• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreziku për popullin dhe Shqipërinë janë politikanët

December 3, 2015 by dgreca

ÇFARË DO TË THOJA PARA DEPUTETËVE NË KUVEND SIKUR TË MË FTONIN PËR LIGJIN E PRONAVE QË KA MIRATUAR QEVERIA/
Nga NURO  KULLURI /*
 Nëpërmjet mundësisë që lejon media e lirë dhe demokratike dëshiroj të them me sinqeritet për të gjithë deputetët, shqiptarët dhe ndërkombëtarët, që dëshirojnë të mirën e shqiptarëve si popull dhe si shtet, se e keqja për popullin buron nga fakti se qeveritarët tanë që janë në pushtet nga viti 1991 e në vazhdim, mendojnë vetëm për interest e tyre të ngushta. Rreziku për popullin dhe Shqipërinë janë politikanët tanë të kujtdo partie, që është formuar në periudhën e pluralizmit që lejoi dhe manipuloi Ramiz Alia.  Për të dalë nga këneta porkomunste duhet që ndërkombëtarët të kushtëzojnë Qeverinë që të hapi arkivat e shtetit  dhe regjistrat e shtetëzimeve  të pas vitit 1945 dhe të kthejnë pronën e marrë pa të drejtë tek pronarët e ligjshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të hiqet  thika nga qafa e popullit. Këtë e kanë përsëritur me dhjetra herë të gjitha shoqatat e pronarëve, por kërkesa e tyre bie në vesh të shurdhër. Vetëm pas rregullimit të pronës sipas Kushtetutës, Parlamenti Shqiptar do të pastrohet nga njerëzit pa moral dhe do fillojë të funksionojë shteti ligjor.  Vetëm pas këtij akti që të detyrojë Kuvendin dhe Qeverinë për të zbatuar Kushtetutën, institucioni që do të ngarkohet për të zbatuar ligjin për regullimin e problemeve me pronën vlen dhe ndihma e degëve të shoqatave të pronave të cilat do të ndihmojnë për përcaktimin në terren të kufijve të çdo prone. Kuptohet se ligji i ri do të   amendojë ligjin 7501, që e porositi Ramiz Alia dhe e përkeqësuan kryetarët e PD dhe PS, por dhe kryetarët e partive të tjera parlamentare. Ato lejuan anarkinë e ligjeve për të krijuar anarkinë e titujve të pronësisë, sepse duke vjedhur pronat e qytetarëve dhe pronat e shtetit ata u bënë pronarë aty ku nuk kanë pasur as një metër tokë.  Kryeministri Edi Rama duhet të bëjë shumë kujdes me pronarët se kemi 25 vjet që po durojmë padrejtësinë. Në takimin fare të shkurtër që pata me z. Edi Rama ne hotel Sheraton, kur u prezantua ligji i AKKP për pronat me tha se do vinte të takoheshim në Minstrinë e Drejtësisë. Unë kam vajtur ne të tre takimet por Kryeministri nuk ka ardhur që të flasim përballë dhe burrërisht. Uroj që ti vlejë ku shkrim publik. Prona nuk falet dhe kush përpiqet të na e grabisë do të fëlliqet. 
Me ligjet e derisotme për pronat, përfshi dhe projektligjin e Qeverisë/2015, i është dhënë përparësi atij që shkel ligjin dhe atij që pushton dhe grabit pronën, ndërsa ai që ka të drejtë me trashëgimi dhe këtë të derjtë ja njeh kushtetuta ia pengojnë pushtetarët e korruptuar dhe pa moral. Reforma për rregullimin e pronës konform kushtetutës do të mbylli konfliktet dhe numurin e të vrarëve për konflikte prone që Kryeministri e ke deklaruar  mbi 8000 të vrarë, ndërsa ish kryeministri Pandeli Majko e ka vlerësuar bilanc lufte.  Nga Arkivat sekrete të Partisë Komuniste (Partia e Punës) rezulton se gjatë luftës antifashiste janë vrarë 3500 partizanë antifashistë ndërsa për pronat numuri i të vrarëve është mbi dy fishin dhe po shkon në rritje. Pas çlirimit nga nazifashimi populli ju përvesh punës dhe e rindërtoi vendin e shkatëruar. Gabim fatal i Enver Hoxhës ishte shtetëzimi i pronës private, por ajo pronë u vu ne dispozicion të popullit për të rritur mirqënien e popullit. Ai sistem dështoi por sistemi aktual ka marrë tipare edhe më të këqia dhe projektligji i Qeverisë e përkeqëson situatën. Prona e shtetëzuar nga Enver Hoxha, pas 1991, nuk ju kthye të zotit  por  u la në mëshirë të grabitësve, me qëllin që kupola e politikës të përvetësonte. Ajo që ju ka pëlqyer politikanëve janë trojet në aksin Tiranë Durrës dhe veçanërisht tokat dhe vilat personale në zonat turistike. Për këtë ata që në vitin 1990 orientuan ish antarët e partisë punës të  transferojnë pasaportizimet në fshatin e tyre dhe pas përmbysjes formale te bustit te Enverit në Tirane zbatuan skenarin e Ramiz Alisë. Filluan ta shajnë komunizmin. Sa për sy e faqe i dënuan antaret e byrosë politike, madje u dënua edhe shoqja Nexhmie dhe ne gjyq u kerkua transparence për numurin e kafeve që ju ishin nxjerrë grupeve të zgjedhura të punonjesve të ndërmarrjeve dhe fshatrave të ndryshme që shkuan per ngushëllim kur vdiq Enveri (!).  Lidhur me pronën porositë ishin të qarta. PS u deklarua se nuk e kthen pronën, PD publikisht tha do ta kthejë pronën por faktikisht miratoi ligje që prona të kthehet me pikatore dhe kufizime te shumta sipas zërave kadastrale. Mbi 70 % e vendimeve të AKKP për njohje, kthim dhe kompensim prone janë të të pavlefshme pasi vendimet janë nxjerrë në shkelje të ligjit, me dokumenta të fallsifikuara, të pa shoqëruar me harta, me mbivendosje etj.  Qysh në 1991 me miratimin e ligjit 7501 pronarët të drejtuar nga Rrapo Danushi, reaguan kundër Sali Berishës që i preu në besë. Në skenë doli Partia Republikane, që me marifete i mashtoi, u mundua ti verë në qetësi dhe ju morri mbështetjen e tyre elektorale. Kur mashtrimit të Partisë Republikane i doli boja, zoti Rrapo Danushi i vuri kufirin tek thana dhe ju tha pronarëve që mos jepnin as gjysëm vote per atë parti. Në ndarjen e tortës zullumin e ka nisur Sali Berisha por pjesa e luanit paska qenë e ruajtur për PS me projektligjin për të rregulluar problemin me kompensime mashtruese. Por kur të vjedhin nuk ka rëndësi nëse hajduti përdor dorën e djathtë apo të majtë. Tani po kuptojmë se peshkaqenët e politikës i kanë vënë syrin kullotës së Karaburunit. Pas fjalëve të bukura ata kanë propozuar projektligjin e fundit që ju shëben për të vjedhur në emër të ligjit. Por edhe sikur deputetëve t’u imponohet dhe ta votojnë këtë ligj a do ta lejojme ne dukatasit një gjë të tillë ?. E dëgjva me vëmendje fjalën e Kryetarit te Shoqates “Krahina Jonë“Av. Axhem Ymerit dhe jam plotësisht dakort me te. Dukati nuk është popull frikacak dhe as popull që i pëlqen vjedhja e pronës së tjetrit. Dukatasit nuk e shesin atdheun. Dukati ka pasur dhe ka burra djem e vajza që janë të gatshëm të bashkuar ti tregojnë përsëri se sa i vlen lëkura çdo mashtruesi e hajduti dhe çdo pushtuesi të pronës së tyre edhe sikur ai të na vijë i maskuar me petkun e ligjit.  Më mbetet merak t’i  rikujtoj deputetëve që kanë marrë votat e popullit të mos gëlltisin çorbën e prishur që mund të kenë qenë të detyruar ta gëlltisin ata 8 deputetë të komisionit të ligjeve që votuan këtë draft antikushtetues dhe antinjerëzor.  Dua t’u bëj të qartë të gjithëve se nese doni ta zbatoni Kushtetuten, prona tjetërsohet nga Shtetit kundrejt vlerës së tregut vetëm kur shfrytëzohet për nevoja publike se me ligjet e të gjitha kohërave me përjashtim të kohës së diktaturës, prona është e shenjtë, është atdheu i secilit ajo vetëm trashëgohet , shitet, dhurohet dhe ruhet nga vetë shteti por nuk grabitet. Prandaj asnkush të mos bjerë në batakun që krijoi dhe la pas Ramiz Alia.
 
  NURO  KULLURI  – Pronar autokton në Dukat –  Vlorë.

Filed Under: Analiza Tagged With: cfare do te thoja, Nuro kulluri, para deputeteve, per pronat

MALI I ZI NE NATO DHE SHQETESIMI I RUSISE

December 3, 2015 by dgreca

Dje ditë historike për Malin e Zi, mori ftesën për anëtarësim në NATO/

Nga Shefqet Kërcelli/

NATO-ja ftoi dje Malin e Zi t’i bashkohet aleancës ushtarake, që shënon kësisoj zgjerimin e saj të parë në 6 vite. Vendimi i djeshëm i Asamblesë së NATO-s u shoqërua me duartrokitje të shumta. Vendimi, i përshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg si “historik”, vjen një dekadë e gjysmë pas bombardimit të vendit nga forcat e aleancës së Atlantikut të Veriut, gjatë luftës së Kosovës, atëherë kur ishte ende pjesë e Jugosllavisë. Rusia, kundërshtare e një lëvizjeje të tillë, vazhdimisht ka paralajmëruar se hedhja e këtij hapi do të kërcënojë qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Bisedimet e anëtarësimit pritet të zgjasin rreth një vit. “Ju kërkoj tani të konfirmoni se, e kemi konsensusin për ta ftuar Malin e Zi të çelë bisedimet e anëtarësimit në aleancën tonë. Mund të ma jepnin këtë konfirmim? E shoh që po, faleminderit”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Edhe pse Stoltenberg këmbënguli të tregonte se, afrimi i Malit të Zi në këtë rast nuk ka të bëjë aspak me Rusinë, vendimi shihet si një sfidë e hapur ndaj Moskës, që këmbëngul se çdo shtrirje e aleancës në Ballkan do të shihej prej saj si provokim. Diplomatë brenda aleancës citohen megjithatë nga “Reuters” të thonë se, lëvizja i dërgon sidoqoftë Moskës mesazhin se, nuk e ndalon dot zgjerimin e aleancës në lindje. “Këto janë kohë të vështira e sfiduese për aleancën. E kuptojmë se uniteti dhe solidariteti nevojiten, sot më shumë se kurrë, dhe unë mund t’iu siguroj se Mali i Zi vepron që tani si të ishte anëtar i saj, po të kemi parasysh kontributin e tij për qëndrueshmërinë euroatlantike”, tha Igor Luksiç, ministër i Jashtëm i Malit të Zi. Shteti bregdetar në buzë të Adriatikut, me një popullsi prej vetëm 650 mijë banorësh, ka një ushtri shumë të vogël me rreth 2.000 pjesëtarë aktivë. Edhe pse për qeverinë e Milo Gjukanoviçit oferta e NATO-s është mëse e mirëpritur, malazezët vet janë thellësisht të përçarë, nëse vendi duhet t’i bashkohet apo jo aleancës transatlantike. Një pjesë e njerëzve vazhdojnë të ushqejnë mëri të vjetra për bombat e 1999-s, ndërsa që prej shkëputjes nga Serbia në 2006-n, vendi i ka parë shumë të mira Rusisë, përfshirë këtu një vërshim të parave ruse, blerje shtëpish e terrenesh, apo edhe fluksin e pareshtur të turistëve. Ndërkohë Tirana zyrtare e ka përshëndetur këtë vendim të strukturave të NATO-s, duke u shprehur se vendi ynë ka qënë një promotor i fortë e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, “pasi integrimi Euro-Atlantik është një vizion për një komunitet më të sigurtë dhe të qëndrueshëm Trans-Atlantik”. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi gjeostrategjike, pasi konsolidon arkitekturën e sigurisë në hapësirën e Europës Adriatike, thuhet në deklaratën e MPJ-së Shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALI I ZI NE NATO DHE, Shefqet Kecelli, SHQETESIMI I RUSISE

“KULTURA E TEPRISË”

December 3, 2015 by dgreca

(Një thirrje për zhbërjen e saj)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”!Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?
Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër? – janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.

Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..

Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza  shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!

“Ai ç’prej vjetësh tremijë
Nuk mësoi gjë për veten,
I tretur mbetet n’errësi
Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!

Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht  për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: KULTURA E TEPRISË, Rexhep Kasumaj

AMERIKA PËR KOSOVËN

December 3, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Marrëdhënjet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përshkruhen si, historikisht, të shkëlqyeshme ç’prej sulmeve ajrore të NATO-s  që i dhanë fund fushatës brutale të policisë dhe ushtrisë së diktatorit terrorist Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës që më në fund çojë në pavarsinë e Kosovës e deri në ditët e sotëme. Sulmet e NATO-s të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara ishin një provë historike se spastrimet etnike në Europë — në këtë rast kundër shqiptarëve të Kosovës — nuk do të toleroheshin në prak të shekullit të 21-të.

Washingtoni vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa është i angazhuar në përpjekjet, në nivel ndërkombëtar, për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur ende, si dhe për antarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe për ta antarësuar Prishtinën në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshirë organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Në të vërtetë, duket sikurë Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim se sa vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.  Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme kanë theksuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë dhe mbeten një partner i vendosur i Kosovës, dhe kanë nënvijuar në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të  bëhet antare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqë me fqinjtë e saj.

Vazhdimësinë e këtij partneriteti  historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe kryeddiplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, i cili në fjalimin që mbajti me këtë rast tha se, “Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, dhe shprehu falënderimet e të gjithë atyre në Amerikë, që siç tha ai, “E kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjelltë.”  Dhe duke folur mbi marrveshjet dhe dialogun me Serbinë — të cilat kanë ngjallur kritika dhe kundërshtime, madje edhe dhunë në parlament dhe gjetiu –kryediplomati amerikan pranoi se vendimet e Prishtinës zyrtare ishin vendime të vështira politike, por siguroi udhëheqsit dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vendit të tij duke thanë: “Mos u gaboni, se ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.” Ai nenvijoi se, së bashku “Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku me ju, për në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë atë  në rrezik”, u shpreh John Kerry.

Ai theksoi se megjithë përparimet e bëra,”për ndërtimin e një Kosove të fuqishme dhe me prosperitet”, prapseprap Kosova ende ka shumë për të bërë. Kryediplomati amerikan shtoi se për të krijuar një Kosovë të fuqishme dhe të begatë, “Nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve ndaj vlerave siç është mbështetja për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta themelore për çdo demokraci.”

Ai u përqëndrua gjithashtu mbi ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës duke thënë se, “Dhuna është e papranueshme.  Kuvendi i Kosovës”, nënvijoi ai, ” duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë.  Në një vend demokratik”, u tha të pranishmëve dhe mbarë Kosovës John Kerry, “Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët, ndërsa gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. 

 Sikurë po i drejtohej jo vetëm ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, por edhe debateve  shpesh të ashpëra në Kuvendin Shqipërisë, kryediplomati amerikan, u shpreh duke porositur — si përfaqsues i një vendi mik të shqiptarëve — se,  “Debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.” 

Siç duket i shqetësuar mbi situatën politike në Kosovë, ai u bëri thirrje të gjitha partive që të “dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre në interesin e vendit”.  Sekretari Amerikan i Shtetit në fjalimin e tij në Prishtinë  shprehu falenderimet e tija për mikpritjen bujare dhe të ngrohtë që iu bë, duke theksuar se më e rëndësishme se vizita e tij atje, është theksoi ai “partneriteti që kemi midis nesh për të ecur përpara”, duke shprehur shpresën se, “Do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi përvoja edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe në vitet në vijim”, përfundoi kryediplomati amerikan fjalimin e tij në Prishtinë.

Fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry u mbajtë në Prishtinë për veshët e klasës politike të Republikës së Kosovës, por jam i mendimit se këto fjalë, nga një përfaqsues i një vendi mik i vjetër i shqiptarëve,ndonëse u prononcuan në Prishtinë, ai fjalim kollaj mund të mbahej edhe në Tiranë. 

Prandaj lind pyetja, jo vetëm për udhëheqsit politikë të Kosovës, të cilëve iu drejtua John Kerry drejtë për së drejti, por edhe për udhëheqsit në Tiranë, nëse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve sot janë të aftë dhe të gatëshëm dhe nëse në fakt duan që të përforcojnë mëtej marrëdhënjet, historikisht të forta, midis dy kombeve dhe nëse njëkohsisht janë të gatëshëm të përqafojnë vlerat dhe traditat që bashkojnë Amerikën me kombin shqiptar.

Natyrisht se për nga gjeografia, Kosova gjëndet në Europë dhe fati i saj është i lidhur me atë kontinent, por porositë miqësore të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Prishtinë janë këshilla vullnet mira që  shpresohet se do të forcojnë mëtej marrëdhënjet midis dy vendeve — në dobi të dy palëve — dhe do t’i shërbejnë përparimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe populllit të saj. Por, njëkohsisht do të forcojë paqën dhe stabilitetin afatgjatë në atë pjesë së kontinentit europian.  Në këtë moment të historisë, pa paqë dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, humbin si Shqipëria ashtu edh Kosova, por dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. A janë të gatshëm shqiptarët që më në fund të angazhohen seriozisht për sundimin e ligjit, të luftojnë krimin dhe korrupcionin dhe të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtuqë të meritojnë më në fund antarësimin e tyre në Bashkimin Europian?  Demokracia e vërtet u shpreh John Kerry, “Kërkon, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin, dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen, dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë.”

 Sekretari Amerikan i Shtetit, u angazhua gjatë vizitës së tij në Prishtinë se, “Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje”, duke pohuar se kombi im, “ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare  e të tjera.”

Fjalët e kryediplomatit amerikan, ishin shprehjet miqësore dhe angazhimi si edhe dëshira e tij për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënjeve midis Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në emër të cilës ai foli.  Por, mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi do të punojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra drejtë realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, i cili e dëshironte Kosovën, “Shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Filed Under: Analiza Tagged With: AMERIKA PËR KOSOVËN, Frank shkreli

Çfarë perspektive për Kosovën?

December 3, 2015 by dgreca

nga: Lindita Komani/

Duke ndjekur zhvillimet e javëve të fundit në Kosovë, si në sallën e parlamentit ashtu edhe në rrugët e kryeqytetit Prishtinë, nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh që të gjithë që janë përfshirë e kuptojnë se çfarë po ndodh e çfarë kontributi po japin në mënyrë aktive e pasive në shndërrimin në parashtet të një shteti të krijuar me mundime.

Në një ditë si kjo e sotshmja, përkujtohet lindja e Ibrahim Rugovës dhe e nderojnë atë pasardhësit në detyrë në LDK të cilët pak i kanë lënë kësaj partie nga pesha dhe fryma e fillimit të viteve ’90. Ajo kohë mblodhi të rinj e të moshuar në urtinë e rezistencës jo të dhunshme, në aktivizim masiv popullor që në ato përmasa e me atë vlerë, nuk është parë më pas as aty e as nga kjo anë e kufirit në Shqipëri. Të moshuarit e asaj kohe nëse sot janë gjallë, me siguri që pas përjetimit të vuajtjeve të paraçlirimit, çlirimit, pavarësimit, krijimit të shtetit e degradimit gradual të tij, kanë gjëra për të thënë. Të rinjtë e asaj kohe, tashmë në mesin e të 30-ave e 40-ave, po ashtu me siguri që kanë gjëra për të thënë. Sa po i shprehin? Ne ç’mënyrë po i shprehin? A është lufta me gazlotsjellës alternativa e vetme shpëtuese për Kosovën?

Ndërkohë që jemi të tronditur nga sa po ndjekim, për më tepër duke marrë parasysh gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet edhe vetë Shqipëria aktualisht, me kaos politik e stanjacion ekonomik, pa ide e strategji për rrugëdalje, shpresojmë të shohim urtinë të fitojë e të udhëheqë drejt zgjidhjeve. Një letër e gazetarit Enver Robelli drejtuar Albin Kurtit, ndarë dje në rrjetet sociale, dukej një përpjekje e parë serioze për t’i bërë njerëzit të shohin se ka alternativë tjetër. Një takim i katër njerëzve me mend në Nju Jork i bërë publik me një foto po ashtu në rrjetet sociale duket gjithashtu si një shenjë tjetër që të urtët (të rinj aktivë të viteve ’90 e më pas në Kosovë e Diasporë) kërkojnë të tjera mundësi e tregojnë direkt e indirekt se po kërkojnë për këtë. (Me shaka ose jo dukej si një lloj mbledhje e një Këshilli të Emergjencës që nëse ende nuk është krijuar, vlen të krijohet e mundësisht të përfshijë edhe të ngjashëm nga kjo anë e kufirit.)

A është egërsuar populli deri në atë farë mase sa të dojë të rrëzojë shtetin? Njerëzit duan prosperitet e perspektivë për veten e fëmijët, siguri e stabilitet në një shtet i cili luftohet nga fqinji i vet ish-pushtues që të mos njihet ndërkombëtarisht.

Sa prosperitet e perspektivë kanë njerëzit aktualisht në Kosovë? Largimi masiv me autobuzë nën sytë e policisë e mediave gjatë këtij viti ka qenë një shenjë e qartë që nuk janë ekzistente. Përballë kësaj njerëzit kanë luksin e drejtuesve të shtetit të cilët nuk kanë justifikimin më të vogël për arritjen e tij. (Kjo vlen njësoj edhe për nga kjo anë e kufirit.)

Sa siguri e stabilitet kanë në shtetin e tyre? Trazira politike që vetëm se është thelluar me hedhjen e gazit lotsjellës dhe arrestimet e ditëve të fundit, nuk jep shpresë për mirë. Acarimi ndaj sistemit politik, me zgjedhjet politike demokratike që në mënyrë të përsëritur nuk po shërbejnë për t’i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit, vetëm se po shtohet. Manovrat për krijimin e qeverisë që u nis me tjetër konstelacion fitues e përfundoi me tjetër, vetëm se presin në besë mirëbesimin mes politikanëve dhe çka dukej e nisur për të mundësuar ndryshim kthehet në varrezë për shpresën. (Ngjashëm mund të shkruhet edhe për zhvillimet nga kjo anë e kufirit.)

Kësaj çorbe fatkeqe i shtohet loja e fundit që fqinji ish-pushtues luajti dhe e cila bëri të mundur që Kosova të mos anëtarësohej dot në UNESCO. Me një llogari të thjeshtë, Kosova, në mos të votojë thjesht kundër Zajednicës, do të ishte me mend që ta shtynte për një kohë vendimin e marrë zyrtarisht prej saj, të paktën deri kur Kosova të njihet si shtet nga Serbia e të jetë anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare pa pengesë nga ky vend fqinj.

Në këtë pikë, për të mos krijuar heronj lotsjellës e për të treguar që shteti është shtet e nuk do të zbresë në parashtet, është koha për liderët politikë që kanë ruajtur urtinë e elitën që qëndron e tërhequr në jetën e vet, të bëjnë më të mirën e mundshme që politikanët të kuptojnë që janë aty për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe për të mbajtur në këmbë e forcuar shtet e kjo nuk ndodh duke arrestuar e mbajtur në burg pjestarë të opozitës, nuk ndodh duke hedhur gaz lotsjellës. Të kthehet sadopak nga ajo urti e rezistencë e jashtëzakonshme që populli i Kosovës dëshmoi se ishte në gjendje të rriste brenda vetes e që e çoi drejt kërkesës së drejtë për pavarësi e shtet. Nëse duhen me çmos forma protagonizmi për t’u profiluar më tej si politikanë e liderë popullorë, atëherë le të shfaqen këto në kuadër protestash masive në krye të popullit e në kërkim zgjedhjesh të parakohshme, qeverie teknike që është në gjendje të sigurojë mbarëvajtjen e shtetit e të zbusë gjendjen e rënduar. (Në një gjendje të ngjashme ndodhemi edhe nga kjo anë e kufirit, me trazimin e përgjithshëm dhe pasigurinë ekonomike që janë arsye të forta që vendin herët ose pak më vonë do e çojnë në zgjedhje të parakohshme.)

Mos të harrohet që ndërkohë që këto po ndodhin, policia italiane në bashkëpunim me policinë e Kosovës arrestoi katër persona të dyshuar se mund të bëjnë akt terrorist, nga i llojit që fundos çdo lloj përpjekjeje që është bërë sa për gjithë kohërat bashkë për të arritur këtë privilegj që kemi, të jetojmë në liri e demokraci sado e gjymtuar qoftë ajo. Në kushtet e një lufte që duket se po kalon përmidis territoreve tona, me këtë bagazh njohurish në qarkullim, me dy shtete që duhet të mbajnë fort njëri-tjetrin se të afërm më të rëndësishëm të paktën në këtë kontinent nuk kanë, është arritur mosha e pjekurisë e kjo moshë nuk lejon më gabime.

2 Dhjetor 2015

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfarë perspektive, Lindita Komani, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 721
  • 722
  • 723
  • 724
  • 725
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT