• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Grindje pёr Stalinin nё mёsimin e historisё

July 28, 2017 by dgreca

Njё gjykatё nё Perm po shqyrton librin shkollor tё njё profesori historie. A janё represionet nё kohёn e Stalinit “temё e dёmshme pёr shёndetin” e nxёnёsve rusё?”/

1 StaliniokMёsimi i historisё pёr represionet e Stalinit i dёmton nxёnёsit, mendojnё autoritete. Shkak pёr debatin ёshtё njё libёr shkollor tё Andrej Suslovit. Ai ёshtё profesor historie nё Universitetin e Shkencave Shoqёrore dhe Pedagogjike nё Perm. Autoriteti mbikqyrёs rus nё fushёn e komunikimit (Roskomnadsor) e pati futur nё listёn e zezё librin, sepse “dёmton shёndetin e fёmijёve”.

Autoritetet ruse ndёrhyjnё gjithnjё e mё shumё nё diskursin e historisё. Shkas pёr kёtё ёshtё kёndvёshtrimi i pushtetit nё Kremlin, sipas tё cilit pas shpёrbёrjes sё Bashkimit Sovjetik Rusia e tronditur prej krizave sёrish duhet tё bёhet njё “shtet i madh”. Pёr ta mbёshtetur ideologjikisht kёtё pretendim, ata i kthehen historisё dhe i referohen stalinizmit. Librat shkollorё duhet tё nxisin “edukimin patriotik”. Qysh mё 2007 ish-presidenti dhe president i sotёm i Rusisё Vladimir Putin udhёzoi botimin e njё libri historie, nё tё cilin Stalini cilёsohet si “udhёheqёsi mё i sukseshёm sovjetik i tё gjitha kohёrave”. Nё tё gjitha kёto libra Stalini paraqitet si patriot dhe modernizues. E nё to anashkalohet numri i pamasё i viktimave tё kolektivizimit tё dhunshёm tё bujqёsisё dhe industrializimi i shfrenuar si dhe terrori masiv i viteve 1930. Diktatura komuniste legjitimohet nga pretendimi, se nё raportet e asaj kohe kjo ka qenё e nevojshme. Nё kёtё mёnyrё edhe Putin do tё legjitimojё sundimin autoritar.

Autori ka paditur autoritetin mbikqyrёs

Nё bisedё pёr DW Suslov thotё, se librin shkollor e ka shkruar bashkё me njё kolege tё tij. Ky libёr u botua nga organizata jo komerciale ruse “Qendra pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut.” “Libri ёshtё konceptuar pёr nxёnёs tё klasave tё larta dhe mund tё pёrdoret edhe jashtё programit mёsimor. Ai undihmon mёsuesve dhe nxёnёsve tё njihen me me historinё e stalinizmit dhe tё pasojave tё kёtij sistemi”, thotё Suslov. Nё libёr rekomandohen vende ekskluzive, qё janё tё lidhura me represionet politike.

Ukraine Donezk Verkauf von UdSSR-Symbolik (DW/I. Kuprijanowa)

Gjatё prezantimit tё librit Ministria e Arsimit nё rajonin Perm pati ofruar, qё libri tё publikohet nё faqen e internetit tё ministrisё, gjё qё edhe kёshtu u bё. Por pasi Roskomnadsor e klasifikoi librin si “tё dёmshёm pёr shёndetin e fёmijёve” ai u zhduk menjёherё nga faqaj e internetit. Prokuroia kёrkoi gjithashtu nga “Qendra pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut”, qё ta plotёsojё librin me udhёzimin pёr pёrdorim nga mosha 18 e sipёr. Suslov dhe qendra si rrjedhojё ngritёn padi ndaj autoritetit tё mbikqyrjes nё qarkun Perm.

“Shpёlarje truri nё interes tё sponzoruesve tё huaj”

Suslov thotё, se aktivitёt e lёvizjes “Sut vremeni” (qenia e kohёs) iu sulёn atij kundёr librit. Ata kanё shkruar shumё letra tek autoritetet e ndryshme. Verёn e vitit 2016 Dmitrij Usun ngarki ekspertё tё akredituar nё Roskomnadsor qё tё pёrpilojnё njё ekspertizё pёr librin. Suslov mendon, se Usun ёshtё i lidhur me lёvizjen “Sut vremeni”. Ekspertёt arritёn nё pёrfundimin, se “libri nxit bindje armiqёsore ndaj shoqёrisё dhe shtetit”.

Pavel Gurjanov ng lёvizja “Sut vremeni” nё Perm i tha DW-se, se e pёrshёndet vendimin e Roskomnadsor. “Puna e qendrёs pёr formimin politik dhe tё drejtat e njeriut” me tё tilla metoda mёsimdhёnieje ёshtё vetёm njё mantel pёr tё kamufluar shpёlarjen ideologjike dhe politike tё trurit tek fёmijёt nё Perm, e kjo bёhet nё interes tё sponzoruesve tё huaj tё kёsaj organizate”, thotё ai..

Aktivitstёt e tё drejtave tё njeriut kriitkojnё autoritetet

Aleksandr Verchovskij, drejtues i Qendrёs sё Moskёs pёr tё Drejtat e Njeriut “Sova” i tha DW-sё, se ёshtё krejtёsisht e paqartё, pёrse autoriteti mbikqyrёs Roskomnadsor ka ndёrhyrё nё kёtё grindje. Ky autoritet nё fakt ёshtё pёrgjegjёs pёr mbikqyrjen e mediave. “Kjo ёshtё njё ҁёshtje qё ka tё bёjё me pedagogjinё. Pёr kёtё duhej tё kishte vendosur ministri i arsimit”, thotё Verchovskij.

Qё ka libra, tё cilёt dёmtojnё fёmijёt,  kjo ekzsiton, thotё Irina Shtsherbakova nga Organizata e tё Drejtave tё Njeriut “Memorial”. Por kjo nuk vlen pёr librin mёsimor tё Suslovit. “Tё dёmshёm janё librat, qё pёrhapin mite ideologjike dhe gёnjeshtra”, thekson ajo pёr DW. Njё “zbukurim i kohёs sё Stalinit” ajo e konsideron tё rrezikshёm. Pёrmes kёsaj mund tё krijohej pёrshtypja, qё dhuna ndaj njerёzve ёshtё e lejushme nё ҁfarёdolloj forme, vёren ajo.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Grindje pёr Stalinin, nё mёsimin e historisё

Dialogu i Vuçiqit ka për synim njohjen e Kosovës

July 25, 2017 by dgreca

1 Vucic

Nga Ivica Petroviç, Beograd/Aleksandar Vuçiqi ka bërë të ditur se në Serbi do të fillojë një dialog të brendshëm për Kosovën. Analistët thonë për DW, se Vuçiqi do të ndajë përgjegjësinë për “gjysmënjohjen” e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar të “ngrohë” temën e “dialogut të brendshëm në Serbi për Kosovën”. Në një tekst autorial për gazetën “Blic” ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci.

Ulja e toneve dhe tensioneve

Dialogu për Kosovën në Serbi duhet të fillojë në shtator, por shkrimi i tij në Blic dhe një intervistë (që i ngjante më shumë monologut) në TV Pink ka lënë edhe shumë çështje të hapura. Vuçiqi në vend të platformës për dialog të brendshëm ka ofruar shumë fraza, ku nuk shihet se kush do ta organizojë apo do të përkujdeset për këtë dialog, sa do të zgjasë ai dhe në çfarë formati do të mbahet.

Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: “Vuçiqi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu.” Janjiq mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”.

Nëse Vuçiqi vërtet do një dialog të mirëfilltë, atëherë duhet t’i qetësojë mediat që ka nën kontroll, ndërsa BIA (shërbimi sekret në Serbi) duhet të ndërpresë diskualifikimet e njerëzve që mund të japin kontribut në dialog. „Asgjë nuk mund të arrihet në një atmosferë ku qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë po bëjnë politikanët e tyre. Ne nuk e dimë se çfarë kanë bërë ata deri më tani, deri ku kanë mbërritur dhe çfarë është tani në tavolinë. Si mund të zhvillohet një dialog nëse mediat e Vuçiqit, si gazeta Informer, ju turren dhe sulmojnë (siç më ka ndodhur edhe mua vet) se jeni bashkëpunëtor i terroristit dhe bosit të drogës Ramush Haradinaj”, pohon Janjiq.

Njohja e Kosovës nuk është formula magjike

Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim. “Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai. Prorokoviq pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit.

“Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy Gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni.”

Dushan Prorokoviq thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. „Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, thotë bashkëbiseduesi i DW, por kjo sipas tij, „nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.

„Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviq. „Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

Mjegulla e Vuçiqit

Dushan Janjiq mendon se Vuçiqi ka për qëllim të arrijë një konsensus, por vetëm për ndarjen e përgjegjësive. “Ai po kërkon mbështetje në negociata, me qëllim që të marrë vendime për të ardhmen e Serbisë. Por dialogu nuk mund të shërbejë si manipulim për hedhjen e përgjegjësisë atyre që mbase e kanë mbajtur kokën si struci në rërë.”  Analistët në Serbi mendojnë se Vuçiq po hedh mjegull në të gjithë procesin. Prorokoviq pohon se “nuk dihet as korniza institucionale e dialogut të paralajmëruar. Nuk dihet nëse do të zhvillohet në parlament apo në kuadër të ndonjë institucioni tjetër”.

Parë nga perspektiva e sotme, opozita nuk do të marrë pjesë në këtë dialog: “Mendoj se edhe partitë që në dy dekadat e fundit thonë se Kosova është e pavarur, do të tërhiqen nga ky dialog dhe do t’ia lenë përgjegjësinë Vuçiqit për këto vendime.”

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu i Vuçiqit, ka për synim, njohjen e Kosovës

Kosova raport BE-së: Serbia bllokada, pengesa dhe sabotime marrëveshjeve

July 24, 2017 by dgreca

-Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre/

1 Ministrja_Edita Tahiri

-Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e dialogut Kosovë-Serbi/ 

PRISHTINË, 24 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre.

Në vijim gjeni tekstin integral të këtij raporti dhe bashkëngjitur edhe dokumentin origjinal në gjuhën angleze

Për: Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian

Nga: Edita Tahiri, Ministre për Dialog dhe Kryenegociatore

Data: 06 korrik 2017;  Nr.ref 064/2017

Subjekti: MARRËVESHJET E BRUKSELIT NË PRITJE TË ZBATIMIT

Janë një numër i marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit që janë në pritje të zbatimit. Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.

  1. Marrëveshjet e bllokuara ose të penguara nga Serbia

Serbia ka bllokuar marrëveshjet për energji, drejtësi, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e “mbrojtjes civile” / gjegjësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës ku ish anëtarët  “MC ” janë të punësuar. Ndërsa ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë, në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit.

  1. Energjia

Siç mund të dini, marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013. Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit  se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës. Ne besojmë se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomike. Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në  fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund të aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova përkatësisht KOSTT ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia  ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën. Nëse vonesat vazhdojnë, Kosova do të detyrohet të zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse pas 9 viteve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, ajo ka legjitimitet për të mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj. 

  1. Drejtësia

Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë. Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj.

  1. Diplomat

Edhe në fushën e arsimit, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës.

  1. Kadastra

Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999. Sidoqoftë, që kur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës.

  1. “Mbrojtja civile” – pengohet zbatimi përfundimtar

Përveç problemeve të krijuara nga bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjeve të lartpërmendura shumë të rëndësishme për Kosovën, kohët e fundit kemi vërejtur sabotime të Serbisë ndaj marrëveshjeve të caktuara, të tilla si sabotimi i çështjes së objekteve për institucionet e Kosovës të cilat kanë punësuar ish-anëtarët e “mbrojtjes civile”. Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar. Përveç kësaj, objektet e ish “mbrojtjes civile” të cilat duhej t’i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende. BE-ja nuk ka mundur të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani, megjithëse  ne po këmbëngulim vazhdimisht.

  1. Serbia ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë – në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit

Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.Kjo qasje dualiste e Serbisë ndaj dialogut të Brukselit cenon në mënyrë thelbësore  qëllimin e  normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Prova më e mirë është fakti se edhe pas gjashtë viteve të këtij dialogu, ministrat e qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore. BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë heqjen e kësaj pengese serioze për procesin e normalizimit.

  1. Rivitalizimi i Urës së Mitrovicës – i penguar

Barrikada është hequr nga Ura e Mitrovicës në vitin 2016, por rivitalizimi i plotë i urës është penguar nga Serbia përmes disa provokimeve djallëzore dhe destabilizuese ndaj Kosovës, siç ishte muri ilegal në Mitrovicë dhe një tren bizar që synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Si pasojë, ura ende nuk është hapur për lëvizje të lirë të njerëzve dhe automjeteve, megjithëse ishte planifikuar për në janar 2017, siç parashikohej në Marrëveshjen e Brukselit.

  1. Rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore – i penguar

Pas heqjes së murit ilegal në Mitrovicë në shkurt të vitit 2017, përmes dialogut midis Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, mbështetur nga dy raunde të nivelit të lartë politik të bisedimeve në Bruksel në muajt janar dhe shkurt, rivitalizimi i rrugës kryesore filloi në bazë të planit të dakorduar.

Megjithatë, procesi është ndërprerë/penguar nga Serbia, prandaj rivitalizimi i rrugës për këmbësor është bllokuar.  Kjo gjithashtu ka shkaktuar ngecje në përfundimin e rivitalizimit të urës.

  1. Marrëveshjet e vonuara nga Kosova
  1. Asociacioni

Pas zbatimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, Kosova ka lëvizur drejt nisjes së zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Takimi i parë konsultativ u mbajt në fillim të muajit dhjetor, megjithatë shfaqja e murit ilegal në Mitrovicën e Veriut, e orkestruar nga Serbia, ka ndërprerë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Pas heqjes së murit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë të trenit provokues, Kosova përsëri bëri përpjekje për rifillimin e zbatimit gjatë marsit të vitit 2017. Megjithatë, Serbia përsëri pengoi procesin duke insistuar që zbatimi të fillonte në Bruksel në vend se në Prishtinë, që ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Dhe, kur Kosova ishte fleksibile për mundësinë që zbatimi të fillonte në Prishtinë dhe më pas të mbahej një takim në Bruksel, përfaqësuesit e komunitetit serb, të udhëzuar negativisht nga Serbia, refuzuan të ktheheshin në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, Parlamenti i Kosovës pezulloi dialogun deri në lirimin e z. Ramush Haradinaj i cili u mbajt në paraburgim në Francë për shkak të një fletë arresti arbitrar të lëshuar nga Serbia. Kur mbaroi pezullimi pas lirimit të tij dhe kur përfaqësuesit e komunitetit Serb vendosën të ktheheshin në institucionet e Kosovës (domethënë kur Serbia u kërkoi atyre të ktheheshin), Kosova veçse hyri në zgjedhjet e parakohshme shtetërore dhe e gjithë agjenda e qeverisë u vë në pritje.Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova do të vazhdojë të përmbushë këto detyrime, siç ka bërë me të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga Dialogu i Brukselit, në gjashtë vitet e fundit.

  1. Asociacioni dhe Largimi i strukturave paralele – në sinkron

Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar.

  1. Reciprociteti për targat e regjistrimit të automjeteve

Kjo marrëveshje u arrit në shtator të vitit 2016 dhe ishte planifikuar të fillonte zbatimin më 15 nëntor të vitit 2016. Kosova ka vonuar zbatimin e saj për shkak të vonesave në miratimin e vendimeve të nevojshme lidhur me zbatimin. Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje dhe vendimet pasuese u morën nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, dinamika e zgjedhjeve në Serbi, pastaj pezullimi i dialogut nga Parlamenti i Kosovës dhe zgjedhjet në Kosovë kanë penguar rifillimin e zbatimit. Kosova e informoi BE-në rreth gatishmërisë për zbatimin dhe këmbënguli që afati i ripërtërirë të dakordohet midis palëve përmes komunikimit elektronik. Megjithatë BE njoftoi se pala serbe këmbëngul që dakordimi të bëhet përmes një takimi të palëve që duhet të zhvillohet në Bruksel. Kosova është e gatshme për zbatim.

Përfundime

Zbatimi i marrëveshjeve në pritje duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo vonesë e mëtejshme do të ndikonte negativisht në të arriturat e deritashme në këtë dialog dhe do të dëmtonte besimin e publikut ndaj këtij procesi.

Është e qartë se pala serbe ka dështuar seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të saj.

Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë. Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, u stabilizua situata. Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.  Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm,  të cilët kundërshtohen nga  Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.

Ne besojmë se përkushtimet për këtë dialog mund të dëshmohen si të besueshme vetëm nëse të dyja shtetet vazhdojnë me zbatimin e plotë të detyrimeve të tyre. Zbatimi i mirëfilltë i marrëveshjeve të arritura dhe dialogu i mëtejshëm që do të finalizohet me njohjen reciproke midis dy shteteve, Kosova dhe Serbia jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre evropiane, por gjithashtu do të mënjanojnë çdo mosmarrëveshje ndërshtetërore që u mundëson brezave të ardhshëm të të dy shteteve të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.

Unë mund të siguroj se Kosova do të vazhdojë në rrugën e sajë drejt të ardhmes Euro-Atlantike, sepse ne ndajmë vlera të përbashkëta. Unë besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u ankoruar kah Perëndimi, megjithëse në këtë drejtim partnerët tanë perëndimorë duhet të na mbështesin me ma shumë vendosmëri, për të na ndihmuar në përballimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë që troket në dyert tona, qoftë të natyrës gjeopolitike apo ndonjë natyre tjetër. Alternativat tjera i përkasin të kaluarës dhe duhet të mbeten në të kaluarën.

Dëshiroj të theksoj se BE mbetet një faktor vendimtar për të ndihmuar në përshpejtimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të këtij dialogu. Ne konsiderojmë se roli i Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e këtij dialogu./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova raport BE-së:, Serbia bllokada

Që gjuha shqipe të mos jetë një atdhe i humbur për Shqiptarët në Maqedoni

July 22, 2017 by dgreca

 

 ArbenNga Arben LLALLA/Ka disa kohë që po dëgjojmë deklarata nga politikanët sllavo-maqedonas dhe shqiptarë se gjuha shqipe do të zyrtarizohet shumë shpejtë në Maqedoni. Çështja është se prej 16 vitesh politikanët sllavo-maqedonas dhe ata shqiptarë janë tallur me ligjin e gjuhës shqipe, sa është e vështirë që të besohet se gjuha e Gjergj Kastriotit do ketë vendin e nderit që i takon në Maqedoni. Unë jam pesimist se gjuha shqipe në Maqedoni do jetë e barabartë me gjuhën sllavo-maqedonase, e cila gëzon privilegjin e ruajtjes me ligj, nëse fyhet apo cënohet.

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar kishin përdorim zyrtar të barabartë me gjuhën sllavo-maqedonase, por pas vitit 1990, me pavarësinë e Maqedonisë gjuha shqipe u sakatua, u diskretitua nga qeveritarët sllavo-maqedonas dhe vasalët e tyre shqiptarë.

Por, si duhet të jetë Ligji për përdorim e gjuhës shqipe në Maqedoni?

Që gjuha shqipe të ndjehet e barabartë me statutin që e flasin qytetarët shtetformues të Republikës së Maqedonisë, ajo duhet të përdoret në tërë territorin e Maqedonisë si:

  1. Çertifikata e shtetësisë duhet të jepet në gjuhën shqipe.
  2. Çertifikata e përbërjes së familjes duhet të jepet në gjuhën shqipe.
  3. Dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes, prokurorisë dhe gjykatat duhet të jenë në gjuhën shqipe.
  4. Dokumentet e Postës së Maqedonisë duhet të jenë në gjuhën shqipe.
  5. Dokumentet e Bankës Kombëtare të Maqedonisë duhet të jenë në gjuhën shqipe.

Këto janë disa institucione kryesore që sot për sot e kanë të ndaluar me ligj që të përdoret gjuha shqipe. Janë institucione që përbëjnë barazinë shtetërore midis qytetarëve të kombësive të ndryshme në Maqedoni.

A do zyrtarizohet gjuha shqipe si gjuhë e minoritetit ardhacakë?

Kjo është pyetja që na shqetëson më shumë, sepse deri tani strukturat shtetërore të Maqedonisë janë përkujdesur që shqiptarët t’i paraqesin si ardhacakë dhe njerëz të egër të zbritur nga Mali. Kjo vihet re përditë në botimet që i financojnë institucionet akademike, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, e më gjerë. Vërtetë çfarë u bë me Enciklopedinë e botuar nga Akademia e Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët?

Komisioni i Venecias dhe BE janë përkujdesur që pakicat të jenë mbrojtura me ligj. Italia votoi ligjin e gjuhëve të minoriteve më 15 dhjetor 1999, nr.482, me titull “Norma në lëndën mbi mbrojtjen të pakicave gjuhësore historike”, dhe është botuar në gazetën zyrtare më 20 dhjetor 1999, nr.297. Me hyrjen në fuqi ky ligj u lejoi pakicave historike popullsive me kombësive joitaliane si arbëreshëve (shqiptarëve), katalanëve, gjermanëve, grekëve, sllovenëve, kroatëve, francezëve, frënge-provenciale, friulane, ladine, oçitane, sarde, të cilët janë shumicë në komunat (bashkitë) në Itali të përdorin nëpër shkolla dhe shkresat zyrtare komunale gjuhët e tyre kombëtare përkrah asaj të shtetit italian. E thënë më qartë se çdo shkresë shtetërore jepet në dy gjuhë, atë shtetërore dhe kombëtare, pra në gjuhën italiane dhe në gjuhën shqipe në rastin e arbëreshëve. Ligji me numër 482 i 15 dhjetori 1999 i zyrtarizuar nga shteti italian, jo vetëm që i pranon pakicat, por mbron me këtë ligj trashëgiminë, zakonet, kulturën e tyre kombëtare dhe përdorimin zyrtar të gjuhës së tyre.

Në komunat (bashkitë) e Italisë që udhëhiqen nga kryetari dhe këshilli arbëresh (shqiptar) gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare në komunë, gjithashtu në këto komuna përkrah flamurit të shtetit të Italisë dhe të komunës valëvitet dhe flamuri kombëtar shqiptar.

E pra, politikanët shqiptarë duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë ligji do pranojnë dhe do votojnë për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, me qëllim që ajo të mos ketë fatin e përdorim të flamurit kombëtar, i cili lejohet zyrtarisht të jetë 1/3 më i vogël se flamuri sllavo-maqedonas dhe për këtë fajin kryesor e kanë deputetët shqiptarë të BDI-së, të cilët e votuan me dy duar ligjin e diskretitimit të flamurit shqiptar. Që gjuha shqipe për shqiptarët të Maqedonisë të mos jetë një atdhe i humbur, sepse shqiptarët sot nuk janë të shtypur, ata janë kryetar Kuvendi, ministra, akademikë, pra jo në kushtet e një shtypjeje, por vetë po e “gëlltisim” me vasalitet përdorimin e nderit që i takon gjuhës dhe flamurit kombëtar.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, gjuha shqipe, shqiptaret ne Maqedoni

NEVERI

July 22, 2017 by dgreca

1 andon dedeNga Andon Dede, Nju York/

Një miku im, që, siç pohon vetë, nuk lë shkrim timin pa lexuar, madje më merr dhe telefon për ta konfirmuar këtë, më thotë para pak ditësh:”U bënë ca kohë që s’kam lexuar gjë prej teje, mos ke ndërruar botuesit”. ”Ke të drejtë, ia ktheva, por nuk e kam ndjerë të nevojshme apo, si të thuash, s’më është bërë për mbarë. Kur ke parasysh bombardimin mediatik në Shqipëri që, në krahasim me popullsinë besoj se është nga më intensivët në Botë dhe gjithë atë luzmë politikanësh që gumëzhijnë në të katër anët e vendit, e ke vështirë në mos edhe të pamundur që të thuash diçka të re, të pathënë më parë…”. “Megjithatë, – shtoi miku im, që me sa dukej nuk mbeti i kënaqur nga reagimi im, – secili që shkruan apo dhe flet, ka  këndvështrimin e vet. Pikërisht kjo e përligj gjithë këtë lukuni analistësh, gazetarësh, opinionistësh apo quaji si të duash. Për më tepër që koha për të cilën po flasim, ka qënë e ngarkuar me ngjarje nga më të larmishmet e më të çuditëshmet, si asnjëherë tjetër: u zgjodh presidenti i ri, u ngrit çadra, vërshuan ndëkombëtarët, nga këndej e andej oqeanit, u takuan dy krye-partiakët, u bënë zgjedhjet…që ti i di më mirë se unë. Për tërë këto, s’ka se si të mos kesh dhe ti vlerësimet e tua, tjetër punë a dëshiron t’i bësh publike apo jo…Por, me që u takuam, a mund të më thuash, me pak fjalë, se si i gjykon tërë këto zhvillimet e fundit në vendin tonë?”. Mblodha buzët, tunda kokën e po e shikoja si me habi: e ç’mund t’i thosha kur për secilën nga ato ngjarje janë shkruar dhjetra në mos qindra artikuj e në kanalet e ndryshme televizive është folur për orë të tëra. Ai ma “lexoi”mendimin e prapë nuk hoqi dorë nga e tija: “Takohemi ndonjë ditë e bisedojmë më gjatë, se të dyve na duhet të ndahemi tani…”- i thashë për ta mbyllur këtë temë, por prapë pa sukses. “Po mirë, or burr i dheut, më thuaj një përshtypje, se nuk bëhet qameti”. Ndërkohë, unë po vrisja mendjen se ç’mund t’i thosha, sa më shkurt, qoftë edhe me një fjalë të vetme. “Eureka!- bërtita, –  s’po ta prish, e gjeta vlerësimin tim për gjithë zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që mos të të ngelet merak: NEVERI! Je i kënaqur tani? Më hollësisht bisedojmë ndonjë ditë tjetër.” Dhe u ndamë.Në respekt të tij e të ndonjë tjetri që mund të më lexojë, po përpiqem, sa më shkurt, të jap mendimin tim, për zhvillimet më të fundit.

Presidenti

Si mund të mos të të shkaktojë neveri fakti se kush u zgjodh e si u zgjodh presidenti i ri? Meta qe betuar e stërbetuar se nuk do e pranonte atë post, por mjaftoi një darkë me mik/armikun e tij Ramën dhe e pranoi postin e numurit një të shtetit. A ka politikan më të përfolur se ai jo vetëm për korrupsion por edhe për një sërë cilësish të tjera negative?! Madje, të shumtë qenë ata, përfshi edhe atë që e zgjodhi, që hamendësonin se e priste burgu. Kujtoni vetëm intervistat e tij të vështira jo vetëm tek media e vendit por edhe tek të huajat. Statusi i ri që mori e donte që ai të hiqte dorë nga përkatësia partiake e të qëndronte mbi palët por, gjatë fushatës, ai qe më partiaku e më agresivi nga të gjithë të tjerët. Vetëm ndonjë naiv mund të presë që ai të veprojë ndryshe kur të ulet në karrigen e numurit një të shtetit, se partishmëria apo militantizmi nuk janë kostume që i vesh e i zhvesh sa herë të duash, për më tepër Meta që e ka treguar veten gjithmonë si një militant i thekur. Po të ndiqje intervistën e tij tek “Opinioni”, kur deklaronte se e kishte pranuar atë post kundër dëshirës së vet por për të nxjerrë vendin nga kriza, pra për të mirën e popullit, rrezik të bëje hari-kiri, si japonezët, apo të çaje barkun, siç themi ne.. Si të mos mjaftonin tërë këto, dorëzoi teserën e partisë dhe në krye të LSI-së vuri të shoqen. Përfytyroni kur Monika, në sallon, kuzhinë apo në krevatin bashkëshortor t’i kërkojë të shoqit ndonjë mendim dhe ai t’i thotë: “Nuk përgjigjem se jam president, mbi palët…”. Mbase kanë vendosur të flenë në dhoma, pse jo dhe vila të ndryshme se mundësitë i kanë. A mund t’i përjetosh pa neveri tërë këto veprime e pohime të tij, kur të gjithë e njohim se kush është?! Kaq budallenj na bën neve që e dëgjojmë? Mbase mirë na e bën, se me sa duket, e meritojmë!

 Çadra

U duk sikur çadra e përligji vehten deri para çmontimit të saj. Basha, me fjalimet e përditëshme patetike, deri në ngjirje, sikur na e ndryshoi të gjithëve sadopak opinionin që kishim për të, duke e afirmuar veten si lideri i vërtetë i PD-së. Pse jo? Analistë e politikanë, madje dhe ndërkombëtarët, po i pranonin diagnozat e tij për Ramën e qeverisjen e tij, sidomos për korrupsionin, kriminalizmin e pushtetit dhe kanabizmin e vendit. Me thirrjen e tij për të mos u futur në zgjedhje me Ramën kryeministër po binin dakord të gjithë ata që nuk bënin pjesë në “tepsinë” e këtij të fundit. Dhe ja papritur takimi i shumëpërfolur i 17/18 majit. Si me shkop magjik ndryshoi gjithçka: Kryetari i Opozitës hoqi dorë nga kërkesat radikale, çmontoi çadrën dhe pranoi të hyjë në zgjedhje jo vetëm me Ramën kryeministër por dhe të bashkëqeverisë me të. Njerëzit nuk po iu besonin syve dhe veshëve kur dëgjonin nga goja e Bashës një retorikë krejt tjetër.  U duk sikur armiqtë e deridjeshëm, që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njeri tjetrit, papritmas na u bënë miq. Hë, pra, a nuk të ngjall neveri gjithë kjo?

Enigma e 17/18 majit

(Habitem me ata që habiten)

Gati të gjithë, politikanë e analistë, po luajnë mëntç për të zbuluar se ç’është diskutuar mes Ramës e Bashës në atë mesnatë. Nga një anë, nuk kanë faj, se pas asaj qepallosjeje, ndryshuan si me magji që të dy. Unë nuk e kam të vështirë të marr me mënd se si ndodhi ai ndryshim, madje habitem me të habiturit që nuk e kuptojnë se si mud të ndryshojnë tek ne qëndrimet e dy liderve brenda një nate. As më shumë e as më pak, problemi është fare i thjeshtë e i qartë: ata i kanë kapur xhaketën me derë njeri tjetrit. Rama e Basha janë akuzuar aq shumë jo vetëm nga Media e kundërshtarët politikë por dhe nga autoritetet ligjore të vendit e ndërkombëtare, për mega-afera korruptive. Ja, ky është çelësi që zbërthen atë pesë-orësh misterioz. A nuk të neveritet edhe kjo marrëveshje e fshehtë e kthesë e tyre e papërligjur?

Fushata e zgjedhjeve

Qe më qesharakja, edhe pse pa incidente, si herët e tjera. Pa nerv, pa shpalosje programesh, pa debate të mirëfillta. Kryeministri, veshur me brekushe për t’u dukur sa më popullor, shkonte fshat më fshat e qytet më qytet, apo dhe nga një televizion në tjetrin, e bënte qyfyre. As që donte t’ia dinte për premtimet e pambajtura, për kolapsin ku ka rënë ekonomia e vendit, për ikjet masive të të rinjve, për kanabisin që furnizon Europën, për asgjë, veç batuta, përralla, dialogje vulgare. Po ta dëgjoje e të mos e njihje, as që të shkonte në mendje se qe kryeministri i një vendi që po kërkonte një mandat të dytë. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ai nuk i bënte rastësisht tërë këto. Duke pasur vetëm bilance negative ai iu shmang me mjeshtëri ballafaqimit e u mor me retorikë boshe, duke u bërë gjoja interesant e popullor. Kishte gazetarë që e miratonin një zgjidhje të tillë duke pohuar se ka ikur koha e programeve dhe premtimeve; njerëzit tashmë votojnë për liderat, për personat; sa arrijnë ata ta bëjnë për vete masën apo turmën dhe, ndofta, nuk e kishin keq, se tek e fundit ajo do t’ia jepte votën.

Dhe nga kundërshtarët e tij, fushata nuk të ngjallte asnjë interes: Basha tashmë e godiste si me pambuk kryemafiozin e djeshëm që donte me demek t’i zinte vendin; Meta me të vetët, për çudi u hodhën në një agresion të egër ndaj dy partive të mëdha, që siç të linin përshtypjen pas takimit të shumëpërfolur, patën vendosur ta nxirrnin LSI-në jashtë loje. E kishe të vështirë ta besoje se ata që po shanin tani njeri tjetrin, vetëm pak kohë më parë kishin shpallur vazhdimin e aleancës qeverisëse. Tamam kalamaj që luajnë e që papritur prishen kur kuptojnë hilet e kundërshtarit.

Fitore e turpshme e Ramës

Pas gjithë asaj fushate me qyfyre e me pranim me zë të ulët të dështimeve katër-vjeçare, nga që e kishin penguar aleatët, siç pohonte kryeministri ynë karagjoz, logjika më elementare e donte që Rama, jo vetëm të mos e fitonte dot atë 71 përqinshin e stër-lypur në çdo miting e intervistë, por minimumi të dilte një rezultat i balancuar që do të kërkonte detyrimisht koalicion me dikë tjetër. Por, ja që jetojmë në kohë çudirash e kemi të bëjmë me një elektorat po aq të çuditshëm: Rama fitoi jo 71 po 74 deputetë, më tepër edhe se sa ëndërronte vetë. Inat kije por hakun mos ia haj: ai ia arriti qëllimeve të tij: nxorri Lulin nga çadra, e detyroi të hyjë në zgjedhje, përçau PD-në siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe tani ka të drejtë të kapardiset si mbret. Tjetër punë që fitorja e tij është nga më të turpshmet në këtë çerek-shekullin e Pluralizmit, kur kemi parasysh se me një llogari fare të thjeshtë del që ai është votuar nga më pak se një e katërta e popullsisë. Kjo më kujton atë historinë me një nxënës që, kur u kthye nga shkolla i tha të atit se kish dalë i dyti në garë. I ati u gëzua dhe e përqafoi. Më pas e pyeti: “Po sa veta ishin në garë?”. “Dy…”- ia ktheu i biri. Por Rama as që do t’ia dijë për këto. Ç’deshi e fitoi, paçka si e qysh. Nuk po merrem me vjedhjen e votave përmes milionavet të pareve që u derdhën si lumë gjatë fushatës, nga kanabisi e burime të tjera të pista. Të ashtuquajturit ministra e drejtorë teknikë, as që arritën të frenojnë sadopak makinën e sofistikuar të fitores së zgjedhjeve që Rama e kishte instaluar prej kohësh. Ata vetëm sa i siguruan kryeministrit alibinë e duhur për krimin elektoral që u krye. A nuk të ngjall neveri e gjithë kjo?!

Po “Republika e re” ku vajti?

Që do të fitonte Rama, asnjë nuk e vinte në dyshim, pavarësisht se siç thamë më lart, ai nuk e meritonte. Duke pasur parasysh mafiozllëqet e tij, siç edhe po i dalin tani një nga një, ai e kishte fitoren të sigurt. Por, që PD-ja të përjetonte humbjen më të thellë në historinë e saj, kjo nuk parashikohej. Arsyet janë të shumta. Mbi të gjitha, përçarja e saj fatale. Qindra mijëra simpatizantë të saj nuk shkuan të votonin, sidomos pas marrëveshjes së fshehtë e të turpshme të Bashës me Ramën. Si do të dilte para publikut Basha pas gjithë kësaj? Kam parasysh sakrificat jo të vogla të ndjekësve të tij që për tre muaj u ngujuan në çadër, duke sakrifikuar jo pak. Dhe ja tani ai i preu në besë, jo vetëm pse u takua me Ramën e nuk tha asgjë se ç’bisedoi me të, por që hoqi dorë aq papritur nga tërë ato akuza e parakushte të tij. Deri sa dështoi kauza e tij, ai duhet ta kishte dhënë dorëheqjen qysh kur ndërkombëtarët, siç u tha, e detyruan të dilte nga çadra.  Pas humbjes fatale, doli si i zgërlaquar, gati duke qarë, para kamerave. Në vend që të deklaronte dorëheqjen pa revokim, e “ngriu” postin e tij pa dhënë asnjë përgjigje. Jo vetëm kaq, por pas pak ditësh ai do të “shkrihej” e do të na befasonte përsëri duke pretenduar për të qënë sërish kryetar i PD-së, pavarësisht tre humbjeve radhazi. Ai na dha kështu një mesazh tjetër se, në këtë vend, as që mund të bëhet fjalë për politikanë me sado pak personalitet e dinjitet. Turp e faqja e zezë për të e për gjithë ata që e mbështesin. Neveri!

Ndërkombëtarët

Është për të ardhur keq, deri në dhimbje, që ka akoma njerëz që iu besojnë ndërkombëtarëve. Nuk është fjala për ato shtete që na kanë ndihmuar e vazhdojnë të na gjenden pranë, por për të dërguarit e tyre që vlerësojnë zgjedhjet e fitoren e Ramës, ndonëse e panë se si u zhvilluan ato dhe janë njohur me dështimet e gjithanëshme të qeverisë së tanishme. Kjo tashmë nuk habit njeri. Atyre iu duhet vetëm stabiliteti i vendit dhe as që e çajnë kokën për zhvillimet e brendeshme; as që duan t’ia dinë se në Shqipëri po instalohet një shtet despotik, antipopullor, i korruptuar e që të vetmen “meritë” të dukshme, në raport me ta, ka furnizimin e Europës me narkotikë.

Populli

Më dhimbset mu në shpirt ai popull që po vuan pa e merituar, se andej kam dalë dhe akoma e quaj veten pjesë të tij, edhe pse ndodhem kaq larg. Ndryshe as që do e kisha marrë mundimin të shkruaja këto radhë. Por, kundër dëshirës time, detyrohem të pohoj se ai ka paguar e do të paguajë haraç të madh. Diktatorët që e kanë sunduar kanë kultivuar tek ai nënshtrimin e jo revoltën, gjë që po e shfrytëzojnë pamëshirshëm e paturpësisht edhe kiminelët, vrasësit, intrigantët, makiavelistët e të korruptuarit e pushtetit të sotëm. Liria e Demokracia, që naivisht kujtuam se i fituam në dhjetor të ’90-ës, kërkokan çmim të madh. Kur është fjala për vendin e punës, për bukën e gojës, për të ardhmen e fëmijve, mbase përligjet gjithçka edhe neveria që kemi përjetuar e do të përjetojmë edhe për kushedi sa kohë akoma. Situata politike atje më kujton një thënie pak banale që e kam dëgjuar nga të parët e mij, qysh i vogël: “Ka rënë shkopi në m… e nuk ke nga ta zësh”. Ajo mund të krahasohet me një vidë të sponuar që as nuk e shtyn dot më tej e as nuk e nxjerr për ta zëvendësuar me një tjetër.

Nju York, 21 korrik 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, NEVERI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 556
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT