• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerika gjithmonë mbështetje Kosovës

February 19, 2017 by dgreca

1 FlamuriFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Në pritje të delegacionit nga SHBA sot herët në mëngjesin me bardhësi bore në Prishtinë para Kuvendit të Kosovës ngrihej  Flamuri Amerika/

3 delegacioni

-Delegacioni nga Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve në Prishtinë. Ritheksohet përkrahja e fuqishme dypartiake e Kongresit të SHBA-ve për Kosovën/ 1 delegacioni

– Kosova është në axhendën e SHBA-ve, ashtu siç ka qenë nga të gjitha administratat dhe asgjë nuk ka ndryshuar, në aspektin e mbështetjes/

-Kryeministri Mustafa: Të arriturat e popullit të Kosovës, rezultat i përkrahjes së pazëvendësueshme të SHBA-ve/

1 Veseli

-Kongresmenët edhe në takim me kryeparlamentarin Veseli rikonfirmojnë mbështetjen amerikane për Kosovën/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 19 Shkurt 2017/ Kongresmenët amerikanë në takimet në Prishtinë rikonfirmojnë mbështetjen  SHBA për Kosovën. Një delegacion dypartiak nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve në vizitën dyditore si pjesë e Partneritetit të Dhomës për Demokraci (HDP) zhvilloi takime dje me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa e sot me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.Delegacioni dypartiak nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve përbëhet nga 20 anëtarë që punon drejtpërdrejtë me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve legjislative efikase, të pavarura dhe reaguese.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në takim me delegacionin dypartiak të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, udhëhequr nga kongresisti Peter Roskam, ku ishin të pranishëm edhe kongresisti i rangut më të lartë në Komisionin e Partneritetit të Dhomës për Demokraci (HDP), David Price, kongresisti Adrian Smith dhe kongresisti Gerry Connolly, i ka njoftuar gjerësisht për të arriturat e deritashme të Kosovë si dhe për prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, integrimet euroatlantike si dhe avancimin e sistemit arsimor dhe shërbimeve shëndetësore.Kryeministri Mustafa, i njoftoi kongresistët amerikanë edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, që lidhen me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përmbushjen e  marrëveshjeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e SHBA-së që po zhvillohet në Bruksel, raportet politike në Kosovë, transformimin e FSK-së dhe luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.Kongresistët Peter Roskam, David Price, Adrian Smith dhe Gerry Connolly,  pasi vlerësuan të arriturat në Kosovë, u interesuan për zhvillimet e ndryshme që lidhen me jetën parlamentare, zhvillimin ekonomik, luftën kundër dukurive negative siç janë radikalizmi dhe terrorizmi dhe çështje të tjera.Kongresisti Peter Roskam, në fjalën e tij theksoi përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën, duke u shprehur i impresionuar me progresin e deritashëm të Kosovës duke pas parasysh se ku ka qenë para pak vitesh dhe ku ka arritur tani.Kongresisti Roskam, po ashtu, inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përkushtimin e saj që hap pas hapi të avancohet zhvillimi i gjithanshëm dhe që Kosova të vazhdojë të jetë faktor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë, thekson njoftimi dërguar nga Qeveria.Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast theksoi se të gjitha të arriturat në Kosovë janë rezultat i përkushtimit të qytetarëve të Kosovës dhe përkrahjes së pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.“Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e të gjitha aspekteve të zhvillimit dhe që në partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të të realizojmë synimet e qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast.Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj.Në pritje të delegacionit për takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli sot herët në mëngjesin me bardhësi bore në Prishtinë para Kuvendit kosovar ngrihej  Flamuri Amerikan, krahas Flamurit Shtetëror të Kosovës e Flamurit të BE-së.Në pritje, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ishte i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Fikrim Damka dhe Slobodan Petroviç.Kryetari Veseli falënderoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për interesimin e vazhdueshëm të tyre për zhvillimet në vend, si dhe për mbështetjen e madhe e të pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në kohë dhe rrethana të ndryshme.Ai i njoftoi mysafirët nga Kongresi Amerikan për përparimet në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Veseli e konsideroi shumë të vyer për Kuvendin e Kosovës përkrahjen amerikane nëpërmjet programeve të ndryshme, në mbështetje të deputetëve dhe zyrtarëve të Administratës, të cilët kanë pasur mundësinë të mësojnë shumë nga përvojat e Kongresit.Kreu i Kuvendit tha se Kosova ndihet krenare për marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të, të cilat, siç konfirmoi kryetari Veseli, do të mbesin të përjetshme.“Pas vizitës disa ditore që kisha në Shtetet e Bashkuara ku mu konfirmua mbështetja e Administratës së re për Kosovën, kjo vizitë e kongresmenëve në përvjetorin e nëntë të pavarësisë është edhe një rikonfirmim i mbështetjes amerikane për Republikën e Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e këtij delegacioni, Peter Roskam dhe David Price, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Partneritet dhe Demokratizim të Kongresit Amerikan Kuvendit të Kosovës përmes NDI.“Kosova po ecën me hapa të sigurt drejt integrimeve euro-atlantike dhe Kosova është faktor stabiliteti në rajon, falë punës dhe përkushtimit të institucioneve por edhe falë mbështetjes së përhershme të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Udhëheqësi e delegacionit amerikan, Peter Roskam, nga ana e tij, theksoi se vjen me admirim të madh për Kosovën, të cilën e kanë zgjedhur për ta vizituar si shtetin e parë pas tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë, për tu njohur me rrugëtimin e saj, por edhe si miq, për të siguruar që kjo marrëdhënie është e fuqishme dhe mund të thellohet edhe më tej.Ai tha se Kosova është në axhendën e SHBA-ve, ashtu siç ka qenë nga të gjitha administratat dhe asgjë nuk ka ndryshuar, në aspektin e mbështetjes.“Ne përfaqësojmë Dhomën e Përfaqësuesve dhe kemi një marrëdhënie me Kuvendin e Kosovës. Mendojmë se një Kuvend i fuqishëm është një demokraci e fuqishme. Dëshirojmë që marrëdhëniet midis Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës të  jenë unike dhe specifike. Kosova është vendi ynë i parë, sepse ky vend është aq i rëndësishëm dhe e gjithë bota po shikon drejt Kosovës”, tha kongresmeni republikan Roskam, cituar në njoftimin e dërguar nga Kuvendi.Ndërsa kongresisti nga radhët e Partisë Demokratike, David Price, tha se SHBA-të kanë investuar në Kosovë dhe ky udhëtim në Kosovë tregon se pavarësisht ndërrimit të administratës, ajo ka mbështetje të parezervë nga Uashingtoni.Duke u përgjigjur në interesimin e kongresmenëve, nënkryetarët Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Sllobodan Petroviç, folën për raportet e brendshme, për raportet e Kuvendit me Qeverinë, për marrëdhëniet midis komuniteteve etj.Njoftimi dërguar nga Ambasada amerikane në Kosovë thekson se HDP-ja është një komision dypartiak me 20 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve që punon drejtë për drejtë me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur  zhvillimin e institucioneve legjislative efikase, të pavarura dhe reaguese.Më tej bëhet e ditur se, delegacioni që viziton Kosovën udhëhiqet nga Kryesuesi i HDP-së, kongresmeni Peter Roskam (Republikan-Illinois), dhe do të përfshijë kongresmenin e rangut më të lartë në këtë komision, David Price (Demokrat-Karolina e Veriut), pastaj kongresmenin Adrian Smith (Republikan- Nebraska), dhe kongresmenin Gerry Connolly (Demokrat-Virxhinia).Delegacioni takohet me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, anëtarë të shumtë të Kuvendit dhe shoqërisë civile, si dhe do të vizitojë pjesëtarët e ushtrisë së SHBA-ve me shërbim në Kosovë.Deklarata thekson se Delegacioni ka kënaqësinë që vie në Kosovë kaq afër Ditës së Pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të ritheksojë përkrahjen e fuqishme dypartiake të Kongresit të SHBA-ve për Kosovën. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të lëvizë në shtegun e përparimit drejtë integrimit evropian duke forcuar institucionet si Kuvendi, dhe duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika gjithmonë, Behlul Jashari, mbështetje Kosovës

Merkel takohet në Mynih me Mike Pence

February 18, 2017 by dgreca

Merkel kërkon forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Angela Merkel u takua me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, ku u bisedua për konfliktin në Siri dhe Ukrainë.

1 dori1

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih kërkon në konferencë (15-17.02) forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Jam e bindur se sfidat e botës së sotme, nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, ato kërkojnë përpjekje të përbashkëta”, tha Merkel në kuadër të takimit me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence të shtunën në Mynih. Merkel theksoi, se ka “bindjen e thellë” se ia vlen të luftojmë së bashku për struktura të përbashkëta multilaterale. Por ato duhet të përmirësohen së bashku, tha ajo duke theksuar se „të vepruarit bashkë na forcon të gjithëve”.Po ashtu Merkel zhvilloi edhe takimin e parë me përfaqësues të qeverisë së re të Donald Trump, me zëvendëspresidentin, Mike Pence. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert u shpreh se “në takim në qendër ishin marrëdhëniet e ngushta bilaterale e miqësore, si edhe sfidat e përbashkëta në politikën e jashtme.” Merkel bisedoi me Mike Pence edhe për konfliktin në Siri dhe Ukrainë.

Jo rritje masive të buxheteve të mbrojtjes

Lidhur me kërkesat amerikane për më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjemania nuk mund të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në mënyrë kaq masive, si kërkohet nga qeveria amerikane. Gjermania nuk mund të rrisë buxhetin më shumë se 8% në vit tha ajo. “Më shumë nuk mund të bëhet faktikisht”, tha Merkel të shtunën në Mynih. Por ajo theksoi se mbështet qëllimin e NATO-s që më së voni deri në vitin 2024 të ofrohet së paku 2% e prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjes. “Gjermania e di përgjegjësinë e saj”, tha Merkel duke theksuar se ajo nuk është për diskutime minimizuese, kush është më i militarizuar e kush jo.

Filed Under: Analiza Tagged With: me Mike Pence, merkel, takohet në Mynih

Nëntë vjet shtet

February 17, 2017 by dgreca

Nga Zijadin Gashi/


Kosova shënon sot nëntëvjetorin e pavarësisë së saj. Shteti më i ri evropian vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave, por “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.

Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio

Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio

Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në sknadinavi.Kurse, në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi.Por, tregimi i bukur për Kosovën, zbehet kur shihet ana tjetër e zhvillimit të brendshëm, funksionimit të institucioneve dhe pafuqia në vendimmarrje.Edhe nëntë vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të populluar nga shumica serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.Kurse në planin e jashtëm, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke mos e vën në plan afatshkurtë mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore, mbajtja e strukturave paralele të pushtetit dhe diplomacia agresive kundër shtetit të Kosovës, kishte shtyrë BE-në që në vitin 2011 të niste një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu, po vazhdon ende, por përmbyllja e procesit me normalizim të marrëdhënieve nuk duket të jetë afër.

Paraprakisht, Kosova kishte fituar betejën e parë ndërkombëtare ndaj Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 kumtoi verdiktin, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.Në aspektin e brendshëm, dy vitet e fundit Kosova ndodhet buzë kolapsit në vendimmarrje. Raportet pushtet – opozitë, kanë rrezikuar seriozisht vendimmarrjen, madje edhe për çështjet e cilësuara si interes nacional, siç është liberalizimi i vizave, për çka pushteti dhe opozita nuk arritën të vendosin as një komunikim normal për tejkalimin e krizës.Krahas funksionimit jo efikas të institucioneve, mungesa e sundimit të ligjit, sidomos në planin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten kritere ende të papërmbushura në nivelin e kënaqshëm, çka potencohet edhe nga Bashkimi Evropian.

Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova rënditet vendin e 95-të, në mesin e 178 vendeve të vlerësuara. Luftimi i kësaj dukurie është po ashtu kusht që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.Me një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, Kosova nuk po arrinë të zbus papunësinë dhe varfërinë.Sipas shifrave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj. Ndërkohë që shifrat jo zyrtare, flasin për një shkallë shumë më të lartë të papunësisë.

17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së pavarësisë

17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së pavarësisë

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës.

Shpalljes së pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), pati pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajërore të NATO-s, mbi caqet serbe.

Festimet e përvjetorit të shtatë të pavarësisë

Festimet e përvjetorit të shtatë të pavarësisë

Andaj, krahas misionit administrues të OKB-së, në Kosovë ishte vendosur edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it, e cila vazhdon të mbetet në Kosovë si forcë mbrojtëse, ndonëse aktualisht me një numër shumë më të vogël ushtarësh.

Me gjithëse në Kosovë kishte ndërhyrë NATO, kapitulli i luftës nuk është mbyllur ende.

Në mungesë të funksionimit efikas të sistemit të drejtësisë, Kosova mund të përballet me situata të paparashikueshme këtë vit, për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë pritet të trajtojë disa krime që dyshohet se janë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës civile serbe. (REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: 9 vjet shtet, kosova

Kosova, stabilitet i rajonit

February 14, 2017 by dgreca

-Kryediplomati i Norvegjisë, Børge Brende në Prishtinë: Ka jostabilitet në rajon, por ne shpresojmë se Kosova, edhe në vitet në vijim, të jetë eksportuese e stabilitetit. Kjo është shumë e rëndësishme/

-Minsitri i jashtem i Kosoves Hoxhaj pret mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik të Kosoves/

unnamed-Norvegjia  është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së/

PRISHTINË, 14 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Borge Brende, sot në Prishtinë në takim me presidentin e Republikës, Hashim Thaçi, ku u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, tha se miqësia dhe partneriteti mes Kosovës dhe Norvegjisë është i fuqishëm, porse ai do të thellohet edhe më shumë.“Ka jostabilitet në rajon, por ne shpresojmë se Kosova, edhe në vitet në vijim, të jetë eksportuese e stabilitetit. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne e mbështesim fuqishëm punën tuaj drejt integrimeve evropiane dhe partneritetit më të ngushtë me NATO-n. Ne jemi një ndër shtetet që kanë vazhduar partneritetin me vendin tuaj për sa i përket zhvillimit ekonomik, sepse besojmë se duhet të ketë vende pune dhe investime në Kosovë”, theksoi kryediplomati norvegjez, Borge Brende.Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin e Jashtëm të Norvegjisë për mesazhet e tij inkurajuese për të ardhmen e Kosovës dhe për të ardhmen evropiane të rajonit, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë gjithmonë Kosovës. “Kosova do të vazhdojë t’i ruaj raportet speciale me Norvegjinë, një shtet që ka mbështetur gjithmonë paqen, stabilitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ministrin e Jashtëm të Norvegjisë e informova për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shpresën tonë që të arrijmë marrëveshje të reja. Ky normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton një paqe dhe stabilitet për krejt Ballkanin”, deklaroi presidenti Thaçi.Duke folur për bashkëpunimin ndërshtetëror, presidenti Thaçi tha se ky bashkëpunim me Norvegjinë do të vazhdojë në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe të sigurisë. Presidenti Thaçi dhe kryediplomati norvegjez diskutuan edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në luftën kundër fundamentalizmit, kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, që Kosova dhe rajoni të kenë sa më shumë paqe, siguri, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

unnamed (1)Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon.Duke e falënderuar për përkrahjen e madhe të Norvegjisë, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në ekonomi. “Kosova ofron kushte të shumë të favorshme për investitorët norvegjezë të cilët mund të shfrytëzojnë edhe Ligjin për Investime Strategjike, që tashmë ka hyrë në fuqi, që të jenë sa më prezentë me investimet e tyre shumë të mirëpritura në Kosovë”, tha kryeministri, duke shtuar se Norvegjia ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës.Më tej, kryeministri Mustafa e ka njoftuar për proceset tjera në Kosovë, për rrugën euroatlantike të Kosovës si dhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar, për proceset evropiane, si dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet fqinje.Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, shprehu përkrahjen e mëtejme të Norvegjisë për Kosovën, në shumë fusha.Duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani në Kosovë, ministri Brende, shprehu vullnetin e Norvegjisë për fuqizimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve.Gjatë takimit, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në fushën e drejtësisë, ekonomisë, në fushën e barazisë gjinore si dhe në fusha të tjera.

unnamed (2)Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti poashtu sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Borge Brende, me të cilin bisedoi për raportet që të dy shtetet kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të tyre, në interes reciprok.Kryetari Veseli e njohu kryediplomatin norvegjez me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti me jetën parlamentare.Veseli e falënderoi Brende për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, ndërsa theksoi nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, ashtu edhe procesin euro-integrues dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.Marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore me Norvegjinë, Veseli i konsideroi si vlerë të veçantë për Kosovën, të cilat, sipas tij, kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.Ministri i jashtëm norvegjez, Borge Brende, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë e veçantë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe për zhvillimet pozitive në vendin tonë.Kreu i diplomacisë norvegjeze konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij për Kosovën dhe aspiratat e saj euro-atlantike, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për të gjithë rajonin.  Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Børge Brende, po viziton sot Kosovën, ku në takimet e zhvilluara gjatë pasditës në axhendë është edhe pritja nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.Pas takimit, ministrat Hoxhaj dhe Brende  do të mbajnë konferencë të përbashkët shtypi në ambientet  qeverisë së Kosovës.Norvegjia  është shteti i 34-të që ka njohur Kosovën në 28 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së.

Hoxhaj pret mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik të Kosoves/

Enver-Hoxhaj-e-Børge- Brende-Prishtine-14shkurt2017

Prishtinë, 14 shkurt 2017/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar homologun e tij norvegjez, Børge Brende.  Duke e falenderuar për përkrahjen e vazhdueshme që Norvegjia ia ka ofruar Kosovës në shtetndërtimin e saj, ministri Hoxhaj ka theksuar se shteti norvegjez vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, të cilën po vazhdon ta përkrah edhe më tej në konsolidimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.Me këtë rast Hoxhaj ka bërë me dije se me ministrin Brende, kanë disktuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të ndryshme si në ekonomi, në çështjen e sigurisë si dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. “Kemi biseduar si të rrisim mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe si të kemi investitorë nga ky shtet. Për këtë në një të ardhme do të organizojmë një forum të përbashkët ekonomik me qëllim të tërheqjes së investimeve nga Norvegjia”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se falë përkrahjes së vazhdueshme nga ky shtet, Kosova vazhdon të mbetet faktor stabilieti, i sigurisë dhe i paqes në rajon. Ndërsa ka shtuar se ka kërkuar ndihmë nga homologu i tij edhe për ndërtimin e marrëveshjeve kontraktuale ndëmjet Kosovës dhe NATO-së.Hoxhaj është shprehur se Republika e Kosovës pret që ky shtet të vazhoj ta përkrah Kosovën edhe më tej gjatë procesit të aplikimit në organizatat ndërkombëtare si dhe të përfitoj nga përvoja norvegjeze për shtrirje të sovranititeti përmes anëtarësimit.Nga ana tjetër ministri, Brende derisa ka kujtuar se shteti i tij ka përkrahur në vazhdimësi Republikën e Kosvës, ka theksuar se Norvegjia është mbështetëse e madhe e agjendës së Kosovës. Si shtet anëtar i NATO-së, ai ka deklaruar se Norvegjia brengoset për Ballkanin Perendimor dhe siç ka shtuar ai ky shtet dëshiron të jetë partner në rritjen e stabilitetit në këtë pjesë të rajonit.Ndërsa,  sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ministri Brende ka vlerësuar se është një proces shumë i rëndësishëm dhe se Norvegjia e mbështet plotësisht këtë proces.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Børge Brende, kosova, Kryediplomati i Norvegjisë, stabilitet i rajonit

Kosova Republikë- Dosje sekrete britanike 1981

February 13, 2017 by dgreca

“Kosova Republikë – dosje sekrete britanike 1981“, është libri më i ri i përgatitur nga studiuesi Bejtullah Destani dhe që së shpejti do të jetë në duart e lexuesve dhe studiuesve. Libri është hartur me materiale nga Arkivat Kombëtare Britanike dhe përfshin raporte të ambasadës britanike në Beograd mbi ngjarjet e trazuara në Kosovë më 1981.

1 bejtullah_destani_2 Libri është i një rëndësie të veçantë për historinë e Kosovës pasi hedh dritë mbi fakte të shumta të cilat tregojnë për situatën politik0-ekonomike në ish-Jugosllavi dhe arsyen e revoltës së shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.Demostratat e ’81-shit filluan me revoltën e studentëve të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mencën e studentëve në Prishtinë.

Ndërhyrja e shërbimit policor dhe arrestimi i një numri të madh të studentëve bëri që të shpërthejë demostrata e organizuar e studentëve më 11 mars e cila u shtyp me dhunë dhe përsëri u paraburgosën studentë të shumtë.

Me këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-ës, ku punëtorët mblidhen në tubime dhe kërkojnë lirimin e bijve të Kosovës të ndaluar me dhunë nga policia. Edhe këto tubime të cilat u quajtën Demostratat e Punëtorëve u shtypën me dhunë nga organet policore shtetërore. Po kështu shteti nuk mënoi të dërgonte për “stabilizimin e situatës” as forcat militare ushtarake. Gjëndja vazhdoi të tensionohet dhe pas dy muajve në Kosovë u shpall gjendja e jashtzakonëshme e cila u pasua me Shterrethim.

Charles Crawford, nëpunës i informacionit pranë ambasadës Britanike në Beograd, duke i përshkruar këto trazira shkruan më 15 korrik 1981:-

“Në letrën që ju kam dërguar më 10 qershor, paragrafët 4-8, bëjnë fjalë për Universitetin e trazuar të Prishtinës. Politika e 17 qershorit njoftoi se është emëruar një rektor të ri (dr. Minir Dusi). Gjithashtu u caktuan dy pro-rektorë të rinj, një serb dhe një shqiptar,; serbi u zgjodh unanimisht edhe pse ai në mënyrë të “pasukseshme” e kishte “lutur” Këshillin e Universitetit që për arsye shëndetësore të mos e paraqiste kandidaturën e tij”.

Krerët e Beogradit u munduan të manipulonin faktet duke u përpjekur ta paraqisnin gjendjen e krijuar si makinacion politik të drejtuar nga Tirana zyrtare dhe ndërhyrje në punët e brendëshme të Jugosllavisë dhe jo si rebelim i vetë shqiptarëve të Kosovës. Në raportet e nxjerra nga arkivat britanike, hidhet dritë mbi këto fakte. Ato qartësojnë situatën politike të kohës në ish-Jugosllavi si dhe arsyet e rebelimit të popullsisë duke mohuar influencën e politikave të jashtme në këtë çështje. Sipas raporteve, kosovarët donin republikën e tyre si një prelud për realizimin e ëndrrës së tyre të “Shqipërisë së madhe”.

Raporti i ambasadës britanike i datës 1 korrik 1981 misur nga Beogradi thekson:-

“Një “bombë” misterioze që shpërtheu në Ambasadën Jugosllave në Tiranë më 23 maj ka shënuar një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve, ashtu si edhe akuzat nga ana e jugosllavëve për përfshirjen personale të ambasadorit shqiptar në aktivitetet subversive në Kosovë, p.sh. organizimin e paligjshëm të “troikas”. Polemika publike vazhdon pa ndërprerë, me shqiptarët që japin arsyetime historike për vendosjen e statusit të republikës për Kosovën, dhe jugosllavët që publikojnë aspektet më të këqija të jetës në Shqipëri, veçanërisht në atë se si ndikon kjo tek pakicat maqedonase dhe malazeze në atë vend. Jugosllavët vazhdojnë të akuzojnë shqiptarët për ndërhyrje flagarante në punët e tyre të brendshme, dhe lënë të kuptohet për ndikime të tjera të jashtme në ngjarjet e Kosovës. Sigurisht, siç thonë jugosllavët, Tirana ka përdorur efektivisht marrëdhëniet kulturore dhe edukative për të nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Por Beogradi nuk ka dhënë ende asnjë provë të bazuar të aktivitetit subversiv të drejtuar nga Tirana. Po kështu ata nuk kanë lejuar që situata të përkeqësohet deri në masën e prishjes apo të pezullimit të marrëdhënieve me Shqipërinë.  Në vend të kësaj, ata kanë marrë një sërë masash praktike, p.sh. pezullimin e marrëveshjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë apo rritjen e radio transmetuesit të Prishtinës në përpjekje për t’iu kundërvënë ndikimit ideologjik të Tiranës mbi Krahinë.

Linja zyrtare e paraqitur në nivelin më të lartë federal është se Jugosllavia vazhdon të kërkojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, por tani e tutje në aspektin e barazisë dhe reciprocitetit të rreptë. Të gjitha marrëveshjet e ardhshme me Shqipërinë do të bëhet në nivel Federal, d.m.th. në nivelin ndërshtetëror dhe jo nëpërmjet protokolleve të negociura lokalisht”.

Sipas diplomatëve britanikë shkaqet e trazirave ndërmjet shqitarëve kanë ardhur jo për arsye politike të implenjimit të qarqeve të Tiranës zyrtare por për shumë arsye të problemeve të politikës së brendëshme dhe atyre ekonomike.

Gjithmonë sipas raporteve gjejmë se:- “Beogradi ishte paralajmëruar nga [Edvard ]Kardelj në vitin 1977 se situata politike dhe ekonomike në Kosovë ishte e mjerueshme dhe se po përgatitej një kundër-revolucion. Megjithatë, Beogradi zgjodhi ta hedhë poshtë vlerësimin e tij, me sa duket për të shmangur provokimin e një konfrontimi me shqiptarët kosovarë duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme”.

Në një raport të përgatitur nga Miller më 1 qershor 1981 theksohet mendimi i klasës intelektuale jugosllave dhe pikërisht i një grupi juristësh të së drejtës kushtetuese jugosllave të cilët disa vite para shpërthimit të kryengritjeve kishin paraqitur gjithashtu një raport mbi qëndrimin e tyre ndaj çështjes kosovare. Ata mendonin se pozita kushtetuese e Kosovës ishte e papërshtatëshme. Raporti vinte në pah rreziqet të cilat mund të haseshin në të ardhmen nëse Kushtetuta e Serbisë dhe e Kosovës nuk amendoheshin për të marrë parasysh anomalitë e dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Raporti u hodh poshtë nga autoritetet Federale dhe juristëve u tha të mbyllnin gojën dhe të merreshin me detyrën e tyre (d.m.th. pozitën e shteteve në Federatë dhe jo vetë Jugosllavinë).

Ja çfarë thuhet në raport:-

“Kosova: Pozita Kushtetuese

  1. Në një darkë me z. dhe znj Raudenbush të Ambasadës së SHBA më 12 qershor, takova një avokat të së drejtës kushtetuese nga Universiteti i Beogradit, Dr Vladimir Kilibarda, i cili është specializuar në kushtetutat e shteteve federale. Dr Kilibarda ka studiuar në Shtetet e Bashkuara (kështu që flet shkëlqyeshëm gjuhën angleze) dhe besoj e ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Stanfordit. Ai është një mik i ngushtë (edhe pse të paktën dhjetë vjet më i ri) dhe partner në lojën e tenisit me Dr Gjurisiç. Ai ka lindur në Pejë.
  2. Dr Kilibarda u shpreh në mënyrë tepër interesante dhe shumë të hapur mbi pozitën kushtetuese të Kosovës, të cilën ai e përshkroi si “të papërshtatshme”. Ai më tha se tre apo katër vite më parë, ai dhe disa kolegë të cilët ishin juristë të së drejtës kushtetuese, kishin paraqitur një artikull lidhur me qëndrimin e tyre mbi Kosovën, i cili vinte në pah rreziqet të cilat mund të haseshin në të ardhmen nëse Kushtetuta e Serbisë dhe e Kosovës nuk amendoheshin për të marrë parasysh anomalitë e dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Ky artikull u refuzua nga autoritetet Federale dhe juristëve u tha të mbanin gojën mbyllur dhe të merreshin me punët e tyre (d.m.th. pozitën e shteteve në Federatë dhe jo Jugosllavinë).
  3. Sipas Dr Kilibarda pozicioni aktual i Kosovës tani është i pashpresë. Situata është përkeqësuar së tepërmi dhe është tepër vonë për amendimet e duhura kushtetuese pasi në çdo rast, autoritetet federale i kanë përjashtuar ato në mënyrë specifike. Trazirat e tanishme vetëm mund të mbahen nën kontroll por ato nuk mund të eliminohen plotësisht, dhe ato do të bëhen një faktor gjithnjë e më shqetësues në jetën e Federatës Jugosllave.
  4. Dr Kilibarda u shpreh se formula “Republika e Kosovës”, pavarësisht faktit që është tepër e papëlqyeshme nga serbët, është e vetmja formulë logjike sipas ligjit ndërkombëtar. Fjalimet e Titos dhe referencat e paqarta për “plebishite” dhe Aktin Final të Helsinkit, nuk ishin të mjaftueshme. Por Jugosllavia do të duhet të jetojë me kontradiktat e Kosovës, pasi në fund të fundit ishte në rrezik integriteti i Federatës dhe kjo natyrisht, si ne dhe shtetet e tjera perëndimore që e kishin dalluar diçka të tillë, ishte e një rëndësie të madhe si për Jugosllavinë ashtu dhe për pjesën tjetër të Evropës.
  5. Dr Kilibarda këmbëngulte në qëndrimin e tij se pas parullës “Kosova-Republikë” nuk ishin makinacionet e Tiranës, Moskës apo ndonjë kryeqytet tjetër të huaj, por vetë ato të shqiptarëve të Kosovës. Ishte një rast i irredentizmit të Prishtinës që nuk drejtohej nga Tirana. Kosovarët donin republikën e tyre si një prelud për realizimin e ëndrrës së tyre të “Shqipërisë së madhe”. Kjo do të thotë vendosjen e nocionit të tyre për shtetin shqiptar dhe rendin shoqëror në Shqipëri të cilat ata duan ta transformojnë nga aspekti social, ekonomik dhe politik pas largimit të Hoxhës. Nëse trazirat në Kosovë arrijnë ta përshpejtojnë këtë gjë, nga pikëpamja e kosovarëve do të qe edhe më mirë. Dr Kilibarda vuri në dukje se shumë pak prej parullave ishin në fakt “pro-Hoxhës” pasi ato ishin thjesht pro-shqiptare. Por natyrisht autoritetet federale e kanë paraqitur gjendjen nën një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm, d.m.th., që demonstruesit me sa duket duan ti bashkohen Shqipërisë në gjendjen që është tani ose të imponojnë stalinizmin në vendin e tyre (që vështirë të besohet).
  6. Kur i thashë se për atë që më kishte thënë mund të kuptohej pjesërisht edhe nga një studim i ngushtë i shtypit jugosllav (pas mungesës fillestare të informacionit në lidhje me atë që kishte ndodhur në Kosovë për shumë vite), Dr Kilibarda u shpreh se ishte dakord. Ai tha se shtypi tashmë është duke luajtur një rol shumë pozitiv në informimin e njerëzve mbi rreziqet e situatës, e cila ishte me të vërtetë e rëndë. Kjo nuk ishte diçka që i pëlqente të gjithëve në Beograd apo Prishtinë. Ajo ka treguar në fakt se si shtypi është zhvilluar në një “forcë politike” në Jugosllavi dhe ishte gjithnjë e më e vështirë, pas vdekjes se Titos, për ta heshtur atë. Shumica e gazetave me reputacion në ditët e sotme e shikonin rolin e tyre të investigimit si më të rëndësishëm se roli i informimit të publikut Jugosllav në lidhje me çfarë po ndodhte.
  7. Si federalist që është Dr Kilibarda ishte qartësisht në favor të forcimit të makinerisë Federale dhe kundër çdo transferimi të mëtejshëm të pushtetit politik në kryeqytetet e republikave. Këtu Kosova kishte dhënë një mësim të vlefshëm. Nëse pushteti politik do të ishte më i përqendruar në Beograd, ngjarjet në Kosovë mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe situata aktuale ndoshta do të ishte shmangur. Ai pohoi se qëndrimi i tij nuk ishte i pranueshëm nga të gjithë (ai vetë nuk kishte mendim të tillë disa vjet më parë), por të paktën një rikthim i kufizuar i centralizimit do të ishte i nevojshëm për stabilitetin e Jugosllavisë në të dy aspektet si politik ashtu edhe ekonomik. Ai tha se [Veselin] Đuranović , të cilin ai e admironte, duhet që si kryeministër i Federatës të ketë kompetenca shumë më të gjera dhe jo vetëm të një natyre ekzekutive”.

Sipas një raporti tjetër të përgatitur më datë 15 korrik 1981, nga nëpunësi i informacionit Charles Crawford thuhet se trazirat kishin kapërcyer kufijtë e Krahinës së Kosovës. Ato kishin përfshirë edhe rajonë të tjera shqiptare në Jugosllavi, veçanërisht në Maqedoninë Perëndimore. Raporti në fjalë thekson se:-

“Aktiviteti nacionalist shqiptar vazhdon në Maqedoninë Perëndimore, edhe pse ajo ka marrë formën e broshurave, bojkoteve shkollore dhe, në një shkallë më të vogël por të përhapura janë çrregullimet serioze në publik. Në Kosovë, masa do të merren kundër kreut të TV Prishtinës i cili është përfshirë në një incident armiqësor. Në Ferizaj gjendja e sigurisë mbetet e “komplikuar” dhe në Universitetin e Prishtinës janë emëruar një rektor dhe dy pro-rektorët e rinj. Ekonomia e Kosovës është në krizë.

Gazeta Politika pasqyroi, ndërmjet datave 2 dhe 13 korrik, raporte të shumta të manifestimeve të nacionalizmit shqiptar në pjesë të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. … Ajo kishte zbuluar se 26 persona të dënuar për pjesëmarrje në demonstrata në vitin 1968 kishin rifituar vende pune në sferën e arsimit; në të vërtetë disa ishin bashkuar me Partinë. U zbulua gjithashtu se në vitet e fundit pothuajse 10.000 shqiptarë ishin shpërngulur nga Kosova dhe ishin vendosur në rajonin e Tetovës. Gjatë natës së 8/9 korrikut rrugët e Tetovës ishin “barikaduar” dhe aty shkruhej se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejta. Ndërkohë, në Gostivar u shfaqën slogane nacionaliste. Në Kërçovë shkollat u bojkotuan për 23 ditë. Në fshatin Greshnicë një foto e Titos ishte grisur dy herë. Kërcënime janë bërë ndaj zyrtarëve lokalë (duke përfshirë disa shqiptarë) të angazhuar në veprimtari anti-nacionaliste.

Siç raporton Politika më 6 korrik, situata në qytetin e Ferizajt dhe përreth tij është ende “e komplikuar”, pavarësisht nga fakti se janë identifikuar 400 pjesëmarrës në demostratat armiqësore. Në një takim të konferencës lokale komunale ankesa, tashmë të ditura, janë bërë për faktin se “diferencimi” po ecën ngadalë dhe pa rezultat. “Kjo situatë është shkaktuar nga sjelljet liberale dhe oportuniste”- tha një anëtar i presidiumit të Lidhjes Komuniste të Kosovës, duke shtuar se:- “ne të gjithë jemi fajtorë për atë që po ndodh”.

Trazirat e brendëshme në vend patën një impakt negativ në ekonominë e vetë Krahinës Autonome të Kosovës që edhe para tyre ishte ne gjendje të mjeruar. Në raportet e dala nga ambasada Britanike mbi impaktin e trazirave mbi ekonominë theksohet:-

“Raportet se sa, në mos e gjitha, ekonomia e Kosovës është ndikuar nga trazirat kanë qenë kontradiktore, por më 14 korrik Politika raportoi se Presidenca e Kosovës dhe presidenca e Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK) kishte marrë në shqyrtim pozitën ekonomike e Krahinës dhe e gjeti atë “kryesisht të pakënaqshme”. Synimet e vendosura për zhvillimin e Kosovës në vitin 1981 nuk janë përmbushur gjë që e bën gjendjen ekonomike “shumë të komplikuar”. Pengesa në të gjitha fushat kanë spikatur veçanërisht në periudhën pas demostratave. Është ngritur një grup pune për të përgatitur një raport të problemeve për mbledhjen e ardhshme të presidencës së LKK”.

Duke përshkruan situatën më tej, raportet venë në dukje se:-

“Situata politike po qetësohet shumë ngadalë. Programi i veprimit i shpallur nga Presidenca e Kosovës, e cila i kërkon Partisë dhe organizatave të tjera të spastrojë ata që morën pjesë në demostratat apo mbështetën nacionalistët, po zbatohet me vështirësi. Shtypi raportoi shembuj të shumtë të rezistencës aktive dhe pasive, që variojnë nga refuzimi për t’iu bindur direktivave të Partisë, nëpërmjet shmangies flagrante të përgjegjësisë nga ana e Partisë dhe zyrtarëve komunal, deri në në dorëheqjen e vonuar dhe shumë ngurrese të një pjese të figurave kryesore në udhëheqje dhe në Universitet”.

Megjithatë, trazirat e brendëshme në Jugosllavi morën një dimension ndërkombëtar. Raportet theksojnë se nuk ka dëshmi të përfshirjes sovjetike në këto trazira. Lidhur me këtë ambasadori britanik në Beograd, Edwin Bolland, në një letër drejtuar Sekretatir të Shtetit për çështjet e jashtme dhe të Commonëealth shkruan:-

“… Grličkov, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve, në një bisedë me mua më 6 prill, pohoi shprehimisht mospërfshirjen e Moskës në këto trazira. Përfshirja e Shqipërisë, edhe pse mohohet zyrtarisht në Tiranë dhe nuk e pranohet haptazi në Beograd, është e mundur. Sigurisht tundimi për të ndërhyrë duhet të jetë i fortë, kur përtej kufirit jetojnë gjysma e numrit të shqiptarëve etnikë që janë në Shqipëri. Gjithashtu Tirana bëri të qartë në një artikull me fjalë të forta në gazetën “Zëri i Popullit”, më 8 prill, që e vuri Jugosllavinë në vështirësi, se Shqipëria kishte të njëjtën të drejtë si Jugosllavia apo ndonjë vend tjetër për të mbrojtur pakicat e veta kombëtare. Për më tepër, ambasadori shqiptar këtu nuk e fsheh pakënaqësinë e vendit të tij lidhur me kufijtë e tanishëm me Jugosllavinë. Por, udhëheqës të ndryshëm jugosllavë kanë vënë në dukje se stabiliteti në Kosovë është po aq në interes të Shqipërinë saç është në interes të Jugosllavisë. Ata mund të kenë shtuar se kjo aplikohet veçanërisht pasi Enver Hoxha po i afrohet fundit të mbretërimit të tij, kur mund të zhvillohet një luftë për pushtet. … Ka disa prova për përfshirje në demostrata të kosovarëve që kthehen nga jashtë të cilët mund të kenë qënë në kontakt me protestat e emigrantëve në pjesë të ndryshme të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara, duke treguar, të paktën, mbështetje morale për demostruesit e Kosovës”.

Ambasadori Bolland në raportin e tij vazhdon:-

“Ngjarjet në Kosovë qenë si një paralajmërim i ashpër për udhëheqjen jugosllave ndërkohë që ajo përfundoi vitin e parë të pushtetit  pa Titon. Megjithatë, ata zbuluan se kjo nuk është një gjendje e re por, më tepër është një problem tipik të cilin, me gjithë autoritetin dhe karizmën e tij, as Tito nuk kishte qenë në gjendje për të zgjidhur. Ata e pranojnë faktin se as udhëheqësit aktuale nuk janë në gjendje ta zgjidhin. …

Shtrohet pyetja:- A ndikojnë ngjarjet në Kosovë tek ne? Ato ndikojnë deri në masën sa autoritetet jugosllave mund të pritet të tregojnë një shqetësim në rritje për unitetin dhe integritetin territorial të tyre, dhe si pasojë një ndjeshmëri më të mprehtë ndaj nacionalizmit si një forcë shkatërruese, më veçanërisht siç shprehet në aktivitetet e emigrantëve apo fqinjët të tyre. Ne mund të bëjmë fare pak për të përmbushur kërkesat jugosllave për të ndaluar emigrantët e tyre armiq dhe veç kësaj nuk kemi ndërmend të përfshihemi në konfliktet lokale të Ballkanit. Por, me deklaratën e fortë të vitit të kaluar mbi vlerat e vendosjes së pavarësisë dhe integritetit në vendin e tyre, kryeministri i dha shumë kënaqësi në jugosllavëve. Vizita e ardhshme e Sekretarit të Jashtëm, z Vrhovec, në Londër, në qershor, do të na japë edhe një tjetër mundësi për ta riafirmuar këtë mbështetje”.

Duke shfletuar raportet kupton se politika britanike që më 1981 i ka paraparë problemet e pasigurisë dhe të mosstabilitetit në Kosovë dhe më gjerë për periudhën në vazhdim. Kështu, në një raport të përgatitur nga britanikët thuhet:-

“Kosova ka pasur efekte pozitive dhe negative. Parë në afat të shkurtër, stabiliteti do të vendoset edhe pse mund të priten shpërthime sporadike. Qetësia e Jugosllavisë së pas Titos është tronditur shumë dhe e parë në afat më të gjatë situata është e pasigurt”.

Këto dhe shumë të tjera tregohen qartë nga raportet britanike të përfshira në librin “Kosova Republikë – dosje sekrete britanike 1981” i cili do të jetë së shpejti në duart e lexuesve.

Filed Under: Analiza Tagged With: - Dosje sekrete, Bejtullah Destani, britanike 1981, Kosova Republikë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT