Në politikën e këtyre viteve LSI erdhi si produkt i një grindje mes elefantëve të PS-së së kohës. Por që u fuqizua nga sherret perverse midis socialistëve dhe demokratëve. Ose më saktë nga komunikimi politik i ashpër mes Sali Berishës, Nanos, Ramës etj./
Nga Ilir Levonja/
1) Presidenti i sapo zgjedhur i shqiptarëve. I joti, imi, yni etj… Eshtë sot fushatisti më i madh. Më nervoz, më fyes, më përbuzës. Dhe padyshim më dorëlëpirësi. Një puthaburrash gjysmë të dehur. Me pensionim nga bijtë emigrantë. Një daullexhi votash. Një xheloz hilaq. Një makth i zgjuar vringthi. Pasi nuk ia fal vetes, por edhe atyre përreth parashikimin, për një afrim të mundësh mes socialistëve dhe demokratëve. Nuk ia fal vetes që strategjia se vendi mbi të gjitha, mund të kaloj përmes tyre dhe jo atij. Ndaj sot sheiku demode shqiptar, u thotë njerëzve se kryeministri pi doping. Kurse kreu i opozitës është një kalama pa shtyllë kurrizore. Dhe ta mendosh që para pak javësh, kaq gojë mjalt para mikrofonave të reporterëve. Si ai fëmija para lëpirëseve, plot qetësi, dashuri etj…, kërkonte këtë bashkëpunim si devizë e tij dhe resortit politik familjar me emrin LSI.
2) Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 86/1) përcakton se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Roli i tij konceptohet si faktor ekuelibri në jetën e vendit. Ai mund të cilësohet si një “mediator institucionesh dhe si një “pushtet asnjëanës”, domethënë si një pushtet që nuk përfshihet në lojën politike, por qëndron mbi palët dhe nuk kryhen asnjë funksion aktiv në përcaktimin dhe realizimin e drejtimit politik.
Ky shpjegim vjen nga webet e shtetit të shqiptarëve. Mbi rolin dhe funksionin e detyrës së presidentit të vendit. Nëse shqiptarët do kishin një kthjelltësi qytetare, mbi funksionin dhe rolin e një shtetari të lartë. Me siguri do ndjenin neveri për veten dhe presidentin e zgjedhur.
Mjafton kjo fushatë perverse. Që sheiku, baba Likja, qetësia dhe dashuria. Kjo që presidenti i VII-të, po bën për resortin e tij politik. Por me sa duket shqiptarët nuk janë të qartë në këtë pike.
3) Ilir Meta është rasti i dytë që një president bën fushatë nevrastenike. Për së pari e ka bërë Sali Berisha. Viti 1994… Ose siç e quan ai, doktori dobësia e ime. Qe një fushatë kontraverse për kohën. Për fuqizimin e rolit të presidentit. Dhe që mori një Jo të forte nga shqiptarët. Ndodhi atëhere kur PD-ja ishte në një shkëlqim gati popullor. Por që mendjet e mbushura, kujtojnë se drejtimi i një vendi është pjatë me sultjash turqie. Mjafton të të japin një lugë druri e ti mund të ngopesh. Në fakt atyre viteve nisi dhe rënia apo depresioni i shqiptarëve karshi demokracisë si sistem. Rënia e figurave emblemë. Dhe kjo u vulos me zgjedhjet parlamentare dy vite më pas. Ato të qershorit 1996. E mbaj mend si sot, shkova me time më për të votuar. Për së pari u habita se përse na e kishin shpënë qëndrën e votimit, tej në periferi, afër varrezës. tek disa depo magazi që dikur i përkisnin ndërrmarrjes së grumbullimit dhe përpunimit të duhanit. Aty më thanë, hej demokrat mos zbrit nga makina. Ke votuar. Ik, ta bëftë zoti hallall. U pamë sy më sy mëm e bir. I thashë atij zotërisë se, kësisoj hallalli të ngec në fyt. Hallall dhe një gotë dhallë dhe ec…. nuk e zgjata, por ka qënë çasti kur e kuptova se shteti, vendi, nuk bëhet me urra. Me përjashtime, përbuzje, sharje. Nuk bëhet me pabythësi etj. Por nejse, pastë fatin e atyre kohëve edhe ky, rasti i dytë…, presidenti i VII. Qoftë vet një tranzicion i përjetshëm. Ai dhe resorti i tij politik. Dhe jo, Shqipëria jonë.
4) Në politikën e këtyre viteve LSI erdhi si produkt i një grindje mes elefantëve të PS-së së kohës. Por që u fuqizua nga sherret perverse midis socialistëve dhe demokratëve. Ose më saktë nga komunikimi politik i ashpër mes Sali Berishës, Nanos, Ramës etj. Nga kultura e denoncimit nga foltoret e selive. Një kulturë vrastare që akoma vazhdon. Mjafton që liderët të denoncojnë që ky është kështu e ashtu. Dhe militantët e pasuesit më poshtë, bëjnë tifozllëk. Kjo të ndikuar edhe nga ajo mania e tipit shqiptar e marrjes nëpër gojë për njëri-tjetrin. Duke varrosur kështu një herë e mire faktin institucion. Si rrjedhojë sot në Shqipëri, të dënuar, diskriminuar, dëshpëruar, llafexhinj etj…, janë kontigjen i drejtësisë vet ata, shqiptarët, turma, populli. Me shumicë. Dhe asesi ndonjë nga politikanët. Politikanët janë kontigjent i luksit dhe akuzave. I pushtetit të përjetshëm .
LSI u fuqizua fal edhe sistemin të votimit, me këto formulat e votave në thes etj. Aq sa i gjori shqiptar nuk e kuptoi kurrë se si i përfundoi vota, që si një votues i djathtë përshembull, tek resorti i LSI-së.
LSI u fuqizua edhe nga shantazhi i tipit të baba Takut me valixhe në dorë. Nga rrjedhjet tek socialistët a demokratët.
Mjaft të të mos fuste në listë Rama. Mjaft të mos ishe në listen e Berishës. Gdhiheshe lësist’. Madje në kryesi e me deputetllëk të sigurt… Me qetësi dhe dashuri mund të pastrohej figura, dosjet, e më the e të thashë. Mund të dilje e t’i bëje karshillëk këtyre, Berishë e Ramë, me qetësi e dashuri. E tu kujtoje se sa shumë kishin humbur socialistët dhe demokratët. Ashtu si i bëri ai Lefteri i Kuçovës, Lulzim Bashës para disa ditëve. Si tha miku, ”pasi u relaksova këtu buzë detit në vilën time, e vendosa…, nga demokrat të bëhem socialist”. Dhe të varfrit fukara nga rrethinat e Kuçovës i duhet të kontribuojë për relaksin dhe vilat e Maliqiiit të nevrikosur. Jo për projektet që rregullojnë jetën e tij.
Dhe tjetra, unë nuk do kisha asgjë me LSI, sikur në këto 8 vite qeverisje me demokratët dhe socialistët të kishte marrë përsipër një përgjegjësi politike. Mbi dështimet, apo firot e mosmarrëveshjeve midis të majtëve dhe të djathtëve.
Nuk e mori. Veç gëzoi pushtet dhe mëkatet mbetën sa majtas e djathtas.
5) Bashkë me ne ka votime edhe Kosova. Pjesa veriore e kombit të shqiptarëve, Ose Dardania…. Madje ata votojnë tani afër, për 3 ditë. Të dielën më 11 qershor. Po shikoja mbrëmë në darkë televizionin e Dukagjinit. Një platformë të mirëfilltë fushate politike. Ndaj nuk kam frikë ta them se ndjeva neveri për mënyrën dhe formën e fushatës që bëhet në Shqipëri. Nuk kam frikë dhe turp ta them se ndjeva një varrosje për së gjalli si emigrant. Për faktin se një shqiptar i Kosovës, shtet prej pak vitesh, ka të drejtën e votës, kudo që jeton. Kurse një emigrant nga vendi amë, shtet me mbi njëqind vjet pavarsi, akoma nuk voton. Nga ana tjetër pashë kandidatë që flisnin me shifra, projekte nga Zvicra dhe deri Zelanda e re. Para një auditori që shtronte pyetje. Pashë kandidatë që flisnin me kohë të kufizuar. Dhe që njimend besonin në kontributin që donin të jepnin. Kurse në vendin amë, ka llafe…kohë me bollëk bythërrecash. Me urra e çurra. Një propogandë klasike dasimi, e bjerrje kombëtare.
Sepse në fushatë janë nga ai soj që vjen derë më derë e thotë, bëje për mua. Do e bësh për mua, se, e dhjesim bashkë. Nga ky soj daullexhinjësh që pasi qeverisi katër vite me Lenën dhe katër me Prenën. U tregon shqiptarëve se sa drogë merr njëri. Dhe se i paburrë është tjetri.
Ky soj, është presidenti i VII-të i vendit tonë.