• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIARIO CRÍTICA (1939) / NËNAT ARGJENTINASE SOLIDARIZOHEN ME MBRETËRESHËN GERALDINË TË SHQIPËRISË

September 23, 2024 by s p


Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)
Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shtator 2024

“Diario Crítica” ka botuar, të premten e 14 prillit 1939, në faqen n°4, një shkrim asokohe rreth solidarizimit të nënave argjentinase ndaj fatit tragjik të mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Drama e mbretëreshës Geraldinë ka një ndikim të madh në shpirtrat e nënave argjentinase.

Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4
Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4

Me rastin e letrës që publikuam dje, drejtuar CRITICA-s nga një nënë argjentinase, ku kërkonte solidaritetin e të gjitha grave të vendit përballë situatës tragjike të Mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, ne kemi mundur të marrim një ton të admirueshëm simpatie kolektive dhe mbështetje të përgjithshme përballë këtij episodi të dhimbshëm, i cili ka bërë përshtypje të thellë dhe tronditur fibrën emocionale të të gjitha mendjeve.

Që nga botimi i letrës në fjalë, gazetën tonë e kanë vizituar shumë nëna të cilat kanë ardhur të shoqëruara nga fëmijët e tyre të vegjël. Vizitat, letrat dhe telefonatat, në një numër të pazakontë dhe në vazhdimësi të pandërprerë, thonë qartë se mbretëresha Geraldinë nuk është e vetme në këtë orë ankthi dhe se krahas shtratit të saj të dhimbjes të gjitha nënat argjentinase, të gjitha zemrat femërore dridhen nga keqardhja, me merak, me trishtim.

Mesazhi që CRITICA do t’i dërgojë Mbretëreshës së Shqipërisë do të jetë një shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor dhe do të pasqyrojë, në të njëjtën kohë me dhimbjen e grave argjentinase, refuzimin e procedurave të dhunshme, të cilat nuk kursejnë asnjë mjet apo burim.

Filed Under: Analiza

Shqipëria dhe Kosova të miratojnë ligjin për mbrojtjen e gjuhës shqipe

September 20, 2024 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/Nju Jork/

Të ndërtohen programe të posaçme për mësimin e gjuhës, sot e rrezikuar më shumë se kurrë.

Gjuha shqipe është tempulli më i lartë i qytetërimit, zhvillimit personal dhe shoqëror, moralit, si dhe i vlerave kulturore të kombit. Kolosët e fjalës dhe letrave shqipe i dhanë vlerë dhe peshë të madhe gjuhës, e ruajtën aq bukur bërthamën e saj dhe e sollën atë të njëhsuar pa dialektizma nëpërmjet veprave dhe veprimtarive të ndryshme në shërbim të saj Kosovës Shqipërisë. Amaneti i rilindasve duhet të vazhdojë si mision ndër ne, pasi u kemi një borxh kaq të madh; pa përpjekjet e tyre nuk do kishim as gjuhë dhe as etni shqiptare. Ka ardhur koha që qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës të miratojnë menjëherë ligjin për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të vendosë që ajo të futet në programet mësimore dhe studimore deri në nivel masteri. Fatkeqësisht, në ditët e sotme, shqipja është e kërcënuar më shumë se kurrë nga përdorimi i fjalëve të huaja vend e pa vend, duke treguar jo respekt për rrënjët dhe kulturën tonë, gjithashtu po humb rëndësinë deri në venitje drejtshkrimi, struktura gramatikore, niveli leksikor dhe terminologjik i gjuhës.

Ku po shkon gjuha e bukur dhe e lashtë shqipe?! Është një pyetje që duhet ngritur me shumë seriozitet dhe përgjegjësi nga çdo qytetar shqiptar, mësues, pedagog, shkrimtar, shkenctar, gjuhëtar, politikan, drejtues të emisioneve të ndryshme televizive, drejtues të redaksive të gazetave. Situata është shumë e frikshme, pasi po i ushtrohet trysni e fortë nga fjalët e huaja gjuhës shqipe, duke e rrezikuar që në pak kohë të zhduket fare. Përveç përdorimit të fjalëve të huaja në masë, njoftimet e aktiviteteve, shkresat zyrtare, një pjesë e mirë e librave, botimeve të ndryshme me karakter akademik, publicistik, përkthimet, etj, shkruhen me shumë gabime gramatikore dhe drejtshkrimore, duke edukuar keq brezin e ri.

Sipas disa informacioneve, Departamenti i Gjuhësisë dhe Letërsisë ka mungesë personeli, ndoshta ngaqë shumë të rinj janë larguar me studime dhe nuk janë kthyer më në atdhe. Është e nevojshme të punësohen njerëz seriozë, të përgatitur, të paguhen mirë, të cilët duhet t’i ushtrojnë më shumë kohë mësimit të gjuhës shqipe me studentët me orë të zgjatura, dhe të zhvillohen sa më shumë veprimtari për t’i dhënë rëndësi të folurës dhe shkrimit. Librat, para se të botohen, duhet të kalojnë në “lupën” e redaktorëve të mirëfilltë dhe të licensuar. Librat e shkruar keq me gabime të shumta, përbëjnë kërcënim serioz për gjuhën, në nivelin sintaksor, leksikor dhe terminologjik.

Media është ndër të parat që duhet të luajë një rol edukimi për gjuhën shqipe. Përpos fjalëve të huaja, emisionet televizive kanë prekur sistemin emëror. Emrat nuk lakohen më. Po humbet lakimi i emrave, mënyra dëshirore dhe habitore, që e dallojnë shqipen nga gjuhët e tjera. Duhet të ketë një monitorues të emisioneve mediatike, dhe të vendosen gjoba me qëllim ndërgjegjësimin, në mënyrë që fjalët e huaja të mos bëhen më shprehi e gjuhës së përditshme apo edhe asaj akademike. Europa e zbaton ligjin e gjobës, psh; një folëse në lajme nëse bën gabime, gjobitet. Është shumë e domosdoshme që Shqipëria të miratojë një ligj të tillë, pasi ka ardhur koha që të ndërgjegjësohemi seriozisht.

Gjithashtu, titujt e këngëve, emisoneve, nuk duhet të lejohen më kurrsesi në gjuhë të huaj. Çfarë kuptimi ka titulli i një emisioni në gjuhë të huaj kur jetojmë në Shqipëri?! Apo emrat e dyqaneve dhe restoranteve?! Si mund ta kuptojë apo shqiptojë një i moshuar?! Kjo është dukuri për t’u dukur si interesant e atyre që i përdorin dhe i vendosin, për shkak se kemi qenë të mbyllur, por kjo nuk është asesi forma e duhur për të përqafuar ndryshimin. Përkthimet që bëhen nëpër media për lajmet e huaja, bëhen sipas gramatikës së anglishtes duke goditur sintaksën. Pra, fatkeqësisht po prishet struktura gramatikore. Filozofi gjerman, Heidegger, do të theksonte se gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve, pra është një përgjegjësi qytetare si fillim, e cila duhet të nisë që në familje.

Duhet të ndërgjegjësohemi duke i tërhequr “veshin” njëri-tjetrin nëse dëgjojmë fjalë të huaja, duke i zëvëndësuar ato menjëherë me shqipen e bukur. Gjuhëtari gjerman, njëkohësisht albanologu Franc Bopp, ka vërtetuar se kur kalojnë 2 mijë apo 4 mijë vjet gjuhët pësojnë ndryshime, por duke e ruajtur bërthamën. Në këtë kuadër, nëse ne vazhdojmë të përdorim fjalë të huaja pa masë, çfarë do të bëhet me gjuhën shqipe?! Pra, do të thotë se gjuha shqipe me shumë mundësi me kalimin e kohës, jo vetëm që nuk do ta ruajë bërthamën e saj, por do të futet në grupin e gjuhëve që janë zhdukur fare.

Për kujtesë, në vitin 2002 u ngrit një grup pune për hartimin e një projektligji për mbrojtjen e shqipes standarde, por mbeti në heshtje. Përsëri është ngritur një grup pune me profesorë të nderuar për të miratuar një ligj për ruajtjen e shqipes, madje para 6 muajsh është përpiluar një peticion që u drejtohet institucioneve përgjegjëse. Një projekt tjetër është fjalori i madh i gjuhës shqipe me mbi 100 mijë fjalë, ku do të përfshihen edhe dialektet. Urojmë që të kemi hapa frytdhënëse dhe të ndjeshme në ruajtjen e shqipes. Është e turpshme dhe e dhimbshme të përbaltet një nga gjuhët më të lashta me prejardhje pellazge, kjo gjuhë e cila ka bërë dhe ka shkruar historinë, ka nxjerrë në pah sa të fortë dhe të mençur janë shqiptarët; me anë të saj janë shkruar vepra nga autorë dhe shkrimtarë që sot cilësohen “mendjendriturit” apo “kokat e kombit”, me të cilët krenohemi. Ne si shoqëri duhet të ndërgjegjësohemi dhe të marrim masa duke filluar nga vetja, që të zhdukim fjalët e huaja nga shqipja e bukur, dhe këtë veçori t’ua përcjellim edhe fëmijëve tanë. Është e qartë se shoqëria shqiptare ka qenë e mbyllur dhe ka rënë pre e globalizimit për të thithur të renë dhe ndryshimin, dukuri e cila quhet ksenocentrizëm, por përdhosja e gjuhës nuk është rruga e duhur drejt zhvillimit.

Të rinjtë pa e kuptuar kanë rënë pre e globalizmit, janë të frymëzuar me botën e internetit, filmave në gjuhë të huaj, gjithashtu një pjesë e mirë e tyre kanë studiuar jashtë dhe janë rikthyer duke sjellë me vete fjalë të huaja, duke i bërë pjesë të fjalorit shqip. Edhe moshat madhore kanë një prirje të madhe në përdorimin e fjalëve të huaja, pasi duke dalë nga një diktaturë e egër prej gjysëm shekulli, menjëherë si ai fëmija që hedh hapat e para, iu ulën në gjunjë ndryshimeve të reja që solli Perëndimi, duke thithur dukuritë e mira, por edhe të këqija. Përpos shoqërisë, familjes, që është djepi i edukatës dhe kulturës, institucionet qeveritare duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë për t’i rikthyer gjuhës shqipe vlerën, peshën, rëndësinë e saj, të mohuar padrejtësisht nga qytetarët e saj. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin politika thelbësore për të rritur interesin e gjuhës dhe të ndërgjegjësojnë të rinjtë dhe gjithë klasën shoqërore shqiptare, se kjo rrugë apo sjellje do të na çojë në një terr të plotë territorial, politik, administrativ, ekonomik, kulturor. Diaspora, veçanërisht ajo e Amerikës, po bën një punë të shkëlqyer për ruajtjen e gjuhës dhe vlerave kulturore, ku spikasin shkollat shqipe me programet e tyre për fëmijë, roli i padiskutueshëm i Gazetës “Dielli” dhe Shoqatës “Vatra”, institucione të cilat me veprimtarinë e tyre atdhetare i japin hov çështjes shqiptare, adresojnë problematika të ndryshme të komunitetit shqiptar si bashkësi dhe Shqipërisë si shtet në organizmat më të larta të SHBA-ve, por duhet t’i bashkohen edhe institucionet e vendit për të çuar përpara misionin e pavdekshëm për moscënimin e gjuhës sonë hyjnore.

Gjuha është thesar dhe pasuri e patundshme, drita e Diellit, ku me rrezet e saj shkruhet aq bukur emri shqiptar, ndriçohet e ardhmja dhe e nesërmja vjen plot shpresë. Është pikërisht kjo gjuhë që i jep dritë kombit, e cila nuk lejon që identiteti shqiptar të zhduket nëpër skutat e errëta të ligësisë së atyre që kanë dashur ta nëpërkëmbin. Kjo gjuhë zë një vend hyjnor në hierarkinë e shoqërisë shqiptare, ku të gjithë duhet t’i përulemi me respekt dhe ta ruajmë të shenjtë duke e trashëguar ndër breza, pasi ajo na identifikon dhe përligj ekzistencën tonë si komb. Është i vetmi mjet zhvillimi, me anë të së cilës krijohen ura komunikimi, bashkëpunimi, përçohet mendimi në zgjidhjen e shumë ekuacioneve të jetës. Pa gjuhën shqipe, kombi shqiptar nuk do të ekzistonte, por do të futej në një errësirë të plotë, ku me fatin e tij do të luhej sipas interesave dhe orekseve të shtruara në tavolinat e botës. Pa gjuhën, kombi dhe territoret e tij do të përçaheshin, dhe do të merrte frymë nën ombrellën e pushtuesve gjakpirës, të cilët më së shumti do të pushtonin shpirtin, ëndrrat, dhe etninë shqiptare do ta zhduknin nga harta e globit.

Gjuha shqipe është frymëzim, jetë, oskigjen, është mjet i fortë për ruajtjen e trojeve dhe popullit shqiptar. Kjo gjuhë e bukur është e bekuar si me magji nga gjaku i trimave që dhanë jetën për liri, intelektualëve mendjendritur të cilët nën plumbat e pushkës dhe erës së barutit arritën ta nxirrnin nga errësira dhe ta ruanin atë aq të pastër nga fjalët e huaja, duke e përcjellë brez pas brezi nëpërmjet veprave të tyre letrare. Vuajtjet e shpirtit për gjuhën shqipe, e cila nuk lejohej të shkruhej nga pushtuesit osmanë, përpjekjet e zjarrta titanike të pandalshme deri në rangjet e larta botërore për liri, ndihen qartë në çdo vepër e poemë të rilindasve të kombit. Në çdo shkronjë e fjalë vërshon lumë dashuria për gjuhën shqipe, ndizet malli për atdhenë, dhe meraku për ta parë Shqipërinë të pavarur. Gjatë pushtimit osman nuk kishte as libra, as alfabet dhe mjete shkollore, por me aq zell e dashuri u mësohej gjuha shqipe fëmijëve e më të rriturve, që ajo të mos zhdukej, pasi në të kundërtën bashkë me të do të zhdukej edhe kombi.

Ndërsa sot, duke i pasur të gjitha mundësitë, një pjesë e mirë nuk ua dinë vlerën gjuhës shqipe, dhe as u janë mirënjohës përpjekjeve titanike të intelektualëve dhe trimave që luftuan për ruajtjen e saj, të cilëve u kemi një borxh kaq të madh. Profesori i nderuar i gjuhës shqipe, Eqerem Çabej, ka dhënë gjithashtu një kontribut të shquar për këtë gjuhë të bekuar duke theksuar se: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij. Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”. Nëse institucionet qeveritare do të vazhdojnë të flenë gjumë, duhet të jemi ne qytetarët që të vihemi seriozisht në lëvizje, duke filluar që në bërthamën e shoqërisë; familjen. Askush nuk mund ta përbaltë shqipen! Amaneti i të parëve duhet të shkojë në vend! Gjuha e vjetër shqipe është e pavdekshme! Rroftë Gjuha Shqipe!

Filed Under: Analiza

Institucionet autonome në mbrojtje të identitetit kombëtar

September 19, 2024 by s p

Në vendet më përbërje multinacionale me qeverisje demokratike për ruajtjën dhe mbrojtjën e pjesëtarëve të popujve të ndarë përkatësisht të pakicave kombëtare janë formuar institucione të pakicave të cilët janë në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar, duke dëshmuar në mënyrë praktike përkushtimin për barazi qytetare e nacionale, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi janë dëshmi e shpërfilljës së identitetit kulturor e arsimor si në kohën e monizmit dhe tash në pluralizëm sepse pushteti vazhdon me qasje unitariste që është në kundërshtim me standardët ndërkombëtare.

Nail Draga

Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi në rrethana të reja shoqërore në kohën e pluralizmit, paraqet çështje te mbijetesës në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Ndonëse me rënien e sistemit monist është pritur që të ndodhin ndryshime cilësore, por jemi dëshmitarë se nuk ka ekzistuar gadishmëria e pushtetit për ndryshime sepse këtu ende është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit, por tash me sintagmen e “shtetit qytetarë”. Nëse përjashtojmë themelimin e komunës së Tuzit për territorin e Malësisë nga 1 shtatori i vitit 2018, që është e arritura e vetme, që është dëshmuar në praktikë si shumë pozitive, ne rrethanat e reja shoqërore në kohën pluralizmit, për shqiptarët çdo gjë tjetër i ngjason kohës së monizmit që nuk është në favor te avancimit te të drejtave sipas standardëve ndërkombëtare.

Shqiptarët me status të dyfishtë

Duke marrë parasysh se Mali i Zi me strukturën heterogjene të popullsisë,paraqet rast specifik në Evropën Juglindore,por në këtë mozaik të popujve shqiptarët dallohen nga popujt e tjerë me histori, gjuhë, kulturë e traditë, sepse janë të vetmit që nuk iu takojnë popujve sllavë.
Pikërishtë në saje të tyre elementeve në këtë vend ata veçohen me status të dyfishtë, sepse nga njëra anë janë shtetas të Malit të Zi, ndërsa nga ana tjetër janë pjesë e pandarë e popullit shqiptarë. Andaj, kemi të bëjmë me një binom i cili meriton qasje të veçantë, nga strukturat qeveritare në Mal të Zi.
Por, një dimension i tillë deri më tash nuk është trajtuar asnjëherë nga strukturat qeveritare, çështje e cila duhet të jetë preokupim i të gjithëve e në veçanti të partive politike të shqiptarëve, si përfaqësues autentik të tyre. Pikërisht në këtë drejtim ata nuk duhet të heshtin, por duhet shtruar kërkesa të vazhdueshme sipas standardëve ndërkombëtare për avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Çështje parësore janë institucionët autonome, sepse të tillët janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të çdo populli, duke filluar nga qeverisja lokale e pakicës(komunat) deri të institucionet e ndryshme qe janë enkas në mbrojtje të identitetit kombëtar(informimi, arsimi dhe kultura). Formimi i institucioneve te tilla, janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mjediset multinacionale dhe multikulturore, sipas standardëve ndërkombëtare.

Sfidat e mbijetesës

Të ndodhur në kuadër të Malit të Zi, si me herët dhe me pas në ish republikën socialiste, ndaj shqiptarëve pushteti kishte strategji të veçantë kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ne këtë aspekt ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, sepse ndiqej politikë e asimilimit dhe ajo e shpërnguljes. Ishte ky një veprim perfid i pushtetit për spastrim të heshtur etnik, të viseve shqiptare në këtë mjedis.
Brezi i ri nuk mund ta kuptojë se deri në vitin 1968, mësuesi në shkollat më mësim në shqip, orën në ditarin e klasës e ka shkruar në gjuhën serbe. Po ashtu të tilla kanë qenë edhe dëftesat shkollore, qe janë dëshmi e diskriminimit praktik. Nga ana tjetër përveç abetarës dhe librit të leximit që ishte në shqip, të tjerat kanë qenë sipas konceptit unitar arsimor, duke mos respektuar veçantitë e shqiptarëve në këtë mjedis, që ka të bëjë me lëndët mësimore te identitetit kombëtar.
Por, pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, u bënë ndryshime pozitive edhe te shqiptarët në Malt të Zi, sepse, u hapën shkollat më mësim në gjuhën shqipe ne vendbanime të ndryshme nga jugu në Ulqin dhe Rozhaja në veri. Ishte kjo koha e rilindjes arsimore e kulturore të shqiptarëve në këtë mjedis. Për të parën herë deftesat dhe librezat shkollore ishin në gjuhën shqipe, ndërsa tekstet shkollore arrinin nga Kosova.
Në lidhje me shkollimin e nxënësve shqiptarë në shkollën fillore duhet cekur se disa shqiptarë vazhduan si më parë për ti dërguar fëmijet e tyre në shkollat në gjuhën serbe. Kemi të bëjmë me një veprim perfid të pushtetit, qe ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Por, në sajë të demonstratave në Kosovë në vitin 1981, filloj fushata shtetëtore kundër shqiptarëve, gjoja se janë duke luftuar nacionalizmin shqiptar, që pati pasoja të mëdha deri në ditët tona. Në këtë aspekt u rrudhosën edhe ata të drejta të pakta të realizuara me herët ku më së shumti e pësoi arsimi, sepse u ndryshuan programet mësimore si dhe u ndaluan të përdorën tekstet shkollore të botuara në Prishtinë, duke përdorur tekstet nga autorët sllavë të përkthyera në shqip, që ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve dukuri qe fatkeqësisht vazhdon edhe sot!

Institucionet identitare në favor të barazisë

Në rrethana të reja shoqërore e politike në pluralizëm në mjediset multinacionale nuk mund të mendohet me filozofinë e kohës së monizmit, sepse në pluralizëm në skenën skenën politike janë të pranishme partitë politike të popujve të ndryshëm qe janë përfaqësues autentik të tyre. Në këtë drejtim përvoja pozitive e vendëve të ndryshme demokratike evropiane, duhet të jetë model në Mal të Zi, sepse në pluralizëm përveç institucioneve qeveritare shtetërore çdo kush duhet të ketë institucionet e tyre të mbrojtjës së identitetit, që janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mejdisin përkatës.
Pikërisht angazhimi për institucione autonome sidomos nga fusha e arsimit dhe e kulturës me financim nga buxheti i shtetit, duhet të jetë preokupim i vazhdueshëm i subjektëve politike të shqiptarëve si përfaqësues i tyre autentik.
Çdo përpjekje e angazhim ne këtë drejtim, nuk cenon të drejtën e të tjerëve, andaj duhet të mbeshteten edhe nga subjektët tjera politike në Mal të Zi sepse është në favor të avancimit të barazisë qytetare e nacionale dhe eliminon hegjemonizmin shtetëror. Andaj në favor të kësaj çështjeje për shqiptarët është e nevojshme të themelohen:

Qendra e arsimit shqip, ku si ingerencë do të kishte planprogramet shkollore, tekstet mësimore dhe administratën shkollore dhe
Qendra Kulturore Shqiptare, si subjekt autonom për mbrojtje, zhvillimin dhe hulumtimin e vlerave kulturore shqiptare në Mal të Zi, që do të ishin të financuara nga buxheti shtetëror.

Guximi i munguar

Ndonëse partitë politike të shqiptarëve duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar nga viti 1998 e më pas, nuk kemi informacion se këtë çështje e kanë trajtuar në tryezën e takimëve. Dhe nga një qasje e tillë dëshmon se ata nuk kanë pasur guxim me u marrë me kërkesat legale dhe të ligjshme në mbrojtjën e identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis. Një qendrim i tillë opurtunist iu konvenonte strukturave qeveritare sepse deri sa nuk ka kërkesa nga ata si përfaqësues , atëherë çdo gjë qenka në rregull(!). Dhe nga një qendrim i tillë indiferent nga partitë politike të shqiptarëve pjesëmarrëse në qeverisje qendrore, nuk ka pasur mundësi të paraqiten kërkesa konkrete për themelimin e institucionëve të pakicës nga fusha e arsimit dhe e kulturës.

Duhen veprime konkrete

Pjesëmarrja në Qeverinë aktuale me tre ministra ku njëri është në rolin e ndihmës kryeministrit si përfaqësues autentik i shqiptarëve qe është hera e parë në Mal të Zi, duhet shfrytëzuar maksimalisht, në favor të avancimit të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis. Sepse çdo kërkesë e shqiptarëve që është në favor të avancimit të pozitës së tyre e cila nuk është kundër të tjerëve duhet të miratohet nga çdo qeveri demokratike. Ne këtë aspekt tash janë mundësitë reale qe të punohet në këtë drejtim, e jo duke hezituar, sepse vendnumrimi nuk është në favorin e shqiptarëve. Një qasje e tillë duhet të jetë mësim për të tashmën e të ardhmen andaj duhet angazhim konkret, me profesionist të dëshmuar dhe individë të guximshëm. Opinioni shqiptarë në Mal të Zi pret veprime konkrete e jo premtime sikurse në fushatat zgjedhore, sepse është koha e transparencës dhe çdo kush do të vlerësohet për angazhimin dhe veprat e realizuara.

Filed Under: Analiza

MASSIMO D’ALEMA: “ U TAKOVA ME PRESIDENTIN SERB  NË KLINIKËN E DENTISTIT TIM. MË PAS QE I NEVOJSHËM SULMI NË KOSOVË”

September 18, 2024 by s p

Nga FRANCESCO VERDERAMI – “Corriere della Sera” , 16 shtator 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

“Jam kryeministri që çoi Italinë në luftë. Kriza e Kosovës shënoi përvojën time në drejtimin e qeverisë. Në 21 tetorin e vitit 1998 Massimo D’Alema kaloi derën e Pallatit Chiggi i shoqëruar nga profecia e Francesco Kossigës, simbas së cilës “udhëheqësi i së majtës është i domosdoshëm për të bërë të mundëshme luftën në Kosovë”, të shpërthyer pesë muaj mbrapa. Ka pra një arsye nëse kryeministri i parë pas komunist i historisë republikane bën hapin e parë duke thënë  “ne kemi qënë aleatë të ndershëm të amerikanëve por, së bashku me evropianë të tjerë, në një marrëdhënie dialektike që nuk ka qënë gjithmonë e lehtë”. Prandaj fillon tregimin mbi luftën në Ballkan duke u nisur nga një ngjarje pararendëse.

“Kur qeveria e Romano Prodit  ra ishim në një gjëndje para lufte. Në fakt Prodi kishte vendosur l’activation order, që është akti me të cilin qeveritë e Aleancës Atllantike venë Fuqitë e tyre t’armatosura nën komandën e bashkuar të NATO-s. Ishte një çast lufte të mundëshme dhe të menjëherëshme. Ishte e dukshme se ideja e Prodit për të dalë nga kriza me zgjedhje të parakohëshme nuk ishte realiste. Në këtë drejtim hulumtova presidentin e Republikës. Oscar Luigi Scalfaro qe i prerë: “Ju jeni të marrë”. Rruga për votime ishte e mbyllur. Ky falt kushtëzoi  të gjithë zhvillimin e krizës. Un bëra çmos  për të shmangur arritjen e luftës. Gjithshka”.

  Në ç’kuptim gjithshka?

“Shkova të takoj fshehurazi presidentin e Sërbisë Milan Milutinoviç, që ishte një njeri shumë i afërt i presidentit të Federatës jugosllave Sllobodan Millosheviç. Takimi u organizua nga dentisti im”. 

Dentisti i juaj?

“Një njeri, pjestar i asaj bote “xhuliane”  që ka jetuar dhe ushtruar profesionin në kapëcyell mes Italisë e Jugosllavisë e që kishte si pacient Milutinoviçin. Në klinikën e tij në Romë organizoi takimin tonë. Qe një bisedë dramatike, sepse ndodhi të nesërmen e plojës së Rajçakut, në të cilën paraushtarakët sërbë kishin vrarë dhjetra civilë kosovarë të etnisë shqiptare. I thashë: “Ju nuk arrini . të kuptoni tragjedinë që keni shkaktuar e që ushqen shtysën për një ndërhyrje ushtarake”. M’u përgjigj në mënyrë cinike: “Ne nuk kemi frikë nga këta kërcënime. NATO nuk do të ketë kurrë guximin për të vënë këmbë tek ne”. Ishte shenjë e një klase politike të papërgjegjëshme që nuk kuptonte atë që po ndodhte”.

Qe atëherë që i u nënështrove luftës?

“Qe më vonë. Kur spastrimi etnik u bë më i fuqishëm, organizuam një mision humanitar së bashku me Shqipërinë në kufijtë e Kosovës. Kalova Pashkën në qafën e Kukësit e pashë mijra të ikurish që largoheshin nga lufta me historitë e tyre të vuajtjeve. Atë ditë u binda se nuk kishte alternativa ndaj një veprimi ushtarak. Ishte pragu i sulmit”.

Kështu vendosët të merrnit pjesë në misionin? 

“Së pari pata një bisedim delikat me Bill Clintonin. Ai diskutim me presidentin amerikan do të ishte shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë e ngjarjeve e për rolin e Italisë. Clintoni më tha: “Kuptoj që jeni në një pozitë të vështirë. E kuptoj vëshirësinë e qeverisë tënde. Por nëse vini në dispozicion bazat tuaja ushtarake e në NATO nuk kundërshtoni  urdhërat e Aleancës, nuk do të jetë e domosdoshme pjesëmarrja e juaj e drejtpërdrejtë. Veprimet do të jenë të bashkërenduar nga një katërshe: Shtetet e Bashkuar, Britania e Madhe, Franca e Gjermania”.

E ju ?

“I u përgjigja: në këtë ndodhi nuk do të jetë një katërshe. Do të jetë një pesëshe”. Nëse do t’a kishim katandisur Italinë  në rolin e një aeroplanmbajtëse të NATO-s, nuk do të llogariteshim fare, nuk do të kishim patur peshë politike në drejtimin e krizës. Dhe pesëshe qe. Hymë në rrethin e Vendeve që merrnin përgjegjësi të plotë. E patëm dinjitet të barabartë me aleatët. “

Kështu më 24 shkurt 1999 u vutë përkrah tyre, duke filluar sulmin ndaj Jugosllavisë. Dhe pa mandatin e OKB-s.

“Drejtimi i luftës qe i ndërlikuar. E pati çaste kundërshtie të hapur ndërmjet pjesëmarrësve të pesëshes. Ne për shembull ishim kundër bombardimeve të qyteteve serbe. E si neve ashtu edhe gjermanët. “

Por Beogradi u gjuajt.

“Ata veprime  u kryen nga amerikanët dhe anglezët me raketa të lëshuara nga aeroplanmbajtëset që qëndronin në Adriatik e aeroplanë që vinin nga Shtetet e Bashkuar, të furnizuar në fluturim para sulmit. Flota e jonë ajrore u përqëndrua mbi trupat serbe që qëndronin në Kosovë, që ishin synimi themelor i veprimit ushtarak.“ 

Qe i vetmi kalim delikat?

“Çasti më dramatik  erdhi në prillin 1999, në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Washington, me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Aleancës. Lufta në Kosovë vazhdonte por Millosheviçi nuk prapsohej. Kështu gjatë një mbledhjeje u ndamë”. 

Kush ishte veç jush në takim?

“Clintoni, kryeministri anglez Tony Blair, kançelari gjerman Schröder, presidenti francez Jacques Chirac dhe kryeministri spanjoll José Maria Aznar, që ishte ftuar të merrte pjesë. Natyrisht ishte edhe gjenerali amerikan Wesley Clarc, komandani i përgjithshëm i Forcave NATO.

Çfarë ndodhi?

“Blair, i mbështetur nga Aznari, përkrahu  nevojën e një mësymjeje të vërtetë me trupa të tokës. Diskutimi u bë shumë i ashpër. Italia, Franca dhe Gjermania kundërshtonin atë zgjidhje. Clarc tha “Do t’a bëjmë kur të na urdhërohet. Kemi plane, por mos mendoni se do të çojmë ushtarët tanë të lëvrijnë si guerrilje në malet e Kosovës. Nëse do të vendosnim për të ndërhyrë do të na duhej të hynim në Serbi. Formalisht mbeti asnjanës, por duke vënë theksin mbi madhështinë e veprimit e mbi rreziqet e tij, na ndihmoi të mbizotëronte arsyeja. Në kundërshtim me atë që mendohe tushtarakët janë gjithmonë më të maturit në kryerjen e luftës, sepse e njohin. Janë politikanët më luftënxitësit.

Mbetej Clintoni për të folur.

“Dhe presidenti amerikan mrekullisht i dha fund diskutimit, duke thënë: “Nuk do të bëjmë asgjë që ndan Evropën. Do të bëjmë atë për të cilën të jemi të gjithë në një mëndje. Presidenti i Shteteve të Bashkuar nuk mund të ndajë Evropën”. Kështu hamëndja e mësyemjes u arkivua. Por, e përjashtuar mësyemja shtrohej problemi si të shtyhej për një zgjidhje politike. Asnjëri gjatë luftës nuk tha kurrë  “Duam të fitojmë luftën me Serbinë”. Kjo fjali e marrë nuk u shqiptua kurrë. Ne përsërisnim se trysnia ushtarake kishte si synim t’a detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga Kosova dhe të mbronte popullsinë. Duhej punuar pra për zgjidhjen politike. U a shpjegova amerikanëve”.

Po ats?

“ Italia ishte i vetmi Vend që kishte mbajtur të hapur ambasadën e saj në Beograd e kishim ruajtur kanalet. Ata kanale ushqeheshin edhe nga bashkësia e Shën Egjidit e veçanërisht nga arqipeshkvi Vincenzo Paglia, që luajti një rol të rëdësishëm në marrëveshje me qeverinë. I thashë atëherë Clintonit se duhej negociuar me Millosheviòin lirimi i Ibrahim Rugovës: “Gandi i Ballkanit”, simbol i qëndresës jo të dhunëshme kosovare. Ai përfaqësonte pjesën e moderuar të kombëtarizmit kosovar, atë më të prirur për bashkëjetesë etnike me serbët. Rugova ishte në arrest shtëpie e ne negociuam lirimin e tij, në një mëndje me amerikanët. E gjithmonë në një mëndje me amerikanët përziemë edhe Rusinë në ndërmjetësim”.

Por Rusia në OKB a nuk kishte vënë veton ndaj sulmit të NATO-s kundër Serbisë?

“Është e vërtetë, por ish kryeministri rus Viktor Çernomirdin erdhi dy herë fshehtas në Romë.

Hëngrëm darkë bashkë në pallatin Kixhi  e pastaj thirrëm Clintonin për të  përkuar caqet e bisedimeve. Të nesërmen Çernomirdini shkoi në Beograd për të folur me Millosheviçin. E gjithë kjo ndërsa vazhdonte lufta.”

Po Clintoni?

“ Kishte vetëm një shqetësim: “Nëse Millosheviçi liron Rugovën, si pacifist ai mund të flasë kundër veprimit të NATO-s. Më besoi. E Rugova u lirua. Qe ndonjë vëzhgues që n’atë kohë shkruajti: “Italia ka liruar një kufomë politike”. Në të vërtetë Rugova  qe i çmuar për zgjidhjen e krizës dhe stërfitoi zgjedhjet mbas luftës. Shërbimet tona shkan dhe morën për t’a sjellë në Romë. Sapo mbërriti tha: “Falënderoj NATO-n që po mbron popullin tim”. Isha rrugës kur mora një telefonatë nga Clintoni, që falënderoi për suksesin e operacionit. Toka për zgjidhjen politike ishte përgatitur.”

Çfarë do të thotë?

“Që kjo punë ndihmoi të gjindej një rrugëzgjidhje diplomatike, duke i hapur rrugën nismës zyrtare të presidentit finlandez Ahtisaari. Kur u arrit marrëveshja me Serbinë dhe ajo u tërhoq, në Kosovë nuk u fut NATO, por një trupë ushtarake nën drejtimin e Kombeve të Bashkuar, në të cilën bënin pjesë edhe ushtarakë rusë. Kështu u ndreq edhe ai kuadër ligjor ndërkombëtar që ishte prishur, me që Nato kishte vepruar pa miratimin e OKB-së. Nëse mendoj të djeshmen e shoh sot ajo që më bën përshtypje është: ku ka mbaruar politika? Ku qëndron mundi për të ndërtuar një skenar të pranueshëm mbrapa?”. 

E keni fjalën për luftën në Ukrainë ?

E kam fjalën për disa fjalime pa kuptim, për disa njerëz që thonë “Duhet të fitojmë luftën”. Mendoj për Blair-in apo ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg. Kjo është një luftë që askush nuk mund t’a fitojë: nga një anë është një fuqi bërthamore e nga tjetra fuqia ushtarake e Perëndimit. Nëse nuk ndalet përfundimi mund të jetë një katastrofë botërore. Politika do të duhej të gjente  një rrugëdalje”.

A është e mendueshme një rrugëdalje, në bazë të së cilës Ukraina duhet të pranojë humbjen e një pjese të territorit të saj?

“Po Kosova a nuk ishte një pjesë e Serbisë? Ai që përcaktoi qe populli kosovar. Ndoshta edhe tashti, nën mbrojtjen ndërkombëtare, mund të jenë qytetarët e Donbasit  ata që vendosin.”

“Corriere della Sera” , 16 shtator 2024         Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

RILINDJA, BORATI DHE FATI I TYRE I PASHMANGSHËM

September 17, 2024 by s p

Dr. Erion Dasho/

Shqipëria tashmë është shndërruar në një diktaturë të Rilindjes. Akaparimi i të gjithë pushteteve, loja me të ashtuquajturën “drejtësi”, sistemi gëbelsian i propagandës dhe vendosja nën tutelë e çdo zëri kritik nuk mund të quhen përveç se me emrin që i karakterizon, DIKTATURË!

Sikur të mos mjaftojë pushteti i dukshëm, rilindja ka farkëtuar tre aleanca të nëndheshme, të cilat çimentojnë edhe më tej regjimin e saj diktatorial. Këto janë aleancat tashmë të konsoliduara me oligarkinë, me narkotrafikun e krimin e organizuar, dhe me pjesën e blerë të opozitës së telekomanduar.

Nga ana tjetër, si çdo diktaturë, rilindja ka krijuar tashmë masën kritike të ndjekësve duke ndjekur parimin e kulaçit dhe kërbaçit.

Votuesi trushplar jep ende votën për “ideal” të gjyshit e stërgjyshit partizan, komunist apo spiun. Votuesi pragmatik e jep votën në këmbim të vendit të punës, ai torollak në këmbim të thesit të miellit, kurse votuesi “kokëfortë” pas kërcënimit dhe dhunës.

Pamja bëhet e plotë, nëse makiavelizmit elektoral i shton mekanizmin djallëzor të shpopullimit selektiv, i cili ka vepruar në mënyrë përzgjedhëse duke dëbuar atë pjesë të popullatës që persekutohej, ose në rastin më të mirë, nuk favorizohej nga rilindja.

***

Rezultati është që sot kemi një Borat të shndërruar në Enver të dytë. Vullneti i tij është ligj, pushteti i tij politik, juridik dhe mediatik është absolut.

Të vetmet pushtete që Borati është i detyruar të ndajë janë pushteti ekonomik që ndahet me oligarkinë dhe pushteti okult i cili, siç tregojnë përgjimet e encrochat, ndahet me narkotrafikun dhe krimin e organizuar.

Opozita politike është vendosur në qoshen e ringut, me drejtuesin të burgosur, dhe me përfaqësuesit e tjerë politikë të dhunuar, shtypur dhe nëpërkëmbur.

Pyetjet që bën sot çdo shqiptar janë:

》Si do të përmbyset diktatura e rilindjes?

》Cili është plani i opozitës së vërtetë, Partisë Demokratike dhe Liderit të saj Berisha, për të sfiduar këtë regjim të përbindshëm?

》A ka shpresë për shqiptarët, apo janë ata të destinuar të jetojnë një diktaturë të dytë, të njëjtë me atë që përmbysën para 34 vjetësh?

***

Historia qindra vjeçare e përballjes së qytetarëve me diktaturat jep mësime me vlerë se si mund të përmbysen ato.

Së pari, koalicioni me qytetarin. Çdo shtresë e shoqërisë shqiptare duhet të mobilizohet, të përfshihet dhe të ndjehet e përfaqësuar në përballjen me diktaturën rilindëse.

Së dyti, organizim në struktura kapilare. Nuk mund të ketë rezistencë të organizuar, pa një komunikim të pandërprerë të opozitës me qytetarët deri në skajet më të largët të vendit. Tashmë, me garantimin e votës së diasporës, është detyrim edhe komunikimi me shqiptarët e mërgatës.

Së treti, rezistencë paqësore, por e vendosur. Rreth Tiranës sot jetojnë me shumë se dy të tretat e shqiptarëve të mbetur. Është e pafalshme që, të paktën një herë në javë, të mos ketë një protestë të disa mijëra shqiptarëve para kryeministrisë së Boratit. Mesazhi që japin mijëra njerëz në shesh çdo javë, është mesazh revolte, shprese dhe ndryshimi. Ai ndihmon të forcohet me ritëm të përshpejtuar si aleanca me qytetarin, ashtu edhe struktura e qëndresës.

Së katërti, lëvizja kundër diktaturës ka nevojë për një vizion dhe parime udhëheqëse të qarta që të frymëzojnë dhe bashkojnë shqiptarët.

Rilindja dhe Borati kanë përqafuar prej dekadash ideologjinë e liberalëve të majtë, e cila është sot po aq shkatërruese për shoqërinë sa edhe ideologjia komuniste para 100 vjetësh.

》E mishëruar në parimet “woke”, të minimit të vlerave të familjes, komunitetit, kombit dhe fesë…

》E frymëzuar nga agjenda të kërcënimeve futuriste si ngrohja globale, për të larguar vëmendjen nga katastrofat e së sotmes…

》E zbatuar nga një sistem që propagandon “barazi” ekonomike dhe “drejtësi” sociale, por që ofron polarizim të tejskajshëm dhe varfëri deri në uri për shtresat më të cënueshme…

…e majta liberale “woke” që përfaqëson sot rilindja po e çon Shqipërinë drejt greminës, sikundër bënë baballarët kriminelë me ideologjinë po aq shkatërrimtare të komunizmit proletar.

***

Shqiptarët nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë “woke”!!!

Shqiptarët dinë të jenë tolerantë dhe mirëkuptues ndaj personave LGBTQI, por nuk mund të pranojnë agjendën e minimit dhe shkatërrimit të familjes.

Shqiptarët vuajtën 45 vjet ekonominë e planifikuar të Partisë së Punës që i varfëroi deri në palcë dhe i ktheu në afrikanë në mes të Europës. Ata nuk mund të dorëzojnë tregun e lirë për të përqendruar ekonominë në dy-tre duar oligarkësh. Shqiptarët nuk duan që ekonomia e tyre t’i bëhet dhuratë narkotrafikut ndërkombëtar për të larë paret e kokainës, heroinës dhe hashashit.

Shqiptarët dëgjuan 45 vjet propagandë të pështirë dhe të dhunshme të etërve gjakësorë. Ata nuk mund të dorëzojnë lirinë e fjalës të fituar me gjak, për t’ja bërë atë dhuratë patronazhistëve dhe aktivistëve të Boratit.

Shqiptarët u dënuan me burg edhe për një fjalë goje nga “drejtësia” puniste dhe u pushkatuan për një libër me poezi. Ata nuk mund të pranojnë që fantazma e Aranit Çelës t’u fanepset sot në trajtën e Altin Dumanit.

Këto shqiptarët duhet t’i dëgjojnë përditë, deri sa zemërimi i tyre kundër rilindjes të kthehet në uragan ndëshkues për shkatërruesit e familjes, komunitetit, shoqërisë, kombit, ekonomisë, drejtësisë dhe lirisë së shqiptarëve.

***

Dekada në pushtet e rilindjes dhe Boratit ka qenë e dhimbshme për shqiptarët. Çka është më e keqja, kjo dekadë prodhoi një përbindësh që nuk është aspak e lehtë të mundet.

Partia Demokratike ka sot një përgjegjësi historike.

》Nuk bëhet fjalë thjesht për një lider të burgosur!

》Nuk bëhet fjalë thjesht për të fituar një palë zgjedhje!

》Nuk bëhet fjalë thjesht për luftë për pushtet!

Bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Nëse kjo përgjegjësi kuptohet siç duhet nga demokratët dhe shqiptarët, fundi i rilindjes dhe i Boratit është i pashmangshëm, i shpejtë dhe i turpshëm.

Në këto vitet e fundit, asnjë diktator në botë nuk ka vdekur në shtrat dhe i qetë. Burgu, syrgjynosja dhe turpi kanë qënë ndëshkimet më lë lehta për ta.

Boratit dhe rilindjes historia u ka rezervuar të njëjtin fat…

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT