-Raportimi i para 17 viteve: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica.Përkujtohen masakrat/
Ne Foto:Ticë-Rahovec-civilë të masakruar nga forcat serbe- 25 mars 1999/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Korrik 2015-Masakra e Srebrenicës e para 20 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 16 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, ka raportuar korrespondenti i ATSH-së para 17 vitesh, në korrik të vitit 1998.
Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do udhëtonte për në komemoracionet në Srebrenicë, por nuk është lejuar. “Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska”, shprehet ai.
Kosova dhe populli i saj, vijon Thaçi, me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr.
“Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë”, thekson ai.
“Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, është mesazhi i kryediplomatit kosovar Thaçi.
Në 9 korrik 2015, në seancën e Kuvendit të Kosovës kryetari Kadri Veseli, që në hapje, përkujtoi se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai tha se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Milosheviçit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Deputeti i partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, po ashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës është organizuar një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 17 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Në raportimet për situatën në Rahovec para 17 viteve, në 23 korrik ATSH nga korrepondenti në Kosovë, në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bënte të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”
Ndërsa, në 24 korrik, po para 17 viteve, korrespondenti i ATSH raportonte që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”, raportonte në korrik 1998 korrepondenti atëherë dhe i tashëm i ATSH në Kosovë.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.
“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë për ATSH eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.
Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë.
“Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:
“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Këtu është personali mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…
Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë, gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë … Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.
Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të smurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve, çka është shkelje e jashtëzakonshme…”
“Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rrënda”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.
“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukur gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.
Sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 16 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.
MASKARADA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË
Në përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!/
Ne Foto:Pamje makabre nga masakra e Recakut/
Nga Bardhyl Mahmuti/
Njëzet vjet pas vrasjes së mbi 8000 civilëve në Srebrenicë të Bosnjës, Rusia e Putinit përdori veton në Këshillin e Sigurimit dhe pengoi miratimin e rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe përmes së cilës dënohej gjenocidi i forcave serbe.
Ironia më e madhe e qëndrimit rus ka të bëjë me kualifikimin e projekt-rezolutës si “të motivuar politikisht”.
Nuk ka ironi më të madhe se kur ky cilësim bëhet pikërisht nga ata që janë aq të zëshëm për krijimin e një Gjykate Speciale për të dënuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Më poshtë po sjell provat se nëse diçka ka “të motivuar politikisht” në MASKARADËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË kjo është Gjykata speciale.
Për të kuptuar kontekstin historik të motiveve politike të idesë për krijimin e një gjykate speciale për Kosovën më duhet të sjell për lexuesin faktin se një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës doli nga shtypi libri autobiografik i Carla Del Ponte-s, «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Fokusimi i vëmendje mediatike në supozimet për trafikim të organeve njerëzore që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nxori në rend të ditës një çështje tanimë të mbyllur.
Përmasat e efekteve që shkaktoi kjo “informatë” bëri që edhe ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme, Florence Hartmann-i të deklarohet publikisht dhe ta cilësojë veprimin e Carla Del Ponte-s si të PAPËRGJEGJSHËM.
Në një shkrim të publikuar në gazetën «Le Temps» të datës 16 prill 2008 dhe të titulluar «Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në Kosovë», Florence Harmann-i shpreh habinë e vet se si është e mundshme që “Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta sot të na fundosë në kohën më të errët të propagandës.”
Aktualizimin e një çështjeje të mbyllur pesë vjet para publikimit të këtij libri, të mbyllur për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, revoltoi ish-zëdhënësen e Carla Del Ponte-s. Për Florence Harmann-in “të flitet sot, përderisa për pesë vjet nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është papërgjegjësi.” Ndërsa “është jo dinjitoze emërtimi, në mënyrë të nënkuptueshme, i atyre që urdhëruan një krim të padëshmuar, nën arsyetimin se disa liderë shqiptar të Kosovës kanë qenë të dyshuar për krime tjera.”
Sado “skandaloze”, të “papërgjegjshme” dhe “jo dinjitoze” të kualifikoheshin veprimet e Carla Del Ponte-s, libri i saj bëri bujë në opinionin publik dhe u shërbeu si pretekst të gjitha qarqeve që ishin të mobilizuara në kulm kundër pavarësisë së Kosovës.
Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”.
Deputetët nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s dhe në propozimin e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin”.
Një ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16 prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.
Ishte një rast i volitshëm për të që t’i përsëriste qëndrimet e veta të mëparshme. Në fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “ajo që është shqetësuese lidhet me bilancin e veprimeve ndërkombëtare në Kosovë.”
Sipas tij ky bilanc është tejet negativ. “Pas dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova-mjerisht!- ka qenë gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar (…) gjendja ekonomike është katastrofike (…) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja…” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare. “Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë…!”
Nuk mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008, por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.
Në qëndrimin propagandistik të regjimit të Beogradit dhe të atyre që për shkak të verbërimit nga «antiamerikanizmi» u rreshtuan përkrah kësaj propagande, “shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos e rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së” përbëjnë shtyllat kryesore për t’ia mohuar legjitimitetin shtetit të ri të Kosovës.
Propaganda për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve njerëzore në Kosovë” arriti efektet e veta politike. Të inkurajuar nga qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të madhe ushtarake të SHBA-ve në botë” Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremić-i, shtroi për miratim një projekt–rezolutë përmes të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri serb i punëve të jashtme i shtroi motivet e kësaj kërkese. Ndër të tjera, ai theksoi se “më 17 shkurt 2008, institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes autonome të krahinës jugore serbe të Kosovës dhe Metohisë e shpallën njëanshëm pavarësinë. Ne e larguam mundësinë që të përdorim forcën dhe t’i vëmë sanksione ekonomike kësaj krahine që kërkonte ndarjen. Serbia ka vendosur që ta mbrojë sovranitetin e vet dhe integritetin e saj territorial duke iu drejtuar diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare… Sa i përket legalitetit të kësaj deklarate të njëanshme të pavarësisë, ne vendosëm të kërkojmë mendimin konsultativ nga GJND-ja. Duke e bartur këtë çështje në Gjykatë, “Republika e Serbisë vlerëson se mund të shmanget që kriza e Kosovës të mos përbëjë një precedent skajshmërisht problematik në regjionet tjera të botës apo të ambicieve për shkëputje në shumë situata ekzistuese… Ne mendojmë gjithashtu se mendimi konsultativ i Gjykatës, do të ofronte një mendim politikisht neutral dhe vendeve të shumta të cilët ende pyesin se si ta konsiderojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës karshi të drejtës ndërkombëtare do tu jepte mundësi të gjenin përgjigje nga këndvështrimi juridik.”
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.”
Përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qarqet serbo-ruse përpiqen të mbajnë akuzat e sajuara me motive politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qëllim që të përmbyset perspektiva dhe në vend të përgjegjësisë për gjenocidin e kryer në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë ata të paraqiten si viktima! Dhe rrjedhimisht të mohojnë ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Fatkeqësisht mohimi rus i gjenocidit të ushtruar nga Serbia nuk është mohim i vetëm dhe ky mohim nuk kufizohet vetëm në rastin e Srebrenicës. Një numër intelektualësh të fushave të ndryshme dhe politikanë të spektrave ideologjike që shkon nga e majta ekstreme e deri te e djathta ekstreme mohojnë këtë gjenocid.
Parlamenti Evropian gjatë seancës së 9 korrikut 2015 miratoi një rezolutë që dënon fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë dhe dënoi veton e përdorur nga Rusia kundër projekt-rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe.
Vetoja ruse përball fakteve të pakontestueshme të gjenocidit në Srebrenicë duhet t’i bëjë të mendojnë ndryshe ata përfaqësues të demokracive perëndimore që po ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të Kosovës për të miratuar krijimin e një gjykate të motivuar politikisht dhe ideologjikisht nga «antiamerikanizmi».
Rezoluta e Parlamentit evropian është një hap tejet pozitiv dhe domethënës për përcaktimin e institucioneve demokratike të Evropës për të dënuar krimin e gjenocidit dhe ata që pengojnë dënimin ndërkombëtar të këtij krimi. POR, në përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!
GJÊNDJA E JONË – E PËRJASHTMJA
Nga Mustafa Kruja*/
Me themelimin e qeverís së ré gjêndja e jonë e përjashtme ka ndryshuem qind për qind edhe shifet qartas, se qarqet politike kanë zânë t’a mërgojnë at mëní qi kishin kundra Shqipnís e Shqiptarvet, qi i quejshin veglat e të huejvet.
Mbledhja e Lushnjes i dha qeverís nji program në dorë : pavarësín e tânësís së tokës shqiptare, edhe mbi themel të këtij programi qeverija e Tiranës punon me sa mundet, e përkrahun prej Këshillit kombtar, i cili, si ndër të gjitha shtetet e lira e konstitucjonale të botës, âsht i detyruem me kontrolluem veprat e qeverís qi mos t’i shmanget udhës qi na shpjen në shpëtimin e atdheut. Mbas këtyne zhvillimeve qi u bânë në kombin t’onë, me nji çudí u pa se shumë shtete e qarqe politike, qi parandej jo vetëm nuk interesoheshin për punë shqiptare, por edhe e këqyrshin me sy të lig çâshtjen t’onë, sot jo veç qi kanë kujdes por edhe tregohen mirëdashës kundrejt nesh.
Kështu pàm, se si ushtrít franceze të cilat kishin nën pushtim të vetin Shkodrën e Korçën, dy qêndra kombtare të Shqipnís, kur i liruen i a dorzuen shtetit shqiptar; kur se seicili atdhetàr me mênd e dinte se ç’farë misjoni kishin ato ushtrí, qi mbajshin në dorë pushtimin e dy qyteteve, qi ndodheshin ndër skâje të Shqipnís e aq larg e tërthuer njeni prej tjetri.
Me gëzim të gjithë Shqiptarvet u pa se si komisjoni për punë të jashtme i parlamentit ingliz, përpara disa kohe dha nji vêndim, të cilin i a njoftoi kryeministrís, se kërkon mprojtjen e tânësís toksore të Shqipnís së 1913, edhe se, kish me pritë me nji idhnim të madh ç’do coptim qi do t’i bâhej shtetit shqiptar, qi u krijue i lirë e i pavarun mu n’at qytet të famshëm ku për me tërheqë në bashkveprim lufte edhe Italín dy vjet mbrapa më 1915 u nenshkrue edhe traktati i mshefët, qi do të coptonte Shqipnín! Nuk âsht për t’u harruem edhe manifestacjoni qi dha për dobí t’onën në Paris, në maj të këtij vjeti “Lidhja e të drejtave të njeriut” (Ligue de droits de l’homme), nën kryesín e senatorit francez Costant d’Estournelles! Mbasi nji vêndim i tillë ka nji rândësí të posaçme për né, e shofim t’udhës t’a botojmë në të përkohëshmen t’onë.
“ Tue pasë vërejtun se Ermenija e therorizueme, ka pasë kurdoherë mprojtës të fortë, se Greqija qysh prej nji shekulli ka qenë e ndihmueme për me u liruem prej zgjedhës otomane, se popujt sllav të Balkanit patën gjthmonë ndihma të forta, sidomos Rusín, me nji idhnim po shifet se Shqiptarët e shkretë, jo vetëm qi kanë qenë të lânun mbas dore, por edhe të përbuzun e të poshtnuem. Qysh tridhetepesë vjet e tektej, do me thânë ç’se u themelue Lidhja e Prizrêndit, Shqiptarët e kanë treguem gjallësín e tyne, ndonse zâni i tyne nuk ka qênë kurr i ndigjuem, e sot ata janë të shtrënguem me luftuem kundra intrigavet të fqîjvet të tyne. Diplomatët e konferencës së paqit mendojnë me e rregulluem, për dàm të tyne, çâshtjen e Adriatikut, tue kërkuem qi Jugosllavët t’i apin Fiumen Italís, tue u dhânë si shpërblim Shqipnín e Sipërme.”
Senatori d’Estournelles e lufton rreptësisht ket lloj diplomatije, qi e quen Egoiste, tue shtuem se Franca në ket çâshtje nuk âsht fajtore, sepse asaj kurr nuk i ka shkuem nepër mênd me blém ndërgjegjet, vetëm ajo âsht fajtore sepse ajo e ka lânw Shqipnín fare në harresë e ndër duer të fqîjvet, të cilët fusin ngatrresa në Shqipní për me çuem në vênd lakmimet e veta.
Kjo politikë âsht ajo, e cila na futi në luftë, tue na shkaktuem nji zjarm të pafund, tue na shtënguem me prishë miljarda për lakmime të marra, qi sot gjithnji janë shtuem e tue na shkëputë disa popuj, qi parandej na dojshin.
Kujtohet mandej ngjarja e dhimbëshme e legjionit shqiptar, qi luftoi plot lavd e trimnì kundra beslidhunvet e qi, kur u hap lajmi se Korça do t’i dorzohej Greqìs, me lot ndër sŷ i këthej shênjat (nishanet) qi kishin pasë prej Francës.
Anmiqt e Shqiptarvet sjellin kurdoherë dy argumenta:
1. Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull edhe se Shqipnija âsht nji gjâ e krijueme prej Austrís.
2. Shqiptarët janë njerëz t’egjër, të cilët nuk janë të zotët për me u qeverisë vetvetiu.
Përsa i përket pikës së parë anthropologët kurr nuk kanë dyshue për qênien e nji rrace ilire, e cila flet nji gjuhë, shkronjat e së cilës janë të njishme ndër të gjitha djalektet e Shqipnís, qysh prej veriut e në jug, e se ndryshimet ndërmjet dialektevet janë si t’atyne të Francës e t’Italís. Ndryshimet e besimit nuk e pengojnë bashkimin kombtar, si ndër popujt tjerë të Balkanit, ku feja përzihet me kombsí.
Të ndjekun prej të huejit, i cili qysh në kohë të Romanvet, i zaptoi edhe viset mâ strategjike qi i apin nji rândësí Shqipnís, Shqiptarët janë zmbrapsun ndër malet e tyne, ku kanë jetuem tue i ruejtë me madhështí gjuhën dhe zakonet e veta. E pra, sikur t’ish e vërtetë se Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull, e si âsht e mundun qi ata i kanë ruejtun të gjitha ato sênde të çmueshme, qi janë shpresa e gjallërrojtjes së tyne t’ardhshme?
Në vjetin 1913 Evropa e njofti vetqeverimin e Shqipnís. Po sot ç’ka duhet bâmë? Të shumta janë çâshtjet qi munden m’u vû në veprim, e për Italín kish me qenë nji përgjegjsí shumë e rândë me shtî në Shqipní autoritetin e vet (edhe me ânë të mandatit), kundra vullnetit të nji populli qi ka dijtë me qindruem kundrejt intrigavet e ndjekjevet për sa shekuj të fqîjvet të vet. Europës pra i rri nji detyrë : o me themeluem nji Shqipní të madhe e të lirë, si e kërkon vetë vêndimi i nji populli, ose Shqipnín e shëmtueme mbi themele të traktatit të 1913.
Mbledhja u mbyll tue votuem nji urdhën dite, mbas të cilit u bâhet e njoftun Fuqive të Mëdhà se nuk duhet t’i harrojnë premtimet e tyne të dhânuna për mprojtjen e popujvet, tue protestuem kundra mundimevet për me rregulluem çâshtjen e Adriatikut, tue dâmtuem Shqipnín e tue kërkuem qi Shteti shqiptar të themelohet e tue shpresuem se Shoqnija e Kombevet t’a rregullojë çâshtjen e tokavet shqiptare qi mbeten për t’u liruem. Ndër çâshtjet e jashtme mâ me rândsí âsht ajo e Vlonës, e cila për né âsht me interesë gjallnore, se prej saj varet edhe fati i Shqipnís. Na kemi besim të plotë se Italíja, e cila qe nji nga përkrahset mâ të para të themelimit të nji Shqipníje vetqeverimtare e qi me aq madhní në Gjinokastër, n’emën të M.T. Mbretit të vet e përnjoftoi vetëqeverimin e Shtetit t’onë, ka me hjekë dorë prej lakmimeve mbi limanin t’onë, tue u bâmë n’interesë të sajën e t’onën nji mprojtse e Shqipnís së shkretë e kështu me fituem miqësín e vërtetë të Shqiptarvet.
Jugosllavija, e cila nën sundimin e vet mban gadi nji miljon shqiptarë, e qi faqeza zyrtarisht e ka treguem sympathín e vet kundrejt nesh, tue lypë pavarësín tokësore e shtetnore të Shqipnís së 1913, kemi shpresë se n’interesë të sajën ka me i liruem disa vise strategjike të Shqipnís qi mban nën pushtim, edhe në marrëveshtje me qeverín t’onë, ka me i penguem shkapërcimin e livrimin e lirë t’atyne elementavet qi duen të sjellin turbullime e bâhen shkak me sjellë ftoftësí e anmiqsí në mes t’onë. Në nji marrëveshtje me qeverín t’onë ka me i rregulluem miqësisht disa çâshtje politike e ekonomike aq me rândësí për të dy palët.
Greqíja, simbas lajmeve të fundme t’ardhuna prej kufîjvet të jugut âsht tue u sjellë shumë mirë kundrejt nesh e âsht shpresa e plotë se qeverija greke ka m’e prapsuem politikën e saj imperialistike, qi ka ndjekë deri vonë e se, tue marrë para sŷsh, se të mkâmbunit e nji Shqipnije të madhe me kufîjt e saj etnikë âsht nji nevojë edhe për gjallnimin e saj, ka me mbajtë nji politikë mirëdashëse kundrejt atij kombi qi âsht atdheu i Boçarit, Xhavellës, Miaulit, Bubulinës e tjerë fatosavet, qi luftuen me aq famë për vetëqeverimin e Greqís.
*Botuar në “Agimi” N.3 Maj 1920
RUSIA DHE GJENOCIDI SERB NË SREBRENICË
Nga Frank Shkreli/
Me rastin e 20-vjetorit të masakrës serbe mbi popullatën civile boshnjake në Srebrenicë të Bosjnjës, Britania e Madhe kishte paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të cilësuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, me emërin që i takon dhe që meriton, dmth., një krim gjenocidi kundër njerëzimit. Ky përvjetor shënon pra vrasjen e nja 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë civilë të paarmatosur nga forcat kriminale serbe.
Rusia e tregoi edhe njëherë veten se sa do të neveritshme të kenë qenë krimet serbe ndaj popujve të ish-Jugosllavisë gjatë luftërave të 1990-ave në Ballkan, aq më tepër Moska i jep mbështjetjen e saj Serbisë, madje edhe në nivelet më të larta ndërkombëtare siç është OKB-eja. Projekt-rezolutës së sponsorizuar nga Londra i vuri veton përfaqsuesi rus në OKB, Vitaly Churkin, duke e quajtur atë si, “ballafaquese” dhe si të “motivuar politikisht”. Ambasadori rus ka arsyetuar përdorimin e vetos ruse kundër kësaj rezolute duke thënë se miratimi i saj nuk do të ndihmonte paqën në Ballkan, por do të “zhytëte rajonin në tensione të përhershme”. Por, sponsorizuesi i kësaj rezolute, ambasadori britanik Peter Wilson me të drejtë akuzoi Rusinë se po mohon faktet historike të luftës në Bosnje, fakte të cilat janë provuar tashmë nga një Gjykatë e posaçme ndërkombëtare. Diplomati britanik citohet të ketë thënë të mërkurën se, “Është përgnjeshtrimi i këtyre fakteve të provuara dhe të dokumentuara — dhe jo projekt-rezoluta, ajo që do të shkaktojë ndasi dhe përçarje. Gjenocidi ka ndodhë në Srebrenicë”, pohoi ai. “Ky është një fakt ligjor dhe jo një vlerësim politik. Në lidhje me këtë nuk ka kompromis”, ka theksuar ambasadori i Londrës pranë OKB-ës. Përfaqsuesi britanik në New York, citohet të ketë thënë se, mohimi i krimeve dhe i gjenocidit përbën fyerjen përfundimtare ndaj vikitmave të pafajshme.
Ndërkaq, Kryediplomatja amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, Samantha Powers, e ka cilësuar veton ruse si “Një veto kundër fakteve të provuara dhe të dokumentuara mirë”, dhe shtoi se projekt-rezoluta pot ë miratohej nga Këshilli I Sigurimit, do të kishte dënuar rëndë gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, 20-vjetë më parë. Ajo shtoi edhe se vetoja e Rusisë ndaj projekt-rezolutës, jo vetëm se ishte pikëlluese për familjet e viktimave, por si e tillë përbën edhe një pikë të zezë në punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksoi ambasadorja e Shteteve të Bshkuara pranë OKB-ës.
Masakra e Srebrenicës, e cila është cilësuar si një krim gjenocidi jo vetëm nga Gjyktata e Posaçme mbi krimet në ish-Jugosllavi, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konsiderohet si një dështim moral dhe politik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara si edhe i disa shteteve perëndimore të cilat nuk parandaluan gjenocidin e burrave dhe djemëve boshnjakë, pikërisht në Srebrenicë që ishte caktuar nga vet OKB-ja si një oazë strehimi i civilëve nga lufta. Masakra në Srebrenicë të Bosnjës konsiderohet si më e tmershme e këtij lloji ç’prej Luftës së Dytë Botërore dhe sot gazeta New York Times e cilësoi përdorimin e vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një masë që, “Shënon një pikë të re poshtëruese në marrëdhënjet midis fuqive botërore.”
Nuk është për tu habitur as nga reagimi i Serbisë ndaj përdorimit të vetos ruse kundër projekt-rezolutës britanike që do të kishte përcaktuar masakrën e Srebrenicës si një krim gjenocidi. Reagimi nga Beogradi ishte i shpejtë dhe i pa pikë turpi nga Presidenti i Serbisë, Nikoliq — i cili e cilësoi ditën që Rusia përdori veton në OKB kundër rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, si “Një ditë e madhe për Serbinë”. Ndërsa agjencia e lajmeve franceze raporton reagimin e organizatës së Nënave të Srebrenicës, e cila akuzon Moskën duke u shprehur se nuk habiten nga vetoja ruse në OKB, pasi Rusia në të vërtetë “Po mbështet kriminelët, ata të cilët vranë fëmijtë tanë”, dhe citon kryetaren e Nënave të Srebrenicës, Munira Subasic, e cila ka paralajmëruar se vetoja ruse në OKB sipas saj “ka lënë derën hapur për një luftë të re.”
Ndërkaq në Washington, vetëm disa orë pasi Rusia përdori veton ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara në New York për të dënuar masakrën në Srebrenicë 20-vjetë më parë nga forcat serbe kundër rreth 8-mijë burrave dhe djemëve boshnjakë, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit Amerikan miratoi unanimisht legjislacionin e paraqitur nga kongresmeni Chris Smithqë e cilëson masakrën e Srebrenicës si një “Krim Gjenocidi”. Rezoluta e Kongresit përcakton se agresioni dhe spastrimi etnik i kryer nga forcat serbe në Bosnje, përbën gjenocid dhe njëkohësisht masa e Kongresit dënon deklaratat që mohojnë se masakra e Srebrenicës nuk përbënte gjenocid.Në një deklaratë për media, sponsoizuesi i rezolutës së Kongresit, Kongresmeni Smith ka theksuar se, “KomunitetiNdërkombëtar duhet të ri-angazhohet për të sjellur para drejtësisë njëherë e mirë, të gjithë ata që kanë kryer këto krime të shëmtuara”, duke shtuar se, “Këto vrasje brutale nuk janë kryer në fushë të betejës”, dhe thekson se, “ato ishin vrasje kundër njerëzve të pa armatosur dhe të pa ndihmë, ndërkohë që ata ishin siguruar nga forcat paqësore holandeze se nuk do tu ndodhte gjë e keqe nëqoftse do të dorëzoheshin” forcave serbe të kriminelit Mladiq. Kongresmeni amerikan shtoi se, “Rezoluta ime rithekson edhembështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj faktit se masakra në Srebrenicë ishte në fakt gjenocid – dhe u përcjellë njëkohësisht ngushëllimet më të thella familjes, dhe miqëve të viktimave.”Legjislacioni amerikan i miratuar nga Kongresi të mërkurën i bën gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të vazhdojnë të mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, si dhe paqën dhe stabilitetin në Europën Jug-lindore, në përgjithësi.
20-vjetori i gjenocidit ndaj 8-mijë boshnjakëve në Srebrenicë shënon ngjarjen e tmershme të vrasjeve më të shëmtuara gjatë konfliktit në Bosnje nga Prilli 1992 e deri në Nëntor 1995 – gjatë së cilës periudhë u çvendosën nga shtpëpitë e tyre më shumë se 2-milion veta ndërkohë që u vranë më shumë se 100-mijë të tjerë, ndërsa u përdhunuan, u torturuan dhe për ndryshe u abuzuan dhjetëra mijëra të tjerë.
Ky përvjetor u shënua dje edhe nga Zëri i Amerikës në Washington me një simpozium titulluar: “Bosna: 20-vjetë pas Srebrenicës”, ku ishin të ftuar për të diskutuar ekspertë të çështjeve të Ballkanit, gazetarë dhe diplomatë të huaj përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Washington Floreta Faber, ndërsa Republika e Kosovës u përfaqësua nga Këshilltari i Ambasadës së Kosovës në Washington, Sami Kastrati.Simpoziumi vlerësoi ngjarjet në Bosnje në kushtet historike dhe në kontekstin zhvillimeve drejtë pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit. Njëri prej pjesëmarrësve në simpoziumin e VOA-s dhe njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Profesori Daniel Serwer theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm perëndimor në Bosnje, ndërkohë që shtoi ai, “Vemë re se disa qarqe po përpiqen të shlyejnë fjalën gjenocid nga historia, unë shoh vazhdimin e përpjekjeve të kohës së luftës në atë vend.”
Gjenocidi serb në Srebrenicë është cilësuar si barbarizma më e tmershme në Europë ç’prej hollokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore kur janë masakruar 6-milion hebrejë.Është një përvjetor që thërret për drejtësi, për llogaridhënje dhe për dënimin e të gjithë atyre që kryenë këtë gjenocid dhe të tjera maskara si kjo, përfshirë gjenocidin e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.Në këtë mënyrë do të nderohen viktimat dhe mundësisht do të parandalohet përsëritja e barbarizmave të tjera si këto në të ardhmen. Por venja e vetos dje nga ana e Rusisë ndaj rezolutës së OKB-ës që do ta cilësonte gjenocidin serb në Srebrenicë me emërin që meriton, dhe shpallja e kësaj “fitorje” nga presidenti i Serbisë si një “Ditë e madhe për Serbinë”, tregon fatkeqsisht se bota nuk ka mësuar asgjë nga historia fatkeqe e 20-viteve më parë dhe si e tillë nuk përjashtohet mundësia se ajo histori – sado e tmershme të duket në këtë 20-vjetor — mund të përsëritet në rajonin e Ballkanit. Pa një pranim të së vërtetës dhe pa përballim nga ana e Serbisë me atë histori të përgjakshme dhe pa marrë përgjegjësi morale, dhe ndërkohë që Beogradi dhe populli serb nuk kërkon falje sinqerisht dhe botërishtpër barbarizmat ekryera në emër të tij ndaj popujve tjerë të atij rajoni – është vështirë se Ballkani nuk mund t’i këthehet normalitetit.
Flet specialisti:Hyrja në Parkun e Tiranës
Shkruan:arch.Ylber Vokshi -Ylli/
Rregullisht i vrojtoi veprimet urbane në Shqipëri si pjesë i një tërësie Hapësinore dhe Urbane të popullit Shqiptar në rajonin e Ballkanit. Rasti i fundit i ndërlidhura me konkursin ndërkombëtar për projektin ideor i emëruar “Hyrja në Parkun e Tiranes” për mua ishte jo bindëse. Paksa isha i befasuar me “ngutin”e promovimit të konkursit,i cili ngjau mu në fazën e një “vakumi institucional”, kur ende nuk është bërë transferimi i pushtetit lokal, i cili do të bëhet pas disa dite (20 korrik). Nga aspekti profesional kjo procedurë nuk ka fare rëndësi dhe është e tepërt të parashtrohen këso pseja,të cilat munden me qenë të shumta dhe ndërlidhën me konotacione të ndryshme jo profesionale,të ngjyrosura politikisht,që shoqërinë Shqiptare e dërgojnë në qorrsokak. Në fillim”fajësova”veten përse nuk isha i informuar më parë për konkursin me karakter ndërkombëtar,por së shpejti i binda se nuk isha i vetmi.
Se mënyra e zgjidhjes së problemeve urbane me anën e konkurseve,është mënyra ma e mirë e cila praktikohet në tërë botën,ketë metodë kurrsesi nuk duhet kontestuar. Pa rezervë i kamë përkrahur konkurset arkitektonike dhe urbanistike për qendrën (plani Francez),sheshin ”Skënderbej”, si dhe Planin Rregullues të Tiranës të aprovuar në vitin 2011. Kisha një shpresë që ma në fund shqiptarët do të fillojnë të punojnë me normat dhe standardet ndërkombëtare në fushën e urbanistikës. Kjo qasje pozitive ndaj hapësirës urbane pritej të reflektohej edhe në territoret tjera shqiptare e posaçërisht në Kosovë,ku kjo problematikë fare nuk trajtohet seriozisht. Me të drejtë në vitet e fundit ,kishte reagime nga arkitektët dhe urbanistët vendor,përse fare nuk respektoheshin idetë e tyre origjinale dhe shumë ma produktive,por trendi dhe kërkesat ishin të tillë,ma shumë iu besohej të huajve,pa marr parasysh kualitetin e punës së tyre.
Çështje esenciale, është se si i qasemi zgjidhjes së problemeve të shumta urbane që i ka çdo shoqëri,kuptohet edhe shoqëria shqiptare. Rast eklatant, tërësisht i gabuar,është edhe rasti i fundit i konkursit arkitektonik për “Hyrjen në Parkun e Tiranes”. Nuk e kamë aspak të qartë se si dikush mundet të mendoi në mënyrë të tillë, se si është përpiluar detyra apo programi projektues për konkursin ,me disa kërkesa absurde për vendosjen e disa objekteve brenda kufijve të parkut. Si mundet të projektohet një përmbajtje e tillë pa e rrezikuar Sheshin “Nëna Tereza” me vlera të mëdha historike,që së fundi me rastin e vizitës së Papës u rinovua dhe po e rikthen funksionin e vet.
Me arrogancë nuk respektohen aspak dokumentet ekzistuese urbane në rastin konkret, gjegjësish Plani Rregullues Urban i Tiranës. Ai obligon të gjithë t’i nënshtrohen,ai është ligj urban që duhet zbatuar,pa marr parasysh se kush nga partitë politike udhëheqin Tironën. Vazhdimësia urbane nuk është dëshirë e dikujt,ajo është një domosdoshmëri të cilën duhet respektuar, u pajtuam apo jo për hir të disiplinës urbane në një kryeqytet .
Jetojmë në shekullin e ri ku metodat e vjetra të planifikimit konvencional urban janë tejkaluar më planifikim hapësinor dhe urban STRATEGJIK, i cili karakterizohet me fleksibilitet të madh,natyrisht duke iu përmbajtur principeve,rregullave dhe standardeve urbane ndërkombëtare. Edhe nëse konsiderohet se ndonjë zgjidhje urbane është e tejkaluar,atëherë i tërë procesi i ndryshimit apo plotësimit të saj duhet t’i nënshtrohet procedurave teknike dhe ligjore,të njëjta ashtu si është aprovuar. Ashtu veprohet në tërë botën e civilizuar,e në rastin konkret të hyrja në parkun e Tirones nuk është vepruar.
Ma së paku do të ndalëm në projektet e prezantuara për konkurrim me ide arkitektonike për hyrjen në parkun e Tironës. Si duket të gjithë ishin të befasuar me konspiracionin që e ka përcjell këtë projekt,disa ishin të hutuar,të befasuar me mënyrën se si u “fsheh”nga opinioni ky konkurs. Kishte reagime publike të shumta se i tërë ky veprim ndihmon në vazhdimin e betonizimit të qendrës së kryeqytetit, në dëmtimin e sheshit “Nenë Tereza”,në humbjen e gjelbërimit ,në grabitjen e një pjese të parkut, me propozimin e ndërtimit të disa objekteve të reja deri në tetë kate etj.
Interesi i përfitimeve materiale është tendencë normale e çdo individi,por të ndikohet direkt në dëmtimin e hapësirave publike të definuara në aspektin urban, nuk mundet të ketë arsye të shëndosha pos atyre abuzive. Edhe një element indikativ,përse Ministria e Zhvillimit Urban nuk ishte bartësi kryesor i projektit-konkursit,ashtu si veprohet zakonisht. A ka menduar dikush nga hartuesit e programit për projektim, se sa implikime negative do të kishte vendosja e kapaciteteve shtetërore në hapësirat e një parku rekreativ,posaçërisht atyre të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Një tentim të tillë të dështuar ka pasur edhe në Kosovë, para dhjetë (10) vite,me fillimin e ndërtimit të një objekti shtetëror në Prishtinë në parkun Gërmija.
Nga “presioni” i brendshëm apo nga dikush tjetër,për të shmangur reagimet e shumta nga profesionistët,nga intelektualët e shumtë,nga qytetarët e thjeshtë të Tironës,nga shoqëria civile edhe të tjerët,juria e “shtyri” vendimin për shtator 2015 për të zgjedhur fituesin e konkursi,kinse asnjeri nga punimet nuk i plotësonte kushtet . Sipas bindjes time kjo është vetëm “blerje e kohës”,nëse lejohet ata do të tentojnë prapë të realizojnë synimet e tyre djallëzore,po u brengosur për vazhdimësinë e shkatërrimit urban të Tironës. Kërkesa parësore e qytetarëve të kryeqytetit duhet të jetë konkrete, konkursin duhet anuluar e jo shtyrë,ai do të shkakton devijime të reja urbane të cilat nuk duhet lejuar.
Kjo qasje është e pa-pranueshme,degraduese,nënçmuese për tërë një shoqëri. Nga ku ai guxim të veprohet kështu,a duhet të jep dikush përgjegjësi,apo dikush e konsideron qytetin e Tiranës si pronën personale,me të cilën mundet të bëjë çka të doje, pa respektuar asnjë rregullore urbane apo morale. Kjo tërë një shoqëri e dërgon në humnerë. Gjithsesi me forcën e argumenteve duhet ndaluar dhe demaskuar të gjithë ata që veprojnë kështu,ky është obligim qytetar edhe kombëtar.
Se kjo formë e punës abuzive të gjithë neve po na hakmerret keq, e tregon rasti ma i freskët i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pasi vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit gjatë dy viteve të fundit, vendosi në mënyrë unanime që kjo pasuri mos të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
A jemi të vetëdijshëm për këto veprime që në thelb dëmtojnë mirëqenën tonë urbane,arsyetimet e ndryshme fare nuk janë bindëse,përkatësia partiake fare nuk i intereson faktorit ndërkombëtar i cili kërkon punë konkrete e cila neve na mungon.
Prishtinë arch. Ylber Vokshi -Ylli
09.07.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com ose Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)
- « Previous Page
- 1
- …
- 776
- 777
- 778
- 779
- 780
- …
- 975
- Next Page »