Nga Anton Çefa/
“Populli shqiptar vjen prej kohësh të largëta ndoshta me më pak ndryshime në gjendjen, doket dhe zakonet e tij sesa çdo bashkësi tjetër në Evropë./H. Holland/
Prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve është pranuar dhe argumentuar shkencërisht nga historia, arkeologjia, antropologjia, gjuhësia, si leksik dhe si strukturë gramatikore, toponimia, antroponimia, etnografia, historia e artit, gjeografia, gjenetika.
Argumente të shëndosha për këtë fakt na japin edhe mjaft përbërës etnopsikologjikë të përbashkët të ilirëve dhe të shqiptarëve, që po përpiqem t’i parashtroj këtu.
Historikisht është pranuar që ilirët erdhen në Ballkan nga fundi i neolitit dhe fillimi i kohës së bronxit, rreth 4000 vjet më parë, dhe u formuan si etnos autokton si rrjedhojë e një procesi të gjatë simbioze me popullsinë e lashtë pellazge, që gjetën në këto troje.
Në kohën e hekurit, shek. IX-V p.e.r., ilirët kishin arritur të krijojnë “një kulturë materiale e shpirtërore me tipare të përbashkëta”. 1). Ata përparuan shumë dhe qenë bërë një faktor i rëndësishëm historik në Europën Juglindore. Gjatë shekujve të gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të pare, zhvillohet procesi i mbrujtjes etnike të shqiptarëve, që përfundoi me kristalizimin e kombësisë shqiptare. Në këtë proces të gjatë mbrujtjeje etnike, tharmet më me peshë sigurisht i përbëjnë “substancat shpirtërore”. Kështu, trashëgimia ilire në psikën shqiptare vjen si element vazhdimësie, dhe, si rrjedhim, si argument i origjinës ilire të popullit tonë, i mbijetesës shqiptare nga ama ilire. Çdo krijim në fushën e kulturës, qoftë lëndore, qoftë ideale, ka vulën e shpirtit etnik, që qëndron gjithnjë në rrënjët e vetëdijes dhe të nënvetëdijes së njeriut si prush i pafikur i vatrës.
Duke folur për lidhjet e popullit tonë me ilirët, dhe kryesisht duke vënë në dukje vazhdimësinë iliro-shqiptare në elemente të kulturës shpirtërore, Shuflaj, në librin “Serbët dhe shqiptarët”, ka shkruar: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër qe nji faktor i fortë i historisë, i cili njihej me emnin ilir. Mandej u zhduk per synin e historishkruesvet nder pshtjellimet e Gadishullit Ballkan, por fshehtazi bashkëpunonte në lulzimet gjuhësore e folklorike të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue n’emnin shqiptar, dha shenja të reja të fuqisë së vet krijuese . . .” 2).
Trashëgimia shpirtërore ilire në psikën tonë është e gjerë, e larmishme dhe e një rëndësie të dorës së parë. Ajo përfshin të gjitha hiset e saj: atë ndjenjësore-emocionale, atë intelektuale dhe atë volitive.
Ideali i lirisë, ndjenja e fuqishme për lirinë, qëndresa e vazhdueshme për ta mbrojtur dhe për ta rifituar lirinë e humbur, trimëria dhe heroizmi që e shoqërojnë dhe e jetësojnë këtë ideal dhe këtë ndjenjë, janë atribute shpirtërore të ilirëve, të arbërve dhe të shqiptarëve. “Si familja ashtu edhe heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve si edhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.”, ka shkruar Çabej. 3). Dijetari gjerman Falmerajer e ka cilësuar popullin tonë “fanatikisht liridashës”.4).
Lidhur ngusht me idealin dhe ndjenjën e lirisë qe ngjizur në shpirtin ilir karakteri luftarak, veti që u trashëgua më vonë tek shqiptarët. “Ilirët qenë më shumë se çdo gjë tjetër, luftëtarë”, ka shkruar Karl Patcsh në veprën e tij “Ilirët”5). Dhe më poshtë: “Puna kryekrejet për ta ishte lufta . . .”. I njëjti tipar karakteri është pohuar edhe për ne nga shumë e shumë të huaj, shkencëtarë a udhëtarë të zakonshëm, që kanë kaluar nëpër vendin tonë. “Zotësia ushtarake i është lindur kësaj race, shkruan Çabej, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm.”6).
Të parëve tanë ilirë dhe ne shqiptarëve, na është dashur të luftojmë tërë jetën për t’u përballuar sulmeve pushtuese të perandorive të fuqishme: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine, Perandorive mesjetare kalimtare Bullgare e Serbe, Perandorisë Osmane, dhe pushtuesve të tjerë të mëvonshëm italianë e gjermanë; por shqiptari “gjithnjë është rebeluar”, siç është shprehur Herbert Louis 7), dhe nuk është nënshtruar. A nuk është ky “rebelim” një medalion i artë në gjoksin e shqiptarit siç ka qenë i varur edhe në gjokset ilire! Me të drejtë, ka shkruar arkeologu Italian Ugolini: “Qenë pushtuesa të huej në Shqipni, por nuk qenë zotnuesa mbi të tanë shqiptarët” 8).Ndërsa vetë malësorët tanë të Veriut janë shprehur: “Na jemi si rana qi rrin, i hueji si shiu qi vjen e shkon.” 9).
Ilirët kanë qenë të njohur për grindjet mes fiseve, siç e dëshmon historia e tyre dhe siç na e ka pohuar edhe Karl Patsch, por në kohën e rreziqeve të përbashkëta, ata bashkonin armët në luftë kundër armikut. “Asht nji gja mallëngjyese me vu re se, në orvatjen supreme për të mbrojtë pamvarsinë e tyne kundër nji anmiku të huej, të tri mbretnit që themeloi raca e Ilirve luftuen së bashku.” 10), ka shkruar Zavalani. A nuk ka ndodhur kështu gjithnjë edhe me shqiptarët?
Luftat e vazhdueshme për liri kultivuan në shpirtin iliro-shqiptar një dashuri të veçantë dhe një nderim thuaj mistik për armët. Karl Patsch na e ka vënë në dukje këtë atribut shpirtëror të ilirëve: “Si një popull luftarak u jipnin ilirët, sikurse shqiptarët e sotëm, një rëndësi të posaçme armëve të mira e të bukura.” 11). Dhe, më poshtë: “Se sa fort i kishin për zemër armët e tregojnë sendet e stolisjes së trupit e të shtëpisë së tyre, të cilat i bënin në ngjasim e në formë harqesh, shigjetash, shishash, etj.” 12). Këtë nderim të veçantë për armët e kanë ruajtur shqiptarët, sidomos ata të maleve. Shqiptarët i prodhonin vetë armët dhe i zbukuronin me motive atdhetare dhe artistike nga më të ndryshmet. Të gjithë burrat e malësive ishin të armatosur. Djemve, që në moshën 12-15 vjeçare u jepeshin armët, bile organizoheshin ceremoni të veçanta për këtë eveniment. Një nga lojërat e preferuara ndër male tona qe gjuajtja e shenjit.
Gjatë historisë së vet, shqiptari është karakterizuar për aftësitë e tij organizative e administrative, bile për problemet më të larta shtetërore. Mjerisht, rrethanat historike kanë kushtëzuar që këtë veti të çmueshme karakteri, ai ta shfaqë kryesisht në dobi të të huajve. Perandorinë Romake, në kohën kur ajo qe gati të shembej nga sulmet e fiseve barbare, qenë perandorët me origjinë ilire që e shpëtuan dhe e futën në rrugët e stabilitetit dhe të prosperitetit. Dhe sa e sa vezirë e udhëheqës të lartë shqiptarë, mjafton të përmendim vetëm Qiprilinjët, e qeverisën dhe e drejtuan Perandorinë Otomane për aq e aq kohë! Apo nuk qe edhe një Mehmet Ali që themeloi shtetin modern të Egjiptit!
Gjithsesi nuk mund t’u mohohet shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre ilirë fakti që këtë dhunti shpirtërore e kanë vënë edhe në dobi të tyre; çka e shfaqën në ndjenjën dhe në aftësitë e tyre intelektuale për të bërë ligje, mbi bazën e të cilave të rregullonin e të disiplinonin jetën e tyre individuale e shoqërore.
Dihet se elementi i qëndrueshëm i organizimit shoqëror të ilirëve dhe më vonë të shqiptarëve ishte fisi, i cili vetëqeverisej në bazë të normave ligjore tradicionale, përbërës të të cilave u trashëguan tek ne. Ishte ky organizim i brendshëm shoqëror mbi bazën e të drejtës zakonore, që u detyruan t’ua njohin ilirëve pushtuesit romakë dhe shqiptarëve pushtuesit osmanë.
Çështjet me rëndësi shoqërore e politike të fiseve, katundeve, krahinave shqyrtoheshin dhe zgjidheshin në kuvende, d. m. th. në mbledhjet e përgjithshme të burrave. Kuvendet qenë organizma vetëqeverisëse si për ilirët si edhe për shqiptarët. “Kuvendet e bajrakëve në kohën e sundimit otoman, ka shkruar Zavalani, kanë qenë sigurisht vazhdimi i traditave të trashigueme nga fiset iliriane” 13).
Siç dihet, ligjet kanunore qenë ndërtuar nën frymëzimin dhe mbi bazën e virtyteve të çmueshme të shpirtit tonë etnik: burrërisë dhe nderit, besës dhe ndores, mikpritjes dhe faljes, ndjenjave dhe idealeve për liri, drejtësi e barazi, respektit për njeriun, etj. A i patën ilirët këto virtyte? Ne që trashëguam ligjet ilire të vetëqeverisjes, trashëguam pa asnjë mëdyshje edhe frymën e tyre, strukturën etike mbi bazën e së cilës u ndërtuan këto ligje. Trashëgimia e kësaj kuintesence psikike nga ilirët tek shqiptarët është një argument i padiskutueshëm i lidhjes së tyre gjenetike.
Nga ato pak të dhëna që kemi për të drejtën zakonore të ilirëve, nga normat juridike të kuvendeve ilire (nuk dimë ende nëse qenë përmbledhur ato në ndonjë kod të shkruar si e drejta zakonore romake tek “12 Tabelat”), ne hamendësojmë atë ideal dhe ndjenjë lirie, që përmendëm më lart, po edhe idealin dhe ndjenjën për drejtësi dhe barazi të individit, që patën të parët tanë ilirë dhe që frymëzoi atë të drejtë.
Na dëshmohen konkretisht tek kanuni ynë edhe disa institucione juridike ilire. “Vazhdimësinë iliro-shqiptare, shkruan Nicholas Brent (alias Nelson Çabej), e dëshmojnë edhe disa të dhëna nga fusha e së drejtës zakonore . . . të shqiptarëve. Kështu, është konstatuar se ekziston një ngjashmëri e dukshme midis institucioneve juridike provinciale të Ilirikut (ku siç dihet u ruajtën institucionet juridike të vetë ilirëve) dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe deri në shekullin e kaluar në Shqipëri janë ruajtur e kanë funksionuar tre institucione origjinale ilire: e drejta e parablerjes, institucioni i vëllamërisë dhe institucioni kanunor i martesës me grabitje dhe me blerje.” 14).
Vlen të theksohet këtu, në mënyrë të veçantë, institucioni i kumbarisë në të prerët e flokëve, doke e gjallë në malet tona qysh prej Dibre e deri në Malësi të Madhe, që Palaj, ky njohës i thellë i psikës dhe i dokeve të maleve, vetë bir i tyre, e equan një “doke aq të bukur të jetës iliro-pagane.” 15). Tek “Kanuni i Skanderbegut”, Dom Frano Illia, mbledhës e kodifikues i këtij Kanuni, ka vënë shënimin: “Si në përgjithësi kumaria e flokve në veçanti ka per qellim zgjanimin e rrethit shoqnor, asht jasht riteve fetare e përdoret ma të shumten per të lidhë dy shtëpi besimesh të ndryshme.” 16). Vëllamëria, kumbaria në të prerët e flokëve, zakonet e mikpritjes janë pasqyrë e prirjeve të një shpirti kozmopolit. Me admirim për mirëpritjen shqiptare me zemër të hapur edhe ndaj një të huaji që i troket në derë, Durham ka shkruar në parathënien e librit “High Albania”: “Nëse një njeri është i hirshëm dhe i sjellshëm ndaj të huajve, kjo tregon se ai është Qytetar i Botës, dhe se zemra e tij nuk është ishull i shkëputur nga tokët e tjera, por është kontinent që i bashkon ato”17).
Elemente të këtyre institucioneve i gjejmë edhe në eposin tonë të kreshnikëve, ku kryekreshniku Muji, mbasi pi qumështin e zanave, bëhet vëllamë me to, dhe ato e ndihmojnë kur ai gjendet në rrezik.18).
Një fill psikologjik i përbashkët mes ilirëve dhe shqiptarëve na përshkohet në qëndrimin e tyre ndaj pushtetit qëndror, qoftë ky edhe i huaj. Kështu “Kanuni i njeh pushtetin fuqisë që sundon ‘kalanë’, pra atij që ka në dorë selinë tradicionale të trevës, por kjo gja nuk shtyn individin me ja dorëzue vetveten atij pushteti” 19), shkruan Ardian Ndreca. Dhe ai vetë sqaron më poshtë: “Autoriteti suprem mbetë ndërgjegjja e personit e përpara gjykatës së kësaj ndërgjegjeje nuk ka asnji forcë të jashtme që mund të sundojë. Asht kjo ndërgjegje që dënon por edhe din me falë, që vret por edhe që shpëton, që merr por edhe që jep – tue i lanë të mbinatyrshmes një vend krejt të veçantë, personal dhe të pashprehshëm në terma juridike.” 20).
Krejt në analogji më këtë qëndrim kanë vepruar edhe ilirët. Zavalani shkruan: “Në Shqipni fiset e maleve ruejten vetqeverimin e tyne si komunitete të veçueme. Por malcorët dhe katundarët ilirian ishin besnikë ndaj Perandorit dhe i shtroheshin autoritetit të përfaqësuesve të tij për çdo çashtje që kapërxente kufijt e administratës së tyne lokale. Ata ishin pronarë të vegjël dhe mbanin me kambëngulje të drejtat e tyne kundër orvatjeve të tregtarëve të Romës me përvehtësue toka e me sigurue privilegje në dam të tyne.” 21). (Po japim në referenca një dokument që vërteton këtë qëndrim. *).
* * *
Duke iu referuar historisë, Çabej, ka aritur në përfundimin që “është fuqia e personalitetit ajo që . . . luan tek shqiptarët si edhe tek stërgjyshët e tyre, ilirët, një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu. Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën e bashkëjetesës kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit.” 22). Këtë tipar të psikës sonë, Çabej e ilustron me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skendërbeun dhe me Ali Pashë Tepelenën. (* * Sqarimi tek referencat).
Lidhur me këtë problem, para së gjithash, duhet të dallojmë autoritetin e zgjedhur ose të fituar me merita nga ai i imponuari. Në rastin e parë, nëse duam t’i vëmë këtij atributi shpirtëror një argument psikologjik që qëndron si shkak i kësaj dukurie, duhet të pranojmë se shqiptari i kanunit pranon me ndërgjegje autoritetin e zgjedhur. Ja çka thotë Zef Valentini: Shqiptari, “në diskutim, flet si privat . . . ; por botërisht, duke lënë peng fjalën dhe zërin zyrtar të vetin, ai nuk këqyr opinionin e vet, por, me një shpirt të çuditshëm brenda kufijve të lirisë e të demokracisë së tij, pikërisht pse është demokrat i vertetë, është seriozisht i respektueshem ndaj autoritetit, d. m. th. kundrejt të parëve që kanë pasur qindra vjetësh eksperiencë, kundrejt ligjit që është fryti i eksperiencës dhe kundrejt autoriteteve që mishërojnë personin dhe vullnetin e komunitetit. Parimi është: në shtëpinë time unë jam privat e mbret; në katund ose në kishë unë jam gjymtyrë e komunitetit.” 23).
Tradita në rrafshin psikologjik është tradita e maleve. Malet kanë ushqyer gjithnjë fushat dhe qytetet; kështu që ndikimi i tyre ka qenë gjithnjë i dukshëm. Aq më tepër që Shqipëria dhe trojet shqiptare, në përgjithësi, janë malore.
Mjaft përbërës të psikës ilire kanë ardhur deri në ditët tona nga fusha e mitologjisë, folkorit, besimeve e kulteve popullore, etj. Me interes të veçantë shkencor është ruajtja në ndërgjegjen e malësorëve të Veriut deri vonë e besimit në hyjninë e Tokës, një besim tejet i lashtë i kohëve kur njerëzit adhuronin kafshët, drurët dhe dukuri të ndryshme të natyrës. Bernardin Palaj na tregon një episod që e dëshmom këtë: një burrë ndjek gjaksin e djalit në lëndinë dhe bash atëherë kur i matet për ta vrarë detyrohet ta falë dhe t’i japë besë e ndore, sepse gjaksin e zë gjaku dhe i bie ndore tokës (“pse gjaku atë e xuni, e tuj u ra gjujve, ndore tokës i rá!”). 24). Pra, i bie ndore dhe i kërkon besë hyjneshës Tokë. Një besim i tillë është më i lashtë se i qytetërimit ilir; ai i takon qytetërimit proto-indoevropian pellazg. Dihet se besimi fillestar i ilirëve qe anikonik (pa fytyra, pa figure, pa shtatore a relieve). Më vonë, nën influencën e grekëve, ata i atropomorfizuan perënditë e tyre.
Gjeçovi, duke folur për zakonet e mikpritjes, na ka përmendur emrin e një perëndie ilire, si duket, antropomorfe. Ndër të tjera, i zoti i shtëpisë i drejtohet mikut me këtë betim: “Në laça dorën e anmikut me të prekun në bukë e në krypë t’eme, Zoti Parun më gjoftë e më sterfartë me rrfet e veta!” 25). Duket qartë se këtu kemi të bëjmë më një perëndi pagane të kohëve ilire, ndoshta me perëndinë mbrojtëse të mikut dhe të mikpritjes që ka mbijetuar në besimin e malësorëve.
Shumë i përhapur dhe i çmuar ndër ilirë ka qenë besimi tek perëndia e Diellit, besim që ka mbetur i gjallë deri vonë ndër male tona. Nuk është çudi që sot e kësaj dite mund të dëgjosh nga goja e malësorëve të Veriut betime në diell. Për më tepër: “Çamët edhe sot i këndojnë perëndisë së lashtë të diellit, Zeusit: ‘Diell- o diell-o / ama buk’ e miell-o / sa të hamë premë / bashkë me t’ime ëmë.” 26).
Perandori romak me origjinë ilire, Aureliani, ngriti në Romë Tempullin e Diellit. “Si ilir i vërtetë, shkruan Zavalani, kishte nji devocion të veçantë për Perëndin e Dritës, tue besue se prej tij i kishin ardhur të gjitha të mirat.” 27). Aq i fuqishëm ka qenë ndër ilirë besimi në diellin sa vetë “perandori romak Konstantini i Madh, siç na e pohon studiuesi Zef Mirdita, përkundrejt faktit se me Ediktin e Milanit, të vitit 313, ia dha lirinë krishtenizmit, ai edhe më tutje mbeti adhurues i hyjnisë solare.” (diellore, sqarimi im, A. Ç.) 28). Vetëm pak para se të vdiste, ai u pagëzua, duke u bërë kristian. 29). Në eposin e kreshnikëve, Muji i lutet diellit për ta ndihmuar: “fill kah dielli kenka sjellë / edhe ndihmë i paska lypë” 30).
* * *
Duke iu përkushtuar kryesisht veprimtarive luftarake dhe administrative, ilirët duket se nuk e vlerësuan a, më mirë të themi, nuk lavruan sa duhet në fushat e veprimtarisë mendore. Nuk kemi një tekst ilirisht dhe as të dhëna nga shkrimtarë grekë e romakë për këtë problem. Karl Patsch, në veprën e tij të përmendur më lart, ka shkruar: “Interesat shpirtërore të ilirëve nuk do të kenë qenë të mëdhaja, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë dhe në të pirë.” 31). Ndoshta ilirët nuk u morën me shkrime, jo pse nuk do të kënë pasur interesa shpirtërore, mbasi veprimtaria e tyre në fusha të artit si skulpturë, pikturë, muzikë, etj., dëshmon të kundërtën, por sepse rrethanat historike ua pengonin këtë aspekt jete e veprimtarie. Edhe shqiptarët qenë të dëshiruar për dije e kulturë, por atyre gjatë sundimit otoman iu ndalua shkolla, shtypi në gjuhën amtare, iu ndalua vetë gjuha.
Provë të gjalla të shpirtit iliro-shqiptar krijues artistik gjejmë te folklori, muzika, vallet, kostumet, etj. Studiues të ndryshëm kanë shfaqur mendimin se tharmet e eposit të kreshnikëve kanë rrënjë të hershme ilire dhe edhe më të hershme. Ja çfarë thotë Alfred Uçi : “Epika jonë heroike legjendare ka një bërthamë, që është ngjizur në themel të mendimt poetik parahistorik” 32).
“Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 33). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 34). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe e karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”. 35). Lashtësia ilire manifestohet edhe në vallet tona. “Vallet pirrike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 36).
Një tjetër dëshmi tejet e shkëlqyer e shpirtit luftarak të shqiptarit është ruajtur prej shekujsh tek “Vallja e shpatave” ose siç quhet në Malësi të Madhe “Bejlegu a premja me tagana”. Studiuesi Nexhat Agolli thotë se L. V. Taloci jep këtë shënim të shkrimtarit të lashtë grek Ateneut për ilirët: “Ashtu si tek çdo popull luftarak – shkruan ai – tek ata këndoheshin këngë luftarake shoqëruar me bilbil e gajde, ndërsa briri i pijes kalonte nga dora në dorë dhe vallëzohej një valle e ashpër armësh. Iliri kërcente rrotull me shpatë të çveshur . . . ashtu si edhe shqiptari i sotëm gjatë valles – shton nga ana e vet Taloci.” 37).
Lidhjet ilire-shqiptare përfshijnë gjithashtu hapësirat e pafund të kulturës lëndore, ku janë shkrirë përbërës nga më të ndryshmit të shpirtit krijues. Nga moria e larmishme e kostumeve, që shquajnë për origjinalitet dhe shije artistike, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket, ato me origjinë ilire: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, fustanellën, tirqit, këmishën e tipit “dalmatika”.
Shije të holla estetike dhe aftësi të rralla artistike, elemente me rëndësi të psikës së përbashkët iliro-shqiptare, dëshmohen edhe në motivet zbukuruese të veshjeve dhe të stolive, sidomos të grave; bile vetë veshjet si dhe objekte të tjera materiale kryejnë funksione estetike. “Stolitë arbërore (është fjala për stolitë e gjetura në varrezën e Komanit, që i takon mesjetës së hershme, Sqarimi im, A. Ç.) janë të zbukuruara me motive gjeometrike që vijnë nga fondi i kulturës ilire” 38).
Referenca dhe sqarime
1). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 1043.
2). Suflay, “Serbët dhe shqiptarët”; cituar sipas Atë Marin Sirdanit, “Ndriçime të historisë, kulturës dhe të artit shqiptar”, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16; zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha.
3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; përgatiti për shtyp Brikena Çabej, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 61.
4). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 254, zëri “Falmerajer Jakob Filip”, përgatitur nga Aleks Buda.
5). Karl Patsch, “Karakteri, zakonet dhe besimi i ilirëve”, “Illyria”, # 1601, Nëntor 28-Dhjetor 4, 2006.
6). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.
7). Cituar sipas Eqren Çabejt, vepër e cituar më lart, f. 29.
8). Cituar sipas Atë Marin Sirdanit, vepër e cituar më lart, f.82.
9). Po aty.
10). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, botues “Phoenix & Shtëpia e librit”, 1998, f. 31.
11). Karl Patsch, shkrimi i cituar më lart.
12). Karl Patsch, po aty.
13). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 36.
14). Nicholas Brent, (alias Nelson Çabej), “Ilirët që mbijetuan”, Albanet Publishing, Dumont, NJ, 2009, f. 7.
15). Atë Bernardin Palaj, “Mitologji, doke dhe zakone shqiptare” Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Shpresa, Prishtinë, 2000, f. 82.
16). “Kanuni i Skanderbegut”, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot, 1993, & 86, f. 23.
17). Edith Durham, “High Albania”, Beacon Press, Boston, 1994.
18). Foto Malo, “Vështrim krahasues mbi epikën heroike shqiptare dhe poemat homerike” në “Çështje të folklorit shqiptar-3”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1987, f.444.
19). Ardian Ndreca, “Ndikimi i kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, botuar në “Hylli i Dritës”, nr. 1, 2007, Shkodër, f. 44.
20). Po aty.
21). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f.36.
* “Nji dokument i skalitun mbi gur në vitin 194 mbas J.K., që asht gjetë në krahinën e Orestëve (midis Korçës dhe Liqenit të Pogradecit) ban fjalë për nji kuvend të parisë lokale, ku janë shprehë ankime kundër qytetarve romakë, zyrtarë apo privat, që mundohen me shtrie dorë mbi tokë komunale, megjithqë nuk gëzojnë të drejtat e qytetarit n’at vend. Kuvendi riafirmon parimin e pranuem që vetëm Orestët të shfrytzojnë tokat e përbashkta të krahinnës, dhe vendos që kjo rezolutë t’i njoftohet governatorit të provincës së Maqedhonis me anë të kasnecve të posaçëm që duhet të jenë prej fisit të Orestëve. Mbas aprovimit të governatorit, kuvendi vendos që rezoluta të shpallet publikisht.
“Fiset malcore iliriane mblidheshin në kuvendet e tyne për çdo vjet, me rastin e festës së Augustit. Kjo bahej për të riafirmue besniknin e tyne ndaj Perandorit dhe për të konsolidue të drejtat politike me randësi që ju ishin njoftë.” (T. Zavalani, vepër e cituar, f. 36).
22) Eqrem Çabej, vepër e cituar, f.29.
* * “Në pragun e kohës së re ia mbërrin Gjergj Kastrioti të bashkojë fiset e shpërndara shqiptare dhe t’i fusë aktivisht në histori. Shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton edhe sot që prej Çamërie gjer në Shkodër.”
23). Zef Valentini, “Fisi shqipëtar në shërbim të botës” tek “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare VATRA, përmbledhur nga Dr. Hamdi H. Oruçi, Tipografia Dario Detti, Roma, f. 74.
24). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituuar, f. 59.
25). Atë Shtjefen Gjeçovi, “Agimi i gjytetnis”. Cituar simbas antologjisë “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, f. 355.
26). Rasim Bedo, “Tempulli i lashtë i Dodonës dhe mitologjia e Çamërisë”. “Illyria”, # 1461, 12-14 korrik, 2005.
27). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 46-47.
28). Zef Mirdita, “Gjashtë shekujt e parë të krishtenizmit në trevat iliro shqiptare”, në Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, “Krishtërimi ndër shqiptarë – Simpozium Ndërkombëtar, Tiranë, 16-19 Nëntor 1999, f. 44.
29). Zef Mirdita, po aty.
30). Foto Malo, shkrim i cituar, f. 445. Referim nga Z. Sako- Q. Haxhihasani, “Epika legjendare”, vëllimi I, f. 469.
31). Karl Patsch, artikulli i cituar më lart.
32). Alfred Uçi, “Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar” në “Çështje të folklorit shqiptar – 2”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1985, f.15.
33). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.
34). Thoma Kacorri, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, Revista Haemus, nr. 18-20, viti 2003, f. 25.
35). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.
36). Thoma Kacorri, shkrim i cituar, f. 21.
37). Cituar sipas Nikolla Spatharit, “Malësia e Madhe siç e njoha unë”, Shkodër, “Idromeno”, 2001, f. 124.
38). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 572, zëri “Kultura e Komanit”, përgatitur nga Hëna Spahiu.