• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR VUAJNË JETIMËT,VUAN E GJITHË SHOQËRIA

January 4, 2016 by dgreca

Nga ILIR ÇUMANI*/
Shteti shqiptar ka bërë hapa përpara për integrimin në Bashkimin Europian, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por nga ana tjetër, gjendja e fëmijëve jetimë e abuzimet me ta mbetet një shqetësim për faktorin vendas dhe atë ndërkombëtar.
Nga 184.000 fëmijë në nevojë që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike shtetërore, 31.000 fëmijë janë të kategorisë së jetimeve. Mbi 2/3 e kësaj kategorie përballen, përveçse me ekstremin e përpjekjeve raskapitëse për mbijetesën, edhe me abuzimet e veprimet kriminale ndaj tyre. Një pjesë shumë e vogël prej tyre marrin asistencë sociale. Asistenca sociale që garantohet nga shteti, mbulon vetëm 5 % të nevojave minimale të jetesës. Nga 31.000 fëmijë jetimë në mbarë vendin, vetëm 400 trajtohen në 9 qendra rezidenciale qeveritare dhe 360 të tjerë në 19 qendra joqeveritare (OJF). Pjesa tjetër janë të zbuluar para dhunës, abuzimeve seksuale e trafikimit për qëllime përfitimi. 100.000 persona me aftësi të kufizuara, mes të cilëve një numër i madh jetimësh, gjenden sot në të njejtën situatë varfërie e përpjekjesh për mbijetesë. Prej 21 vjetësh, në konviktet e shkollave të mesme në rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër (të cilat kanë destinacion strehimin e nxënësve konviktorë të ardhur nga rrethet) ndodhen të strehuar qindra të rinj jetimë, të papunë, në kushtet e getove. Në këto mjedise mizerabël, atyre nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre. Të mbetur dyfish jetimë, në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, këta të rinj sot janë kontingjenti më vulnerabël dhe më i margjinalizuar i shoqërisë shqiptare.
Deputetët e Shqipërisë e kanë amenduar disa herë Ligjin mbi “Statusin e deputetit”, që u siguron mbështetje dhe mirëqënie familjeve të tyre, ndërsa Ligji për “Statusin e Jetimit” nuk është amenduar asnjëherë, duke e lënë kuotën për jetesën e çdo jetimi vetëm 25 USD në muaj, si në fillim të tranzicionit, kur dihet zyrtarisht që kostoja aktuale minimale e një individi në Shqipëri është në vlerën e 400 USD në muaj. Është imperativ i kohës nevoja e një transparence publike, që parlamenti shqiptar tashmë të shprehet qartë përmes një Ligji të veçantë duke ngarkuar Këshillin e Ministrave që, përfundimisht të realizoj një studim në shkallë kombëtare, ku të deklarohet zyrtarisht minimumi jetik i varfërisë për të gjitha shtresat sociale në nevojë, si një nga kërkesat dhe pikat kryesore që kanë paraqitur herë pas here partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizmat e të Drejtave të Njeriut në raportet e tyre periodike për Shqipërinë. Shteti shqiptar nuk mund të vazhdoj të bëjë të paditurin dhe të fsheh kokën si struci në rërë lidhur me këtë fakt, i cili ka të bëjë me politikat e mbrojtjes dhe mbështetjes të grupeve të margjinalizuara. Kjo ka të bëjë me parimet bazë dhe doktrinën humane të dakortësuar unanimisht dhe të shprehura qartësisht në preambulat e konventave ndërkombëtare të OKB – së që shtetet anëtare i kanë nënshkruar dhe janë të detyruara ti respektojnë ato. Një dokument i tillë zyrtar, do të ndihmojë transparencën e shtetit në shpërndarjen e drejtë të të ardhurave kombëtare dhe që prek drejtëpërsëdrejti pjesën më të madhe të popullsisë, e rrezikuar nga varfëria edhe për shkak të polarizimit ekstrem të shtresave të shoqërisë, ku në fakt, më të prekurit janë jetimët.
Amnesty International ka bërë publik raportin i cili i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe Parlamentit Europian duke vënë theksin se prej 25 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, jetimëve u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me pamundësinë e strehimit, punësimit dhe arsimimit të tyre, e të tjera benefice që burojnë nga statusi i tyre.
Shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Financave, nën pretekstin e “kartës së mëshirës sociale” duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga financimi i përvitshëm dhe i padrejtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë për disa shoqata, që në fund të fundit, ka qënë një veprim selektiv dhe i paarsyeshëm.
Në gjithë këto vite të tranzicionit, pjesa më e madhe e këtyre shoqatave ka rezultuar parazitare e abuzuese me jetimët dhe shtresat në nevojë. Financimi selektiv i këtyre shoqatave bie ndesh me parimet e barazisë për të gjithë dhe çon në diskriminimin, kompromentimin, cënimin e sovranitetit dhe autonomisë së këtyre OJF – ve, ngase është e pavend që përmes parave të taksapaguesve shqiptarë, të financohen shpenzime administrative për mbajtjen me paterica të këtyre OJF – ve parazitare dhe abuzuese, duke rënë pre e konformizmit të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore në dëm të target – grupeve shoqërore që kinse janë të përfaqësuara. Nga përvoja e deritanishme, ato nuk kanë qenë asnjëherë eficente dhe e kanë keqperdorur këtë “bujari” nga shteti, duke u prezantuar para donatorëve shpesh dhe në mënyrë spekullative si OJF me status shtetëror, e nga ku kanë dalë herë pas here edhe skandale të abuzimeve me fëmijët jetimë. Tashmë, kontributin e vet për mbështetjen e OJF – ve, shteti shqiptar e ka zgjidhur përmes Agjencisë së Mbështetjes të Shoqërisë Civile, (AMSHC), ku çdo OJF ka të drejtë të konkurojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë me projekte dhe programe konkuruese dhe efektive. Mbi bazën e këtyre fakteve dhe shumë problematikave të tjera që prekin jetimët, u fokusua edhe tryeza e organizuar ditët e fundit me aktorët e rëndësishëm të Shoqërisë Civile dhe të fushave të ndryshme të jetës politiko shoqërore e kulturore të vendit me temë: “Të gjithë frontalisht kundër abuzimit me fëmijët jetimë”. Kjo tryezë shumë përfaqësuese dhe pluraliste në pjesëmarrje, është dëshmi qartë se, për ne janë të çmueshme vlerat e jetës dhe të demokracisë, sepse ne e duam mirëqenien dhe zhvillimin për çdo qytetar, për të gjithë ne së bashku, pa përjashtuar askënd. Në fakt, të gjithë duam që vendi ynë të mos vuaj nga problemet sociale të cilat shfaqen herë pas here në spiralen e zhvillimit të shoqërisë, në shumë raste me dhimbje. Siç e dimë të gjithë, kjo dhimbje bëhet shumë herë edhe më e madhe kur prek grupe më të pambrojtura të shoqërisë siç janë edhe jetimët, të cilët shpesh herë detyrohen të mbijetojnë sepse nuk kanë asnjë rrugë dalje. Do të ishte ideale nëse ky grup do ndjente nga shoqëria se, jeta nuk i ka privuar nga mundësitë që i kanë të gjithë të tjerët, por kjo, për fat të keq është e pamundur për ata, sepse jeta i ka vendosur që në fillim mes situatave dhe kombinacioneve tragjike, duke i privuar nga mungesa e kujdesit prindëror që të tjerët gëzojnë. Fatkeqësisht, nga shumë drejtime, fëmijët jetimë nuk kanë mundur të shmangin vështirësitë me të cilat përballen, por më e rënda dhe më e pa pranueshme për jetën e tyre është mungesa e vëmendjes e shoqërisë, heshtja e saj ndaj dhunës më të cilën ndeshen. Kjo dhunë ka dimensione e shfaqje nga më të ndryshmet, ka protagonistë nga më të ndryshmëm, por kurrësesi ne nuk duhet të lejojmë që ta ushtrojnë atë pikërisht ata që e kanë për detyrë t’u dalin për zot interesave të jetimëve, qoftë edhe si përfaqësues shteti, qoftë edhe si përfaqësues të shoqërisë civile apo individë të papërgjegjshëm. Nuk dua të ndalem në ato dëshmi tronditëse që sillen nëpërmjet angazhimeve të organizatorëve të kësaj tryeze, sepse ato janë problem e preokupim i secilit prej nesh, por dua të ndalem shkurtimisht në këndvështrimin tim mbi detyrimin moral e shoqëror të të gjithë faktorëve ndaj këtij grupi kaq delikat në ndjeshmërinë njerëzore. Jetimët kanë dëshmuar në çdo kohë se, mbi çdo gjë, ata vënë në radhë të parë dinjitetin dhe përpiqen me shumë dashuri e përkushtim për përparimin e vendit dhe shoqërisë së cilës i përkasin. Mes tyre ka figura pa fund të spikatura në kontribute ndaj shoqërisë, me lartësinë e personalitetit të çdo fushe ku i kanë përqëndruar aftësitë dhe talentin, por në fakt dua të siguroj se çdo jetim e ka shumë të vështirë ta ngrejë zërin pa pasur mbi vehte një stërmundim apo padrejtësi shumë të madhe. Si përfaqësues i këtij target – grupi, e ndjej se duhet të shpreh ndjesën e madhe dhe të sinqertë për ç’farë nuk kemi mundur të bëjmë më shumë për ta, por nga ana tjetër, të shpreh edhe mirënjohjen dhe falenderimin e përzemërt në emër të gjithë atyre jetimëve që sot po përballojnë me dinjitet peshën e vuatjeve dhe stërmundimit nga abuzimet, dhuna, braktisja, mënjanimi, indiferenca, shfrytëzimi apo trafikimi për qëllime kriminale të përfitimit në kurriz të tyre. Tryeza të tilla janë aktet e asaj që duan jetimët dhe jo vetëm, që ka të bëjë me solidaritetin dhe mirëkuptimin për t’u trajtuar si të barabartë dhe për të dënuar publikisht e me ligje çdo abuzim apo forme dhune ndaj tyre, ashtu si ndaj çdo qytetari tjetër që nga ai më i thjeshti deri tek presidenti i Republikës. Realizimi i kësaj fryme solidariteti rrit besimin jo vetëm të jetimëve por edhe të gjithë qytetarëve tek standarti i shoqërisë, tek vlerat e saj, pavarësisht nga sistemet politike. 11 vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë e vlerësoi iniciativën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për të shpallur 20 Majin, si “Dita Kombëtare e Jetimëve”. Shpesh herë kam menduar se mos u gabuam që, duke shpallur një ditë të tillë, po lemë të kuptohet se i veçojmë ata nga të tjerët, gjë të cilën jetimët nuk do ta dëshironin qoftë edhe për një sekondë të vetme. Ne e kemi kërkuar shpalljen e kësaj dite pikërisht, si një ditë ku të mund të promovohen aktet e solidaritetit dhe të voluntarizmit, që synon filozofinë e gjithëpërfshirjes drejt kohezionit social, me synimin për fillimin e një aksioni mbarëkombëtar që lidhet me nevojën për humanizimin e shoqërisë. Pse jo, kjo ditë mund të shërbejë edhe si një ditë proteste, reflektimi dhe ndërgjegjësimi për të gjithë ne, për atë ç’ka nuk kemi mundur të bëjmë edhe më mirë për ta. Jetimët e përjetojnë atë ditë si një ditë që nuk shpalos mëshirën, por forcën e shoqërisë për të ruajtuar vlerat e saj humane e përgjegjësinë për secilin midis nesh, do u kujtonte të gjithëve se përjashtimi apo mënjanimi i këtij grupi shoqëror mund të sjellë pasoja mbi fatin e përparimit të të gjithëve. Fëmijët jetimë shqiptarë vuajmë nga shumë dëshira të parealizuara, por kurrësesi ata nuk duhet të vuajnë nga dhuna e abuzimi, prandaj mendojmë që kjo tryezë duhet ti bëjë të ditur të gjithë opinionit publik dhe atij zyrtar kërkesat tona për drejtësi e transparencë ndaj kujtdo që abuzon me ta. Aktet në dëm të jetimëve janë tragjike, por akoma edhe më tragjike i bën ato heshtja dhe indiferentizmi i institucioneve, neglizhenca e atyre që e kanë për detyrë të reagojnë. Jo vetëm aktet e dhunës, por edhe abuzimi për të përfituar në kurriz të fëmijëve jetimë siç është provuar për fat të keq në shumë raste të dëshmuara, duhet të na bashkojnë sot e në të ardhmen për ti ndaluar dhe për të mos i lejuar kurrë ato. Shembuj pozitiv ne kemi mjaft, ku mund të shohim se çdo njeri që përpiqet të bëjë një detyrë shoqërore, ose ndërmerr iniciativën për të kontribuar me vullnetin e aftësitë e tij për shoqërinë, ka mirënjohjen e respektin e qytetarëve dhe detyrimisht dhe të institucioneve shtetërore, por çdo individ që ndërmerr nisma për të përfitime personale nga një kauze e rëndësishme për shoqërinë, duhet të ketë demaskim dhe të japë llogari para ligjit për veprimet e patolerueshme nga morali ynë shoqëror. Jemi përpara një krize globale, ku vendi ynë po preket gjithnjë e më shumë. Jetimët e ndjejnë më shumë se qytetarët e tjerë këtë situatë dhe janë një grupim aq delikat sa mund të bien shumë shpejt preh e krimit të organizuar, për shfrytëzimin e tyre, trafikimin e përfshirjes në rrjete kriminale që shkojnë deri tek dukuritë e ditëve të fundit për ti angazhuar si kontigjente luftëtarësh në grupet terroriste të ISIS – it. Fakti që në Evropë ka një lëvizje të madhe emigracioni ku janë përfshirë edhe qindra organizata kriminale të trafikimit, përbën një rrezik shumë të madh për fëmijët e të rinjtë shqiptarë pa mbrojtje, siç janë jetimët. Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë solidarizohet me emigrantët shqiptar që kërkojnë të largohen për një jetë më të sigurtë dhe më të mirë, sikundërse edhe me ata që vijnë nga vendet e luftës drejt Evropës, por nuk mund të pranojë mashtrimet e trafikantëve që i nxisin ata të emigrojnë pa e ditur se ku venë. Jetimët nuk kanë asnjë mbështetje ekonomike për rrugëtimin apo qëndrimin në këto vende deri sa të gjejnë zgjidhjen e nevojshme, prandaj kemi mbështetur qeverinë dhe kryeministrin në qëndrimin e tyre para opinionit vendas dhe atij të Bashkimit Evropian, duke përcaktuar qartë se emigracioni është një çështje sociale e sigurie por, ashtu si duhet t’i kërkojmë mundësitë në vendin tonë, edhe Evropa duhet të investojë më shumë për zhvillimin e rajonit tonë që mbart probleme specifike. Kundërshtojmë gjithashtu sjelljen raciste të çdo oficeri policie apo emigracioni ndaj atyre të rinjve apo fëmijëve jetimë shqiptar që kërkojnë azil për shkak të rrezikut në Shqipëri nga dhuna, brenda apo jashtë familjes, apo për rastet që ata janë të sëmurë dhe nuk kanë mundësinë e kurimit dhe shërimit në Shqipëri. Fakti që Individë të papërgjegjshëm, të përfshirë edhe në krimin e organizuar, kanë krijuar pseudo – shoqata në emër të jetimëve, është alarmante dhe duhet të krijohen organizma të posaçme të verifikimit dhe parandalimit të veprimtarisë së tyre, duke i goditur me forcën e ligjit që në embrion, sepse janë një burim potencial i rrymave dhe veprimtarisë së strukturave të fshehta jo vetëm të krimit të organizuar, por edhe i terrorizmit. Në internet janë shfaqur veprime të organizuara kriminale me fëmijët jetimë shqiptar si dhe nxitje e vrasje për gjakmarrje, fakt ky që tregon se ky shqetësim duhet analizuar thellë edhe nga organet ligjzbatuese të hetimit. Fëmijët jetimë e vuajnë të keqen që pllakos një shoqëri më shumë se qytetarët e tjerë, prandaj është me vend shqetësimi për paraqitjen e padenjë të politikës në sy të familjeve dhe fëmijëve shqiptarë, në veçanti të jetimëve. Në çdo shoqëri moderne, me qeveri të përgjegjshme dhe shtet funksional e solid që zbaton politika të qarta programore në mbrojtje dhe në ndihmë të shtresave të rrezikuara e vulnerabël, merret parasysh fakti se, kur vuajnë jetimët, vuan e gjithë shoqëria. Fatkeqësisht, prej 25 vjetësh, politikanët e të dy krahëve u japin shumë rëndësi pasioneve dhe interesave individuale, luftës për pushtet, por  harrojnë se ekzistojnë edhe fëmijët; është një popull i tërë i vuajtur që e do drejtësinë dhe lirinë e tij, e do demokracinë dhe shtetin e së drejtës, sepse ky popull ka vuajtur nga shumë rregjime e diktatura. Jetimët, si gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë, duan të shohin një qeveri të mirë dhe të përgjegjshme për popullin, duan një parlament ku të zotëroj dialogu dhe debati konstruktiv, duan vendime të përbashkëta, diskutime me vetëpërmbajtje e maturi përballë çdo sfide në debat, dhe jo këto që shohin përditë në ekranet e mediave të çoroditura nga politika e ditës. Politika është e lutur të përpiqet që të mendojë për fatin e qytetarëve, të mendojë për të gjithë njësoj, por kur është puna për jetimët, të ndalë pak më tepër e të mendohet për zgjidhjet e duhura e në kohë të çështjeve dhe problemeve që ata kanë. Nuk ka asnjë shkak tjetër përveç atij politik, që vendi ynë evropian bëhet herë pas here epiqendër e lajmeve për konflikte e urrejtje  sociale, mungesës së drejtësisë dhe transparencës për ata që përfshihen në korrupsion e krime. Shembulli i mirë apo i keq i politikanëve është si pasqyra e prindërve para fëmijëve, që jep impakt të padiskutueshëm tek qytetarët, përfshirë këtu dhe fëmijët e të rinjtë jetimë. Kjo duhet të jetë e qartë për çdo politikan që ka në dorë fatet e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë pa asnjë dallim. Padyshim dhe të çdo jetimi.
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Filed Under: Analiza Tagged With: E GJITHË SHOQËRIA, Ilir Cumani, KUR VUAJNË JETIMËT, VUAN

Si të mposhtet ideologjia e Shtetit Islamik?

January 3, 2016 by dgreca

Nga Charles Recknagel/
Daniel Koehler është në mesin e një grushti njerëzish në Perëndim, të cilët punojnë me militantët islamikë që kthehen nga Siria, në përpjekje për t’i riintegruar ata në jetën normale.
Shtetasi gjerman punon me ish-luftëtarë të tillë dhe me familjet e tyre në vende të ndryshme të Evropës dhe në Amerikën e Veriut dhe e njeh mirë fuqinë e ideologjive xhihadiste për të tërhequr rekrutë të rinj.
Pasi Shteti Islamik (IS) është bërë grupi më famëkeq në botë, ai dhe të tjerë në fushën e tij kanë vërejtur se kjo organizatë shkon përtej grupeve të tjera të tilla, përfshirë edhe Al Kaidën, vetëm për të tërhequr ndjekës në gjithë botën.
Koheler thotë se të gjitha grupet e vetëquajtura xhihadiste rekrutojnë anëtarë të rinj, duke argumentuar se Islami po sulmohet nga forcat e këqija, se besimtarët duhet të luftojnë dhe se duke iu bashkuar grupit, rekrutët do të ndihmojnë të ndërtojnë një vend të ri për myslimanët e vërtetë.
“Në thelb, Shteti Islamik po e plotëson tregimin e tij edhe me vepra në terren. Ai kontrollon territor të gjerë gjeografik, ai vërtet bën përpjekje të paraqitet si shtet që funksionon plotësisht dhe me tregimin e tij thotë se ai është në fakt i vetmi që përmbush të gjitha premtimet, të cilat Al Kaida dhe organizatat e tjera xhihadiste nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë në të kaluarën”, thotë Koehler.
Si kryetar i Institutit Gjerman për Studime të Radikalizmit dhe Deradikalizimit, Koehler ka folur me dhjetëra luftëtarë që janë kthyer nga Siria dhe Iraku dha ka zbuluar se motivet e tyre individuale janë një përzierje faktorësh.
Ata mund të jenë të zemëruar dhe frustruar me situatat jofunksionale në vendet e tyre dhe të armiqësuar nga racizmi i perceptuar dhe përjashtimi në shoqëritë e tyre. Në të njëjtën kohë, ata mund të kenë dëshirë për një aventurë dhe duan të ndihmojnë të tjerët që ata mendojnë se janë në rrezik.
Shteti Islamik është treguar i suksesshëm në tërheqjen e njerëzve, pjesërisht për shkak se ka adoptuar të njëjtat teknika të tregimeve me ato që përdor Hollywood-i për krijimin e filmave epikë, të cilët joshin audiencë të gjerë.
Shteti Islamik tregon tregime “duke imituar kulturën pop perëndimore, filmat e Hollywood-it dhe video-lojëra”, thotë Koehler.
Shteti Islamik ka prodhuar versionin e vet të një video-loje, një dokumentar të metrazhit të gjatë, video të shkurtra për Twitter, si dhe ka postuar pamje të betejave në Siri dhe Irak, duke përdorur mediat sociale dhe kanalin e tij të shpërndarjes.
Zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Mohammad al-Adnani, ka deklaruar në vitin 2013 se qëllim i grupit është të krijojë një shtet islamik, i cili nuk njeh kufij.
Por, disa vëzhgues besojnë se ideologjia e Shtetit Islamik mund të mposhtet nëse shoqëritë perëndimore dhe të tjera bëjnë përpjekje më të mëdha për të ekspozuar realitetin e organizatës përpara rekrutëve potencialë.
Koehler beson se luftëtarët që kthehen nga Iraku dhe Siria në shtëpitë e tyre, duhet të jenë thelbi i kësaj përpjekjeje. Ai thotë se shumica e atyre që kthehen sot, janë njerëz të traumatizuar nga përvojat me Shtetin Islamik, veçanërisht nga brutaliteti i tij ekstrem.
“Shumë luftëtarë të huaj që kthehen, janë jashtëzakonisht të zhgënjyer, të tronditur dhe të traumatizuar”, thotë Koehler.
Ai mendon se luftëtarët që kthehen mund të jenë zërat më efektivë në komunitetet e tyre për të dekurajuar të tjerët që duan t’i bashkohen grupit ekstremist.
Koehler shton se kjo do të kishte efekt më të madh sidomos nëse vendet e tyre u ofrojnë atyre një shans të dytë dhe provojnë t’i integrojnë në shoqëri, e jo t’i burgosin.
Një qasje e tillë është duke u provuar në disa vende të Evropës veriore. Autoritetet e qytetit Arhus të Danimarkës kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me përpjekjet për riintegrim, që i kanë nisur qysh në vitin 2013. Në këtë mënyrë, ato kanë ulur ndjeshëm numrin e rekrutëve të rinj nga qyteti.
Gazeta britanike The Guardian ka raportuar në nëntor të vitit 2014 se 31 të rinj janë larguar nga qyteti Arhus për në Siri në fund të vitit 2012 dhe më 2013. Por, në vitin 2014, vetëm një person ka bërë një gjë të tillë.
Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Analiza Tagged With: Charles Recknagel, Mposhtja e ISIS

Lufta e Sirisë dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova

January 3, 2016 by dgreca

Krahas shumë problemeve politike dhe ekonomike, Kosova edhe në vitin 2015, është përballur me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë dhe Irakut.
Rreshtimi i shqiptarëve nga Kosova përkrah organizatave të shpallura terroriste, si forcat militante të Shtetit Islamik apo edhe organizatës Al Nusra, ka vazhduar edhe në vitin 2015 gjë që ka paraqitur një shqetësim dhe problem të madh për Kosovën.
Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, janë duke zhvilluar hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj më shumë se 110 personave.
Prokuroria e Shtetit, pati deklaruar se “lidhur me statistikat për rastet e terrorizmit, 31 persona gjenden në paraburgim, 21 persona janë nën masën e arrestit shtëpiak, 37 persona në masën alternative, kurse 22 persona janë liruar nga paraburgimi ose masat tjera alternative”.
Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri në 2015, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, lidhur me këtë fenomen, ka deklaruar se mekanizmat institucionalë të Kosovës, nuk do të lejojnë që cilido grup ekstremist të sfidojë shoqërinë dhe shtetin.
Zonja Jahjaga ka kërkuar nga mekanizmat e sigurisë, por edhe të tjerët që të jenë të vëmendshëm për kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë.
Sipas saj, “përpos rrezikut konvencional, Kosova përballet edhe me kërcënimet e strukturave ekstremiste të akterëve joshtetërorë, të cilët kanë gjetur shtrirje edhe në Kosovë”.
Presidentja e Kosovës, në fjalimin e saj vjetor për vitin 2015 në Kuvendit e Kosovës, ka theksuar se “këtë vit Kosova ka qenë dëshmitarë e përpjekjeve të këtyre rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar kauzave të tyre të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak”.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, ka theksuar se në vitin 2015 është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkuar rrjeteve terroriste, kjo sipas saj, ka ndodhur falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë së institucioneve që të veprojnë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve.
“Nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale. Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi”.
“Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit fetar, duke iu ofruar më shumë mundësi, më shumë shanse në jetë, më shumë arsimim dhe më shumë perspektivë. Ne nuk do të lejojmë grupe ekstremiste të sfidojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, nuk do të lejojmë ta godasin Kushtetutën tonë dhe të lëkundin vlerat e diversitetit dhe tolerancën e harmoninë fetare, të ndërtuar me shumë mund brenda shekujve”, ka deklaruar Jahjaga në konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës.
Institucionet e Kosovës, gjatë vitin 2015, kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, konsiderojnë se në disa drejtime mekanizmat përkatës janë duke punuar dhe po zbatojnë “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se prej se kur është miratuar strategjia, janë ndërmarrë disa aktivitete.
Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme, ka shpjeguar për veprimet që po ndërmerren nga autoritetet kompetente lidhur me këtë çështje:
“Policia e Kosovës, ani pse ka rol më tepër reaktiv, është marrë me parandalim, edhe para hyrjes në fuqi të strategjisë. Policia ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Bashkësisë Islame. Ata kanë dhënë përkushtimin e tyre, kanë premtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillojnë një numër ligjëratash. Krerët e Bashkësisë Islame, kanë zhvilluar ligjërata me xhematin ku kanë folur për islamin tradicional”.
Policia e Kosovës, ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.
Kurse, zyrtarët në Bashkësinë Islame të Kosovës kanë theksuar se duke marrë parasysh që fenomeni i radikalizmit të dhunshëm fetar është bërë problem global, Bashkësia Islame e Kosovës është duke dhënë kontributin e saj në disa rrafshe.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion me kohë ka dhënë dhe po jep rekomandime për këtë çështje.
“Në këtë aspekt, mendoj se ka nevojë që të ketë një koordinim mes institucioneve tona, mes Qeverisë, mes të gjitha institucioneve relevante që të arrihet një sukses. Përndryshe, nuk do të thosha se jemi aq shumë të kënaqur me rezultatet, por besoj se një dukuri që ka qenë më shumë prezent para një viti, sot vërehet se është në rënie, falë edhe angazhimit të Bashkësisë Islame”, ka deklaruar Sadriu.
Sipas tij, në drejtim të parandalimit të disa dukurive që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, koordinimi ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve qeveritare, nuk ka qenë i duhuri.
“Nuk dua që t’ia vë fajin dikujt tjetër, por ka pasur një neglizhencë edhe nga institucionet tona në raport me Bashkësinë Islame. Ne kemi vepruar sa kemi pasur mundësi, ndërsa ajo çka nuk ka qenë në kompetencat tona, e kemi pasur të pamundur të veprojmë”.
“Përmenda edhe çështjen e literaturës, këtu është shpërndarë literaturë e pakontrolluar. Nuk janë kompetencat tona, me të cilat ne mund t’i ndalojmë [këto aktivitete]”, është shprehur Sadriu duke shtuar se moszgjidhja e statusit juridik të BIK-ut, po paraqet problem edhe në këtë drejtim.
Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si i është qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Nëse e shikojmë trendin prej vitit 2012 deri në vitin 2014 dhe nëse i krahasojmë [shifrat] me vitin 2015, atëherë vërehet një rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë si luftëtarë të huaj kryesisht në Siri dhe Irak”.
“Si shoqëri civile, Qeveria dhe mediet në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen pak më shumë se ata persona që marrin pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut, i shkaktojnë më shumë dëme komunitetit mysliman në Siri e Irak, e shumë pak mund t’i ndihmojnë”, tha Perteshi.
Autoritetet e rendit në Kosovë, ka theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.
Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtarë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, në një raport të publikuar më herët lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.(Kortezi:Arton KOnushevci_Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Isis, Shqiptaret e Kosoves

TË MOS PRISHET HARMONIA FETARE E SHQIPTARËVE

January 3, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme botërore, përfshirë edhe ato shqiptare, kanë shpërndarë një lajm gjatë ditëve të fundit të pa konfirmuar nga Vatikani, se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën gjatë vitit 2016. Natyrisht se një vizitë e tillë në Kosovë nga udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike do të ishte një lajm i mirë për një vizitë që do të ishte historike për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar. Besoj se ky lajm për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, gjatë vitit që posa filloi, është një lajm i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose aleancash dhe qendrimesh politike.
Mirëpo, lajmi i gëzueshëm mbi një vizitë të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, megjithëse i pa vërtetuar zytarisht, u pasua pothuaj menjëherë nga një lajm tjetër në mediat e Kosovës, një lajm që është njëkohësisht aq i keq sa ishte edhe i papritur kur të merret parasyshë harmonia fetare midis shqiptarëve gjatë shekujve, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe në diasporë. Nëse ky lajm i keq dhe i hidhur ka të bëjë me vizitën e mundshme të Papës në Kosovë ose jo këtë vit, kjo mbetet për tu parë. Por sido të ta merrësh, ky ishte një lajm që që nuk ishim mësuar të dëgjonim dhe i cili sipas shumë komenteve në portale të ndryshme, shikohet dhe po komentohet si një përpjekje për të goditur rëndë harmoninë fetare shekullore me të cilën shqiptarët janë treguar dhe tregohen edhe sot krenarë para botës. Konsiderohet si një lajm i keq ky i cili, sipas shumë reagimeve në portale të ndryshme, turbulloi shpirtërat dhe shkaktoi dhëmbje të madhe dhe tronditje shqetësuese në radhët e shqiptarëve vullnet mirë të të gjitha feve pa dallim dhe kudo.
Bëhet fjalë për një lajm të turbullt i ditës së shtunë nga Kosova, i cili sipas mediave është konfirmuar edhe nga Policia e Republikës së Kosovës në Prizren e cila njoftoi se ka filluar bërjen e hetimeve për kapjen e keqbërësit ose keqbërësve. Fjala është për prishjen e disa varrezave të komunitetit katolik shqiptar në fshatin Romajë të Hasit, Komunë e Prizrenit. Ndërsa kanë filluar hetimet, Policia e Kosovës nuk bëri ndonjë koment mbi arsyen e mundshme të prishjes së varrezave katolike, ndërkohë që deklaroi se deri tani nuk ka as të dyshuar.
Prifti katolik Don Ndue Ballabani, përgjegjës për ato varreza, është shprehur për gazetën Express se varrezat e banorëve Dedaj të Romajës kanë qenë objekt sulmesh edhe më parë, por sipas tij, nuk e kanë bërë të madhe këtë çështje, siç duket në përpjekje për të ruajtur harmoninë dhe marrëdhënjet ndërfetare të asaj zone. Don Ballabani ka deklaruar se “Çdo gjë që ka të bëjë me kryqin është demoluar” në varrezat e Romajës, të cilat sipas tij “janë 200 vjetë të vjetëra”, citohet t’i ketë thënë ai gazetës Express dhe shprehet se ka uzdajë se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast dhe që ata që kryen këtë vepër penale, të kapen dhe të marrin dënimin e meritueshëm nga drejtësia.
Autoritetet e Republikës së Kosovës e dënuan menjëherë dhe ashpër dëmtimin e varrezave. Në reagimin e qeverisë së Kosovssës thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Ndër reagimet e tjera të para ndaj prishjes së varrezave të shqiptarëve katolikë në fshatin Romajë, ishte edhe komenti që bëri Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Z. Ramush Haradinaj në faqen e tij Facebook i cili e karakterizoi prishjen e varrezave katolike në Romajë si, “një akt qyqan dhe si një përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë”. Ish-Kryeminsitri i Republikës së Kosovës e dënoi ashpër këtë akt dhe kërkoi nga “Organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”, shtoi ai. Ramush Haradinaj shkruan se, “Varrezat janë objekte të shënjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askend që të na i rrezikojë këto vlera”. Z. Haradinaj shprehet se dëshiron të besoj se ky është një akt kriminel dhe keqbërsish ordiner, por përfundoi ai reagimin e tij duke thënë se “Pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”.
Në pritje të zbardhjes se këtij rasti të shëmtuar nga Policia e Republikës së Kosovës dhe pa dashur të arrijë në ndonjë konkluzion pa pasur fakte mbi motivin dhe mbi identitetin e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar — akte të tilla si ky i javës që kaloi dhe herë të tjera më parë në fshatin Romajë të Hasit të Komunës së Prizrenit, janë shënja të këqia dhe përbëjnë sulme që godisin drejtë për drejtë mu në zemër të bashkjetës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, të cilët deri më sot ishin shembëll për botën në këto marrëdhënje.
Në interesin e kujt është që të mbytet harmonia fetare shekullore midis shqiptarëve dhe të zhduket respekti që shqiptarët kanë gëzuar dhe kultivuar gjatë historisë me njëri tjetrin? Ata që me akte të tilla — siç është prishja e varrezave katolike në Romajë të Hasit — dëshirojnë dhe shpresojnë të mbjellin urrejtje midis shqiptarëve në baza fetare, nuk besoj se do t’ia dalin, por ata duhet të izolohen dhe të luftohen na shoqëria sa më parë që të jetë e mundur, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqiptareve, Frank shkreli, Harmonia Fetare, TË MOS PRISHET

Lajme aspak të mira i trendeve demografike për Serbinë në këtë fillim vit!

January 3, 2016 by dgreca

Sondazhi i fundit i Kombeve te Bashkuara sjellin rezultate shqetësuese për 48 vende të botës, duke përfshirë edhe Serbinë. OKB-ja ka njoftuar se nga vitin 2050, popullsia në Serbi dhe 47 vende dukshëm do të ulët./
Nga Ismet Azizi/
Demografi i Shkencave Sociale Goran Penev vlerëson se në të ardhmen për trendet demografike të Serbisë, vështirë se mund të presim ndryshime pozitive dhe se në Serbinë qendrore dhe Vojvodina, sipas vlerësimeve deri në vitin 2060, do të jetojnë rreth pesë milionë njerëz.
Panev për agjencin e lajmeve Beta deklaroi se Serbia qendrore dhe Vojvodina në vitin 2060, do të ketë dy milion banorë më pak se sa tash, si pasojë e natalitetit të ulët të gjendjes së keqe ekonomike në vend.
“Shteti mund të ndryshojë të ardhmen demografike të serbëve nëse krijon kushte të favorshme për jetën e të rinjve. Ndersa për të krijuar kushte të favorshme për rrittjen enatalitetit është e nevojshme të ulët norma e papunësisë së të rinjve”, tha Penev.
Edhe parashikimet e OKB-së janë të errëta për Serbinë
Sondazhi i fundit nga Kombet e Bashkuara ka sjellë rezultate shqetësuese për 48 vende, duke përfshirë edhe Serbinë. OKB-ja ka njoftuar se nga vitin 2050, popullsia në Serbi dhe 47 vende dukshëm do të ulët.
Siç vlersoi Panev , Serbia ka nevojë për një politik “afatgjate, serioze” popullative dhe përmirësim të gjendjes ekonomike.
Sipas tij, shumica e grave të moshës riprodhuese është vështirë të kenë fëmijë për shkak të frikës se do të humbasin vendin e punës pas kthimit nga pushimi i lehonisë.
“Ato nuk do të pushohen nga puna kur të kthehet nga pushimi i lehonisë, pasi kjo nuk është në përputhje me ligjin, por punëdhënësi nuk do të përtrijë kontratën “, tha Penev, shkruajnë mediat në Serbi.
“ Për pë të ardhmëren demografike është e domosdoshme që në familjet serbe të linden tre deri katër fëmij. Përndryshe në fillim të viteve të viteve të 50-ta të shekullit XX , janë liundur rreth 160 000 fëmijë, ndërsa sot lindin më pak se 60 00 fëmijë, thot Panev .
Panev tregon se gratë në Serbi në mesin e e shëkullit të kaluar kan lindur më tepër se tre fëmijë për familje.
Shkalla e shtimit natyror në Serbi në vitin 2011 ishte pozitive vetëm në shtatë komuna: në Komunën Beogradit – Grocka, Novi Sad, Sjenicë, Novi Pazar, Tutin, Bujanoc dhe Preshevë.
Serbia gjatë vitit 2011 ka regjistruar shtim negativ të popullsisë për minus 5.2 për qind, ndërsa popullsia e saj është zvogëluar për 32 683 në krahasim me vitin paraprak.
Sipas të dhënave të Entit të statistikave, nataliteti ishte 9 promilë, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 promilë. Vlerësohet se numri i popullsisë në Serbisë në vitin 2011 ishte 7.258.753. Popullsia, në krahasim me vitin e kaluar, ka rënë me 0.5 pikë të indeksit.
Në të njëjtën periudhë, numri i lindjeve të gjalla ka rënë nga 68.304 në 65.598. Numri i vdekjeve ka rënë diç, dhe në vitin 2011 shkonte deri në 102.935, ndërsa në vitin 2010, kishin vdekur 103.211 persona.
Problemi kryesor i shoqërisë serbe është ai i plakjes së popullsisë dhe zhdukja e fshatrave, qyteteve dhe qytezave të vogla.
Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 42 vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve të vjetër , për dallim nga ajo e Kosovës e cila është 26 veq.
Këto konstatime i arsyeton edhe raporti iEnti Republikan i Statistikave në Serbi, icili tregon se vetëm tetë komuna kanë shtim pozitiv.Në vend të parë është Novi Pazari me 8.6 ‰,mandejTutini (7.9), Presheva (4.5), Bujanoci (2.6), Novi Sadi (1.8), Sjenica (1.4). Pasojnë komunat e Beogradit, Zvezdara (1.0) dhe Surçini me 0.4 ‰.
Nëse bëhet një krahasim del në shesh se në Serbi brenda një viti zhduket një qytet i madhësisë së Jagodinës kurse në Kosovëlindë-krijohet  një qytet i vogël.Në Kosovëçdo vit lindin më shumë se 27.000 foshnje kurse vdesin rreth 7000 njerëz.Demografët serbë kanë theksuar se rënia e popullsisë do të ndkojë në tërheqjen e vëmendjes së popullsisë afrikane për mërgim në këtë shtet.
Serbia nuk e ka problem vetëm shtimin e ulët të popullsisë në Serbi. Problem serb është edhe shtimi i shqiptarëve. Në Serbi brengosen shumë nga fakti se shqiptarët janë në rritje,sa që mediat e tyre i kanë kushtuar rëndësi të veçantë edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Një shkrim në mediet serbe të para disa muajve mbante titullin Shqiptarët me natalitet “pushtojnë” Maqedoninë[1]. Këtu është shprehur frikë e madhe se shqiptarët së shpejti do të jenë shumicë.Por ata harrojnë faktin se sikur të mos ishin komunat e Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe ato të Kosovës Lindore ( Presheva e Bujanoci), pothuajse  të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë në çfarë pozite do të ishte Serbia ? 

Filed Under: Analiza Tagged With: demografi, Ismet Azizi, Lajme aspak te mira, per Serbine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 706
  • 707
  • 708
  • 709
  • 710
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT