• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Maskat e patriotizmit në funksion të antishqiptarizmit

January 9, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Kanali televiziv kombëtar, Top Channel, i Tiranës paraqiti në ekran një hartë sinoptike, në të cilën Kosova figuron si pjesë e territorit të Serbisë. Aeroporti i Tiranës ka bërë gjithashtu të njëjtën gjë në faqen e tij të internetit. Po afrohet 17 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe madje çlirimi i saj nga Serbia, po afrohet gjithashtu 8 vjetori i shpalljes së pavarësisë së saj e ndërkohë në Shqipëri po gjallërohen simbolet e dikurshme të sovranitetit serb në Kosovë.
Çfarë po ndodh dhe pse po ndodh kjo?! A kemi të bëjmë me një “lapsus”, apo është një dorë që provokon? Më tej akoma, mos dikush dëshiron të rikthejë si temë diskutimi e kontestimi brendashqiptar të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës?! Jemi shndërruar në një vend të çudirave, paradokseve dhe befasive që prodhojnë ndjesi dhe energji negative, prandaj dhe në këtë vend mund të pritet gjithçka, edhe mohimi i identitetit kombëtar e shtetëror të vetëvetes.
Antikombëtarët thërrasin natë e ditë për nacionalizmin, për vetëvendosjen, për ngjyrat kuq e zi, për bashkimin kombëtar e për dronët, ndërkaq përpiqen të kthejnë kohën e padronëve të periudhës 1941-1948. Hajdutët, të korruptuarit, maskarenjtë që vijnë në pushtet, ushtrojnë pushtetin ose duan ta marrin pushtetin me dhunë, flasin non stop për “duar të pastra”, “qeverisje të ndershme”, flasin për shtet, madje dhe për reforma që bëjnë shtetin e “së drejtës”, por qeverisja e tyre e ushtron të “drejtën e dhunës shtetërore” vetëm kundër të pamundurve, të varfërve, njerëzve idealistë, si dhe kundër inteligjencies! Kriminelët e votojnë gjykatën speciale për gjykimin e krimeve, por nga ana tjetër “gjejnë kasusin” e rrënimit të këtij procesi. Kjo po ndodh edhe sot në Prishtinë me protestën e organizuar nga disa të inkriminuar për gjoja kundër disa të inkriminuarve të tjerë në qeverisje, por që në fakt janë gishta të të njëjtës dorë.
Ata që duhet të shkojnë prapa hekurave, ata që në dy dekada e më shumë shfrytëzuan pushtetin dhe paratë publike për të pasuruar vetëveten, familjen, klanin politico-mafioz, pikërisht ata bëjnë sikur bëjnë reformën e drejtësisë në Shqipëri. E nga ana tjetër, askush nuk beson se mafia do të bëjë një reformë drejtësie antimafie. Ata që janë majmur në pasuri të përfituar me krim të organizuar, ata flasin për drejtësi e shoqëri sociale. Ata që shpenzojnë qindra milionë për evente personale e familjare, ata që bëjnë nga dy dasma në dy javë “me paratë e mamasë”, ata bërtasin çdo ditë për “humanizëm”, për “bamirësi të komshiut të pasur për komshiun e varfër”, madje improvizojnë shfaqje teatrale të neveritshme. Ata që çdo ditë bëjnë bilancin e përfitimeve nga tenderat, pikërisht këta bërtasin në ekrane pa u ndalur kundër hajdutëve, madje në mënyrë komike, duke e zgjedhuar foljen “vjedh” në vetën e dytë e të tretë, por asnjëherë në vetën e parë.
Prandaj nuk do të habitem, nëse ata që prodhojnë etiketa patriotizmi të ndërtojnë platformat e antishqiptarizmit. Nuk do të çuditem nëse shoh se ata që anonçojnë “sabah e aksham” këngë patriotike me flamur, me shqiponjë e me hartën e Shqipërisë etnike, të punojnë në anën tjetër për ta shkatërruar edhe këtë Shqipëri që kemi sot, edhe këtë Kosovë që na e falën NATO e SHBA-të dje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Maskat e patriotizmit, në funksion të antishqiptarizmit

Shkumbin ku e gjete

January 8, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Eshte e trishtueshme të shohësh një burrë duke qarë. Madje kur mezi thotë që, po m’dha mire… Edhe po nuk m’dha prapë mirë. E ka fjalën për shtetin e tij. Ndërkohë e di që nuk merr asgjë. Por lodhja dhe fatkeqësia e kanë tronditur. Ka ndenjur gjithë natën, duke shikuar të përmbytej shtëpia e tij. Kursimet dhe puna e katër djemve në kurbet. Ndërkohë nuk është i sigurtë për asgjë. Ka ardhur nga zonat malore midis Myzeqesë dhe Elbasanit. Zuri një gropore afër lumit Shkumbin. Diku aty ku siç thonë myzeqarët që me gisht ta ngulësh fidanin, zë e rritet. Ose edhe macurrka e thatë mbinë psiprapë. Kaq bujare është ajo tokë e njelmët. Mirëpo ja që i teket edhe lumit e të bën hatanë. Çfarë të bëj njeriu i shkretë.
Greqia i falimentoi. Italia po përtyp veten. Gjermania ta bën në kokë. Më mire pranon sirianë se shqiptarë. Franca ka hallet e veta. Kurse Spanja kaq e kishte. Sidomos edhe me këtë punën e Katalonjës. Ku të mblidhet shtetari i shkretë.? Shteti i vet ka hallin e reformës në drejtësi. Përmbytja është bërë e modës. Madje edhe denoncimet, bëhen për grupet e interesit. Të atyre që lajnë hesapet e drogës dhe tenderimeve. Jo për bagëtitë që i mori Shkumbini. E ia bëri kurban detit në këtë fillim viti të hidhur.
Vitet e demokracisë, ishin një lëvizje e ndërsjellë. Në fund të fundit, pse të mos e provonin. Më mire pak pluhur e ujë në Myzeqe. Se sa të ngjitesh e të zbresësh monopateve të Shpatit apo Valshit në Elbasan. Kush ka shkuar atyre anëve, e ka të qartë dallimin. Por do apo nuk do njeriu. Sidomos udhëtari, pyet nën zë veten… Vërtetë jetohet këtej.? Brigjet edhe pse ngjajnë me Zvicrën, i ka zhveshur fraqi dhe errozioni. Shkozat skalafiten rrugëve ku vetëm kecat kalojnë. Se për rrugë normale, as që bëhet fjalë. Edhe pse atyre majave rron si një asterisk. Shenjë e kohës, një kishë që e zbukuroi Onufri. Por ne kemi këto prej xhami tani.
Sikur vetëm rrugë të kishin ato anë. Ta dini qielli i Zvicrës nuk do ishte kurrë më i bukur. Por kujt i ka rënë për pjesë.? Na ka rënë neve. Jo zvicerianëve. Neve që ndajmë tapi nga shtatë here në vit. Që i nëmim këta lëvizarakë. Këta shpatarakë. 
Elbasan është emër i bukur. Megjithatë ngjitu katundeve të Shpatit. Ngjitu e të kuptosh se ekziston edhe një botë njerëzore që ne e kemi harruar. Ngjitu e pastaj gjyko se ka të drejtë apo jo ai bir nënë të zbresi në groporet e Myzeqesë.
Të paktën nga krahu kundruall, luginës së Drinit, edhe pse ngucas, ftohtit apo thepave ku rrinë varur akoma skelet e saurrelave çekë, lëviz jeta. Kurse në Shpatin e Elbasanit vegjeton vetveten. Kqyr botën poshtë në fushën ku los Shkumbini. Aq sa I lumturi njeri i bën amin korit të zogjve dhe erës së Krastës. 
Kështu që Myzeqeja është parajsë.
Sot ky burrë, është në moshë. I vrarë dy here. Përqark i sillen katër djemtë. Ata që ai u përpoq të t’i mbajë nën një çati. Dhe ia arriti. Ia arriti duke dhënë këtej andej ndonjë vote, për hir të tokës. Për hir të ekzistencës. I lumtur që shtonte edhe ndonjë bagëti.
Mirëpo i pari i vendit del e thotë se po paguajmë gabimet e këtyre njëzet vjetëve. Këto lëvizjet e ikjet. Ardhjet apo nguljet. 
Në fakt që e shikon si një gabim, si një plagë, si një marramendje demografike bën mire. Po pse pikërisht në kohë përmbytje.?
Nga ana tjetër, sillen shumë zëra që përflasin siguracionet apo më the e të thashë. Mbi shtëpinë, mbi pronën. Në fakt edhe kjo nuk është keq. Por në një vend ku vetëm të bërtasin dine. Ku mburren me një ekonomi të ”suksesshme” me rrogë vjetore prej 5% të popullsisë. Vetëm atyre që kanë privilegjin e administrates shtetërore. Të tjerët janë dhimbsurakë të një lëngate me emrin përkrahje sociale. Kurse ata tek privatet, po deshën aq apo kaq mire. Po nuk deshën, të pirdhen. Siguracionet janë edhe kulturë që vjen si rrjedhojë e një ekonomie reale. Jo e sojit shqiptar. Ku askush nuk e di se sa merr dhe sa paguan. Por të paktën di se sa ka. Dhe këto i mban poshtë jastëkut. Ose tonja të lidhura në xhep.
Kështu që, Të një ekonomie ku gjithkush deklaron jo aq sa ka, por sa i do qejfi të deklarojë. Nga ana tjetër, jemi vendi me çmimin më të lartë të shitjes së energjisë dhe karburanteve.
Gjithsesi, jemi tek ai elbasanasi nga malet. Ku në Çermë të Lushnjes. Lumi Shkumbin ia mori të gjitha. Vetëm për një natë, vetëm me një revansh. Tek ai burri që qan, i mallkuar nga fati.
Por duke qënë se nuk është i vetëm. Pasi gjithë Shqipëria është në ujë. Mjaftohet me mëshirën, po m’dha mirë. Po edhe po nuk m’dha…, prapë mire. Duke ua bërë edhe më të lehtë punën negociatorëve të reformës në drejtësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shkumbin ku e gjete

NJË VIT TJETËR I KEQ PËR LIRINË E SHTYPIT

January 8, 2016 by dgreca

(Dhe darka gala e Kryeministrit Rama me Gazetarët)/
Nga Frank Shkreli/
Viti 2015 ishte një vit i dominuar nga sfida të mëdha botërore, ishte një vit i dominuar nga lufta, terrorizmi, nga shtypjet dhe kriza në shumë pjesë të botës. Siç duket, sa më e keqe të jetë situata botërore dhe sa më të ashpëra të jenë tensionet në marrëdhënjet ndërkombëtare, puna e gazetarit jo vetëm që bëhet më e vështirë, por edhe më e rrezikshme, për të mos thënë më vdekjeprurëse. Në këtë pikëpamje, as viti që kaloi nuk ishte një përjashtim. Në të vërtetë, sipas Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) — një organizatë kjo e pavarur dhe jo fitim-prurëse e cila merret me mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës – në një njoftim për gazetarët, të shpërndarë të mërkurën –thotë se viti 2015 ishte “viti i katërt më vdekjeprurës” për gazetarët ç’prej kohës që KMG-ja ka filluar të mbledhë të dhëna të tilla, duke filluar nga viti 1992.
Në njoftimin që dërgoi për mediat, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gjatë vitit që posa kaloi — anë e mbanë botës — janë vrarë 71 gazetarë në krye të detyrës së tyre dhe 199 të tjerë janë burgosur vetëm e vetëm se kanë ushtruar profesionin e tyre. Këto shifra, sipas KMG-ës, e radhitin 2015 si vitin e katërt më të keq dhe më vdekjeprurës për gazetarët në pothuaj 25 vjetët e fundit.
Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se gjatë vitit që kaloi, “30 prej gazetarëve ose 42 për qind e tyre, janë vrarë ose kanë vdekur në duartë e grupeve ekstremiste, siç është Shteti Islamik”. “Këto vrasje”, thuhet në njoftimin e KMG-ës, “kanë ndodhur ndërkohë që më shumë se gjysma e 199 gazetarëve të burgosur gjatë vitit 2015, kishin përfunfuar në birucë, nën akuza për veprimtari anti-shtetërore.” Kjo situatë, sipas KMG-ës, “tregon se si shtypi dhe pjesëtarët e medias në përgjithësi, duhet të ushtrojnë profesionin e tyre në një situatë të rëndë midis grupeve të terroristëve dhe qeverive që gjoja pretendojnë se luftojnë terrorizmin.” KMG-ja përmend rastin e kryeredaktorit të revistës mujore të pavarur Hentah, njëkohsisht dhe regjisor i filmave dokumentar mbi Shtetin Islamik, Z. Naji Jerf, i cili u vra në Turqi fund vitin e kaluar.
Por, megjithëse viti 2015 ishte një vit vështirsishë me të cilat u përballua shtypi në përgjithësi anë e mbanë botës, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ka shënuar edhe sukses në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që sipas organizatës, me veprimtarinë e saj në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së medias anë e mbanë botës, ka kontribuar në lirimin e të pakën 50-gazetarëve të burgosur. Drejtori i KMG-ës, Courtney Radsch, tregohet optimist, ndërsa citohet në njoftimin e shpërndarë nga kjo organizatë mbi lirinë e shtypit gjatë vitit që kaloi, të ketë thënë se, “Ndonëse gazetarët përballen gjithnjë me sfida të mëdha botërore, ka arsye për shpresë” theksoi ai, duke shtuar se “Gjatë vitit 2016 organizata e tij do të vazhdojë t’u bëjë presion qeverive anë e mbanë botës që të lejojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre, të lirë dhe në rrethana sigurie.”
Ndërsa jemi duke folur për lirinë e medias dhe për marrëdhënjet e gazetarëve me pushtetarët gjatë vitit të kaluar, nuk po më durohet pa përmendur edhe darkën që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi për drejtuesit dhe përfaqsuesit e medias shqiptare fund të dhjetorin e vitit të kaluar. Një darkë e tillë në Tiranë duket se kishte për qëllim të organizohej sipas modelit të darkës që mbahet në Washington prej vitesh, jo vetëm me gazetarë por edhe me përfaqsues të dalluar të shoqërisë në përgjithësi dhe lloj-lloj politikanësh, e që në të vërtetë është një rast për tu qeshur dhe madje edhe për tu tallur me njëri tjetrin, mbrenda caqeve të moralit dhe njerëzillëkut. Është gjithashtu edhe një moment për të harruar, të pakën për disa orë, natyrën e punës sfiduese që për nga natyra ekziston midis gazetarëve, krye-pushtetarit të vendit dhe politikanëve në përgjithësi.
Por, ekziston një ndryshim i madh midis darkës gala të Kryeministrit Rama me gazetarët në Tiranë dhe asaj që organizohet në Washington. Kjo e Tiranës nuk ishte një darkë “alla Obama” siç e cilësuan disa media. Darka me gazetarët në Washington nuk organizohet nga Presidenti dhe as nga Shtëpia e Bardhë, por nga Shoqata e Korrespondentëve të akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë. Ajo i bën ftesat. Për më tepër, përveç gazetarëve dhe tipave të medias, në darkën e Washigtonit ftohen edhe politikanë kundërshtarë të dy partive kryesore të vendit si dhe personalitete të dalluara në fusha të ndryshme të Amerikës. Por siç duket, në Tiranë është pak ndryshe, pasi ftesat për gazetarët që marrin pjesë në darkën me Kryeministrin, thuhet se i lëshon vet Kryeministria ndërkohë që as nuk ftohen personalitete politike të partive opozitare ose përfqsues të tjerë të shoqërisë. Merre me mend që në një tavolinë të darkës së Kryeministrit Rama të ishin të ulur edhe udhëheqsit dhe përfaqsues të opozitës! Në këtë mënyrë, darka me gazetarët në Washington, të pakën në pamje e ka njëfarë lloj pavarësie dhe atmosfere tolerante e të relaksuar dhe nuk konsiderohet si një takim ku presidenti fton të preferuarit e vet nga media ose që si shpërblim, me pjesëmarrjen e tyre, të presë që të trajtohet më mirë nga media.

Nuk mund të them as për Kryeministrin Rama se mund të priste ndonjë favor nga gazetarët e ftuar shqiptarë në darkën e tij, ndonëse nuk di se cilët gazetarë ishin ata që morën pjesë dhe cilët jo dhe si u zgjodhën ata. Por, ajo që të bie në sy nga ai takim, e që fatkeqsisht ishte për të ardhur keq, sepse në përgjithësi, dukej se ishte një darkë tepër serioze, plot tensione, me pjesëmarrës të ulur në tavolina që dukeshin se mendonin se do ndoshta do të ishin më të kënaqur diku tjetër. Madje, kjo atmosferë e rëndë, shkaktoi që vet Kryeministri Rama në fjalën e tij, u përpoq ta thyente atë atmosferë të akullt që mbizotëronte në sallë, e të cilën ai në të vërtetë qqë në fillim e cilësoi si një “atmosferë ngushëllimesh”.

Nuk duhet të jetë kështu. Marrëdhëniet midis pushtetit dhe medias si dhe respekti reciprok janë të rëndësishme kur të dy palët me të vërtetë respektojnë lirinë e shtypit. Puna e gazetarit është tepër e rëndësishme gjtihashtu sepse media konsiderohet si pushteti i katërt! Andaj, në marrëdhëniet e tyre, si pushtetarët ashtu edhe gazetarët duhet të jenë të bindur se liria e shtypit, nuk është një shprehje akademike, por është një e drejtë themelore, ndër të drejtat bazë të njeriut. Dhe si e tillë, ashtu duhet të konsiderohet dhe të mbrohet jo vetëm nga pushtetarët, por edhe nga vet gazetarët. Gazetaria shqiptare përballet me sfida të mëdha. Si rrjedhim dhe në këtë kuptim, duhet të pranohet nga të gjitha palët se respekti i pushtetarëve ndaj përfaqsueve të medias dhe mbështetja pa kompromis e qeverisë dhe e partive politike ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit në përgjithësi, është një element kritik dhe i pazevëndsueshëm për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Respekti reciprok për punën e njëri tjetrit, do të mundësonte që në raste siç ishte darka me gazetarët në Tiranë, të mbizotëronte një atmosferë paksa më e relaksuar dhe me më shumë të qeshur. Nuk e di nëse mungesa e një atmosfere më të butë dhe më miqësore në darkën e organizuar për gazetarët nga Kryeministri Rama ishte për arsye të mos respektit dhe mosbesimit ndaj njëri tjetrit, apo për arsye frike nga njëri tjetri.
Për të mirën e shoqërisë, të dy palët – pushtetarët dhe gazetarët — duhet të bëjnë më shumë drejtë një komunikimi më të mirë më të respektueshëm dhe më të frutshëm midis tyre, të dy palët të vetdijshëm se “Shtypi i lirë nuk është një privilegj, por është një nevojë organike e një shoqërie të madhërishme dhe të suksesshme”, ka thënë ish gazetari amerikan Walter Lipman .” Sepse në fund të fundit, vetëm një media e lirë mund t’i shërbejë një populli që dëshiron të jetë i lirë, sepse siç ka shkruar edhe Thomas Jeffersoni, nëqoftse të gjithë ia duan të mirën vendit – si pushtetarët ashtu edhe gazetarët — atëherë, në një vend, “Ku shtypi është i lirë dhe i pavarur dhe ku çdo njeri mund të lexojë, aty çdo gjë është e sigurt dhe në rregull.”

Filed Under: Analiza Tagged With: E SHTYPIT, Frank shkreli, NJË VIT TJETËR I KEQ, për lirinë

Të mbytesh në një pikë qumësht!

January 7, 2016 by dgreca

Drama e prodhimit  Made in Albania/
Nga Klara Buda/
Prodhimi në Shqipëri ndodhet sot në nje gjendje kritike por kriminalizimi i parlamentit, informaliteti endemik i shoqërisë dhe drejtësia e pa denjë për besim, të ndjekura nga një Media shpesh partiake e jo etike, e kanë larguar vëmendjen e publikut nga prodhimi. “Prodhimi ? Kush merret me të në Shqipëri përveç naivëve?” dëgjon rëndom në Tiranë. Por ai është në bazë të zhvillimit të çdo vendi dhe gjendja e tij është tregues i pa neglizhueshëm i ekonomisë.
Kjo gjendje kritike e prodhimit ka ardhur si rezultat i gabimeve të njëpasnjëshme të qeverive të mëparshme, në këto 25 vjet tranzicion. Arsyet – një sekret Polishineli – paaftësia dhe korrupsioni kanë sjellë si pasojë: mungesën e politikave për mbështetjen dhe zhvillimin e prodhimit vendas, çmimet e larta të shërbimeve dhe konkurencën e pandershme të rënduar edhe nga marrëveshje të pafavorshme.
Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë, vështirësitë deri në pamundësi të prodhimit në Shqipëri dhe humnerën në të cilën bie investimi i bërë në të.
Njësia e prodhimit test që do të analizojmë është një kuti qumësht i pasterizuar / sterilizuar.
Kostoja e një kutie qumështi të sterilizuar, ambalazh tetrapak në bazë të të dhënave mesatare të marra në tre burime të ndryshme, të ndërmarrjeve të paketimit të qumështit në vend, është si më poshtë :
Shërbimi / Litër
Çmimi në Lekë
Qumësht prej fermës
48.00
Ambalazhi Tetrapak
18.00
Kosto Anekse
9.80
Fuqi Punëtore
5.00
Mbledhja dhe shpërndarja
15.20
Total
96.00
Vërehet se kostoja që i shtohet çdo litri qumështi nga shërbime si : grumbullimi tek fshatari, transporti në fabrikë, pasterizim/ sterilizim, amballazhim, ruajtje në frigorifer, transport në pikën e shpërndarjes është 48.00 Lekë. Pra çmimi në grumbullim, 48.00 Lekë (34 – 40 Lekë, në ferma të mëdha) dyfishohet duke arritur në 96.00 Lekë. Çmimet e larta të shërbimeve vijnë si rezultat i çmimeve të larta të karburantit, elektricitetit etj., Në Shqipëri, çmimet e mësipërme rezultojnë më të lartë se në Kosovë e Maqedoni dhe në vendet fqinje (sipas raportit të fundit të Bankës Botërore).
Deri dje, kostoja e lartë e kutisë së qumështit ekuilibrohej disi, me informalitetin, blerje pa TVSH etj,. Aktualisht, marrja e masave për formalizimin e ekonomisë e ka vështirësuar tregtimin e saj. Tregtarët e vegjël nuk po munden ta blejnë më. Nuk ka tregues të saktë mbi shkaqet. A është ulja e fuqisë blerëse në përgjithesi që ndikon në këtë kolaps apo çmimi i lartë i prodhimit të vendit në lidhje me atë të importit ? Në kushtet e deklaratave optimiste të pushtetit është vështirë të vlerësohet me saktësi se cilat janë pasojat, dhe se ku po shkohet.
Në rrugën për Europë, Shqipëria ka ratifikuar një numër marrëveshjes dhe ligjesh. Ne do të shënojmë vetëm ato që lidhen me njësinë tonë test.
Konkurenca në rend ngritës vjen nga :
1- Qumështi i pa kontrolluar, më i lirë por me rrezik për shëndetin, që shitet me bidona në rrugë.
2- Qumështi i importuar nga Kosova, Bosnja – Herzegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia, i bërë i mundur nga marrveshja  CEFTA[1].
3- Qumështi i ardhur nga Europa, kryesisht Italia, është konkurenti më i madh. Prania e tij në tregun shqiptar, madje mund të jetë fatale për kutinë e qumështit tetrapak  « Made in Albania ».
Qumështi që vjen nga vendet fqinje të rajonit dhe Europa ka një kosto prodhimi më të ulët dhe me gjithë transportin dhe doganën, arrin të shitet me çmime konkuruese në krahasim me prodhimin vendas. Por ndërkohë që qumështi që vjen nga vendet e Europës Qendrore nuk mund të ndalohet pa negociata për shkak të CEFTA-s, ai i ardhur nga Italia, nuk e ka këtë mbrojtje. Per momentin nuk ka asnjë marrëveshje që e detyron Shqipërinë që të importojë nga Italia apo vende të tjera të Europës.
Qumështi Made in Albania në botën globale
Cfarë do të sjellë hyrja në Europë për prodhuesin e kutisë së qumështit ? Në Europë, prodhimi i qumështit financohet nga shteti, dhe për pasojë, ka çmime më të ulëta se prodhimi vendas në Shqipëri. Për shembull : pas liberalizimit të kuotave që kufizonin prodhimin e qumështit në Europë, rritja e prodhimit të fermave të mëdha moderne e ka ulur çmimin e një litri qumësht në 32, 2 Lekë (23 cents Euros) dhe po shkatëron fermerin e vogël europian.
Siç e thamë më lart kostoja e një litri qumësht është mesatarisht 96 Lekë në ndërmarrjet shqiptare të përpunim paketimit.
Pra qumështi me cilësi i prodhuar në Shqipëri është tri herë më i shtrenjtë se në Europe 32, 2 Lekë !
Me hyrjen në Europë dhe në kushtet e marrëveshjes së tregtisë së lirë, prodhuesi vendas do të gjendet përballë importit të qumështit shumë më të lirë të financuar nga shtetet e fuqishme europiane dhe nuk do të mund të jetë konkurues. Prodhuesit shqiptarë nuk mund të shesin dot më prodhimin e tyre në vend, pra hyrja në Europë do të shënonte edhe fundin e tyre. Europa ka norma cilësie të cilat janë konformë me mesataren e zhvillimit të vendeve të saj. Shqipëria për të hyrë në të i ka ratifikuar shumë syresh, pa i shqyrtuar më parë nëse vërtet mund t’i plotësojë. Kjo do të sjellë herët a vonë, problemin në tryezë. Do të duhet të kontrollohet prodhimi i qumështit që në silazhin që ha lopa dhe kjo do të ngrejë edhe më shumë koston aktuale të prodhimit, përpos një problematike të komplikuar, që nuk mund të analizohet këtu.
Po a ka shteti një aksion në ndihmë të prodhuesit shqiptar ? A egziston një strukturë, një ekip që të ndjekë prodhuesit që përpunojnë qumështin e vendit dhe punësojnë shqiptarët? A llogaritet dhe ndiqet  kostoja e një litri qumësht të pasterizuar/sterilizuar ? Sa është fuqia blerëse e këtij prodhimi ? Sa është defiçiti që krijohet duke e shitur prodhimin me çmim më të ulët se kostoja e prodhimit ? Përgjigja për këtë seri pyetjesh është : jo !
Pasterizimi apo sterilizimi i qumështit është një proçes i thjeshtë, i mundur tani edhe në vendin më të varfër të botës. Nëse për shkak të çmimeve të shërbimeve aktuale kostoja del më e lartë se sa mund ta përballojë konsumatori shqiptar, shteti duhet ta ndihmojë prodhuesin ta rikuperojë këtë vlerë të shtuar, deri sa të ndërmerret rregullimi një nga një i të gjithë këtyre hallkave të proçesit të prodhimit.
Kjo praktikë (siç e treguam më lart) ekziston në vendet e Bashkimit Europian që për të stimuluar e mbështetur prodhimin vendas e financojnë atë që nga ferma deri në industrinë e paketim përpunimit.
Mbështetja e këtij lloj prodhimi në vështirësi të dukshme është një detyrë urgjente e shtetit me qellim që të ndihmohet prodhimi, të mbahen investitorët aktualë dhe të tërhiqen të rinj. Nuk ka rrugë tjetër ekonomike për të zgjidhur këtë gjëndje me të cilën përballet prodhimi i qumështit në Shqipëri.
Por ajo që është më shqetësuese, kur flet me prodhuesit që ndeshin përditë këto vështirësi, ata as nuk e mendojnë se shteti mund të ndihmojë. Pra në mënyrë unanime të gjithë e dinë se shteti nuk dëgjon nga ai vesh e nuk shikon nga ai sy. Pra papërgjegjshmëria e politikës, pamundësia e qeverisë për të zgjidhur aktualisht problemet e trashëguara të kësaj natyre që ndesh prodhimi, të shoqëruara nga nepotizmi ekstrem janë të njohura dhe të pranuara si « të këqija?», të natyrshme nga shumica e popullsisë.
Kutia e qumështit dhe produkteve të tij ka thithur disa miliona euro, në fabrikat bashkëkohore të paketimit të saj dhe disa vite punë, por prodhimi vendas ende nuk po shkon dot tek konsumatori shqiptar.
Fakte Shqetsuese 
Fabrika që prodhonte qumështin “Fast”, e blerë nga një investitor gjerman u mbyll pas tre vjet prodhimi me humbje.
Cili është fati që i pret fabrikat e tjera të paketimit dhe përpunimit të qumështit? Do të shkatërrohen edhe investime të tjera – duke e ngritur apo vërtetuar rrezikun e investimit në Shqipëri ?!
Një përfundim dhe masa të mundëshme  
Pamundësia e shitjes së prodhimeve të domosdoshmërisë së parë për shkak të kostos së lartë të prodhimit të tyre është një dështim real i prodhimit në Shqipëri.
Për momentin do të duhet të kontrollohet sasia e qumështit që vjen nga Europa (kryesisht Italia) për të cilin nuk ka asnjë obligim me marrëveshje që të lejohet në Shqipëri. Çmimi i tij në prodhim është shumë më i ulët sepse subvencionohet nga shteti (fermeri dhe fabrika e paketim përpunimit).
Tregtimi i tij në Shqipëri mbështet prodhimin e huaj dhe me çmimin konkurencial shkatërron prodhimin vendës.
Ky është një rreth vicioz në të cilin gjendet përpunim paketimi i qumështit në Shqipëri. Ai meriton vëmëndjen e Qeverisë.
Fakti që konsumatori shqiptar nuk ka fuqi blerëse të përballojë as një litër qumësht të pasterizuar, të prodhuar në vend është një fakt i drames në të cilën gjendet prodhimi shqiptar dhe fuqia blerëse në vend. Ai është vdekjeprurës për investitorët aktualë dhe ata potencialë, që duan të vijnë në Shqipëri.
[1] Marrveshja CEFTA (Central European Free Trade Agreement) e qarkullimi të lirë të mallrave e vendeve të Europës qendrore, e firmosur nga Shqipëria në 1996, ku që prej Korrikut 2013 janë ende pjestare, vetëm Shqipëria, Kosova, Bosnia – Herzegovina, Macedonia, Moldova, Montenegro dhe Serbia. Ajo përfundon me futjen e vendit përkatës në Europë

Filed Under: Analiza Tagged With: Klara Buda, ne nje pike qumesht, te mbytesh

INTERVISTA DELIRANTE DHE SFIDA SPEKTAKOLARE E METËS NDAJ AMBASADORIT AMERIKAN

January 6, 2016 by dgreca

-Përkitazi me porositë e Ramiz Alisë për pinjollët e komunizmit /
Nga KOLEC TRABOINI/
Televizionin News 24 më datë 5 janar 2016 dha një intervistë me të vërtetë delirante të kryeparlamentarit shqiptar Ilir Meta, mbi drejtësinë, i cili vetë paradoksalisht ka qenë problematik me drejtësinë sa, po të mos hynte në mes ish kryeministri Berisha do të ishte krejt ndryshe udhëtimi i tij politik. Shtuar kësaj edhe se u bë shkak për demonstratën e 21 janarit 2011 çfarë solli 4 vrasje në mes të ditës e para kryeministrisë apo aktin e përfolur për vrasjen e deputetit Tom Doshi, të cilën çështje drejtësia jonë zulmëmadhe me osh-osh e mbylli mbështetur në një akt gjoja amnistie. Shtyj të shtyjmë. E çuditshme është se sa ky person që gëzon mjaftueshëm antipatinë e popullit, aq shumë i ka ngjitur shkallët e pushtetit dhe të dëlirit njëkohësisht, sa tha as më pak e as më shumë se reformën në drejtësi nuk e pengojnë duart me ora të shtrenjta. Mesazhi që përcjell është krejt i kuptueshëm. Veç ndonjë tru batall nuk e kupton. Dhe do ta themi hapur atë çfarë nënkuptuam: Ambasadori Donald Lu, fol sa e si të duash, por dimë ne si e bëjmë drejtësinë e do ta bëjmë pikërisht në atë mënyrë që neve të orëve të shtrenjta të mos na hyj ferrë në këmbë. Siç nuk i hyri vetë Metës në aferën e 700 mijë eurove që e pa të filmuar gjithë Shqipëria në përplasjen me ish ortakun e vet në parti e qeveri, Dritan Prifti. Përvojë e mirë kjo për Shqipërinë e kaosit dhe e politikës mafioze, të kastave të parive që nuk japin llogari për asgjë, ku mos ndëshkueshmëria e politikanëve dhe e shtetarëve të korruptuar është njëqind për qind por, nuk do të kishte shtet tjetër në Evropë, që një njeri të tillë me këto rropulli mbi supe ta ngjiste në shkallën më të lartë të shtetit pa pasur asnjë kundërshti, asnjë opozitë, asnjë zë sado të vogël kundër në parlament apo publik. E gjasat janë ta bëjnë edhe president për të na kujtuar romanin me tematikë historike “Si u bë pirati Papë”. E kjo flet shumë për natyrën e politikës dhe qeverisjes në shtetin me korrupsion deri në palcë. A thua ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Amerikës nuk e dinë këtë?! Edhe ata nga halli bëjnë kinse nuk i dinë dhe, duan nuk duan i thonë derrit dajë.
Tani se çfarë pret ky popull nga të tillë njerëz që e kanë shaluar këtë vend në një çerek shekulli dhe në mënyrën më të përçudnuar sa për t’ia pasur zili edhe Enver Hoxha, është e kuptueshme. Mjafton të lexojmë fjalimin e fundit të Ramiz Alisë në tetor 1989 kur tha se ngado që të vinë e të vërtiten punët në Shqipëri, pushtetin do ta kenë vetëm pinjollët e komunizmit.
Ja çfarë u porositi Ramiz Alia pinjollëve të komunizmit, që këta po e zbatojnë sot e kësaj dite pikë për pikë si një program strategjik afatgjatë:
“Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste.”
Sa i përket të persekutuarit politikë, Ramiz Alia porosiste atë çfarë për njëzet e pesë vjet u zbatua një e për një edhe si program politik i partive bijëza të Partisë së Punës së Shqipërisë gjithashtu edhe një si veprim praktik pa i lëvizuar asnjë presje:
“Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë, sigurisht që do të na shajnë. Por edhe pse këta e urrejnë komunizmin, do ta shihni që do të na vijnë afër dhe do të na përkrahin. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të ndryshme, por jo të rëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të na përvetësojnë pushtetin. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe do t’u shërbenin atyre, në vend që ta të na shërbejnë neve.
Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin. Por një gjë duhet të kemi parasysh; të kemi kujdes nga fëmijët e të persekutuarve politikë, pasi ata vetë janë aq pleq apo të sëmurë sa mezi rrinë në këmbë. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë.”( Gazeta “Illyria” New York f. 11 2/19/04)
Dhe ja ku jemi në vitin 2016. Më thoni për diçka që të ketë ndryshuar në këtë platformë të metamorfizmit të komunizmit në një pluralizëm fals, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin në mënyrë të kamufluar?
A i doni emrat e atyre që sot janë në pushtet apo në parlament? Jo nuk po sjellim ato por disa emra të baballarëve apo të afërmeve të tyre besnikë deri në vdekje të diktatorit Enver Hoxha : Spiro Koleka, Sulejman Bushati, Rrapi Gjermeni, Sofokli Lazri, Llambi Gegprifti, Xhelil Gjoni, Hamit Beqja, Sulo Gradeci, Lenka Çuko, e të tjerë që dinë si ti humbin gjurmët në këtë turbullirë me emrin e shpifur tranzicion. Ata na shfaqen edhe si ambasadorë apo nëpunës të lartë të shtetit. I vetmi që ka mbetur hapur është Gramoz Ruçi. Ish ministër i brendshëm i diktaturës komuniste në vitin 1990, për njëzet e pesë vjet dominon parlamentin shqiptar gjoja pluralist. A gjeni në vendet e Evropës Lindore ish-komuniste ndonjë ish ministër të brendshëm diktaturës të vazhdojë të jetë në parlament? Po këta si nuk u lodhën në pushtet e në parti. Ku jemi e ku vemi, o popull?
Tani këta pinjollët e komunizmit e ndjejnë veten më të fuqishëm se kurrë, sa nxjerrin kunjin edhe me amerikanët, si babai i tyre Enveri kur erdhi në pushtet në 1944 dhe nuk la asnjë ambasador amerikan të shkeltë në Shqipëri për 50 vjet. Po këta pinjollët e komunizmit po ja kalojnë edhe babait të tyre shpirtëror, këta i pranojnë amerikanët, por thjeshtë si figura, sa për të legjitimuar një lloj demokracie false. Kinse i dëgjojnë ambasadorët, rrinë urtë si qengja para tyre, ndërsa prapa krahëve u tregojnë bërrylin. Çfarë kuptimi tjetër ka të ironizosh shprehjen e Ambasadorit Amerikan Donald Lu që duart me ora të shtrenjta janë shenja të korrupsionit, ndërkohë kryeparlamentari i Shqipërisë të thotë se drejtësia nuk varet prej orëve të shtrenjta. Po realisht sot në Shqipëri prej kujt varet drejtësia dhe ata që do na bëjnë sot drejtësinë a nuk kanë ora super të shtrenjta dhe vila milionëshe, shto pasuri të pafund të padeklaruara. Pse nuk del të thotë kryeparlamentari sa pasuri ka dhe sa i kushton vila në Gjirin e Lalëzit, ku palmat i janë sjellë me helikopter? Ky lakim e përgojim i fjalëve të ambasadorit për orët e shtrenjta do të thotë as më pak e as më shumë por thjeshtë “Çaj dërrasa Ambasador!”
Të dale tani ndonjë kasnec i Partisë Lesh e Li e të na shpjegojë ndryshe këtë domethënie….

6 janar 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Donald Lu, Kolec Traboini, ndaj ambasadorit, Sfida e Metes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 705
  • 706
  • 707
  • 708
  • 709
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT