• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EUTHANASIA E 25 QERSHORIT-as zgjedhja e as zgjidhje

August 24, 2017 by dgreca

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/Shumëkush po thotë se e ka fajin populli që nuk punon ndaj jemi në këtë ngecje. Thonë kemi popull dembel që nuk i kthehet punës. Po mirë, shkuar pas kësaj trage po thërrasim në ndihmë të madhin Naim Frashëri me vjershën “Punë, punë natë e ditë”. Vëmë popullin ta këndojë si në kohën e Revolucionit Kulturor e jemi OK! Po pse more kështu zgjidhen punët e shtetit e problemet e popullit. Po në cilin shekull jetojmë. Çfarë psikologji kemi? Po shqiptarët shkojnë në zgjedhje e vrasin mendjen të zgjedhin cili është hajduti më i mirë e meriton të jetë në krye. Se nuk ka asnjë alternative tjetër. Këtej Rama, konfuz e i papërgjegjshëm, që në zyrë merret me zhargavina që i vë nëpër ekspozita banale me ministrin e brendshëm të diktaturës në shpatull, andej Luli pas të cilit hijerëndë rri Saliu me 700 katastrofa si karvan, për më andej si Jago rri Mediu në sfond të Gërdecit me 26 kufoma. Pas tyre një tufë demagogësh që politikën e kanë si kafe.

Cilin të zgjedh populli. I kanë mbyllur të gjitha shtigjet e lirisë për të zgjedhur. As kaq nuk kuptoni o njerëz? Kë zgjodhët kësaj herë? Ekipin me idiot që mund të ekzistojë në qeverisje. Po me Xhackat e maçkat do bëjë prokopi ky vend. Po a bëhen harabelat ministra. Hë më ju lumtë. Mënyra më e mirë për ta shkatërruar një vend është vënia e kokëboshëve sharlatanëve në qeverisje. Dhe mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin.

Tani me këtë zgjedhje çmendurake që keni bërë, o shqipot e mi, do të keni ish Ministrin e Brendshëm të Diktaturës kryetar Parlamenti. Kjo është katastrofë e ju më thoni se nuk ka faj despoti që jep urdhër, as xhelati që pret koka, por i mjeri njeri i varfër që vodhi një çap bukë për të mbajtur frymën. Njerëzit vjedhin atëherë kur nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Ju i shkarkoni fajet e krimineleve në pushtet e qeverisje a në politikë tek njeriu i varfër. Ky është antihumanizëm. Kjo është barbari. Kjo është të jetosh me psikologjinë e xhunglës. Por unë kam një mendje tjetër. Atje ku shteti sillet si bandë hajdutesh, populli ka të drejtë të revoltohet dhe të ngrihet e ta përmbysë keqqeverisjen me të gjitha mundësitë që ekzistojnë për të shpëtuar nga tirania e pamundësisë për të jetuar. Sepse për lirinë ja vlen çdo sakrificë.

Për lirinë ja vlen të rrezikosh. Dhe një gjë për të mos u harruar është edhe se, pamundësia ekonomike është ekzaktësisht mungesë e plotë lirie. Është skllavëri ekonomike. Është mungesa e lirisë për të jetuar. Liria nuk është një koncept i ngushtë dhe nuk mund assesi të kuptohet vetëm si mundësi për të vrarë veten si e vetmja zgjidhje e shpëtim nga prangat ekonomike. Për të shpëtuar prej të tillave ekseseve, prej kësaj gjendje kritike ku mund të vihet njeriu, qytetarët zgjedhin qeverinë e cila detyrë të parë ka rregullimin e jetës në një shtet dhe përkushtimin si nëpunës kokulur të popullit. E jo të këndojnë për fitoren e vet si gjeli maj mullarit të plehut pasi ka shkelur pulat e oborrit. Jo nuk e ka fajin populli. Për gjendjen katastrofike ku jemi e kanë fajin banda e horrave që mashtron popullin e vinë në pushtet të vjedhin e të grabisin pasuritë kombëtare e popullin kësisoj e kanë varfëruar deri ne atë skaj sa tragjikisht të ndërtojë psikozën “Shqipëria nuk bëhet”.

Fati i Atdheut nuk është fati i njeriut të vetëm. Edhe pse jeta e çdo njeriu ka rëndësi potenciale në një shtet. Kjo është e ditur. Peshon shumë e më shumë fati i Atdheut. Prandaj nuk mund të gjykojmë si provincialë të vetmuar që e kanë mendjen veç tek parcela e vet e vogël e bota le të bëjë si të dojë, le të digjet e përvëlohet. Jo! Nuk na lejohet një luks i tillë banal. Kam pas e kam tjetër vizion. Se Shqipëria mund e duhet të bëhet. Pengesë janë pushtetarët që më shumë se sa si drejtues të mençur veprojnë si pushta para pasqyrës me psikologjinë e dëlirin për vetveten. E kam këtë bindje se e di mirëfilli se Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore që shkojnë në xhepat e bandave politike dhe banditëve në pushtet. Qytetarët shqiptarë janë viktima të represionit ekonomik, ku një kryeministër më shumë i kushton përkushtim atleteve të veta Adidas me vijë të kuqe, se sa probleme ekonomike që po e zhbëjnë ketë vend. Ky është vizioni im për problemet social ekonomike dhe despotizmin e oligarkisë që e kanë pllakosur e duan ta shkatërrojnë këtë vend e ta shpërbëjnë këtë popull

Cila është zgjidhja? Zgjidhja është dëbimi. Më mirë të ikin pushtetarët se sa populli. 400 mijë shqiptarë kanë ikur jashtë përgjithmonë në katër vjet të kësaj qeverisje të papërgjegjshme e të korruptuar deri në palcë. Shqipëria pakësohet me 100 mijë shqiptarë në vit. Një ministre jep koncesion pa përfitim nga shteti 1 milion metër katror për 100 vjet. Pyetja me e thjeshte dhe e drejtpërdrejtë është, sa para morën ndërmjetësit e këtij skandali pa precedent në Evropë por rëndomë në Shqipëri. A ka kontroll shteti. A ka prokurori në këtë vend?! Një gjë është më se e sigurt: me këto ritme shpopullimi dhe afera në dy dekada në vazhdim nuk do të ketë më Shqipëri e shqiptarë. Harrojeni.

Në agjendat sekrete pan-ballkanike shuarja e shtetit shqiptar është në veprim e sipër. Antagonistët e kësaj prirje kanë një agjendë tjetër po aq të rafinuar, kthimin e Shqipërisë në një Kalifat në suazën e perandorisë së re osmane të udhëhequr nga erdoganizmi. Këto janë dy forcat kryesore ogurzeza që veprojnë në konspiracion të plotë e me buxhet mbështetje miliona dollarë. Po ku janë atdhetarët? Ku janë intelektualët e idealistët kombëtar të paktë që i kanë mbetur këtij vendi? Pse nuk flasin e shkruajnë. Pse nuk mblidhen të kundërshtojnë. Ti japin përgjigje pyetjes: Çfarë duhet bërë përpara këtyre alternativat kobzeza e komb vrasëse? Pa dashur të bëj të diturin shpreh bindjet e mia me shprese se jam në udhëz të drejtë.

Zgjidhje mendoj se është zgjimi nga letargjia dhe shpërthimi në kundërshti e revolta popullore. Asnjë rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet si ato te 25 qershorit janë në mënyrë te përsëritur në 27 vjet, një fasadë, një hipokrizi, një mashtrim, legjitimim i banditizmit, dhe një mënyrë që në emër gjoja të sovranit të sjellin e risjellin në pushtet bandat që e kanë kapluar politikën. Cila është zgjidhja? Dalja në rrugë, të bëhemi bashkë dhe imponojmë vullnetin tonë në të drejtën për punë, për liri, për mirëqeverisje nga të cilat buron mirëqenia e popullit. Jemi një vend i pasur nuk ka asnjë shkak të jemi një popull i varfër. Çdo qeveritar që nuk ka frikë nga populli është despot. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet harruar.

E para dhe e fundit fjalë gjejnë njëra-tjetrën nëse duam të jetojmë si njerëz: Trimërohuni që t’ju kenë frikë. Kjo është e vetmja zgjidhje.

gusht 2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: as zgjedhja e as zgjidhje, Kolec Traboini

Gjithkush ka faj

August 24, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/

Në javën e fundit të gushtit në shumë vende të botës, datat 23, 24, 30, kujtohen si ditët e viktimave, nga sistemet, bindjet etj. Por edhe si ditë’datat e të të zhdukurve, (raste që kryesisht i përkasin burgosjeve sekrete), të të humburve, apo viktimave nga spastrimet etnike dhe lufta e klasave.

Tek ne përshembull, gjoja u përkujtua dje sipas një vendimi të parlamentit europian. Pamjet ishin fytyra të bukura në koktjele. Ca simpoziume me kumtesa arshive për pak honorare etj. Si zakonisht, gjëra që ta shpifin.Ne, vendi që aspirojmë të bëhemi pjesë e makinerisë bashkëkohore europiane. Me të dhëna statistikore brilante…, rreth 50 mijë njerëz të internuar, 7 mijë të humbur dhe rreth 6 mijë të vrarë vetëm për bindje dhe tentim arratisje nga vendi. Thjesht se, nuk u pëlqente jeta që bënin, a regjimi … njëfarësoj race njerëzish që duan të jetojnë më mire dhe me plot liri mendimi e veprimi. Në krahasim me numrin e popullates, për vitet 1945 deri më 1990, kur ne pretendojmë se kemi rrëzuar komunizmin, është një shifër alarmante. Aq sa të bën të turpërohesh. Sidomos kur i afrohesh mentalitetit të europës mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut. Për më tepër që sot pas kaq e aq vitesh, ne shqiptarët jemi pjesë organike tashmë e perëndimit. Kjo për faktin që 40% e gjeneratës së lindur në komunizëm jetojnë e punojnë aty, në europë e gjetkë. Duhet të na vijë turp e si popull duhet të uleshim në sheshe në një radhë kortezhi qirinjsh. Dhe një ndjese publike karshi mënxyrave që i kemi bërë njëri-tjetrit. Mirëpo ne ulemi aty për syfyre, bojkote, çadra etj. Jo për ndjesë.

Pse e kemi kaq të vështirë ndjesën, ne shqiptarët?

Çfarë është ajo që na bën të jemi fallco? Të jemi të dukshëm, jo të ndjeshëm?

Përgjegjësia civile? Edhe mundet!

Përgjëgjesësia intelektuale? As që diskutohet që po!

Një lloj përzierje që ndodh vetëm tek ne, aq sa intervistave të fytyrave të bukura. Të vjen t’u vjellësh në fytyrë kufomat e njerëzve në kufi. Dhe me që jemi tek këto, kufomat, që mbushën internetin dje, me foto. Horia civile i përplaste një sy njëri-tjetrit të drejtën, ligjin, shtetin, atdheun, mbrojtjen, vigjilencën. Viktimat e demokracisë të shkaktuara nga këta që qeverisin akoma. Madje ky dialog i ashpër civil të bind plotësisht pse ne nuk e njohim ndjesën. Ne jemi të sëmurë tmerrësisht, aq sa nuk e dime se çfarë është shpirti.

Një pjesë e jona janë të lumtur që vranë.

Madje mburren. I kanë shërbyer ligjit.

Një pjesë e jona i shpik së tashmes egon e individit karshi individit. Shkurt tema, debate, zhurmë. Aq sa kufomat e vitit 1990 të duken si kufoma antikiteti.

Një pjesë që përfaqësojnë viktimat, vëndosin nga një kollare. Dhe bëjnë marrëveshje me xheletatët për ndonjë post a vend pune. Pa harraruar ndonjë statut fejsbuku si antikomuinstë të mëdhenj. Si njerëz që po venë në vend dinjitetin e viktimave etj.

Këto ditë pritet të formohet qeveria e re. Duke filluar që nga kryeministri, kryekuvendari, kuvendarë, bijë e etër. Vetëm tek ne ndodh, ne dëmdemokracinë shqiptare, të kesh akoma në pushtet njerëz nga koha e xhelatëve.

Akoma në pushtet nga koha e viktimave.

Gjithçka ka në Shqipëri. Gjithçka është me faj në Shqipëri. Gjithkush ka faj e bën faj. E askush nuk i del Zot. Ndaj as ndjesa, as falja, koha e re kurrë nuk ka për të filluar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjithkush ka faj, Ilir Levonja

KUJTESE PER KRIMET E KOMUNIZMIT

August 23, 2017 by dgreca

NE DITEN E KUJTESES EUROPIANE TE KRIMEVE TE KOMUNIZMIT/

29 Gjon kacaj

NGA  GJON  KAÇAJ*/

29 Fam miraka2

Ne Foto:- Familja Mirakaj kaloi 45 vjet në kampet e internimit/

Të përndjekurit politik të Shqipërisë, kanë një etalon përfaqësimi, Simon Mirakën. Shëndetpakët energjik, i vuajtur, tolerant, por gjithmonë i vendosur dhe plot besim se do ta fitojë betejën me kuçedrën e kuqe, falë guximit, ndershmërisë, intelektit e traditës familjare të një breznie e një geni të pastër me moralin e fisnikrisë, që s’arritën ta manipulojnë kurrë zullumqarët partiakë. Djaloshi 15 vjeçar, më i vogli i familjes Mirakaj, në internim  i përgjigjej çdo 12 orë gardianit në apel: Këtu jam!Dhe kjo u përsërit për 45 vjet. Madje edhe në qershor të vitit 1989 atij ia përsëritën denimin edhe 5 vjecarin pasardhes-5 vite të tjera internim, packa se u mbeti vendimi në letër Komisionit të dëbim internimeve sepse u përmbys e theu qafën diktatura komuniste.

Po përse u dënua ky fëmijë, që u burrërua kampeve të internimit? Sepse dyshohej se 10 vite të shkuara, pra kur ishte  vetëm 5 vjeç, kishte propoganduar për prishjen e marrdhënieve Sovjeto -Shqiptare, ndërkohë, që ato marrdhënie kishte kohë që ishin çare dhe propaganda e kuqe, dhe vetë antarët e komitetit Qendror dhe të byrosë politike  i shanin botërisht.

Eh ! Ata “burrat” me pantallona të shkurtëra vuanin në kampet e internimeve në Gjazë, Plug, Çermë, Grabian, Savër, e Gradishtë të Lushnjes, dhe në mesin e tyre zgjidheshin e arrestoheshin, si të rrezikshëm, djemtë e nacionalizmit shqiptar.

Kur mendoj për ish të përndjekurit, ndalem dhe veçoj bashkvuejtsin Simon Mirakaj, gjithëmonë stabil e i pa manipulueshëm nga intrigantët politik që  s’arriten ta triblojnë  politikisht, mbase mund të shprehem lirshëm si ish koleg pune mbas viteve 1990 edhe si të vetem të pa infiltruar në drejtimin e institucioneve të përndjekurëve politik. Figura e tij më shëmbëllen si drangue në përballje me kulçedrën ashtu si e përshkruen Fishta në kangën e 16-të,Kulçedra.

Populli shqiptar duhet të mos harrojë, por të kujtojë krimet e komunizmit. Sa shqiptarë u vranë në kufi në kërkim të lirisë? Qeveria komuniste ngrinte edhe kurthe e mashtronte si Amnistia e vitit 1987, që gjoja u riktheu lirinë, por kjo ishte tjetër gënjeshtër mashtruse- kishin ngritë një kurth tjetër,-kishin prodhuar ne makinën e tyre të propogandës mashtruse një dekret special për ndalimin e vrasjeve në kufi duke e etikitue ikjen si kalim të paligjshëm të kufinit e jo tradhti Kombtare, duke parashikuar një dënim  deri me  5000 lekë! Sa u mashtruan nga ky dekret?!

Té shumté ishin  ata qé u besuan edhe… e pësuen. Kush ka pasë fatin të lexoi librin: “Unë vi nga Shkodra” shkruar nga shkodrani Luigj Çekaj me banim në Nju-Jork do t’më kuptojë lehtësisht përse shkrova diçka për nënat shami zeza.Ne ate liber gjene shume tragjedi qe u ndodhen nga kalimet ne kufi. Ngushllime të gjithë nënave  që humbën djemët në kufi të tradhtuem  nga dekreti për ndalimin e vrasjeve në kufi të firmosur nga d.v. Ramiz Alia.

Mbas amnistisë  në vitin 1987,shtatë tiranës të liruem nga Spaçi e Qafë Bari udhtuen me tren nga Tirana në Elbasan dhe pastaj me autobusë në Prrenjas drejt kufinit në Rrajcë-Skenderbe me qëllim të kalonin kufirin nga piramida nr.40, të ndarë në dy grupe.

Kujtim Xhaja dhe Ilir Serjani të parët dhe pesë të tjerët mbasi do kalonin të parët,të cilin mbasi thyen klonin mbas mesnate duke u zvarris barkas e kame-dorë takuen pa dije telin ngjyrë bari të alarmit  që sinjalizonte grupet e gatshme kufitare.

Njësiti i parë me qenin e kufinit ndaluen në errsirë Ilir Serianin .

Sapo i vunë tyten e automatikut të skuqun nga të shtënat në ajër i dhanë dy mundësi.

Do vdiste nga plumbat apo donte të vdiste nga qeni.

-E due vdekjen nga qeni,- thirri Iliri,me qellim që shokët të fitonin kohë për të shpëtue.

Përzieria e copave të mishit me zhelet e shkyeme të njoma me gjak shtonin ulurima me nji tërbim të paimagjinuar arrinin deri në qiell.

Kujtim Xhaja, i strukun në errësirë, me nji thikë të vogël lëshohet me dhimbje në shpirt mbi qenin, që hakrrohej mbi shokune tij të shtrirë për vdekje.Edhe atë e coptuen breshëritë  pa i kursye plumbat.

Zëri i nënave ka mbetë i murosun në gjokset  e sejcilës.Ato kanë përjetuar tek shuhej për jetë shpresa, se nji ditë do të baheshin fatlume.

Nga 15 Gushti 1989 deri me 16 Shtator 1990  në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe po luhej tragjedia makabre e instaluar nga profesionistë me përvojë 45 vjeçare të sigurimsave të diktatorit të maskuar Ramiz Alia.

Si në të gjitha zonat kufitare të Shqiperisë, në bregun e Bunës  ekzekutuen Dodë Franin 24 vjeç e Gjon Kumbullakun 26 Vjeç!

Kryefjala ishte çasti kur dy kufomat e coptuara u ekspozuen para materrnitetit në Shkodër sikur paralajmronin nënat se fëmijët që do lindni do të kenë këtë fat.

Tregojne se nga tmerri që u panë sytë, njëra nga nënat e humbi fëminë!

Ndue Narkaj 23 vjeç, mbasi kalon kufirin në Stare e qëllojnë me breshëri kufitarët,dhe mbasi e tërheqin kufomën nga andej kufinit e zhveshin dhe i heqin orën e dorës pastaj i vënë zjarrin pyllit duke djegë nje hektar dhe si humanistë, familjes i dorzojnë orën e dorës dhe xhaketë.

Mas dy vitesh nji km larg pyllit të djegur në mes dy shkëmbenjësh gjejnë të mbështjellë me plastikë gjysmën e kufomës së djegur, mbasi familjarët i kishin informue se djali i tyre jetonte në diasporë.

Po Pllumb Pllumbaj 19 vjeç i larguar nga internimi vritet në mes klonit dhe brezit të butë afër postës kufitare në Hot dhe mbahet tre ditë i lidhur me tela gjëmbash në nji pusete të hidrovori në ujë me urdhër të komandantit të postës kufitare,sot aktualisht shefi i emergjencave të Shqipërisë, ashtu si arriti në qeverisjen tjetër shefi i sigurisë në presidencë.

Sokol Veshti 21 vjeç mbasi e plagosin në tentativë për të kalu kufirin dorzohet, por e ekzekutojnë. Autori emërohet kryetar dege në vitin 2014! Sa pa Kujtesë jemi ne shqiptarët?!

Cili shtet i botës apo gjykatë mundë të barazojë viktimen me kriminelin.

Po në cilin shtet të botës krimineli lartësohet dhe viktima përçmohet?

Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipërin demokratike si aleate e Sh.B.A.-së,e inkuadruar në NATO,e me ngut për tu anëtarësue në Bashkimin Europian.

Jo, të paktën ndëgjoni zërin e poetit Havzi Nela. Nuke ndjeni rënkimin?:

Kur të mësoni se kam vdekë

Kurë të thoni”Ndjesë pasë,

A e dini se çfarë kam hjekë”

Unë poeti zemerzjarrtë…

 

…..Thoni, dritë ai kerkoi

E vetë dritë nuk pa me sy….

 

Ja çfarë përjetonte  zëvends prokurori F.D malësori trim kur i uruem emërimin z.v. Prokuror i pergjithshëm:-E pranova emërimin me dhimbje ashtu si përjetova degradimin si  k/ prokuror në Kukës,mbasi gjykuam dhe denuam me tetë vite heqje lirie poetin Havzi Nela.

Jam ndier i fyer kur i dhamë një denim të pa merituar, pa mbështetje ligjore.

Mbas analizës mujore më dhanë largimin dhe fletë emërimin zv/ komandant toge në postën kufitare në  Pulaj të  Velipojës.

S’më erdhi keq për zbritjen nga detyra, sa u indinjova  mbasi u rigjykua poeti.

Denimi vdekje me litarë i nxituar……..

A thue prokurori në fjalë mbasi varja në litarë ishte publike dhe varrosja në nji shpatë mali i dhuroi kënaqsinë krytarit të gjykatës kushtetuese zotit Avdiu të firmosë çfuqizimin e ligjit për denime me vdekje ndonëse të detyruem nga nderkombtarët, a thue do tu rrëfen ndërkombtarëve gazetarët e gazetës “Koha Jonë” me të gjithë opozitarët që u bën thirrje të varfërve të djegin Shqiperinë për fajdet mbasi ata personalisht financuen të parët, duke tërheq mbas një muaj trefishi e shumës që kishin dorzu tek fajdet.

Ata sot janë të gjithë të pushtetshëm, kanë prona,gazeta, kanale televizivë etj….

Sot flitet për hapjen e dosjeve, të cilat dihet se janë manipuluar. Përse të hapen dosje të montueme fakirësh kur dosierët janë të montuar në pushtet.

*Autori është ish i bugosur politik, Ish Nënkryetar i të Burgosurve Politik të Shqipërisë,sot anëtar i degës së Vatrës në Detroit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon Kacaj, krimet e komunizmit, Kujtese, Simon Mirakaj

STRATEGJIA E RE SHBA NE AFGANISTAN DHE AZINE E JUGUT

August 22, 2017 by dgreca

Fjala e plotë e Presidentit Trump mbi Strategjinë e SHBA në Afganistan dhe Azinë Jugore/
Presidenti trump gjate fjalimitFort Myer-Arlington, Virginia-21 gusht 2017,  9:02 P.M. EDT/

strategjia

Përktheu Shefqet&Herion Kërcelli/

1-3Faleminderit shumë. Faleminderit!

Zëvendëspresidenti Pence,Sekretari i Shtetit Tillerson, anëtarët e Kabinetit, Gjeneral Dunford, Zëvendës Sekretari Shanahan dhe Kolonel Duggan. Një falenderim të veçantë burrave dhe grave të Fort Myer dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara brenda dhe jashtë vendit.

Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet e marinarëve tanë të guximshëm, të cilët u plagosën dhe humbën jetën pas një përplasje tragjike në det, si dhe atyre që kryen operacionin e kërkimit dhe shpëtimit.

Jam sonte këtu për të parashtruar rrugën tonë në Afganistan dhe Azinë Jugore. Por, para se të jap detajet e strategjisë sonë të re, unë dua të them disa fjalë për shërbëtorët e kombit tonë, që janë këtu sonte me ne, për ata që shikojnë nga vendbazimet e tyre dhe për të gjithë amerikanët që na dëgjojnë në shtëpi.

Që nga themelimi i Republikës sonë, vendi ynë ka krijuar një shtresë të vecantë të heronjve e dëshmorëve; guximi, vetëmohimi dhe sakrifica e të cilëve është e pakrahasueshme në historinë njerëzore.Patriotët amerikanë të çdo gjenerate, kanë dhënë frymën e fundit në fushën e betejës për kombin dhe lirinë tonë. Përmes jetës së tyre, edhe pse tëshkurtër, me veprat e tyre ata arritën pavdekësinë e plotë.Duke ndjekur shembullin heroik të atyre që luftuan për të ruajtur republikën tonë, ne sot gjejmë frymëzimin e duhur që vendi ynë të qëndrojë i bashkuar, i shëndetshëm dhe të mbetet një komb nën Perëndinë. Burrat dhe gratë e ushtrisë sonë veprojnë si një ekip, me një mision dhe ndjenjë të përbashkët për arritjen e qëllimit të tyre.Ata kalojnë çdo pengesë të racës, etnisë, besimit dhe ngjyrës, për të shërbyer së bashku dhe sakrifikojnë së bashku me një kohezion absolutisht të përsosur. Kjo për shkak se, të gjithë këta shërbëtorë të atdheut, janë vëllezër dhe motra. Të gjithë janë pjesë e së njëjtës familje që quhet familja amerikane. Ata marrin të njëjtin betim, luftojnë për të njëjtin flamur dhe jetojnë sipas të njëjtit ligj. Ata janë të lidhur së bashku me qëllimin e përbashkët, besimin e ndërsjelltë dhe përkushtimin vetëmohues ndaj kombit dhe njëri-tjetrit.Ushtarët e kuptojnë atë që ne, si komb shpesh e harrojmë se, një plagë e shkaktuar ndaj një anëtari të vetëm të komunitetit tonë, është një plagë që na është shkaktuar të gjithëve. Kur lëndohet një pjesë e Amerikës, lëndohemi të gjithë ne. Dhe kur një qytetar vuan një padrejtësi, e vuajmë të gjithë së bashku.Besnikëria ndaj kombit tonë kërkon besnikëri ndaj njëri-tjetrit. Dashuria për Amerikën kërkon dashuri për të gjithë njerëzit e saj. Kur i hapim zemrat tona për patriotizëm, nuk ka vend për paragjykime, nuk ka vend për fanatizëm dhe nuk ka tolerancë për urrejtje.Të rinjtë dhe gratë që dërgojmë për të luftuar jashtë vendit, meritojnë të kthehen në një vend që nuk është në luftë me njëri-tjetrin. Ne nuk mund të mbetemi një forcë për paqen në botë, nëse nuk jemi në paqe me njëri-tjetrin.Ndërsa mendojmë se si të mposhtim  armiqtë tanë jashtë shtetit, – dhe ne gjithmonë do të fitojmë, – le të gjejmë kurajën për të shëruar ndarjet brenda nesh. Le të bëjmë një premtim të thjeshtë për burrat dhe gratë që kërkojmë për të luftuar në emrin tonë, që kur të kthehen në shtëpi nga beteja, atado të gjejnë një vend që ka ripërtërirë lidhjet e shenjta të dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë në një.Falë vigjilencës dhe aftësisë së ushtrisë amerikane dhe aleatëve tanë të shumtë në mbarë botën, tmerret e përmasave të11 shtatorit, nuk janë përsëritur më  në brigjet tona. Askush nuk mund ta harrojë kurrë këtë ngjarje.  Por, gjithashtu duhet të pranojmë realitetin e ri, për të cilin do flas sonte këtu. Gati 16 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, pas sakrificës së jashtëzakonshme të gjakut dhe thesarit, populli amerikan është i lodhur nga lufta pa fitore. Askund nuk është më evidente se sa me luftën në Afganistan, lufta më e gjatë në historinë amerikane, plot 17 vjet.Unë ndaj frustrimin me popullit amerikan.  Gjithashtu ndaj zhgënjimin e tyre ndaj një politike të jashtme që ka shpenzuar shumë kohë, energji, para dhe më së shumti,- jetë, duke u përpjekur për ti rindërtuar këto vende me imazhin tonë, në vend që të ndjekim interesat tona të sigurisë mbi të gjitha konsideratat e tjera.Kjo është arsyeja pse, menjëherë pas inaugurimit tim, unë ju drejtova Sekretarit të Mbrojtjes Mattis dhe ekipin tim të Sigurisë Kombëtare, për të ndërmarrë një rishikim gjithëpërfshirës të të gjitha opsioneve strategjike në Afganistan dhe Azinë Jugore.Instinkti im i parë ishte të tërhiqesha – dhe, historikisht, më pëlqen ndjekja e instinkteve të mia. Por gjatë gjithë jetës time, kam dëgjuar se, vendimet janë shumë të ndryshme kur ulesh prapa tavolinës në Zyrën Ovale. Me fjalë të tjera, kur je President i Shteteve të Bashkuara dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Kështu që unë studjova me hollësi e nga cdo këndvështrim situatën në Afganistan.  Pas shumë takimesh disa mujore me kabinetin tim dhe gjeneralët, të premten e kaluar mbajtëm në Kampin David mbledhjen tonë përfundimtare, për të përfunduar strategjinë tonë. Kam arritur në tri përfundime themelore, rreth interesave thelbësore të Amerikës në Afganistan.Së pari, kombi ynë duhet të kërkojë një rezultat të ndershëm e të qëndrueshëm, të denjë për sakrificat e mëdha që janë bërë, veçanërisht ato jetësore. Burrat dhe gratë që i shërbejnë kombit tonë në luftë, meritojnë një plan final për fitoren. Ata meritojnë mjetet që u nevojiten, dhe besimin që kanë për të luftuar dhe për të fituar.Së dyti, pasojat e një dalje të shpejtë nga Afganistani janë të parashikueshme dhe të papranueshme. 11 shtatori, sulmi më i keq terrorist në historinë tonë, ishte planifikuar dhe drejtuar nga Afganistani, sepse ai vend qeverisej nga një qeveri që i krijoi kushte dhe strehim terroristëve. Një tërheqje e nxituar do të krijonte një boshllëk të tillë, që terroristët, duke përfshirë ISIS dhe al Qaeda, do ta mbushnin menjëherë, ashtu siç ndodhi para 11 shtatorit.Siç e dimë, në vitin 2011, Amerika me ngut dhe gabim u tërhoq nga Iraku. Si rezultat, zonat e cliruara, të fituara me vështirësi, ranë përsëri në duart e armiqve terroristë. Ushtarët tanë panë se si qytetet për të cilat kishin luftuar u pushtuan nga grupi terrorist i quajtur ISIS , dhe gjaku i derdhur për lirinë e popullit irakien u shpërdorua. Boshllëku që krijuam, duke i lënë shumë shpejt zonat e lira u bë strehë e sigurt për ISIS-in, që ky të përhapet, të rritet, të rekrutojë ekstremistë dhe të nisë sulme. Ne nuk mund të përsërisim në Afganistan, gabimin që liderët tanë bënë në Irak.Së treti dhe më në fund, unë arrita në përfundimin se kërcënimet e sigurisë, me të cilat përballemi në Afganistan dhe në rajonin e gjerë janë të pafundme. Sot, 20 organizata të huaja terroriste të rregjistruar në SHBA janë aktive në Afganistan dhe Pakistan, – përqëndrimi më i lartë se në çdo rajon tjetër të botës.Nga ana e tij, Pakistani shpesh i jep strehë të sigurt agjentëve të kaosit, dhunës dhe terrorit. Kërcënimi është më i rrezikshëm, sepse Pakistani dhe India janë dy shtete të armatosura bërthamore, marrëdhëniet e tensionuara të të cilëve kërcënojnë të spiralizohen në konflikt. Dhe kjo mund të ndodhë.Askush nuk e mohon se ne kemi trashëguar një situatë sfiduese dhe shqetësuese në Afganistan dhe Azinë Jugore, por nuk kemi luksin e kthimit në kohë dhe marrjen e vendimeve të ndryshme më të mira. Kur u bëra President, mu dha në dorë një situatë e keqe dhe shumë komplekse, por e dija plotësisht se çfarë do bëja para këtyre problemeve të mëdha dhe të ndërlikuara. Në një mënyrë ose në tjetrën, këto probleme do të zgjidhen, sepse unë jam një zgjidhës i problemit dhe në fund, ne do të fitojmë.Ne duhet të shohim realitetin e botës, ashtu siç ekziston tani, me kërcënimet me të cilat ndeshemi si dhe përballimin e të gjitha problemeve të sotme, bashkë me pasojat jashtëzakonisht të parashikueshme të një tërheqjeje të nxituar.Ne duhet të shohim përtej sulmit të egër javës së kaluar në Barcelonë, për të kuptuar se grupet terroriste nuk do të ndalen në asgjë për të kryer vrasjen masive të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm. E patë atë si për veten tuaj. E tmerrshme!Siç theksova në fjalimin tim në Arabinë Saudite tre muaj më parë, Amerika dhe partnerët tanë janë të angazhuar për zhdukjen e terroristëve në territorin e tyre, duke shkurtuar financimet dhe duke demaskuar joshjen e rreme të ideologjisë së tyre të keqe.Terroristët që vrasin njerëz të pafajshëm nuk do të gjejnë paqe në këtë jetë apo në tjetrën. Ata nuk janë asgjë, përveç bandave, kriminelëve dhe grabitësve, kjo është e drejtë, ata janë të humbur.  Duke punuar së bashku me aleatët tanë, ne do të thyejmë vullnetin e tyre, do të thyejmë rekrutimin e tyre, do t’i mbajmë ata larg kufijve tanë. Po, do t’i mposhtim ata dhe do t’i kemi në dorë.Në Afganistan dhe Pakistan, interesat e Amerikës janë të qarta: Ne duhet të ndalojmë rilindjen e strehave të sigurta që u mundësojnë terroristëve të kërcënojnë Amerikën. Ne duhet të parandalojmë që armët bërthamore dhe materialet eksplozive të bien në duart e terroristëve dhe të përdoren kundër nesh ose kudo në botë për akte të tilla.Por, për të ndjekur këtë luftë, ne duhet të mësojmë nga historia. Si rezultat i rishikimit tonë gjithëpërfshirës, strategjia amerikane në Afganistan dhe Azinë Jugore do të ndryshojë në mënyrë dramatike në këto mënyra:Një shtyllë kryesore e strategjisë sonë të re është vlerësimi i faktorit kohë dhe kushteve të krijuara aktualisht. E kam thënë shumë herë se, sa joefektive është që Shtetet e Bashkuara, të njoftojnë paraprakisht datat që planëzojnë për të filluar ose përfunduar operacionet ushtarake. Ne nuk do të flasim për numrin e trupave apo planet tona për aktivitetet e mëtejshme ushtarake. Kushtet në terren, jo oraret arbitrare, do të udhëheqin strategjinë tonë nga tani e në vazhdim. Armiqtë e Amerikës, nuk duhet t’i dinë kurrë planet tona që ata të mund të na presin. Unë nuk do të them kur do të sulmojmë, por ne do të sulmojmë. Një shtyllë tjetër themelore e strategjisë sonë të re është integrimi i të gjitha instrumenteve të fuqisë amerikane, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, drejt një rezultati të suksesshëm. Një ditë, pas një përpjekjeje efektive ushtarake, ndoshta do të jetë e mundur që të ketë një zgjidhje politike që përfshin elementë të talebanëve në Afganistan, por askush nuk e di, nëse apo kur do të ndodhë kjo. Amerika do të vazhdojë mbështetjen e saj për qeverinë afgane dhe ushtrinë afgane, teksa përballen me talebanët në këtë fushë. Në fund të fundit, është mirë për banorët e Afganistanit që të marrin në dorë të ardhmen e tyre, për të qeverisur shoqërinë e tyre dhe për të arritur një paqe të përjetshme. Ne jemi një partner dhe një mik, por nuk do t’i diktojmë banorëve afganë se si të jetojnë, ose se si të qeverisin shoqërinë e tyre komplekse. Ne nuk jemi për ndërtimin e kombit të tyre. Ne po vrasim terroristët. Shtylla tjetër e strategjisë sonë të re është të ndryshojmë qasjen dhe mënyrën se si të merremi me Pakistanin. Nuk mund të heshtim më shumë për strehat e sigurta të Pakistanit për organizatat terroriste, talebanët dhe grupet e tjera që paraqesin kërcënim për rajonin dhe më gjerë. Pakistani ka shumë për të fituar nga partneriteti me përpjekjet tona në Afganistan. Por, ai do humbasë shumë duke vazhduar të strehojë kriminelët dhe terroristët.Në të kaluarën, Pakistani ka qenë një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë kanë punuar së bashku kundër armiqve të përbashkët. Populli pakistanez ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe ekstremizmi. Ne i njohim ato kontribute dhe ato sakrifica.Por, Pakistani ka strehuar gjithashtu të njëjtat organizata që përpiqen çdo ditë për të vrarë popullin tonë. Ne kemi paguar miliarda e miliarda dollarë, në të njëjtën kohë ata strehojnë terroristët që po luftojmë ne. Kjo situatë duhet të ndryshojë, dhe kjo do të ndryshojë menjëherë. Asnjë partneritet nuk mund të mbijetojë me një vend që strehon  militantët dhe terroristët që sulmojnë ushtarakët dhe zyrtarët e Uashingtonit. Është koha që Pakistani të demonstrojë përkushtimin e tij ndaj civilizimit, rendit dhe paqes.Një tjetër pjesë kritike e strategjisë së Amerikës për Azinë Jugore është zhvillimi i partneritetit  strategjik me Indinë, një nga  demokracitë më të mëdha në botë, një partner kyç dhe partner ekonomik i Shteteve të Bashkuara. Ne vlerësojmë kontributin e rëndësishëm të Indisë për stabilitetin në Afganistan, por India fiton miliarda dollarë nga tregtia me Shtetet e Bashkuara, dhe ne duam që ata të na ndihmojnë më shumë me Afganistanin, veçanërisht me ndihma ekonomike dhe projekte zhvillimore. Ne jemi të përkushtuar për të ndjekur objektivat tona të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Azinë Jugore dhe rajonin më të gjerë Indo-Paqësor.Së fundmi, administrata ime do të sigurojë që ju, mbrojtësit e guximshëm të popullit amerikan, të keni mjetet dhe rregullat e angazhimit për ta bërë këtë strategji efektive dhe të shpejtë në misionin dhe detyrat tuaja. Unë i kam hequr tashmë kufizimet e administratës së mëparshme, që pengonin Sekretarin e Mbrojtjes, komandantët dhe luftëtarët tanë në terren, që të luftonin me shpejtësi kundër armikut. Menaxhimi i vogël nga Uashingtoni, D.C. nuk i fiton betejat. Betejat fitohen në terren, duke u bazuar në gjykimin dhe ekspertizën e komandantëve të luftës dhe ushtarëve të vijës së parë, që veprojnë në kohë reale, me autoritet të vërtetë dhe me një mision të qartë për të mposhtur armikun.Kjo është arsyeja pse ne po zgjerojmë autoritetin e Forcave të Armatosura Amerikane për të luftuar rrjetet terroriste dhe kriminale që mbjellin dhunën dhe kaosin në të gjithë Afganistanin. Këta vrasës duhet të dinë se nuk kanë ku të fshihen; Se asnjë vend nuk është përtej mundësive të fuqisë dhe armëve amerikane. Ndëshkimi do të jetë i shpejtë dhe i fuqishëm.Ndërsa heqim kufizimet dhe zgjerojmë autoritetet në këtë fushë, tashmë po shohim rezultate dramatike të fushatës për të mposhtur ISIS-in, duke përfshirë çlirimin e Mosulit në Irak.Që nga përurimi im, ne kemi arritur suksese rekord në këtë drejtim. Ne gjithashtu do të maksimizojmë sanksionet, veprimet e tjera financiare dhe ligjzbatuese kundër këtyre rrjeteve për të eliminuar aftësinë e tyre në eksportimin e terrorit. Kur Amerika angazhon luftëtarët e saj për të luftuar, ne duhet të sigurohemi që ata kanë çdo armë për të vepruar me forcë të shpejtë, vendimtare dhe dërrmuese.Trupat tanë do të luftojnë për të fituar. Ne do të luftojmë për të fituar. Nga tani e tutje, fitorja do të ketë një përkufizim të qartë: duke sulmuar armiqtë tanë, duke zhdukur ISIS-in, duke shtypur al Kaedën, duke parandaluar talebanët nga marrja e Afganistanit dhe ndalimi i sulmeve terroriste kundër Amerikës që në fillim.Ne do tu kërkojmë aleatëve tanë të NATO-s dhe partnerëve globalë që të mbështesin strategjinë tonë të re me shtim të trupave dhe financimeve në përputhje me këtë. Ne jemi të sigurt se ata do ta mbështesin. Që nga marrja e detyrës, kam bërë të qartë se, aleatët dhe partnerët tanë duhet të kontribuojnë me më shumë para për mbrojtjen tonë kolektive dhe ata e kanë bërë këtë.Në këtë luftë, barra më e rëndë do të vazhdojë të përballohet nga banorët e mirë të Afganistanit dhe forcat e tyre të guximshme të armatosura. Siç premtoi kryeministri i Afganistanit, ne do të marrim pjesë në zhvillimin ekonomik ,për të ndihmuar në mbulimin e kostos së kësaj lufte për ne.Afganistani po lufton për të mbrojtur dhe siguruar vendin e tij kundër armiqve të njëjtë që na kërcënojnë. Sa më i fortë të bëhet forca afgane e sigurisë, aq më pak do të duhet të bëjmë ne. Afganët do të sigurojnë dhe ndërtojnë kombin e tyre. Ata vetë do të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ne duam që ata të kenë sukses.Por ne, nuk do të përdorim më fuqinë ushtarake amerikane për të ndërtuar demokraci në vendet e largëta, ose të përpiqemi të rindërtojmë vendet e tjera sipas imazhit tonë. Ato ditë kanë mbaruar. Në vend të kësaj, ne do të punojmë me aleatët dhe partnerët për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta. Ne nuk u kërkojmë të tjerëve të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës, por të ndjekin qëllimet e përbashkëta, që u lejojnë fëmijëve tanë të jetojnë jetë më të mira dhe më të sigurta. Ky vështrim realist do të udhëheqë vendimet tona duke ecur përpara. Vetëm fuqia ushtarake nuk do të sjellë paqe në Afganistan, ose të ndalojë kërcënimin terrorist që buron në atë vend. Forca e zbatuar strategjikisht synon të krijojë kushtet për një proces politik që siguron paqe të qëndrueshme. Amerika do të punojë me qeverinë afgane për aq kohë sa ne shohim vendosmërinë dhe përparimin. Megjithatë, angazhimi ynë nuk është i pakufizuar, dhe mbështetja jonë nuk është thjsht një kontroll bosh. Qeveria e Afganistanit duhet të mbajë pjesën e saj të peshës ushtarake, politike dhe ekonomike. Qytetarët amerikanë presin të shohin reforma reale, përparim të vërtetë dhe rezultate konkrete. Durimi ynë nuk është i pakufizuar. Do t’i mbajmë sytë hapur. Duke iu bindur betimit që mora më 20 janar, unë do të mbetem i patundur në mbrojtjen e jetës amerikane dhe interesave amerikane. Në këtë përpjekje, ne do të bëjmë aleat të përbashkët çdo komb që zgjedh të qëndrojë dhe të luftojë së bashku me ne kundër këtij kërcënimi global. Terroristët ta marrin vesh: Amerika nuk do të lëshojë kurrë, derisa ju të pësoni një humbje të përhershme.Nën administrimin tim, po shpenzohen miliarda dollarë më shumë për ushtrinë tonë. Kjo përfshin shuma të mëdha që shpenzohen për arsenalin tonë bërthamor dhe mbrojtjen raketore.Në çdo brez, ne jemi përballur me të keqen dhe gjithmonë kemi mbizotëruar. Ne mbizotërojmë, sepse e dimë se kush jemi dhe për çfarë po luftojmë.Jo shumë larg nga vendi ku jemi mbledhur sonte, qindra mijëra patriotë më të mëdhenj të Amerikës, prehen me pushim të përjetshëm në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Ka më shumë guxim, sakrificë dhe dashuri në ato vende të shenjtëruara sesa në ndonjë vend tjetër të rruzullit Tokësor.Shumica e atyre që kanë luftuar dhe kanë vdekur në Afganistan u shpallën heronj pas 11 shtatorit 2001. Ata dolën vullnetarë për një arsye të thjeshtë: Ata e donin Amerikën dhe ishin të vendosur ta mbronin.Tani ne duhet ta sigurojmë çështjen për të cilën ata kanë dhënë jetën. Ne duhet të bashkohen për të mbrojtur Amerikën nga armiqtë e saj jashtë vendit. Ne duhet të rivendosim lidhjet e besnikërisë mes qytetarëve tanë në shtëpi dhe të arrijmë një rezultat të ndershëm e të qëndrueshëm për çmimin të madh që kanë paguar dëshmorët tanë.Dhe në muajt që vijojnë, me veprimet tona, të gjithë do nderojmë sakrificën e çdo heroi të rënë, çdo familjeje që humbi një të dashur dhe çdo luftëtari të plagosur që derdhi gjakun e tij në mbrojtje të kombit tonë të madh. Me vendosmërinë tonë, ne do të sigurojmë që sakrifica juaj dhe i familjeve tuaja do sjellin humbjen e armiqve tanë dhe ardhjen e paqes.Ne do tju shtyjmë përpara për fitore, me forcën e zemrave tona, me guximin e shpirtrave tanë dhe krenarinë e përjetshme të secilit prej jush.Faleminderit. Perëndia e bekoftë ushtrinë tonë. Perëndia i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit shumë. Faleminderit!

Filed Under: Analiza Tagged With: Azi Afganistan, Fjala e Trump, Shefqet&Herion Kërcelli, Strategjia e SHBA

TRISHTIM SHQIPTAR…

August 22, 2017 by dgreca

…..i përshkallëzuar në kufinjtë depresionit/3 KolecNga KOLEC TRABOINI/Qytetarët shqiptarë në përditshmëri dëgjojnë lajme që ua shkallojnë trurin. Lajme që të krijojnë sindromën e njerëzve që jetojnë jo në Evropë, por nëpër fiset e xhunglave të Afrikës ku ca janë me fatin e luanit e të tjerët të presë, të viktimës së përjetshme. Kësisoj ata që kanë arritur të zënë një vend në bazë të lidhjeve fisnore, klanore, politike, tarafit e interesave mafioze ndjehen të plotfuqishëm, ndërkohë që të tjerët në fat të zi e me shpresë të vdekur sa nuk u mbetet tjetër; o ikja nga sytë këmbët prej këtij vendi të vet mallkuar ose të bëjnë vetëvrasje si i vetmi shpëtim i sigurt prej kësaj katrahure ku kurrkush nuk e ka sigurinë e të nesërmes. Rrugë tjetër nuk ka në këtë trishtim shqiptar i përshkallëzuar në kufinjtë e depresionit.

Edhe shpresa se ndërrimi i qeverisjes do të lëvizte ujin e qelbur në pushtet e administratë, u flashk në katër vjet hallakatje, sepse sikush mendoi e punoi për të rregulluar të vetët, pra familjen, rrethin, fisin. Lexova një shkrim dhe mu nxinë sytë, të gjithë fëmijët e deputetëve të dy krahëve të politikës, pozitë e opozitë ishin punësuar e me rroga të majme, të gjithë vëllezërit e motrat e deputetëve, ministrave, funksionarëve të lartë janë të punësuar në vendet më të mira, qoshe të ngrohta e të sigurta duke përfshirë edhe Bankën e Shtetit. Ndërkohë ata që për 8 vjet i pat mbajtur qeveria e shkuar në papunësi ani pse të kualifikuar, vazhduan të jenë po ashtu të papunë, sepse edhe kur bëhet ndonjë konkurs, gjejnë një shkak a sajojnë një të tillë, që të vendoset ai që duan, ai për të cilin kanë bërë kompromis pas kuintave të dy palët. Ata kanë qenë e mbeten zotër të këtij vendi pavarësisht rotacionit të pushtetit.

Kaq shumë është konsoliduar mendimi se pushtetet ndërrohen, por ne të tarafit e miqësive jemi po këta, se armiq jemi në foltore të parlamentit por në interesa jemi aleatë, sa nuk jam çuditur aspak kur pasi e shkarkuan drejtoreshën e një Arkivi (e njohur kjo si pjesë e strukturës politike që populli me verdiktin e vet e qorrollepsi në 2013), doli në median vizive ku denoncoi me ashpërsi shkarkimin e saj e foli kundër qeverisë si abuzive dhe e korruptuar, kur kjo qeveri i kish apo jo një apo dy vjet në funksion. Dhe e dini çfarë ndodhi? Në pseudo konkursin që u zhvillua për administratën e Parlamentit, në sektorin shtypit, doli fituese pa konkurim, pra u emërua, pikërisht ish-drejtoresha e Arkivit. Pas kësaj ajo nuk u pa me në TV të kritikojë qeverinë Rama 1 e as mos prisni të kritikojë qeverisjen Rama 2, veç nëse e heqin nga puna. Atëherë po, vë ulërimat për korrupsionin qeveritar e për të shkretin popull që përdoret si mashë për të nxjerrë gështenjat e politikës nga zjarri.. Po të hoqën bëju gjëmën, kështu funksionon këtu në Shqipëri. Këtë më së shumti e aplikojnë gazetat që i hedhin vickla qeverisë vetëm kur ajo nuk jep para.

Toga e politikaneve të PD, që kanë dalë si opozitë brenda opozitës në qark të mbyllur, u bënë të gjallë vetëm kur nuk i vunë në listat elektorale të deputetëve dhe kjo i ndërseu duke u shfaqur si luftëtarë te shquar për demokraci. Hajde ç’vete. Po ku ishin më parë? A do të flisnin po të ishin në listat e deputetëve të parlamentit të ri? Ata që kishin qenë squk-squll nëpër vite mbi kolltukë, me rroga të majme, me makina të shtrenjta që nuk i motivonin dot me rrogat e veta, por mund të bënin çdo gjë sepse ishin nën sqetullën e kryetar-kryeparit të partisë që bën sikur ka ikur po aty është si hija e Zeusit. E paparë. Jemi kundër Bashës por jemi për Berishën, thonë. A thua Luli mbahet me forcat e veta e me në krye të vet në timon të partisë. Ore, sikur të mos e dojë Berisha, as pesë minuta nuk mbahet në këmbë Lulëzim Basha. Prandaj të duken të pabesueshme këto argumente kundërshtore ndaj Bashës ndërkohë që i thur lavde Berishës.

Këto qëndrime të dyanshme tregojnë mirëfilli së ky grupim është pa ideale, por i prekur interesash te ngushta e që gjithë shpresën e kanë që Berisha t’i thotë Lulit, hapi rrugën këtyre mocionistëve se janë besnikët e mi. Po nuk ka për ta thënë Berisha këtë as sot e as mot. I duhen kuaj të rinj për karron e vjetër partiake që tundet e shkundet si mos o zot. Aq më tepër që ka përpara vetingun dritherues, i cili është një mekanizëm që diçka do të hajë. Pa kurban nuk del kjo vjeshtë. Ja pra ku janë kurbanët e vjeshtës, këta pa imunitet e të braktisur. Këtë skemë të funksionimit të politikës shqiptare, që sakrifikon të tjerët për të shpëtuar veten, e dinë edhe çiliminjtë e të mos e dijë ta zëmë opozitari në katror Ridvan Bode që qendron shpatull në shpatull me Arben Imamin, dosjet e të cilëve i ka mbyllur kryeprokurori( që paguhet për ti hapur), e që tashmë nuk do të mund më të mbrojë asnjë politikan a funksionar që e ka ngjyer gishtin në mjaltin e pushtetit. Në kampin e pushtetarëve ndodhi ndryshe.

Ata që votuan për ndryshimin dhe shpresën, katër vite hëngrën veten me dhëmbë tek vazhdonin të rrinin të papunë e pa asnjë të ardhur dhe shohin, për ironi të kohës mizore ku i ka sjellë rasti të jetojnë, që të emërohen nëpër funksione e zyra po ata që deri më dje bënin ligjin e Maliqin me pushtetin tjetër. Thonë i miklon qeveria për të dobësuar gjoja kundërshtarët, po askush nuk e beson sepse plani shkon me stilin mafioz: ”Hajdutë-kundërshtarë por vëllezër”. Mishin ja hanë njeri-tjetrit por kockën ja ruajnë. Për katër vjet a më thoni se cilin prej pecogrosove të qeverisë së mëparshme e vuri qeverisja e Rilindjes në bankën e të akuzuarve. Gjeti një minoritar krapuliq, një farë Spiro Ksera e me këtë u mjaftua. Po ky Spirua në krahasim me bosat e mëdhenj të milionave ishte jo Spiro Dija por Spiro Mosdija. Se Ksero, ne greqisht i thonë të dish. Në këtë rastin e qeverisjeve tona është në kuptimin të dish të vjedhësh. Shumat e vogla për të cilat u akuzua Spiro Ksera tregojnë se ai nuk paska ditur të vjedhë. Këta që tashmë kanë shumicën në parlament mesa duket kanë menduar se më mirë t’i japin privilegj e t’i mbyllin gojën ndonjë mercenari sesa ta lëmë të flasë e të prish punë në Media në mënyrë të përnatshme. Mbase me kësisoj zgjidhjesh e kanë mirë për veten e tyre politikanët në pushtet që duan të jenë larg sherrit, por për ata që me votën e vet i sollën në pushtet kurrsesi nuk kanë menduar e nuk mendojnë gjatë. Ka një të vërtetë publike tashmë, kudo ka nisur të shfaqet zhgënjimi.

Janë 400 mijë vetë të ikur nga Shqipëria në vitet 2013-2017. Ja çfarë thotë për këtë kardinali i Këlnit, Gjermani, Rainer Maria Woelki që vizitoi Shkodrën: “E shikoj si problem të Shqipërisë pasi në 2013-n kanë qenë 3.2 milion banorë dhe ndërkohë janë 2.8 milionë tani. E shoh të rëndësishme për të qëndruar këtu dhe për ta zhvilluar vendin. Dhe mendoj se Shqipëria e ka fuqinë për të ecur përpara. Vetëm strukturat sociale duhet të jenë ato të duhurat, që nuk bën të mundur vetëm mirëqenien e një grupi por të të gjithëve”.

E megjithatë, populli në këto zgjedhje të qershorit që shkoi u kap pas mendimit se kjo qeverisje që kemi vërtetë na takson, na le pa punë, na vjedh, na ropat, na ka vënë në ikje nga sytë këmbët, por le ta zgjedhim edhe një herë se mbase është ngopur e na vjedh më pak. Por nuk ka asnjë garanci që kjo masë njerëzish që përbëjnë qindra e mijëra të jenë edhe më tej besnikë të verbër të shpresës së thyer. Këtë e vërteton ulja e madhe e elektoratit të PD. Nga disfata në disfatë deri në shthurje. Partitë nuk duhet të mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe se votojnë për sytë e bukur të ndonjë politikani a ndonjë deputeti, që mjerisht vazhdojnë të zgjidhen me listë si në kohën e diktaturës. Asnjë ndryshim nuk ka. Jetojmë në një demokraci të dhunuar e shthurur që ta kufizon lirinë e zgjedhjes.

Mjerisht qeverisjet ndërrohen e gjërat mbetën po aty ku ishin. Hyjmë e dalim nëpër zyra e shohim të njëjtët fytyra. Me pak makiazh pink a blu sigurisht. Dhe po ato janë. Po ai mall i skaduar. Po ato lëvere të vjetra, ato pisanjozë xhepshpuar që me të hipur në kolltuk si deputet a nëpunës shteti u bënë milionerë. Lajmet thonë: Zbulohet një deputet me 56 shtëpi, 18 i ka blerë brenda vitit,

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini, Trishtim Shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 550
  • 551
  • 552
  • 553
  • 554
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT