Presidentja Jahjaga:Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet
-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi. Shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Nëntor 2015/ Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet, tha mbrëmë në Prishtinë Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në pritjen e organizuar nga ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi me rastin e shënimit të 103 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Nuk ka një ditë më të veçantë në historinë e popullit shqiptar sesa kjo Ditë e Flamurit, që sublimon gjithë përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij. Nuk ka një Ditë më të shënuar në historinë e popullit shqiptar se sa kjo Festë që bën bashkë të gjithë, që lirinë dhe pavarësinë e ndjejnë si vlerën më të lartë njerëzore”, theksoi ajo.
Jahjaga tha se, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë.
“Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi”, vijoi Presidentja e Kosovës.
Në vijim, Jahjaga tha se kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë jo vetëm mishërimin por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë – për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane.
“Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran – një realiteti të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar. Të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët”, theksoi Presidentja kosovare.
Ajo u shpreh se, shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës.
“Ky shekull na gjen të rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar”, tha Jahjaga.
Në përmbyllje, duke iu drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përgëzoi: “Ambasador Minxhozi, për ju dhe gjithë ambasadën, urime! Urime Shqipëri! Zoti i bekoftë dy shtetet tona”.
Në pritjen me rastin e 103 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipësë, organizuar nga ambasadori shqiptar Minxhozi, në hotel Amazona, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadorë, ministra e deputetë, të zgjedhur vendorë, njerëz të artit, kulturës, biznesit, etj.
Kontigjenti ushtarak i Shqipërisë në ambientet e KFOR-it parmbrëmë festoi 103 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Të ftuar ishin dhe përfaqësues të misioneve të tjera ushtarake. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Minxhozi mbajti një fjalë rasti.
FITORE E HIDHUR,HISTORI E TRADHËTUAR
NGA ASLLAN BUSHATI*/
Duke u afruar fundi i Nëntorit të çdo viti ,shqiptarët të ndarë si 71 vite më parë ( fundi i Luftës Dytë Botërore-LDB), vazhdojnë po kështu të ndarë të festojnë apo përkujtojnë 28 dhe 29 si ditën e çlirimit nga okupatorët nazi-fashistë. E djathta thotë se çlirimi është bërë më 28 Nëntor duke u mbështetur në dokumenta përfshi edhe ato të arkivit gjerman, dhe se 29 është festa e ish Jugosllavisë. E majta thotë se gjermani i fundit është larguar nga Shkodra me 29 Nëntor. Ka disa që thonë se edhe sikur të mos dihet ekzaktësisht data e përfundimit të LDB-së,është e drejtë të ketë një datë të veçantë dhe ajo të mos jetë e bashkuar me ditën e pavarsisë. Ka të tjerë që thonë që 29 nëntori, jo vetëm të mos quhet dita e çlirimit, por përkundrazi të quhet dita e robërimit komunist.
Si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, personalisht mendoj se gjithkush ka kontribuar që nga 7 Prilli i vitit 1939 (fillimi i LDB-së), e deri më 9 Maj të vitit 1945 (mbarimi i LDB-së), duhet nderuar e respektuar. Nderimi në radhë të parë fillon me ata që kanë dhënë jetën në luftë, dhe në vazhdim me ata që kanë lënë pjesë të trupit të tyre , pra janë gjymtuar e plagosur, por edhe për të gjithë ata që me zjarrin e armëve të tyre (me vlerat material e monetare që harxhuan), bënë që okupatorët të largohen nga trojet shqiptare.Idealizmi dhe atdhetaria e këtyre njerëzve ( qofshin të djathtë apo të majtë), nuk mund të gjykohet e lidhur me krimet që bëri Enver Hoxha e klika e tij pas ardhjes në pushtet , pra pas mbarimit të LDB-së. Askush prej tyre nuk e dinte se cilat ishin projektet e së ardhmes së diktatorit komunist shqiptar. Nga ky këndshikimi ndiej si obligim moral ( në radhë të parë për vehten time, por ftoj dhe të gjithë ata që ndajnë të njejtin qëndrim me mu) që më 28 nëntor të çdo viti, të nderojmë e respektojmë, të rënët për atdhe të të gjitha kohrave, të plagosurit dhe të gjymtuarit si dhe komandantët dhe luftëtarët e të gjitha betejave të historisë për liri e pavarsi të Kombit Shqiptar.
Shkollimi im në gjimnazin e kolegjin ushtarak, në akademinë ushtarake dhe në Universitetin e Tiranës si dhe puna 28 vjeçare në karierën ushtarake në Ushtrinë Shqiptare (USH), më kanë mundësuar të studioj literaturë e dokumenta të historisë së luftrave, të artit ushtarak dhe të LDB-së. Por duke qenë se kjo e fundit (LDB-ja) në gjykimin tim është më e masakruara do të shpreh mendimet e mija si më poshtëme.
Periudha e LDB-së në Shqipëri, është politizuar në mënyrë të tejskajëshme nga historiografia komuniste (e cila vazhdon edhe sot), duke e emërtuar atë si periudha e lavdishme e Luftës Nacional-Çlirimtare (LNÇ).Komunistët shqiptar dihet se e kanë formuar partinë e tyre (me ndihmën dhe udhëheqjen e jugosllavëve) më 8 Nëntor 1941 dhe kanë filluar aktivitetin gueril në muajt e fundit të 1942-shit dhe veprimtarinë luftarake në gjashtëmojorin e dytë të 1943-shit. Por hitoriografia e tyre, nuk i ka kushtuar asnjë rrjesht rezistencës së ushtrisë së Mbretit Zog, kontributin e nacionalistëve të ndershëm dhe të strukturave të Ballit Kombëtar. Kjo historiografi jo vetëm ka stërholluar ngjarje të pa rëndësishme, ka përvetësuar çdo gjë të mirë për interesat e PKSH-së e të diktatorit Enver Hoxha , por ka trillur ngjarje, ndodhi e veprimtari të LNÇ dhe mbi të gjitha nuk ka evidentuar qoftë shkarazi kontributin e forcave jo komuniste në luftë, madje çdo veprimtari të tyre e ka quajtur as më pak e as më shumë se “regresive”, “antikombëtare”, e deri “tradhëtare”.Duke e parë këtë pjesë të historisë sonë me kujdes del se marrveshja e Mukjes e 1 gushtit 1943 është mesi i artë nga ku ndahen e mira me të keqen, e ndershmja me të pa ndershmen, nacionalja (kombëtarja) me internacionalen, nacionalizmi e atdhetaria me sllavo-komunizmin. Pra le të nisemi nga Mukja, duke e marrë atë si pikë referimi.
Para Mukjes.
Mendoj se nuk është shkruar me vërtetësi ajo pjesë e historisë sonë, që ka të bëjë me përballjen me sulmin fashist të 7 prillit 1939.Shqiptarët kanë mësuar nga historiografia komuniste se vetëm më 7 prill 1939 është bërë rezistencë në Durrës,Vlorë,Sarandë e Shëngjin,kundër trupave pushtuese fashiste dhe se këtë rezistencë popullore e ka organizuar Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku. Kurse historia e vërtetë dëshmon se rezistenca shqiptare ka qenë e organizuar ushtarakisht me një plan të mbrojtjes kombëtare dhe ka zgjatur nga 7 deri më 14 e 15 prill 1939 me rezistencat e fundit në Qafën e Muzinës dhe të Kuksit. Me vendim të parlamentit të asaj kohe, komandant i forcave të mbrojtjes ka qenë major Abaz Kupi, i cili me gjithëse ishte në disfavor me raportin e forcave (55:1), organizoi një rezistencë historike, e cila i siguroi atij emër të madh e të nderuar brenda e jashtë vendit. Por, pse historia jonë e LNÇ nuk e përmend një fakt të tillë? Ajo nuk e përmend se Abaz Kupi ishte një luftëtar trim, atdhetar e nacionalist, prijës i nderuar popullor që luftonte për trojet etnike dhe një Shqipëri të lirë.Por, të gjitha këto binin në kundërshtim me interesat e jugosllavëve: J.B.Tito, M.Popoviç,D.Mugosha,V.Tempo etj,udhëheqës e mësues të Enver Hoxhës dhe të kastës së tij.
Po ashtu ishte lënë me qëllim pa u përmendur fakti se mbi 20 përqind e kuadrove të ushtrisë partizane dhe rreth 40 përqind e kuadrove të çetave nacionaliste vinin nga oficerët e ushtrisë kombëtare të periudhës së Mbretit Zog. Ata ngritën çetat e para antifashiste e çlirimtare dhe më pas organizuan e drejtuan njësitë e repartet partizane me njohuritë,përvojën dhe akumulimin e tyre ushtarak, që kishin marrë në Shkollën Ushtarake Mbretërore dhe në vendet perendimore. Çetat e para në Shqipëri janë ngritur nga:Abaz Ermenji,Safet Butka,Hysni Lepenica, Skënder Muço,Preng Cali, Isa Manestrelliu,Zyber Lita,Murat Gorja, Llesh Marashi etj, të gjithë këta ish oficerë të Mbretërisë Shqiptare. Ata u vunë në komandim e drejtim të çetave që janë hapi i parë i rezistencës antifashiste. Në Shqipërinë e Jugut pothuajse në krye të të gjithë çetave e batalioneve të para të LNÇ kanë qenë kuadrot e e Ushtrisë Mbretrore si: Bedri Spahiu, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Shefqet Peçi, Islam Radovicka,Asim Zeneli, Asaf Dragoti,Qazim Hekali, Meleq Gostinishti,Spiro Shalsi,Zyliftar Veleshnja,Riza Kodheli,Neshat Hysi, Reshit Çollaku,Haki Blloshmi,Njazi Çepani, Skënder Malindi, Agush Gjergjevica etj. Në Shqipërinë e Mesme:Spiro Moisiu,Kadri Hoxha, Hulusi Spahiu, Abdi Mati, Hamit Koçi, Vangjel Goga, Myftar Xhindoli, Alim Xhaka,Nevruz Gjergjova,Tefik Spiri,Mahmut Agolli, Dinjo Kalenja, Ernest Jakova etj. Në Shqipërinë e Veriut:Abaz Kupi, Et’hem Barhani, Dali Ndreu,Esat Ndreu,Murat Kaloshi, Muharrem Bajraktari,Veli Nimani,Qazim Kapisyzi, Rexhep Haka , Xhemal Punavija etj.
Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë (SHPU) nga 13 vetë 4 ishinnga ish oficerët e e Mbretërisë Shqiptare,(Major Spiro Moisiu- Komandant,Kapiten Dali Ndreu-Zëvendëskomandant, Major Abaz Kupi-anëtar, toger Bedri Spahiu-anëtar).
Në drejtimin dhe komandimin e 25 brigadave të UNÇ-së, kanë qenë 52 kuadro të Ushtrisë Mbretërore, prej të cilëve 22 kanë qenë komandant e komisarë. Nga këto kuadro kanë dalë 100 përqind e komandantëve të tetë divizioneve,tre korparmatave dhe një zone operative. Nga këto ish oficerë të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare 11 janë dëshmor të LNÇ,prej të cilëve 9 janë shpallur heronj (të vdekur), dhe 5 heronj të gjallë, 14 morën gradën e gjeneralit dhe 28 të kolonelit dhe nënkolonelit.
Pra, qëllimisht janë fshehur faktet e mësipërme për të thënë se PKSH-ja çdo gjë e filloi nga zeroja e nga një truall bosh,për t’ja atribuar kështu të gjitha meritat vetes dhe E.Hoxhës. Nisur nga ky shtrembërim qëllimkeq,nuk është thënë asnjëherë se rezistenca shqiptare në LNÇ deri në gusht 1943 ka qenë e përbashkët midis formacioneve partizane, balliste e nacionaliste, ku duhen theksuar ato të Gjormit,Patosit,Voskopojës,Snosmit, prita e Bulçarit e Selenicës, luftimet e korrik- gushtit 1943 në Libohovë,Mat,Dibër,Pezë etj. Përveç këtyre në historiografinë komunistetë LNÇ-së nuk janë përmendur fare edhe ngjarje të tilla me peshë si ajo e 3 gushtit 1943, ku në Qaf- Shtamë deri në Pyllin e Kadiut u organizu luftimi në pritë dhe më pas rrethimi e asgjësimi i regjimentit italian “Guida” së bashku me komandantin e tij. Në thellim të suksesit u organizu më 4 gusht prita e Klosit dhe Urës së Luse dhe më 5 gusht beteja Kurdari- Suç me trupat italiane të këthyera nga Dibra. Po ashtu, nuk përmendet fare lufta e 18 shtatorit 1943,kur trupat gjermane sulmuan qytetin e Krujës. Të gjitha këto lihen në harresë vetën sepse drejtimin e tyre e bënë nacionalistët Abaz Kupi dhe kolonel Murat Basha, për të cilët edhe oficeri i misionit anglez Neil shkruan për shpirtin e tyre luftarak “sa mund të thuhej se dhe mushkat italiane notuan në gjak”.
Shembuj të tillë të harresës së qëllimëshme janë të shumtë, por më të spikatura janë dy marrveshje midis forcave partizane dhe atyre të ballit. Njera është e 17 prillit 1943,e cila përfshinë zonën: Çermenikë,Polis,Shpat,Bërzeshtë,Qukës e Mokër dhe tjetra më 1 korrik 1943, për zonën e Devollit. Marrveshjet shprehin detyrimet e palëve, për të bërë propagandë pa atakuar njeri- tjetrin, evitimi i incidenteve,bashkëpunimi për të luftuar përkrah njeri-tjetrit,ndihma reciproke në rast rrezikimi nga armiku, bashkërendimi i veprimeve midis krerëve, pakicat në fshat, si për partizanët dhe ballin të drejtoheshin nga shumica,të ndiqej një politikë që të çonte nga vllazërimi,deri tek ajo që të hyhej në bazat e njeri-tjetrit pa imponim dhe të kërkohej bukë me imponim.
Këto dokumenta janë të firmosura nga 20 persona drejtues të atyre njësive dhe kuadro të njohura të LNÇ-së. Këto dokumenta nuk janë publikuar nga historiografia komuniste sepse ato në themel kanë bashkimin e shqiptarëve, kanë ndjenja të theksuara demokratike e pluraliste, respekt reciprok dhe obligim të përbashkët.Por, të gjitha këto nuk i shkonin përshtat PKSH-së” si e vetmja drejtuese, organizuese e udhëheqse e LNÇ-se”. Madje, ndoshta duke parë frymën e më sipërme të bashkëpunimit e vllazërimit, jugosllavo-enverianët krijuan dhe më pas amplifikuan në mënyrën më tinzare e trdhëtare”Marrveshjen e Mukjes”
Pas Mukjes
Në qoftë se mbledhja e Pezës pati rëndësi sepse shtroi nevojën e domosdoshme të organizimit të shqiptarëve në luftën kundër okupatorit pa dallim feje, krahine e ideje,mbledhja e Mukjes është një tjetër shkallë më e lartë e organizimit dhe përpjekjeve të forcave politike shqiptare për liri, demokraci e troje etnike. Siç dihet,mbledhja u zhvillu më 1-2 gusht 1943. Morën pjesë si palë në bisedime:forcat partizane (Mustafa Gjinishi e Ymer Dishnica), ballistët (Mit’hat Frashëri e Hasan Dosti), dhe nacionalistët ( Abaz Kupi,Murat Basha e Jahja Caci). Diskutimi i palëve çoi tek përfundimi dhe nënshkrimi i marrveshjes,e cila konfirmonte luftën për pajtim kombëtar, bashkim të shqiptarëve në një front të vetëm që do të sillte patjetër dhe bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Mirëpo,Titoja nuk mund ta lejonte një gjë të tillë, prandaj protestoi pranë E.Hoxhës, nëpërmjet Popoviçit e Mugoshës dhe e urdhëroi atë që të shpallej armiqësore kjo marrveshje,(qe i hiqte Kosovën Jugosllavisë). Madje, vetë Mugosha propozoi në mbledhjen e Vithkuqit 1943 që Mustafa Gjinishi e Ymer Dishnica të pushkatoheshin për tradhëti të lartë të LNÇ-së. Në të njejtën gjatësi vale me jugosllavët edhe Enver hoxha e quajti Mukjen tradhëti dhe mbështeti propozimin e jugosllavëve për pushkatimin e dy pjesëmarrësve të ushtrisë NÇ në bisedime,të cilët ishin anëtarë të SHPU-së, intelektualë të zot dhe atdhetarë të vendosur.
Ekzekutimi i Mustafa Gjinishit u bë në mënyrën më tinzare nga E.Hoxha, pas një viti, më 23 gusht 1944, kurse i doktor Dishnicës u shty. Pra në Mukje filloi vllavrasja dhe ogurzeza lufta e klasave,nën trysninë e armiqve tanë shekullorë. Aty fillon minimi i vërtetë i së ardhmes sonë kombëtare, duke varrosur çeshtjen e viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Aty nis dhe lufta e paskrupullt për pushtetin e së ardhmes të cilën shqiptarët e vuajtën si askush tjetër për 50 vjet. Aty nis edhe kalvari i pushkatimit të antarëve të SHPU-së,burgimi, internimi,, shkarkimi e poshtrimi i të të gjithë brezave të drejtuesve , që pasojnë deri në ditët e sotme. Jugosllavët dhe komunistët shqiptarë trasuan rrugën e shkatërrimit fizik,moral e psikologjik të trurit të ushtrisë shqiptare. Pas M.Gjinishit, jugosllavët përjashtuan nga SHPU-ja Abaz Kupin, i cili i pat deklaruar në Pezë E.Hoxhës:”Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm pa dallim feje,krahine apo ideje.Unë nuk kam gajle se ju jeni komunistë. Unë ju respektoj se respektoj çdo bindje politike,por me kusht që ju të jeni komunistë shqiptarë”.
Më pas, me antarët e tjerë të SHPU-së nga 13 gjithsej, 8 pushkatohen e dënohen:Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Gjin Marku, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Nako Spiru, Abaz Kupi e Koçi Xoxe.
Nën pretekstin e Mukjes, jugosllavët dhe E.Hoxha, godasin herë hapur e herë pas shpine elitën e kuadrove të LNÇ-së, veçanërisht ata me ide perendimore e qëndrime nacionaliste. Në këtë fushatë ka dy moment ku goditja mori theksime të veçanta: I ashtuquajturi Kongres i Përmetit, ku elitës që kishte mbajtur peshën e luftës, nuk i dhanë grada e poste, madje disa u lanë në hije e disa u goditën, kurse miqt e jugosllavëve e E.Hoxhës u sajdisën dhe u ngritën në grada e poste dhe moment i dytë ishte pleniumi i Beratit ku e pësoi Sejfulla Malshova dhe shumë intelektualë të ndershëm e atdhetarë. Në këtë mbledhje vlen të përmenden deklaratat e S.Malëshovës e N.Spirut, të cilët veç e veç thanë: ”PKSH-ja dhe disa drejtues të UNÇ-së kanë bërë krime të rënda”, por për këto krime nuk është folur asnjëherë. Po ashtu vlen të përmendet deklarata e E.Hoxhës ku pohon me gojën e tij se nuk merrte vesh fare nga lufta e betejat që planifikoheshin , drejtoheshin e fitoheshin dhe nga asnjë çeshtje taktike e strategjike ushtarake. “Kur mua më ngarkuan komisar të SHPU-së, shkruan ai, nuk kisha asnjë ide mbi organizimin e ushtrisë. Jo vetëm nuk dija , por edhe nuk bëja asnjë përpjekje të mësoja e të përparoja në këtë rrugë”. Kjo deklaratë e thënë me gojën e tij në fund të LNÇ-së hedh poshtë gjithë ato volume mashtrimi të historiografisë komuniste për “Komandantin e sprovuar e legjendar”, që drejtoi me zotësi e zgjuarsi betejat e përgjakëshme të LNÇ-së”.Por, “kamandanti legjendar” me ndihmën e miqëve jugosllavë, kishte përvetësuar mirë metodat sllavo-komuniste për marrjen dhe administrimin e pushtetit politik të sunduar vetëm nga komunistët,përqëndrimin vetëm në duart e tij të të gjithë pushtetit partiak, politik e ushtarak duke mposhtur e likuiduar pa kurrfarë ngarkese emocionale jo vetëm kundërshtarët nacionalist, por edhe rivalët brenda partisë së tij. Ai së bashku me Popoviçët ishte gjithashtu ideatori, gjeneruesi i luftës civile që u zhvillu në Shqipëri, pas Mukjes me të ashtuquajturat operacione fshesë, kundër forcave gjermano-balliste ose operacionet kundër forcave zogiste e bajraktarëve të veriut në Mat, Mirditë, Dibër, Lumë , Pukë,malësia e mbi Shkodrës, Kryezijt e Gjakovës etj, të cilat s’ishin gjë tjetër veçse një vllavrasje makabre, në të cilën e futën jugosllavët vendin tonë, me duart gjakatare e sadiste të E.Hoxhës.
Sikur të mos mjaftonte makabriteti e sadizmi i LNÇ-së,E.Hoxha, fill pas çlirimit, montoi në Shqipëri sistemin e vrasjes si mjetin e sundimit. Kështu me një herë u vunë në pushkatim 35 oficerë nacionalistë shkodranë, pushkatohet grupi i deputetëve,grupi pro jugosllav, grupi pro rus, “grupi puçist ushtarak”, grupi i “poliagjenturës shqiptare”…( mirë që shpëtoi pa asgjësuar edhe ndonjë grup i lidhur me UFO-t). Kështu që kur diktatori vdiq, kishin mbetur fare pak nga udhëheqësit e LNÇ. Disa ishin në burgje, disa në internime dhe disa jetonin ankthet e sistemit vrasës, që kishin duartrokitur.
Në vend të mbylljes.
Duke u afruar fundnëntori i çdo viti( së bashku me këtë të sivjetëshmin) , me ndarjen e madhe midis të djathtës dhe të majtës shqiptare për festën e çlirimit, na vjen në mendje si një gjë shumë domethënëse titulli i librit të një ish-oficeri të misionit anglez në LNÇ i cili duke shkruar për LDB-në në Shqipëri thotë:”Fitorja e hidhur”. Vërtetë fitore e hidhur,pagesë shumë e shtrenjtë për një popull të vogël. Pagesë e shtrenjë për vllavrasjen, që ndodhi dhe për shitjen që ju bë viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Pagesë e shtrenjtë me diktaturën më të keqe komuniste për 50 vjet, që vari, vrau, burgosi, internoi, shkatërroi, shkarkoi, dënoi e poshtroi mijëra e mijëra shqiptarë të ndershëm, patriot, nacionalistë e shumë e shumë ushtarakë atdhetarë, të ndershëm e thellësisht profesionistë.
Por edhe sot kur Shqipëria është antare e Natos, kur ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, kur Kosova është e pa varur dhe në prag të antarësimit në strukturat euro-atlantike e botërore, politikanë të tipit Enver Hoxha,çfaqen jo rrallë në skenat politike shqiptare. Me arrogancë, prepotencë, mendjemadhësi, fodullëk, e brutalizëm,përpiqen të ushtojnë trysni mbi popullin e tyre dhe mbi kundërshtarët. Hedhin fyerje e baltosje deri në absurditet, sikur ata janë ajka e shqiptarisë dhe të tjerët në mos tradhëtar si në kohën e Enverit, konsiderohen si “bajgat e kohës sotme”. Ky është tipi i diktatorit të ri. Lutem mos paçim më diktatura e diktatorë. Në se i lejojmë ata të vijnë në fuqi e meritojmë të trajtohemi si skllavë.
* Autori është zv/Kryetar i Vatrës
I PERSEKUTUAR
Nga Ilir Levonja/
Në vegjën e kujtesës sime, rrinë si rroba të nderuara disa terma që kanë të bëjnë me kohën e fëmijërise dhe rinisë. I deklasuar, me biografi të keqe, i prekur, i halanosur etj. Por jo termi i persekutuar, apo dhe i përndjekur politik.
Dallimin për së pari e bën dashuritë. E bëri dashuria. Kur në sojin shqiptar kishte një mendësi. Me të prekurit nuk mund të dashuroheshe. Me të halanosurit nuk mund të martoheshe.
Por nuk ishte e ndaluar t’i shkelje. Madje me mënyrën e gjelit të fushës, kur ndjek pulën. Dhe po ashtu i krekosur të mburreshe me duart në xhep se bërë një akt të lart ndërkryerje të racës njerëzore që ishte edhe armiku i shoqërisë.
Dallimin tjetër e bën dashuritë e para. Sidomos dhimbja e tyre. Sidomos kur shikoje që, pranë, në shkollë përshembull kishe një bukuri të brishtë. Të vjollcëzuar, që u ngjante shqerrave në lëndinat e ekskursioneve. Që e zemrat e patrazuara nga yshtjet e baballarëve, nuk na pengonin të ndanim, atë bukën me vete, me djath e vezë, mbështjellur në letër të ashpër. Ne ishim armiq. Kurse zemrat jo. Ndjesi që i kam ezauruar në romanin ”Zemra nuk e njeh armikun”.
Termi i persektuar, i përndjekur zuri fill më vonë. Dhe nën zhgunin e terminologjisë. Aty u përfshinë, ose nxituan të përfshihen edhe viktimat e sistemit. Pra, ideatorët, milituesit, bashkëpunëtorët. Të cilët për strategji të njëshit. Apo dhe inate të njëri-tjetrit, përfunduan në gjirizet e vuajtjes së dënimit si kundërshtarë politik.
Viktimat e njëri-tjetrit. Nga tre xhelatë, fitoi njëri. Dhy dy dolën të persekutuar. U shpallën armiq të popullit. Ndërkohë kur ishin armiq të njëri-tjetrit. U dërguan të kryejnë denim, me qejf, me vullnet të plot. Pikërisht në skëterrat që i projektuan vet. Pra lufta personale u kthye në luftë për liri. Për lirinë e imagjinuar, jo realen. Jo lirinë që është si të thuash, ekzistenca e vertetë e një thesari të ëndërruar.
Kështu të deklasuarit, të prekurit, të halanosurit… në ditët e para e të demokracisë. Fluturuan përtej kufijve. Disa të tjerë, këta nga dora e të ashtuquajturve të perseketuar nxituan të kapin depot, institucionet gafile të sistemit, deri kazermat dhe repartet, disa ndërrmarrje të veremesorua nga koha. Duke rikompesuar përgjysëm vetveten. Pasi asnjë thesar nuk rikuperohet duke fluturuar dhe duke marrë diçka. Për sa kohë që nuk ka dallim esencial midis lirisë së munguar dhe shtetit të së drejtës qytetare.
E gjitha është një histori midis atyre që e braktisën skëterrën. Dhe atyre që morën nga një zarzavate nga kazani prej bloze i çorbës shqiptare.
Ndaj sot duket si normale lufta e deklaratave. Përpjekja plot pështyma rreth spiunëve. Përpjekja për të nxjerrurr kush e kush veten më larë se tjetri. Energjia për mos ekzistencën apo ekzistencën e dhunës dhe përdhunimeve. Eshtë lufta e të perseketuarve. Jo e të halanosurve. Eshtë lufta e mëkatarve, jo e shenjtorëve.
E gjitha kjo më erdhi si një revansh ironie. Kur edhe pas njëzet e kusur vitesh. Vështron një grup njerëzish, në krye të të cilit një person me kollare flet për lirinë. Ndërsa të tjerët, pjesa më e madhe janë akoma të përgjumur, disi të rreshkur nga gjëndja pa ujë, pa dritë, pa të ardhura. I pari ka kollare dhe artopolant. Në emrin e ideale i ka ftuar në shesh. Duke i dhënë nga një birrë dhe dy qofte.
Nga ana tjetër jo të gjitha webet e transemetojnë këtë protestë.
Nga ana tjetër, pyetja e kohës. Përse të halanosurit u vetcilësuan si të persekutuar?. Të përndjekur? Përse janë ndarë në grupe interesi.? Si në kohën e luftës me njëri-tjetrin.? Përse disa vetdigjen? Dhe përse disa të tjerë mbajnë në dorë çelsa ngrehine me emrin Institucion? Përse në emër të Lirisë? Përse duken sikur i përkasin dikujt tjetër tashmë. Dhe jo të deklasuarve…, të prekurve, të halanosurve?!
Eshtë fare e thjesht, liria ideale është mbi individin. Dhe individët që ta pranojë këtë, janë në arrati.
Zbrazëtinë e të halanosurve e kanë zënë të persektuarit. Përfaqësuesit e tyre janë në pushtet. Dhe marrëveshje me pushtetin në emër të lirisë ideale nuk mund të bëhet asnjëherë.
Emri i Peticionit është “Kosova Republikë e Pavarur”
Nga Albulena Haxhiu/Të hënën më 23 nëntor, Opozita e Bashkuar, dorëzoi peticionin e me 205.254 nënshkrimeve tek Presidentja Atifete Jahjaga. Në nenin 83 të Kushtetutës së Republikës sanksionohet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”, në rrethanat e jashtëzakonshme nëpër të cilat po kalojmë është po ashtu institucioni i vetëm ku mund të paraqitej vullneti politik i qytetarëve. Pra kundërshtimi i tyre karshi marrëveshjeve që po na e shthurin shtetin dhe po na e rrezikojnë Republikën.Kosova nga Republikë parlamentare ka rrëshqitur në një organizim qeveritar. Sot mazhoranca në Kuvendin e Republikës së Kosovës është në shkallën e fundit drejt degradimit. Ata po i japin pamjen e makinës së votimit përfaqësimit të vullnetit politik të qytetarëve. Deputetët e mazhorancës me pak përjashtime herë shndërrohen në shërbëtor të qeverisë dhe herë si shërbëtor të ca burokratëve ndërkombëtarë por assesi në shërbëtorë të qytetarëve. Po pra është po ky Kuvend, në të cilin shqyrtohen ligje shpejt e shpejt, votohet duke bërë trysni dhe shantazh tek deputetët (rasti i Gjykatës Speciale dhe jo vetëm), Kryeministri bashkë me ministra injorojnë deputetët gjatë kohës së pyetjeve parlamentare, ministrat injorojnë ftesat në komisionet parlamentare, nuk përgjigjen në thirrjet për interpelancë, nuk votohen komisione hetimore për SHIK-un dhe hetimin e skandaleve në RTK, votohen militantë partiakë në borde, agjenci dhe institucione të pavarura siç ishte rasti me Këshillin Gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. Një anarki e vërtetë.
Në rrethana të tjera padyshim që peticionet shqyrtohen nga Komisionin për të drejtat e njeriut, pikërisht në ketë komision i cili ka vepruar padrejtësisht të paktën në dy raste të peticioneve. Në peticionin e 33 mijë nënshkrimeve për mosngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe atë me mbi 11 mijë nënshkrime për angazhimin në zbardhjen e rastit të Ukshin Hotit, ku Komisioni për të drejtat e njeriut rrënjësisht ka ndryshuar kërkesat e qytetarëve. Qytetarët e angazhuar në ato dy peticione na patën përcjell zhgënjim e madh për faktin se qeveria i ka futur duart kudo.
Ky lloj i mazhorancës nuk është garanci as për paqe sociale e prosperitet, as për shtet të së drejtës e as për zhvillim ekonomik. Pra çfarë këta po i përcjellin prej kohësh qytetarëve është parrulla “kqyr bëja diqysh për vete”, pra ik nga të mundesh leje shtetin e vendin se “nuk bëhet”. Peticioni i organizuar për rreth 1 muaj është një përgjigje që duhet mbajtur mend. Aty në fakt, në thelb të tij deklarohet se NE nuk ikim. Ne jemi këtu në Kosovë për Kosovën. Nuk e japim Republikën e shtetin për asnjë çmim.
Nuk mbahet mend që nga paslufta, të ketë pasur peticion aq të madh dhe të organizuar për shumë pak ditë.
Komunikimi zyrtar nga Presidenca le në një lloj kuptimi idenë se dërgimi në Kushtetuese i “Zajednicës” është deri diku mision i kryer sa i takon Presidentes. Ne në fakt i kemi dorëzuar asaj Peticionin që kërkon tërheqjen e 4 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, pra atë për “Zajednicën”, atë për Kodin shtetëror telefonik, për ElektroSeverin, për ndarjen e re të Suhodollit në Mitrovicë si dhe marrëveshjen e nënshkruar nga Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi për demarkacionin me Malin e Zi. Presidentja me kushtetutë është shefja e Politikës së Jashtme të Kosovës dhe si e tillë ka të gjitha mundësitë t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës. Si dhe në politikën e brendshme së paku duhet t’i thërrasë në përgjegjësi Ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin e po ashtu t’i drejtohet atyre dhe në emër të këtyre qindra mijra nënshkrimeve që i ka tashmë zyrtarisht të dorëzuara.
Pra, përmbushja e obligimit kushtetues nga Presidentja pritet të ndodhë sepse s’ka ndodhur ende.
Sa i takon Gjykatës Kushtetuese praktikisht përbërja e kolegjit të saj të gjyqtarëve e ka humbur besueshmërinë prej kohësh. Aty një grup nuk janë fare me mandat kushtetues e janë qytetarë të vendeve të tjera. Sot po ashtu në krye të kësaj Gjykate, është zonja Arta Rama Hajrizi, e cila së bashku me Enver Hasanin, dyshohen për falsifikim të kuorumit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar (mandat ky që Jahjaga ia kishte vazhduar duke shkelur Kushtetutën). Ndërsa si institucion për shkak të këtyre vendimeve si heqja dorë nga shqyrtimi i marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 e deri tek moslejimi që shumica ta krijojë qeverinë por edhe tek vendimi skandaloz për amendamentimin e kushtetutës për Gjykatën Speciale.
Presidentja e vendit, nëse asgjë tjetër, të paktën do të duhej të kishte marrë mundin që këtë marrëveshje ta dërgonte në Komisionin e Venecias, meqë këtë mundësi nuk e ka opozita.
Nënshkrimet e 205.254 qytetarëve dhe e gjithë opozita e presin Presidenten të veprojë. Pra nuk mjafton dërgimi në Kushtetuese. Institucioni i saj ka ende shume punë për të bërë.
Komunikatat si ajo e fundit nga zyra e saj lënë shijen e shpërfilljes se këtyre qindra mijëra nënshkrimeve sepse qytetarët nuk kanë kërkuar në Peticion “tavolinë” ku flasin liderët por tërheqjen e marrëveshjeve.
Kështu që znj.Presidente nuk mund të diskutohet për ulje në tavolina pa ndryshim rrethanash, pra pa parë një gatishmëri të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për t’u tërhequr nga këto marrëveshje.
Presidentja Jahjaga prej kohës sa mban këtë pozicion, nuk mbaj mend të ketë përfaqësuar unitetin e popullit, as vitin e kaluar, pas zgjedhjeve parlamentare që ka mbajtur rol tërësisht të njëanshëm. Meqë është në përfundim të mandatit të saj, të paktën le ta përfundojë me dinjitet këtë detyrë. Kësisoj ndoshta do t’i justifikohet rreshtimi përkrah qeverisë dhe shkelja mbi unitetit të popullit.
Presidente, emri i vërtetë i Peticionit është Kosova një Republikë e pavarur. Një Republikë e qytetarëve të saj dhe e institucioneve të popullit. Ke rastin të jesh pjesë e këtij konfirmimi të madh qytetar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 724
- 725
- 726
- 727
- 728
- …
- 975
- Next Page »