– Kryeministri Mustafa: Qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane/
PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e donatorëve lidhur me zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që qon në terrorizëm.
“Konsideroj se aktiviteti ynë në parandalimin e ekstremizmit dhe dhunës që qon në terrorizëm është një prej prioriteteve të cilin ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Kosovë duhet ta zhvillojmë. Duhet ta zhvillojmë bashkërisht sepse me rastin e aprovimit të Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020, ne kemi vlerësuar se sikurse radikalizmi ashtu edhe terrorizmi nuk janë çështje të cilat mbërthehen vetëm në një vend, në një regjion, në një kontinent, por kapërcejnë këta kufij. Prandaj edhe lufta dhe aleanca kundër këtyre dukurive duhet të jetë globale. Kosova vlerëson se është një vend i vogël, por po ashtu vlerëson se e ka përgjegjësinë e vet në këtë luftë të përbashkët të cilën ne duhet ta zhvillojmë me vendet e tjera, sepse pasojat nga terrorizmi janë shumë të mëdha, janë afatgjate dhe kërkojnë domosdoshmërisht një aleancë të përbashkët që ne ato t’i tejkalojmë dhe të luftojmë kundër tyre”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa theksoi se në suaza të Qeverisë me planin e punës që është bërë me objektiva konkrete, janë përcaktuar edhe bashkërenditja dhe koordinimi i aktiviteteve kundër terrorizmit dhe radikalizmit.
“Kemi vlerësuar se këto aktivitete duhet t’i zhvillojmë së bashku me ju, së bashku me shoqërinë civile, së bashku me njerëzit të cilët punojnë në arsim dhe edukim, dhe me bashkësitë fetare. Në hartimin e Strategjisë kemi pas një mbështetje të konsiderueshme të të gjitha këtyre subjekteve, dhe ne vlerësojmë se një mbështetje të tillë do ta kemi edhe në sendërtimin, përkatësisht implementimin e kësaj Strategjie”, tha kryeministri.
Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti të këshilltarit politik për çështje të sigurisë, Edon Myftari, kryeministri Mustafa theksoi se në këtë rrugë nuk është e mjaftueshme vetëm bashkërenditja, por është i nevojshëm një bashkëpunim shumë i gjerë.
“Strategjia jonë definon disa faza të punës, të cilat ne duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e atillë që mos të orientohen në mënyrë të dhunshme. Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia, dhe kjo mos të jetë shkas i bashkimit me grupe të ndryshme. Kërkon po ashtu edhe masa të riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen, sepse paraqesin rrezik të veçantë për vendin, dhe ne duhet të punojmë bashkërisht se si ata t’i riintegrojmë, por natyrisht edhe organet e drejtësisë duhet të punojnë me masa të caktuara”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi edhe njëherë që qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane.
“Qytetarë tanë janë të orientuar krejtësisht në mënyrë pro evropiane dhe pro amerikane, kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane, por natyrisht që edhe aktiviteti jonë që të punojmë me ta kërkon që të jemi bashkërisht”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./b.j/
Po kallet Shqipëria dhe po heshtet
Nga Fahri Xharra/
Jemi dhe nuk jemi; po kallet Shqipëria dhe po heshtet.Shqipëria ka marrur flakë, flake e cila nuk ka të ndalur. Zjarri i madh e ka kapluar Shqipërinë dhe nënëlokja heshtë; heshtë edhe Mali i Tomorrit , heshtë malësia e Shkodrës , heshtë malësia e Gjakovës , heshtë Shkumbini, heshtë Korça, heshtë Skrapari, heshtë Vlora heshtë gjuha shqipe; heshtë lashtësia ! Po digjet Shqipëria !
Mos pyetni pse . E dini vet , pse kjo heshtje . Jeni dëshmitarë të heshtjes mbarëshqiptare. Jemi dëshmitarë të frigës mbarëshqiptare; nuk kemi më burra të nderit , te mendjes dhe te pendes qe i dalin zot kësaj nënë që po mbet velem si fosile e së kaluarës.
Ore, ju nuk shini se ç`po ndodhë me shqiptarinë? Jeni verbuar ! Jeni shurdhuar! Ju kanë lënë mëndet?
Si munden një grusht matrapazësh që nuk kanë as po as jo në kokën e tyre,që ta shkrryejnë Nënën e Madhe ?
0, si nuk kam një grusht të fortë ,t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë, ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët dhe tradhtarë ?
Shqipëri , ku i ke bijtë e tu me të cilët krenoheshe , që tani ta sjellin turpin ?
“Shqipëria hesht. Edhe pse përditë mbi lëkurë të saj, në lojë varrimtare, Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.”
Shqipëri më dukesh se je n`agoni si një vigane e lodhur ; të lodhën bijtë e tu ,të lodhi mashtrimi i bijve të tu. Të lodhi heshtja , të lodhi mungesa e pendës që nuk di të shkruan .
Bota po tallet me ty , e ti hesht ! E di ti e mjera Shqipëri që bijtë e tu për një grusht eurosh po të shkallmojnë , po të dërmojnë , po të grimcojnë ,po të hedhin në shportën e harresës përfundimtare.!
“Shqiptarët heshtin – dhe në heshtje qesh. E vetëm dikush vuen – dhe në vuejtje vdes.
Po ai dikushi , kur? heu! kur ka për t’u qesh? Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
O burrani , a e dini që jemi në krizë kombëtare ?
Ju gratë shqiptare të pendës, ju ka zënë gjumi ? Dhe ju të rriturit fleni , ne gjumin e ëndrrave të pa shpresa ?
Mjerë fëmijët tanë që ende nuk kanë mësuar të lexojnë dhe të shohin të ardhmen e tyre të humbur ! (fxh )
“Shqipëria na qenkësh shndërruar befas në “Portën e Xhihadit” për në Europë; duke i sinkronizuar këto dokrra mbinjerëzore me anë të reportazheve të gazetarëve italianë që mësyjnë katundet e Tiranës në kërkim të xhamive e minareve rurale (se Tirana domosdo që nuk paraqitet dot në sytë e shikuesve italianë përtej Adriatikut si “Raqqa apo Mosuli i Ballkanit”, mes minifundeve, vajzave të hijshme shqiptare, alkoolit lumë, rinisë kozmopolite, kishave të shumta, xhamive tradicionale e bareve plot me hare e harbim modern)… apo edhe brigjet e humbura të liqenit të Shkodrës, për të gjetur “Gralin e Shenjtë” të shtypit italian në tokë shqiptare, pra “Kallashnikovin” e dashur (që të kuptohemi, të dashur veçanërisht për këtë specie të ulët të nivelit të vemjeve, të gazetarisë italike) të prodhimit shqiptar; që tanimë gjasme po u përdorkërka për të kryer atentatet terroriste nëpër të gjitha këndet e Europës!” ( Elvi S.)
Shqipëri ! a nuk e sheh që po luhet një lojë mjaft e ulët kundër imazhit tonë këto kohë në Europë duke u rrekur të na e ngecin neve tërë përgjegjësinë e Xhihadit botëror që po mësyn Europën; duke lënë kështu në hije vatra shumë më tepër të rrezikshme si Sanxhaku, Bosnja, si dhe vetë Turqinë që në nivel shtetëror e financon dhe mbështet ISIS-n. Gjithmonë ne do na i ngecin të këqijat”
0, si nuk kam një grusht të fuqishëm! Tradhtarit, që tradhton, mu në zemër me ia njesh! Ta shoh si dridhet nga grusht’ i dëshpërimit E unë të kënaqem, të kënaqem kur të shoh krenare .
Thirrje për të pabesët :“Ikni sa më parë, sa më larg, sa më tepër, mundësisht të gjithë. Hiç mos u sëkëlldisni se shqiptarët pakësohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria nuk ka qënë kurrë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më pak se kanë mundur të jenë.E ç’ju duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea. (nga Edison Ypi )
E njëjta gjë në mos me e zgjatë asnjë dakikë edhe në Kosovë: Ik nga Kosova. Më këmbë, me vrap, me autobus, me furgon. Bjeri nga të mundesh; nga Serbia, nga Hungaria, Rusia, Kina, Indonesia, vetëm ik. Ik edhe nga Maqedonia perëndimore :msyeja nga e ke më lehtë nga Greqia , Turkija. Se edhe atje e fëlliqet “
PSE REFORMA NË DREJTËSI ËSHTË NË RRUGË TË GABUAR
LETËR PUBLIKE DREJTUESVE TË POLITIKËS DHE TË SHTETIT SHQIPTAR/
NGA LORO STAJKA-SHBA/
Duke uruar që ta keni të sinqertë dëshirën për të bërë shtet dhe nuk ju mungon partiotizmi, ju drejtohem nëpërmjet kësaj letre të hapur. Quhem Loro Stajka,jam nga Shiroka, jetoj prej ma shumë se 50 vjet me familjen time në SHBA, por ndjek me vëmendje zhvillimet e politikës në Shqipëri. Lidhur me dështimin e marrëveshjes ndërmjet PS dhe PD për problemin e reformës në drejtësi, gazeta Shqiptare dhe gazeta Shqip e dates 16 Janar 2016 ka publikuar mendimin e z. Pandeli Majko, që mbështet mendimin e Kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen nëpërmjet referendumit. Në pamje të parë kjo duket shumë mirë por thelbi i problemit dhe i kundërshtimeve duket se është të mbrohet me çdo kusht korrupsioni pushtetar. Në rradhë të parë i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, ministrit të Drejtësisë zotit Ylli Manjani, zotit Pandeli Majko dhe të gjithë drejtuesve të politikës dhe të shtetit Shqiptar, për të ju thënë troç se si të majtë dhe të djathtë po nuk korigjuat gabimet me pronat, jeni ju që po shkatëroni Shqipërinë. Ju keni 25 vjet që po flisni për drejtësi, për të drejta të njeriut, për Kushtetutë dhe shtet ligjor por jeni në rrugë të gabuar. Ju nuk keni vullnetin ti analizoni mendimet nga populli dhe kufizoni lirinë e medias. Unë jam i djathtë, por me konceptet perendimore. Ishte regjimi i diktaturës ai që më detyroi të arratisem nga vendi im dhe për këtë, pa gjyq dhe vetëm me urdhër të Komitetit të partisë më kanë sekuestruar shtëpinë në Shirokë dhe oborin rreth shtëpisë, por i atillë ishte ai sistem. Por nuk mund te justifikoj pse ky mentalitet antikombtar vazhdon edhe sot e kesaj dite
Jam i interesuar veçanërisht për problemin e pronave të konfiskuara nga diktatura që pas vitit 1991, pasqyrojnë anarki postkomuniste, shumë ma të damshme dhe antisociale se konfiskimi komuniste që për 25 vjet po rëndon mbi familjen time dhe për shumë familje të tjera shqiptare. Si mund të flisni për demokraci ju deputetët që keni 25 vjet që nuk doni ta zgjidhni problemin e pronës. E keqja eshte se pas vitit 1991, ju deputetët që populli ju ka votuar për të drejtuar Shtetin, po vazhdoni në po atë mentalitet të gabuar dhe po bëni punën e agjensive antishqiptare, po shkatërroni themelet e shtetit, njëlloj si specialistët që dërgoi Jugosllavia për ta sabotuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare . Çfarë emri ka sistemi që ju keni krijuar në këto 25 vjet kur Shteti nuk zbaton kushtetutën, kur gjykata nuk zbaton as ligj e as Kushtetutë . Nuk e kuptoj pse unë duhet të baj gjyq për të rimarrë posedimin e pronës që ma ka grabit Shteti, pse u dashka që gjykata të marri vendimin për të kthyer pronën time, kur shteti i ka të gjitha dokumentat se çfarë më kanë sekuestruar pa vendim gjyqi. Mjafton që të analizoni vendimin e Gjykatës Shkodër ku gjyqtari që duhet të japi drejtësi sipas ligjit, në kundërshtim me sa përcaktohet qartë në dokumentin e sekuestrimit, në Vendimin në emër të Drejtësisë dhe Shtetit ma kthen shtëpinë por nuk ma kthen oborrin për rreth saj. Avokati im mbrojtës në ujdi me gjyqtarin, ka heshtur dhe nuk e ka kundërshtuar vendimin, sikur nuk din me i lexu dokumentat. Këtë allishverish dhe absurditet ku gjyqtari e ka formuluar vendimet sipas porosive që ka marrë, unë e kam kap me vonesë pasi jetoj kryesisht në SHBA. Kështu mua më duhet një elikopter per të hyre në shtëpi nga çatia kur të kthehem në Shtëpi, ose të strehohem persëri në hotele. Por ju pyes A ka filtra per këta gjyqtarë që abuzojnë në mënyrë kaq flagrante ? Ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit i kam shkruar disa herë për problemin e pronës time, por ata nuk kanë vepruar. Në këto kushte ju pyes publikisht: A mund të flitet për drejtësi atje ku gjyqtari dhe avokati mbrojtës i lexojnë keq dokumentat dhe nuk zbatojnë ligjin. Në Shqipëri ka shumë njerëz të ndershëm në të gjitha nivelet e jetës, por ata kanë frikë të flasin se i heqin nga puna. Këtë e kuptoj dhe më vjen keq për disa nga kryeredaktorët e gazetave, që kanë frikë ti botojnë shkrimet kritike që ju kam nis. Po nuk ja nisët me pronën e grabitun, ju jeni të dështuar dhe nuk mund të flisni për reformë në drejtësi sepse sistemi vetëm emrin ka drejtësi sepse brendine e ka horrllek, që mbron kastën e politikanëve që pasunohen me allishverishe dhe abuzime.
Për ju që drejtoni shtetin Shqiptar, si dhe për ambasadorët e BE, të Gjermanisë dhe SHBA që përpiqen të ndihmojnë, Unë si qytetar i thjeshtë, që mendoj si shqiptar për të mirën e vendit dhe të popullit tim, ju adresoj këtë kërkesë publike, duke theksuar se nëse doni zgjidhjen e problemit të pronës, vizitoni faqen e internetit të pronarëve, ku do të gjeni letrat e shumë pronarëve të tjerë dhe ma me randësi aty do të gjeni edhe zgjidhjen që ju ka ofruar Shoqata Pronësi me Drejtësi. Gjej rastin të falenderoj ata intelektuale shqiptarë që kanë hapur faqen e internetit të Shoqatës www.defendingproperty.com ku gjej shumë informacion. Kjo faqe interneti sqaron ma së miri çdo drejtues shteti dhe çdo politikan që kërkon të punojë për të mirën e demokracisë, të popullit dhe vendit të tij.
Po përsëris disa gazetarë që theksojnë se burim i të gjitha të këqijave për popullin janë deputetët që pas vitit 1991 miratuan për pronat ligje antikushtetuese dhe nuk po reagojnë për ti korigjuar ato edhe kur zgjidhja ju jepet e gatëshme. Mendoj se ju të majtët keni gabuar rendë duke kaluar çdo kufi në dhjetor 2015, kur miratuat ligjin për pronat duke pretenduar se me atë ligj do zgjdhet përfundimisht problemi i pronës. Ata që e kanë përgatit këtë ligj, kërkojnë të justifikojnë të gjitha veprimet e paligjëshme të Shtetit dhe të individëve për 25 vjet. Kjo është jo vetëm antidemokratike por hellësisht antinjerëzore dhe antishqiptare dhe pasojat bien mbi popullin. Ju e keni deklaruar me gojën tuaj në Kuvend se shqiptarët janë në konflikt me njëri tjetrin dhe vriten me njëri tjetrin për pronën. Ju lutem ta deklaroni sa është numuri i saktë i të vrarëve dhe kur do marri fund vëllavrasja dhe ky genocid. Mua më çudit fakti se si ju arrini ta mashtroni edhe opinionin ndërkombëtar. Ju të majtë a të djathtë nuk mund të keni sukses për reformën në drejtësi nëse nuk analizoni kërkesat e kushtetutës dhe propozimin ose alternativeën e pronarëve për problemin e ligjit të pronës. Me siguri që për ambassadorët është absurde kur Kuvendi shkel Kushtetutën, duke miratuar ligj që në vend të kthimit fizik të pronës së grabitur, pronarit të ligjshëm i kthehet fizikisht ndonjë pjesë brenda pronës së tij të njohur, përkundrejt disa formulave mashtruese, ndërsa pronën e tij e trajtojnë dhe e perfitojne ata deputetë që u futën në politikë për tu pasuruar. Nëse doni të bëni një veprim efektiv për dekriminalizimin e Kuvendit dhe pastaj të shtetit duhet të filloni me pronën tek i zoti, se kjo është themeli i shtetit dhe i demokracisë. Për sa kohë Kuvendi nuk bën një ligj me të cilin Shteti kthen pronën e grabitur tek i zoti, nuk do të ketë as drejtësi dhe as demokraci, por vjedhje prej klaneve që sigurojnë pushtetin. Ju po përdorni fjalët legalizim, zona informale, ndërtime informale etj. Raste të veçanta mund të ketë por kur ato inkludohen nënë ligje dhe vendime qeverie, kjo asht nji nga mënyrat për vjedhje të mbrojtur me ligj. Në këto 25 vjet ju vetëm sa keni ndryshuar fasadën por me pronën e keni perkeqësu thelbin e sistemit sllavokumunist. Tradhëtia dhe prona nuk falen për interesa të politikanëve. Nuk e njoh personin por jam i bindur se drejtori i ALUIZNit Artan Lame, kur firmos dhe legalizon ndërtimet pa leje të bëra në tokën e tjetrit, e kupton se çfarë dertyre po kryen. Ai e kupton shumë mirë se çfarë Agjensie po drejton dhe se çfarë njolle i vendos fytyrës dhe familjes së tij, me këtë veprimtari që shkel çdo nen të Kushteturës. Mendoj se dorëheqja dhe arsyetimi publik i tij, mund ta shlyente dhe lehtësonte diçka nga barra që ka. Eshtë turp dhe nuk mund të ketë demokraci kur Shteti favorizon shkelësin e ligjit. Në mbyllje ju kujtoj se Mark Twain ka thanë “No man’s life, liberty, or property is safe while the legislature is in session”.. Por këto 25 vjet ju me bindjet tuaja të gabume po bani mbi atë popull, atë që nuk e ka ba asnji armik i tij.
Besoj në kthjellimin tuaj, për respektin dhe detyrimin për të zbatuar Kushtetutën.
Me respekt
Loro Stajka
KOSOVA DHE ASPIRATAT E SAJ TE INTEGRIMIT NE BASHKIMIN EVROPIAN
NGA LULZIM MULLIQI/
Kosova si shtet i ri i cili pretendon te hyje ne Bashkimin Evropian,kryesisht perballet edhe me disa sfida te njejta si vendet e tjera fqinje te Ballkanit perendimor.
Perspektiva evropiane per vendet e Ballkanit perendimor ku bene pjese edhe Kosova dhe integrimi me i shpejte i saj ne Organizatat nderkombetare duhet te mbetet njera nga prioritet e politikes se jashtme te Republikes se Kosoves.Keshtu partneritieti i Kosoves me vendet e Bashkimit Evropian eshte me se i nevojshem dhe i domosdoshem per te ndikuar edhe ne lobizimin e metejme te njohjes se Kosoves edhe nga pese vendet e tjera te BE-se dhe forcimin e metejme te sovranitetit te saj shteteror.Bashkimi Evropian u themelua me Traktatin e Romes ne vitin 1957,pervec synimeve te tjera kishte si qellim edhe bashkepunimin ne mes shteteve anetare
pastaj zhvillimin e demokracise,mbrojtjen e lirive dhe te drejtave te njeriut ne mes te shteteve anetare,stabilizimin dhe transicionin e shpejte ne ekonomine e tregut,
promovimin e bashkepunimit rajonal dhe perspektiven e vendeve aspiruese per anetaresim ne Bashkimi Evropian.Kosova si vend aspirues per integrim ne Bashkimin Evropian ne njeren ane ballafaqohet me probleme te njejta si vendet fqinje te Ballkanit perendimor,si rritja e korrupsionit,shtimi i varferise,rritja e papunesise,pastaj funksionimi i brishte i sistemit te drejtesise,sundimit te rendit dhe ligjit etj.Ndonese ekziston nje perkushtim verbal nga autoritetet e Kosoves per forcimin e sundimit
te rendit dhe ligjit ,problemet dhe sfidat me te cilat perballet Kosova ne kete fushe jane komplekse dhe te shumta,ndersa duhet te investohet ne me shume burime per te arritur deri te permiresimet e nevojshme.Kosova ka nevoje edhe per me shume qartesi juridike,vecanerisht ne fusha te ndryshme si ne sektoret e ndryshem te ekonomise,ku do te krijonte kornizen e domosdoshme per investime ekonomike dhe ndermarresi,e cila Kosoves do ti sillte zhvillim ekonomik dhe stabilitet social.
Ne anen tjeter Kosove perballet edhe me probleme te natyres politike me fqinjet e saj,kryesisht me Serbine pushtuese,e cila deri me tani eshte paraqitur si pengese kryesore ne integrimet regjionale dhe nderkombetare te Kosoves.Poashtu Serbia per vite te tera ishte mbeshtetese dhe financuese e strukturave ilegale serbe ne pjesen veriore te Mitrovices dhe refuzuese e disa marreveshjeve te Brukselit te cilat i kishte nenshkruar me pare,pa implimentim marreveshjet e nenshkrara vetem ne leter nuk premtojne shume.Ndrkaq lajmi i fundit se Kosova i dorezon Bashkimit Evropian inputin e fundit per liberalizim te vizave eshte nje lajm i gezuar dhe per tu pershendetur,sepse Kosova de facto eshte pjese e Bashkimit Evropian dhe ajo nuk mund te mbetet vendi i vetem ne Ballkanin perendeimor si nje vend i vetem pa liberalizim te vizave dhe si nje geto e izoluar.Ky input sipas zyrtareve te larte te qeverise se Kosoves permban rezultate dhe te arritura konkrete gjate muajve te fundit dhe pritet te vleresohen pozitivisht nga institucionet e Bashkimit Evreopian.Ndaj le te shpresojme se pas liberalizimit te vizave integrimi i Kosoves ne strukturat e Bashkimit Evropian do te ndodhe ne nje te ardhme te afert.
“BACË, NUK ËSHTË KRY!”
Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi në Kosovë u shënua 17-vjetori i masakrës së Reçakut, aty ku me 15 Janar të vitit 1999 forcat kriminele ushtarake dhe policore të Serbisë masakruan lartë nga 45 shqiptarë civilë të pa-armatosur. Ishte kjo një masakër që lau me gjak Recakun. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker i cili në atë kohë kryesonte Misionin Verifikues të OSBE-së në Prishtinë, me të marrë vesh lajmin e hidhur të kësaj masakre, vajti në vendin e ngjarjes. Dëshmia e ambasadorit Walker për masakrën tragjike që kishte parë në Reçak, njëkohsisht tmerroi botën e qytetëruar dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane se diçka duhej bërë dhe shumë shpejt për të ndaluar masakrimin e një populli të tërë nga forcat kriminale të Millosheviqit në Kosovë.
Qeveria dhe populli i Kosovës me të drejtë nderuan Ambasadorin Walker me rastin e 17-vjetorit të masakrës në Reçak. Respekti dhe nderimi për William Walker javën që kaloi nga institucionet dhe nga populli i Kosovës nderon mbarë kombin shqiptar kudo. Duhet thekësuar nuk dihet se si do të kishin rrjedhë punët në Kosovë në vitin 1999 po të kishte qenë në Prishtinë një përfaqësues jo amerikan, si kryetar i Misionit të OSBE-së.
Kosova me të vërtetë nderoi këtë hero të drejtësisë, mbrojtjës i të drejtave të njeriut dhe mik i shqiptarëve, miqësi të cilën ai e dëshmon edhe tani pas 17 vjetësh, ndërkohë që nuk pushon së punuari për të mirën dhe mbarvajtjen e Republikës së Kosovës.
Ashtu si edhe në vitin 1999 kur ai alarmoi botën dhe diplomacinë perëndimore mbi masakrën e Reçakut dhe mbi politikën e Millosheviqit prej gjenocidi ndaj shqiptarëve në trojet e veta shekullore, William Walker, në vizitën e tij javën që kaloi në Kosovë për të shënuar 17-vjetorin e masakrës së Reçakut – nuk ngurroi të shprehte merakun e tij të madh ndaj gjëndjes aktuale politike atje duke bëri një thirrje prej miku dhe një paralajmërim ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij të thellë me gjëndjen politike të Kosovës.
Ishte ky një paralajmërim prej një miku të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Besoj se dëshmitari i masakrës së Reçakut as nuk mund të paramendonte në Janarin e vitit 1999 se sot, 17-vjetë më vonë do të detyrohej të deklaronte se Republika e Kosovës — shtet i lirë dhe i pavarur pas aq shumë vuajtjesh e sakrificash njerëzore dhe humbjesh materiale prej dekadash, e udhëhequr nga vet shqiptarët — “Është në rrugën e gabuar.”
Për gjëndjen politike të krijuar gjatë vitit të kaluar, William Walker ia tha troç klasës politike në Prishtinë duke e ngarkuar atë me fajin më të madh për aktualitetin dhe për grindjet dhe mosmarrveshjet politike në vend, duke thekësuar se, “Klasa politike është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova”, dhe si e tillë shtoi ai, “Kjo klasë politike nuk është e aftë të zgjidhë problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës” dhe si përfundim sugjeroi ai, në atë vend duhet të ketë një ndryshim brezash politikë të cilët të jenë të aftë për tu përballur me sfidat e reja të Kosovës. Ndërkohë që ish-ambasadori Walker mbështeti protestat e fundit si një shprehje e lirisë dhe demokracisë në vend, duke iu referuar protestave të fundit dhe dhunës së përdorur, ai nënvijoi se nëqoftse ao “teprohen, atëherë diçka nuk është në rregull dhe është një problem që duhet të zgjidhet”. Por, ai deklaroi se problemet serioze me të cilat përballe sot Kosova, “nuk mund të “zgjidhen nga klasa e tanishme politike”, citohet nga media e Kosovës, të ketë thënë William Walker. Ai ka thënë se edhe qeveria i ka përgjegjësitë e veta në këtë mes, duke thënë se ajo mund të ishte sjellur më mirë gjatë protestave, citohet të ketë thënë Z. Walker.
Ambasadori Walker u shpreh se komentet e tija shqetësuese mbi gjëndjen në Kosovë dhe sidomos mbi klasën e tanishme politike atje, pasqyrojnë njëkohsisht edhe, “Mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë e me të cilët pajtohem”, ka pohuar ai, “se një prej problemeve më të theksuara në Kosovë është klasa politike, e cila mendoj unë, nuk po ndjekë një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur”, ka theksuar Walker. Ambasadori Walker dhe komuniteti shqiptaro-amerikan, që për dekada punuan dhe shpenzuan, madje dhe luftuan, për ta parë Kosovën të pavarur, të lirë dhe demokratike, janë të zhgënjyer nga ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, ngase duke marrë parasyshë historinë moderne të Kosovës, nuk prisnin kurrë krijimin e një situate si politika aktuale në Prishtinë. Shpresohej për një politikë dhe për politikanë ndryshe!
William Walker, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë javën që kaloi, hodhi poshtë sugjerimet se problemet dhe grindjet e tanishme politike midis përfaqsuesve të kësaj klase politike, duhet të zgjidhen nga ndërmjetës ndërkombëtarë. Ai ka thënë për median se ndërkombtarët mund të kenë ndonjë rol tjetër, por jo rolin e ndërmjetësit në politikën e mbrendëshme politike të Kosovës.
Fatkeqsisht, në trojet shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë ose në Maqedoni dhe në Mal të Zi, politikanët shqiptarë presin që — në grindjet dhe mosmarrveshjet e shumëta politike midis tyre, të cilat politikisht dhe ekonomikisht por edhe në fusha të tjera, kanë paralizuar botën shqiptare — ndërkombtarët të luajnë rolin e ndërmjetësit, me shpresë që të huajt të mbështesin qëndrimin e njërës ose tjetrës palë. E vërteta është se askush nuk mund dhe nuk duhet as të përpiqet të zgjidhë problemet politike të mbrendshme të shqiptarëve, as në Tiranë as në Prishtinë. Është kjo klasë politike në të gjitha trojet shqiptare që vet duhet të bëjë një gjë të tillë – me një dialog politik dhe tolerancë politike midis tyre — nëse me të vërtetë dëshirojnë të krijojnë shoqëri të lira e demokratike, pikëspari në frymën e vlerave dhe traditave jetike arbënore, për të cilat ndërkombëtarët nuk kanë asnjë ide, por edhe në përputhje me vlerat e botës moderne në të cilën jetojmë.
Ambasadori William Walker shprehi me këtë rast shqetësimet e tija për gjëndjen aktuale në Kosovë, por do të shtoja se edhe gjendja aktuale politike dhe grindjet e pafund midis partive në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare, pasqyrojnë gjithashtu edhe shqetësimet e komunitetit shqiptaro-amerikan, e si përfundim edhe shqetësimet e shprehura nga politika zyrtare amerikane, se punët e shqiptarëve — 25-vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit – nuk janë në rrugën e duhur.
Ne dëshirojmë që Atdheu i të parëve tanë — me këtë kam parasyshë mbarë trojet shqiptare në Ballkan — të realizojë një nivel të kulturës politike dhe një shkallë qytetërimi politik që do të siguronte një bashkjetesë kombëtare midis grupeve të ndryshme politike për të mirën, lavdinë dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve. Për ndryshe, stuata e tanishme dhe ngërçi politik dhe bojkotet politike në mbarë botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri, fatkeqsisht thonë disa se gjëndja e krijuar, vërteton pretendimet shekullore të armiqëve të kombit shqiptar se shqiptarët nuk mund të vetqeverisen. Sa i tmershëm do të ishte vërtetimi i këtij konkluzioni!
Sot për sot, fatkeqsisht, kombi shqiptar gjëndet në një udhëkryq. Falë kësaj klase politike, duket se shqiptarët nuk po dinë të gjëjnë rrugën e tolerancës dhe bashkjetesës kombëtare dhe politike midis tyre që do t’a çonte atë në udhën që ia ka caktuar Perëndia dhe historia — drejtë realizimit të idealeve kombëtare. Është e vërtetë se gjatë shekullit të kaluar, Shqiptarët u gjëndën, ndoshta si asnjë popull tjetër në Europë, i hudhur, i përbuzur, i shkelur e i harruar dhe i përsekutuar nga një ideologji e huaj e imponuar sllavo-aziatike dhe nga fqinjtë që kurrë nuk ia deshtën të mirën këtij kombi. Mirëpo, anë e mbanë trojeve shqiptare, për këtë situatë aktuale absurde mosmarrveshjesh e grindjesh të pafund të klasës politike — sot për sot — nuk mund të fajësohet komunizmi, as sllavi, as greku, as turku dhe as ndonjë tjetër, por vetë shqiptarët. Pa një ndjenjë dhe realizim për nevojën e doemosdoshme të bashkjetesës politike dhe kombëtare – pa një diskurs politik i denjë për shekullin 21 në radhët e klasës politike të shqiptarëve kudo, që do t’i jepte një hov të ri jetës kombëtare, politike, dhe ekonomike të shqiptarëve, sot për sot nuk mund të thuhet se, “Bacë u kry”, jo vetëm në Kosovë por askund tjetër në trojet shqiptare. Zemreku i orës së historisë së kombit shqiptar po pret gjithnjë të këthehet në rrugën e duhur. Kjo mund të arrihet vetëm nga vetë Shqiptarët.
- « Previous Page
- 1
- …
- 701
- 702
- 703
- 704
- 705
- …
- 975
- Next Page »