• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Obama mban fjalimin e lamtumirës

January 11, 2017 by dgreca

Në fjalimin e lamtumirës, presidenti Barack Obama theksoi besimin e tij se ndryshimi ndodh vetëm kur “njerëzit e zakonshëm angazhohen dhe bashkohen për ta kërkuar atë”. Ai e mbajti fjalimin në Çikago, në qendrën e konventave McCormick Place.

“Ju kërkoj të besoni jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën”, tha zoti Obama.

Presidenti në largim u tha mbështetësve në Çikago, qytetin ku ai nisi karrierën politike, se ndryshimi është “zemra e idesë sonë amerikane – e eksperimentit tonë të guximshëm për vetëqeverisjen”.

Zoti Obama tha se etërit themelues u dhanë amerikanëve lirinë për “t’i përmbushur ëndrrat tona me djersë, punë dhe imagjinatë”.

Dyqan në Çikago ku janë shkruar fjalët "Faleminderit President Obama".

Dyqan në Çikago ku janë shkruar fjalët “Faleminderit President Obama”.Zoti Obama iu rikthye mesazhit të fushatës së tij të parë për president në vitin 2008, parrulla e së cilës ishte “Yes, we can – Po, ne mundemi”.

Në një moment, ai u ndërpre nga njerëz që brohorisnin “Edhe katër vjet!”Obama u përgjigj, duke qeshur: “Këtë nuk mund ta bëj”.Tani që republikani Donald Trump është zgjedhur president, zoti Obama pranoi se përparimi i vendit ka qenë “jo i njëtrajtshëm”. Ai tha se për “çdo dy hapa përpara, duket sikur kemi bërë një hap prapa”.Por presidenti tha se vendi përpiqet të “lëvizë përpara; që të zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme besimi ynë themelues për përfshirjen e të gjithëve, dhe jo vetëm të disave”. Zoti Obama tha se pas 10 ditësh bota do të jetë dëshmitare e një transferimi paqësor të pushtetit për një president të ri.

Presidenti Barack Obama duke mbajtur fjalimin e lamtumirës në Çikago, 10 janar, 2017.

Presidenti Barack Obama duke mbajtur fjalimin e lamtumirës në Çikago, 10 janar, 2017.

Presidenti në largim tha se shpresat se ardhja e tij në pushtet do të shënonte fillimin e një Amerike pa probleme racore “nuk ishin realiste”.Obama, i cili është 55 vjeç, tha gjatë fjalimit se ai ka jetuar mjaftueshëm për të mësuar se marrëdhëniet racore janë më mirë se sa ishin 30 vjet më parë. Por ai shtoi se e kupton gjithashtu që “nuk jemi aty ku duhej të ishim”. Ai tha se çështjet ekonomike nuk mund të karakterizohen si luftë mes të bardhëve punëtorë të shtresës së mesme dhe pakicave që nuk meritojnë përfitime.

Nga e majta, NënPresidenti Joe Biden, Jill Biden, zonja e parë Michelle Obama dhe Malia Obama dëgjojnë fjalimin e lamtumirës të Presidentit Barack Obama.

Nga e majta, NënPresidenti Joe Biden, Jill Biden, zonja e parë Michelle Obama dhe Malia Obama dëgjojnë fjalimin e lamtumirës të Presidentit Barack Obama.Obama tha në fjalimin e tij të fundit si president se shumë familje në zonat urbane dhe rurale janë lënë pas dore. Ai pranoi se pabarazia e madhe dëmton parimet demokratike të vendit. Presidenti tha se shumë njerëz janë të bindur se qeveria u shërben vetëm interesave të të fuqishmëve.Ai e quajti këtë një “recetë për më shumë cinizëm dhe polarizim të politikës.”Ai tha se i kishte premtuar presidentit të zgjedhur Trump se administrata e tij do të “sigurojë një kalim pushteti sa më të qetë”, ashtu siç bëri për të paraardhësi i tij, presidenti George W. Bush.Presidenti në largim tha: “Është detyra e të gjithëve të sigurohemi se qeveria jonë mund të na ndihmojë në sfidat e shumta me të cilat përballemi”.

President Barack Obama arrin në Qendrën McCormick të Çikagos.

President Barack Obama arrin në Qendrën McCormick të Çikagos.Në fund të fjalimit, që ishte një lamtumirë por edhe një thirrje për t’u angazhuar, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një provë të ashpër të demokracisë së tyre.”Demokracia ka nevojë të bazohet mbi njëfarë solidariteti,” tha ai. “Pavarësisht dallimeve tona të jashtme, na bashkon një fat, sepse ne ngrihemi ose rrëzohemi të gjithë bashkë.”

Presidenti shoqërohej nga Zonja e parë Michelle Obama dhe vajza e tyre e madhe, Malia si dhe nga Auma Obama, motra e tij nga Kenia.Të pranishëm ishin edhe NënPresidenti Joe Biden, gruaja e tij, Jill Biden, shumë anëtarë dhe ish-anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe ata që punuan për fushatat e tij.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: fjalimin e Lamtumires, mbane, Presidenti Obama

Shkaqet që ndikuan në paraburgosjen e Ramush Haradinaj

January 7, 2017 by dgreca

Nga Mr.sc.Nue Oroshi /
ramush-haradinaj-2Emri i kryetarit të AAK Ramush Haradinaj sot është emri më i përfolur i botës shqiptare. Paraburgimi i tij me një fletarrest që është lëshuar dhe i punuar kohë më parë nga ana e regjimit kriminal të Millosheviqit është një shenjë ogurzezë për drejtësinë franceze. Po kësaj radhe nuk dua të mirrem me arrestimin por me shkaqet të cilat e sollën arrestimin e kryetarit të AAK Ramush Haradinaj. Shkaku i parë ishte kundërshtimi i AAK dhë liderit të saj Ramush Haradinaj për qështjen e demerkacionit me Malin e Zi. Ky lëshim fatzi i Qeverisë së Kosovës dhe Organeve tjera shtetërore u ndalua në mënyrë mjaftë të fortë nga ana e opozitës. 
 
Shkaku i dytë ishte Zajednica.Edhe këtu Ramush Haradinaj nuk lëshoj pe, por me këmbëngulje e kundërshtoj këtë veprim të padrejtë krijimin e shteteteve të vogla në Republikën e Kosovës. Por shkaku kryesorë ishte ftesa që i bëri Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Me këtë Trump iu dha me kuptu qarqeve politike, se Ramush Haradinaj e sheh si një lider të së ardhmës në Kosovë dhe do të bashkpunoj ngushtë me të. Trump e di shumë mirë se Kryetari i AAK Ramush Haradinaj ishte i vetmi lider politikë në Kosovë pas vdekjes së Presidentit Historikë të Kosovës dr.Ibrahim Rugova i cili nuk bëri marrveshje me forcat terroriste islamike dhe ekstremistët islamik, ku fatkeqsishtë shumica e partive politike në Kosovë kush më shumë e kush me pak bashkpunuan me ’’flliqanat me mjekrra ’’sic i quante Kryetari i AAK Ramush Haradinaj.
 
Një pyetje që duhet të shtrohet qartë është fakti se mos vallë në këtë lojë të Serbisë dhe Francës është future edhe ndonjë udheheqës shteteror i Kosovës, kjo mbetët të shihet në të ardhmen. Por këmbanat po bien, populli shqiptarë po i ndëgjon ato, se ka filluar të vetdisohet dhe po vjen koha që shumë shpejt me u nda shapi nga sheqeri. Përkrahja masovike që po i bëhet Ramush Haradinajt tregon qartë se Ramush Haradinaj, nuk është vetëm por simpatizohet nga të gjitha viset shqiptare. Ai me thjeshtësinë e tij, ka bërë që të fitoj simpatinë edhe të shumë të rinjëve dhe të rejave shqiptare, që në të ardhmen do të jenë në krye të Institucioneve të Kosovës. Ramush Haradinaj duhet të lëshohet sa ma shpejtë nga Paraburgimi. 
 
Franca duhet t’i kërkoj falje Kosovës, dhe Ramush Haradinajt për këtë ndalesë të padrejtë dhe të hetojë strukturatë e veta, se a e kanë bërë këtë veprim krye në vete, apo kanë qenë të ndikuara nga elemente të ndryshme të shërbimeve sekrete. Rruga e nisur nuk do të ndalet. Kosova ka nevoj për ndryshime politike. Kosova ka nevoj për një Qeverisje ndryshe e cila nuk do t’iu lenë hapësirë, veprimi  qarqeve të ndryshme ekstremiste islamike, që dëshirojnë aziatizmin e Kosovës. Kosova është tokë Shqiptare. Ramush Haradinaj i nevoitet Kosovës, ku së bashku me Administratën e re Amerikane, dhe me përkrahjen e Gjermanisë dhe shtetetve tjera mike të shqiptareve do të bëhen ndryshime rrenjësore, në politikën e Kosovës.Ndalimi që i bëhet Ramush Haradinajt që mos të merr pjesë në Inaugurimin e Presidentit të ri te Amerikës Donald Trump, është një veprim amatoresk politik i atyre qarqeve që e kanë planifikuarë këtë ndalesë. Të gjithë shqiptarët kudo që gjindenë duhet përkrahur fuqishëm Ramush Haradinaj, Komandantin e vërtet të UÇK dhe Kryetarin e AAK.

Filed Under: Analiza Tagged With: Haradinaj, Nue Oroshi, qe burgosen, shkaqet

Kosovë-Kuvendi, seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

January 7, 2017 by dgreca

-Të martën, në 10 janar, në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të debatojë për mbajtjen në arrest të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë/

1-prishtine

-Në 4 janar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin/

1-kuvendi

-Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës. Nga Tribunali i Hagës Haradinaju shpall  i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor  2012/

PRISHTINË, 7 Janar 2017-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës, edhe pse në kohë pushimi mes dy sesionesh, do mblidhet ditën e martë në orën 11:00 në seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë në axhendë: “Mbajtja në arrest e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë”. Seanca ishte kërkuar për sot pasdite, por shkaku i kohës së pushimeve në Kuvend e mosndodhjes së një numri të deputetëve në Kosovë u vendos që seanca të mbahet në 10 janar.Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, u bë në mesditë në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, të ftuar mbrëmë. U vlerësua se kërkesa me 43 nënshkrime të deputetëve i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Pas një proteste në Prishtinë, marshimi të qetë deri të Ambasada e Francës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dje pasdite njoftonte se grupi parlamentar i saj në nismën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kishte mbledhur nënshkrimet e nevojshme, “me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë”.

Në 4 janar, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar në aeroportin e Baselit, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, dhe po mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi ka kërkuar ekstradimin.Qeveria e Kosovës deklaroi dje se  “fletarresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës. Nga Tribunali i Hagës Haradinaju shpall  i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor  2012.Kuvendi i Kosovës, me miratimin me procedurë të përshpejtuar të Ligjiit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar, në seancën e zhvilluar në mbrëmjen e 30 dhjetorit përmbylli sesionin vjeshtor dhe punën  e vitit 2016,  ndërsa sesioni i ri, pranverori, u paralajmërua të niste në 16 janar të vitit të ri 2017.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kuvendi i kosoves, per Haradinaj, te marten seance

Po myslimanët në Shqipëri e Kosovë, mos janë myslimanë të këqinj?

January 6, 2017 by dgreca

Bredhi i Vitit të Ri dhe myslimanët shqiptarë/

1-lindita-arapi

NGA LINDITA ARAPI/*

*Jo më festime, bredh e drita? Pas atentatit të Stambollit pati zëra që i bënë viktimat fajtore, pasi myslimanët nuk e festojnë Vitin e Ri. Po myslimanët që festojnë në Shqipëri e Kosovë mos janë myslimanë të këqinj?/

*Unë nuk e praktikoj besimin fetar siç bën një mysliman i devotshëm, por kam respekt për përkushtimin e tij ndaj Zotit. E një Zot të mirë e mbaj në shpirt gjithmonë me vete edhe unë, një Zot që nuk më ndëshkon, pse më pëlqen një bredh i zbukuruar për Vitin e Ri…/

Bredhi i Vitit të Ri! Sot ai vezullon nga dritat e zbukurimet, por ajo pemë e zbukuruar dikur, me ato pak mundësi që na ofroheshin në vitet e varfra të komunizmit shqiptar ende zgjon tek unë një kujtim të ngrohtë fëmijërie. Ai ishte një gëzim i vogël brenda një pafundësie ditësh të mërzitshme, të gjitha të rrafshuara nga izolimi, një ҫast i bukur, e gjërat e bukura ishin aq të pakta në fëmijërinë e asaj kohe. Ato llamba që i jepnin atëherë dritë pemës së Vitit të Ri, ku ne fëmijët e Pallatit të Pionerëve i vinim përreth duke kënduar e kërcyer, pikërisht ato pak llamba sillnin pak dritë edhe në jetët tona.

Diktatura i mbylli të gjitha dyert, bota e jashtme mbërrinte vetëm me ca impulse të mekura tek ne, por nuk dihet pse mbeti bredhi i vitit të ri, në fakt me gjelbërimin e pandryshuar, simbol i jetës, e nga shekulli 16-të një zakon i ri gjerman u bë shoqërues i festimit të Krishtlindjeve në të gjithë botën – ndërsa për ne një nga absurditetet e radhës të regjimit komunist që e ndaloi fenë me ligj.

Për mua atëherë, vajzë e një familjeje myslimane, bredhi nuk ishte një pemë me simbol fetar. As për mua e as për prindërit e mi të ҫmësuar me fenë, që fjalën Zot e kishin zëvendësuar me fjalën parti. Përpara meje ishte thjesht një pemë e zbukuruar, për përmasat fëmijërore, – gjigande, së cilës unë nuk ia shqisja dot sytë, teksa prisja gjithë emocion momentin e ndërrimit të viteve.

Por le ta kapërcejmë epokën e ateizmit, kohë, kur shqiptarët pak e njihnin jo vetëm kuptimin e bredhit, por edhe të riteve të tjera fetare, sepse “feja ishte opium për popullin” – jemi në kohët, kur gjithsekush ka lirinë të ndjekë e praktikojë besimin fetar që dëshiron.

Shpëtimi i bredhit

Me zgjimin e besimit fetar bredhi nuk ndryshoi gjelbërimin, por ndërroi kah, ai nuk ishte më thjesht bredh i fëmijërisë sime, kuptova se nuk duhet të më përkiste më mua, një vajze me origjinë myslimane, por pjesës tjetër, asaj të krishterë, si shoqërues i festimeve të Krishtlindjeve e Vitit të Ri. Mua më mbetej të fshija një kujtim, ose ta „përvetësoja” bredhin, t’i hiqja petkun fetar, e ta mbaja edhe në të ardhmen thjesht si bredh feste. Nuk doja t’i humbisja ato ҫaste me drita në dimrin e ftohtë, dhe e mbajta bredhin si zilen e një momenti final, ndërrimin e viteve.

Por bredhin e festës nuk e kam mbajtur vetëm unë, bashkë me mua edhe shumë e shumë të tjerë që mendojnë se të festosh Vitin e Ri është krahas një momenti reflektimi, edhe një moment gëzimi për trokitjen e një viti të ri të jetës. Se si festohet ky gëzim, kjo është në dorën e gjithsecilit

Edhe në Turqi shumë vetë festuan Vitin e Ri, disa shkuan të festonin në një klub nate, „Reina”, por nuk do kthehen më kurrë në shtëpi pas terrorit. Shumë nga ata që nuk do ta gëzojnë më vitin e ri ishin myslimanë, e po myslimanë ishin edhe ata që kanë shkruar në mediat sociale, se ata që festojnë Vitin e Ri, festojnë një traditë të huaj, që bie ndesh me islamin. . Për myslimanët – ky është një zakon pagan dhe i krishterë që nuk duhet të prishë kanonin e zakoneve të tyre. Madje edhe Ministria e Fesë në qeverinë turke ka pasur paralajmërime për festimet e Vitit të Ri, si një traditë e huaj…

Myslimanët shqiptarë të ndarë

Po unë që festoj, po shumë shqiptarë myslimanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër që festojnë Vitin e Ri, mos nuk duhet të festojmë më? Kush feston, jeton i rrezikuar? Festimet e Vitit të Ri nuk i ndajnë vetëm turqit, por edhe myslimanët shqiptarë: në një kategori, ajo më liberalja në raport me fenë, me traditë si në Shqipëri e Kosovë, që e ka vetëdijen e myslimanit, por në një darkë me miq nuk ia heq vetes lezetin e mezesë dhe rakisë, ajo nuk e sheh si mëkat të urojë katolikët për Krishtlindje e Pashkë, e përballon pa tragjedi minifundin e vajzës, tek ajo nuk përbën përjashtim që të shkojnë edhe në Mekë, për të plotësuar një nga detyrimet e myslimanit, por kjo nuk e pengon që ta shijojë jetën si një tavolinë të mbushur me të mirat e Vitit të Ri. Tek ata e gjen edhe bredhin e zbukuruar, thjesht si diçka të bukur, pa dashur të lëndojnë ndjenjat fetare.

Nuk duhet harruar edhe një kategori tjetër besimtare e devotshme, që nuk e sheh besimin si verbërim, por ndriҫim të shpirtit, ajo e toleron tjetrin që beson ndryshe apo ndjek tradita të tjera që Islami nuk i ka të tijat. Është kjo pjesë që i ndjek ritet e faljes, nuk pi alkool, falet disa herë në ditë, të premteve e gjen në xhami, pra ajo bën një jetë në bazë të rregullave të Islamit, e nuk do të fuste pemë të Vitit të Ri në shtëpi, por me dëshirë do të dilte në natën e ndërrimit të viteve për të parë hedhjen e fishekzjarreve, do ulej me familjen për të ngrënë gjelin tradicional me përshesh, do të ngrinte edhe gotën me lëng për të uruar, por “Gëzuar”, nuk do të thoshte, sepse kjo festë shpirtërisht mbetet e huaj për të. Deri këtu jemi brenda lirisë fetare e ekuilibri që kërkon toleranca ende reziston – unë toleroj zakonet e tua, por edhe ti do durosh zakonet e mia fetare.

„Ata janë përjashtues”

Por në mesin e shqiptarëve myslimanë kemi edhe një pjesë tjetër – atë të besimtarëve më fanatikë, që e ndjekin besimin e tyre me besnikëri të devotshme, por dallojnë nga kategoria tjetër në një pikë – ata janë përjashtues. Kam takuar njerëz të tillë, në Shqipëri e Kosovë, ata janë të përzemërt, megjithëse mua si femër nuk ma kanë dhënë dorën, janë të përshpirtshëm, për sa kohë që tolerohen rregullat e tyre. Për tragjedinë në Turqi, ata nuk shprehin dhimbjen për viktimat, por i bëjnë ato fajtore, viktimat e klubit “Reina” janë mëkatarë që festuan një festë të krishterë, e që nuk meritonin gjë tjetër. Bredhi i Vitit të Ri, fishekzjarrët, festimet e ndërrimit të viteve, rakia, minifundi, feja tjetër – të gjitha nuk janë islame, rrjedhimisht mëkate.

Ata janë të bindur se kanë ekskluzivitetin e besimit të vërtetë, besimtarët e tjerë i përçmojnë hapur si të pafetë, tolerimin e bëjnë dhëmbëskërmitur ose izolohen. Nga radhët e kësaj kategorie vijnë edhe ekstremistët, nga radhët e tyre lindin edhe ata që vrasin në emër të Allahut. E po të sjellim ndërmend se në identitetin tonë kulturor spikat ekzistenca si një komb me tri fe, kupton se sa rëndësi jetike ka për ne harmonia e toleranca mes feve. E nuk duhet ta harrojmë, siç thotë shkrimtari Ismail Kadare, se “ekstremizmi fetar bie ndesh me moralin historik shqiptar”.

Edhe Sulejman Bugari, një imam boshnjak në Sarajevë ka një porosi për ekstremistët. „Atë që nuk kanë për ta kuptuar dot këta ekstremistë, është që myslimanët nuk kanë të drejtën ekskluzive për besimin e vërtetë. Islami nuk është besimi i turqve, arabëve, amerikanëve apo gjermanëve. Të vetmit, të cilit i adresohet besimi është vetë krijuesi.”

Unë nuk e praktikoj besimin fetar siç bën një mysliman i devotshëm, por kam respekt për përkushtimin e tij ndaj Zotit. E një Zot të mirë e mbaj në shpirt gjithmonë me vete edhe unë, një Zot që nuk më ndëshkon, pse më pëlqen një bredh i zbukuruar për Vitin e Ri…

*Kortezi: DW, titulli i Diellit

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Kosova, Lindita Arapi, myslimanet e Shqiperise

E DUA FRANCËN POR SOT JAM KUNDËR SAJ

January 5, 2017 by dgreca


1-bushati-asllan
NGA ASLLAN BUSHATI/Si  intelektual, opinoinist në media, si ish ushtarak i lartë ne Ushtrine Shqiptare, por edhe si Nënkryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, (megjithëse Vatra ka dalë me një deklaratë të poascme), sot ndihem i zemëruar madje dhe i fyer rëndë nga ajo cka mësova nëpërmjet medias për ngjarjen në aeroportin Bosel-Mulhose të Friborgut në Francë. Ato bëjnë me dije se me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004,(të shkuar kohe e të dalur boje), është arrestuar një ndër komandantët kryesor të UCK-së,  ish Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i AAK-së Zoti Ramush Haradinaj.

Në vetëdijen time Franca është vendi i papajtueshmërisë me konformizmin statik e regresiv, vendi i fillimlëvizjeve të mëdha shoqrore   botërore ,vendi i revolucionit borgjez që tronditi themelet e një bote të tërë duke projektuar opsione të reja  për  zhvillimet botërore. Vendi i kulturës dhe shkencës, vend i një demokracie shumë të zhvilluar e të qëndrueshme, vendi i Napoleon Bonapartit të madh, Hygoit e Voltrit, i De Golit dhe i shumë e shumë personaliteteve të mëdha të kulturës, shkencës, politikës,artit, sportit etj. Franca anëtare e përherëshme e Këshillit Sigurimit të OKB-së, ndër anëtaret kryesore të NATO-s dhe anëtare e rëndësishne e BE-së dhe shumë e nderuar në vendin tim ,në Europë dhë në botë , bën sikur nuk paska dijeni për konfliktin më shumë se një shekullor midis shqiptarëve dhe serbëve dhe vecanërisht për atë midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë? A thua ta ketë fshirë nga kujtesa mundin dhe sakrificën e saj  në luftën e NATO-s për clirimin e Kosovës nga barbaria serbe e Milloshevicit? Shtetarët e saj a thua me të vërtetë nuk e  dinë se partner i tyre i rëndësishëm nga UCK-ja  në luftën e  Kosovës ,ka qenë edhe  ish eprori i lartë  ushtarak Ramush Haradinaj?

Autoritetet franceze  a e kanë fshirë nga kujtesa se  Zoti  Ramush Haradinaj, ka qenë Kryeministër i Kosovës dhe e ka lënë vullnetarisht detyrën kryeministrore  e është vetë dorëzuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ( madje është gjykuar dy herë) dhe ka dalë i pa fajshëm?  A e dinë autoritetet franceze se para disa vitesh Zoti Haradinaj,me të njejtin motivacion , u arrest edhe në Slloveni dhe  autoritetet vendore  e bota u detyru të kërkonte falje për burrokracira kompjuterike të kohës diktaturës milloshoviciane?

Nisur nga kjo ngjarje ekstremisht e pazakontë në marrdhëniet ndërkombëtare midis shteteve dhe fyese për Ramush Haradinajn, por padyshim edhe për personalitetin tim si shqiptar dhe si intelektual,mund të bëja edhe shumë pyetje të tjera, por brendia është vetëm një : pse Franca e  arrestoi Zotin Ramush Haradinaj? A mund ta besoj se ishte thjeshtë ceshtje kompjuterike?  Në se po, pse nuk u lirua menjëherë?  Pse arrestimi  ju komuniku medjave duke marrë përmasa botërore? A i shërben kjo Kosovës e Zotit Haradinaj, apo ndonjë të interesuari tjetër për baltëzimin sa më të madh  të tij dhe të Kosovës? Besoj autoritetet franceze e dine se Zoti Haradinaj është i ftuar në SHBA për të marrë pjesë në ceremoninë  e marrjes detyrës nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump. Në këtë rast mund të pyes prap: kush është i interesuar që shqiptarët të mbahen larg administratës re amerikane? Francezët drejt për së drejti apo serbët e vllezërit e tyre moskovit?

Unë e dua Francën megjithese  sot jam i ashpër me të. Që në rini e kam lexuar tri here “Napoleonin “ e Tarles dhe shumë pjesë i kam mësuar përmendesh. Ato më kanë frymëzuar në karierën time ushtarake ,sic më kanë ndihmuar  në formimin  tim shtabmadhor edhe kujtimet e Gjeneralit  Sharl De Gol. “Viti nëntëdhjetë e tre” i  Hygoit më ka dhënë mesimet e para  se si te  gjykoj   mbi historinë e luftërave dhe mendimin e kohës. Shumë vepra te autorëve  të ndryshëm francez më kanë ndihmuar të formohem si intelektual, por të  gjitha këto nuk më ndalojnë të them sot se jam tërësisht kundër arbitraritetit të autoriteteve franceze në arrestimin e Zotit Ramush Haradinaj.

Brengën që më ka pushtuar, po e shtyjë tutje me shpresë se në Francën e demokracisë e kulturës botërore,ka akoma njerëz të këthjelltë, të  arsyeshëm e  të ndershëm që të marrin një vendim te drejtë e të  shpejtë për lirimin e menjeherëshëm të Zotit Ramush Haradinaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: arretsimi ne France, Bushati Asllan, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 602
  • 603
  • 604
  • 605
  • 606
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT