• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përdorimi i Forcës Ushtarake RFJ (Serbi-Mali i Zi) mbi popullatën e Kosovës (1998-1999): Një Shkelje e Parimeve të Kartës së OKB-së

December 16, 2024 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Lufta e Kosovës (1998-1999) dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s përbëjnë një nga rastet më të debatuara në të drejtën ndërkombëtare sa i përket përdorimit të forcës pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky rast është konsideruar një shembull unik ku konflikti midis legalitetit dhe legjitimitetit të përdorimit të forcës është trajtuar gjerësisht në jurisprudencën ndërkombëtare.

1. Parimet e Kartës së OKB-së për Përdorimin e Forcës

Sipas Nenit 2(4) të Kartës së OKB-së, përdorimi i forcës nga shtetet kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti tjetër ndalohet. Përjashtimet e vetme janë:

       -Vetëmbrojtja (Neni 51): Kur një shtet(kolektivitet-popull) përballet me një sulm të armatosur.

       -Autorizimi nga Këshilli i Sigurimit (Kreu VII): Kur Këshilli i Sigurimit përcakton se një situatë kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe Kinës, dy anëtare të përhershme me të drejtë vetoje,por përkundër kësaj,për herë të parë NATO-jetësoj kreu të VII të Kartës së OKB-së.

2. Situata në Kosovë: Shkeljet e Rënda të të Drejtave të Njeriut

Gjatë viteve 1998-1999, regjimi i Sllobodan Millosheviqit kreu një fushatë brutale të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës. Ky konflikt përfshiu:

      -Masakra e Reçakut (janar 1999): 45 civilë shqiptarë të Kosovës u vranë nga forcat serbe, një akt i dokumentuar nga OSBE dhe shtetet perëndimore, i cili shërbeu si një nga katalizatorët kryesorë për ndërhyrjen e NATO-s.

      -Masakrat e Mejës, Krushës së Madhe dhe shumë fshatrave të tjera: Me mijëra civilë u vranë dhe u zhdukën në mënyrë sistematike.

      -Më shumë se 800,000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni.

      -Tortura, përdhunime masive dhe ekzekutime të organizuara.

3. Ndërhyrja e NATO-s: Legaliteti dhe Legjitimiteti

Në mars 1999, NATO nisi një fushatë ajrore 78-ditore kundër Serbisë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Edhe pse mungonte autorizimi i Këshillit të Sigurimit, NATO e justifikoi ndërhyrjen si një veprim humanitar emergjent.

Argumentet për Legalitetin dhe Legjitimitetin:

a) Justifikimi i NATO-s:

   -Ndërhyrja Humanitare: Ndërhyrja u justifikua për të ndalur krimet kundër njerëzimit dhe për të parandaluar një gjenocid të mundshëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.

   -Precedentet Historike: Mësimet nga dështimi për të ndërhyrë në gjenocidin e Ruandës (1994) dhe Bosnjës (1995) ndikuan fuqishëm në vendimin për të vepruar.

b) Kundërshtimet nga Rusia dhe Kina:

   -Shkelje e Sovranitetit: Kët mundohët të argumentoi Serbia se gjëja  se ndërhyrja e NATO-s përbënte një shkelje flagrante të sovranitetit të saj dhe një akt agresioni ndërkombëtar.

   -Pa Mandat të OKB-së: Rusia dhe Kina e konsideruan këtë veprim të paligjshëm për shkak të mungesës së një autorizimi zyrtar nga OKB-ja.

4. Precedente të Ngjashme në të Drejtën Ndërkombëtare

a) Ndërhyrja në Somali (1992):

   -OKB autorizoi ndërhyrjen për të parandaluar një katastrofë humanitare gjatë luftës civile dhe urisë masive.

b) Dështimi në Ruandë (1994):

   -Dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin që vrau mbi 800,000 njerëz u përdor si një mësim për ndërhyrjen në Kosovë.

c) Ndërhyrja në Bosnjë dhe Hercegovinë (1995):

   -Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur masakrat dhe rrethimin e Sarajevës u autorizua nga OKB-ja dhe shërbeu si një precedent për veprimin në Kosovë.

5. Pasojat Ndërkombëtare të Ndërhyrjes në Kosovë

a) Pasojat Politike:

   -Rënia e Millosheviqit: Ndërhyrja çoi në humbjen e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën dhe në rrëzimin e regjimit të Millosheviqit.

    -Administrata e OKB-së (UNMIK): Pas luftës, OKB krijoi një administratë ndërkombëtare në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

b) Pasojat Juridike:

    -Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND): Në vitin 2010, GJND-ja vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare.

    -Tribunali i Hagës: Shumë liderë serbë, përfshirë Millosheviqin, u akuzuan për krime lufte.

c) Zhvillimi i Doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur” (R2P):

    -Ndërhyrja në Kosovë ndihmoi në krijimin e doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur” (R2P), të miratuar në Samitin Botëror të OKB-së në 2005, e cila përcakton detyrën ndërkombëtare për të ndërhyrë në rastet e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mbetet një nga çështjet më të debatueshme në të drejtën ndërkombëtare. Edhe pse juridikisht ajo nuk kishte autorizimin e Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye u jetësua kreu VII dhe parimet e Kartës së OKB-së, legjitimiteti i ndërhyrjes mbështetej në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e një katastrofe humanitare. Rasti i Kosovës ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare dhe në konceptin e ndërhyrjes humanitare.

Filed Under: Analiza

Modelet Shkencore «Drenica», «Çitaku» dhe «Health Revolution-Hetem Ramadani» prezantohen me sukses në Konferencën Shkencore të Mjekësisë në Arabinë Saudite

December 13, 2024 by s p

Nga data 3 deri më 5 dhjetor 2024, në qytetin Jazan të Arabisë Saudite, u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për Arsimin në Mjekësi, ku një ndër folësit kryesorë ishte Prof. Fadil Çitaku, një shkencëtar i njohur ndërkombëtarisht në fushën e neurolidershipit. Profesori nga Drenica prezantoi tema që lidhen me neurolidershipin dhe shëndetësinë, duke shpalosur modelet shkencore «Drenica», «Çitaku» dhe modelin për mirëmbajtjen e shëndetit dhe kurimin e sëmundjeve, «Health Revolution», të krijuar nga Prof. Hetem Ramadani. Këto modele përfaqësojnë qasje inovative në lidershipin dhe trajtimin mjekësor.
Gjatë konferencës, Prof. Çitaku mbajti një fjalim frymëzues mbi neurolidershipin, duke theksuar se si ky koncept lidershipi, i bazuar në funksionimin e trurit, mund të përmirësojë vendimmarrjen dhe efikasitetin në sektorin e mjekësisë dhe shëndetësisë. Ai theksoi rezultatet e punimeve shkencore të tij dhe kolegëve në Academy of Leadership Sciences Switzerland, të publikuara në revista prestigjioze shkencore, që dëshmojnë krijimin e një paradigme të re të lidershipit modern të bazuar plotësisht në shkencë. Gjithashtu, ai udhëhoqi një workshop me temën “Lidershipi në Arsimin e Mjekësisë”, që tërhoqi vëmendjen e profesorëve dhe pjesëmarrësve nga mbarë bota.
Në kuadër të prezantimeve të tij, Prof. Çitaku ndau detaje mbi modelin “Health Revolution” të Prof. Hetem Ramadanit. Ky model, i cili kombinon mjekësinë tradicionale dhe një stil të shëndetshëm jetese, ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve kronike dhe po tërheq vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar shkencor.
Gjatë këtij aktiviteti, Prof. Çitaku u nderua nga autoritetet më të larta të rajonit Jazan, duke përfshirë Princin dhe Guvernatorin, Dekanen e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Jazan dhe Kryetarin e Komitetit të Arsimit Mjekësor në Arabinë Saudite. Në një ceremoni mirënjohjeje, ai u falënderua për kontributin e tij të çmuar në fushën e edukimit dhe lidershipit mjekësor.
Prof. Fadil Çitaku është një nga shkencëtarët më të shquar ndërkombëtarë në fushën e neurolidershipit. Gjatë vitit 2024, ai ka qenë folës kryesor në gjashtë konferenca ndërkombëtare, duke përfaqësuar gjithmonë flamurin kombëtar shqiptar, atë të Kosovës dhe të Zvicrës, ku ai jeton dhe punon. Prof. Çitaku është themelues dhe drejtues i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër (ALSS), një institucion që udhëheq në inovacion në fusha si neurolidershipi, neurobiznesi dhe neuromarketingu. Ai gjithashtu është bashkëthemelues dhe drejtues i Institutit për Avancim Kombëtar (IPAK) në Prishtinë, që synon avancimin kombëtar përmes dijes dhe teknologjive të reja shkencore.
Më poshtë mund të gjeni disa nga artikujt e publikuar në gazetat kryesore saudite mbi këtë konferencë, si dhe një intervistë që Prof. Çitaku ka dhënë për televizionin e Universitetit të Jazan.
https://www.saudigazette.com.sa/article/647623/SAUDI-ARABIA/Emir-of-Jazan-inaugurates-Saudi-International-Medical-Education-nbspConference
https://www.arabnews.com/node/2581928/saudi-arabia
https://thearabianmirror.com/the-saudi-international-medical-education-conference-is-inaugurated-by-the-emir-of-jazan/
https://x.com/JazanUniversity/status/1865092105133027761

Për më shumë informacione mbi aktivitetet dhe punën e Prof. Çitakut dhe Prof. Ramadanit, vizitoni faqet zyrtare:
Akademia e Lidershipit Shkencor në Zvicër: www.alss-edu.ch dhe info@alss-edu.ch
Instituti për Avancim Kombëtar: www.alss-institute.com dhe info@ipak-institute.com
Kjo konferencë dëshmoi se punimet shkencore të shkencëtarëve shqiptar vazhdojnë të kenë ndikim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza

Promovohet romani “Flijimi i maskave” nga Bujar Skëndo

December 11, 2024 by s p

“ROMANI IM ËSHTË REFUZIM ARTISTIK I KRIMINALIZIMIT TË VULLNETSHËM TË PUSHTETIT DHE JETËS SË QYTETARËVE”.

Shtëpia botuese “Onufri” organizoi javën e kaluar në mjediset e librarisë me të njëjtiin emër promovimin e romanit të autorit Bujar Skëndo “Flijimi i maskave”. Promovimin e drejtoi redaktorja e librit Znjsh. Kadia Dedja, që e kishte konceptuar në formën e një interviste, të gërshetuar herë pas here nga diskutime të të pranishmëve.

K. Dedja: “Flijimi i maskave” është një libër shumë i veçantë. Romani flet për problemet më aktuale dhe më shqetësuese të Shqipërisë së sotme. Por fillimisht, do të doja ta pyesja zotin Skëndo se si erdhi te ky roman?

B. Skëndo: Natyrshëm. Por edhe mundimshëm. Sepse dihet që letërsia lind nga mundimi. Një realitet i pangjashëm, i dhunshëm, armiqësor, i korruptuar nga zyrat më të rëndësishme të shtetit, në qeveri, në Kuvend, nëpër drejtori tenderash… Krimi, pasi pastroi paratë dhe vetveten, hodhi edhe një hap më tej: Joshi me para dhe korruptoi politikën, u fut në parlament e qeverisje.  Dhe politika, qëllimimisht e me dëshirë të pafre, ndau pushtetin me krimin. Por krimi nuk u ndal me kaq. Korruptoi edhe edhe një pjesë të qytetarëve, votën e tyre. Maskën e vetvetes ua vendosi, në fillim politikanëve e më pas edhe qytetarëve, të cilët e pranuan atë. Pushtetarë me maska e pa fytyrë. Ose me fytyrën e dytë a të tretë… Dhe me po aq maska. Dëshiroj të theksoj se romani im “Flijimi i maskave” është një refuzim artistik i kriminalizimit të vullnetshëm të pushtetit dhe të çdo aspekti të jetës së vendit.  Është një mospajtim, një pakënaqësi, një dyshim i madh, të përthyera të tëra këto nëpërmjet artit të së vërtetës. Sepse letërsia nuk është thjesht tregim i të vërtetës, por art i të vërtetave të jetës. Në romanin “Flijimi i maskave”, nëpërmjet figurash artistike e ngjarjesh, episodesh rrëqethëse zbulohen artistikisht të këqiat e këtij tranzicioni të tmerrshëm. Dhe po ashtu të këqinjtë, djajtë e vërtetë të këtij vendi. 

K. Dedja: Le të ndalemi pak te titulli, një metaforë shumë e bukur, si ju lindi idea për këtë titull?

B. Skëndo: Në të vërtetë unë kisha menduar një tjetër titull, “Vejusha milionere”, sepse doja t’a fusja lexuesin qysh në fillim në atmosferën e romanit: Një vajzë që ishte martuar me një ish- trafikant, të cilin mafia dikur e vret. Vajza trashëgon milionat e pastruara të trafikut… Por botuesi, zoti Bujar Hudhri, nuk e pelqente dhe këmbënguli deri në fund. Le ta lëmë “pa titull”, i thash. Pastaj hapa laptopin. Dhe qysh në faqen e tretë ndesha fjalën “flijim”. Më tej, i tronditur, vura re se në roman kishte shumë flijim. Flijim i vetvetes, flijim i virtytit, flijimi i shpirtit, flijim i zemrës, flijim i trupit… Deri te flijimi i fyfytës dhe njëherësh, flijim i maskës, flijim i votës dhe … flijimi i një populli të tërë. Zoti Hudhri zgjodhi “Flijimi i maskave”. Edhe mua më pëlqen, gjithashtu. Mundimi i gjetjes se titullit të një vepre ngjason me mundimin e gjetjes së fjalisë së parë. Të dyja, titulli dhe fjalia e parë, janë nyja tek të cilat autori mbërthehet më së keqi. Ose i gjen dhe nis e shkruan, ose varet në mungesën e tyre.

K. Dedja: Subjekti i romanit mbështetet në dy linja rrëfimi, praktikë që e keni përdorur edhe te romani i parë “Psherëtima e humbjes”. Dy linja që shërbejnë si një mozaik që jep idenë e së plotës në ndërthurjen e elementëve përbashkues. A është zgjidhje rastësore apo e qëllimshme?

B. Skëndo: Mund ta quash si të duash. Por është funksionale. Dhe kjo është më e rëndësishmja. Në të dy rastet, ka ngjarje e episode të rënda, brenga të mëdha, vetmi sfilitëse, frikëra, ankthe, braktisje, te romani i psherëtimës… Dhe shumë trafikantë, para të pista, politikanë të korruptuar, maska, fytyra të çjerra në përpjekje për të zëvendësuar maskën, situata të rënda mafioze, vrasje- te romani i maskave… Lexuesi, por edhe vetë autori, kanë nevojë për një frymëmarrje disi më të zgjatur e të thellë në mbarim të çdo kapitulli të tillë të zymtë. Thjesht një  ndërpretje për të rinisur pak më tej.

K. Dedja: Do doja të ndalesha edhe tek nje metaforë tjetër shumë e bukur, emri i restorantit “Korbi e bardhë”, që shfaqet gjatë gjithë romanit dhe duket se fsheh një mister. Na flisni pak më shumë për këtë gjetje.

B. Skëndo: Është një togfjalësh antitezë. Dhe antiteza është figuracion i preferuar i stilit tim të të shkruarit, i gjuhës artistike të romanit. Antitezë në togfalësh, antitezë në frazë. Natyrisht pa e tepëruar. Nëse do përpiqesha të spjegoja si u krijua ky titull në mjegullën që e shoqëron shkrimtarin kur shkruan, mund të thoshja se përfytyrimin tim, në fillim, u shfaqën trafikantët si korba të vetmuar që preferojnë një restorant në gjysëm errësirë. Këta janë klientët e restorantit, madje edhe pronari i tij, Leoni kishte qenë një prej tyre dhe ishte gjithashtu edhe klienti i parë i restorantit të tij. Një trafikant- korb i vetëm në restorant, një tavolinë e vetme në një kënd pa dritare… Dhe bashkë me të një vajzë e re, e bardhë si dritë, e botës së televizionit, muzikës, teatrit…  Në fund një marrëveshje për martesë në atë vetmi dhe hapësirë boshe të errët… Përveç tavolinës së ndriçuar të çiftit e cila ruan poshtë vetes një djallëzi të fshehtë të pronarit korb. Pak a shumë kështu i është vënë emri “Korbi i bardhë” një restoranti që nuk ekziston realisht në Tiranë. Por që është krijesë e trillimit. Dhe e mjegullës që përmenda. 

K. Dedja: Në roman ka rënë në sy mungesa e dialogëve, përveç një bisede që zhvillojhet në takimin e parë mes dy personazheve kryesore, Emës dhe Dritanit, nuk e përdorni më ligjëratën e drejtë, por bisedat midis personazheve i jepni në një mënyrë unike rrëfimi ku shpesh ndërthurni me to edhe fjalët e autorit. A ndodh kjo për ndonjë arsye specifike?

B. Skëndo: Dëshiroj të theksoj se romani është i tipit psikologjik. Nuk ka përshkrime lineare. Personazhet dialogojnë “në prani” të rrëfyesit, zbulojnë edhe enigmat më të fshehta të shpirtit e qënies së tyre dhe autori ndërhyn lehtas për ta forcuar edhe më tepër atmosferën, për t’u futur edhe më thellë te vetja tjetër e personazheve. Më është dukur gjithmonë shumë më intensive, mbresëlënëse, intime kjo mënyrë të konceptuari të dialogut. Dhe më tepër artistike, e ngjeshur, mbërthyese. Në një kuptim kjo mënyrë kërkon një lexues që mendon, që lexon me përqëndrim, vëmendje… Është shumë më shprehëse. Është aty pyetja e njërit dhe përgjigja e tjetrit, është rrëfimtari që pret rastin të ndërhyjë. Ka intensitet, ritëm, ndjeshmëri. Dhe tërë kjo nxit imagjinatën dhe mendimin e lexuesit. Më pas ky  “shkruan”, krijon me shpirtin e tij vazhdimin hipotetik të episodve, personazheve.

Në vijim, moderatorja Kadia dedja ia jep fjalën gazetarit të mirënjohur Çerçiz Loloçi, botues i “Alb- Spirit”, i cili theksoi se romani “Flijimi i maskave” i Bujar Skëndos është romani i parë që trajton artististikisht kohën që jetojmë, tranzicionin e përçudnuar shqiptar me mprehtësi. Unë, shtoi ai, nuk e kam gjetur në ndonjë roman tjetër kohën dhe problematikën sociale e politike që jetojmë prej më se tri dekadash. Ka personazhe si psh. Leoni, pronari i restorantit “Korbi i bardhë” që do mbeten gjatë në memorjen e lexuesit. Apo edhe episode si ai i sociologut që i është futur studimit të lindjes dhe vendosjes së maskave nga politikanët, qytetarët etj. Kjo linjë ka shumë sarkazëm e ironi, aq sa në fund të studimit mbi raportet e maskës dhe fytyrës, ai arrin tragjikisht në dilemën e tij: Nëse e kishte shkruar ai vetë këtë studim, apo maska e tij…  Gjuha, mjetet shprehëse, stili i romanit janë mjaft artistike. 

K: Dedja: Mënyra si rrjedhin ngjarjet në libër më shtyn të mendoj se Shqipëria nuk e ka kaluar ende periudhën e tranzicionit… Të pa mësuar me lirinë, një liri kaq e madhe, me sa duket, i çorroditi shqiptarët. A mendoni se e keqinterpretuan lirinë?

B. Skëndo: Sigurisht është edhe kjo. Por ajo që ka ndodhur në Shqipëri është diçka më e rëndë. Është një deformim i vetëdijshëm i demokracisë që më pas është shndërruar në një vuajtje të madhe për qindra e mijëra njerëz. Kriminalizimi i tërë jetës së vendit që është bërë këtu, nuk kam lexuar e as dëgjuar të jetë bërë në ndonjë vend tjetër të hapësirës ku jetojmë. Jo vetëm që në nuk e kemi kapërxyer tranzicionin, por përkundrazi, kemi bërë të kundërtën. Romani im “Flijimi i maskave” trajton arstikisht nëpërmjet ngjarjesh, episodesh, figurash artistike pikërisht këtë realitet. Ka një liri të pakufizuar për korrupsion, mashtrim, gënjeshtra, vjedhje. Përgjumje, lëngatë. Dënohet një lugat e vijnë dhjetë të tillë. Krimi i ka shtrirë tentakulat kudo, në zyra, në ekonomi, në media, shëndetësi, arsim… Mendoj se një letërsi që nuk përballet artistikisht me këtë realitet do të mbetet në periferi të  vëmendjes së lexuesve.   

K. Dedja: Keni qenë redaktor në një prej gazetave më të lakmuara të para ’90-ës, në gazetën “Drita”, të gjithë e dimë se keni qenë edhe një ambasador i suksesshëm. Tashmë, gjithashtu edhe një shkrimtar. Do të isha kureshtare të dija si keni hyrë në letërsi?

B. Skëndo: Është e vërtetë, kam pasur fatin dikur të punoja në gazetën “Drita” në[ vitet ’80- ‘90, në të cilën mbuloja sektorin e kritikës për prozën, teatrin… Në atë kohë botohej shumë dhe unë kam qenë i detyruar të lexoja shumë romane, shumicën dërrmuese të të cilëve ne i kritikonim në faqet e gazetës. Veçanërisht sepse nuk ishin letërsi, thjesht “tregonin” të vërtetat e jetës. Por letërsia është art i të vërtetës, jo tregim i saj. Ishin përgjithësisht skematike, përshkruese, sipërfaqësore… Ishte një situatë paradoksale: Shkrimtarët bënin atë që u kërkonte partia. Përshkruanin realitetin socialist. Gazeta i kritikonte librat e tyre. Ata ankoheshin, ndoshta shkruanin edhe letra “lart”. Por partia heshtëte. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë të ha hiqej vërejtja për diçka të tillë. Ishte një heshtje e pakuptueshme… Në atë kohë kam kuptuar se si nuk duhej shkruar letërsia. Sesi duhej shkruar, do të duhej të kalonin shumë vite t’a provoja. Gjithmonë mendoja që ose duhej të shkruaja diçka që ia vlente për të lexuar, ose duhej të bëja diçka më me vlerë se të shkruarit. I kurseva vetes disa libra fillestarë të dobët… Dhe kështu, si pakuptuar, erdhi momenti i romanit të parë “Psherëtima e humbjes” dhe më pas “Flijimi i maskave”. Të ecësh përpara në jetë, thoshte Shekspiri, është dhuratë e fatit, të shkruash- është dhuratë e natyrës…

Një ndërprerje tjetër: Moderatorja ia jep fjalën poetit të mirënjohur Sadik Bejko.  Më ka bërë shumë përshtypje, theksoi ai, gjuha artistike e romanit, fjala e gjetur me saktësi e ngarkesë emocionale. Stili i rrjedhshëm. Problematika e romanit është e mprehtë dhe e guximshme. Në roman ka figura të realizuara mjeshtërisht si Leoni, Ema, Dritani etj. Më ka bërë përshtypje se edhe personazhet e dyta, episodikë, si psh. gazetari Albert Vango janë të përshkruar me të njëjtën thellësi artistike. 

K. Dedja: Kur nisa të lexoja dorëshkrimin me titullin “Vejusha milionere”, i cili nënkuptonte se Ema do mbetej e ve, përsëri shpresoja se Dritani, i shoqi, nuk do të vritej. Edhe pse vinte nga bota e krimit bëhet shumë i dashur për lexuesin. Pse e vratë Dritanin në fund?

B. Skëndo: Në të vërtetë Dritanin nuk e vrava unë. Madje e kam marrë vesh një ditë më pas kur po lexoja çfarë kisha shkruar një ditë më herët. Në gjendjen e mjegulluar të shkrimit, shumë fate personazhesh e ndodhi, nuk varen nga shkrimtari. Po të ndodhte e kundërta, Dritani mbase do kishte një fat tjetër. Sepse thellë, brenda meje, duket se kishte një lloj simpatie për të. Ndoshta e ndikuar nga prania afër tij e Emës, aktore e talentuar që kishte interpretuar figura të çmuara të kryeveprave të Shekspirit… Dritani dhe miqtë e tij të “Korbit të bardhë” janë me shkollë të lartë dhe në momente të vështira të jetës së tyre morrën rrugët e drogës në Perëndim. U bënë pjesë e krimit dhe e ligjeve të tij të ashpra. Një prej të cilëve është: Falja e jetës nuk falet. Krimi vret në heshtje edhe pas dhjetë a më shumë vitesh. Edhe nëse ndërkaq ke vdekur, krimi sërish nuk të fal. Vjen e të përdhos varrin. Kjo pak a shumë kjo e vrau Dritanin. Dhe unë nuk e “mbrojta dot”. 

  K. Dedja: Personazhet në këtë roman janë njerëz të pasuruar në Perëndim nëpërmjet krimit, zyrtarë e politikanë të korruptuar, artistë të nëpërkëmbur, gazetarë të shitur e të blerë etj. A mendoni se për të njohur shpirtin dhe atmosferën e një kohe mënyra më e mirë është ta shohim nga rutina e përditshme?

B. Skëndo: Edhe po, edhe jo. Sepse të shkruash, sikundër thoshte Jonesko, do të thotë të trillosh, të përfytyrosh, të zbulosh e të rikrijosh. Është për këtë arsye që kur shkruan, disa personazhe të ngjajnë shumë më realë se njerëzit e vërtetë. Letërsia të mundëson të përjetosh edhe imtësirat e diçkaje imagjinare që mud të jetë plotësisht e vërtetë. Letërsia si tregim i të vërtetës, siç qe letërsia e realizmit socialist, u provua të ishte një gjëmë e vërtetë, gjëja më e shëmtuar që i kishte ndodhur artit shqiptar e botëror, siç thoshte Kadare. Si art i të vërtetave të jetës së përditshme, letërsia kalon nëpër procese të ndërlikuara imagjinative, në një gjendje të turbullt që shkon drejt një pike po aq të mjegullt. Prandaj edhe thuhet se të shkruarit është prodhim i imagjinatës dhe i jetës së pajetuar të autorit. Shkurt, është të jetuar përmes fantazisë. 

K. Dedja: Tani një pyetje që ua bëj zakonisht shkrimtarëve: Pasi kani mbaruar së shkruari një vepër letrare, para se t’a nisni për botim, a ia besoni dikujt për ndonjë kritikë të mundëshme dhe, nëse po, cila është kritika më e vlefshme që ju është dhënë? 

B. Skëndo: E kam bërë me “Flijimin…”. Ia nisa një mikut tim i sferës së gazetarisë dhe letërsisë. Por ia nisa në të njëjtën kohë që e dërgova edhe në Shtëpinë Botuese “Onufri”. Pas disa ditësh miku im më nisi dy fjalë me një E- Mail: “Shumë bukur”! Në një moment mendova se nuk e kishte lexuar fare, por kur erdha nga Nju Jorku në Tiranë dhe e takova, ai nisi të më fliste për romanin imtësisht e me shumë entusiazëm… Procesi im i të shkruarit është mbase disi ndryshe nga çfarë jemi mësuar. Kur e mbaroj së shkruari, romani njëkohësisht është edhe i redaktuar, edhe i korrektuar. Unë nuk mbaj “gërshërë” në sirtarin e tavolinës së punës. Nuk jam me porosinë e Çehovit sipas të cilit arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit. 

K. Dedja: Teksa po e lexoja romanin, më erdhi në mendje libri i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”… Ç’do të bëhet sipas jush? Si e shihni të ardhmen?

B. Skëndo: Të zymtë. Pa shpresë. Për gjëra të tmerrshme heshtet ose flitet pa tmerr. Për gjëra të rëndomta, flitet me entusiazëm… Dhe përsëritet e njëta gjë e gjendje, pothuajse çdo ditë. Aq sa të krijohet përshtypja sikur në këtë vend nuk ndodh asgjë. Dhe kjo është tepër e rëndë.

K. Dedja: Nëse do ju përmendja tri koncepte: “përvoja”, “imagjinata” dhe “Shpirti krijues”, cila, mendoni,  është më e rëndësishme për shkrimtarin?

B. Skëndo: Të tria. Por me një ndryshim vendesh: Të parën do vendosja shpirtin krijues, pastaj imagjinatën dhe të tretën përvojën. 

K. Dedja: Ç’këshillë do t’i jepnit vetes, si një “alter ego”?

B. Skëndo: Vetes time tjetër, binjakut tim të brendëshëm, atij të keqit që më kundështon, që herë më nxit e herë më tërheq pas, i kërkoj të më kthjellojë, por të mos më vrasë, të mos më helmojë… 

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, foli për trajtimin e problemeve mprehta të tranzicionit tonë në romanin “Flijimi i maskave”, për përplasjen e interesave të qytetarëve me ato të politikanëve dhe për shtrëmbërimet e demokracisë në vendin tonë. Ai tha se i kam pritur këto romane nga Bujar Skëndo. E dija që një ditë ato do vinin. Zoti Gaçe vlerësoi, gjithashtu, nivelin e lakmuar të shprehjes, stilin dhe nëntekstet e fjalës e të mendimit.

Po ashtu, intelektuali Dashamir Uruçi tha se shoqëria jonë e sotme ka nevojë pikërisht për romane të tilla me temë aktuale. Përndryshe roli i letërsisë në shoqëri bëhet i pandjeshëm dhe veprat nuk tërheqin vëmendjen e lexuesve…

Në fund e mori fjalën edhe botuesi Bujar Hudhri i cili foli për njohjen dhe takimet me autorin si dhe vlerësoi bashkëpunimin me të në botimin e dy romaneve.

Filed Under: Analiza

Fejton: Rënia e Lali Erit ” S’të ka SPAK-u shpirt, s’të ka Rama xhan !

December 9, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi

Një ditë pas shqetësimeve të pafundme, kur të gjithë prisnin një lëvizje të tij, një fotografim i beftë i Erion Veliajt në avionin Hamburg-Tiranë, nën një kasketë të zezë dhe një xhup të madh skiatori, përbënte më shumë se një thashetheme. Ai u përpoq të ishte i padukshëm, duke shmangur çdo kontakt me mediat dhe të gjithë ata që e prisnin me pyetje të prera. Të tjera lajme ishin më të rënda, por kjo ishte vetëm pjesa e parë e një skenari që duket se po përgatitet për Veliajn: ajo që mund të jetë një fund i pashmangshëm, të paktën për karrierën e tij politike.

Atij iu bë sikur gazetarët po këndonin në kor “O lali ‘O lali ç’të gjeti skandali.

Një hetim pasuror që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut të Tiranës është si një gjëmë që e ndjek atë prej muajsh. Rreth një vit më parë, kur skandali 5D shpërtheu, ai kishte ende një mbështetje të fortë nga ata që diktonin ritmet e politikës shqiptare. Por sot, pas çdo kontrolli të BKH-së dhe çdo lajmi të ri që nxjerr në pah lidhjet e tij me figura të dyshimta, situata është shumë më e ndërlikuar. Pas kontrolleve të fundit në shtëpinë e bashkëshortes dhe në zyrat e shoqatës së Ajola Xoxës, spekulimet janë të pafundme, dhe shumë media kanë vënë duar në kokë. 

Vetë Veliaj, në një reagim të vonuar në rrjetin social “X”, ka pranuar se është nën hetim, por ka kërkuar që të mbështetet nga drejtësia, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar. Ky reagim evaziv, i kombinuar me heshtjen e tillë të shumë politikanëve që dikur ishin më afër tij, është një pasqyrë e shkëlqyer e asaj që ndodh pas mureve të Partisë Socialiste. Ajo që dikur ishte një rrugë e hapur drejt një karriere politike të qëndrueshme, tani është kthyer në një labirint të mbushur me dilema dhe frikë.

Deri më tani, SPAK ka heshtur. Hetimet kanë përfshirë disa aspekte të jetës së Veliajt, përfshirë financat e tij dhe ato të familjarëve, si dhe lidhjet e mundshme me disa projekte publike, për të cilat janë ngritur dyshime të forta. Pavarësisht hetimeve që kanë përfshirë emra të njohur të politikës dhe administratës, Veliaj mbetet një figurë në hije. Duket se prokurorët janë treguar më të kujdesshëm me të, duke vonuar çdo veprim konkret, duke e lënë atë të “shijojë” çdo ditë një mundësi për të shpëtuar.

Ndërsa jevgu i lagjes po këndonte “Të ka lali shpirt, të ka Rama xhan.”

Ndërkohë, në terrenin politik, gjithçka ka ndryshuar për Veliajn. Çdo hap i tij është i shoqëruar nga pyetje dhe spekulime: Do të arrijë të dalë nga ky labirint hetimesh dhe të mbrojë karrigen e tij si kryebashkiak, apo do të shndërrohet në një tjetër shembull të pushtetit të pasigurt, që një ditë do të shembet nga kambanat e drejtësisë? Politikanët që dikur e shihnin si një të ardhme të PS-së, tani i janë larguar, duke mos i dhënë mbështetje as në luftën më të ashpër. 

Hetimi pasuror është si një breshëri plumbash që mbulon çdo hap të tij. I përfshirë në projekte të diskutueshme dhe skandale që përfshijnë inceneratorin e Tiranës, 5D-në dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, ai është nën hetim si një peshk që përpiqet të shpëtojë nga rrjetat. Po, nga njëra anë, ka pasur shumë biseda se ‘si do të ndodhë’, nga ana tjetër, për të vërtetën, hetimi është një histori që po vonohet si një episodi i “Game of Thrones”, dhe do të na thotë kur të vijë koha.

Ndër më të njohurit, ku përmendet emri i tij, janë hetimet mbi atë që njihet si afera e inceneratorëve dhe ai ndaj drejtuesve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar kohë më parë në atë që njihet si çështja “5D”. Po ashtu ne hetim janë edhe pasuritë e kryebashkiakut dhe të afërmve të tij. 

Ndërkohë, Veliaj u thirr më 30 prill në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës për çështjen 5D që a s’e di.

Në shtator këtë vit, gazetari holandez Vincent van Gerven Oei publikoi një shkrim të gjatë që lidhte qendrën Harabel me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës.

Ndërsa fshesaxhia e rrugës po këndonte “Të ka lali shpirt, s’të ka Rama xhan.”

Por kjo heshtje ka të tjera kuptime. Kryeministri Rama, i cili ka qenë si një baba që thotë “E di që ke bërë diçka, por po pres të shoh nëse mund ta ndihmojmë”, është i menduar si një strateg me dy mendime. Nga njëra anë, ai e di që ka prova të forta për korrupsionin e Veliajt që janë më se të qarta. Po nga ana tjetër, kuptohet që Veliaj është gjithashtu një makineri zgjedhore, dhe ai ka punuar që të mbledhë pushtet financiar dhe mbështetje. Kjo është ndihma që ndihmon!

Dilemat po shtohen edhe nga drejtësia, me një SPAK që është më i sjellshëm me Veliajn sesa me të tjerët. Të tjera emra që kanë përfunduar në hetim janë trajtuar më shumë si “shqetësim publik”, por për Veliajn çdo gjë po shkon në ngadalë. Të gjitha këto janë të fshehura deri sa të vjen një moment i ndryshëm. Po, po, ka mundësi që ai të humbë gjithçka që ka fituar në pushtet, por si gjithmonë, gjithçka mund të ndodhë pas disa orësh në një avion nga Hamburgu.

Një pyetje mbetet: A do ta shpëtojë një PR i përshtatshëm një Veliaj të shkatërruar? Jo, se është më e vështirë sesa të heqësh një kasketë të zezë që të fsheh gjithçka.

Por ka edhe një dilemë tjetër që të gjithë e shtrojnë: Do të hedhë hapin përfundimtar Rama dhe do të “shesë” delfinin e tij? Deri tani, kryeministri ka lëshuar sinjale të dyfishta: mbështetje verbale ndaj Veliajt, por gjithashtu ka lënë hapësirë për drejtësinë të veprojë. Ky ambiguitet politik ka krijuar pasiguri, jo vetëm për Veliajn, por edhe për të gjithë ata që mbështesin liderët e partisë.

Nëse ai do të shkojë në burg apo vetëm do të përballet me arrest shtëpie, kjo mbetet të shikohet. Po ashtu, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të pas zgjedhjeve të ardhshme. Por një gjë është e sigurt: figurën e tij të shkatërruar nga akuza dhe hetime të pasurisë, nuk mund ta shpëtojë asnjë seancë PR-i.

Po si e mbylli Veliaj këtë episod? Po, si një profesionist i vërtetë… me një kasketë dhe një xhup skiatori, gati për të “shkëlqyer” në fushën e drejtësisë! Thjesht, ai ka harruar të marrë edhe patinat për fundin e tij spektakolar!

Ndërsa një lypës i vogël rom, duke përmjerrë tek pema e Bashkisë po këndonte “ O lali Eri, O Lali Eri, ç’të gjeti qederi”

Filed Under: Analiza

NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS MADHËSHTORE TË PROF.SAMI RREPISHTI

December 7, 2024 by s p

(ME RASTIN E NDARJES NGA JETA ME 27 NËNTOR 2024)

 Nga: Hysen S.Dizdari  // Tiranë me, 07 .12.2024

 Prof.Sami Rrepishti ka thenë:

  • “ATDHEU NUK MË KA ASNJI FAJ. EDHE SOT UNË THEM: SHQIPËRI MË JEP NDER ME JEP EMNIN SHQIPTAR ”! 
  •  “ RESPEKTI PËR JETËN DHE DINJITETIN E ÇDO PERSONI ASHTË NË KRYE TË LISTËS SË DETYRIMEVE TONA NË JETË.”

Unë kam patur fatin e veçantë , të prezantohem me Prof.Sami Rrepishti, në vitin 2018 me rastin botimit të librit tim : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” ,kur një kopje të librit e ja dergova me postë në ShBA.

Prof.Samiu , i cili pasi e mori librin tim e  lexojë më dërgojë  një urim të veçantë për  botimin e tij.

Nga ky moment,  kami patur  korrospondencë  të vazhdueshme në rrugë elektronike.Nga komunikimet me Prof.Sami Rrepishtin , unë ruaj kujtimet më të mira, si një nga intelektualët  më të Mëdhej të  Kombit  Shqiptarë .

Nga korrospendenca  me Prof.SamiuRrepishti ruaj dy nga kujtimet më brilante të tij.
1-Në vitin 2019, më konfirmojë më email se ai, do ti dhuroj Biblotekën e tij personale: “Lidhjes  Shkrimtarve  Shqiptare- Amerikane “ në   ShBA. 

2-Po në vitin 2019 ,ai më konfimojë me email, se arkivin tim përsonal kam vendosur t,ja dhurojë: Muzeut Historik të qytetit të lindjes tij,Shkodres.

Kam besim se amaneti i tij do të respektojn me korrrektësi nga pasëardhësit e tij, dhe arkivi i tij përsonal ti kthehet, Shqipërisë  dhe konkretisht Muzeut të qytetit të Shkodres.

Profesor Sami Rrepishti ishte shembulli i intelektualit të rrallë e atdhetarit vetimatarë i cili vuri gjithëçka ,pasurin, familjen ,jetën e tij në shërbim të atdheut e Kombit  Shqiptarë. 

Duke vlersuar kontributin madhore për Shqipërinë Prof..Peter R.Prifti, autor dhe historian ka theksuar:

 ,,…Për mendimin tim, Prof. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualeve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”.

Po e vazhdoi këtë shkrim me një thënje të Prof.Nderuar Sami Rrepishti ,gjatë  një interviste  dhënë ish Kryeredaktorit të Gazetës ”Dielli”, z. Dalip Greca ai  theksoi : ,,Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder me jep emnin shqiptar”! Dallimi në mes të tri diktaturave ashtë vetëm nga ngjyra. Të tria kanë nji objektiv: shtypjen e individit, heqjen e lirive personale, dhe forcimin e konformitetit të shoqënisë, ku çdo qytetar ashtë vetëm nji “objekt” që shërben “partinë” dhe asgja ma shumë. Unë kam përjetue të tri diktaturat dhe me humbje të mëdha: babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë. Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës…,,

 Profesor Sami Rrepishti lindi në qytetin e Shkodres më datën 6 prill 1925 në një familje me tradita të mëdha atdhetare e potriotike , dy prinderit e tij ishin,Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit .

Ndoqi mësimet  në shkollën fillore “Oso Kuka”, pastaj përfundoi me rezultate të larta gjimnazin e Shkodres. Në vitin 1942 pasi kishte përfunduar maturën ,me konkurs  fitoj një burse të Ministria Arsimit për të vazhduar shkollën e Larte në Fakultetin e Historisë të Firences, Itali.

Persekutimi i familjes Rrepishti filloje ne vitin 1943 ku në fshatin e tyre të origjinës Rrepisht të Malësis Madhe të krahinës të Shkodres ,autoritetet fashiste e arrestojnë të atin atdhetarin  Hafiz Ibrahimi ,për shkakë se kishte strehuar nipin e tij i cili kishte ide komuniste dhe pasi e  torturojnë  rëndë  i ati i tij vdes nga toturat e autoriteteve fashiste   me datën 29 shtator 1943.

Por persekutimet ndaj familjes atedhetare Rrepishti nuk kanë të ndalur dhe kështu në muajn maj të 1946 mori pjesë në varrimit e Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi dhe vetem pak muaj me vonë me  datën  22 tetor 1946, e arrestojnë forcat e sigurimit të  shtetit komunist dhe e akuzojnë me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. 

Pasi e mbajnë 14 muaj në hetuesi e denojnë me 15 vjet burgë.

Pasi vuajti 10 vite burg nëpër burgjet e sistemit komunist ,ai në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe pas burgu detyrohet të punojë si puntore krahu në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike  Shkodër.

Ja konkluzioni i tij i thelluar si i mbijetoje me rezitencën e tij burgjve komuniste , në intervistën dhënë Gazetes, “Dielli”, ish kryeredaktoti, Dalip Greca ai thekson : ,,Rezistenca e “bashkëvuejtësve” ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë. Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojt e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare…,,

Me datën 22 gusht 1959 arratiset në Jugosllavi ku si emigrant politik izolohet; pastaj përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci,nga i cili më daten 1 shtator 1961, arratise dhe vendoset në Trieste,Itali  në kampin e refugjatëve San Sabba, ku  fitoi të drejtën e azilit politik. Pasi qëndërojë 6  muajë në kampet e Capua-s dhe Latina–s, pranë Napolit dhe Romës,  më  daten 9 prill 1962, emigroi për në ShBA.

 Në 25 vjetorit e shoqates Atdhetare  “Vatrës“, takon edhe  idelogun e revolucionit Qershorit të  të vitit 1924  mikun e babait tij  poetin e madh  atëdhetarin, Fan S. Noli.

Në vitin 1968 merr nënshtetësin amerikane dhe pastaj vazhdoi studimet në  Universitetin Amerikane ,ku  në vitin 1977 përfundoi Doktoraturën në Departamentit e Frëngjishtës në City University of New York .

Pastaj për  gjatë  25 vjeteve  ka kryer detyra të rëndësishme duke filluar nga detyra e pedagogut në kollege-t amerikane, pastaj qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New  York, kordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm.

Prof . Samiu Rrepishti e kishte ëndërr të shikonte Kosovën e lirë dhe kështu  në muajn prill të vitit 2000 ai ralizon ëndërrën e tij të vjetër duke vizituar Kosovën e çliruar nga pushtuesit e huaj. Ja se me durim e Fisnikeri ai e spjegon kush ka qënë dhe është edhe sot qëllimi i jetës tij . Në interviste dhënë Gazetes  “Dielli” ai theksoi: 

“Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër. Përsa kohë që ka burra, gra, fëmijë të pafajshëm që vuejnë për çdo arsye qoftë dhe në çfarë do mënyre qoftë, duhet të jetë detyra e çdonjenit nga ne me luftue këte të keqe pa kompromis. Çdo spjegim, çdo justifikim me i ikë kësaj detyre të shenjtë nuk ka vlerë. Çdo gja tjetër ashtë e dorës së dytë. Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi ashtë në krye të listës së detyrimeve tona në jetë. Nji parim themelor i këtill na frymëzoi edhe në burgje e kampe pune të detyrueshme, dhe krijoi nji lëvizje solidariteti me ata që vuejshin ma shumë se na: me ndihmue, me përballue së bashku, me qetësue shpirtrat e trazuem, me ngushëllue ata që nuk ngushëlloheshin, e kështu me rradhë…!,,

Prof.Samiu Rrepishti është autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe çamëri, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar.  Intelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty Internationalnë ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. 

Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar. Ne vitin 1968, formoi organizaten “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. 

Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). 

Në vitin 1978, formonë shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000.

Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli. 

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). 

Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekreta i saj (1992-1996).

Prof.Sami Rrepishti  bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) – grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C. 

Të gjithë jeten e tij ai ja kushtoi, studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. 

Mirënjohje  për sakrificat e tij sublime  për Shqipërinë e Kombin Shqiptarë. I përjetshën qoftë kujtimi i tij.

DISA NGA VEPRAT KRYESORE TË TIJ JANË:

  • Libri- “Pika loti”, Tregime,Botuar ne vitin  1997
  • Libri – “Kosovë, prill 2000”, Bashkautor ,Botuar ne vitin  2000
  • Libri – “Nën hijen e Rozafës”, Botuar, viti 2004
  • Libri – “Dialektika e rendit dhe rebelimit tek A. Malraux”, Stdudim,viti  2011
  • Libri – “Lotë- lavdi e lumni”, publicistikë,2016
  • Libri –  “Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit”.Publicistikë, Viti 2016

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT