• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MNIRJE E VONË

November 22, 2015 by dgreca

Nga Rexhep Kasumaj/
(Mbi aftësinë për vetëjetesë)
1.Klemens von Metternich-u, kjo kryefigurë e Koncertit të Fuqive me të mbaruar të Luftës së parë të përbotshme, admironte sajesat e mëdha territoriale si themelsore të paqes dhe restaurimit të Europës. Dhe refuzonte, që këtej, pretendimet shtetpasëse të “grupimeve të vogla etnogjuhësore” që mund të prishnin sistemin tij.
Anipse dinamika natyrale e historisë nuk do përligjte më pas mendimin e tij të errtë, do ta mnirja sepse, me “staatsraeson”-nin akullor, parathoshte kohë të liga për popullin tim.
2.Mirëpo, kur një ditë kaloja duarsh (në një Qendër pranimi strehëkërkuesish politikë, ku punoj, në Berlin) pasaportat e dy shteteve shqiptare, nuk mund të mos kujtoja Patriarkun hijerëndë. Natyrisht, do ta mënirja sërish, sepse sikur paskësh tejparë kthjellësisht paaftësinë për vetëjetesë të atyre që s’dijnë ç’të bëjnë me lirinë e vet!…
I vështroja hidhshëm e zymtor pasaportat me emrat e bekuar të Shqipërisë e Kosovës dhe, për të pafundmen herë, përjetoja ndjesi përuljeje në shkallë kulti mbi flijimin e brezave dhe përvëlimin e zemrave për shejtninë e tyre. Por, njëkohësisht, një dhimbje e vjetër, e heshtur m’sëmbonte keq shpirtin. Mendoja krejt i thyer: deri kur pronësia e kësaj Letre identiteti, në vend të fatmirësisë si fillesë sociale e shansit egalitar, do të fatkeqësojë prore atë që mban në gji?!
Deshpërimi terron, si nata pa hënë, kur vërej, madje, se nga tokat ballkanëse refugjojnë kryesisht romë e shqiptarë…Ndërsa për mua që shoh prekshëm një mikrokozmos gjuhësh, fesh e ngjyrash, ngjajnë të huaja paragjykimet e këtij soji – megjithatë nuk arrij të frenoj inercien e një pyetjeje që shoqëron ofshamën e thellë: a mund të imagjinohet një fyerje kaq tragjike për shqiptarë sesa të jenë pjesë e kalvarit të arixhinjëve të pavotër?
3.Bota, si më ka rastisur të lexoj diku, ndahet në ata që besojnë dhe në të tjerë që arsyetojnë. Athua në ç’grupndarje aderojnë shqiptarët? Veçanërisht ata të Republikës veriore që mezimbahet patericash: qytetarë dhe elektorë?
Përgjigjen, pa nëvojën që të ndiqen udhë të holla hulumtimesh: teorike, anketuese, barometrike – e ofron vetë realiteti lehtësisht i vërejtshëm e profan. Ata janë të papunë, ata janë të mashtruar, ata janë të vjedhur, ata janë të vrarë, ata janë të gënjyer, ata janë të braktisur, ata janë të poshtëruar nga arroganca e një pushteti të tëhuajsur e plutokrat dhe, të tillë, t’pashpresë, shpërngulen rrugëve të botës…Por, për çudi, gjithnjë besojnë. I besojnë pritjes, Orës së mirë, qiellit…E, rrjedhimisht, relatorët e huaj i shpallin ndër më të lumturit e botës!
4.Fillimi i besimit, pohonte Gëte, është fundi i dijes, e pra i arsyetimit si fill dyshimi që hap portën e së vërtetës. Veçse, ndër ta, mësimnxënja e racionalizmit reflektues nuk sython dot. Ndoshta, ende përhihen tallazesh të mendësisë orientale, nga vjen dhe kjo urti ruse (a nuk janë rusët aziatë?) se mëshira qenkësh rojtëse e barazisë!
Por, si mësojnë jeta e lektyrat – jo mëshira, por drejtësia e fituar me çdo çmim, i jep fund njëj lumnie ku zhganëria verbtane i thërret vetëpërbuzjes!..
Ndaj dhe, përseri e përseri Kancelari i vranët vjenez dhe mënirja e tij e vonë trishtojnë mbylljen e shkrimit!..

R. Kasumaj
Berlin/, nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: NJË MNIRJE E VONË, Rexhep Kasumaj

DEKRIMINALIZIMI I SHTETIT NIS NGA KTHIMI I PRONAVE TE GRABITURA

November 22, 2015 by dgreca

DEKRIMINALIZI I SHTETIT DO TË FILLOJE KUR QEVERIA DO TE KUSHTËZOHET NGA NËDËRKOMBËTARËT TË KTHEJË TEK PRONARËT LEGJITIMË PRONAT E GRABITURA ASHTU SIÇ PËRCAKTOJNË DETYRIMET KUSHTETUESE/
NGA FERDINANT SULAJ/
Është i njohur fakti se qëndrimi ndaj prones private percakton themelin e sistemit demokratik.
Këto dite mbushen 14 vjet nga perfundimi i afatit te sanksionuar ne nenin 181 te Kushtetutes per nje ligj qe do ti trajtonte pronat e pronareve te vjeter legjitime ne perputhje me nenin 41 te Kushtetutes. Pra si Kuvendi dhe qeveritë që kanë marrë votëbesimin e popullit në këtë periudhë e kanë shkelur betimin e tyre se do ta zbatojne Kushtetuten. Afati i shkelur për të vënë drejtesine duhet te rendoje ndergjegjen e çdo politikani te ndershem qe pas vitit 1991 ka jetuar nje katraure vjedhjesh e shperdorimesh te pronave nga te gjithe mafiozet me pushtet që përfituan në sajë të postit politik dhe jetojne ne vila e territore luksoze fale kesaj shkelje .
Çështja e kthimit të pronave pronareve legjitime në Shqipëri, eshte nje sfide doktrinare e Bashkimit Europian dhe e politikës së SHBA dhe do të perfundojë me kthimin e pronave të grabitura pronareve te terrorizuar pas vitit 1945. Qeveria në shkelje të porosive të KE pa asnjë konsultim paraprak me pronarët perfundoi nje projektligj per kompensimin e pronave . Në arsyetimin qe shoqëron draftin e Qeverisë thuhet se Agjensia e Pronave dhe Avokati i Shtetit kanë punuar per kete projekt-ligj ne bashkepunim me Keshillin e Europes dhe Banken Boterore. Ne jemi te shqetesuar per kete deklarate , sepse K.E. eshte nje instittucion themelues I Kartes se te Drejtave te Njeriut dhe nuk mund te behet pale ne nje projekt kriminal antishqiptar dhe kunder vlerave te B.E. Ne morëm konfirmim qe B.E, nuk ka bashkepunuar ne projekt-ligj. Persa i perket Bankes Boterore, ndonse deri sot ky institucion prestigjoa nderkombetar, nuk ka respektetuar parimet e Helsinkit dhe te Kopenhagenit pasi ka neglixhuar kerkesat e shoqatës se pronarëve dhe ka mbështetur aventurat e Qeveritarëve per të pervetesuar zonat turistike të bregdetit, kete rradhe eshte permbajtur. Në takim me Kyesinë e shoqates “Krahina Jonë” pefaqesuesja e Bankes Boterore ka konfirmuar se nuk ka dhëne konsulencë per kete projektligj.
Me datën 20 Nëndor 2015 Komisioni Parlamantar i Ligjeve thiri në një seancë dëgjimore perfaqesusesit e pronarëve për këtë projekt-ligj të formuluar ne kundershtim te plote me detyrimet kushtetuese duke anashkaluar bashkepunimin e sinqerte me palen e interesuar , pronaret origjinalë dhe legjitimë. Projekt-ligji I qeverise nuk permend kthimin e prones , por perdor ne menyre abuzive konceptin e kompensimit brenda prones se njohur. Kjo ben qe projekligji i Qeverise, te kundershtoje nenet 181 dhe 41 te Kushtetutes dhe Vendimin Unifikues te Kolegjeve te Bashkuara te Gjykates se Larte nr 24 dt 13 Mars 2002 , që është i detyrushëm për gjykatat dhe për administratën e pronave, që konfirmon me qartesi te drejten e rivendikimit te prones nga pronaret legjitime edhe pse nuk jane posedues te prones. Ky vendim percakton kthimin e prones pa kufizime dhe kompensimin e saj kur tjetersimi justifikohet per nevoja publike.
E drejta e kthimit te prones nuk varet nga veprimtaria e institucioneve qe kane hartuar kete projekt ligj, kjo e drejte buron nga kushtetuta , eshte e paparashkrueshme dhe pronaret legjitime do te vazhdojne ta nderkombetarizojne problemin dhe ta kerkojne kete te drejte ne gjykata te te gjitha shkalleve perfshi Strasburgun.
Ky project-draft vendos ne dispozicion rreth 350 milion euro me te cilat shteti pretendon te mbylle nje krim te postkomunizmit. Kjo eshte nje shumë qesharake e krahasushme me pasurine e nje politikani te publikuar dite me pare nga nje studim I brendshem I organizates prestigjioze te O.S.B.E. .Pra ceshtja merr karakter sublim dhe kerkon qeligi per pronat te mos vendoset nga duart e hajduteve te kombit.
Grupi që hartoi projektligjin e Qeverise kishte porosi specifike uljen drastike te vleres se kompensimit nepermjet abuzimit me elementet vleresues me menyra matematikore jashte detyrimit ligjor.
Struktura e projekt-ligjit mbeshtetet mbi koncepte antikushtetuese dhe te gjitha nenet e tij kane ne thelb mashtrimin dhe kompensim simbolik. Eshte njelloj si treni qe niset nga vendi i gabuar dhe te gjitha stacionet e tij jane te gabuara.
Tre jane ceshtjet qe perbejne skeletin antikushtetues te ketij projekt-ligji.
1 – Neni 2-a ….. sipas te cilit qellimi nuk eshte kthimi dhe kompensimi i prones , por vetem kompensimi
neni 2 – b ;.sipas te cilit kjo qeveri nuk u kthen pronat pronareve legjitime , por i konservon ato per klanin e plackitesve qeveritare. Pak vite me pare Presidenti I Komisionit te Venecias Z. Buquichio u pergjigj me deklaraten e kryetarit te Gjykates Kushtetuese te Hungarise qe ;” Shteti shqiptar po abuzon me pronat “.
2 – Neni 6 /a ; Prona e njohur per kompensim vleresohet ne baze te zerit kadastral qe ka pasur ne kohen e grabitjes komuniste. neni 6 – b ;Prona e kthyer vleresohet sipas zerit kadastral aktual te saj dhe sipas zerit kadastral qe ka pasur ne kohen e shpronesimit , duke llogaritur diferencen e vleres , qe do te rezultoje nga ndryshimi i zerit kadastral….. Kjo pra eshte matematika e sajuar prej Qeverisë Rama , qe askush nuk mundet ta kuptoje burimin llogjik dhe inspirimin filozofik.
3 – neni 25/c ;Nuk i nenshtrohen kompensimit fizik ne pronen e njohur pronat e paluajteshme qe jane te zena sipas akteve ligjore , paraqitur ne shtojcen 1 te ligjit…
Po cfare eshte shtojca 1 e ketij drafti? Ajo eshte paketa antikushtetuese me nominim abstrakt por me permbajtje diabolike qe fillon me ligjin 7501 , 8053 …. etj dhe perfundon me ligjin e Legalizimeve , qe ne kembim te dhurimit te pronave te pronareve legjitime kategorive perfituese u siguron vota respektivisht politikaneve mafioze. Keto ligje kane tjetersuar pronat e pronareve legjitime tek pushtuesit e paligjshem e perfituesit. Ky projektligj synon një transaksionin gjigand mafiozo-burokratik ne shkembim te blerjes se votes nga elita e kupolës politike q[ për 25 vjet sundon mbi shqiptaret me padrejtesi , korrupsion e varferi dhe dehakto shkatërron Shqipërinë.
Legjislacioni i gabuar me pronën përbën themenin e sundimit te kastave mafioze dhe pamundesinë e zgjidhjes nëpermjet “zgjedhjeve te lira” si dhe të problemeve që rrjedhin prej saj si mungesa e rritjes ekonomike, varferi , korrupsion , kriminalitet , militantizëm , nepotizem etj
Shqiptaret nuk janë të lirë , sepse me çdo lloj organizimi vota tyre përsëri do jetë e blerë.
· Ne kete projektligj politika pasqyron urrejtje ndaj pronareve të ligjshëm autoktonë, që janë pronarët legjitimë, duke i dhënë prioritet dhe duke privilegjuar pushtuesit përfituesve të paligjshem. Kjo sepse mirëqënia e politikanëve qendron mbi padrejtesine e zbatuar ndaj pronareve të tyre, që pasqyrohet në nenet 21/ 1 , 2 , 3.
Vete ligji 7501 dt 19/07/1991 pjese e shtojces 1 të këtij drafti është një ligj politik me mentalitet Leninist. Drafti i Qeverise eshte antikushtetues dhe antikombetar , shkaterrimtar për ekonomine . Ky ligj rrezikon sovranitetin kombetar, i ngarkon shqiptaret me nje borxh n[ afro 40 miliard euro Është padrejtesi që kjo të konsiderohet per nevoja publike , kur në fakt realizon realizuar interesa te qarta private.
Gjykata Europiane e te Drejtave te Njeriut ne vendimin e dt 10/11/2015 dha nje mesazh direktiv per qeverine . Kembanat bien per ata qe degjojne , por kete here ka rene edhe per ata qe mbyllin veshet. Qeveria e kupton mire se K.E. nuk punon me dy standarde, që disa pronare te shperblehen me miliona dollare e disa te tjere me qindarka. Ligji duhet te jete I drejte dhe kthimi I pronave dhe kompensim kur kthimi eshte i pamundur perben synimin e Gj.E.D.NJ. Nëpërmjet këtij drafti Qeveria synon mashtrimin me termin kompensim.
Pak dite me pare nje kembane tjeter ka rene per antikushtetueshmerine ne Ligjin e Legalizimeve por perseri qeveria mbyll veshet. Parlamentarët sillen si shurdh-memec , që me qetesinë e te marrit ngrysin ditë të zymta për shqiptarët, që të përfitojnë për veten e tyre. Shqiperia eshte katandisur në kënetëe me ujë të qelbur ku nje popull gjysme letargjik nuk ka forcë dhe mundësinë të ndalojë depertimin e mikrobeve te rrezikeshme ne trupin e kombit. Politikanët shqiptare nuk mendojnë për të zgjidhur problemin , por për të mbyllur gojen e atyre që denoncojnë problemin.
Edhe në Kuvendin e Shqiperisë disa deputetë dhe vetë Kryeministri ka deklaruar se problemi i anarkisë me pronat ka një bilanc me mbi 8 mije viktima. Realisht kjo po shkaterron jeten e shqiptareve, si një lufte e vertete civile.

Në seancën dëgjimore te komisionit te ligjeve ne Kuvendin e Shqiperise me përjashtim të Avokatit te Shtetit, që në ate mbledhje kuptuam se ishte hartues i projektligjit, prefaq[suesit e te gjithë shoqatave të pronarëve u shprehën se ky projektligj eshte I papranueshem , sepse kompensimi eshte antikushtetues dhe synon të justifikojë grabitjet , projektligji bie ndesh me vendimet e Gjykatës se Strasburgut, nuk u kthen realisht pronen pronareve legjitime dhe vlera e kompensimit eshte e paperfilleshme ne raport me vleren reale te prones . Të njëjtat kundershtime me nje analize juridike të qartë, i paraqiti edhe Avokati i Popullit. Qeveria me kete project-ligj realizon nje aventure te rrezikeshme antishqiptare. Kjo maxhorance humbi shansin ti sherbente kombit dhe te rivendoste drejtesine e munguar, ashtu siç u angazhua Kryeministri Edi Rama 2 vjet me pare ne fushatën elektorale .

Diktatura e sotme emertohet tranzicion që në fakt është nje menyre qeverisje antishqiptare dhe e papergjegjeshme qe nuk ka zgjidhur problemet e vendit , por i ka agravuar ato duke sunduar me shtetarë bolshevike, mafioze, hajdutë dhe konfliktuale, që e kane bere shqiperine nje vend te pamundur per rritje ekonomike , nje ferr te vertete per shqiptaret e ndershem dhe nje parajse per mafian dhe korrupsionin. Këto ishin fjalet tona në atë seance dëgjimore me deputetët . Verejtjet tona, ne dhe shoqatat e tjera, i dorezuam te shkruara. Deputeti relator i projektligjit në Kuvend z.Pandeli Majko, shprehu habitje nga sa dëgjoi në sallë dhe ne kemi pak ose aspak besim tek deputetët e Kuvendit, që jane te programuar nga kryetaret e partive.
Që të ndalet ky shatërrim I bejme APEL Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Vatra zoti Gjon Buçaj dhe kryesisë së Vatrës të thonë në rrugë institucionale fjalën e tyre me senatorët dhe kongresmenet që janë të gatshëm te thone nje fjalë në Departamentin Amerikan të Shtetit, per mbrojtjen e te drejtave te njeriut në Shqiperi. Falenderojmë redaksinë e gazetës Dielli që boton pa censurë shkrimet per pronat.
PER KRYESINE E SHOQATES KOMBETARE TE PRONAREVE LEGJITIME
Kryetari
Ferdinant Sulaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekriminalizimi i pronave, Ferdinant Sulaj, grabitja e pronave, shetit

OKB, përplasen Serbia me Kosovën

November 20, 2015 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI/
Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen akuza të ashpra në debatin e zakonshëm për Kosovën të zhvilluar të enjten pasdite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përplasën sidomos rreth çështjes së kandidaturës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, një votim që përfundoi me dështim për Prishtinën.
Në komentet e saj, zonja Çitaku, vendi i së cilës këtej e tutje do të përfaqësohet në këtë debat në nivel ambasadori, akuzoi Serbinë për fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, duke e quajtur këtë fushatë “shumë brutale, të pandershme, faktikisht të pasaktë dhe madje raciste.”
Nga Serbia, tha ajo, u përdor gjuha e urrejtjes e një niveli të paparë dhe të papranueshëm.
Ministri i Jashtëm serb i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur agresive komentet e ambasadores. Ai tha se zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm me gjuhën që përdorin. Zoti Daçiç gjithashtu e quajti të papranueshme pezullimin e marrëveshjes me Kosovën nga Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Ai tha se Serbia e do dialogun me Prishtinën jo sepse Kosova është e pavarur, por për të zgjidhur çështjet praktike mes dy palëve.
Ambasadorja e Kosovës, u përgjigj se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë. “Sa më shpejt ta kuptoni këtë, – tha ajo, – aq më mirë do të jetë për Serbinë.” Përsa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, zonja Çitaku tha se “ne nuk do të kërkojmë lejen tuaj për të ushtruar të drejtën tonë.” Herën tjetër, tha ajo, Kosova do t’ia dali të bëhet anëtare e UNESCO-s.
Në debatin me tone të ashpra, ambasadorja e Kosovës i bëri thirrje Serbisë të mos ndryshojë, siç tha ajo, “faktet e historisë.”
Para kësaj, dy përfaqësuesit shprehën pikëpamjet e tyre për dialogun mes dy vendeve.
Ministri i jashtëm serb kritikoi Prishtinën se sipas tij “ajo nuk respekton marrëveshjet dhe detyrimet që merr” dhe se nuk ka ndërmend për ta bërë më të mirë jetën dhe të drejtat njerëzore të serbëve në Kosovë.
Zoti Daçiç tha se kushtet politike, sociale dhe ekonomike në të cilën jeton komuniteti serb në Kosovë vazhdojnë të jenë shumë komplekse. Ai tha se Serbia pret që bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja në veçanti, të vazhdojë të ofrojë ndihmë për ndërtimin e besimit, i cili, theksoi ai, është baza e vetme solide për të siguruar një jetë normale për të gjithë në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se përpjekjet e njëanshme, të tilla si kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO janë hapa në drejtimin e gabuar dhe dëshmojnë për mospërfilljen e marrëveshjeve të arritura, siç ishte rasti i pezullimit të marrëveshjes për krijimin e asociacioneve në komunitetet me shumicë serbe.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Çitaku, tha se udhëheqësit në Kosovë përballen me shumë pyetje nga njerëzit dhe nga partitë politike lidhur me vlerën e dialogut, ndërsa Serbia vazhdon të ndryshojë qasjen e saj në varësi të rrethanave.
Në Kosovë, tha ajo, ka një trysni të fortë publike për të justifikuar angazhimin e qeverisë në dialogun me Serbinë. Vendimi i Presidentes së Kosovës për ta kaluar çështjen e asociacionit të komunave serbe në Gjykata Kushtetuese, do të krijojë qartësi, tha zonja Çitaku, e cila shtoi se duhet lejuar që Gjykata të bëjë punën e saj dhe të vlerësojë kushtetutshmërinë e marrëveshjes.
Zonja Çitaku tha se nganjëherë debati politik në Kosovë mund të jetë i ashpër, por askush nuk duhet të ketë dyshime për angazhimin e vendit ndaj vlerave dhe idealeve euroatlantike. E ardhmja evropiane e Kosovës është e pakthyeshme, tha ambasadorja.
Ajo kritikoi Serbinë se po e keqpërdor Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke u përpjekur të përhapë idenë se statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar dhe se pavarësia është e përkohshme.
Zonja Çitaku tha se nuk është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të mblidhet çdo tre muaj për të përsëritur të njëjtat qëndrime të vjetra.
Në seancë folën edhe përfaqësues të vendeve të tjera anëtare. Përfaqësuesi i SHBA tha se gjendja në parlamentin e Kosovës është shqetësuese dhe bëri thirrje për ndaljen e dhunës. “Ne, – tha përfaqësuesi i SHBA, – kërkojmë që qeveria e Kosovës ta zgjidhë këtë gjendje dhe të mos lejojë asnjë aktivitet kriminal në institucionet e saj demokratike. Populli i Kosovës pret që përfaqësuesit e tij të zgjedhur të kthehen në parlament menjëherë.”(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Ikonomi, OKB, përplasen Serbia me Kosovën

Dramat pas tragjedive

November 20, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/
Çdo nëntor është mirë të kujtojmë ato që ndodhën në 45 vjet të sundimit komunist. Kujtesa është mbrojtje, është mbrojtje ndaj së keqes.
Kam lexuar dikur një shkrim të Bashkim Dizdarit në gazetën “Panorama” të 8 tetorit, 2012, me titull “Zogu dhe mendimi enverist për të”. Në të ndodhej kjo pjesë:
“Dënimet e skajshme më zhurmëmëdha dihet që Mbretëria e Zogut i ka bërë për shtypjen e kryengritjes së Fierit (1935) dhe asaj të Delvinës (1937)… Një prej kryengritësve të Delvinës është edhe djali i tezes së nënës sime, kapiten Smail Gjylbegu, qarkkomandant i xhandarmërisë së Gjirokastrës. Ai ra viktimë se Ethem Toto i kërkoi besën, të cilën kapiteni ia dha pa ditur se për çka po ia jepte. Dhe u bë me Toton, dhe gjykata i mori jetën. Zogu lejoi që trupin e këtij armiku të betuar Mbretërisë, fisnikët e Gjirokastrës ta përcillnin me nderime! Ky qe regjimi gjakatar i Ahmet Zogut që duan të na i krahasojnë me atë të Enver Hoxhës. Mendoni për një çast se a mund të ndodhte që trupat e qeveritarëve të pushkatuar të 1975-1982-shit të përcilleshin me nderime prej ndokujt për në familjet e tyre?”.
Lexova tashti vonë në shtyp një pjesë nga libri i Arben Putos “Jetë me kujtime”, në të cilin autori habitet me egërsinë që tregonte regjimi komunist ndaj familjarëve të personave të dënuar. Shkruan Arben Putoja:
“Më vjen keq bëj këtë krahasim por kjo nuk pati ndodhur as në kohën e Zogut. Do t’i referohem një rasti që ka të bëjë me familjen time.
“E kam përmendur edhe vetë, por edhe im atë, Qazua, e ka shkruar në kujtimet se ka qenë simpatizant i Fan Nolit. Në kohën e qeverisë së tij ai u emërua sekretar i Prefekturës së Gjirokastrës. Pas rikthimit të Zogut, nuk qenë të paktë ata që u goditën edhe në nivel të qeverisjes lokale. Më 1925, ai u internua dy herë: një herë në Krujë dhe një herë tjetër në ishullin e Sazanit. Por familja e tij, ne fëmijët, nuk na preku njeri”.
Këto pjesë më risollën në vëmendje ato që ndodhën në Shqipërinë komuniste në raste të ngjashme.
Ishte tragjedi nëse dikush dënohej dhe burgosej në kohën e Enver Hoxhës, por tragjedia pillte më pas drama të pafundme e të përjetshme për të tjerët: për familjarët, por edhe për fisin e, mbase, edhe për fshatin apo zonën nga ishte i dënuari. Janë gati të përhershme rastet kur prindërit dënoheshin dhe fëmijët e tyre të martuar ndaheshin. Janë të shpeshta rastet kur i dënuari braktisej nga të gjithë të afërmit e tij, herë me ndërgjegje të vrarë e herë me inat e urrejtje që “u kishte prishur biografinë”, pra, të ardhmen. Braktisja e të dënuarit nga të afërmit e tij nxitej nga shteti me qëllim frikësimin, depersonifikimin dhe dehumanizmin e shqiptarit, shkatërrimin e karakterit të tij, shkatërrimin e familjes apo fisit, sepse ashtu pushteti mbahej më lehtë. Kjo braktisje ishte nga punët më qëllimkëqija, më diabolike, por edhe më të suksesshme të komunizmit ndaj popullit shqiptar. Thuhet se në Indinë e Lashtë, detyra e udhëheqësit ishte t’i bënte subjektet e tij trima. Te ne ndodhte e kundërta: detyra e udhëheqësit te ne ishte frikësimi deri në palcë i popullit. Sjellja e pushtetit ndaj atyre që nuk e braktisnin të dënuarin ishte mizore. Madje pushteti nuk hakmerrej vetëm me njerëzit e të dënuarit, por edhe me kafshët dhe sendet e tij. Në këto raste krimi merrte pamje absurde dhe groteske. Pas revoltës së burgut të Qafë Barit, krahas të burgosurve që dënuan me vdekje, dënuan me vdekje edhe qenin e burgut, i cili mori haptazi anën e të burgosurve, pasi u lehte policëve kur ata sulmonin të burgosurit, madje u hidhej edhe te këmbët dhe tentonte edhe t’i kafshonte. Kalin racë të Petrit Dumes e dënuan me internim në Kukës, me detyrë tërheqjen e karrocës së plehrave. Edhe pse e kërkoi kinostudioja për të xhiruar filma, kali mbeti në Kukës se ishte me “biografi të keqe”. Makinën e mirë të Beqir Ballukut e internuan në Ersekë. Ia prenë gjysmën dhe i salduan një kazan të madh në vend të saj. E shndërruan në furgon për zarzavate. Shoferi nuk e lau kurrë atë makinë. Kishte frikë! Trupat të pushkatuarve apo të vrarëve nga regjimi, jo vetëm nuk u jepeshin familjarëve, të cilët, ose do të bënin sikur nuk u kishte ndodhur gjë, ose do t’i qanin në heshtje, por dhe vendet e varrosjes mbaheshin tepër sekret, aq sa edhe sot pasardhësit e tyre nuk i gjejnë dot dhe, ç’është më e keqja, ata nuk i ndihmon as shteti i sotëm shqiptar.
Janë krijuar mijëra drama pas tragjedive, por po shohim disa prej tyre, po shohim se ç’farë ndodhte gjatë regjimit komunist pas dënimit që merrte një person dhe ç’u ndodhte, apo si vepronin familjarët, në varësi edhe nga karakteri i tyre:
Degjenerimi i familjes komuniste: Familja e Mehmet Shehut
Pas vrasjes apo vetëvrasjes së Bajram Currit në luftë të armatosur me qeverinë e Ahmet Zogut, Zogu jo vetëm që nuk e keqtrajtoi familjen e tij, por i lidhi asaj edhe një pension prej 250 frangash në muaj për arsye të gradës kolonel që kishte pasur Bajram Curri në shtetin Shqiptar. Në mënyrë të ngjashme u vra apo u vetëvra edhe Mehmet Shehu, por jo në përpjekje të armatosur me qeverinë. Tashti mendoni sikur të bënte edhe Enver Hoxha të njëjtën gjë pas vrasjes apo vetëvrasjes së Mehmet Shehut, pra t’i lidhte familjes së tij një pension për arsye të shërbimit të tij si kryeministër i Shqipërisë për shumë vite! Por, jo. Përkundrazi, ai i shkatërroi atij në mënyrën më kriminale familjen, shokët, miqtë e farefisin. Jo se Mehmet Shehu, një xhelat i ferrit, nuk meritonte ndëshkimin më të ashpër, por nuk e meritonte nga Enver Hoxha me të cilin krimet i kishin kryer së bashku.
Për të shpëtuar sado pak nga zemërimi i zjarrit të “Zeusit”, djali i madh i Mehmet Shehut, së bashku me gruan e tij, i dërgojnë një letër Enver Hoxhës, pjesë të së cilës po i japim më poshtë.
“I dashur shoku Enver,
“Me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ju shprehim dënimin e plotë dhe pa rezerva të veprimtarisë armiqësore të tradhtarëve të Partisë, Mehmet e Fiqret Shehu, solidarizimin e plotë me letrën tuaj drejtuar të gjithë komunistëve për vijën e Partisë dhe me politikën e saj për luftën e klasave. Gjithashtu, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet më të thella Partisë dhe juve personalisht, për diferencimin që bëtë midis nesh dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-familjes sonë të përlyer në veprimtari armiqësore…..
“Ne ju jemi borxhli me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë. Ju falënderojmë nga zemra, veçanërisht për interesimin e posaçëm që treguat ndaj nesh në ditët e para të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ky interesim na mbush me forcë dhe optimizëm për të punuar pa kursyer asgjë për t’ia shpërblyer Partisë.
“Për sa i përket qëndrimit ndaj pjesëtarëve të familjes së Mehmet Shehut, ndarja me ta është çështje parimore. Çështja në këtë rast shtrohet: o me Partinë, o me armikun. Ne jemi me Partinë dhe s’kemi të bëjmë me ata njerëz. Edhe një herë, Ju premtojmë se do të punojmë me të gjitha forcat duke dhënë po ta lypë nevoja edhe jetën për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e vijës së Partisë. Ju kërkojmë ndjesë për bezdinë që po ju shkaktojmë në këto momente, kur ju jeni i zënë me shumë punë të mëdha të partisë dhe shtetit.
“Me respekt Vladimir e Fatbardha Shehu, Tiranë më 4.1.1982
Shënim: Vladimir Shehu u vra apo u vetëvra në Gramsh dy muaj më pas.
Na mbyti frika: Amik Kasoruho
Pas vdekjes së përkthyesit Amik Kasoruho, kushërira e tij e parë tregon se si ia dha Amikut në burg lajmin e pushkatimit të babait të tij, Qemalit, të pushkatuar pa asnjë faj, së bashku me 21 intelektualë të tjerë, me rastin e shpërthimit të dinamitit në Legatën Sovjetike në vitin 1951.
Pyet gazetarja: Znj. Sanie, ju jeni bashkëvuajtëse e tij, por edhe një prej njerëzve më të afërt. Cili është ai kujtim që nuk ju hiqet nga mendja?
Përgjigje: Ishin kohë ferri. Kishte pak ditë që babanë e Amikut, dajën tim, e kishin pushkatuar. Amiku gjendej në burgun e Tiranës. I shkova në burg, por, si do t’i thosha që ia kishin vrarë babanë? I rrotulloja fjalët nëpër gojë e nëpër mendje. I kisha në kokë e dot s’i nxirrja. Si t’i thosha që, ‘babanë ta pushkatuan e nuk e kemi qarë dot’? U bëra burrë, se unë me të isha motër e vëlla, moshatarë, të rritur bashkë. Poshtë isha veshur me të zeza dhe lart një xhaketë ngjyrë hiri. Ai e kuptoi. I thashë që, ‘babai vdiq’. E mori sikur kishte vdekur babai im. ‘Të rroni vetë e të jeni të fortë’, më tha. Unë u mbyta nga lotët, se nuk i flisja dot.
Pyet gazetarja: Si arrite t’ia jepje lajmin që ia kishin pushkatuar babanë?
Përgjigjet: Asokohe isha studente, e re fare, me dhimbje të madhe. Nuk flisja dot, se na rrinin policët si xhandarë e nuk i thosha dot që e kanë pushkatuar. I thashë ‘dajë Qemali na la’. I thashë që, ‘vdiq nga sëmundja e Enver Sazanit’.
Pyet gazetarja: Si reagoi?
Përgjigjet: Enver Sazani ishte miku ynë familjar, deputet që e kishte pushkatuar pa gjyq Enver Hoxha. Ai e kuptoi menjëherë që babanë ia kishin pushkatuar. M’u hodh në qafë e qau pa pushim. As për të folur nuk na linin. Nuk i kishte bërë akoma 20 vjeç. 10 vjet e dënuan për agjitacion e propagandë, duke e arrestuar nga bankat e shkollës. (Gazeta Shqiptare 7.5.2014).
Shënim: Dr. Enver Sazani, shok i Enver Hoxhës, u pushkatua në vitin 1947 si pjesëtar i grupit të deputetëve.
Do të na sfidosh? Do ta shohim! : Ylli Xhagjika
Trifon Xhagjikën, ushtarak, e dënuan me vdekje në vitin 1963.
U hapën fjalë se po zhvillohej një gjyq interesant dhe unë me disa shokë lamë leksionet në universitet dhe shkuam për ta ndjekur. Ishte seanca e fundit kur do të jepej pretenca e prokurorit për vëllanë e tij, mjekun Ylli Xhagjika. Ai u akuzua sipas ligjit të agjitacion-propagandës, dhe u kërkua dënimi i tij (në mos gaboj) me dhjetë vjet burg nga prokurori, vetëm se pak kohë më parë, kishte pasur guximin që, pasi ia kishin dënuar vëllanë me vdekje dhe po e nxirrnin nga gjykata, t’i thoshte: “Mbaju, mbaje kokën lartë, Trifon!” Sa turp e, njëkohësisht, çfarë krimi! Ylli edhe në gjyqin e tij mbajti një qëndrim shumë kurajoz e dinjitoz. Mbaj mend kur, pasi prokurori kërkoi dënimin e tij, ai iu drejtua gjykatësit, pak a shumë, me këto fjalë: “Zoti Gjykatës, ne mburremi me trimërinë dhe ndershmërinë e të parëve tanë. Por, ç’do të thonë pasardhësit tanë kur të lexojnë dokumentet e këtij procesi gjyqësor, të një procesi që dënoi një njeri vetëm se i foli vëllait para vdekjes? Ju lutem Z. Gjykatës, shpëtojeni prokurorin nga ky turp”. Nuk ishte e lehtë në atë kohë të mbaje një qëndrim si ky.
Një shoku im mjek, më tregoi këtë ndodhi për Ylli Xhagjikën, për kohën që ai ishte pedagog në fakultetin e mjekësisë: “Gjatë një ore mësimi praktik të radiologjisë, pasi u fikën dritat, studentët, duke përfituar nga errësira, filluan të ngacmonin njëri-tjetrin dhe e prishën orën e mësimit. Ylli, pedagogu, kërkoi nga studentët që të tregonin se kush e kishte nisur shamatën. Studentët nuk treguan. Pas shumë përpjekjeve për të gjetur shkaktarin dhe pas heshtjes së studentëve, Ylli u tha: Ju bëtë një gjë shumë të keqe që prishët orën e mësimit, por bëtë edhe një gjë shumë të mirë që nuk e treguat shokun”.
Ishte dëshmi e një njeriu me karakter.
Sadizëm ekstrem: Teme Sejko
Teme Sejkon e dënuan me vdekje, me pushkatim, në vitin 1961 me akuzën e tradhtisë, por atë nuk e pushkatuan, atë e mbytën. Kriminelët dhe sadistët e ministrisë së Punëve të Brendshme, Llambi Ziçishti, Rexhep Kolli (Hero i Popullit), Nevzat Haznedari, të ndihmuar nga katër oficerë të asaj ministrie dhe nën mbikëqyrjen e vetë ministrit, Kadri Hazbiu, e morën Temen nga burgu dhe e çuan në fshatin Maminas, pranë Tiranës për ta pushkatuar. Aty me duar të lidhura nga prapa, pasi e rrahën mirë e mirë me hunj dhe e lanë të mbytur në gjak, gjysmë të vdekur, i lidhën një litar në fyt dhe, dy kriminelë nga njëra anë e dy të tjerë nga ana tjetër, e mbytën. Ashtu të mbytur, e mbështollën në një batanije, e hipën në makinë,dhe e çuan në fshatin Linz për ta varrosur. Kur e futën në varr, një nga oficerët kriminelë ia çau kokën me kazmë në mënyrë që vdekja e tij të ishte e sigurt. Ndofta ishte vrasja më makabër që ka ndodhur nga regjimi komunist të njërit prej njerëzve të tij. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim midis ekzekutimeve me prerje koke nga fanatikët islamistë të ISIS-it dhe vrasjes së Teme Sejkos me mbytje me litar nga kriminelët komunistë.
Djali i mbetur gjallë i Teme Sejkos, tregon se ç’ndodhi më tej:
“Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas pushkatimit të Teme Sejkos?”, pyet gazetari:
“Të thuash një dramë, është pak. Në qershor të vitit 73, arrestuan vëllanë e vogël, Sokolin. Në janar 74, e dënuan me vdekje si armik. Në shkurt të vitit më 75, më arrestuan mua dhe më dënuan tetë vjet burg për agjitacion e propagandë. Në shtëpinë e Teme Sejkos mbeti vetëm mamaja, Shpresa. Ajo, disa orë pas arrestimit tim, vrau veten. E varrosi vetëm gjyshja me punonjësit e komunales… Një tragjedi të tillë ka përjetuar edhe xhaxhai… Njërin nga xhaxhallarët e pushkatuan së bashkë me babanë. Xhaxhai tjetër përfundoi në vetëvrasje. Me dhjetëra të afërm e miq të familjes u dënuan e u internuan për vite të tëra”. (Gazeta Panorama 23.6.2010)
Triumfi i së keqes: Zyhdi Çitaku dhe vajza e tij
Në një tregim jo vetëm të braktisjes së plotë të një personi por edhe e urrejtjes për të, tregohet në librin e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”. Zyhdi Çitaku ishte një bashkë i burgosur i At Zefit të cilit nuk i shkonte asnjë ta shihte në burg dhe nuk merrte kurrë asnjë ushqim nga jashtë. Një ditë ai i kërkoi At Zefit një letër dhe një zarf. Mesa dukej, kishte vendosur të komunikonte me dikë. Letrën e shkroi dhe e nisi. Pas disa ditësh Zyhdiu, i mbytur në lot, i lëshoi në dorë At Zefit një zarf që sapo e kishte marrë, brenda të cilit ishte një letër si dhe zarfi krejt i pahapur që ia kishte dhënë më parë At Zefi, brenda të cilit ishte letra që kishte nisur Zyhdiu. Në letrën brenda zarfit të madh shkruhej:
“Ore qen, armik i Partisë dhe i popullit, si guxon të më shkruash mua! Unë nuk jam bija jote, por e Partisë dhe nuk dua të të njoh kurrë. Në rast se e përsërit, unë do të të hedh në gjyq dhe do të shohësh ti, or qen armik se ç’do të bëhet me ty.”
Në zarfin e pahapur ishte adresa e një vajze në Berat. At Zefi e hapi atë letër dhe lexoi letrën që kishte shkruar Zyhdiu me dorën e vet:
“Shumë e dashura bija ime N.N.
“Të kam lanë të vogël, pesë vjeçe, por jam i sigurt se do më mbajsh mend. Jam i djegun për ty, sepse ti kje i vetmi ngushëllim i jetës sime dhe mendje më rrin vetem te ti. Si je me shëndet, si shkon në shkollë. E vetmja dëshirë e imja asht që të jesh e lumtur. Më shkruaj e më qetëso! Babai yt i dashtun, Zyhdi Çitaku.”
“Mbeta i tronditun – thotë At Zefi. Nuk dijshem ç’ti thojshem, por as pa fol nuk mund të rrijshem.
“Ndigjo Zyhdi, mos u dëshpro, sepse ti e din se nji e treta e të burgosurve janë braktisun nga fëmijët se kështu i ka detyrue partia.”
Shembull i kurajës dhe i sfidimit të së keqes: Musine Kokalari
Musine Kokalari është ikona e qëndresës së njeriut të pafuqishëm, por me karakter, ndaj një sistemi shumë të fuqishëm imoral e sadist. Ajo është pinjolle e një prej familjeve më intelektuale dhe më fisnike shqiptare. Është folur shumë për të si intelektuale, si shkrimtare, si politikane. Ka me qindra e me mijëra intelektualë, shkrimtarë apo politikanë të tjerë si ajo, apo më të zotë se ajo, por Musineja është e ndryshme prej tyre për karakterin e saj, për guximin e saj, për qëndrueshmërinë ndaj parimeve dhe idealeve të saj. Ajo është nga ato që i lë me turp burra me nga pesë pëllëmbë mustaqe e me gjoksin të mbushur me dekorata. Ajo nuk ishte prej atyre që, midis alternativës mbijetesë, apo ndërgjegje të zgjidhte mbijetesën, ajo me vendosmëri dhe pa u lëkundur zgjodhi ndërgjegjen dhe kjo është merita më e madhe dhe më e padiskutueshme e saj. Qëndrimi i Musinesë ndaj tiranisë dhe ndaj së vërtetës duhet të zhvillohet si lëndë mësimore në shkollat tona për forcuar karakterin e nxënësve.
Pasi i kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit, Muntaz e Vesim Kokalari, në nëntor të vitit 1944, gjatë periudhës që u quajt “çlirimi i Tiranës” (deshën të merrnin edhe vëllanë e tretë për ta pushkatuar, Hamitin, por ky, për fat, ishte i sëmurë me tifo dhe nuk e morën dot), si dhe disa kushërinj, Enver Hoxha, ndonëse kishte lidhje gjaku me ta, arrestoi dhe e dënoi edhe Musinenë me 20 vjet burg. Në gjyq ajo tha se nuk ishte krim të mos ishe komuniste dhe kur dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte ajo zërin e popullit, Musineja iu përgjigj: “Nesër këtë do të kërkojnë edhe për ju”.
Pasi bëri 16 vjet burg, e liruan, por e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit, e braktisur nga qytetarët e Rrësheni, por dhe nga familja. Qëndrimi i kësaj gruaje në gjyq, e cila doli e veshur me të zeza në shenjë zije për dy vëllezërit e pushkatuar pak kohë më parë si dhe qëndrimi në burg dhe në internim, ishte modeli i një qëndrestareje gandiste që nuk i përkulej asnjë fuqie tiranike. Gandi thotë: “Nuk ka trimëri më të madhe sesa një refuzim i vendosur për t’iu gjunjëzuar një fuqie tokësore, pavarësisht se sa e madhe është ajo”. Dhe kjo grua ndjek me përpikëri udhëzimin e Gandit, ndonëse mund të mos e ketë njohur atë.
Nga fundi i jetës, ajo sëmuret rëndë me kancer dhe vdes e vetmuar në internim, në Rrëshen.
Po perifrazoj tashti tregimin e Shaban Doçit, i cili u interesua për varrimin e saj:
“Unë isha ne Lezhë. Atë ditë u ktheva në Rrëshen dhe mora vesh se një natë më parë, në orën 9 të darkës, kishte vdekur Musineja. Pasi shkova më parë në shtëpinë time, shkova drejt e tek ajo. Dera qe e mbyllur dhe çelësin e kishte kryetari i këshillit. I shkova kryetarit për t’i marrë çelësin, por ai nuk ma dha. Iu luta, pasi i kisha premtuar Musinesë se do ta varrosja dhe se do të përgjigjesha për gjithçka. Më në fund, çelësin e mora. Shkova te shtëpia e Musinesë. Bashkë me gruan dhe kunatën, e nxorëm, e lamë, dhe shkuam te Komunalja për të bërë formalitetet e varrosjes. Komunalja nuk na dha as makinë, as ndonjë person për t’i hapur varrin. Takova dhëndrin e Beqir Ballukut, Gjergji Gjergon (shënim: Gjergji Gjergo është shoku im i fëmijërisë, profesori i fizkulturës, nga të paktit, ndofta i vetmi, që shkoi në internim së bashku me gruan e tij, vajzën e Beqir Ballukut dhe nuk e ndau atë), i internuar edhe ai, dhe bashkë me një kosovar qe e quanin Ymer, hapem varrin. Kufomën e transportuam me makinën e zhavorrit. Gjithë lagjja u ngrit e na ka parë me urrejtje te jashtëzakonshme, sepse po varrosnim një te vdekur. Unë me gruan, me kunatën, me Gjergjin e Ymerin, e kemi varrosur dhe kemi ngrëne dreken te varri i saj. Para vdekjes, Musineja i kishte thënë kunatës sime që të merrte ne telefon Platon Kokalarin, djalin e xhaxhait. Ai erdhi pas 2-3 ditësh dhe ne i dhamë të gjitha materialet e Musinesë”. (Si e varrosa Musine Kokalarin, intervistë me Shaban Doçin, “Koha jonë”, 25 janar 2010).
Mohimin e saj nga të afërmit e kam dëgjuar të ketë ndodhur kur i vdiq e ëma në Tiranë. Mbas një kohe të gjatë burgimi dhe internimi, Musinesë iu dha leje një ditore për të shkuar në Tiranë për të marrë pjesë në mortin e nënës. Me atë rast, do t’i krijohej mundësia për të parë, për t’u takuar dhe për t’u çmallur edhe me njerëzit e saj të afërm me të cilët ishte ndarë prej kohësh. Ajo shkoi në Tiranë për mortin e nënës, por njerëzit e saj të afërm u ndruajtën ta afronin. Ata e lanë atë mënjanë duke i dhënë të kuptonte se do të kishte bërë më mirë të mos kishte shkuar, sepse duke vajtur për t’u ndarë me nënën e vdekur, do të komprometonte e do të dëmtonte të gjallët. “Syri vigjilent” i partisë me siguri do të ishte edhe aty dhe do të vëzhgonte e do të raportonte se cili do të fliste me të. Sa keq! Më pas, kur Musineja u sëmur dhe do të operohej, i shkruante doktorit nga Rrësheni dhe i kërkonte që mundësisht të zbatohej dita e përcaktuar e operacionit dhe që t’i lejohej të shtrohej në spital pasdite, pasi në Tiranë nuk kishte se ku të rrinte dhe nuk mund të përballonte shpenzimet e hotelit, ndonëse ajo kishte në Tiranë njerëz të saj shumë të afërm. Ky është një shembull real i shëmtuar i sadizmit komunist, që synoi dhe arriti mjaft në zhburrësimin dhe në çfisnikërimin e shqiptarëve. Ndonëse komunizmi shqiptar i paraqiste ngjarje të tilla si triumfe të politikës së tij, si dashuri e besnikëri të popullit ndaj Partisë, në të vërtetë ky ishte kulmi i imoralitetit të politikës së tij dhe shoqërisë shqiptare, të “njerëzve të rinj” që kishte krijuar ajo parti.
Duke cituar Martin Luter Kingun, po them fjalët e tij që i përshtaten më së miri Musine Kokalarit: “Në natën e errët, yjet shndrisin më shumë”.

Nju Jork, nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Dramat, Ilir Hashorva, pas tragjedive

Kosova në 6 muaj 75,000 qytetarë të migruar drejt vendeve të BE-së

November 19, 2015 by dgreca

– QKSS: Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë, 35.4 përqind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te brezet e reja – 61 përqind e të rinjve janë të papunë/
PRISHTINË, 19 Nëntor 2015-B.Jashari/ Në Kosovë, shkaqet socio-ekonomike renditen ndër faktorët e parë që kanë shtyrë qytetarët të migrojnë në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa periudha më kritike ishte prej tetorit 2014 deri në mars 2015, deklaroi sot Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
U bë e ditur se, sipas shifrave zyrtare të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore rreth 75,000 qyetarë kanë migruar në BE. Gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, numri i qytetarëve që u larguan nga Kosova ishte 25,880, ndërsa kulminacionin kritik e arriti në tremujorin e parë të vitit 2015 (janar-mars), kur 48,875 kosovarë u larguan nga vendi.
“Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë, 35.4 përqind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te brezet e reja – 61 përqind e të rinjve janë të papunë”, theksoi Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Kjo qendër publikoi dy hulumtime që kanë për fokus analizimin e shkaqeve, pasojave të migrimit të parregullt dhe ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, gjegjësisht, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Azilkërkuesit nga Kosova të intervistuar për qëllime të këtij hulumtimi, janë shprehur se papunësia, kushtet e vështirë socio-ekonomike dhe vështirësia për të gjetur punë kanë qenë arsyet pse janë larguar jashtë vendit për një perspektivë më të mirë. Sidoqoftë, vendet e BE-së kanë bërë të qartë se nuk do ketë azil për kosovarët për çështje ekonomike”, theksoi Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Sipas saj, faktori i dytë që ka ndikur në rritjen masive të numrit të azilkërkuesve ka ardhur si pasojë e rrjeteve kriminale të kontrbanduesve që operonin në Kosovë dhe Serbi, që kontrabandonin migrantët kosovarë përmes Serbisë drejt BE-së. Rruga kryesore e migrimit të kosovarëve drejt BE-së ishte përmes Serbisë, përkatësisht qytetit të Suboticës, ku ishin të përqendruar rrjetet e kontrabandistëve që bënin transportimin e migrantëve prej atje drejt Hungarisë. “As autoritetet përkatëse serbe nuk ishin të gatshme të luftonin kontrabandistët dhe se ishin të dijeni të funksionimit të këtyre grupeve deri në momentin kur kjo çështje mori përmasa alaramante”, thuhet në hulumtim.
Në rekomandime theksohet se, duhet të ketë përpjekje të përbashkëta nga qeveria kosovare dhe Zyra e BE-së në Kosovë për të zhvilluar një strategji të qartë për ofrimin dhe shpërndarjen e informacionit të saktë lidhur me rregullat e hyrjes në zonën Shengen, si dhe përgjegjësitë e regjimit pa viza.
Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë me vendet fqinje, si dhe institucionet e BE-së, si një mënyrë për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe manipulimit në mesin e qytetarëve.
Po ashtu, rekomandohet që qeveria e Kosovës të foksuohet në reforma ekonomike për zvogëlimin e papunësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Theksohet se, regjimi pa viza do të sigurojë një rrugë për dalje nga migrimi i parregullt. “BE-ja duhet të jetë më e qartë kur bën vlerësimin e progresit të Kosovës për liberalizimin e vizave. Kosova, në këtë rast, duhet të trajtohet njëjtë sikurse vendet e tjera të rajonit”, thuhet, mes tjerash, në rekomandime.

Filed Under: Analiza Tagged With: 000 qytetarë të migruar, 75, drejt vendeve, Kosova në 6 muaj, të BE-së

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 727
  • 728
  • 729
  • 730
  • 731
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT