• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË “PERDE INTERNETI” NDËRMJET PERËNDIMIT E LINDJES

December 21, 2019 by dgreca

Nga DANILO TAINO/ përktheu nga Correiere della Sera, Eugjen Merlika/

                “Një perde interneti po bie përgjatë kontinenteve”: mbas jo shumë kohe, një Churchill bashkëkohor ka mundësi të thotë një fjali të këtij lloji. Ndeshja ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit po e çon ekonominë globale drejt një ndarje në dy pjesë – me një fjalë një “perëndimore” e një “lindore” – të cilat mund të shkojnë në drejtime të ndryshme e të ndërrueshme: është e ashtuquajtura Great Decoupling, ndarja e madhe, shpërbërja e çiftit.

                Ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk ka më vetëm ndeshje tregtare: ndodhí të fundit tregojnë se një skenar i një Lufte të re të Ftohtë po mbështjell teknologjitë e larta, internetin, shkëmbimet akademike, vendimet ushtarake në detra e në hapësirën kozmike.

                Shenja më e fundit e kësaj prirjeje është vendimi i Partisë komuniste kineze, për të zëvendësuar, brënda tre vjetësh, të gjithë kompiuterët e softwere-t e huaj të institucioneve publike me teknologji kombëtare. Vendimi godet gjigantët e hi – tech-it, por kryesisht tregon se presidenti kinez Xi Jinping është i bindur se përballimi është i gjithanshëm dhe duhet të çohet përpara me ashpërsi. Një kthim mbrapa kombëtarist që pasqyron atë amerikan të frymëzuar nga Donald Trump-i dhe gjërësisht të miratuar në Shtetet e Bashkuara.

                Washingtoni është prej kohësh në një skemë llogoreje. Tarifat që ka vendosur për importimet nga Kina janë faktet më të dukëshme. Por, gjithmonë nga ana e shkëmbimeve ndërkombëtare, Organizata botërore e tregtisë, Wto, pikërisht në këto ditë është katandisur pothuaj në pavlefshmëri sepse kolegji gjykues i kundërshtive tregtare nuk ka më gjyqtarë: përtëritja e tij është bllokuar nga Washingtoni. Krahas kësaj fryhet sindroma Huawei, shoqëria kineze zotëruese e teknologjisë se rrjetit 5G: amerikanët e kanë ndaluar për arsye të sigurisë kombëtare (mendojnë se mund të jetë një kalë Troje i Pekinit për spiunazh dhe sabotazh) dhe janë duke ushtruar trysni shumë të mëdha mbi evropianët që të veprojnë gjithashtu.

                Në fushën e ideve, në Kinë Partia komuniste ka shtrënguar hallkat ideologjike, ka futur Mendimin e Xi Jinpingut në Kushtetutë dhe ka kufizuar shumë lirinë e diskutimeve në universitetet. Në universitetet e Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër shtohet largimi i profesorëve dhe studentëve kinezë, shpesh të quajtur kundërshtarë të mundshëm që është marrëzi t’i pasurosh me njohuri. Si përfundim shkëmbimet akademike ndërmjet dy Vendeve, për vite krijues besimi, janë pakësuar shumë.

                Përsa i përket internetit, Pekini tashmë i ka ngritur muret e tij të mbrojtjes dixhitale, për arsye të kontrollit politik të brëndshëm e për mbështetjen e gjigantëve të tij të rrjetit: Google, Facebook,Twitter dhe dhjetra të tjerë sito web janë të ndaluar. Në fushën ushtarake Kina, që ka qënë gjithmonë një fuqi tokësore, po zhvillon aftësitë e saj mbi dete, edhe mbi oqeane, por ka lëshuar bejlegun e saj edhe në hapësirë. Washingtoni po merr masa për t’i u përgjigjur.

                Frika e madhe është që Great Decoupling të sendërtohet, me një shkërmoqje të globalizimit, me shkatërrimin e e zinxhirëve të furnizimeve ndërkombëtare, me sisteme dixhitale e telekomunikacionesh të themeluara mbi standarte të ndryshme e pak komunikuese, me ndeshje për parësinë teknologjike, me kundërshti politike, diplomatike e ndoshta edhe më keq. Një gjëndje në të cilën Evropa dhe Vendet e tjera do të ishin të shtrënguar të zgjidhnin nga cila anë të qëndronin, në sferën e ndikimit kinez dhe të tregut të tij tërheqës, apo në sferën amerikane me vlerat e saj të lirive ekonomike e politike. Është e vështirë të përcaktohet se, në ndeshjen për sipëraninë, Washingtoni dhe Pekini ndjekin strategji të sakta. Me gjasë jo. E kjo është ende më shqetësuese.

                “Corriere della Sera”, 11 dhjetor 2019    E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Danile Taino, Eugjen Merlika

Qasja enveriste e Ramës ndaj mediave

December 19, 2019 by dgreca

Nga  Sokol PAJA/ New York/

 Në të gjitha regjimet autoritare, lufta ndaj medias është pjesë e pandashme e propagandës shtetërore me qëllim fshehjen e dështimeve e skandaleve të qeverisë, ç’qëndërzimin e vëmëndjes së opinionit publik, shmangien nga përgjegjësia dhe krijimi i një realiteti imagjinar krahas problemeve reale që kalon vëndi. Etja e kryeministrit Rama për të kontrolluar me ligj dhe dënuar institucionalisht çdo media që guxon të kritikojë regjimin është një qasje e pastër totalitare. Lufta e Ramës ndaj mediave të kujton leksionet mbi gazetarinë që mbante Enver Hoxha nëpër koperativat bujqësore në fshatrat e myzeqesë në vitet 60′. Regjimi autoritar i Edi Ramës ka hapur një spirale të shëmtuar lufte ndaj fjalës së lirë. Që pas ardhjes në pushtet, Rama u tregua shumë dinak në marrëdhënie me mediat. Pasi i zotëroi deri në skllavërim 90 të mediave audiovizive, online dhe print pasi i poshtëroi publikisht duke i quajtur kazan, fundrrina e së fundmi edhe kriminelë, me paketën e re ligjore anti-shpifje ai po zyrtarizon funeralin e medias dhe të fjalës së lirë në Shqipëri. Rama në administrimin e pushtetit dhe marrëdhënien e tij me median dhe aktorë të tjerë, reflekton qartazi një qasje enveriste. Që propaganda shtetërore komuniste të ketë sukses, duhet shpikur një armik i cili trumbetohet nga agjit-propi shtetëror si rrezik, kërcënim, shkatërrim i unitetit parti-popull. Enveristi Rama e gjeti armikun fajtor median. Arroganca shtetërore, ndërsimi i orkestruar, egoizmi dhe nervozizmi i funksionarëve publikë, paaftësia në menaxhimin e katastrofës pas termetit, keqqeverisja 6 vjeçare, dështimi fatal i politikave publike, korrupsioni galopant, rënia ekonomike, oligarkia, shpopullimi i vëndit, varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve, kontrolli mbi të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura, asgjësimi i opozitës, zgjedhjet moniste, dështimet e njëpasnjëshme, sipas Ramës janë për fajin e medias. Kjo një gjetje aspak inteligjente e pushtetit autoritar të Ramës në një kohë kur nevoja për qeverisje të mirë dhe rindërtim është më e madhe se kurrë. Rama në luftën ndaj medias ka ngjallur modelin totalitar të Enver Hoxhës. Në Shqipërinë komuniste në vitet 60, diktatori Hoxha në një bashkëbisedim me koperativistët e fshatit Krutje, u mban atyre leksione gazetarie, më gjasmë duke sulmuar gazetarët e kohës që nuk pasqyronin si duhet lumturinë e masave në komunizëm dhe fitoret e revolucionit proletar. Hoxha i fton koperativistët dhe i mëson sesi të shkruajnë e raportojnë dhe madje i nxit që më çdo kusht të pasqyrojnë parajsën komuniste. Të njëjtën gjë po bën dhe Rama e instrumentat e tij politik e propagandistik ku fajësojnë median për qeverisjen e keqe dhe paaftësinë në përmbushjen e detyrave publike. Lufta ndaj medias, shtypit, botimeve, është kthim në diktaturë. Çdo akt që prek lirinë e medias është atentat ndaj demokracisë. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që i marrin shpirtin fjalës, por për fjalë e vepra të mira që të ndërtojmë një shtet institucionalisht dhe shpirtërisht të shëndoshë përballë sfidës së ringritjes, rindërtimit, zhvillimit dhe integrimit kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol paja- Qasja enveriste-Qeveria Rama-Mediat

Do mallkoni veten një ditë siç e mallkuat për Enverin…

December 17, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Në Shqipëri po diskutohet një ligj për portalet, por që qeveria e ka cilësuar si ligji kundër shpifjes. Nuk do ndalem shumë në faktin konkret pra mbi shpifjen, pasi që në krye nuk ia vlen, se ligji për shtypin ekziston. Aty gjeni dhe problemin e precedentit në fjalë dhe hapat që ndërmerren nga organet kompetente etj. Për më tepër problemi në Shqipëri nuk është ligji, nuk janë ligjet, por edukata profesionale mbi zbatimin e tij. Sepse ligjet me të mirat dhe të këqijat e tyre brenda, kanë ekzistuar, por në masën 99% janë zbatuar sipas taksës së qerasjes a rryshfetit etj., pa diskutim edhe mikut. Megjithëse edhe ky e kishte një haraç të majmë, biles karatët e mikut i caktonte ky haraçi. I vetmi ligj që nuk hante rryshfet a mikun ishte ai për agjitacion e propogandë dhe koha tregoi se ne mbartnim zellin e kafshës për ta zbatuar pikë për pikë. Pra problemi qëndron tek zbatimi ose ajo që ca zagarë afër kryeministrit kënaqen dhe nxitojnë të ta shpjegojnë me argumentin se e shikon, prandaj duhet reforma në drejtësi. Dhe sjellin si dëme kolosale atë çfarë kanë bërë paardhësit e tyre, iksi apo ypsiloni, ndërkohë që gdhihen vetë kryemilionerë, zhvasin e rrjepin të gjallë edhe më të vobektin, prapë hujdët janë ata që ishin dikur në pushtet. Mund të rrinë vetë edhe një shekull në qeverisje, prapë fajtori është ai që iku. Ca zagarë që vrapojnë e thonë që Edi Rama është viktimë e publiçistikës së tij, ose nëse një kryeministër sulmon shtypin është normale kjo ndodh edhe në Amerikë etj. Pikë e zezë, as e kanë idenë e Amerikës, mentalitetit të një europiani të lindjes nuk i mjafton qoftë edhe një jetë për të kapërdirë demokracinë e dheut të lirisë.

Nga ana tjetër vetëm tek ne ndodh që i teket qeverisë ose më saktë kryeministrit të marri inisiativën për të bërë një ligj për shpifjen a shtypin pa i lënë platformën bazë njerëzve të medias. Ndryshon puna në një ligj për taksimin a doganat, por në raport me komunikimin është tjetër gjë. Megjithatë gjithë ky debat nxorri në pah një fakt që të gjithë nuk e besojnë por është reali, tmerri që kanë shtetarët shqiptarë, kastat, esnafllëku otoman që drejton këto 30 vjetë vendin tonë nga liria e fjalës. Kur një kryeministër del e thotë publikisht se iks portal i bëri njerëzit të mos shkojnë në spital sepse aty u tha që godina është në rrezik shembje nga shkaku i tërmetit etj., me një fjalë ngjalli panik, është e kollajshme ta vërtetosh se sa i ndjekur është ky iks portal a ky shpifës, ky që panikos njerëzit. Për më tepër kur dihet që ujqërit e shikimit janë dominant në sytë e shqiptarëve, ujqërit si kryeministri a ai kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe shtatë emrat e studiove shto edhe personazhet e telenovelave turke që thuajse 85% e shqiptarëve i dinë përmendësh. Si mund të shkaktojë panik një portal me 5 mijë ndjekës kur 24 orë shqiptarët janë të pushtuar nga ERTV-ja. Ajo çka rezulton nga ky debat është pikërisht jo cënimi, pasi elefantët nuk ndigjojnë nga mushkonjat, por është urrejtja me nuanca bezdije, është pronësia e shpërndarë e të të drejtës s fjalës. Dhe kjo një shpjegim fakti që ne vimë nga një kulturë diktature ku gjithçka jo vetëm kontrollohej por edhe posedohej. Pra të shpreheshe ishte privilegj dhe pronë private e një grushti njerëzish, është fobia nga liria, mjaft t’i dëgjosh kur thonë për portalet a deri muret personale të fejsbukut se po ngrihet një realitet paralel i të të shprehurit. Në ditët e sotme tema qëndrore duhej të ishte se si po instalohet me mjetet e demokracisë një neo diktaturë që do i kushtojë Shqipërisë po aq sa diktatura e kaluar, por fatkeqësisht nuk ndodh. Eshtë një vëmendje e zhvendosur suksesshëm nga thelbi që autorët e informalitetit, të propagandës, a regresit tonë të mbijetojnë. Dhe po ja dalin. Shikoni banalitetin e batakçiut, kundërvihet me ironi, mos ma prekni fjalën. E ka me germa të mëdha në murin e tij. Sikur vetëm ai të ketë aftësi dhe dhunti për të folur, sikur vetëm ai di të flasë, të tjerët bezdisin botën. Edhe Enveri thoshte që kushdo ka të drejtën të thotë me germa të mëdha dhe pa frikë atë çfarë mendon. E thoshte dhe e shkruante me gërma të mëdha, parullë sa një pallat pesëkatësh, por nga ana tjetër ta lëronte shtatë breza ku t’i kishe vetëm pse të kapte mërzia në radhën e qumështit. Kësisoj edhe ky, një demagog i dalë hundësh. Ngrihuni e hiqeni qafe se do ta keni në qafë një jetë dhe se një ditë do mallkoni veten siç e mallkuat për Enverin.

Filed Under: Analiza Tagged With: mallkim

DEMOKRACIA E SHTIRUR E DESPOTËVE TË RINJ

December 17, 2019 by dgreca

Nga NADIA URBINATI/

E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/

            Përqark Romës lëvizin me lehtësi fuqitë kundër-demokratike. Në pak më shumë se tre muaj Italia ka pritur Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Evropa, (dobësia e saj së pari), i intereson të dyve (siç i intereson dhe mik-armikut të tyre Donald Trump); mbi të gjitha Mesdheu, udhëkryqi për Afrikën apo Lindjen e Mesme, të dëshirueshme për të dy fuqitë kontinentale me lakmi perandorake, Kina dhe Rusia. Ato janë, së bashku me Arabinë Saudite, Turqinë, Taxhikistanin, Emiratet Arabe, Vietnamin, Iranin e Singaporin (me një front që shtyhet deri brënda Evropës me Hungarinë e Orbanit) përfaqësuese të një modeli ekonomiko-shoqëror e politik që sfidon madje pa ndrojtje demokracinë. Së fundi Putini ka gjëmuar kundër demokracive kushtetuese, të arritura simbas tij në fund të rrugës; para disa vitesh, duke komentuar një rezolutë të Parlamentit evropian kundër ndërhyrjeve ruse në mediat kishte pohuar: “Të gjithë na bëjnë shkollë për demokracinë, ndërsa shohim poshtërimin në të cilin dergjet vetë ideja e demokracisë”.

            Për të përcaktuar këta sisteme të pushtetit janë shpikur formulat më të çuditëshme, si psh. ajo e “demokracisë iliberale” (e dashur shumë edhe nga Orbani veç Erdoganit), që nuk thotë asgjë sepse një demokraci me të drejta civile nën mbikqyrjen e ekzekutivit dhe pa një konkurrim publik e të lirë politik nuk mund të ekzistojë, edhe kur shfrytëzon zgjedhje dhe një sistem të sofistikuar të mediave. Kohët e fundit John Keane, një studjues i politikës në Universitetin e Sidney-t ka shkruar se këta sisteme shumë të rrënjosura n’Azi mund të futen në kategorinë e “despotizmit të ri”. Është e dukëshme jehona e klasikëve, të Aristotelit e të Montesquieu-ut, që vendosnin në kontinentin aziatik themelet e një sistemi të mohimit të politikës, të cilit i nuhasnin aftësinë tërheqëse dhe depërtuese edhe përtej kufijve të shtëpisë së tyre. Despotizmi i ri, që miqtë e demokracisë do të duhej të përpiqeshin t’a njihnin më mirë, i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të patur fat edhe brënda demokracive tona, sepse ushqehet me një gjellë që i a njohim mirë përbërësit: ideologjia e popullit, manipulimi i mediave, kapitalizmi dhe oligarkia, korrupsioni dhe klientelizmi.

            Të mbështetura nga një sistem i shumfishtë piramidash të pushtetit, udhëheqësit e despotizmit të ri ushtrojnë mbisundimin e tyre nëpërmjet një sistemi të shtrirë korrupsioni që shtresëzon miq dhe armiq, por edhe përdorimit të votimeve fantazma që duhet të festojnë fitoret në vend që t’i japin zë parapëlqimeve. Frikësojnë votuesit dhe blejnë votat – por duan shfaqjen e zgjedhjeve, sepse duan të paraqiten me hijen e ligjëshmërisë popullore.

            Ky sistem xhelatinoz nuk ushtron me një harxhim trashanik mjetesh shtypjen e dhunëshme (edhe ndrangeta në Varesotto e kupton rolin e reklamës!), as nuk e ushqen në mënyrë të ankthëshme frikën, si despoti i ravijëzuar nga Montesquieu. Është si një organizëm i stërmadh, në të cilin mbahen së bashku pasuria stratosferike e të paktëve, mirëqënia e shtresave të mesme dhe premtimi për arritjen e kësaj të fundit nga klasa puntore. Imtësisht e vëmëndëshme ndaj hollësive, se si populli jeton e çfarë mendon, mbahet  mbi një oligarki të paisur me një pushtet të pakritikueshëm që grumbullon pasuri përrallore, lind dinasti të vërteta, e nuk fshihet në sytë e publikut si despotët e lashtë, por paraqitet si një model për të gjithë. Suksesi është forma më e mirë e kontrollit shoqëror të vetë pjellur.

            As nuk është e vërtetë që despotzmi i ri të jetë shqeto arbitraritet: ndërsa është e vërtetë se ushtron ligjin simbas një rregulle që e njohin mirë edhe populistët: i ëmbël e i njerëzishëm me mbështetës dhe miq, i sertë me kundërshtarët. Mbarështojnë frikën me rregullsi e pa nevojën e shfaqjeve të kota të dhunës. Me një fjalë fashizmat ishin si shkolla fillore për despotizmat e rinj. Por ka një fakt të ri, që as fashizmi historik as sovjetizmi totalitar nuk e njihnin: ideologjia e hedonizmit konsumues. Joshja e publikut në vend të shtypjes është bërë sot e mundur nga sistemi kapitalist që i lejon despotët e rinj të shfrytëzojnë duarplot argumentin e suksesit ekonomik e të mirëqënies. Shoqëritë e reja despotike janë një panair bashkëkohësie arkitektonike, lluksi dhe zhvillimi teknologjik. Dhe është pikërisht mbi këtë argument që bejlegu me demokracitë perëndimore bëhet fatal, mbasi ato janë ringjallur në mbasluftën e dytë me premtimin e një mirëqënieje të përhapur, që nuk duhej t’ishte qëllim në vetvete por kusht për një jetë dinjitoze e të lirë. Despotët e rinj premtojnë (janë bujarë në përkrahjen e instituteve të kërkimeve e të mediave që përhapin të dhënat mbi fitoret e mëdha të popujve të tyre), ato që në shoqëritë tona janë të paktë ata që mund të premtojnë: një t’ardhme në të cilën bijtë do të jetojnë më mirë se sa prindërit.

            Pikërisht këto suksese ekonomike i shtyjnë studjuesit dhe analistët perëndimorë që të lejojnë të thuhet se bëhet fjalë për “demokraci”, makar “deleguese” ose “iliberale” apo “gjysëm demokratike”. Filozofia shoqërore e lumturisë konsumatore vlerësohet me medaljen e “demokracisë”: një zgjedhje pak e urtë po të mbajmë parasysh se, për të vlerësuar despotët e rinj duke i bërë të hyjnë në Panteonin demokratik, përfundohet në ligështimin e demokracisë, duke e kthyer në një fjalë të squllët që humbet kuptimin, pikërisht ashtu sikurse despotët e rinj dëshërojnë që të jetë.

E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Demokracia e Shtirur- Nadia Urbinat

Në mbrojtje të Agron Tufës

December 16, 2019 by dgreca

-Prej 1997 Ambasada e Shqipërisë në Bernë është në duart e ish-nomenklaturës /

–Për djeni Departamentit të Punëve të Jashtëme të Zvicrës, – DFAE – EDA…Zonjës Amanda Bennett, Drejtore e VOA, Zërit të Amerikës/

Nga Elida Buçpapaj /

Arsye për këtë shkrim është kërkesa për azil politik e shkrimtarit të njohur Agron Tufa, i cili pas kërcënimeve të vazhdueshme nga eksponentë të lartë të shtetit shqiptar, detyrohet të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), vend që e ka mbajtur me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri.

Agroni Tufa thotë se këtë hap e ndërmori pas kërcënimeve direkte me jetë nga ish-sigurimsat që “do më vrisnin”, thotë Agroni ” siç ekzekutuan në mënyrë mafioze dëshmitarin Haxhi Baçinozi në mars të këtij viti”.

Gjithë opinioni shqiptar e kujton vrasjen e Haxhi Baçinozit në praninë e të birit dhe menjëherë pas saj, gjithë shtypi u mbush me lajmin e rremë se “Haxhi Baçinozi u vra sepse kishte borxhe”!

Në fakt Haxhi Baçinozi, ish i burgosur politik nga regjimi komunist, u vra sepse do të dëshmonte për krimet e një kryepolici në burgun e Spaçit që torturonte të burgosurit.

Kryepolici i diktaturës, Edmond Caja që prej gati 30 vjetësh është shtetas i Gjermanisë e do të përballej me dëshmitarin Haxhi Baçinozi, sot duhej të ishte i dyshuar kryesor për ndikim në vrasjen e viktimës që e torturonte në burgjet komuniste dhe që u vra pa dëshmuar.

Vrasja e Haxhi Baçinozit tregoi fuqinë që kanë sot në shtetin shqiptar ish Sigurimsat dhe nëntoka e ish regjimit diktatorial që i ka duart të lyera me gjak viktimash. Haxhi Baçinozi tentoi të dëshmonte të vërtetën e krimeve të diktaturës dhe u vra barbarisht.

Po ta shohësh nga hierarkia, Agron Tufa është shumë më i rrezikuar se Haxhi Baçinozi, tashmë i vrarë, pasi institucioni që drejtonte ai, e fuste në shina shtetërore zbardhjen e krimeve të diktaturës që shoqëron dekomunistizimin.

Jam dëshmitare se Agron Tufa ka gati 3 vjet që kërcënohet në mënyrë permanente nga vetë shteti dhe nga media që ka në dorë ish Sigurimi.

Spartak Braho, deputet i Partisë Socialiste (PS), njëri nga ata që udhëheq këtë linçim publik të Agron Tufës është një ish gjyqtar i kohës së diktaturës që ka dhënë dënime me vdekje; Sabit Brokaj, ish minister i diktaturës dhe ish deputet e ish minister i mbrojtes i PS shkon deri aty sa e kërcënon Agron Tufën, se do ta ndjekë këmba këmbës për t’ja shkatërruar jetën.

Pra njerëz të shtetit shqiptar të lidhur me ish regjimin totalitar po e përndjekin Agron Tufën edhe kur ky u largua nga Shqipëria. Agron Tufa i detyruar paraqiti dorëheqjen tek krerët më të lartë të shtetit, të cilët, sa ishte Agroni aty, nuk ndërmorën asnjë masë sigurie jete as për të dhe as për familjen. Pra, Agron Tufa u përball i vetëm me falangat e skuadroneve të ish Sigurimit, që janë pjesë e shtetit dhe e pushtetit, pa marrë parasysh se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s!

Sabit Brokaj, shkon deri aty, sa kërkon që Ambasada e Shqipërisë në Bernë të bëjë gjithçka që “Agron Tufa të mos e marrë statusin e azilantit politik në Zvicër”.

Ja çfarë shkruan Sabit Brokaj ekzaktësisht: “Unë i pari, (dmth Sabit Brokaj – shpjegimi im – E.B.) por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…. Prandaj ambasada jonë në atë vend, por edhe ambasada zvicerane në vendin tonë, duhet të ngrenë alarmin dhe të mos i japin strehë një njeriu të tillë. Ua bëj këtë apel këtyre ambasadave publikisht. Por edhe vendeve të tjera ku ai mund t’ia mbathë sërish .”

Shikoni sa kriminale është thirrja e Sabit Brokajt! Po të ishte Shqipëria shtet demokratik, prokuroria do të duhej ta merrte nën hetim menjëherë!

Natyrisht Ambasada e Zvicrës në Tiranë nuk ndikohet nga histeri e tillë kriminale e tipit të Sabit Brokajt. Mjafton të kujtoj se Zvicra i dha azil politik Dritan Zaganit, ditën që Edi Rama, me kostum kryeministri, vuri këmbën në Konfederatën Helvetike në vizitë zyrtare, ndërsa qeveria e tij e kishte shpallur Zaganin “most wanted”.

Sa për Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, më duhet të hedh dritë se prej vitit 1997, ajo drejtohet nga njerëz me lidhje eksplicite me ish diktaturën që kanë vijuar karierën në tranzicion pa u konvertuar kurrë!

Të mbetur të pakonvertuar prej urrejtjes, do të thotë që viktimat e diktaturës të vijojnë edhe sot t’i trajtojnë sikur regjimi totalitar, pra si armiq të komunizmit dhe të komunistëve.

Unë dhe bashkëshorti im Skënder Buçpapaj, të dy shkrimtarë, gazetarë dhe botues kemi përvojë personale prej falangave të ish diktaturës që gjatë këtij tranzicioni gati prej tre dekadash janë të integruara në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar deri në krye të Ambasadave duke minuar demokratizimin e vendit .

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur Ambasador Leontiev Çuçin, ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (KQPPSH) dhe ministër i kohës të Ramiz Alisë, më pas deputet i PS i emëruar nga kjo forcë politike.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur për dy mandate rresht Ambasador Mehmet Elezin, ish kryeçensor i diktaturës dhe kandidat i KQPPSH, i cili ka vijuar në Zvicër kursin e vjetër kur e mbronte me fanatizëm vijën e Partisë të Punës nga ndikimet e ideologjisë borgjeze dhe bartësit e saj. Mehmet Elezi ishte emëruar Ambasador i Republikës të Shqipërisë në Bernë direkt nga Sali Berisha. Mehmet Elezi nuk kishte asnjë atribut moral që ta meritonte këtë post, bile nuk ishte as eksponent i Partisë Demokratike.

Qendrimi armiqësor dogmatik që shfaros pluralizmin dhe nuk i toleron zyrtarët publikë apo gazetarët të përmbushin misionin e tyre sipas standarteve të Perëndimit shprehet në dy mënyra: Ose si Sabit Brokaj dhe Spartak Braho kundër Agron Tufës, ose duke aplikuar nga Ambasadat luftë të heshtur, ku të dy metodat i shërbejnë varrosjes të sistemit demokratik.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë me largimin e Mehmet Elezit drejtohet nga Ilir Xhelil Gjoni, pra i biri i një eksponenti të njohur të diktaturës dhe nipi i Hysni Kapos, numri dy i nomenklaturës diktatoriale komuniste.

Në dhjetor të vitit 2013 i kam drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani që të mos e dekretonte Ilir Xhelil Gjonin, jo se kisha fakte kundër tij, por e shihja të mjaftueshme që kishte lidhje të forta gjaku me ish regjimin dhe nuk ishte distancuar prej tij. Mblodha edhe shumë firma dhe ia paraqita edhe këto Presidentit Bujar Nishani, i cili nuk i mori parasysh dhe e dekretoi Ilir Xhelil Gjonin, ndërsa i njëjti Bujar Nishani nuk do të dekretonte Ambasador në Vatikan një ish të burgosur politik si shkrimtari i njohur Visar Zhiti.

Ambasadorët me skeletë në dollapë kanë mbetur të njëjtë sikur në ditët e egra të diktaturës. Nëpër Ambasada ata kanë vijuar luftën kundër “armiqve” të ish regjimit diktatorial, duke përdorur lloje të tjera vrasjesh.

Natyrisht Zvicrën nuk e bëjnë dot kurrë Shqipëri, por duke shpërdorur detyrën e zyrtarit të lartë publik ata shkaktojnë dëme të pallogaritëshme, duke përçarë komunitetin e duke sjellë e mbjellë frymën e luftës të klasave kur diktatura e konsideronte diasporën Mërgatë Qyqesh.

Dorëheqja e Agron Tufës nga detyra pas tre vjet linçimi është kambanë alarmi.

Kur Agron Tufa është larguar nga Shqipëria, më tepër se kurrë, sot bëhet i nevojshëm demokratizimi i vërtetë i Shqipërisë që si kusht sine qua non kërkon dekomunistizimin e shtetit.

Po të analizohet kariera e ish eksponentëve të diktaturës në tranzicion si Spartak Braho e Sabit Brokaj me shokë apo e trashëgimtarëve të ish regjimit, do të vihet re se rrëzimi i diktaturës nuk ka ndikuar aspak negativisht dhe nuk ua ka prishur aspak karierën e shkëlqyer  si zyrtarë publikë as bijve të ish- nomenklaturës, pa kurrëfarë merite,  as ish Sigurimsave apo personave që me firmën e tyre direkt apo indirekt jane pushkatuar njerëz të pafajshëm.

Mjafton të shohësh karrierën e shkëlqyer politike të Ilir Xhelil Gjonit pas 1992, për të parë se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.

Prej 1992, Ilir Xhelil Gjoni ka qenë deputet i PS, Ministër i Brendshëm dhe Ambasador, ndërkohë që ka bërë specializime në vendet e BE dhe SHBA, ndërsa viktimat e regjimit diktatorial janë endur nëpër botë për të gjetur një strehë. A ka cinizëm më të madh!

Kur iu drejtova Presidentit të Republikës me Letër të Hapur, nuk e paragjykova Ilir Xhelil Gjonin, por kisha parasysh standartet etike të një shteti demokratik. Ilir Xhelil Gjoni nuk kishte merita personale, ai ishte i zgjedhur politik, por që nuk i kishte denoncuar kurrë krimet e diktaturës dhe nuk ka treguar kurrë me veprime se është konvertuar, pra ka mbetur në shekullin e shkuar.

Kjo është situata dramatike që mbretëron në shtetin shqiptar dhe ambasadat e këtij shteti!

Dekomunistizim do të thotë të prishet kjo “status quo”. Agron Tufa u përpoq që, duke respektuar standardet Perëndimore, t’i aplikonte ato standarte edhe në Shqipëri, çka ishte mision i pamundur.

Dekomunistizim nuk do të thotë t’i shpallësh armiq luftëtarët e luftës Antifashiste sikur spekulojnë kërcënuesit e Agron Tufës, por të pastrosh sistemin nga figura të përlyera sikur veproi Gjermania menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kur bëri denazistizimin.

Një vend anëtar i NATO-s nuk duhet që të ketë në pikat kyçe të institucioneve të shtetit njerëz me lidhje eksplicite me të shkuarën dhe të pa distancuar nga krimet kundër njerëzimit që ka kryer regjimi totalitar.

Lind pyetja e përse nuk vijnë në krye të shtetit shqiptar, përfshi edhe në krye të Ambasadave njerëz me bindje politike qofshin të majta apo të qendrës, por që janë figura të pastra dhe të respektuara ?

Lind pyetja e përse në historinë kontemporane, ku jemi të gjithë dëshmitarë, të pas rrëzimit fake të diktaturës, shtetin e kanë në dorë të njējtët njerëz ose me lidhje me regjimin totalitar ose me skeletë në dollapë ose të lidhur me mafien?

Kjo është situata dramatike në Shqipëri dhe ngjan e pashpresë!

Këtë e tregon edhe akti i dorëheqjes i Agron Tufës, i cili deri në minutën e fundit si Drejtor i ISKPK, shërbeu me dinjitet, duke patur si kauzë standartet Perëndimore të sistemit, ku dekomunistizim do të thotë themele të shëndosha të shtetit të së drejtës, që të garantojë jetë të denjë për qytetarët, pa marrë parasysh preferencat politike.

Por lufta e shtetit, (se Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë identifikohen me vetë shtetin shqiptar) ndaj një personi të vetëm, që është Agron Tufa tregon se në çfarë degrade ndodhet sot Shqipëria! Është e patolerueshme që Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë të jenë shtetarë të një vendi anëtar i Aleancës Veri-Atlantike.

Degrada bëhet edhe më kritike kur shtypi i lirë në Shqipëri është nën pranga. Dhe pa shtyp të lirë e të pavarur nuk mund të pretendohet për ndryshime.

A do të ketë drejtësi për Haxhi Baçinozin që në diktaturë e mbajtën të burgosur nën tortura ndërsa në vitin 2019 e njëjta diktaturë e vrau në sy të të birit!

Kujtoj Zërin e Amerikës më 1990-1992 se si i trimëroi Shqiptarët.

Shqiptarët sot janë të varfër, të mjeruar, pa shtet të së drejtës dhe të frikësuar.

I gjithë populli është vulnerabël, elitat janë vulnerabël. Agron Tufa i trimëronte shqiptarët! Kriminelët me pushtet, (ish segmente të diktaturës), në një shtet anëtar të NATO-s e detyruan Agron Tufën që të largohet dhe tani e kërcënojnë se do ta ndjekin këmba këmbës deri në Zvicër apo kudo që të kërkojë strehë !

Le të mendojë secili si për veten e tij, nëse nuk ka një vend pune, nëse nuk e ka strehën e sigurt, nëse nuk ka drejtësi, a mund të jetojë në atë vend?

E vërteta është se Agron Tufa, qoftë edhe një njeri i vetëm i tronditi dhe ua luajti themelet kriminelëve me pushtet. Agron Tufa u përpoq e bëri gjithçka që të ndryshonte diçka dhe si përgjigje mori linçimin nga falangat me ndërgjegje të pistë, të ndyrë gjatë diktaturës që sot vijojnë të kenë pushtetin dhe synojnë ta mbajnë me çdo kusht duke i fshehur krimet e diktaturës dhe duke kryer krime të tjera.

Një popull vulnerabël kërkon energji pozitive, kërkon që të ketë mijra si Agron Tufa; por kur vendit i ikën edhe një i vetëm, atëherë çfarë do të bëhet me këtë vend?

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj-Ne mbrojtje- Agron Tufa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT