Nga Sokol PAJA/ New York/
Në të gjitha regjimet autoritare, lufta ndaj medias është pjesë e pandashme e propagandës shtetërore me qëllim fshehjen e dështimeve e skandaleve të qeverisë, ç’qëndërzimin e vëmëndjes së opinionit publik, shmangien nga përgjegjësia dhe krijimi i një realiteti imagjinar krahas problemeve reale që kalon vëndi. Etja e kryeministrit Rama për të kontrolluar me ligj dhe dënuar institucionalisht çdo media që guxon të kritikojë regjimin është një qasje e pastër totalitare. Lufta e Ramës ndaj mediave të kujton leksionet mbi gazetarinë që mbante Enver Hoxha nëpër koperativat bujqësore në fshatrat e myzeqesë në vitet 60′. Regjimi autoritar i Edi Ramës ka hapur një spirale të shëmtuar lufte ndaj fjalës së lirë. Që pas ardhjes në pushtet, Rama u tregua shumë dinak në marrëdhënie me mediat. Pasi i zotëroi deri në skllavërim 90 të mediave audiovizive, online dhe print pasi i poshtëroi publikisht duke i quajtur kazan, fundrrina e së fundmi edhe kriminelë, me paketën e re ligjore anti-shpifje ai po zyrtarizon funeralin e medias dhe të fjalës së lirë në Shqipëri. Rama në administrimin e pushtetit dhe marrëdhënien e tij me median dhe aktorë të tjerë, reflekton qartazi një qasje enveriste. Që propaganda shtetërore komuniste të ketë sukses, duhet shpikur një armik i cili trumbetohet nga agjit-propi shtetëror si rrezik, kërcënim, shkatërrim i unitetit parti-popull. Enveristi Rama e gjeti armikun fajtor median. Arroganca shtetërore, ndërsimi i orkestruar, egoizmi dhe nervozizmi i funksionarëve publikë, paaftësia në menaxhimin e katastrofës pas termetit, keqqeverisja 6 vjeçare, dështimi fatal i politikave publike, korrupsioni galopant, rënia ekonomike, oligarkia, shpopullimi i vëndit, varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve, kontrolli mbi të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura, asgjësimi i opozitës, zgjedhjet moniste, dështimet e njëpasnjëshme, sipas Ramës janë për fajin e medias. Kjo një gjetje aspak inteligjente e pushtetit autoritar të Ramës në një kohë kur nevoja për qeverisje të mirë dhe rindërtim është më e madhe se kurrë. Rama në luftën ndaj medias ka ngjallur modelin totalitar të Enver Hoxhës. Në Shqipërinë komuniste në vitet 60, diktatori Hoxha në një bashkëbisedim me koperativistët e fshatit Krutje, u mban atyre leksione gazetarie, më gjasmë duke sulmuar gazetarët e kohës që nuk pasqyronin si duhet lumturinë e masave në komunizëm dhe fitoret e revolucionit proletar. Hoxha i fton koperativistët dhe i mëson sesi të shkruajnë e raportojnë dhe madje i nxit që më çdo kusht të pasqyrojnë parajsën komuniste. Të njëjtën gjë po bën dhe Rama e instrumentat e tij politik e propagandistik ku fajësojnë median për qeverisjen e keqe dhe paaftësinë në përmbushjen e detyrave publike. Lufta ndaj medias, shtypit, botimeve, është kthim në diktaturë. Çdo akt që prek lirinë e medias është atentat ndaj demokracisë. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që i marrin shpirtin fjalës, por për fjalë e vepra të mira që të ndërtojmë një shtet institucionalisht dhe shpirtërisht të shëndoshë përballë sfidës së ringritjes, rindërtimit, zhvillimit dhe integrimit kombëtar.