NGA ANGELO PANEBIANCO/
E përktheu nga Corere della Sera Eugjen Merlika/
Po të mos besonim se historia e shkuar kushtëzon të tashmen, mund të thonim “më së fundi më mirë vonë se kurrë” përballë takimit pak ditë më parë ndërmjet Conte-s, Merkel-it dhe Macron-it mbi gjëndjen në Libi. Libia vë një problem të ngutshëm e të rëndë sigurie për Evropën. Do të dukeshin lajme të mira si fundi i shemërisë që, deri dje, kanë ndarë Italinë e Francën, si vendimi i Italisë, Francës e Gjermanisë (të cilave do të duhej t’u shtohej Britania e Madhe) për të bashkërenduar përpjekjet për të ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që të paqëtojë e të mbajë të bashkuar Vendin afrikan. Por dukjet gënjejnë, historia e shkuar peshon dhe ka pak hapësirë për optimizëm. As përsa i përket s’ardhmes së Libisë as përsa i përket (edhe përtej rastit libik) aftësisë së qeverive evropiane të bashkërendohen me sukses për të përballuar kërcënimet në rritje ndaj sigurisë së kontinentit të vjetër. Takimi ndërmjet (pa) fuqive kryesore evropiane është shenja e dobësisë së tyre. Rusët dhe turqit po na e “vjedhin” Libinë: jo vetëm ne evropianëve por edhe amerikanëve, përgjegjësit e parë, në sajë të arratisjes së tyre strategjike, për atë që ka ndodhur në Siri e për atë që po përsëritet në Libi. Secili është rreshtuar mbas klientit të tij vendas: zotëria e luftës, gjenerali Haftar, i mbështetur nga rusët dhe kryetari i qeverisë së Tripolit, al Sarraj i ndihmuar nga turqit.
Edhe sikur të pranojmë se është e pamundur, siç mendojnë ekspertët, që Haftari të pushtojë Tripolin dhe pjesën tjetër të Vendit me armë, mbeten dy mundësi: ose lufta civile do të vazhdojë ende gjatë, qoftë edhe me vite, ose rusët e turqit do të gjejnë një marrëveshje edhe mbi Libinë (ashtu si për Sirinë), duke ndihmuar një zgjidhje të bashkëbiseduar që t’i japë fund luftës civile e që të mund të kënaqë interesat e të dy palëve (qoftë edhe me ndonjë dobi për të tjerë Vende të përfshira, nga Egjypti tek Katari). Në rastin e parë Libia do të mbetej një portë e hapur krejtësisht në dispozicion të trafikantëve të qënieve njerëzore e të terroristëve të vendosur të godasin Vendet evropiane. Në rastin e zgjidhjes së negociueshme mes turqëve e rusëve, kontrolli mbi burimet e rëndësishme energjitike dhe fuqia për të përdorur rreziqet e destabilizimit të Vendeve evropiane, për t’i përfrikësuar, do të jenë në dorë të fuqive kundërshtare t’Evropës. Nuk është e tillë vetëm Rusia. Është edhe Turqia megjithë përpjekjen hipokrite perëndimore të shtirjes se ende është një Vend antar i NATO-s, njësoj si gjithë të tjerët.
Pikërisht sepse historia e shkuar peshon, kur flitet për Evropën vëmëndja përqëndrohet gjithmonë mbi problemet e qeverimit ekonomiko – financiar dhe mbi çështjet tregtare. Janë gjëra shumë të rëndësishme, sigurisht, mbi të cilat, nga ana tjetër ndarjet janë mjaft të forta sot n’Evropë. Luan megjithatë edhe një përsiatje e lashtë. Ka qenë një kohë në të cilën Evropa mund t’ishte vetëm “Evropë ekonomike” (vështrimet politike e të sigurisë i ishin përcjellur Shteteve të Bashkuara). Bota ka ndryshuar rrënjësisht, por po të gjykojmë nga disa lloje mbledhjesh të nivelit të lartë evropian, duket se drejtuesit dhe opinionet publike nuk e kanë pikasur këtë. Çështjet e sigurisë duhet t’ishin tani shqetësimi kryesor i Evropës, pika e parë në rendin e ditës në të gjithë takimet në selitë evropiane. Por evropianët nuk kanë qenë në gjëndje të gjejnë një qëndrim të përbashkët edhe për çështjen e foreign fighters (luftëtarët islamistë të kthyer, shumë prej të cilëve janë të gatshëm të bëjnë që të rrjedhë gjaku n’Evropë). Edhe çështja Brexit nuk duhet të shihet vetëm përsa i përket pasojave ekonomiko – financiare e tregtare. Fakti që fuqia e parë ushtarake evropiane (së bashku me Francën) po ikën nga Bashkimi nuk do t’a pengojë të bashkëpunojë me evropianët e tjerë në lëndën e sigurisë. Por e bën të dukshme kotësinë, s’po them për të ngritur, por tashmë edhe vetëm për të përfytyruar planet për një mbrojtje t’ardhëshme evropiane. Plane që ishin të dobëta edhe para Brexit: opinionet publike nuk ishin dhe nuk janë të gatshëm për të paguar aq sa do të duhej për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Brexit vetëm e ka mbyllur bisedën.
Ç’duhet bërë atëherë? Evropianët, në sajë të paqes së gjatë që gëzojnë nga 1945, duket se mendojnë se kjo është një gjëndje natyrore, e pakthyeshme, e jetës shoqërore e politike. Pa kujtesë historike mendojnë se paqja dhe siguria – nga të cilat varen liria, demokracia, mirëqënia ekonomike – janë të mira të fituara përgjithmonë. Kjo mungesë realizmi ndihmon për të shpjeguar përse evropianët nuk mund të bëjnë pa Aleancën atllantike. Nëse do të jenë amerikanët që të vendosin mungesën e rëndësisë së saj, evropianët do të gjinden të xhveshur, të paarmatosur.
Në këtë kohë teknologjitë e vjetra politike nuk duan të vdesin. Presidenti francez Makron pohon “vdekjen trunore” të NATO-s, jo vetëm për të shkundur nga plogështia amerikanët dhe evropianët, por edhe për të sjellë ndër mënd heshtazi, në dobi të opinionit publik francez, polemikën e hershme goliste kundër Aleancës atllantike. Duke harruar se në kohën dypolare, të zotëruar nga dy mbifuqitë, gjenerali de Gaulle mundi t’i lejonte vetes luksin për të luajtur rolin e heretikut në sistemin perëndimor vetëm sepse ai sistem ishte i fortë e jetik, jo në komë si sot. Golizmi i ri nuk ka më kuptim.
Kush nuk ka fuqinë dhe vullnetin për të vendosur për fatin e tij bëhet pré e orekseve të të tjerëve. Që tani mund të konstatohet kjo dhe me gjasë do të jetë më e madhe në t’ardhmen, kur të jenë të gatshëm Vende të ndryshme evropiane për t’u zotuar, veçmas, në rrotullime valsi me rusët e kinezët, duke bërë sikur nuk e dijnë se çmimet që paguhen në vendosjen e marrëdhënieve të privilegjuara me fuqitë autoritare bëhen gjithënjë e më të larta me kalimin e kohës. Rusët dhe Turqit marrin Libinë, kërcënime terroriste janë të pritëshme, grabitqarë të uritur rrethojnë Evropën e dobët. Evropianët më të vetëdijshëm për rreziqet pyesin veten nëse qytetarët amerikanë, në zgjedhjet e pritëshme presidenciale do të çmojnë më shumë atë që mendon se lidhja me Evropën është në interesin e Shteteve të Bashkuara apo atë që e quan të udhës se është koha për të braktisur kontinentin e vjetër në fatin e tij. Në çdo rast, me të drejtë, vendimet e rëndësishme nuk do t’i marrin evropianët.
“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika