• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

December 29, 2015 by dgreca

Në foto: Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe gazetari Behlul Jashari, 29 dhjetor 2000 në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë/
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS/
-Dr. Ibrahim Rugova: Objektiv nacional do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Presidenti historik i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, pikërisht në 29 dhjetor 2000, gjatë pritjes së organizuar në Rezidencën Presidenciale në Velani, në Prishtinë, në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës tradicionale Rilindja – të redaktorit të saj, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli, paralajmëronte njohjen e pavarësisë së Kosovës. “ E presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksonte Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur” – Kosova.

Ja shkrimi i plotë, botuar në gazetën Rilindja në Prishtinë, në numrin festiv të Vitit të Ri, në 30 dhjetor 2000:

Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, deklaron për “Rilindjen”:

PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET NË MOMENTIN E DUHUR DHE NË KOHËN E DUHUR

-Zgjedhjet lokale të 28 tetorit – ngjarja e Vitit 2000, ndërsa zgjedhjet nacionale parlamentare e presidenciale do të shënojnë Vitin 2001.-Për Luginën e Preshevës duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare dhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e Beogradit për heqjen e zonës së sigurisë janë të paqëndrueshme dhe lojë.-Në Mitrovicë duhet të bëhet integrimi administrativ i qytetit dhe të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike.-Rugova përkujtoi me emocione gazetarin e “Rilindjes” Shefki Popova dhe këshilltarin e tij, Xhemajl Mustafa/
—
Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.
“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, i pyetur nga “Rilindja” se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.
Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.
Rugova falënderoi gazetarët e pranishëm në pritjen tradicionale për Vitin e Ri dhe i përgëzoi për punën e tyre.
“Ju kam ftuar në këtë pritje për t’iu shprehur respektin për punën që keni bërë gjatë vitit që po lëmë pas për rindërtimin e Kosovës, në fushën politike, ekonomike, sociale, etj. Mund të themi se gjatë këtij viti, edhe në fushën e informimit dhe të gazetarisë kemi pasur një progres të mirë, falë përpjekjeve tuaja, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të administratës së përbashkët”, tha Rugova duke iu drejtuar gazetarëve.
“Sot, pas një viti e gjysmë të lirisë, vazhdoi ai, veprojnë disa kanale televizive, radio e gazeta të përditshme në Kosovë. Ne dëshirojmë që të konsolidohen këto mjete të informimit që veprojnë dhe të bëhen të tjera të reja. E di se keni vështirësi të shumta, por jeni treguar të fortë e të qëndrueshëm. Ju falenderoj për kontributin tuaj gjatë organizimit të zgjedhjeve lokale që ishin ngjarje e vitit. Shpresojmë se do të kontriboni më shumë edhe për zgjedhjet nacionale, presidenciale e parlamentare, që do të shënojnë vitin që po vjen. Në vitin që po vjen do të gëzoni përkrahjen tonë, do t’i kaloni vështirësitë që të keni mundësi më të mëdha se më parë. Por, sot kam një dëshirë që mjetet tona të informimit të sjellin sa më shumë informata të gjithanshme për shoqërinë kosovare, për gjithë popullin e Kosovës”.

Kryetari i LDK-së, Rugova, në vazhdim përkujtoi me pietet gazetarët e vrarë.

“Gjatë këtij viti patëm humbjen e kolegëve tuaj, gazetarit të ‘Rilindjes’ Shefki Popova dhe të këshilltarit në zyrën e LDK-së të Republikës së Kosovës Xhemajl Mustafa. Duhet të bëjmë çmos që të sigurohet jeta dhe puna juaj”, tha Rugova me shumë emocione e shprehje dhembjeje.

Në vazhdim Rugova uroi gazetarët që në vitin që po vjen të vazhdojnë veprimtarinë në ndërtimin e lirisë, demokracisë e pavarësisë së Kosovës, që të kontribuojnë në ndërtimin e kulturës shtetërore, të informimit publik e të shoqërisë civile, për ndërtimin dhe pajtimin e shoqërisë kosovare.

Rugova u shpreh për një shtyp e informim përgjithësisht të lirë e të hapur. “Informatat duhen shumë, ato janë gjithmonë të rëndësishme, komentet, analizat, dhe për këtë është liria juaj dhe përgjegjësia juaj”.

Sado që u shpreh se nuk do të dëshironte pyetje dhe se gazetarët i kishte ftuar për t’ua uruar Vitin e Ri, që të kenë pak pushim, Rugova u përgjigj edhe në dias pyetje. Situatën në Kosovë përgjithësisht e vlerësoi të mirë.

Ndërsa, për Luginën e Preshevës Rugova theksoi qëndrimin se “duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare, me Beogradin dha bashkësinë ndërkombëtare, të çmilitarizohet rajoni”.

“Ne jemi të interesuar që të ruhet popullata në Preshevë. Ju i dini qëllimet e Beogradit që kanë qenë, pastrami i korridorit Selanik-Beograd, që është shumë i rëndësishëm. Por, janë shenjat e mira se do të kemi një dialog të përgjithshëm”, tha Rugova.

Ai shprehu qëndrimin kundër heqjes së zonës së sigurisë në kufirin midis Kosovës e Serbisë, ndërsa për kërkesat e Beogradit për heqjen e kësaj zone sigurie tha se “ato janë të paqëndrueshme, janë lojë”.

Për çështjen e Mitrovicës së ndarë Rugova tha se “kërkojmë një integrim administrative të qytetit pas zgjedhjeve që janë mbajtur”. Rugova theksoi faktin se serbët kanë deklaruar se i pranojnë zgjedhjet e Kosovës, se përfaqësuesit e tyre në asambletë komunale janë nominuar nga ana e UNMIK-ut, gjegjësisht nga administratori i OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, duke përfunduar se shpreson se së shpejti do të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike të Mitrovicës.

Behlul JASHARI

***

DR. IBRAHIM RUGOVA: OBJEKTIV NACIONAL DO TË JETË NJOHJA SA MË PARË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

-Mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës për Vitin e Ri 2001/

Prishtinë, 29 dhjetor 2000/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, me rastin e Vitit të Ri 2001, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovë një mesazh përgëzimi, në të cilin thuhet:

Viti që po lëmë mbas ishte viti i dytë i lirisë së Kosovës. Gjatë këtij viti Kosova pati një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. U krye një pjesë e madhe e rindërtimit të vendit. U bë një ringjallje shpirtrore e morale e njerëzve dhe e jetës në përgjithësi.

Pra, gjatë vitit që po lëmë mbas u vunë bazat e jetës institucionale me funksionimin e administratës së përbashkët në rrafshin nacional e lokal. Kosova edhe këtë vit gëzoi përkrahjen ndërkombëtare dhe arriti që të krijojë gjysmën e të ardhurave kombëtare, që është një hap i madh drejt zhvillimit ekonomik e social.
Ngjarje me rëndësi për Kosovën ishin zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor, që ishin një hap kyç në vendosjen e rendit demokratik. Me këto zgjedhje populli dhe qytetarët e Kosovës treguan se janë të aftë të udhëheqin Kosovën, se janë të përcaktuar për ndërtimin e lirisë, të paqes, të pavarësisë e të demokracisë. Me këto zgjedhje u përmirësua imazhi i Kosovës në botë, si vend që ecën drejt stabilitetit politik e demokratik.
Viti në të cilin po shkelim, pra Viti i Ri i fillimit të mijëvjeçarit të tretë i integrimeve të popujve evropianë e botërorë në planin shpirtror e ekonomik, Kosovën e gjen më të fortë, më të gatshme për t’u integruar në Evropë e në NATO. Në vitin që po vjen një prej objektivave qendrore do të jenë zgjedhjet nacionale: presidenciale e parlamentare që do të plotësojnë kuadrin shtetëror të Kosovës. Objektiv nacional si deri tash, do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës, që do të qetësojë rajonin tonë. Do të punojmë në forcimin e pushtetit lokal që të jetë sa më efikas dhe më afër qytetarëve.
Objektiv tjetër do të jetë zhvillimi ekonomik, investimet, privatizimi dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe sigurimi i mirëqenies sociale. Do të forcohet mbrojtja dhe integrimi i minoriteteve në jetën politike e demokratike të Kosovës.
Në të mirë të paqes, të prosperitetit e të pavarësisë së Kosovës, duhet të angazhohemi të gjithë t’u japim fund akteve të dhunës me motive të ndryshme.
Objektiv qendror do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me UNMIK-un, KFOR-in dhe me OSBE-në.
Në këtë ndërrim motesh, urime të përzemërta Juve dhe familjeve Tuaja për jetë më të mirë e më të lumtur.
Në këtë natë gëzimi, i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Urim të veçantë u bëjmë ushtarëve dhe komandatëve të KFOR-it. Po ashtu urim të përzemërt i bëjmë UNMIK-ut, OSBE-së, përfaqësive diplomatike në Prishtinë si dhe organizatave joqeveritare e agjencive ndërkombëtare në Kosovë.
Urim të përzemërt i bëjmë Presidentit Klinton, i cili e përfundoi mandatin e vet me sukses për SHBA e për botën, e sidomos për Kosovën. Ai do të mbetet hero nacional i Kosovës.
Urime më të mira Presidentit të zgjedhur Bush, Kryeministrit Bler, Presidentit Shirac dhe Kancelarit Shrëder si dhe Zonjës Ollbrajt, që do të mbetet Zonjë e Kosovës.
Gëzuar Viti i Ri 2001.
Zoti e bekoftë Kosovën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, paralajmeroi Pavaresine, Presidenti Historik i Kosoves

Karrika bosh në “darkën e gabuar”

December 28, 2015 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/
Kur lexova se një pjesë e mire emrash të dëgjuar në gazetarinë shqiptare, kishin refuzuar darken e Ramës, mendova se tek pritja e Metës shifra do të ishte dyfish. Por me sa po shoh tani, nuk është e tillë. Madje Iliri po flet plot qetësi dhe dashuri. Tekstualisht, “Gjithnjë ka vend për tu përmisuar, ju uroj vit të mbarë, gezuar në familjet tuaja dhe natyrisht të dominojnë lajmet me pozitive dhe shpresojmë të japim lajmin e çeljes së negociatave, që do ishte lajm i mire për të gjithë ne.”-tha ai. Ah, ky lajmi i negociatave. Të njëjtat fjalë edhe kur ishte në qeveri me doktorin. Me siguri të njëjtat do thojë edhe në qeverinë e ardhshme me Bashën. (Atëherë kur të mos jetë më qelbësirë.) Ndërkohë po pres statutin e radhës. Jo nga frëngjia e LSI-së, por nga ajo e doktorit. Veç, kësaj here të vrasin veshët e shpirtit ato…, fjalët e Lutfiut. Atij gazetarit të qetë, që i tregoi mbrëmë Ramës. Listën me shumicë të kolegëve të pa paguar. Por mbase ky, konstatim, nuk është tregues informal. Në Shqipëri nuk ka punë të pa paguar. Asesi. As mos e ço nëpër mend. Aq më tepër në një banket me disanjo prej kuponësh tatimorë. Me gabime drejtshkrimore që çuditërisht i kanë shpëtuar shpurës së ndjeshme të Kryeministrit. Sidomos kur dalin nga Presidenca. Një darkë e madhe dhe e vakët. E gabuar do thoshte Ismail Kadareja. E ftohtë si në sallonet e Moskës.
Megjithatë se si të vjen shkarasi, se si të vërtitet një vraje. Rroga për muaj të tërë pa paguar. Në sallë punëdhënësit pine…, kushedi se çfarë vere. Pak ditë më parë kishin dhënë urdhër të bombardonin me tituj Presidentin. Për një mbrëmje gala. Për një banket si ky. Tituj të tillë…, ”Shpenzime të tepruara të Presidentit”.
I urti President i vendit tim. As në Vlore, bash në vend themelimin e shtetit amë. Aty ku ka sajuar Enveri një shtëpi pushimi. Rezidencë qeveritare i thonë. As aty nuk e pranuan. Kushedi as atij, nuk i kanë dhënë rrogën? Ka vajtur në bankë e ka tërhequr paradhënie. Ashtu siç tha ai, gazetari për kolegët.
Pak apel miqësor, për hatër të një bote të madhe me emra si ai Branko Merxhanit. Si i Petro Markos, Godellit, Zavalanit, Çikës, Pecit etj. Sot memoria e artë e Shqipërisë. Të gjithë ata në internime e dënime përfunduan. Por në atë ekonimi të brishtë, të asaj kohe. Me satrapër…, me pushtues, me kuislingë a ku di unë se çfarë. Nuk bën asnjë ditë punë të pa paguar. Eshtë tragjike sot. Të dëgjosh këtë fakt. Aq më tepër përballë kamjes së një Kryeministri, apo Kryetari Kuvendi. Shqipërisë i ikin për vit me qindra. Nëse nuk u paguajnë. Ikni…, lërini pronarët të shkruajnë. I ndihmon edhe Kryeministri. Nuk është gjëm ikja. Pavarsisht këngëve të folklorit. Të ikur nuk do të mbushni xhepat me ato që shkruani. Të paktën do të bëni si u thotë shpirti. Gjëm është puna e pa paguar. Dhe gota e shampajnjës përballë shakave të kripura të Kryeministrit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Karrika bosh, në "darkën e gabuar"

ҪFARE TU UROJ NAFTËTARËVE PËR VITIN 2016?

December 28, 2015 by dgreca

Ahmet Ҫollaku-Filadelfia/
Iku edhe një vit pa naftë. Në Marinëz toka vazhdon të shëmbet, nafta të vidhet, sizmografët të mashtrojnë popullin, siҫ bëhet me votimet, me parlamentin shqiptarë… Në mes të Shqipërisë Kompanija Kanadeze, “Bankeres Petroleum”, ka vite që vjedh naftën dhe shkaterron nëntokën e ambientin. Z. Rama ka bërë me dhjetëra udhetime jashtë Shqiperisë, me familje dhe kompani ashtu si paraardhësit e tij, ministra dhe djajë me 100 vula në pasaportat dipllomatike… Po, si ta kuptojmë këtë që Zotit Rama nuk I bëjnë këmbët të shkojë në Marinzës, apo në zyrat e “Bankersit…”? Kam ministër Gjiknurin dhe ambasadorin Kokedhima- thote ai. Nuk mund te duash asgjë, nëse vajtimi I popullit tënd nuk prek zemrën tënde, thote Elyar.
Jam naftëtarë, kam milituar në Armatën e Naftëtarëve më shumë se 30 vite, po pensioni im është akoma poshtë 200 $, firmosur nga nomeklatura demokrate-koministe.
Kamë shumë shokë dhe kolegë naftëtarë, disa në Shqiperi, ca te tjerë shpërndarë nëpër botë. Metropoli im ka qënë Ndermarrja Sizmike dhe Instituti Naftës në qytetin e Fierit. Erdhi Viti I Ri, unë bije në mendime. Dua të uroj Armatën e Naftetarëve, po nuk di si ti uroj shokët dhe kolegët e mi. Industria e naftës u shkatërrua, ata nuk u ndien, nuk reaguan. Tani nuk ka më Sizmike, Institut, u tjetrsua qyteti Patosit, Cerrikut, Kucovës, disa njerëz-ujq vodhën ҫmundën dhe më pas dogjën edhe zyrat e Albpetrolit atje në Patos…
Miku im I shënjtë, Prof. Dr. Ramadan Perhati, atje në qytetin e Shkodres, po tretet nga meraku për naftën tonë, ai thotë që kur të vdes, ti hedhim në varr një kovë me naftë, kurse ikona e Fakultetit Gjeologji-Minera, Prof. Dr. Alfred Frasheri, thotë se nuk po merrë vesh ku jemi, në Shqipëri apo në ndonjë planet tjetër. Vjedhje, shkatërrime siҫ bënin dikur fiset barbare.
Me tishtion heshtja e shokëve dhe kolegeve të mi naftëtarë. Te gjithë I ka ngrirë cinizmi, pleqëria dhe frika. Disa shfaqen si “artistë” të vonuar, plotesojnë CV-itë e tyre të thata në facebook me poezi për dashuritë e hersheme, apo me politikë, por për të mbrojtur naftën tonë nuk zgjatin dorën te marrin një vezë apo domate të qellojnë këta këlush ministra-drejtora të drejtorive, nderkohë që behët kërdija, vetëm vjedheje, mashtrim, shkatërrim, konҫesione disa vjeҫate, sepse mban ky populli I rreskosur, se, edhe I zhytur ne ujë nxjerrë dy gishta per demokraci…
Vihem në mendime, ҫfare ti uroj Armatës së Naftëtarëve, shokëve dhe kolegëve të mi, të cilët për tu mbrojtur nga cinizmi I ndesjelltë, kanë veshur rroba demo-socialiste. Ata naftën tani e ruajnë vetëm në memorje.
Lidhem me një koleg, ai nuk më thotë asgjë për naftën, përkundrazi më thotë se sapo kaloi të tëtëdhjetat dhe se e kanë ҫregjistuar nga zyra e Gjëndjes Civile. Nje tjetër me thotë, bërtit më shumë se nuk degjoj nga veshi majtë, një tjetër më thotë se vuan nga prostati, se po shpejton të shurrosë, një tjetrër thotë se I është futur medicines popullore, një më tej se po shkruan libër për Babilloninë dhe Persinë e vjetër, po asnjë nuk thotë se do të shkruj disa rreshta apo një libër për naftën. Pra, nuk di ҫfarë tu uroj shokëve dhe kolegëve të mi naftëtare…
Kompania “Shell”, sidomos kur punon në vende si Shqipëria, ka si praktikë të saj që të korruptojë qeveritarët që të mund të fshehë të ardhurat e saj dhe të paguajë sa më pak taksa. Kompania “Shell” erdhi në Shqipëri në 2012 kur në pushtet ishte Sali Berisha, duke blerë aksionet e një skeme abuzive koncesionare nga e cila Kryeministri Berisha dhe ish-ministri Genc Ruli kanë fituar së paku 100 milion dollarë për xhepat e tyre, ose më saktë për llogaritë e tyre bankare. Këtë gjë duket se ka pasur parasysh Kryeministri Rama kur gjatë vizitës në kantierin e kompanisë “Shell” në Berat tha: “Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë hapa shumë të shpejtë për ta ristrukturuar gjithë sektorin, në mënyrë që aktorë të një rëndësie kaq të lartë, sa ç’jeni ju, jo vetëm që të ndjehen mirë brenda kufirit të zonës, por të ndjehen mirë në gjithë raportet me sektorin, sepse e dimë që sektori ka qenë jashtëzakonisht problematik, jashtëzakonisht jo transparent, jashtëzakonisht i kapur nga interesa dhe fije që e kanë dëmtuar shumë perspektivën e tij dhe kanë cenuar të ardhurat e popullit…”
Një gjeolog ish I dënuar, më shkruan: Sot në lajmet e mëngjesit u dha me zë e me figurë në televizon një demostratë proteste, një mijë punonjësve të rafinerisë së Ballshit të cilët kishim gjashtë muaj pa marrë rrogat nga kompania konçensionare. Qeveria hesht, megjithëse është bërë garante në kontratën e tyre kolektive që përfundon më 2017 (kompania ka ndërprerë punën). Të gjitha kërkimi e shfrytëzimi janë ekskluziuvitet i të huajhve. Kompania “Bankers Petroleum”, thotë se do të ndërpresë prodhimin e naftës në Patos Marinzë, nëse qeveria shqiptare nuk zhbllokon llogaritë e saj pranë Drejtorisë së Tatimeve. Kohë më parë, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, Tatimet bllokuan llogaritë e “Bankers Petroleum” për të mbledhur me forcë 75 milionë dollarë taksa, që kompania mendohet se i ka fshehur shtetit. Ja si luan shteti me kompanin “ Bankers”. Ne nuk na qas njeri tek dera! Kam vajtur deri në krye fare dhe me kanë thënë: Dale të vijnë të tjerët nga jashtë. Per çdo problem që del në çdo sektor thonë: Prisni se do marrim ekspertë të huaj. Këta të huaj që vijnë punojnë si në mall pa zot dhe japin vetëm një qira 10%. Të thuash që këta pushtetarët tanë janë kaq budallenj nuk e thua dot, pra del që atë që duhet ta merrte shteti e marrin për vete dhe kështu kanë edhe pushtetin edhe parat. Këta janë në gjurmët e babait të tyre shpirtëror dhe i kanë zbatuar dhe kaluar porositë e Katovicës. Kështu që nafta, kromi, bakri, hidroenergjia etj. janë kthyer në një fatkeqësi kombëtare. Si thua ti: A duhet të sakrifikohemi ne akoma?! Në Shqipëri veç gangsterëve që kemi në krye, të tjerët janë të varfër, më mirë nga ata janë pensionistët që marrin 100-200 euro në qytet dhe me pak se 100 euro në fshat. Shtresa e mesme del që janë të burgosurit(!) për mbajtjen e sejcilit në burg harxhohen 650 euro, sa 10-të fishi i asistencës që u jepet të varfërve. Ne Shqiperi nuk behet asgje per naften. Asnje kompani nuk punon , me perjashtim te Bankers qe vjedh naften e Patos-Marinzes. Pra unë nuk jam më i gatshëm të sakrifikohem për ta. Po e zgjidhi Zoti këtë nyje, ne këtu jemi. Edhe po nuk qemë ne, janë punimet dhe projektet tona…”. Me trishtojnë shumë këto fjalë të shkruara nga nje gjeolog I denuar nga kominizmi për të ngarkuar dhe shkarkuar mijra vagonë me Krom…
Nëse doni të shkatërroni një vend, një popull, shkoni I merrni të gjtha pasuritë natyrore, vendosni në pushtet disa hajdutë, shtiruni sikur bëni zgjedhje të ndersheme, pranoni përditë deleagtë nga Europa, lini disa gazetarë si Fev-ZI të llomotitin ҫdo ditë, lakoni ҫdo orë Berishën… Do të bëni një pushtim “paqesor”, dhe më pas të gjithë njerzit do të ikin jashtë pa pasaporta, ca nëpër autostrada, ca nëpër tela me gjëmba… Sikur naftën tonë ta administonim ne vetë, nuk do të ndodhte ky trangresione I tmerrshëme. Sikur… Pra, nuk di ҫfarë tu uroj shokëve dhe kolegëve të mi të urtë naftëtarë…
Ҫudi, dëgjoj gjithë drejtuesit e këtij vëndi të thonë përditë, unë nuk vjedh, minisrti thotë unë nuk vjedh, deputeti thotë unë nuk vjedh, ambasadorët thonë nuk vjedhim, atëhere cili e vjedh këtë vënd!? Ku shkojnë gjithë ato resurse natyrore?.. Më mbyt trishtime. Nuk di si ta uroj Armatën e Naftëtarëve, shokët dhe kolegët e mi të vjetër… Po një gjë nuk duhet harruar, lufta tjetër me siguri do të bëhet për NAFTËN!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahmet Collaku, cfare t'ju uroj, naftetareve

Pjetër Budi – enciklopedia kombëtare e mbytur ne Drin

December 27, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Katër shekuj me pare, ndodhi nje skene tmerri, si ne filmat me horror: mbytja ne Drin nje mbytje e pakuptimte dhe krejt e dyshimte, e nje Heroi te veprimit dhe mendimit kombëtar, Pjetër Budit. Kapërcehet kështu rasti alibik i aksidentit, po te kemi parasysh hetimet e pasvdekjes te Vatikanit si dhe faktin ngulmues dhe gati kryengritës te Budit, i cili fare pak kohe para vdekjes kishte bere Kuvendin e Tri Dioqezave (Shkodrës, Lezhes, Zadrimes), per mospranimin e klerikëve qe nuk ishin etnikisht shqiptare, pikërisht ne trojet shqiptare. ( Dr. Moikom Zeqo )
Në përzgjedhjen time të figurave të ndritshme shqiptare jam i nisur nga një shikim shumë kritik i veprimtarisë së tyre. Mua më interesojnë posaçërisht figurat fetare gjatë shekujve që krahas predikimit nuk e harruan rrugën e kombit , gjuhën dhe historinë e tij . Pjetër Budi është një nga vullnetet me te mëdha, një figure e fuqishme e kulturës kombëtare shqiptare. Ai përjeton një shkëlqim te ri te përtej vdekjes. Na dallgëzon Drinin e gjakut ne trupin e kombit. Na dritëson qe nga brenda.
Si mos ta kujtosh një njeri të madh si Pjetër Budi kur figura e të cilit ngrihet si shembull heroizmi e vetëmohimi për vendin dhe popullin e vet, duke u bërë në disa drejtime pararendës i rilindësve.
Si mundesh që mos ta kujtosh Pjetër Budin “një njeri pa varr, fantazma e tij e shenjte është mes një katafalku ujerash te kobshme te Drinit, mbase nje metafore e përmbytjes se përbotshme te Noes, veçse ne ketë rast, Budi nuk arriti te shikonte pëllumbin me gjethen e ullirit ne sqep, ndonëse e tejkalon shembullin biblik te shpëtimit nëpërmjet librave te tij.” (M.Z.)
“Kur u nisa prej këtyre vendeve, fort m’u lutën ata kryetarë fisesh, si dhe disa kryetarë myslimanë, që t’ia shfaqja Papës ose ndonjë princi tjetër këtë dëshirë të tyre e t’u lutesha që të na sigurojnë mbrojtje e ndihmë … për t’u çliruar. Dhe jo vetëm të krishterët, por edhe të parët e myslimanëve… Të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë. “ . Pjetër Budi kërkonte shpëtim kombëtar
Si mundesh e të mos e kujtosh Pjetër Budin i cili Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cënonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Rrjedhimet e këtij vendimi të guximshëm u dukën shpejt. Forcat kundërshtare u bashkuan në një front të përbashkët, duke përdorur si mjet valët e rrëmbyeshme të Drinit, për ta eliminuar Budin në një ditë të dhjetorit të vitit 1622.”
Pra të heshtim për një njeri jeta e të cilit i është kushtuar fund e krye çështjes shqiptare. Programi fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare mund të përmblidhen në këto fjalë që shkroi me dorën e tij: “…aqë sa munda luftova me gjithë zemër jo për qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një të madh dëshirë për ndihmë atdheut e të gjuhës sonë„.
Sikur ne sot që ballafaqohemi me fenë e cila po mundohet me çdo kusht të merr ndër kontroll jetën tonë ashtu ishte edhe kur Pjetër Budi (1566 – 1622) jetoi në një periudhë lëvizjesh të mëdha të botës së krishterë: reformës dhe kundërreformës. Në kohën kur ai i botoi tri veprat e përkthyera “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), poezitë, parathëniet dhe pasthëniet origjinale, kisha në Evropë kishte një ndikim të gjerë e të thellë në çdo aspekt të jetës së njeriut. Kjo ndodhi sidomos pas Koncilit të Trentos (1554 – 1563) kur ajo mori nën kontroll dhe në mbrojtje artet në përgjithësi, brenda tyre dhe artin e fjalës, letërsinë.”
Si mundesh që sot të mos flasësh për Veprat e Budit që janë kryesisht përkthime ose përshtatje të lira tekstesh fetare, por qëllimi i botimit të tyre është, në radhë të parë, qëllim kombëtar. Pra kombi !!!!
Secila kohë i ka vuajtjet e saja ; deri na sot në shkollat tona kemi mësimdhënës të pa përgatitur , të pa aftë , qëllim keqin asht edhe Budi e shihte të njëjtën gje tek klerikët e kohës ; dhe mundohej qe krijimtaria e tij t’u shërbenin klerikëve në Shqipëri për ngritjen e tyre profesionale në shërbesat fetare, por më tepër do t’i shërbenin ruajtjes së gjuhës shqipe, që shprehte në atë kohë shtyllën kryesore të kombësisë, do t’u shërbenin përpjekjeve për çlirimin e vendit, zhvillimit e përparimit të arsimit dhe kulturës së popullit shqiptar, që ky të mos mbetej më prapa se popujt e tjerë.
Pjetër Budi , para katër shekujsh e kishte qëllimin e pastër kombëtar , kur thotë se librat shqip do t’i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të përgatitur kryengritjen e përgjithshme dhe për të fshehur në sy të pushtueseve këtë veprimtari të lartë kombëtare
Studiuesit e Budit na thonë: “Po të studjohen me kujdes veprat e Budit, duket qartë se shpesh herë ai del jashtë tekstit origjinal nga përkthen dhe përshkruan doke e zakone shqiptare, të cilat janë krijime origjinale në prozë. Kjo gjë bie më tepër në sy në veprën “Pasqyra e të rrëfyemit”, që ka një rëndësi të veçantë edhe për historinë e etnografinë. “
Si t`a harrojmë Budin , i cili “në faqet e fundit të veprës ka vendosur një letër të gjatë, afro 70 faqe ku shkruan plot dashuri për atdheun e popullin dhe ankohet për mungesën e shkollave dhe për klerin që nuk përpiqej t’u hapte sytë bashkatdhetarëve. “
Deri më sot letra është konsideruar si proza e parë origjinale në letërsinë shqiptare, që buron drejtpërdrejtë nga zemra e një atdhetari. Kjo e bën Budin shkrimtarin e parë të letërsisë shqiptare që lëvroi prozën origjinale. Në këtë letër pasqyrohen elemente të jetës shqiptare të kohës dhe ndihet shqetësimi i klerikut patriot për fatet e popullit e të gjuhës së tij amtare. Budi përshkruan traditat e zakone shqiptare, por, mbi të gjitha, ndalet në gjendjen e mjeruar ku e ka hedhur pushtimi i huaj dhe padija e popullit të vet. Për këtë gjendje ai akuzon edhe bashkëatdhetarët e vet “djesitë„ e “leterotetë„ (dijetarët e letrarët), që u vjen dore ta ndihmojnë popullin për të dalë nga kjo gjendje, por që nuk po bëjnë asgjë… Edhe në atë kohë ,po sikur sot kishte “djesitë„ e “leterotetë„ (dijetarë e letrarë),
Zef Skiroi, duke analizuar poezinë e Budit dhe perngjasur me “Parajsen e humbur” te Miltonit, shpreh mendim se ashtu si Miltoni stigmatizon figurën e urryer te Stjuarteve, ashtu dhe Budi urren dhe godet figurën e pushtuesve osmane pa asnjë kompromis, duke kaluar nga teologjia ne historine konkrete.
Edhe një gjë : Budi i frymezuar nga Ekleziasti, qe thote “Vanitas Vanitatum et Omnia Vanitas” (“Kotësi e Kotësive çdo gjë është e kotë”), tallet me pompozitetin e perandorëve, emrave te mëdhenj te historisë, personazhet e famshëm, te cilët nuk e kuptojnë se vdekja do t’i marre një dite, sepse vdekja i pret qe te gjithë.
Fahri Xharra,27.12.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: e mbytur ne Drin, ENCIKLOPEDIA, Pjeter Budi

Marrëveshje vetëm për asociacione reciproke

December 27, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Derisa Serbia,vazhdon ta quaj Kosovën me termat më diskrimininues millosheviqian si “Kosovo i metohija” edhe sot, nesër me krijimin e “zajednicës” brenda vendit tonë, këtij termi denigrues, përfaqsuesit e saj mund tia shtojnë edhe ndonjë para apo prapashtesë tjetër serbe, si p.sh. “Srpska Zajednica Kosovo i Metohija” apo ndonjë variantë edhe më të çuditshëm, tërësisht të çoroditur e të padëgjuar asnjëherë në këto anë.
Megjithatë, politikanët e dështuar vendor, vazhdojnë të ngulin këmbë në mbrojtjen e marrëveshjeve jo ndërkombëtare as ndërshtetërore, por të paktën nga Serbia, nëse jo edhe nga vet BE-ja,të trajtuara si marrëveshje-thjeshtë- vetëm ndërmjet “Prishtinës e Beogradit”,të cilat së fundmi, edhe ashtu u dëshmuan të jenë anti-kushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën.
Pra, siç është tanimë botërisht e njohur për shumicën e popullit tonë dhe gjithë ndërmjetësuesve evropian, asnjë nga marrveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel, ndërmjet përfaqsuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk e kanë primatin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo edhe për faktin se vet Hashim Thaqi ,qysh me aprovimin e fusnotës, jo vetëm pranoi, por edhe nënshkroi degradimin e statusit shtetror të Kosovës nga Shtet i Pavarur, në vend me status të padefinuar.
Ai, Pavarësinë e lexuar në “fletë” të bardhë, vet e nxiu dhe bëri “katranë”me fusnotë* të zezë, duke denigruar kështu edhe mëvetësinë e atdheut, të arritur me shumë gjak e mund nga shumë gjenerata patriotësh shqiptarë.
Fusnota abrogon Pavarësinë dhe paraqet një vend me status të papërfunduar.
E për fat të keq, që nga nënshkrimi i tij, emërtimit edhe ashtu komik të vendit tonë; “Kosovo*” i shtohet edhe mallkimi i quajtur fusnotë “*”. Madje, ajo nuk është e obligueshme të praktikohet vetëm në takimet me Serbinë, por siç kishim rastin ta shihnim në takimin e djeshëm të Bekim Çollakut me përfaqsuesin evropian Johanes Hahn, Kosova fusnotën detyrohet ta përdor edhe në të gjitha takimet bilaterale me vendet tjera të Kontinentit e më gjerë.
Për aq më keq, edhe BE, megjithëse ndërmjetsuese dhe lehtësuese e procesit të bisedimeve dypalëshe, për shkak të mosnjohjes së vendit tonë nga pesë vendet anëtare të saj,as ajo vet, ende nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Ndaj përfaqësitë diplomatike ,dhe të gjithë faktorët tjerë ndërkombëtar të cilët në emër të “Dialogut Teknik”e futën Kosovën me polotikanë të till alojal, në këtë rrugë të pakrye dhe lojë të pa qartë politike, tani e kanë për detyrë dhe obligim parësor, që të ndihmojnë vendin tonë dhe përfaqësuesit shqiptar,qoftë edhe Qeverinë aktuale të Kosovës, për të dalë nga situata e krijuar.
Në fakt, që me arritjen e marrveshjes për krijimin e “zajednicës”, më 25 gusht të vitit 2015, eksperti i njohur amerikan për rajonin, Daniel Serwer, shprehu brengosjen e tij, i cili me atë rast,pati deklaruar se ka arsye për të dyshuar nëse vërtetë ishte ide e mirë, Marrëveshja për krijimin e “Asociacionit të komunave serbe”, në Kosovë.
Brenga bëhej edhe më e madhe, nga shkaku se sipas z. Serwer, edhe vet krijimi i Asociacionit, nuk u definua politikisht as gjeografikisht, por eksplicit si Asociacion një-etnik serb, gjë që mund të bëhet shkas për distancim dhe qeverisje të ndarë serbe, nga strukturat shtetrore të Kosovës,në të gjitha haüpsirat ku sundon “zajednica”.
Madje,po ky analist i mirnjohur nuk harron të përmend faktin se pikërisht në këtë mënyrë pati filluar ekzaltimi i entitetit serb edhe në Bosnje e Herzegovinë,entitet i cili që nga zyrtarizimi e këtej, e bënë shtetin e BeH gjithnjë e më jofunksional.
E brengosur nga argumente si këto, edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian,z. Ulrike Lunacek, e cila duke parë joseriozitetin e politikanve vendor,që në fillim të 2014-s, pati deklaruar se mund të kalojnë dy-tre vite dhe të mos ketë liberalizim vizash për Kosovën, në vizitën që i bëri,muajin e kaluar vendit tonë, para gazetarëve në Prishtinë,deklaroi se; nëse Gjykata Kushtetuese vërteton që Marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo marrëveshje duhet të rinegociohet dhe ndryshohet, gjë që deri më tani,nuk u mohua as refuzua nga personalitetet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndaj,pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vërtetoi se “zajednica” serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,përfaqësuesit e BE-së dhe ata ndërkombëtar, duhet që në mes të dy vendeve tona ,përfundimisht të krijojnë mundësi reciprociteti dhe ta detyrojnë Serbinë që të pranojë, jo thjeshtë vetëm rinegocimin siç po trumpetohet kohët e fundit, por krijimin e një Asociacioni shqiptar të ngjashëm me “zajednicën” serbe, edhe për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore.
Është koha e fundit, që edhe ata, të trajtohen si njerëz të barabartë.
Në fakt, një Asociacion i mundshëm Shqiptar, në Kosovën Lindore,jo vetëm se nuk do ti pengonte aspak dhe me asgjë serbët e Kosovës,por as nuk do të ndryshonte kualitetin e “zajednicës” së tyre nëKosovë.
Kurse për shqiptarët nën Serbi,do të thoshte shumë,sidoms në gjendjen nëpër të cilën ata,tash e sa vite po kalojnë, Asociacioni për ta, është baras me mbijetesën e tyre të mëtejme, në tokat e veta autoktone.
Vetëm, me ngritjen e statusit të shqiptarëve të lënë pas dore, në Kosovën Lindore,në shkallë analoge juridike me Asociacionin e serbëve në Kosovë, Serbia nuk do të guxonte, që edhe në të ardhmen, ti trajtonte,bashkëkombësit tanë atje, si njerëz të dorës së dytë, dhe detyronte ata në shpërngulje të heshtur,siç vepron tash e sa kohë,pa asnjë pengesë dhe në mënyrë të organizuar.
Një akt i tillë analog, do të siguronte zgjidhje të njëmendët të problemeve ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona, kurse garancinë e respektimit dhe barasvlershmërisë, për të dyja palët, mund ta siguronte BE-ja, e pse jo edhe OKB, përfaqësuesit e të cilave, përfundimin e bisedimeve,duhet ta kurorëzonin me njohjen reciproke ,ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane.
Për të arritur deri këtu, duhet të shfrytëzohen edhe parimet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjitha shtetet që pretendojnë inkuadrimin në këtë organizatë jetike. Vendet kandidate, që synojnë pranimin në BE, duhet të funksionojnë sipas standardeve demokratike,të respektojnë në plotëni barabarsinë e popujve dhe të drejtat njerëzore si dhe zgjidhin problemet e ndërsjella fqinjësore, sipas standardëve ndërkombëtare.
Me këtë rast as Serbia nuk duhet të bëjë përjashtim, sidomos kur kihet parasysh fakti se ajo edhe kështu, kudo që mundet e arrinë,pengon pareshtur integrimet e vendit tonë, dhe ende pa jetësuar asociacionin e saj famoz, na kërcënon hapur përfshi edhe vet të parin e kishës ortodokse serbe Irinejin, i cili nuk sillet si njeri i Zotit por si kryeushtarak i agresionit, duke mos hezituar të kërkoj hapur edhe përdorimin e dhunës për ripushtimin e Kosovës.
Ndaj, krejt ndryshe do ishte me krijimin e baraspeshës ndërmjet dy vendeve tona edhe sa i takon trajtimit të pakicave, me organizma analoge apo asociacione të barabarta dhe reciproke.
Madje asociacionet reciproke,do ta ruanin më së miri paqen në mes të dy shteteve, do ta mbronin vet ekzistencën dhe mbarëvajtjen e njëra tjetrës dhe nuk do të krijonin presedan as rrezikshmëri për asnjërën pal, siç mund të ndodhte në të kundërtën, me mbjelljen e Asociacionit vetëm njëetnik serb, në vendin tonë, derisa pothuajse aq sa ka serb në Kosovë, numër i përafërt banorësh shqiptar jetojnë edhe në Serbi.
Pra,është koha e fundit që në emër të së drejtës njerëzore, barazisë së popujve dhe reciprocitetit ndërshtetëror, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar,të përdoren metodat e duhura dhe krijohen kushtet e nevojshme, për themelimin e asociacioneve analoge, si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët nën Serbi,në mënyrë që Marrëveshja të bëhet e pranueshme për të dy palët dhe përshtatet juridikisht me ligjet dhe kushtetutat e të dy shtetve fqinje,për të jetuar të qetë e pa tensione, si vende ndërkufitare.
Në anën tjetër, as atdheut tonë të shumëvuajtur, nuk i duhen më politikan të dështuar. Mjaft ishte.
Çdo gjë ka kufi! Përfaqësuesit shtetror të cilët e sollën vendin në këtë gjendje të palakmueshme, patën guximin të rrezikojnë interesat e popullit që i takojnë, duke nënshkruar edhe marrëveshje në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës,është e domosdoshme që sa më parë të shkarkohen nga të gjitha funksionet, të akuzohen penalisht dhe qohen në mënyrë të përshpejtuar para drejtësisë. Njëkohësisht, nevojë imediate, mbetet krijimi urgjent, i një ekip adekuat shtetëror nga ekspertët profesionist, të cilët do të dinë dhe munden t`ua lehtësojnë jetën, përmirsojnë kushtet dhe garantojnë ardhmëri të sigurtë banorëve të vendit tonë,si dhe rregullojnë mirë e si duhet problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: asociacione reciproke, Gani Qarri, Marrëveshje vetëm për

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 709
  • 710
  • 711
  • 712
  • 713
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT