• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të dëbuarit dhe zhvendosurit shqiptarë ende nuk i pranon Republika e Serbisë

June 12, 2017 by dgreca

Shkruan: Refik  HASANI/

Cilat jan veprimet që duhet të ndërrmirren që më në fundë  Republika e Serbisë , të pranon zyrtarisht se vetëm prej qershorit 1999 deri në vitin 2010  sipas gjendjes në terren dhe rexhistratave  të disa OJQ-ve ka mbi 50 mijëtë  dëbuar  dhe  zhvendosur  shqiptarë  nga  Medvegja  ,  Bujanoci   dhe    Presheva që tani jetojn dhe kan gjet strehim në Republikën e  Kosovës e gjetiu.Republika e Serbisë, ende edhe pas gati dy dekada  nuk kanë asnjë një ofertë serioze për kthimin e të zhvendosurve në trojet e tyre. Pse nuk është marrë inciativa deri më tani që të hapet nga një zyrë e OSBE-së edhe nëpërë disa Bashkësi Lokale si në ate të Banjës së Sijarinës, Tupallës,  Zarbicës, Muhocit dhe Karadakut të Preshevës. Përveqë këtyre zyreve  është ndier nevoja që të hapen edhe zyra për kthim, për marrjen e informative dhe investime për të dëbuarit e luftës. Qeveria e Serbisë sillet sikur nuk ka patur fare luftë të armatosur dhe zhvendosje të mbi 50 mijë banorëve që kanë lëshur trojet e tyre nga pushteti agresiv i Serbisë.  Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës për nga shtrirja gjeografike e përbëjnë një Krahinë që ka mbetur ende padrejtësisht nënë Serbi. Me këto metra katror disa prej shume shteteve, sot janë shtete të pranuara edhe në Këshillin e Sigurimit me të drejta të plota. Që nga koha e prishjes së RSFJ-vetëm ne shqiptarët që ishim për nga numri i banorëve të tretë, ende nuk kemi arritur as për gjysmë të marrim të drejtat që na takojn. Dhe që nga ajo kohë, në tri Komunat e cekura më lartë banorët filluan të drojn nga pasiguria, nga ndjekjet e vazhdueshme, bisedat e shumta nëpër satacione të policisë, filluan njerzit ti lëshojn trojet e tyre. Që nga vitet 90-ta shqiptarët në këtë Krahinë të cekur filluan të organizohen ku u mbajtë edhe Referendumi më datën  1 dhe 2 mars 1992 për Autonomi politiko-Territoriale dhe me një alternativ me të drejtë bashkangjitje me Kosovën.

Dëbimi  dhe zhvendosja e  shqiptarëve nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva  me të madhe filloi që nga pas nënshkrimit të marrëveshje së Kumanovës  

Në veqanti gjatë luftës së armatosur në Kosovë filluan dhuna e shfrenuar kundër shqiptarëve në këtë Krahinë, sepse po mbështesinin luftën e Kosovës. Pastaj me rastin e tërhjeqjes të gjithë ato forca thuajse gati u vendosën dhe u stacionuan në këtë Krahinë, nëpërë lokalitete dhe zona të banuara me popullatë shumicë shqiptare, paramilitarë dhe të tjerë vrastar. Pushteti agresiv i Serbisë në vend që të luftoj në front me UÇPMB-në hakmerret kundër civilëve të pafajshëm sidomos në disa zona të ndieshme si në Komunën e Medvegjës, Karadakë të Preshevës dhe Malësin e mbi qytetit të Vranjës. E që kjo e fundit sot lirisht mundë të themi se është shëndrruar një poligon të vërtet ushtarak dhe nganjëher thuhet që baza ushtarake e Cepotinit 7 km afërë qytetit të Bujanocit është më e madhë apo në Malësin e mbi qytetit të Vranjës, në Sitili te Novosella e Suharën, Guri i zi, Lis i Qobaneve si dhe te Gurët e bardh në Priboc e Qarrë. Banorëtë e Krahinës shqiptare të mbetur ende nën Serbi, mbi 50 mijë banorë u zhvendosën,  u dëbuan dhunshëm, vetëm e vetëm t’i lëshojn trojet e tyre stërgjyshore dhe të lirojn disa zona. Republika e Serbisë edhe pas këtyre viteve nuk dëshiron as edhe ta pranoj që në Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera, kemi të zhvendosur që janë jo vetëm nga këto tri Komuna të cekura , por edhe nga qytete të tjera të Serbisë si Beogradi, Nishi, Leskoci,etj. Republika e Serbisë duhet të ketë një program, një projekt a platform afat shkurtërë, afat mesëm dhe afat gjatë, me një dinamizëm për kthimin e të zhvendosurve për t’ju krijuar kushte për kthim të gjithë atyre që dëshirojn të khehen në trojet e tyre. Kërkesë imediate e kategorisë së të zhvendosurve pavarësisht ku janë me qëndrim të përkohshëm, të ardhur nga Krahina e mbetur nënë Serbi është:
– Deri më tani Republika e Serbisë nuk ka treguar kurrfarë shenje të vullneti të mirë që dëshiron ti kthej të zhvendosurit për kundrazi me çdo kushtë është munduar ti pengoj direkt apo indirekt në forma nga më të ndryshme ashtu si di vetë ajo!. Serbia deri më ta ni nuk ka patur asnjë ofertë për të zhvendosurit nga Krahina shqiptare. Shpëtim për Malësin e mbi Vranjës është që ato pakë banorë të mbetën në Malësi dhe të kthehen më shumë të zhvendosur është që rruga të asfaltohet. Kërkojmë që një mision mbykqyrës dhe faktëmbledhës të jetë i pranishëm edhe nga OSBE-ja. Urgjentisht kërkohet që banorët e ardhur nga Krahina shqiptare e mbetur nën Serbi prej Komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë që:
– Të bëhet rexhistrimi i tyre nga organet e Republikës së Serbisë, prej organeve ku janë të vendosur në Kosovë apo Maqedoni apo,edhe prej mekanizamve relevant ndërkombëtarë.
– Të bisedohet shumë shtruar edhe nga niveli më i lartë shtëtëror i Republikës së Kosovës për kategorin e të zhvendosurve.
– Nëse kemi një ofertë për të zhvendosurit do të kemi më shumë familje që dëshirojn të kthehen.
– Republika e Kosovës do të lirohet nga barra e tëpërt.
– Republika e Serbisë do të tregoj realisht që nuk është e një anshme vetëm të kërkoj për pjesëtarët e vetë, por ka interesim edhe për banorëtë e vetë, pasi ashtu po trumbeton se i mbron të gjithë barabarsisht.

Për të kthyerit duhet krijuar edhe disa parakushte, të ketë liri të plotë të lëvizjes, të rregullohet dhe investohet për infrastrukturën rrugore, sepse në disa fshatara janë shkatrruar edhe shtyllat elektrike, nuk ka ambulanca apo përkudesje mjekësore etj. Në Malësin e mbi Vranjës ushtria duhet të tërhiqet nëpër kazerma, sepse ajo është pengesë kryesore për kthimin e të zhvendosurve. A nuk mjafton baza ushtarake e ushtrisë Serbe në Malësinë e mbi Vranjës, ku është shëndrruar në një poligon të vërtet ushtarak. Që ka disa pika me përqendrim të madh të ushtarëve dhe arsenalit tepër të madhë ushtarak, lëvizin aqë shumë, që kjo prodhon dhe ka një psikozë të madhe të frikës për banorët dhe penges kryesore për kthimin e banorëve në trojet e veta stërgjyshore, pra mugon liria e lëvizjes së lirë të vendasve. Banorët e mbetur sidomos në Komunën e Medvegjës në Malësi të mbi Vranjës dhe në Karadak të Preshevës. Këto pjesë kanë mbetura të boshatisura dhe të mbetura gati pa banorë. Republika e Serbisë punon me shumë ftyra dhe standarde të shumëfishta, çfarë të drejtash dhe kushtete kërkon për kthimin e Serbëve lokal të Kosovës as qerekun e atyre të kushteve nuk ua mundëson komunitetit shumë të madhë në Serbi që është një Krahinë homogjene dhe shtrirje shumë të gjërë gjeografike. Serbia nuk ka investuar fare në kthimin e të shpërngulurve, sa është investuar për Serbët e zhvendosur në Kosovë për gjashtë muaj, nuk është investuar as për dhjetë vjetë për tri Komunat e cekura për kthimin e të zhvendosurve shqiptarë në Serbi. Serbët kanë beneficione të mdha shetisin nëpër Kosovë me targa të vjetra marrin rroga, pesione prej buxhetit të Kosovës, Sërbisë dhe atij të huaj. Kurse të zhvendosurit shqiptarët gati kan mbetur nënë mëshirën e fatit të tyre. Pyetja  si fillim dhe në përmbyllje të këtij shkrimi: Cilat jan veprimet që duhet të ndërrmirren që më në fundë  Republika e Serbisë, të pranon zyrtarisht se vetëm prej qershorit 1999 deri në vitin 2010  sipas gjendjes në terren dhe rexhistratave  të disa OJQ-ve ka mbi 50 mijë të  dëbuar  dhe  zhvendosur  shqiptarë  nga  Medvegja,  Bujanoci  dhe  Presheva që tani jetojn dhe kan gjet strehim në Republikën e  Kosovës e gjetiu.

12 Qershor 2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Refik Hasani, Republika e Serbise, te debuarit shqiptar

Sa i vjetër ky banalitet

June 12, 2017 by dgreca

Nga Aurel Plasari/Aurel_Plasari

(Nënvizime për ciklin “Me historinë poshtë nënkresës”)/

Nga një libër modest zbulohet një realitet tronditës. Ky është sekreti i librave të mirë, si monografia e z. Koleç Çefa për historikun e grupit opozitar “Ora e Maleve”: Gurakuqi, Fishta, Harapi, Palaj, Shantoja, Topalli etj. Por edhe të gazetës me të njëjtin emër të atij grupi (1923-1924). Pa qenë recension për librin, ky është vetëm një tok shënimesh me nënvizimet nga leximi prej dokumenteve i një vargu të vërtetash. Janë nga ato që nëpër librat e historisë nuk thuhen. Shkurt rrethanat historiko-politike: Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte ngritur e qe vendosur në Tiranën që e kishte quajtur “kryeqytet provizor”. 1921-shi ishte vit i të parave zgjedhje parlamentare. Politika e improvizuar e Tiranës rrekej të imitonte politikën e rafinuar të Europës. Ishte krijuar edhe e para parti e njohur politike: veten ajo e quante “Popullorja”, ndërsa për të tjerët do të ishte thjesht “Klika”. Nuk do të vononte dhe në krye të saj do të imponohej Ahmet Zogu. Më 11 korrik formohej qeveria e parë, ajo e Iljaz Vrionit. Pa zgjatur shumë ajo rrëzohej dhe formohej më 16 tetor qeveria e Pandeli Evangjelit. Binte edhe kjo dhe më 6 dhjetor formohej qeveria e Qazim Koculit. Një ditë më mbas, më 7 dhjetor, formohej tjetër qeveri, ajo e Hasan Prishtinës, e cila nuk zgjaste më shumë se pesë ditë. Më 12 dhjetor formohej qeveria e Idhomene Kosturit. Atë më 24 dhjetor e zëvendësonte qeveria e Xhafer Ypit. Destabilizimi qeveritar u la fushë të lirë më 1922 kryengritjeve në disa zona të Shqipërisë. Më 1923 zhvilloheshin zgjedhjet për “Kuvendin Kushtetues”. Më 1924: po dihet.
Ahmet Zogu deputet. – Një parantezë sa për të vënë në dukje një fakt ekzotik në ato hapa të parë të politikës shqiptare: simbas Ligjit për Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, të dekretuar nga Këshilli i Naltë, mosha e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 1921-shit duhej të ishte mbi 30 vjeç, kurse Zogu nuk ishte veçse 26 vjeç. Nuk është shpjeguar asnjëherë sesi ia doli 26-vjeçari të depërtonte në ato zgjedhje nga të cilat dilte fitues.
Europianizëm me ngritje dore. – Qysh në ditën e parë të mbledhjes së Këshillit Kombëtar konsumohet edhe e para bëmë qytetërimore: fjala “bej” zëvendësohet me fjalën “zotëri”, athua se shndërrimi i një mendësie në një tjetër u kryekësh me një të ngritur dore.
Me famë, por pa bukë. – Nga letra e Anvi Rustemit drejtorit të gazetës “Ora e Maleve”: “Uroj nga zemra që gazeta të ketë përparim e jetë të gjatë që, kështu, zëri i saj të zbutë pak mjerimet e popullsisë aty dhe të Maleve me famë, por pa bukë”.   
Autoritarizmi ka qitur kokën. – Një nga shqetësimet e grupit “Ora e Maleve”: “të ruhemi që të mos i japim fuqi të madhe pushtetit politik”.
Liria e shtypit. – “Ora e Maleve” për çështjen e mbrojtjen e kufijve të Veriut të rrezikuar nga ndërhyrja jugosllave: “Nuk na çudit fort heshtja e deritanishme e gazetave proqeveritare, mbasi disa prej tyne kanë frenin në gojë”.
Fobia nga të vërtetat e shtypit. – “Ora e maleve” boton një numër të veçantë për çështjen e kufijve të rrezikuara nga ndërhyrja jugosllave. Prefekti i Shkodrës e konfiskon numrin dhe arreston e fut në burg shitësit e gazetës, djem të vegjël 10-12 vjeç. Por kjo nuk i mjafton: var nëpër mure një shpallje, në të cilën vetë prefekti polemizon me “Orën e Maleve”. Shpallja i jepet edhe tellallit që, i përcjellë me polic, t’ia trumbetojë popullit. Afërmendsh që prefekti nuk e kupton që në këtë mënyrë e bën edhe më popullor numrin e konfiskuar të gazetës.
Administrimi i Shkodrës. – Luigj Gurakuqi në Parlament mbas skandalit të prefektit: “Mos e merrni aq lehtë çështjen e administratës së prefekturës së Shkodrës, se Shkodra asht nji prefekturë  e madhe, e asht mësue me u administrue prej zyrtarësh të naltë, ka pas në krye gjenerala. Mos e lini mbas dore nji qytet ku luhen role të mëdha…”.
Të gjitha mjetet kundër opozitës. – Në përgatitjen e zgjedhjeve të 1923-shit për Kuvendin Kushtetues mund të nxirret nga fletorja “Ora e Maleve” lista e të gjitha mjeteve të përdorura nga qeveria, legale e ilegale, për të penguar opozitën: premtime dhe kërcënime, ryshfete e ndëshkime, arrestime e burgosje.
Reformë territoriale më 1923. – Ndër mënyrat që mund të quhen “marifete” të përdorura nga qeveria për të penguar opozitën është edhe njëfarë “reforme territoriale”: ajo shkëput nga prefektura e Shkodrës krahinat mirditase të Këthellës, Bishkashit, Selitës dhe ua bashkon ato nënprefekturave të Matit, ku Ahmet Zogu i ka pozitat më të forta.
Diplomaci e paanshme? – Nga letërkëmbimi i kryepeshkopit të Shkodrës lexohet: ambasadori i Italisë, markezi Di Durazzo, ka ndërhyrë pranë tij në favor të Ahmet Zogut për të fashitur opozitën e grupit “Ora e Maleve”. Ka ndërhyrë madje “me kambëngulje”, sqaron arkipeshkvi Lazer Mjeda. Ai orvatet të sqarojë Grupin që  ndërhyrja e “markezit” në këtë çështje është “tanësisht gja e veçantë e tij” dhe qeveria italiane nuk ka të bëjë aspak në këtë ndërhyrje.
Vajguri dhe kontrabandë paresh. – Nga një shënim i Fishtës mësohet që në Shkodër ka vajtur edhe ambasadori anglez për të bindur autoritetet që të votohet në favor të listës së Ahmet Zogut. Fishta nuk ka ngurruar të saktësojë: “ministri anglez mjaft i njohun për hir të interesave në çështjen e vojgurit, si dhe për kontrabandë paresh në Shqipní”.
Korrupsion në fushatë. – Nga një mesazh Luigj Gurakuqit prej Arkipeshkvit të Shkodrës, 1 korrik 1924: “qeveria e Zogollit ka shpërdorue me mija napulionash per qellime korrupsionit në kohë të zgjedhjeve”.
Fqinjë si fqinjë. – Në një letër të Arkipeshkvit të Shkodrës, që botohet për herë të parë, tërheq vëmendjen shënimi që në fushatën elektorale të 1923-shit pro listës qeveritare “qeveria dhe jugosllavët shpërndajnë pare”. Saktëson arkipeshkvi: “Na nuk kemi e nuk duem me dhanë asnji soldë”.
Erdogani nuk ishte. – Megjithëkëtë nënkryetari i Parlamentit Eshref Frashëri shapll: “Neve me Tyrqinë jemi një trup edhe sot interesat i kemi të përbashkëta”.
Drejtësi. – Qeveria ka planifikuar të hedhë në gjyq fletoren “Ora e Maleve” për një artikull të botuar “kundra qeverisë”. Është vënë në lëvizje Ministria e Punëve të Brendshme, sepse gjykatësi të cilit i takon çështja ka qëlluar simpatizues i “Orës së Maleve”, madje në marrëdhënie të mira me redaksinë e fletores. Atëherë? Zyra sekrete propozon që “shpejtazi” të nxirret e të komunikohet dekreti për transferimin e gjykatësit në fjalë.
Oligarki. – Ja që nuk qenkësh term i ri në qeverisjen e Shqipërisë. E ka përdorur Gurakuqi: “tendenca oligarkike vete tue u shtue, qarku tue u ngushtue, personat tue u paksue…”.
Vetëm njëri jo në parlament. – Të gjithë kundër njërit, kundër opozitarit të quajtur edhe “njeriu sine qua non”. Luigj Gurakuqi rezulton i luftuar egër jo vetëm nga kundërshtarët e tij të partisë së Zogut, por edhe nga një pjesë e “të vetëve”: shpifje, thashetheme, fyerje, falsifikime. Si shpjegohet, ndaj një personaliteti kulturor e politik si Gurakuqi, kjo frikë e ndërzyer me urrejtje? Lexohet tek “Ora” edhe me vetëm një gjysmë fjalie: “në te kundërshtarët shohin kundërshtarin ma të fortë”. Si reziston ky njeri? Është tërhequr në Troshan për të ruajtur qetësinë dhe për të kalitur vullnetin. “Ishin këshillat e të ligut, e të verbëtit, e na nuk i ndoqme, – ka kujtuar Shantoja: – nji accord me të cilin kishim për të pasë gjithçka dëshirojshim, mjaft që t’u shlyente emni i Luigj Gurakuqit…”. Vetë Luigji, duke përshkruar “fatin” e vet, i rrëfehet në një letër imzot Mjedës: “Fitimet qi kam pasun deri më sod prej jetës s’eme politike janë këto: rrezik jete, të shame, e borxhe”.
Nëpunësí si çështje partie. – Situata kuptohet nga ky shënim i “Orës”: “Çashtja e nëpunësisë asht tue u ba çashtje partie. Do ta themi açik: për me hi në punë s’po kërkohet fort vlera e nëpunësit, por fytyra a ma mirë boja e atij që e porositë. Opozita deshiron që administrata jonë të jetë si nji makinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguem mirë, të marrun me konkurs, por jo në atë mënyrë konkursi që përdorë qeveria e soçme”.
Operacion që nuk u bë. – Këshilla të “Orës” edhe për administratën e qeverisë e Nolit: “Dlirnie prej parazitëve hafije, prej ushujzave zyrtarë, prej deputetëve keqana e keni shpëtue Shqipninë. Mbanie mend, zotnitë e mi, parimin kirurgjik se nji kirurg i dhimbshem, ose i padijshëm, asht nji kasap katil. Banie këte operacion sa ma shpejt, sa ma me rrajë e me ma pak gjakderdhje”.  
24-a e paralajmëruar më 1921. – “Ora e Maleve” për vrasjen e Avni Rustemit: “Në artikullin që botuem në rasën e hapjes së Këshillit Kombëtar patme shkrue se Shqipnija i kishte ngja nji anijes që udhëton me nji të dekun mbrendë. Nuk e kishim mendue kurrë se ai i vdekun do të ishte Anvi Rustemi”.
Duhet falenderuar z. Kolec Çefa, i cili pati synimin e bukur të nxirrte në dritën e homazhit një grup burrash të mëdhenj të politikës shqiptare, që e ushtruan opozitarizmin si nder dhe luftuan për të pa tradhtuar e madje duke u flijuar. Autori nxit të ruajmë për ta “kujtimin e ngrohtë”. Vetë, që pëlqej të lexoj edhe “kujtimin e ftohtë” të historisë, i jam mirënjohës që ma përkujtoi edhe një herë se sa i vjetër është ky banalitet, që tash së afërmi mund të mbushë plot 100 vjet.
Kortezi: Hashtag.al(dergoi Anton Cefa)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Plasari, Sa i vjetër ky banalitet

Figura e Dom Nikollë Kaçorrit në një Sesion të veçantë shkencor, Durrës

June 10, 2017 by dgreca

Nga Fatmir Minguli/1NikolleKacorri

Figura e Dom Nikollë Kaçorrit në Sesionin e II të veçantë shkencor, Durrës 3 qershor 2017/

-Organizuar nga shoqata e intelektualëve mbarëshqiptarë ”Trojet e Arbërit”me qendër në Prishtinë.)

Në pallatin e Kulturës “’Aleksandër Moisiu”, në odeonin “”Nikolin Xhoja” në 3 qershor të këtij viti u u mbajt sesioni i II –të shkencor me temën: Imzot Nikollë Kaçorri (1867- 1917), personalitet kryesor i Pavarësisë së Shqipërisë. Me pjesmarrjen e mbi tetëdhjetë vetëve, studjues e intelektualë nga gjithë trojet shqiptare si dhe nga diaspora,  në këtë tubim të veçantë, u realizua ky sesion shkencor  në kujtim të 100 vjetorit të ndarjes nga jeta të klerikut të madh shqiptar, Dom Nikollë Kaçorrit. Fakti që u organizua ky sesion në qytetin e Durrësit ka të bëjëme atë që kleriku i madh ka shërbyer ne kete qytet mbi njëzet vjet jo vetëm si klerik por si atdhetar, studjues, qeveritar etj. Në qytetin e Durrësit ndodhet busti i tij.

Si organizator i këtij eventi unë shpreh kënaqësinë që mbi njëzetë studjues referuan në qytetin tonë.

Kryetari  i shoqatës “Trojet e Arbërit” Mr. sc. Nue Oroshi hapi pjeën solemne duke i ftuar të gjithë  pjesmarrësit të këndojnë Hymnin Kombëtar. Pastaj ai kujtoi shkurtimisht jetën e dy veprimtarëve të ndjerë Willy Kamsi dhe Gjelosh Gjokaj të cilët u ndanë nga jeta kohët e fundit. Vetë presidenti Nue Oroshi recitoi plot pasion dhe intonacion poemën e Ernest Koliqit “Kanga e Kapidan Markut”.

Kjo pjesë interesante solemne e këtij sesioni shkencor, u mbyll me një falenderim për të gjithë pjesmarrësit.

Seanca e dytë, natyrisht ajo më e gjata u drejtua nga Nue Oroshi, Tomë Mriaj, Eugjen Merlika, Riza Sadiku, Rukije Rama, Fatmir Minguli. Dhe u hap me fjalën e Dr. Nikollë Tomës e cila trajtoi jetën dhe veprimatrinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Kuvendet Kombëtare. Sali Ajazi, autor i një libri monografik për Dom Nikollë Kaçorrin, trajtoi personalitetin e klerikut Kaçorri si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës.

Eugjen Merlika, një studjues i përkorë i probleve historike e konsideroi Dom Nikollë Kaçorrin si Apostull të bashkimit të shqiptarëve. Tom Mriaj, autor i disa librave dhe që jeton e punon në SHBA, Në temën e tij e radhiti imzot Nikollë Kaçorrin njerin ndër baballarët e Kombit. Fatmir Minguli si një studjues nga Durrësi trajtoi figurën e Dom Nikollës në periudhën e Mbretërisë së Princ Vidit, duke dhënë fakte interesante nga veprimtaria e veçantë e klerikut shqiptar.

Dr. Sc. Mehmet Rukiqi në temën e tij analizoi kontributin e Dom Kaçorrin në letërsinë gojore shqiptare. Ndërsa studjuesi dhe autori i shumë librave, mes tyre dhe një monografi për Nikollë Kaçorrin, Dr. Nikollë Loka trajtesën e tij e mbështeti në ndihmesat e mëdha të Dom Nikollë Kaçorrit në kulturën dhe arsimin shqiptar. Mr. sc. Rezehana Hysa e radhiti në tempn e saj Dom Nikollë Kaçorrin ndër arkitektët e Pavarsisë së Shqipërisë.

Dr. sc Besim Morina foli për kontributin fetar dhënë kishës Katolike nga imzot Nikollë Kaçorri. Presidenti i shoqatës “’Trojet e Arbërit” zoti Nue Oroshi paraqiti para pjesmarrësve të sesionit shkencor dokumentin origjinal të Memorandumit të Dom Nikollë Kaçorrit dhe të tjerëve dërguar Perandorit dhe Mbretit të Austro- Hungarisë, Franc Jozef më 13 nëntor 1912.

 

 

 

 

 

Pjesmarrësit në këtë sesion i  përshëndeti me një fjalë  edhe meshtari me banim në Amerikë klrik i fuqishëm ndër më të njohurit për çështjet kombëtare don Anton Kçira. Ai gjatë përshëndeti punimet e këtij sesioni shkencor shumë me vlera dhe krejt i veçantë. Në fjalën e tij ai  dha vlerësimin  dhe kontributin e madh të imzot Nikollë  Kaçorrit, nënkryetarit të parë të Shqipërisë. Don Anton Kçira trajtoi edhe kontributin e Don Pren Kolës për gjetjen dhe sjelljen e eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Shqipëri e që prehen në kishën e bekuar Santa Luçia të Durrësit.  Gjatë sesionit u bënë diskutime nga pjesmarrësit si Zoti Sabri Maxhuni, personalitet në lëmë të historisë dhe të biznesit, mbështetës i sesioneve të shumta të intelektualëve të shoqatës ”Trojet e Arbërit”. Ai në fjalën etij përshëndetëse shtoi se Dom Nikollë Kaçorri mbetet në kujtesën tonë si atdhetar  dhe klerik dinjitoz për çështjen e Shqipërisë, për prosperitetin e saj.   Zonja Valdete Dërralla, mbesë e Mehmet Pashë Dërrallës foli për kontributin e antarëve të qeverisë së Ismail Qemalit, ndërsa Fran Kaçorri, i afërt i familjes së Dom Nikollë Kaçorrit në emër të shoqatës “Nikollë Kaçorri” shpërndau shumë çertifikata për ata që kanë kontribuar në përjetësimin e klerikut të madh shqiptar, Dom Nikollë Kaçorri. Prishtinasi Sadik Maxhari, i veshur me kostum kombëtar shqiptar veç diskutimit të tij recitoi poezi me karakter kombëtar.

Në fund të trajtimit të temave dhe diskutimeve ctë ndryshme u shafaq filmi dokumentar për Dom Nikollë Kaçorrin, prodhim dinjitoz i TV Prizrenit, i realizuar nga Enver Sulaj. Ky film ishte si të thuash një shoqërim plot vlera i gjithë këtij sesioni shkencor. Gjithçka në veprimtarinë e këtij sesioni u përkujdes nga sekretaria e përbërë nga Leonora Laçi, Reze hana Hysa dhe Kristinë Dedaj.

Në këtë sesion shkencor kishte dhe tema të tjera të përgatitura si nga Uran Butka, Don Gjergj Meta, prof. dr. Kastriot Marku, Prof. Dr.Muhamet Shatri. Mungesa e prof. Shatrit qe për shkaqe shëndetësore, por dihet se ai ka qenë mbështetës i vazhdueshëm  në sukseset e shoqatës “Trojet e Arbërit”, Mërgim Korça, kumtesën e të cilit e lexoi zoti Nue Oroshi, Don Pren Kola, Kastriot Veselaj dhe Mikel Gojani që për arsye të ndryshme nuk ishin prezent, por që gjithsesi temat e tyre janë në mes studimeve të këtij sesioni shkencor të posaçëm për figurën e klerikut shqiptar Dom Nikollë Kaçorri.

Vlen të përmendimin ndihmën e madhe që Drejtori i Pallatitë të Kulturës, shkrimtari Bashkim Hoxha dha së bashku me stafin e tij të mrekullueshëm si dhe telezionin Adria Net për gatishmërinë dhe korrektësinë e tij. Po kështu duhen përshëndetur dhe pronarët e restorant “La fontana” për drekën e përgatitur me mjeshtëri për të gjithë pjesmarrësit.

Ky sesion shkencor do të mbetet në historinë e kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatmir Minguli, figura e dom Kacorrit, Sesioni i Durresit

KOSOVA, NË PRAG TË ZGJEDHJEVE TË SË ARDHMES

June 9, 2017 by dgreca

*Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë/

*Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja/

Ambasadori Greg DelawieunnamedAmbasadori-SHBA

Kosova në zgjedhjet e 11 qershorit me 29.264 vëzhgues të akreditur/

1 Behlul Jashari

-Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Gjithësej 29.264 vëzhgues janë akreditur për zgjedhjet e parakohshme paralamentare të së dielës së 11 qershorit në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme akreditoi grupin e nëntë, të fundit, të vëzhguesëve vendorë e ndërkombëtarë.Vëzhguesit janë 160  nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare.

Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.Mbledhja e sotme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë u mbajt në Qendrën Mediale, e cila do të jetë një hapësirë për mediat e akredituara.

Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja

-Video Deklarata e ambasadorit Delawie për zgjedhjet/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Para zgjedhjeve të së dielës së 11 qershorit në Kosovë, Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie në një video deklartë sot theksoi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ambasadori i SHBA, Delawie u shpreh:Urime Kosovë. E kaluat fushatën dhe tash ju jeni gati për ngjarjen kryesore.Pas disa javësh të debatit politik të dielen ju do ta keni fjalën e fundit. Ju do të dëshmoni se qytetarët e Kosovës e përcaktojnë rrugën e ardhshme të shtetit tuaj.Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ne poashtu do të qëndrojmë pranë vendimit tuaj demokratik gjersa përfaqësuesit tuaj të ri përballen me sfida dhe mundësi të rëndësishme në muajt dhe vitet që vijnë.Por, ky vendim varet nga ju, dhe vetëm nga ju – qytetarët e Kosovës.  Pra, dilni dhe votoni! Zgjedhni udhëheqësit që nuk janë të korruptuar, zgjedhni ata që do të ju përfaqësojnë juve dhe interesat më të mira të shtetit tuaj, ata që do të punojnë shumë për të përmbushur fatin e Kosovës në zemër të Evropës.Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja.

Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë

-“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi/

PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë.Kreu i shtetit priti sot ambasadorët e vendeve të Quint-it, të SHBA-së, Greg Delavie, Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, me të cilët bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet në Kosovë. Me Presidentin Thaçi në takim ishin edhe Kryetarja e KQZ-së,  Valdete Daka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi u shpreh se të gjithë janë të përqendruar që zgjedhjet e 11 qershorit të jenë demokratike, të lira dhe të kalojnë pa asnjë incident. Presidenti Thaçi u shpreh se ndjehet i sigurt se zgjedhjet do të kalojnë mirë, megjithatë “mbetet shqetësimi për frikësimin dhe kërcënimin” e qytetarëve serbë të Kosovës nga eksponentë të shtetit të Serbisë.“Shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, për të mos votuar të lirë”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi kërkoi që vendet e Quintit t’i bëjnë të qartë autoriteteve të Serbisë që nuk do të tolerohet interferimi në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Ju bëj thirrje që t’i dërgoni mesazh të qartë autoriteteve në Serbi që të mos frikësojnë apo kërcënojnë qytetarët serbë të Kosovës dhe t’i pengojnë të shprehin të lirë vullnetin e tyre politik”, u shpreh në takim Presidenti Thaçi.“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, u shpreh se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të jenë të drejta.

Drejtori i Përgjithshëm i PK, Maxhuni, tha se Policia e Kosovës po bashkëpunon edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.Presidenti Thaçi falënderoi KQZ-në, PK-në, OSBE-në, mediat, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE dhe nga PE, që po bëjnë çdo gjë për të garantuar proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm./b.j/

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie: Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës/

-Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”  ndanë çmimet për pesë videot më të mira të garës #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar/
PRISHTINË, 8 Qershor 2017 / Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie tha sot se, “dalja në zgjedhje është tejet e rëndësishme dhe unë e ftoj secilin qytetar anekënd Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje…”“Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës”, theksoi ambasadori amerikan.
Në prag të ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, sot në amfiteatrin e qytetit në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka bërë  ndarjen e pesë çmimeve për pesë videot më të mira që janë dërguar nga të rinjtë e që kanë spikatur mesazhet e tyre për fushatën #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar.
Gara kishte për qëllim të nxisë të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi për të dhënë këndvështrimet e tyre personale mbi atë se “përse nuk do të votonin për kandidatë të korruptuar?”.
Në garë ishin gjithsej 27 video dhe juria në përbërje prej përfaqësuesve të Demokracisë në Veprim kanë zgjedhur pesë videot më të mira të realizuara nga:
Albulena Uka, Besfort Berisha, Egzona Shabani, Faik Mziu e Tringa Alidemi.
Në hapje të kësaj ceremonie,  Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, theksoi se qëllimi i iniciativës qytetare #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar, është që të nxisë pjesëmarrjen qytetare në procesin e votimit dhe përmes angazhimit dhe votës së tyre të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatëve të cilët janë të përfshirë në afera korruptive.  “Kjo votë do të ndikojë në rritjen e integritetit politik për përfaqësim më të denjë dhe llogaridhënës”, ka thënë ai.
Shefja e Zyrës së BE-së njëherësh përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me këtë rast ka theksuar:
“Tё dielën ju do t’i zgjedhni pёrfaqёsuesit tuaj tё rinj nё Kuvend. Ky ёshtё njё rast kur do tё mund tё ndikoni drejtpёrdrejt nё tё ardhmen e Kosovёs, tё ardhmen e fёmijёve tuaj. Shfrytёzojeni kёtё rast. Mos lejoni qё tё tjerёt tё vendosin pёr ju. Dilni dhe votoni. Kjo ёshtё esenca e demokracisё.  Vendimet mirren nga ata qё dalin tё votojnё. Vota e secilёs grua dhe secilit burrё ka vlerё”, ka thënë ajo.
Ndarja e çmimeve për pesë videot më të mira u bë nga shefja e BE-së në Kosovë, Apostolova,  ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie dhe tre aktivistë e mbështetës të zëshëm të fushatës #AsUne: alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët e publicistët Astrit Gashi e Imer Mushkolaj.
Aktivitet e DnV-së në kuadër të fushatës #AsUne mbështeten nga USAID, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës, DANIDA.

Kosovë-Qeveria nuk mban mbledhjen/ 
-Nuk mbahet mbledhja e qeverisë së  Kosovës në mungesë ministrash, para zgjedhjeve të dielen/
 PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Mbledhja e qeverisë së Kosovës e paraparë të mbahet sot nuk u zhvillua për shkak të mospranisë së ministrave, të cilët do të duhej të prezantonin pikat e rendit të ditës. Ndërsa, të pranishëm ishin ministra nga LDK-ja, PDK-ja dhe parti të tjera. 
Në 26 maj qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 146-të, të 21-tën në 2017-tën, të dytën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi të propozuar nga opozita e me votat edhe të grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës PDK .
Në Kosovë pasnesër votohet,  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 do jenë të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Tash në largim pas mocionit të mosbesimit, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, NË PRAG TË ZGJEDHJEVE, TË SË ARDHMES

Qetësia e humbur e dashurisë Ilir Meta

June 9, 2017 by dgreca

Në politikën e këtyre viteve LSI erdhi si produkt i një grindje mes elefantëve të PS-së së kohës. Por që u fuqizua nga sherret perverse midis socialistëve dhe demokratëve. Ose më saktë nga komunikimi politik i ashpër mes Sali Berishës, Nanos, Ramës etj./

RAMA META NE KONFERENCE - Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, pas nje konference te perbashket shtypi, ku kane komentuar ne lidhje me zgjedhjet lokale te 21 qershorit. /r/n/r/nRAMA AND META IN CONFERENCE - Prime Minister Edi Rama and Parliament Speaker Ilir Meta, during a press conference, where have commented for local elections on 21 June.

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-11) Presidenti i sapo zgjedhur i shqiptarëve. I joti, imi, yni etj… Eshtë sot fushatisti më i madh. Më nervoz, më fyes, më përbuzës. Dhe padyshim më dorëlëpirësi. Një puthaburrash gjysmë të dehur. Me pensionim nga bijtë emigrantë. Një daullexhi votash. Një xheloz hilaq. Një makth i zgjuar vringthi. Pasi nuk ia fal vetes, por edhe atyre përreth parashikimin, për një afrim të mundësh mes socialistëve dhe demokratëve. Nuk ia fal vetes që strategjia se vendi mbi të gjitha, mund të kaloj përmes tyre dhe jo atij. Ndaj sot sheiku demode shqiptar, u thotë njerëzve se kryeministri pi doping. Kurse kreu i opozitës është një kalama pa shtyllë kurrizore. Dhe ta mendosh që para pak javësh, kaq gojë mjalt para mikrofonave të reporterëve. Si ai fëmija para lëpirëseve, plot qetësi, dashuri etj…, kërkonte këtë bashkëpunim si devizë e tij dhe resortit politik familjar me emrin LSI.

2) Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 86/1) përcakton se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Roli i tij konceptohet si faktor ekuelibri në jetën e vendit. Ai mund të cilësohet si një “mediator institucionesh dhe si një “pushtet asnjëanës”, domethënë si një pushtet që nuk përfshihet në lojën politike, por qëndron mbi palët dhe nuk kryhen asnjë funksion aktiv në përcaktimin dhe realizimin e drejtimit politik.

Ky shpjegim vjen nga webet e shtetit të shqiptarëve. Mbi rolin dhe funksionin e detyrës së presidentit të vendit. Nëse shqiptarët do kishin një kthjelltësi qytetare, mbi funksionin dhe rolin e një shtetari të lartë. Me siguri do ndjenin neveri për veten dhe presidentin e zgjedhur.

Mjafton kjo fushatë perverse. Që sheiku, baba Likja, qetësia dhe dashuria. Kjo që presidenti i VII-të, po bën për resortin e tij politik. Por me sa duket shqiptarët nuk janë të qartë në këtë pike.

3) Ilir Meta është rasti i dytë që një president bën fushatë nevrastenike. Për së pari e ka bërë Sali Berisha. Viti 1994… Ose siç e quan ai, doktori dobësia e ime. Qe një fushatë kontraverse për kohën. Për fuqizimin e rolit të presidentit. Dhe që mori një Jo të forte nga shqiptarët. Ndodhi atëhere kur PD-ja ishte në një shkëlqim gati popullor. Por që mendjet e mbushura, kujtojnë se drejtimi i një vendi është pjatë me sultjash turqie. Mjafton të të japin një lugë druri e ti mund të ngopesh. Në fakt atyre viteve nisi dhe rënia apo depresioni i shqiptarëve karshi demokracisë si sistem. Rënia e figurave emblemë. Dhe kjo u vulos me zgjedhjet parlamentare dy vite më pas. Ato të qershorit 1996. E mbaj mend si sot, shkova me time më për të votuar. Për së pari u habita se përse na e kishin shpënë qëndrën e votimit, tej në periferi, afër varrezës. tek disa depo magazi që dikur i përkisnin ndërrmarrjes së grumbullimit dhe përpunimit të duhanit. Aty më thanë, hej demokrat mos zbrit nga makina. Ke votuar. Ik, ta bëftë zoti hallall. U pamë sy më sy mëm e bir. I thashë atij zotërisë se, kësisoj hallalli të ngec në fyt. Hallall dhe një gotë dhallë dhe ec…. nuk e zgjata, por ka qënë çasti kur e kuptova se shteti, vendi, nuk bëhet me urra. Me përjashtime, përbuzje, sharje. Nuk bëhet me pabythësi etj. Por nejse, pastë fatin e atyre kohëve edhe ky, rasti i dytë…, presidenti i VII. Qoftë vet një tranzicion i përjetshëm. Ai dhe resorti i tij politik. Dhe jo, Shqipëria jonë.

4) Në politikën e këtyre viteve LSI erdhi si produkt i një grindje mes elefantëve të PS-së së kohës. Por që u fuqizua nga sherret perverse midis socialistëve dhe demokratëve. Ose më saktë nga komunikimi politik i ashpër mes Sali Berishës, Nanos, Ramës etj. Nga kultura e denoncimit nga foltoret e selive. Një kulturë vrastare që akoma vazhdon. Mjafton që liderët të denoncojnë që ky është kështu e ashtu. Dhe militantët e pasuesit më poshtë, bëjnë tifozllëk. Kjo të ndikuar edhe nga ajo mania e tipit shqiptar e marrjes nëpër gojë për njëri-tjetrin. Duke varrosur kështu një herë e mire faktin institucion. Si rrjedhojë sot në Shqipëri, të dënuar, diskriminuar, dëshpëruar, llafexhinj etj…, janë kontigjen i drejtësisë vet ata, shqiptarët, turma, populli. Me shumicë. Dhe asesi ndonjë nga politikanët. Politikanët janë kontigjent i luksit dhe akuzave. I pushtetit të përjetshëm .

LSI u fuqizua fal edhe sistemin të votimit, me këto formulat e votave në thes etj. Aq sa i gjori shqiptar nuk e kuptoi kurrë se si i përfundoi vota, që si një votues i djathtë përshembull, tek resorti i LSI-së.

LSI u fuqizua edhe nga shantazhi i tipit të baba Takut me valixhe në dorë. Nga rrjedhjet tek socialistët a demokratët.

Mjaft të të mos fuste në listë Rama. Mjaft të mos ishe në listen e Berishës. Gdhiheshe lësist’. Madje në kryesi e me deputetllëk të sigurt… Me qetësi dhe dashuri mund të pastrohej figura, dosjet, e më the e të thashë. Mund të dilje e t’i bëje karshillëk këtyre, Berishë e Ramë, me qetësi e dashuri. E tu kujtoje se sa shumë kishin humbur socialistët dhe demokratët. Ashtu si i bëri ai Lefteri i Kuçovës, Lulzim Bashës para disa ditëve. Si tha miku, ”pasi u relaksova këtu buzë detit në vilën time, e vendosa…, nga demokrat të bëhem socialist”. Dhe të varfrit fukara nga rrethinat e Kuçovës i duhet të kontribuojë për relaksin dhe vilat e Maliqiiit të nevrikosur. Jo për projektet që rregullojnë jetën e tij.

Dhe tjetra, unë nuk do kisha asgjë me LSI, sikur në këto 8 vite qeverisje me demokratët dhe socialistët të kishte marrë përsipër një përgjegjësi politike. Mbi dështimet, apo firot e mosmarrëveshjeve midis të majtëve dhe të djathtëve.

Nuk e mori. Veç gëzoi pushtet dhe mëkatet mbetën sa majtas e djathtas.

5) Bashkë me ne ka votime edhe Kosova. Pjesa veriore e kombit të shqiptarëve, Ose Dardania…. Madje ata votojnë tani afër, për 3 ditë. Të dielën më 11 qershor. Po shikoja mbrëmë në darkë televizionin e Dukagjinit. Një platformë të mirëfilltë fushate politike. Ndaj nuk kam frikë ta them se ndjeva neveri për mënyrën dhe formën e fushatës që bëhet në Shqipëri. Nuk kam frikë dhe turp ta them se ndjeva një varrosje për së gjalli si emigrant. Për faktin se një shqiptar i Kosovës, shtet prej pak vitesh, ka të drejtën e votës, kudo që jeton. Kurse një emigrant nga vendi amë, shtet me mbi njëqind vjet pavarsi, akoma nuk voton. Nga ana tjetër pashë kandidatë që flisnin me shifra, projekte nga Zvicra dhe deri Zelanda e re. Para një auditori që shtronte pyetje. Pashë kandidatë që flisnin me kohë të kufizuar. Dhe që njimend besonin në kontributin që donin të jepnin. Kurse në vendin amë, ka llafe…kohë me bollëk bythërrecash. Me urra e çurra. Një propogandë klasike dasimi, e bjerrje kombëtare.

Sepse në fushatë janë nga ai soj që vjen derë më derë e thotë, bëje për mua. Do e bësh për mua, se, e dhjesim bashkë. Nga ky soj daullexhinjësh që pasi qeverisi katër vite me Lenën dhe katër me Prenën. U tregon shqiptarëve se sa drogë merr njëri. Dhe se i paburrë është tjetri.

Ky soj, është presidenti i VII-të i vendit tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e dashurisë Ilir Meta, Ilir Levonja, Qetësia e humbur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT