“Kosova Republikë – dosje sekrete britanike 1981“, është libri më i ri i përgatitur nga studiuesi Bejtullah Destani dhe që së shpejti do të jetë në duart e lexuesve dhe studiuesve. Libri është hartur me materiale nga Arkivat Kombëtare Britanike dhe përfshin raporte të ambasadës britanike në Beograd mbi ngjarjet e trazuara në Kosovë më 1981.
Libri është i një rëndësie të veçantë për historinë e Kosovës pasi hedh dritë mbi fakte të shumta të cilat tregojnë për situatën politik0-ekonomike në ish-Jugosllavi dhe arsyen e revoltës së shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.Demostratat e ’81-shit filluan me revoltën e studentëve të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mencën e studentëve në Prishtinë.
Ndërhyrja e shërbimit policor dhe arrestimi i një numri të madh të studentëve bëri që të shpërthejë demostrata e organizuar e studentëve më 11 mars e cila u shtyp me dhunë dhe përsëri u paraburgosën studentë të shumtë.
Me këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-ës, ku punëtorët mblidhen në tubime dhe kërkojnë lirimin e bijve të Kosovës të ndaluar me dhunë nga policia. Edhe këto tubime të cilat u quajtën Demostratat e Punëtorëve u shtypën me dhunë nga organet policore shtetërore. Po kështu shteti nuk mënoi të dërgonte për “stabilizimin e situatës” as forcat militare ushtarake. Gjëndja vazhdoi të tensionohet dhe pas dy muajve në Kosovë u shpall gjendja e jashtzakonëshme e cila u pasua me Shterrethim.
Charles Crawford, nëpunës i informacionit pranë ambasadës Britanike në Beograd, duke i përshkruar këto trazira shkruan më 15 korrik 1981:-
“Në letrën që ju kam dërguar më 10 qershor, paragrafët 4-8, bëjnë fjalë për Universitetin e trazuar të Prishtinës. Politika e 17 qershorit njoftoi se është emëruar një rektor të ri (dr. Minir Dusi). Gjithashtu u caktuan dy pro-rektorë të rinj, një serb dhe një shqiptar,; serbi u zgjodh unanimisht edhe pse ai në mënyrë të “pasukseshme” e kishte “lutur” Këshillin e Universitetit që për arsye shëndetësore të mos e paraqiste kandidaturën e tij”.
Krerët e Beogradit u munduan të manipulonin faktet duke u përpjekur ta paraqisnin gjendjen e krijuar si makinacion politik të drejtuar nga Tirana zyrtare dhe ndërhyrje në punët e brendëshme të Jugosllavisë dhe jo si rebelim i vetë shqiptarëve të Kosovës. Në raportet e nxjerra nga arkivat britanike, hidhet dritë mbi këto fakte. Ato qartësojnë situatën politike të kohës në ish-Jugosllavi si dhe arsyet e rebelimit të popullsisë duke mohuar influencën e politikave të jashtme në këtë çështje. Sipas raporteve, kosovarët donin republikën e tyre si një prelud për realizimin e ëndrrës së tyre të “Shqipërisë së madhe”.
Raporti i ambasadës britanike i datës 1 korrik 1981 misur nga Beogradi thekson:-
“Një “bombë” misterioze që shpërtheu në Ambasadën Jugosllave në Tiranë më 23 maj ka shënuar një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve, ashtu si edhe akuzat nga ana e jugosllavëve për përfshirjen personale të ambasadorit shqiptar në aktivitetet subversive në Kosovë, p.sh. organizimin e paligjshëm të “troikas”. Polemika publike vazhdon pa ndërprerë, me shqiptarët që japin arsyetime historike për vendosjen e statusit të republikës për Kosovën, dhe jugosllavët që publikojnë aspektet më të këqija të jetës në Shqipëri, veçanërisht në atë se si ndikon kjo tek pakicat maqedonase dhe malazeze në atë vend. Jugosllavët vazhdojnë të akuzojnë shqiptarët për ndërhyrje flagarante në punët e tyre të brendshme, dhe lënë të kuptohet për ndikime të tjera të jashtme në ngjarjet e Kosovës. Sigurisht, siç thonë jugosllavët, Tirana ka përdorur efektivisht marrëdhëniet kulturore dhe edukative për të nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Por Beogradi nuk ka dhënë ende asnjë provë të bazuar të aktivitetit subversiv të drejtuar nga Tirana. Po kështu ata nuk kanë lejuar që situata të përkeqësohet deri në masën e prishjes apo të pezullimit të marrëdhënieve me Shqipërinë. Në vend të kësaj, ata kanë marrë një sërë masash praktike, p.sh. pezullimin e marrëveshjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë apo rritjen e radio transmetuesit të Prishtinës në përpjekje për t’iu kundërvënë ndikimit ideologjik të Tiranës mbi Krahinë.
Linja zyrtare e paraqitur në nivelin më të lartë federal është se Jugosllavia vazhdon të kërkojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, por tani e tutje në aspektin e barazisë dhe reciprocitetit të rreptë. Të gjitha marrëveshjet e ardhshme me Shqipërinë do të bëhet në nivel Federal, d.m.th. në nivelin ndërshtetëror dhe jo nëpërmjet protokolleve të negociura lokalisht”.
Sipas diplomatëve britanikë shkaqet e trazirave ndërmjet shqitarëve kanë ardhur jo për arsye politike të implenjimit të qarqeve të Tiranës zyrtare por për shumë arsye të problemeve të politikës së brendëshme dhe atyre ekonomike.
Gjithmonë sipas raporteve gjejmë se:- “Beogradi ishte paralajmëruar nga [Edvard ]Kardelj në vitin 1977 se situata politike dhe ekonomike në Kosovë ishte e mjerueshme dhe se po përgatitej një kundër-revolucion. Megjithatë, Beogradi zgjodhi ta hedhë poshtë vlerësimin e tij, me sa duket për të shmangur provokimin e një konfrontimi me shqiptarët kosovarë duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme”.
Në një raport të përgatitur nga Miller më 1 qershor 1981 theksohet mendimi i klasës intelektuale jugosllave dhe pikërisht i një grupi juristësh të së drejtës kushtetuese jugosllave të cilët disa vite para shpërthimit të kryengritjeve kishin paraqitur gjithashtu një raport mbi qëndrimin e tyre ndaj çështjes kosovare. Ata mendonin se pozita kushtetuese e Kosovës ishte e papërshtatëshme. Raporti vinte në pah rreziqet të cilat mund të haseshin në të ardhmen nëse Kushtetuta e Serbisë dhe e Kosovës nuk amendoheshin për të marrë parasysh anomalitë e dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Raporti u hodh poshtë nga autoritetet Federale dhe juristëve u tha të mbyllnin gojën dhe të merreshin me detyrën e tyre (d.m.th. pozitën e shteteve në Federatë dhe jo vetë Jugosllavinë).
Ja çfarë thuhet në raport:-
“Kosova: Pozita Kushtetuese
- Në një darkë me z. dhe znj Raudenbush të Ambasadës së SHBA më 12 qershor, takova një avokat të së drejtës kushtetuese nga Universiteti i Beogradit, Dr Vladimir Kilibarda, i cili është specializuar në kushtetutat e shteteve federale. Dr Kilibarda ka studiuar në Shtetet e Bashkuara (kështu që flet shkëlqyeshëm gjuhën angleze) dhe besoj e ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Stanfordit. Ai është një mik i ngushtë (edhe pse të paktën dhjetë vjet më i ri) dhe partner në lojën e tenisit me Dr Gjurisiç. Ai ka lindur në Pejë.
- Dr Kilibarda u shpreh në mënyrë tepër interesante dhe shumë të hapur mbi pozitën kushtetuese të Kosovës, të cilën ai e përshkroi si “të papërshtatshme”. Ai më tha se tre apo katër vite më parë, ai dhe disa kolegë të cilët ishin juristë të së drejtës kushtetuese, kishin paraqitur një artikull lidhur me qëndrimin e tyre mbi Kosovën, i cili vinte në pah rreziqet të cilat mund të haseshin në të ardhmen nëse Kushtetuta e Serbisë dhe e Kosovës nuk amendoheshin për të marrë parasysh anomalitë e dukshme dhe për t’i bërë ato më të pajtueshme me njëra-tjetrën. Ky artikull u refuzua nga autoritetet Federale dhe juristëve u tha të mbanin gojën mbyllur dhe të merreshin me punët e tyre (d.m.th. pozitën e shteteve në Federatë dhe jo Jugosllavinë).
- Sipas Dr Kilibarda pozicioni aktual i Kosovës tani është i pashpresë. Situata është përkeqësuar së tepërmi dhe është tepër vonë për amendimet e duhura kushtetuese pasi në çdo rast, autoritetet federale i kanë përjashtuar ato në mënyrë specifike. Trazirat e tanishme vetëm mund të mbahen nën kontroll por ato nuk mund të eliminohen plotësisht, dhe ato do të bëhen një faktor gjithnjë e më shqetësues në jetën e Federatës Jugosllave.
- Dr Kilibarda u shpreh se formula “Republika e Kosovës”, pavarësisht faktit që është tepër e papëlqyeshme nga serbët, është e vetmja formulë logjike sipas ligjit ndërkombëtar. Fjalimet e Titos dhe referencat e paqarta për “plebishite” dhe Aktin Final të Helsinkit, nuk ishin të mjaftueshme. Por Jugosllavia do të duhet të jetojë me kontradiktat e Kosovës, pasi në fund të fundit ishte në rrezik integriteti i Federatës dhe kjo natyrisht, si ne dhe shtetet e tjera perëndimore që e kishin dalluar diçka të tillë, ishte e një rëndësie të madhe si për Jugosllavinë ashtu dhe për pjesën tjetër të Evropës.
- Dr Kilibarda këmbëngulte në qëndrimin e tij se pas parullës “Kosova-Republikë” nuk ishin makinacionet e Tiranës, Moskës apo ndonjë kryeqytet tjetër të huaj, por vetë ato të shqiptarëve të Kosovës. Ishte një rast i irredentizmit të Prishtinës që nuk drejtohej nga Tirana. Kosovarët donin republikën e tyre si një prelud për realizimin e ëndrrës së tyre të “Shqipërisë së madhe”. Kjo do të thotë vendosjen e nocionit të tyre për shtetin shqiptar dhe rendin shoqëror në Shqipëri të cilat ata duan ta transformojnë nga aspekti social, ekonomik dhe politik pas largimit të Hoxhës. Nëse trazirat në Kosovë arrijnë ta përshpejtojnë këtë gjë, nga pikëpamja e kosovarëve do të qe edhe më mirë. Dr Kilibarda vuri në dukje se shumë pak prej parullave ishin në fakt “pro-Hoxhës” pasi ato ishin thjesht pro-shqiptare. Por natyrisht autoritetet federale e kanë paraqitur gjendjen nën një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm, d.m.th., që demonstruesit me sa duket duan ti bashkohen Shqipërisë në gjendjen që është tani ose të imponojnë stalinizmin në vendin e tyre (që vështirë të besohet).
- Kur i thashë se për atë që më kishte thënë mund të kuptohej pjesërisht edhe nga një studim i ngushtë i shtypit jugosllav (pas mungesës fillestare të informacionit në lidhje me atë që kishte ndodhur në Kosovë për shumë vite), Dr Kilibarda u shpreh se ishte dakord. Ai tha se shtypi tashmë është duke luajtur një rol shumë pozitiv në informimin e njerëzve mbi rreziqet e situatës, e cila ishte me të vërtetë e rëndë. Kjo nuk ishte diçka që i pëlqente të gjithëve në Beograd apo Prishtinë. Ajo ka treguar në fakt se si shtypi është zhvilluar në një “forcë politike” në Jugosllavi dhe ishte gjithnjë e më e vështirë, pas vdekjes se Titos, për ta heshtur atë. Shumica e gazetave me reputacion në ditët e sotme e shikonin rolin e tyre të investigimit si më të rëndësishëm se roli i informimit të publikut Jugosllav në lidhje me çfarë po ndodhte.
- Si federalist që është Dr Kilibarda ishte qartësisht në favor të forcimit të makinerisë Federale dhe kundër çdo transferimi të mëtejshëm të pushtetit politik në kryeqytetet e republikave. Këtu Kosova kishte dhënë një mësim të vlefshëm. Nëse pushteti politik do të ishte më i përqendruar në Beograd, ngjarjet në Kosovë mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe situata aktuale ndoshta do të ishte shmangur. Ai pohoi se qëndrimi i tij nuk ishte i pranueshëm nga të gjithë (ai vetë nuk kishte mendim të tillë disa vjet më parë), por të paktën një rikthim i kufizuar i centralizimit do të ishte i nevojshëm për stabilitetin e Jugosllavisë në të dy aspektet si politik ashtu edhe ekonomik. Ai tha se [Veselin] Đuranović , të cilin ai e admironte, duhet që si kryeministër i Federatës të ketë kompetenca shumë më të gjera dhe jo vetëm të një natyre ekzekutive”.
Sipas një raporti tjetër të përgatitur më datë 15 korrik 1981, nga nëpunësi i informacionit Charles Crawford thuhet se trazirat kishin kapërcyer kufijtë e Krahinës së Kosovës. Ato kishin përfshirë edhe rajonë të tjera shqiptare në Jugosllavi, veçanërisht në Maqedoninë Perëndimore. Raporti në fjalë thekson se:-
“Aktiviteti nacionalist shqiptar vazhdon në Maqedoninë Perëndimore, edhe pse ajo ka marrë formën e broshurave, bojkoteve shkollore dhe, në një shkallë më të vogël por të përhapura janë çrregullimet serioze në publik. Në Kosovë, masa do të merren kundër kreut të TV Prishtinës i cili është përfshirë në një incident armiqësor. Në Ferizaj gjendja e sigurisë mbetet e “komplikuar” dhe në Universitetin e Prishtinës janë emëruar një rektor dhe dy pro-rektorët e rinj. Ekonomia e Kosovës është në krizë.
Gazeta Politika pasqyroi, ndërmjet datave 2 dhe 13 korrik, raporte të shumta të manifestimeve të nacionalizmit shqiptar në pjesë të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. … Ajo kishte zbuluar se 26 persona të dënuar për pjesëmarrje në demonstrata në vitin 1968 kishin rifituar vende pune në sferën e arsimit; në të vërtetë disa ishin bashkuar me Partinë. U zbulua gjithashtu se në vitet e fundit pothuajse 10.000 shqiptarë ishin shpërngulur nga Kosova dhe ishin vendosur në rajonin e Tetovës. Gjatë natës së 8/9 korrikut rrugët e Tetovës ishin “barikaduar” dhe aty shkruhej se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejta. Ndërkohë, në Gostivar u shfaqën slogane nacionaliste. Në Kërçovë shkollat u bojkotuan për 23 ditë. Në fshatin Greshnicë një foto e Titos ishte grisur dy herë. Kërcënime janë bërë ndaj zyrtarëve lokalë (duke përfshirë disa shqiptarë) të angazhuar në veprimtari anti-nacionaliste.
Siç raporton Politika më 6 korrik, situata në qytetin e Ferizajt dhe përreth tij është ende “e komplikuar”, pavarësisht nga fakti se janë identifikuar 400 pjesëmarrës në demostratat armiqësore. Në një takim të konferencës lokale komunale ankesa, tashmë të ditura, janë bërë për faktin se “diferencimi” po ecën ngadalë dhe pa rezultat. “Kjo situatë është shkaktuar nga sjelljet liberale dhe oportuniste”- tha një anëtar i presidiumit të Lidhjes Komuniste të Kosovës, duke shtuar se:- “ne të gjithë jemi fajtorë për atë që po ndodh”.
Trazirat e brendëshme në vend patën një impakt negativ në ekonominë e vetë Krahinës Autonome të Kosovës që edhe para tyre ishte ne gjendje të mjeruar. Në raportet e dala nga ambasada Britanike mbi impaktin e trazirave mbi ekonominë theksohet:-
“Raportet se sa, në mos e gjitha, ekonomia e Kosovës është ndikuar nga trazirat kanë qenë kontradiktore, por më 14 korrik Politika raportoi se Presidenca e Kosovës dhe presidenca e Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK) kishte marrë në shqyrtim pozitën ekonomike e Krahinës dhe e gjeti atë “kryesisht të pakënaqshme”. Synimet e vendosura për zhvillimin e Kosovës në vitin 1981 nuk janë përmbushur gjë që e bën gjendjen ekonomike “shumë të komplikuar”. Pengesa në të gjitha fushat kanë spikatur veçanërisht në periudhën pas demostratave. Është ngritur një grup pune për të përgatitur një raport të problemeve për mbledhjen e ardhshme të presidencës së LKK”.
Duke përshkruan situatën më tej, raportet venë në dukje se:-
“Situata politike po qetësohet shumë ngadalë. Programi i veprimit i shpallur nga Presidenca e Kosovës, e cila i kërkon Partisë dhe organizatave të tjera të spastrojë ata që morën pjesë në demostratat apo mbështetën nacionalistët, po zbatohet me vështirësi. Shtypi raportoi shembuj të shumtë të rezistencës aktive dhe pasive, që variojnë nga refuzimi për t’iu bindur direktivave të Partisë, nëpërmjet shmangies flagrante të përgjegjësisë nga ana e Partisë dhe zyrtarëve komunal, deri në në dorëheqjen e vonuar dhe shumë ngurrese të një pjese të figurave kryesore në udhëheqje dhe në Universitet”.
Megjithatë, trazirat e brendëshme në Jugosllavi morën një dimension ndërkombëtar. Raportet theksojnë se nuk ka dëshmi të përfshirjes sovjetike në këto trazira. Lidhur me këtë ambasadori britanik në Beograd, Edwin Bolland, në një letër drejtuar Sekretatir të Shtetit për çështjet e jashtme dhe të Commonëealth shkruan:-
“… Grličkov, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve, në një bisedë me mua më 6 prill, pohoi shprehimisht mospërfshirjen e Moskës në këto trazira. Përfshirja e Shqipërisë, edhe pse mohohet zyrtarisht në Tiranë dhe nuk e pranohet haptazi në Beograd, është e mundur. Sigurisht tundimi për të ndërhyrë duhet të jetë i fortë, kur përtej kufirit jetojnë gjysma e numrit të shqiptarëve etnikë që janë në Shqipëri. Gjithashtu Tirana bëri të qartë në një artikull me fjalë të forta në gazetën “Zëri i Popullit”, më 8 prill, që e vuri Jugosllavinë në vështirësi, se Shqipëria kishte të njëjtën të drejtë si Jugosllavia apo ndonjë vend tjetër për të mbrojtur pakicat e veta kombëtare. Për më tepër, ambasadori shqiptar këtu nuk e fsheh pakënaqësinë e vendit të tij lidhur me kufijtë e tanishëm me Jugosllavinë. Por, udhëheqës të ndryshëm jugosllavë kanë vënë në dukje se stabiliteti në Kosovë është po aq në interes të Shqipërinë saç është në interes të Jugosllavisë. Ata mund të kenë shtuar se kjo aplikohet veçanërisht pasi Enver Hoxha po i afrohet fundit të mbretërimit të tij, kur mund të zhvillohet një luftë për pushtet. … Ka disa prova për përfshirje në demostrata të kosovarëve që kthehen nga jashtë të cilët mund të kenë qënë në kontakt me protestat e emigrantëve në pjesë të ndryshme të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara, duke treguar, të paktën, mbështetje morale për demostruesit e Kosovës”.
Ambasadori Bolland në raportin e tij vazhdon:-
“Ngjarjet në Kosovë qenë si një paralajmërim i ashpër për udhëheqjen jugosllave ndërkohë që ajo përfundoi vitin e parë të pushtetit pa Titon. Megjithatë, ata zbuluan se kjo nuk është një gjendje e re por, më tepër është një problem tipik të cilin, me gjithë autoritetin dhe karizmën e tij, as Tito nuk kishte qenë në gjendje për të zgjidhur. Ata e pranojnë faktin se as udhëheqësit aktuale nuk janë në gjendje ta zgjidhin. …
Shtrohet pyetja:- A ndikojnë ngjarjet në Kosovë tek ne? Ato ndikojnë deri në masën sa autoritetet jugosllave mund të pritet të tregojnë një shqetësim në rritje për unitetin dhe integritetin territorial të tyre, dhe si pasojë një ndjeshmëri më të mprehtë ndaj nacionalizmit si një forcë shkatërruese, më veçanërisht siç shprehet në aktivitetet e emigrantëve apo fqinjët të tyre. Ne mund të bëjmë fare pak për të përmbushur kërkesat jugosllave për të ndaluar emigrantët e tyre armiq dhe veç kësaj nuk kemi ndërmend të përfshihemi në konfliktet lokale të Ballkanit. Por, me deklaratën e fortë të vitit të kaluar mbi vlerat e vendosjes së pavarësisë dhe integritetit në vendin e tyre, kryeministri i dha shumë kënaqësi në jugosllavëve. Vizita e ardhshme e Sekretarit të Jashtëm, z Vrhovec, në Londër, në qershor, do të na japë edhe një tjetër mundësi për ta riafirmuar këtë mbështetje”.
Duke shfletuar raportet kupton se politika britanike që më 1981 i ka paraparë problemet e pasigurisë dhe të mosstabilitetit në Kosovë dhe më gjerë për periudhën në vazhdim. Kështu, në një raport të përgatitur nga britanikët thuhet:-
“Kosova ka pasur efekte pozitive dhe negative. Parë në afat të shkurtër, stabiliteti do të vendoset edhe pse mund të priten shpërthime sporadike. Qetësia e Jugosllavisë së pas Titos është tronditur shumë dhe e parë në afat më të gjatë situata është e pasigurt”.
Këto dhe shumë të tjera tregohen qartë nga raportet britanike të përfshira në librin “Kosova Republikë – dosje sekrete britanike 1981” i cili do të jetë së shpejti në duart e lexuesve.