• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërmetet e Nëntorit

December 25, 2019 by dgreca

NGA ALMA N LIÇO/

26 Nëntor. Toka u drodh fuqishëm. U tund dhunshëm, si për të na kujtuar se sa të pamëshirshëm e të papërgjegjshëm  jemi treguar ndaj saj.  Ajo shkundje e tmerrshme la pas viktima, shtëpi të shkatërruara, të kthyera në gërmadha. Mijëra të tilla. Pamje të trishtuara. Familjarë të pastrehë, të tmerruar, të mbytur nga pasiguria e mbështetjes së një shteti arrogant e grabitës. Mundi i një jete të tërë, i shndërruar në pirgje mbeturinash. E gjitha kjo gjëmë, në më pak se një minutë të vetme. 

Mes rrënojave dallohen orendi të thyera e copëtuara. Shtretër të përmbysur. Dollape të shqyer. Libra të hallakatur.  Pak më tutje një arush pellushi, çuditërisht i padëmtuar, i mbuluar pjesërisht nga pluhuri i inerteve. I braktisur në mes të shtyllave të betonit. Vogëlushja që disa orë më parë e shtrëngonte me krahët e saj të brishtë, ka mbetur nën rrënoja. E pa jetë. 

Hapësirën mediatike që përcjell këtë tragjedi, e ka zaptuar kryeministri, që nëpërmjet një aktrimi të pashembullt, përpiqet të marrë rolin e shpëtimtarit. Ai di gjithçka. Ai është inxhinieri, administratori, urbanisti, sociologu, psikologu, etj. Me pamjen e një karagjozi megalloman, përmes batutash bajate tall, ironizon pa mëshirë ata të mjerë që nuk kanë një strehë ku të fusin kokën. 

Solidariteti i qytetarëve të thjeshtë, ndonëse mbresëlënës, është kaq i pamjaftueshëm për të reduktuar pasojat e atij shkatërrimi, në këtë prag dimri. Çadrat e përbaltura vajtojnë nën peshën e shirave të stinës. Mjerim pa fund, pa zgjidhje, pa shpresë, pa shpjegim. Asnjë përgjegjës potencial i kësaj katastrofe, shkaktuar më së shumti nga abuzimet dhe korrupsioni i ndërtimeve, i lidhur me politikën dhe në shërbim të saj, nuk është proçeduar e dërguar para drejtësisë. Të pandëshkuar.

Dhe nuk është ky i vetmi tërmet…Një tjetër godet, teksa kalon në bulevardin qëndror të Tiranës. Dhjetra foto të stërmëdha janë varur në të. Ato ngjasojnë me një kortezh absurd të përmortshëm, ku disa fantazma kërkojnë të ringjallen. Megjithë respektin dhe mirënjohjen e natyrshme për dëshmorët  e vërtetë të  lirisë, kudo që ata prehen, nuk mund të mos përmend se idealet e tyre për një Shqipëri të lirë, u shkelën e tradhëtuan. Vendosja e diktaturës dhe krimet monstruoze vëllavrasëse të kryera  gjatë luftës, si dhe ato që pasuan vërtetojnë tradhëtinë e madhe ndaj aspiratave të lirisë e demokracisë.

Ndërmjet atyre fotove-postera, disa figura përgjegjëse të krimeve dhe genocidit ndaj bashkëqytetarëve nacionalistë, duket sikur qesëndisin e sfidojnë realitetin. Të pamëshirshëm në sundimin e tyre edhe ndaj familjeve të pafajshme, të cilët i syrgjynosën në burgje e internime. Dhjetra klerikë të masakruar, fotot e të cilëve,  si për ironi,  disa vite më parë u vendosën në të njejtin bulevard.  

Ishin ithtarët e komunizmit ruso-jugosllav, që instaluan diktaturën më mizore të pasluftës, duke depersonalizuar, varfëruar, vjedhur, përçarë një popull të tërë.  Fakte që dita ditës po ndriçojnë atë periudhë të errët të historisë sonë, të shtrembëruar nga historianet komunistë. Paradoksale, që në ato foto nuk ndodhet asnjë luftëtar që i përket formacioneve nacionaliste. A thua se luftën kundër nazi-fashistëve e zhvilluan vetëm komunistët.  Manipulues, përjashtues deri në ekstrem. 

Ehhh…edhe një tjetër tërmet ndodhi këtë muaj. Për fat të këq, ai nuk mori aspak vëmendjen e institucioneve. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në shumicë, ato dominohen nga ithtarë të diktaturës. Si fantazma të ringjallura, që Rilindja i ricikloi aq dhunshëm, ata vazhdojnë të helmojnë jetët tona. Të mllefosur, nuk rreshtin së kërcënuari e përçarë shqiptarët, në “NE” dhe “ATA”. Pushteti i tyre mizor u ngrit që në krye të herës dhe funksionoi si i tillë. Një shkrimtar, një studiues që detyrohet të arratiset nga Shqipëria. Kjo ndodh në vitin 2019. Fakt ulëritës.

Agron Tufa, Drejtor i Institutit që merret me studimin dhe botimin e krimeve të komunizmit, u kërcënua për shumë muaj me rradhë me jetën e tij dhe atë të familjes. Kërcënuesit nuk janë anonime. Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, perbën vepër penale. Asnjë mbrojtje institucionale për shkrimtarin, patriotin, që me kurajo, prej disa vitesh po bën publike krimet makabre të regjimit komunist, duke evidentuar me dëshmi dhe dokumente edhe autorët e implikuar në to. 

Teksa përcjell me trishtim këtë revansh të barbarisë komuniste, nuk kam se si të mos bëj paralelizëm me krimet e Hitlerit dhe mënyrën si ato u trajtuan. Dënimi i diktaturës dhe genocidit hitlerian, u pasua nga ndjekja këmba këmbës e mijëra nazistëve që i kishin shërbyer makinës së tij kriminale. Mijëra të tillë iu dorëzuan drejtësisë e morën dënimet e merituara. Në Shqipërinë tonë ndodh pikërisht e  kundërta. Ata që duhej të përgjigjeshin për implikimin dhe krimet e tyre në regjimin komunist, ende pas 30-vjetësh të rënies së tij,  drejtojnë dhunshëm, skërmisin dhëmbët, sulmojnë, grabisin, kafshojnë me dhëmbët e përgjakur ata që guxojnë të dokumentojnë e denoncojnë krimet e tyre. 

Pse ndodh kjo? Konkluzioni është tejet i thjeshtë. Mungesë e theksuar e vullnetit politik për të hedhur dritë e dënuar atë periudhë mizore. 

Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, (ish-komuniste) natyrisht me porosi të kryetarit të tyre, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Kjo Rezolutë përmban 17 pika të cilat, po të ishin zbatuar, do ta kishin zgjidhur përfundimisht problemin e dënimit të krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri.

Por, për fat të keq, pothuajse asnjë prej pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shumë se 13 vjet nga miratimi i saj.

Pasojat janë kaq evidente. Një shkrimtar, i kërcënuar kërkon strehim politik në një shtet perëndimor. Një popull i përgjumur, i pashpresë, në arrati, që po e kërkon të ardhmen jashtë kufijve të Shqipërisë. Trishtues gjumi letargjik në të cilin kanë rënë bashkëqytetarët tanë. 

Në formën e një apeli të dëshpëruar, dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me një thënie të Albert Einstein.

“Bota është një vend i rrezikshëm, jo aq prej atyre që bëjnë keq, sa prej atyre që shohin e nuk bëjnë asgjë” . 

Filed Under: Analiza Tagged With: Tërmetet e Nëntorit

Armiku është vetë Rama, o kapter…

December 25, 2019 by dgreca


Nga Ilir Levonja/ Bash në ditën e lindjes së Krishtit, në Shqipëri ngrihet një ish kapter dhe përpiqet të sqaroj shqiptarët se kush e do Edi Ramën armik të Kosovës. Ky është Alfred Peza që u bë deputet duke i premtuar Peqinit një stadium si Bernabeu. Një qytet i vogël buzë lumit Shkumbin që për nga fuqia ekonomike ndofta futbollin e ka thuajse më të panevojshmin aktivitet, pasi sot ka kosto të lartë financiare për më tepër kur kërkon ta mbash në elitën e superiores, por tek ne për të mbuluar varfërinë e ofrojnë si të parin aktivitet. Nga ana tjetër del thuajse çdo natë në tv, kudo me një tufë shkresurinash dhe një palë syze që i rëndojnë si e si të mbuloj dështimin e një njeriu kancer për vendin, me emrin Edi Rama. Flet për gjithçka dhe akuzon gjithkënd megjithëse aktualiteti e ka nxjerrë jashtë loje për shkak të një skandali mbi një aferë milionash në euro në vitin 2017, prapë puplon kudo. Shkurt një diskordancë e çmendur midis borderosë ku ai firmoste për 80 mijë lekë apo 800 mijë lekë rrogë në muaj dhe pagës së deklaruar me gojë prej 10 mijë euro në muaj. Pa u sqaruar pra asnjëherë se burimi i pasurisë së një gazetari milioner ishte paga e borderosë apo ajo e deklaruar me gojë. Dhe thotë studiove me gojën gropë që vendi nuk ka drejtësi. Si të ketë kur ti duhet të ishe diku tjetër dhe jo në studio. Dhe ta dini mos prisni pushtet të katërt kur ai dominohet nga milionerë të tillë që gjithë ditën akuzojnë të tjerët pa sqaruar kurrë pasurinë e tyre. Për më tepër kur pyetjes së një panelisti mbi këtë mister pasurie, ky i përgjigjet se po e kalon në çështje personale. Pra kjo është Shqipëria jonë, e mutërve që hedhin ca xhel kokës, vendosin ca syze firmato por që kurrë nuk arrijnë ta shmangin dot atë sepse ekzistojnë, lëndën e tyre, atë me material muti. Tani po përpiqet të gjej armiq midis Edi Ramës dhe Kosovës. Ose më saktë po përpiqet të shpiki armiq midis këtij dallkauku dhe shqiptarëve në pjesë e sipërme të kombit më fatkeq në botë pikërisht për shkak të sojit me shumicë të mutërve të tipit kapter. Nuk asnjë armik, kapter ai është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama. Sot bota virtuale i ka dhënë mundësinë të gjithëve ta përdorin dhe koherencë është pronë e shpërndarë. Bajatllëku i Edi Ramës nuk është ky mini Shengeni ballkanik, ky ka pjesë sigurisht por jo atë më kryesorin. Bajatllëku i Ramës zë fill kur vendos një taksë në të vetmen arterie që bashkon shqiptarët. Si nuk e kuptuat që termat e taksimit nuk duhet të ekzistojnë në asnjë libër shteti kur bëhet fjalë për kombin. Sado ti kushtonte buxhetit, një parteneritet midis dy qeverive do kishte mbajtur hapur, pa tra, rrugën e kombit por edhe atë të merdares deri në Prishtinë. Kurse ju o burra, shyqyr që janë kosovarët e të vjelim ca para për të mbulur gropat e korrupsionit. Nuk ke se çfarë i bën, Shqipërisë së gjorë i bie për pjesë të qeveriset nga mutërit, kaq. E dyta, nuk ka armik tjetër veç këtij zullapit që deklaron nga mbledhja e fundit me kryesinë e Ps, se mini Shengeni është ide e Europës dhe Amerikës. Kur po atë mbrëmje presidenti i Serbisë në një studio në Beograd deklaron se si Europa, si Amerika nuk e kanë me qejf mini Shengenin e ideuar nga Serbia. Janë dërrasa që kërcasin dhe në Kosovë kanë televizorë, njerëzit dëgjojnë, shohin. Dhe më e poshtërta lëvizje politike, është deklarata mbi mosnjohjen a shpikjen e masakrës së Raçakut nga palamilitarët serbë, pra deklarata e Vuçiçit pikërisht para ardhjes në Tiranë. Nuk ka shqiptarë të Kosovës që ta kapërdijë këtë, por ju dhe shokët e tuaj doni të mbuloni dështimin, rënien, rrëzimin e Shqipërisë prej sojit tuaj. Nuk i vjen mirë asnjë shqiptari në Kosovë të shohi se si një që ka lënë mjekër flet në emër të kombit etj., se si akuzon për izolim apo shtrëngon duart me një president që i mohon të vrarët. Kujton se je në Shqipëri ku nuk ngele pa bërë dëshmor edhe ata që vriteshin për incest, si e si të kapje shifrën 28 mijë. Jo or kapter, akoma janë plagë e hapur listat e të të zhdukurve. Por ne e kemi si tepsi trahanaje çështjen kombëtare, ulemi aty me lugë në brez dhe aq. Sa herë që Shqipëria i afrohet perëndimit del një mut dhe e ndalon, ia zhvendos drejtimin… shpiket një Varshavë, një koferencë orintale, një bllok lindor deri në Kinën e largët. Ndaj sot jemi si ai mjeti reportabël që xhiron gomat në llucë, bën të bëj përpara, uturon por nuk del. Se e di, nuk e ka fajin mjeti, por muti që e drejton.


Filed Under: Analiza Tagged With: Armiku, Rama

MINI SHENGENI BALLKANIK, EKSPERIMENT POLITIK

December 25, 2019 by dgreca

Nga Nikë Gashaj/Integrimet ekonomike-politike janë të datës së re. Së pari Inicijativa Qëndrore-Europiane, ka zënë fill nga Quadrigonalia(Italia, Jugosllavia, Hungara dhe Austria) e themeluar më 1989. Gradualisht ajo është zgjerua dhe me disa shtete të tjera. Mirëpo, nuk ka arrijtur rezultate të dëshirueshme.

Bashkëpunimi ekonomik i Detit të Zi është themeluar më 1992, me nismën e Turqisë. E kanë themeluar 11 vende: pesë ballkanike, tri bregdetare të Detit të Zi dhe tri vende të Kaukazit. Antare është dhe Greqia. Po ashtu është themeluar dhe Banka e Detit të Zi për tregti dhe zhvillim me seli në Selanik. Pastaj janë themeluar Qendra ndërkombëtare për studime të Detit të Zi në Athinë, Qendra rajonale e Deti të Zi për energji në Sofi, Qendra për koordinim dhe shkëmbimin e të dhënave statistikore në Stamboll. Megjithatë, dallimet e mëdha ekonomike dhe shoqërore janë të disfavorshme për arritjen e suksesëve më të mëdha, sikurse janë ato në vendet homogjene.

Zona Qendrore  europiane për tregti të lirë (CEFTA) është zhvilluar nga grupa e “Vishegradit”, të Polonisë, Çekosllovakisë dhe Hungarisë(1991) si Klub për presion për hyrjen e shpejt në BE.

Nisma për bashkëpunim në Europën Juglindore (SECI) është bër nga SHBA, më 1996. Ajo paraqet një orientim tipik amerikan për bashkëpunim pragmatik dhe nga pak ngjan në kushtet e planit të Marshallit. SECI nxit planifikimin e zhvillimit të tërë rajonit,  përcaktimin e aksioneve të duhura dhe, natyrisht, të shpejtimit të iniciativës private. Anëtare janë dhe vende ballkanike. Pas nismjes së Paktit për stabilizim, SECI ka filluar të përfshihet në të.

Nisma Adriatik Jonian. Pë të e ka bër nismën Italia, më 2000, me qëllim për  të forcuar dimensionin mediteran të BE. Fushat e bashkëpunimit janë: ekonomia, qarkullimi i mallërave, turizmi, bashkëpunimi teknik, mbrojtja e mjedisit, kultura, shkenca dhe arsimi, si dhe lufta kundër aktiviteteve ilegale. Antare janë vende ballkanike dhe Italia.

Pakti i stabilitetit në Europën Juglindore. Në vitin 1999, në kohën e bombardimit të Serbisë, ministri gjerman Joschka Fischher e ka bër nismën e pasluftës. Në atë kuadër është theksuar përshpejtimi i integrimit të plotë të atyre vendeve në strukturën e BE… me qëllim të anëtarsimit në BE. Fjala është për stabilzim, sigurim, demokraci dhe për zhvillimin ekonomik rajonal. Si anëtare janë parapa 28 vende të Ballkanit dhe të tjera, si dhe 16 organizata ndërkombëtare.

Shtetet e Ballkanit Prëndimor në mënyrë deklarative janë përcaktuar për integrime europiane. Por në BE nuk hyhet nëpër rrugë shkurtore, sikurse mendojnë disa politikanë të ballkanit. Por u duhet ti përmbushin kriteriet e përcaktuara përkatëse europiane.

Përsa i përket Nismës ”Mini Shengen”, jam i mëndimit se ajo është e parakohshme, derisa më parë të zgjidhen disa çështje politike në rajon, para së gjithash vendosjen e normalizimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, respektivisht të njohjes të tyre reciproke shtetërore. Ajo është çështje qëndrore e stabilitetit politik rajonal.

Disa njohje tregojnë se nuk është tejkalua ideologjia politike e viteve të 90-ta në Sërbi. Fjala është për ide të njëjta dhe për gjëndjen shpitërore mitologjike, por në një kohë dhe rrethana plotësisht të ndryshme gjeopolitike. Pra ka të bëj me një mitologji politike dhe ideologji, e cila gjithherë ka qenë e rrezikshme për paq dhe stabilitet rajonal. Andaj, është i nevojshëm diferencimi i politikës mitologjike dhe i asaj reale.

Mini- Shengeni aktual ka të bëj ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe ajo paraqet një eksperiment politik, meqënëse zhvillimi i integrimeve në Ballkan nënkupton përfshirjen e të gjitha 6 shteteve të Ballkanit Prëndimor, dmth. dhe të Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjes e Hercegovinës. Pa  ato shtete Iniciativa  në fjalë do të përjetojë mossukses. 

Përfaqësuesit e kësaj Nismë deklarojnë se ajo do të ketë një ” rëndësi të madhe”. Me fjalë të tjera, ajo do të mundësoj qytetarëve me kalua kufijt me kartë të identitetit. Në atë mënyrë do të mundësohet qarkullimi i lirë i madhërave, kapitalit, njerzëve dhe shërbimeve, si dhe të krijimit të tregut të punës. Më tutje shtojnë:  se do të zvogëlohen humbjet me milona dhe pritja e gjatë me kamiona në kufij. Në lidhje me atë, parashtrohet pyetja, çka ajo do të thotë në praktikë, kur fare mirë dihet, se vëndet e Ballkanit Prendimor janë të vogëla, të prapambetua, të pa zhvilluara. Ato kanë: prodhim, relativisht të ulët, papunësim shumë të madh, treg të kufizuar, import më të madh se  export, deficit permanent të tregtisë. Më tutje, për çfarë tregu të punës, kapitali, industrie të zhvilluar dhe teknologjie bashkëkohore është fjala, kur prej atyre vendeve ikin dhe qytetarët e tyre. Në bazë të cilave burime konstatohet, se do të zvogëlohen humbjet me miliona, respektivisht, në lidhje me të, a ekziston ndonjë studim shkencor. Konstatimi i tyre, se nuk do të bëhet pritje e gjatë në kufij, a do të thotë ajo se nuk do të ketë kontrollim cilësore dhe  adekuat në kufij. Në qoftë se bëhet ashtu, atëherë në kohën e krizës emigruese, natyrisht se do të  ketë kalim ilegal nëpërmjet të kufijve, kontrabanda  me madhëra dhe droga, si dhe aktivitete të grupeve kriminale. 

Mund të konstatohet se pa stabilizim politik në rajon, nuk ka as bashkëpunim të suksesshëm ekonomik. Përkundrazi, gjithë çka tjetër paraqet gënjim apo mashtrim politik, respektivisht mund të supozohet se nismëtari ka ambicie dhe qëllime të tjera politike .

Ajo që paraqet befasi, çudi dhe shqetësim është fakti se Shqipëria e pranoi këtë nismë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pa marrëveshje me Kosovën, u rreshtua dhe u bë parntner  i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse jam i bindur se një iniciativë e tillë ka një prapavijë  të dëmshme politike për Kosovën, respektivisht, gjoja e normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet të tregtisë së lirë,  pa njohje shtetërore të Kosovës, por si në kohën e ish-Jugosllavisë, si Krahinë e Serbisë. Me fjalë të tjera, Sërbia bënë manovra për legjitimin e një gjëndje të tillë politike dhe për shtyrjen e njohjes së Kosovës. Ata kishte me u dashtë për ta ditur shteti shqiptar, por dhe  partitë politike shqiptare në Maqedonin e Veriut që janë në koalicion me Kryeministrin Zoran  Zaev. 

Për një pohim të tillë, nuk ka argumentim më të mirë sesa një seri të  Tribunave dhe Tryezave të rrumbullakta të mbajtura në muajtë e fundit të vitit 2019, në Beograd, ku kanë marrë pjesë një numër i madh i profesorve të fakulteteve të ndryshme të Serbisë, gjeneralë të pensionuar, përfaqësues të Kishës ortodokse serbe, dhe si temë diskutimi kanë pasur:”Reintegrimi ose caktimi i  kufijve- diskutime për ardhmërin e Kosovës,  të parapara si formë e metodë nëpërmjet të cilës për këtë çështje do të duhej të vihet deri te harmonizimi i qëndrimeve të opinionit intelektual serb dhe mbartësve të pushtetit politik serb.

Si përfundim nga këto tubime të elitës intelektuale serbe, mund të përmblillet në dekleratën e njohur të Millosheviqit:”Përsëri jemi para betejave dhe në beteja”, pra janë shpreh pretendime territoriale ndaj Kosovës, por atë kur të arrihen kushtet e përshtatshme, pra në momentin e volitshëm. Ata thonë se koha punon për ta, meqënëse  ka ndërrime në  planin global të marrëdhënieve të fuqive të mëdha, duke mendur para së gjithash për forcimin e Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tyre strategjia më e mirë politike e Serbisë ndaj Kosovës është ngrirja e konfliktit. Opsioni tjetër është: nëse Serbia nën shantazh të fuqive të mëdha i duhet me lëshua pë dhe me e përmbush zgjidhjen e imponuar të tyre, atëherë ajo nuk duhet të nënshkruaj kurrfarë dokumenti detyrues, në mënyrë që në momentin e volitshëm historik, me të ”mirë apo me forcë” të bëj reintegrimin e Kosovës në sistemin juridiko-politik të Serbisë.

Tubimet e tilla serbe dhe diskutimet e pjesëmarrësve në to, dëshmojnë se serbizimi i madh kurr nuk shuhet, ai vetëm se qetësohet në rrethana gjeopolitike të pa përshtatshme për të. Andaj, shpeshherë maskohet si jo i rrezikshëm dhe anakron, duke i përdorur sikur vektor persona shkencor, kulturor, politikë dhe fetar, e në momentin e duhur kalon prej tyre në masat popullore serbe.

Mirëpo, sikurse ideologjia utopiste, serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr farë shprese për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar.

Sot është e qartë, se Serbia e ka humb luftën me NATO-n në Kosovë, dhe e ka nënshkrua kapitulimin. Kurse, në anën tjetër, përsëri Kosova është nën mbrojtjen e NATO-së. Prandaj, disktimet e tilla nacionaliste nuk duhet të jenë shumë shqetsuese, por as të nënçmohen. 

Çka duhet bër?

Vetë fakti se organizimi i tribunave dhe tryezave të rrumbullakta për Reintegrimin e Kosovës në Sërbi, fletë për gjëndjen shpitërore të shoqërisë serbe, në veçanti të opinionit të saj intelektual. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarët e tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre.

Kishte me qenë naivitet me i konsiderua tubimet dhe diskutimet e tilla si budallaki, sepse ideja e Serbisë së madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmonë manifestohet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë.

Përgjigja e vetme për këtë fenomen të politikës dhe idesë pushtuese serbe është që shqiptarët e Kosovës, institucinet shtetërore dhe të gjitha resurset shoqërore duhet të jenë të vetdijshëm në çdo moment ndaj saj; Kosova si shtet duhet në vazhdimësi të forcohet, mos me lëjua krijimin e rrethanave të tilla, në të cilat Serbia mund të orvatet për sendërtimin e idesë së saj për Serbinë e madhe. Konkretisht për shqiptarët ajo do të thotë me qenë gjithmon vigjilent, të zgjuar dhe syçelë, por para së gjithash me i siguruar levrat e vetëmbrojtjes efektive dhe kapacitetet politike, diplomatike dhe ushtarake të cilat vetë idenë e agresionit serbomadh me e çvlerësuar dhe me e bër të pamundur të pësëritet. Në veçanti kosova në fushën e diplomacisë duhet të ketë kuadra me kapacicete të mëdha profesionale politike, me njohuri të larta empirike dhe teorike. Se ajo është me rëndësi për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të mira me shtetet mike, aleate tradicionale e historike të shqiptarëve në botën bashkëkohore. 

                                                                                                       (Autori është politolog)

Filed Under: Analiza Tagged With: eksperiment

Ani Kosovë merru me veten nëse e do Shqipërinë

December 23, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Se sa të drejtë ka Edi Rama mbi këtë vetizolimin e Kosovës, se sa të drejtë ka ai kur ia quan gënjeshtar kryeministrin etj., ka vetëm një përgjigje, të shkonte sot në Prishtinë. Të shkonte sot dhe ta shihnin se si do ta prisnin shqiptarët e Kosovës atë. Në fund të fundit mikëpritja popullore është një barometër i mirë dhe që u shkon shumë për shtat liderëve qofshin këta të izolimit apo të hapjes. Deri sa ai thotë se fajin e ka Kosova që vetizolohet të shkoj e t’ia sqarojë, atje tek sheshi New Born, nën Skënderbeun tek ajo e Bill Klintonit, Madlen Albright a Ibrahim Rugovës. Prishtina ka plot sheshe dhe ai ka plot karrike plastike nga fushata e fundit. Ka hise në lirinë e Kosovës, se, kështu mendon ai. Në fund të fundit të shkoj edhe në Drenicë a Raçak, të shkoj e t’ua thotë në Prekaz etj. Ka plot Kosova sheshe. Për më tepër që është edhe i bindur katërcipërisht. Eshte një e drejtë publike që mund të na e demonstroj një lidër i përmasave të tilla si ai. Por nuk shkon. Prandaj edhe sot mes Shqipërisë e Kosovës ka sherr. Ka sherr fal Edi Ramës. Në Shqipëri ai që është me Edi Ramën çfarë nuk po  bën për të mbrojtur atë, ose më saktë çfarë tha Edi Rama për izolimin e klasës politike në Kosovë në emrin e marrëveshjes së madhe të mini Shengen-it Ballkanik etj. Ata që nuk janë me Edi Ramën çfarë nuk po bëjnë për ta nxjerrë atë si tradhtar etj., diçka që shoh se i shkon për shtat edhe një linje opinionistësh të tipit patriotë radikalë në Kosovë. Por nuk është i tillë, sepse nuk ka në dorë kohë të tilla. Apo nuk është koha e tillë. Eshtë koha e as mishit e as peshkut. E xhelistave me diploma droge dhe prostitucioni. Nuk e di sa çfarë emri tu vësh po një gjë është e qartë, që era e tritolit ka mbytur derën e shtëpisë së vllait karshi vllait e kujt nuk i është skuqur faqa. Kujt nuk i erdhi turp. Nuk mund të qush tradhtar një qenie as mish as peshk etj. Nuk mund të jesh tradhtarë kur ke shokë ta zëm një kryetar bashkie që ha e pi me bosët e drogës. Megjithëse përmendja me doza të larta e një lloj terminologjie të tillë nuk është asgjë tjetër por kulturë propogande, prapë ata ndihen komod. Shkurt në Shqipëri opinioni është si gjithmonë që njëshi është njësh dhe çfarë thotë ai është absolutisht e pa diskutueshme, në rastin konkret Kosova po izolon vetveten, liderët e saj gënjejnë dhe se tek lëvizja e lirë nuk shkohet kështu. Për mendjet e tilla në raport me Kosovën, Shqipëria me klasën politike të saj ka qënë dhjetë herë më e izoluar se Kosova. Kur Shqipëria e kishte Zyrihun dhe Parisin si të vetmit aeroporte për të dalur jashtë brigada e nomeklaturës, Kosova zbarkonte në çdo aeroport. Në raport me Kosovën Shqipëria po i rri pranë modelit izolim pavarësisht se shqiptarët kanë ”pushtuar” limanet portuale kudo, Kosova ka ndërmarrjet e investimit. Pra në këtë shërrnajë shqiptare, opinioni në Shqipëri është pas kulturës gjoja pluraliste, çfarë thotë njëshi është bum i vulosur në të thatë. Në rastin e Kosovës dozat e opinionit kundër politikës së Edi Ramës se si  e gjykon ai Kosovën, se si i etiketon ai liderët e Kosovës janë thuajse të unifikuara. Ky është një tregues i madh Kosovë dhe mos u merr me Edi Ramën. Merru me punët e tua nëse vërtetë e do Shqipërinë. Shqipëria e bjerr kohën e saj me ligje përmbi ligje, ashtu sikur hipotikon një apartament nën 5 pronarë, ashtu ka hipotekuar edhe vendin. Në Shqipëri nuk ka Shqipëria por ka një postulat më i fortë se çdo libër i shenjtë, kush leu mendjen e vet pëlqeu. Boll e hëngrëm njëri-tjetrin, boll. 

Filed Under: Analiza Tagged With: merru me veten

SINDROMA SIRIANE NË LIBI

December 23, 2019 by dgreca

NGA ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu nga Corere della Sera Eugjen Merlika/

            Po të mos besonim se historia e shkuar kushtëzon të tashmen, mund të thonim “më së fundi më mirë vonë se kurrë” përballë takimit pak ditë më parë ndërmjet Conte-s, Merkel-it dhe Macron-it mbi gjëndjen në Libi. Libia vë një problem të ngutshëm e të rëndë sigurie për Evropën. Do të dukeshin lajme të mira si fundi i shemërisë që, deri dje, kanë ndarë Italinë e Francën, si vendimi i Italisë, Francës e Gjermanisë (të cilave do të duhej t’u shtohej Britania e Madhe) për të bashkërenduar përpjekjet për të ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që të paqëtojë e të mbajë të bashkuar Vendin afrikan. Por dukjet gënjejnë, historia e shkuar peshon dhe ka pak hapësirë për optimizëm. As përsa i përket s’ardhmes së Libisë as përsa i përket (edhe përtej rastit libik) aftësisë së qeverive evropiane të bashkërendohen me sukses për të përballuar kërcënimet  në rritje ndaj sigurisë së kontinentit të vjetër. Takimi ndërmjet (pa) fuqive kryesore evropiane është shenja e dobësisë së tyre. Rusët dhe turqit po na e “vjedhin” Libinë: jo vetëm ne evropianëve por edhe amerikanëve, përgjegjësit e parë, në sajë të arratisjes së tyre strategjike, për atë që ka ndodhur në Siri e për atë që po përsëritet në Libi. Secili është rreshtuar mbas klientit të tij vendas: zotëria e luftës, gjenerali Haftar, i mbështetur nga rusët dhe kryetari i qeverisë së Tripolit, al Sarraj i ndihmuar nga turqit.

            Edhe sikur të pranojmë se është e pamundur, siç mendojnë ekspertët, që Haftari të pushtojë Tripolin dhe pjesën tjetër të Vendit me armë, mbeten dy mundësi: ose lufta civile do të vazhdojë ende gjatë, qoftë edhe me vite, ose rusët e turqit do të gjejnë një marrëveshje edhe mbi Libinë (ashtu si për Sirinë), duke ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që t’i japë fund luftës civile e që të mund të kënaqë interesat e të dy palëve (qoftë edhe me ndonjë dobi për të tjerë Vende të përfshira, nga Egjypti tek Katari). Në rastin e parë Libia do të mbetej një portë e hapur krejtësisht në dispozicion të trafikantëve të qënieve njerëzore e të terroristëve të vendosur të godasin Vendet evropiane. Në rastin e zgjidhjes së negociueshme mes turqëve e rusëve, kontrolli mbi burimet e rëndësishme energjitike dhe fuqia për të përdorur rreziqet e destabilizimit të Vendeve evropiane, për t’i përfrikësuar, do të jenë në dorë të fuqive kundërshtare t’Evropës.  Nuk është e tillë vetëm Rusia. Është edhe Turqia megjithë përpjekjen hipokrite perëndimore të shtirjes  se ende është një Vend antar i NATO-s, njësoj si gjithë të tjerët.

            Pikërisht sepse historia e shkuar peshon, kur flitet për Evropën vëmëndja përqëndrohet gjithmonë mbi problemet e qeverimit ekonomiko – financiar dhe mbi çështjet tregtare. Janë gjëra shumë të rëndësishme, sigurisht, mbi të cilat, nga ana tjetër ndarjet janë mjaft të forta sot n’Evropë. Luan megjithatë edhe një përsiatje e lashtë. Ka qenë një kohë në të cilën Evropa mund t’ishte vetëm “Evropë ekonomike” (vështrimet politike e të sigurisë i ishin përcjellur Shteteve të Bashkuara). Bota ka ndryshuar rrënjësisht, por po të gjykojmë nga disa lloje mbledhjesh të nivelit të lartë evropian, duket se drejtuesit dhe opinionet publike nuk e kanë pikasur këtë. Çështjet e sigurisë duhet t’ishin tani shqetësimi kryesor i Evropës, pika e parë në rendin e ditës në të gjithë takimet në selitë evropiane. Por evropianët nuk kanë qenë në gjëndje të gjejnë një qëndrim të përbashkët edhe për çështjen e foreign fighters (luftëtarët islamistë të kthyer, shumë prej të cilëve janë të gatshëm të bëjnë që të rrjedhë gjaku n’Evropë). Edhe çështja Brexit nuk duhet të shihet vetëm përsa i përket pasojave ekonomiko – financiare e tregtare. Fakti që fuqia e parë ushtarake evropiane (së bashku me Francën) po ikën nga Bashkimi nuk do t’a pengojë të bashkëpunojë me evropianët e tjerë në lëndën e sigurisë. Por e bën të dukshme kotësinë, s’po them për të ngritur, por tashmë edhe vetëm për të përfytyruar planet për një mbrojtje t’ardhëshme evropiane. Plane që ishin të dobëta edhe para Brexit: opinionet publike nuk ishin dhe nuk janë të gatshëm për të paguar aq sa do të duhej për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Brexit vetëm e ka mbyllur bisedën.

            Ç’duhet bërë atëherë? Evropianët, në sajë të paqes së gjatë që gëzojnë nga 1945, duket se mendojnë se kjo është një gjëndje natyrore, e pakthyeshme, e jetës shoqërore e politike. Pa kujtesë historike mendojnë se paqja dhe siguria – nga të cilat varen liria, demokracia, mirëqënia ekonomike – janë të mira të fituara përgjithmonë. Kjo mungesë realizmi ndihmon për të shpjeguar përse evropianët nuk mund të bëjnë pa Aleancën atllantike. Nëse do të jenë amerikanët që të vendosin mungesën e rëndësisë së saj, evropianët do të gjinden të xhveshur, të paarmatosur.

            Në këtë kohë teknologjitë e vjetra politike nuk duan të vdesin. Presidenti francez Makron pohon “vdekjen trunore” të NATO-s, jo vetëm për të shkundur nga plogështia amerikanët dhe evropianët, por edhe për të sjellë ndër mënd heshtazi, në dobi të opinionit publik francez, polemikën e hershme goliste kundër Aleancës atllantike. Duke harruar se në kohën dypolare, të zotëruar nga dy mbifuqitë, gjenerali de Gaulle mundi t’i lejonte vetes luksin për të luajtur rolin e heretikut në sistemin perëndimor vetëm sepse ai sistem ishte i fortë e jetik, jo në komë si sot. Golizmi i ri nuk ka më kuptim.

            Kush nuk ka fuqinë dhe vullnetin për të vendosur për fatin e tij bëhet pré e orekseve të të tjerëve. Që tani mund të konstatohet kjo dhe me gjasë do të jetë më e madhe në t’ardhmen, kur të jenë të gatshëm Vende të ndryshme evropiane për t’u zotuar, veçmas, në rrotullime valsi me rusët e kinezët, duke bërë sikur nuk e dijnë se çmimet që paguhen në vendosjen e marrëdhënieve të privilegjuara me fuqitë autoritare bëhen gjithënjë e më të larta me kalimin e kohës. Rusët dhe Turqit marrin Libinë, kërcënime terroriste janë të pritëshme, grabitqarë të uritur rrethojnë Evropën e dobët. Evropianët më të vetëdijshëm për rreziqet pyesin veten nëse qytetarët amerikanë, në zgjedhjet e pritëshme presidenciale do të çmojnë më shumë atë që mendon se lidhja me Evropën është në interesin e Shteteve të Bashkuara apo atë që e quan të udhës se është koha për të braktisur kontinentin e vjetër në fatin e tij. Në çdo rast, me të drejtë, vendimet e rëndësishme nuk do t’i marrin evropianët.

            “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2019       E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Sindroma Siriane ne Libi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT