir i vërtetë, shkruan Zavalani, kishte nji devocion të veçantë për Perëndin e Dritës, tue besue se prej tij i kishin ardhur të gjitha të mirat.” 27). Aq i fuqishëm ka qenë ndër ilirë besimi në diellin sa vetë “perandori romak Konstantini i Madh, siç na e pohon studiuesi Zef Mirdita, përkundrejt faktit se me Ediktin e Milanit, të vitit 313, ia dha lirinë krishtenizmit, ai edhe më tutje mbeti adhurues i hyjnisë solare.” (diellore, sqarimi im, A. Ç.) 28). Vetëm pak para se të vdiste, ai u pagëzua, duke u bërë kristian. 29). Në eposin e kreshnikëve, Muji i lutet diellit për ta ndihmuar: “fill kah dielli kenka sjellë / edhe ndihmë i paska lypë” 30).

*   *   *

          Duke iu përkushtuar kryesisht veprimtarive luftarake dhe administrative, ilirët duket se nuk e vlerësuan a, më mirë të themi, nuk lavruan sa duhet në fushat e veprimtarisë mendore. Nuk kemi një tekst ilirisht dhe as të dhëna nga shkrimtarë grekë e romakë për këtë problem. Karl Patsch, në veprën e tij të përmendur më lart, ka shkruar: “Interesat shpirtërore të ilirëve nuk do të kenë qenë të mëdhaja, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë dhe në të pirë.” 31). Ndoshta ilirët nuk u morën me shkrime, jo pse nuk do të kënë pasur interesa shpirtërore, mbasi veprimtaria e tyre në fusha të artit si skulpturë, pikturë, muzikë, etj., dëshmon të kundërtën, por sepse rrethanat historike ua pengonin këtë aspekt jete e veprimtarie. Edhe shqiptarët qenë të dëshiruar për dije e kulturë, por atyre gjatë sundimit otoman iu ndalua shkolla, shtypi në gjuhën amtare, iu ndalua vetë gjuha.

          Provë të gjalla të shpirtit iliro-shqiptar krijues artistik gjejmë te folklori, muzika, vallet, kostumet, etj. Studiues të ndryshëm kanë shfaqur mendimin se tharmet e eposit të kreshnikëve kanë rrënjë të hershme ilire dhe edhe më të hershme. Ja çfarë thotë Alfred Uçi : “Epika jonë heroike legjendare  ka një bërthamë, që është ngjizur në themel të mendimt poetik parahistorik” 32).

           “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 33). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 34). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe e karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”. 35). Lashtësia ilire manifestohet edhe në vallet tona. “Vallet pirrike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 36).

          Një tjetër dëshmi tejet e shkëlqyer e shpirtit luftarak të shqiptarit është ruajtur prej shekujsh tek “Vallja e shpatave” ose siç quhet në Malësi të Madhe “Bejlegu a premja me tagana”. Studiuesi Nexhat Agolli thotë se L. V. Taloci jep këtë shënim të shkrimtarit të lashtë grek Ateneut për ilirët: “Ashtu si tek çdo popull luftarak – shkruan ai – tek ata këndoheshin këngë luftarake shoqëruar me bilbil e gajde, ndërsa briri i pijes kalonte nga dora në dorë dhe vallëzohej një valle e ashpër  armësh. Iliri kërcente rrotull me shpatë të çveshur . . . ashtu si edhe shqiptari i sotëm gjatë valles – shton nga ana e vet Taloci.” 37).

          Lidhjet ilire-shqiptare përfshijnë gjithashtu hapësirat e pafund të kulturës lëndore, ku janë shkrirë përbërës nga më të ndryshmit të shpirtit krijues. Nga moria e larmishme e kostumeve, që shquajnë për origjinalitet dhe shije artistike, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket, ato me origjinë ilire: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, fustanellën, tirqit, këmishën e tipit “dalmatika”.

          Shije të holla estetike dhe aftësi të rralla artistike, elemente me rëndësi të psikës së përbashkët iliro-shqiptare, dëshmohen edhe në motivet zbukuruese të veshjeve dhe të stolive, sidomos të grave; bile vetë veshjet si dhe objekte të tjera materiale kryejnë funksione estetike. “Stolitë arbërore (është fjala për stolitë e gjetura në varrezën e Komanit, që i takon mesjetës së hershme, Sqarimi im, A. Ç.) janë të zbukuruara me motive gjeometrike që vijnë nga fondi i kulturës ilire” 38).

Referenca dhe sqarime

1). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 1043.

2). Suflay, “Serbët dhe shqiptarët”; cituar sipas Atë Marin Sirdanit, “Ndriçime të historisë, kulturës dhe të artit shqiptar”, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16; zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha.

3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; përgatiti për shtyp Brikena Çabej, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 61.

4). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 254, zëri “Falmerajer Jakob Filip”, përgatitur nga Aleks Buda.

5). Karl Patsch, “Karakteri, zakonet dhe besimi i ilirëve”, “Illyria”, # 1601, Nëntor 28-Dhjetor 4, 2006.

6). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

7). Cituar sipas Eqren Çabejt, vepër e cituar më lart, f. 29.

8). Cituar sipas Atë Marin Sirdanit, vepër e cituar më lart, f.82.

9). Po aty.

10). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, botues “Phoenix & Shtëpia e librit”, 1998, f. 31.

11). Karl Patsch, shkrimi i cituar më lart.

12). Karl Patsch, po aty.

13). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 36.

14). Nicholas Brent, (alias Nelson Çabej), “Ilirët që mbijetuan”, Albanet Publishing, Dumont, NJ, 2009, f. 7.

15). Atë Bernardin Palaj, “Mitologji, doke dhe zakone shqiptare” Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Shpresa, Prishtinë, 2000, f. 82.

16). “Kanuni i Skanderbegut”, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot, 1993, & 86, f. 23.

17). Edith Durham, “High Albania”, Beacon Press, Boston, 1994.

18). Foto Malo, “Vështrim krahasues mbi epikën heroike shqiptare dhe poemat homerike” në “Çështje të folklorit shqiptar-3”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1987, f.444.

19). Ardian Ndreca, “Ndikimi i kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, botuar në “Hylli i Dritës”, nr. 1, 2007, Shkodër, f. 44.

20). Po aty.

21). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f.36.

* “Nji dokument i skalitun mbi gur në vitin 194 mbas J.K., që asht gjetë në  krahinën e Orestëve (midis Korçës dhe Liqenit të Pogradecit) ban fjalë për nji kuvend të parisë lokale, ku janë shprehë ankime kundër qytetarve romakë, zyrtarë apo privat, që mundohen me shtrie  dorë mbi tokë komunale, megjithqë nuk gëzojnë të drejtat e qytetarit n’at vend. Kuvendi riafirmon parimin e pranuem që vetëm Orestët të shfrytzojnë tokat e përbashkta të krahinnës, dhe vendos që kjo rezolutë t’i njoftohet governatorit të provincës së Maqedhonis me anë të kasnecve të posaçëm që duhet të jenë prej fisit të Orestëve. Mbas aprovimit të governatorit, kuvendi vendos që rezoluta të shpallet publikisht.

            “Fiset malcore iliriane mblidheshin në kuvendet e tyne për çdo vjet, me rastin e festës së Augustit. Kjo bahej për të riafirmue besniknin e tyne ndaj Perandorit dhe për të konsolidue të drejtat politike me randësi që ju ishin njoftë.” (T. Zavalani, vepër e cituar, f. 36).

22) Eqrem Çabej, vepër e cituar, f.29.

* * “Në pragun e kohës së re ia mbërrin Gjergj Kastrioti të bashkojë fiset e shpërndara shqiptare dhe t’i fusë aktivisht në histori. Shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton edhe sot që prej Çamërie gjer në Shkodër.”

23). Zef Valentini, “Fisi shqipëtar në shërbim të botës” tek “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare VATRA, përmbledhur nga Dr. Hamdi H. Oruçi, Tipografia Dario Detti, Roma, f. 74.

24). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituuar, f. 59.

25). Atë Shtjefen Gjeçovi, “Agimi i gjytetnis”. Cituar simbas antologjisë “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, f. 355.

26). Rasim Bedo, “Tempulli i lashtë i Dodonës dhe mitologjia e Çamërisë”. “Illyria”, # 1461, 12-14 korrik, 2005.

27). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 46-47.

28). Zef Mirdita, “Gjashtë shekujt e parë të krishtenizmit në trevat iliro shqiptare”, në  Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, “Krishtërimi ndër shqiptarë – Simpozium Ndërkombëtar, Tiranë, 16-19 Nëntor 1999, f. 44.

29). Zef Mirdita, po aty.

30). Foto Malo, shkrim i cituar, f. 445. Referim nga Z. Sako- Q. Haxhihasani, “Epika legjendare”, vëllimi I, f. 469.

31). Karl Patsch, artikulli i cituar më lart.

32). Alfred Uçi, “Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar” në “Çështje të folklorit shqiptar – 2”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1985, f.15.

33). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

34). Thoma Kacorri, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, Revista Haemus, nr. 18-20, viti 2003, f. 25.

35). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

36). Thoma Kacorri, shkrim i cituar, f. 21.

37). Cituar sipas Nikolla Spatharit, “Malësia e Madhe siç e njoha unë”, Shkodër, “Idromeno”, 2001, f. 124.

38). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 572, zëri “Kultura e Komanit”, përgatitur nga Hëna Spahiu.

Filed Under: Analiza Tagged With: Psikologjia etnike-Anton Cefa

E kam fjalën për Saliun opozitar, jo atë dixhital…

January 4, 2020 by dgreca

A je gjallë Sali Berisha /

Nga Ilir LEVONJA/ Nuk e di sa e sa herë më vjen ta them këtë që, a je gjallë Sali Berisha apo jo? E kam fjalën për Saliun opozitar, jo atë dixhital. Pasi denoncimi nuk pi më ujë. Eshtë strategjia më pa rezultat më e gabuara në aspektin e funksionit të opozitarizmit aktualisht në Shqipëri. Me një fjalë denoncimi pa efekte vepruese, a kundërshtuese me forcë. Sali Berisha në rrugëtimin e tij si qeverisës apo opozitar, midis sukseseve dhe firove me shumicë kishte sharmin e një opozitari të fortë, modelin e të cilit e përvetësoi deri diku edhe Edi Rama. Të paktën do mbahet mend për një opozitar i llojit të vet, unik, i cili i shkonte deri në fund nismës. Ndofta vetëm në kohën e tij qeveritari apo ligjëvënësi do të thoshte se, mirë do e bëjmë këtë ligj, do veprojmë kështu apo ashtu, por a është apo jo dakort Saliu, nënkupto opozitën e kohës. Pra një opozitë e tërë konsolidohej në një emër dhe ky ishte emri i Sali Berishës. Dhe kjo për meritën e tij pasi në atë kohë nismat opozitare kishin një destinacion, o triumfin o hapjen e krahut. 

Sot opozitarizmi bën një lojë oportune ku mbi të gjitha nuk i shkon fare për shtat racës apo sojit nga vjen. Nuk e di se sa kontribut ka Sali Berisha këtu, por pa faj nuk është. 

Momentalisht Shqipëria kalon ditët nga një bum publik në tjetrin dhe opozita është e pakuptueshme se kurrë ndonjëherë, vetëm denoncon dhe nuk vepron. Jo rastësisht dalin në disa televizione deklaratat të Amerikës, mbi presionin opozitar, njohjen a mos njohjen, arsye që serviren si dominonte për stepjen e opozitës. Skupet ia lënë vendin njëri-tjetrit si Babale, vjedhja votave me vidio e zë të qartë se një qeveri e tërë ia shkërdhyen nënën të drejtës së votës, grupet e drogës, skandalet me reformën në drejtësi, kandidaturat me precedentë panalë etj., pastaj erdhi tërmeti dhe shqiptarët shohin ditë natë një ”gjeni” me shkop magjik a gju më gju me popullin në çadra beduinësh, plakun e vitit të ri me dhurata e shishe vere. Nga ana tjetër Shqipëria përfshihet totalisht në skandalet e shpërdorimit të të drejtës qytetare duke nëpërkëmbur deri azilin politik. Megjithëse vet jemi një komb i shqyer nga firot a ikjet dhe kërkesa për azil politik, nuk e kemi problem t’i servirim gijotinës së Erdoganit një mësues gylenist. Si nuk ju vjen turp kur akoma i japim komunitetit europian azilantë të politikës dhe se kemi për gjë të dorëzojmë një arsimtar gylenist tek Erdogani vetëm se na ka premtuar ca para për ndonjë aeroport a për ca shtëpi banimi në Laç. Ndërkohë vet ”shenjtori” lavdëron sulmin e Donald Trumpit në ekzekutimin e një gjenerali iranian në shenjë solidariteti me Amerikën. Kaq dhe shqiptarët janë aktivizuar në një publicitet social mbi të drejtat dhe meritat e Amerikës, duke u a bërë në kokë mijëra halleve të veta dhe arkës bosh të buxhetit të tyre. 

Por mbi të gjitha krizës së parë kombëtare midis vedi, Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk janë asgjë tjetër por moda e ngjarjeve që mbulojnë ngjarjet dhe rezultati është ky që është, Edi Rama vret e pret dhe opozita nuk është asgjë tjetër por një gjindje e mefshët, e vakët, gjumashe, shkurt ka vdekur. Sot frymën e saj e përfaqëson një dështim listash, një bjonde analfabete dhe një kauboj ngjyrash e ca të tjerë duke ia bërë shurrën hapur opozitarizmit të kohës që u duk se u ngjall me protestat e vitit të kaluar. Atij opozitarizmi që na la përshtypjen se po identifikohej me një emër atë të Sali Berishës. Ndaj për të kuptuar se çfarë do kishte ndodhur pas vidopërgjimeve të tabloit gjerman Bildit duhej të ishte opozitë Sali Berisha i viteve 98-të 2000 dhe jo Lulëzim Basha i sotshëm. Por Sali Berisha duket se ka vdekur dhe kjo për dy arsye, produktin që na solli në krye të opozitarizmit dhe identifikimin me rubrikën e denoncuesit dixhital. Nëse do na kishte lënë një produkt të tipit a racës së vetë, sot nuk do kishim luksin të shikonim votimet e frontit demokratik të kohës, por as paradën me shallvare të Edi Ramës. Nuk do kishim luksin e syshqyerit, grafomanit, pritësit me sy nga qielli, as do ndiheshim inferior, pasi do kumbonin veshët nga ankesat qeverisëse se çfarë do thotë opozita, çfarë do thotë Saliu. Sot jemi kaq pa gjak, kaq të vobektë sa shkojmë e ulemi në tavolinë dhe i bëjmë temana atij që na vodhi dhe na shkërdheu duke na vjedhur, për çfarë, për një të ashtuquajtur reformë zgjedhore. Ky është një dështim total opozitar dhe afërmendësh edhe dështim social i një Shqipërie që aspiron të anëtarësohet në Europë. Mbi të gjitha dështim i merituar pasi opozitarizmi i dikurshëm i sojit Sali Berisha ka vdekur një herë e përgjithmonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: A je gjalleSali, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT