• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. SAMI REPISHTI- LETER TE HAPUN PER AMBASADORIN GJERMAN NE TIRANE

June 25, 2015 by dgreca

LETER E HAPUN/

The Hon. Hellmut Hoffmann/

Ambasador, Republika Federale e Gjermanise/

Ambasada Gjermane, Rruga Skenderbeu, Nr.8/

Tirane, Shqiperi /                                                                       

/22 qershor 2015/

Shume i nderuemi Z. Ambasador:Quhem Sami Repishti. Jam nji qytetar amerikan me kombesi shqiptare.Kam linde ne Shkoder (Shqiperi) me 1925, ku kam mbarue edhe studimet fillore e te mesme.Si student, kam kundershtue rregjimet e dy okupatoreve fashiste dhe naziste. Ne vitin 1943, babaj im, 61 vjeçar, ra viktime e terrorit fashist. Ne 1944, kusherini im 18 vjeçar u ekzekutue ne kampin nazist te Mauthausen (Austri).Ne vitin 1945, kundershtova vendosjen me dhune te pushtetit komunist ne Shqiperi; per kete u denova me 15 vjet burgim dhe pune te detyrueshme. I liruem ne 1956, i perbuzun dhe i perndjekun, u arratisa ne ish Jugosllavine, ku u mbajta incommunicado per nji vit, dhe ma vone u mbylla ne nji kamp refugjatesh. Ne 1961, hyna ne Itali dhe ne 1962 emigrova ne Shtetet e Bashkueme te Amerikes si refugjat politik, ku banoj edhe sot me familjen time.

Gjate viteve te banimit ne kete vend, perfundova me sukses studimet e masterit (MA,1969) dhe ate te doktoratit ne frengjisht (’77,French) prane universiteteve te Parisit (France) dhe te City University of New York. Kjo me mundesoi dhanjen e mesimeve, frengjisht dhe italisht ne gjimnaze amerikane dhe si pedagog i jashtem prane Universitetit Adelphi (N.Y). Para dhe mbas pensionimit (1991),kam perqafue kauzen e te drejtave te njeriut me theks ne Shqiperi, dhe ne zonat me shumice popullsie shqiptare:Kosova, Maqedonia, Presheva, Mali i Zi dhe Çameria.

Sot, perfitoj nga rasti me ju shkrue i inkurajuem nga veprimtarite e ketyne diteve te fundit ne te miren e viktimave shqiptare te terrotit komunist gjysem-shekullor, dhe veçanerisht i inkurajuem prej inisiatives ndertuese te Ambasades se Republikes Federale te Gjermanise, ne bashkepunim me Zyren e OSCE ne Tirane, me nxite nji dialog publik mbi te kaluemen komuniste ne Shqiperi. Kjo ndermarrje e perbashket synon me fitue “…nji panoramete qarte te nivelit te njohunive nga shtresat e ndryshme te shoqenise rreth se kaluemes si dhe nji thellim drejt shpresave dhe shqetesimeve ne trajtimin e trashegimise se rregjimit te mapareshem”. Shpresohet se rezultatet e nxjerruna do te na ofrojne mundesi per ma shume ndermarrje gjitheperfshirese te reja mbi kete subjekt, siç raportoihet nga shtypi shqiptar ketu ne Amerike.

Zyra e OSCE, Tirane, institucioni i ngarkuem me kete “projekt” do te kerkoje –dhe mundesisht do te gjeje- perkrahjen e seksioneve te ndryshme te shoqenise civile shqiptare: ne shkolla te mesme,(sidomos ne shkolla), dhe ne bashkesi ne pergjithesi, aty ku do te zhvillohen diskutimet serioze qe kane te bajne me historine e shkeljeve flagrante te te drejtave ma elementare te njeriut nga rregjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe “banda”: e tij kriminale,. Shpresohet se nga fundi i ketij viti, kjo veprimtari do te kulmoje ne nji dialog te gjane e te thelle. Per kete perpjekje ne kerkim te se vertetes, dhe kambengulje me gjete rrugen e pajtimit, une jam thelllesisht mirenjohes te gjithe fondacioneve gjermane, e ne rradhe te pare “Fondac ionit Conrad Adenauer” per kontributin etyne te vlefshem.

Jam dakord qe per sukses, inisiativa duhet kryesisht te jete nji inisiative shqiptare, thellesisht e ndieme nga shqiptaret e gatshem, e te afte me u angazhue. “…u takon shqiptareve te vendosin saktesisht se si deshirojne te trajtojne kete detyre”. Pershendes perfundimet e Z. Florian Raunig, perfaqsues i Zyres se OSCE, Tirane, qe “…deri tani ka pase nji mungese vullneti te elitave politike ne te kaluemen “, dhe mbeshtes kambenguljen e tij se tani “ata duhet te bajne ma shume”. Ai po fillon nji “project” i bindun per nevojen imperative te nji dialogu shqiptar gjitheperfshires, gjithashtu edhe “…per inisiativat e ndryshme te propozueme deri tani per trajtimin e kesaj historie te veshtire”,deklaroi Z.Raunig

Me 2 qershor, ne nji seminar mbi kete subjekt, te organizuem dhe te mbajtun ne Ambasaden gjermane ne Tirane, Z. Roland Jahn, nji personalitet shume i respektuem dhe me eksperioence te gjane, informoi pjesemarresit se procesi i hapjes se dosjeve te periudhes se komunizmit duhet tejete “nji inisiative e hapun dhe shume dimensionale”. Ai shtoi se “…trajtimi i se kaluemes nuk ashte thjesht nji rishikim i dosjeve; ne esencen e tyne ata jane thelbesisht qenie njerezore, viktima te damtueme brutalisht- dhe ne duhet te sigurojme viktimet qe ata do te shohin nji zhvillim permiresues nga ky process. Perndryshe, ç’fare vlere ka hapja e dokumenteve?…. Ne duhet t’i vejme ata ne dispozicion te viktimave, keshtu qe ata te njohin te kaluemen ma mire, nji e kalueme qe ne shume raste ka qene e tmerrshme, e paimagjinueshme”.

E thane thjeshtesisht, procesi nuk ashte nji akt individual por institucional , dhe nuk bahet me kenaqe çapkenet, por per arsye ekzistenciale. (Ne Gjermani) “…kjo ka qene nji sfide shume e madhe para se te aplikohej ligji mbi dosjet…Transparenca ashte shumedimensionale,veprimtarite (auditive dhe ) visuale, qasje shkencore, filmim i deshmitareve, dhe filma me metrazh te gjate…” keshtu qe popullsia te mesoje sa ma shume mbi padrejtesite e kryeme nga instrumentet e diktatures. Ndriçimi i se kaluemes sherben nevojet tona tashti, dhe ne te ardhmen.

“Rezultatet e arrituna do te na ndihmojne me shkule nga rranjet personat me te kalueme kriminale tashti ne Administrate dhe sherbime publike, do te rrite mirebesimin ne Qeverine –qendrore dhe lokale- dhe do te pengoje ri-hymjen ne sherbime publike te ish agjenteve te policise sekrete” deklaroi Z. Jahn. Vetekuptohet se ky duhet te jete edhe nji objektiv kryesor i inisiatives. “Sa ma shume kuptojme diktaturen, aq ma mire do te ndertojme themelet eshendoshta te demokracise sone”. Ashtu si ngjau ne Gjermani”….hapja e dosjeve te STASI-t, mundesoi ndryshimin e elitave politike dhe shoqenore”. Une aprovoj plotesisht qendrimin e Z. Jahn se “…ne Shqiperi ka probleme specifike qe kane te bajneme trajtimin e diktatures komuniste; megjithate, menyra e zgjidhjes se tyne duhet tebahet me bashkebisedime direkte, dialoge te hapuna ne mes te paleve te ndryshme, sepse gropa e madhe qe ka lane e kaluemja komuniste mund te mbyllet vetem me bashkepunim ne mes njeni tjetrit, dhe jo me kundershtim te njeni tjetrit”.

Ashte shume inkurajuese per mue, viktime e diktatures komuniste, me lexue mbi “ekspoziten” e organizueme nga Ambasada e juej ne Tirane, me 12 qershor ne Muzeumun e Historise Kombetare. Ju folet mbi viktimet gjermane te “pastrimit etnik” (shumica e tyne, per definicion, viktima te pafajshme.) te kryeme sidomos ne Poloni dhe ne ish Çekosllovakine, ne vitin 1945. (Shqiptaret e njohin mire kete absurditet sidomos ne Kosove). Per fat te mire, ata gjeten nji “memedhe” gjermane- e veçanerisht ne Gjermanine Perendimore,. Mbas vitit 1918, ky mekanizem mbrojtes mungonte. Gjermania ne tanesi ishte ne pamundesi me u ngrite nga shkaterrimet e luftes me forcat e veta. Sirrjedhim, shume gjermane, sidosos te rinj pa eksperience kthyen shikimin e tyne drejt “aventures” ne vende me aksion te forte dhe te dhuneshem. Ata ishin “pa memedhe” (Heimatloss).

Kjo ka qene pozita e ma shume se nji miljon shqiptareve mbas ramjes se turpshme te komunizmit ne 1990-91; ata nuk kishin nji mbeshtetje, prandej ata leshuen vendin e tyne, iken, shpesh here me rrezik tejetes me toke, me det , me ajr ,me gjete lirine e mohueme, dhe me evitue vorfenine e madhe ne nji vend te shkaterruem ekonomikisht, e te çorodituin shoqerisht. Frike e depresion, uri e poshtenim kane qene trashegimia e komunizmit ne Shqiperi . Ju flitni per nji “…Shqiperi , nji vend qe afer gjysem shekulli ka vuejte nen diktaturen staliniste, dhe qe ka sprovue çdo tragjedi dhe çdo forme vuejtjeje njerezore qe ajo mund te duronte ne kurriz…Shpresa e ime ashte “– ju deklaruet- se “ …’projekti ‘do te ndihmoje ne inkurajimin e nji debati ne kete vend dhe rrugen qe duhet marre per trajtimin e dekadave te gjata te tiranise, dhe trashegimit qe la mbas vetes…” Ju keshiloni personat qellim-mire,”…me kuptue mire tragjedite e shekullit te kaluem, dhe konditat qe krijuen ata, dhe, me marre mesimin qe nji angazhim ndertues, nji bashkepunim paqesor mund te jap fryte kur pengesat jane te medha; dhe, vetem atehee mund te themi se diçka kemi arrite”.

Z.Ambasador:

Vizita e juej ne kampin e debimit ne Tepelene, dhe ne Muzeumin e ri te te Persekutuemeve ne Shkoder, qyteti i im i lindjes, me kane preke ne menyre te veçante, dhe per arsye intime. Nana ime (54), motra(14) dhe vellau (11) kane kalue disa vite te veshtira ne Tepelene ne kondita shume primitive. Sa per Muzeun e Shkodres, ai u ndertue me inisiativen e ish shokeve te burgut (kryesori bashkevuejtesiAhmet Bushati) pikerisht ne vendin ku ma pare ishin qelite e tortures dhe zyrat e hetuesise shnjerezore gjate regjimit komunist. “Sigurimi i Shtetit”, nji institucion jo-ligjor dhe anti-njerezor punonte aty, i paturp, brutal, injorant deri ne dhimbje, dhe i pameshireshem…! Njizet vjeçar, une kalova shume muej aty, ne ato qeli te erreta ne doren e roboteve te pashpirt. Edhe sot, 70 vjet ma vone, tronditem kur mendimet qe nuk pengohen me shkojne ne ato vende. Tue vizitue keto “vende djallzore” ku pafajnia u vra vetem sepse nuk pranoi shnjerezimin e detyrueshem, as krimin si akt i pranueshem ne nji shoqeni te qytetnueme., ju keni manifestueperbuzejen tuej per xhelatin. Ka qene nji barbarizem qe perballonte ndershmenine, dinjitetin, deshiren per liri. Ju deklaruet:”… torturuesit do te fitojshin sikur kujtesa e jone per viktimet te shuhet”. Do te deshirojsha te shtoi:” “harresa e viktimes ashte vrasja e saj e dyte.” Me e lejue don te thote me mohue esencen e humanitetit tone. Don te thote te dorezohemi para asgjasimit!Dhe perfundimi i juej lgojik:” Forconi solidaritetin tuej, ne mes te njeni tjetrit.Mos lejoni ndamjet.Problemet e perbashketa duhet te paraqiten se bashku dhe ne frymen e solidaritetit” vlen sidomos per te gjithe ne, bashkevuejtesit!Por kjo nuk ashte rruga e ndjekun nga”elitat politike” qe nga viti 1991. Qe nga ajo dite, njena pale mbas tjetres, te gjitha forcat e medha politike te vendit kane punue mekambengulje me perça viktimet e diktatures – me kercenime, me rushfete, me favore, dhe me forma tjera komprometuese. Ky ashte nji sekret qe e njohin te gjithe…edhe na, te persekutuemet. Me bashkue forcat e viktimave per denimin e se kaluemes, me i mobilizue ata dhe me i pergatite per nji rol ma me randesi ne jeten politike dhe shoqenore te vendit tone sot, si dheper nji te ardhme ma te mire per ata dhe per femijte e tyne, do tejete nji sfide qe duhet tejkalue. Madhesia e kesaj sfide ashte ne perpjestim te drejte me fisnikerine e kauzes qe mbrojme.

“Projekti’ i juej tregon rrugen qe duhet ndjeke, nji rruge premtuese qe do te na nxjerre nga qorr-sokaku ku kemi ra. Une e perkrahe ate me bindje. Dhe deklaroj mirenjohjen time per ju, per koleget tuej, dhe per te gjithe ata ne Shqiperi, ose perjashta, qe vullnetarisht japin ndihmen e tyne me ba qe ky “projekt” te realizohet.

Me urimet e mia ma ta mira; sinqerisht i jueji:

Sami Repishti, Ph.D.

ish i burgosun politik

P.S. Versioni shqip i ketij shkrimi ashte nga vete autori. Origjinali ashte anglisht.

Filed Under: Analiza Tagged With: gjerman, LETER E HAPUN PER AMBASADORIN, ne Tirane, Sami repishti

GJYKATA SPECIALE NUK DO TA PASTROJE SKENEN POLITIKE

June 25, 2015 by dgreca

NGA FAIK KRASNIQI/Ne si popull dhe medie, pikë së pari nuk jemi në dijeni se kush me të vërtetë do të akuzohet nga Gjykata Speciale, për krimet e supozuara të luftës, në bazë të këtij raporti të Dick Martit! Nëse nga kjo Gjykatë akuzohen politikanët apo individët që kanë krijuar pasuri marramendëse, në kurriz të këtij populli, duke e vjedhur dhe plaçkitur këtë shtet, atëherë është absurde që me paratë e popullit të mbrohen këta persona, që janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e shtetit dhe gjithë shoqërisë! Por nëse nga kjo Gjykatë Speciale akuzohen persona që janë në kushte të rënda financiare, e që kam bindjen se do akuzohen pikërisht njerëz që kurrë nuk ua kemi dëgjuar zërin, por që do të jenë ”kurban” të këtyre politikanëve maskarenjë që do të duhej të futeshin në burg për krime ekonomike dhe vrasje politike, po nga kjo Gjykatë, sepse krime lufte nuk besoj të ketë bërë ndonjë shqiptarë, me përjashtim të rasteve individuale, por nuk mund të quhen krime lufte, sepse dihet botërisht që lufta jonë çlirimtare ka qenë e pastër si loti!

Gjykata Speciale do të themelohet vetëm për krimet e supozuara të luftës, në bazë të raportit të Dick Martit! Por nëse kjo Gjykatë Speciale do t’i trajtonte të gjitha krimet ekonomike dhe vrasjet me motive politike, atëherë me të vërtetë do të ndodhte ai ”tërmet” tronditës, ku do të pastrohej skena politike nga këta politikanë kriminelë e mafiozë, të cilët që 16 vjet e kanë kapur shtetin për fyti, duke e vjedhur, plaçkitur dhe pamëshirshëm e shkatërruan në çdo qelizë të saj dhe në mënyrë të paligjshme e në kurriz të këtij populli, u pasuruan dhe po bëjnë një jetë superluksoze, si të mbretërve dhe pashallarëve, në Kosovën e varfër! Prandaj kjo Gjykatë, pasi që nuk do të merret me krimet ekonomike dhe vrasjet politike, nuk do ta bëjë as pastrimin e skenës politike, nga kriminelët dhe mafiozët e politikës! Kriminelë të veshur me petkun e politikanëve, të cilët janë shndërruar në kancerin e gjithë shtetit dhe shoqërisë dhe fajtorët për shkatërrimin e Kosovës dhe dështimit si një shtet normal dhe funksional! Kështu që ata deputetë të pozitës që gjoja e kundërshtuan themelimin e kësaj Gjykate, se do të votojnë kundër, janë të njëjtit ose shumica prej tyre që do të votojnë Pro, sepse e dinë fare mirë që as ata e as shokët e tyre, nuk do të preken nga kjo Gjykatë, për milionat e vjedhura nga ky popull! Ne si popull e si shtet asgjë nuk do të përfitojmë nga kjo Gjykatë, por vetëm do të humbim edhe nja 10 vite kohë, e në anën tjetër këta kriminelë e banditë prapë do të vazhdojnë të udhëheqin dhe shkatërrojnë Kosovën! Prandaj shqiptarët po tregohen naiv duke menduar që Gjykata Speciale do t’i largojë nga skena politike kriminelët, por e kanë gabim, sepse kjo Gjykatë do të merret vetëm me krime lufte! E ky popull që jeton me ëndrra syçelë, vazhdon ta gënjej dhe t’i krijoj iluzione vetes, se kjo Gjykatë do ta pastrojë Kosovën nga këta kriminelë e banditë, të veshtur me petkun e politikanit!

Filed Under: Analiza Tagged With: faik Krasniqi, GJYKATA SPECIALE, krimi, skena politike

HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

June 25, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të dielën që kaloi në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore anë e mbanë vendit, por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte natyrisht konkurenca për Bashkinë e Tiranës midis kandidatit të Partisë Demokratike, Dr. Halim Kosova dhe rivalit të tij socialist, Z. Erion Veliaj. Pas një fushate agresive progandistike në ekran dhe mbështetjes së fortë nga partia e tij — gjë që i mungonte kandidatit demokrat Dr. Halim Kosova — kandidati i Partisë Socialiste shënoi një fitore dërmuese në kryeqytetin shqiptar.

Por, ajo që më bëri përshtypje duke e ndjekur fushatën nga larg, është fakti se Dr. Halim Kosova ishte një kandidat ndryshe nga ç’kemi parë në Shqipëri këto 25-vitet e fundit.  Duke pranuar humbjen, ai falenderoi përzemërsisht qytetarët e kryeqytetit, siç u shpreh ai, “pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe platformës së tij. Njëkohësisht ai uroi kundërshtarin e tij për fitoren në postin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte kjo një shfaqje qytetërimi politik dhe njerëzor ndaj një kundërshtari politik, që i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë politikës shqiptare të 25-viteve të fundit.  Fenomeni tjetër pozitiv i fushatës së tij ishte se si një kandidat i cili nuk konsiderohet si politikan i karierës, në vend që të zhvillonte fushatën nga studiot e freskëta të televizionit, “Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran”, tha Dr. Kosova në fjalën e tij pas humbjes së zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës.

Ndonëse Dr. Kosova i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, ai duhet ta ndjejë veten krenar sepse me kulturën e tij politike që tregoi gjatë kësaj fushate, ai mund të ketë sjellur një frymë të re në zhvillimin e fushatave politike në vend si dhe një shembull për tu ndjekur në të ardhmen, sidomos në relacionet midis humbësit dhe fituesit në zgjedhje, gjë që deri tani ka munguar — në nivel vendor dhe kombëtar.   Madje edhe rivali i tij politik, Z. Veliaj vlerësoi zhvillimin e fushatës duke i njohur meritën Dr. Kosovës, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, siç tha ai, “Kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë, për përpjekjet që bëri për tu ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë.”

Kjo është gjysma e së vërtetës, sepse po të ishte i sinqert Z. Veliaj do ta pranonte se edhe partia e tij ka ndjekur të njëjtën kulturë politike, duke u  angazhuar në të njëjtat “shpifje, përgojime e goditje nën brez që e helmojnë politikën tonë”, për të cilat ai akuzon partinë rivale në opozitë.  Atmosfera dhe kultura politike që  mbizotëron në Shqipëri është “meritë” e të dy partive kryesore të Shqipërisë. Por në të vërtetë, qe Dr. Halim Kosova ai i cili me fushatën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës u përpoq ta ndryshonte këtë kulturë politike dhe atmosferë shpifjesh e akuzash politike dhe personale, me vend e pa vend.

Është pozitiv fakti se Dr. Kosova u premtoi tiranasve se do të mbetet i angazhuar  në shërbim të interesave të tyre, edhe në të ardhmen.  Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për udhëheqës të cilët vendosin interesat e qytetarit dhe të vendit mbi interesat politike, partiake, personale dhe financiare.   Mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një politikë të qytetëruar për ta nxjerrur vendin nga moçalet politike të Ballkanit ku ka mbetur tash një çerek shekulli.  Kandidatura e Dr. Halim Kosovës, ndonëse humbi në zgjedhjet vendore, mund të shënojë fillimin e diçkaje ndryshe.

Erion Veliaj është fitues i zgjedhjeve për kryebashkiak të Tiranës, por Dr. Halim Kosova, me fushatën e tij tregoi se ai ishte i interesuar në diçka më tepër se në postin e Kryebashkiakut të Tiranës. Se, siç ka thënë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtoni në inaugurimin e tij si president i kombit të ri amerikan, ai ishte për “një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral.”  Dr. Kosova u përpoq të tregonte respekt për të gjithë qytetarët e Tiranës pa dallim partiak ose dallime të tjera,  duke i konsideruar rregullat e fushatës dhe të qytetërimit politik, njëkohsisht edhe si rregulla të moralit.  Mungesa e qytetërimit civil e politik në një shoqëri, ka thënë një ekspert amerikan,  simbolizon jo vetëm një krizë politike, por për më tepër pasqyron një mungesë më të madhe morale shoqërore.

Në një shkrim disa vite më parë mbi nevojën për një politikë më të qytetëruar zhvillimet politike dhe në fushata elektorale nënvijohet ato që cilësohen si qytetërim ose sjelljet të mira politike, për të cilat në anglisht përdoret fraza, “political civility” dhe në frëngjisht përdoret fjala, “civilite” e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët “qytetërim”, ose i “qytetruar”, e që me fjalë të tjera nënkupton  një grup njerëzish të shtëpisë, ose pjesëtarë të një familjeje.  Normalisht, në jetën e çdo familjeje ka disa rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri tjetrin.   Edhe në sistemin dhe jetën politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse zbatohen, duhet të bëjnë të mundur të jetuarit në paqë me dhe në respekt për njëri tjetrin, si dhe duke treguar tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata edhe kundërshtarë politikë dhe sidomos për rivalët politikë.   Ashtu siç ka përgjegjësi çdo anëtar i familjes për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, kombit dhe shtetit ku jetojmë. Kjo vlenë sidomos për klaësn politike.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, thotë në një artikull mbi këtë subjekt se, “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen.  Përkundrazi, ajo që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi ose grupi individësh, për të dëgjuar me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri”, pa marrë parasyshë dallimet ose ndryshimet në pikëpamje.   Ky siç duket ishte edhe mesazhi i fushatës që zhvilloi Dr. Kosova, por fatkeqsisht ishte një zë që nuk u dëgjua nga elektorati. Ishte një zë që u duk se mund të ishte një fillim të ri në diskursin politik shqiptar jo vetëm gjatë fushatës por edhe në jetën demokratike në përgjithësi, duke lënë pas armiqsitë politike të së kaluarës dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend.  Procese këto që gjatë viteve kanë përfunduar vetëm në fortifikimin e mëtejshëm të dy kampeve politike të vendit, të cilat suksesin e kërkojnë në debate dhe argumente për të poshtëruar kundërshtarin dhe jo në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat përballen Tirana dhe e mbarë Shqipëria.  Është pjesë e demokracisë dhe është krejt normale që udhëheqsit politikë dhe votuesit të kenë mendime të kundërta me njëri tjetrin përsa u përket kandidatëve dhe partive, por këto mosmarrveshje zgjidhen më në fund  me anë të votës së lirë.

Zgjedhsit e kryqytetit e kanë thënë fjalën e tyre.  Mbetet për tu pa nëse kandidati dhe partia që fitoi Bashkinë e Tiranës kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon e nevojshme për të ndjekur shembullin që tregoi Dr. Kosova gjatë fushatës elektorale, për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë pa dallim politik ose partiak, për të mirën dhe në favor të interesave të përbashkëta madhore të qytetarëve të kryeqytetit shqiptar dhe të mbarë kombit.

Dr. Halim Kosova zhvilloi një fushatë politike ndryshe nga e kaluara dhe ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë në zgjedhjet e fundit dhe më parë.  Ai dha shembull duke evituar debatet e ligshta politike dhe duke mos ra në kurthën e sulmeve të dobëta personale ndaj kundërshtarit dhe partisë së tij, sulme të cilat janë bërë tani pjesë e debatit të përditëshëm politik .  Dr Halim Kosova humbi zgjedhjet, por jo reputacionin që gëzon si mjek dhe si indidvid dhe tani edhe si politikan.  Si i tillë, ai doli fitues!   Xhorxh Uashingtoni ka thënë, “Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri të keqe” politike.  Edhe për Dr. Kosovën, humbja në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të djelën që kaloi duhet të jetë më e lehtë se humbja e reputacionit të tij dhe besoj se e ndjenë veten se është më mirë të jetë vetëm, se sa në një shoqëri të keqe politike.  Dr. Halim Kosova kishte thënë gjatë fushatës elektorale se po të fitonte postin e kryebashkiakut ai do të bashkpunonte me Kryeministrin Rama. Pa marrë parasyshë meritat ose jo të qeverisë Rama, besoj se ishte hera e parë që një politikan shqiptar i periudhës post komuniste të ketë deklaruar një gjë të tillë për bashkpunim me një kundërshtar politik.  Fushata e Dr. Halim Kosovës vlerësohet në përgjithësi se shënoi një hap të ri përpara në diskursin midis kundërshtarëve politikë në Shqipëri. Si i tillë, megjithë humbjen në zgjedhjet e së dielës që kaloi për Bashkinë e Tiranës, Dr. Kosova doli fitues me kontributin e tij ndaj një diskursi më të qytetëruar politik midis palëve rivale,  për të cilin ka aq nevojë Shqipëria.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Halim Kosova, HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

Mbijetoi në Afganistan, vdiq në Lazarat!

June 24, 2015 by dgreca

Ne Foto:Ibrahim Basha, polici i RENEA-s/

Ibrahim Basha është heroi më i ri i policisë shqiptare.Ai u qëllua për vdekje në Lazarat.31-vjeçari nga Tirana ishte pjesë e repartit special, RENEA.Basha, efektivi i RENEA-s i mbetur i vrarë me plumb në kokë mëgjesin  e 24 qershorit 2015 në Lazarat, kishte një vit që ishte inkuadruar në forcat e RENEA.Për 7 vjet ka qenë në shërbime të ndryshme jashtë Shqipërisë si ushtarak, duke u bërë dhe pjesë e forcave ushtarake Eagle në Afganistan.Mesazhi i fundit që polici i ndjeri, Ibrahim Basha, ka ndarë më shoqërinë e tij në Facebook, ishte një urim për nisjen e muajit të Ramazanit.Më 18 qershor, ditën kur nisi dhe agjërimi, efektivi i RENEA-s Basha i uron besimtarëve myslimanë një agjërim të lehtë dhe të mbarë.

“Mirëmbrëma të gjithëve miq, shoqëri dhe dashamires! Ju uroj agjërim të lehtë dhe të mbarë. Allahu ua lehtësoftë dhe ua pranoftë agjërimin…”, kishte shkruar Ibrahim Basha.Në rrjetet sociale kanë shpërthyer ngushëllimet për Bashën, ndërsa ka pikëpyetje për aksionin e policisë.Shumë komentues thonë nëse dikush do mbajë përgjegjësinë me dorëheqje për këtë ngjarje të rëndë, pasi më parë ishte deklaruar se Lazarati është i pastër.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Partia Demokratike.“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në Lazarat, ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur, me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e një efektivi tjetër.Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile.Partia Demokratike u bën thirrje banoreve të Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të grupeve kriminale,” thuhet në deklaratën e PD.(Mapo)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ibrahim basha, mbijetoi ne Afganistan, vdes ne Lazarat

Rasti i Alush Alushit dhe drejtësia që mungon

June 24, 2015 by dgreca

Nga Fetnete Ramosaj*/

Javën që lamë pas, shqiptari Alush Alushi, i njohur edhe si Alush Suhadolli (75 vjeç) pas përpjekjeve shumëvjeçare arriti ka kthejë shtëpinë e tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky akt tepër i rrallë i lirimit të një pjese të pronës së uzurpuar nga serbët, shkoi aq larg sa që u quajt edhe historik!!!Shtëpinë e tij, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, ngjitur me shkollën fillore “Aziz Sylejmani” (që tash është bërë “Sveti Sava”!!!), siç tha Alushi, ia kishte uzurpuar qysh gjatë kohës së luftës, polici i MUP-it të Serbisë dhe pjesëtari i grupit famëkeq “Rojat e Urës”, Danillo Iliq, i përfshirë edhe në kontrabandë e krim të organizuar. Uzurpimi i pronës së familjes Alushi, kishte ndodhur në të njëjtën ditë kur një grup i forcave policore e paramilitare serbe, Alush Alushit ia kishin vrarë në oborrin e shtëpisë së tij katër anëtarë të familjes: dy djemtë e tij Hilmiun dhe Avniun, të vëllanë Fehmiun dhe djalin e vëllait Rexhepin.

Lidhur me këtë rast, sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, të publikuara me kohë nga kryetari i Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani (shih gjerësisht edhe: Halit Barani, Tmerri i Dokumentuar, Mitrovicë, 2009, f. 4, 230, 304-305), më 28 mars 1999, në orët e pasdites, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, katër paraushtarakë dhe katër policë serbë, shumica prej tyre të identifikuar, kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së Alush Rexhep Alushit në Suhadoll të Poshtëm, ku i ekzekutuan Fehmi Rexhep Alushin (1950), Rexhep (Fehmi) Alushin (1981), Hilmi (Alush) Alushin (1967) dhe Avni (Alush) Alushin (1975). I njëjti njësit i forcave serbe prej andej e vazhdoi rrugën për në Mitrovicë, ku në afërsi të kafenesë “Te Llapa”, i ekzekutuan edhe Eshref (Fazli) Eminin (1946), Qerim (Brahim) Rexhepin (1948) dhe Ahmet (Qerim) Rexhepin (1981) nga fshati Suhadoll i Mitrovicës, miq të familjes Alushi. Përveç vrasjeve e ekzekutimeve të këtyre anëtarëve të familjes, në periudhën prej 15 prillit deri më 19 prill 1999, në shtëpinë e Alush Alushit, forcat okupuese serbe, disa prej të cilëve i ka njohur pronari, plaçkitën 420 mijë marka gjermane, 20 mijë franga zvicerane, 10 mijë dollarë amerikanë, 12 tonë qirinj në vlerë prej 72 mijë markave, 2 mijë kilogramë kafe në vlerë prej 30 mijë markave gjermane dhe 26 mijë kg patate në vlerë prej 26 mijë markave gjermane, për të cilat dëshmitar okular është vet Alushi dhe disa fqinj të tij, thuhet në dëshmitë e KMDLNJ-së.

Gjatë këtyre ditëve, veç tjerash, Alush Alushi, u deklaroi medieve se Danillo Iliqi jo vetëm që ia ka uzurpuar shtëpinë, por është një nga të dyshuarit kryesorë që ia ka vrarë të dy djemtë, vëllanë dhe djalin e vëllait gjatë luftës. “Iliqi ka menduar se e tërë familja ime është zhdukur-vrarë nga forcat serbe, por për fat të mirë kam shpëtuar unë si dhe meshkuj të tjerë, të cilët do t’i dalim zot pronës tonë që e kemi në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës… Polici i Serbisë Danillo Iliq, që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e dy djemve të mi, vllaut dhe nipit, pas lufte më ka pas dërguar fjalë se nëse të shoh në veri do të të vras edhe ty”.

Përveç shtëpisë, Alushit i janë uzurpuar edhe dy dyqane, po në pjesën veriore të Mitrovicës. Madje, pas përfundimit të luftës, polici i Serbisë, Danillo Iliq, kishte ndërtuar edhe një shtëpi tjetër në oborrin e shtëpisë së uzurpuar, përkundër ankesave dhe padive të vazhdueshme të pronarit legjitim Alush Alushi, të bëra në organet gjyqësore. “Që nga ajo kohë unë jam duke u endur nëpër polici dhe gjykata dhe më në fund Gjykata Themelore e Mitrovicës pasi që ka konfirmuar se prona është e imja, ka sjellë edhe vendimin për largimin e Danillo Iliqit nga prona e ime që gjendet në zemër të pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Alushi.

Dita e ekzekutimit të vendimit të gjykatës do të duhej të ishte 29 maji 2015, por si zakonisht, jo vetëm atë ditë, por edhe dy herë të tjera më pas, pjesëtarë të strukturave paralele të sigurisë në veri të Kosovës, kolegë të Iliqit, të cilët kishin sjellë aty edhe nxënës të shkollave të mesme, e kishin penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.

Edhe në këtë rast publikisht u dëshmua veprimtaria e pandërprerë dhe e organizuar e strukturave të të ashtuquajturës “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”) të Serbisë. Siç dihet, pjesëtarët e formacionit që vepron jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës, “Civilna Zaštita”, urdhrat i marrin nga kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës. Ata i zbatojnë planet që hartohen nga Beogradi zyrtar, kurse shumica e udhëheqësve të kësaj organizate, janë me të kaluar ushtarake.

Siç u tha, Danillo Iliqi e liroi shtëpinë e Alush Alushit, nën presionin dhe me kërkesë të drejtuesve të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, dhe me kërkesë edhe të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Kështu, të paktën u deklaroi medieve vet Iliqi derisa po largohej nga prona që e kishte uzurpuar.

Një veprim i tillë, sigurisht ka ndodhur në prag të bisedimeve shqiptaro-serbe, të paralajmëruara për 23 qershor në Bruksel.

Sidoqoftë rasti i Alush Alushit edhe një herë e aktualizoi çështjen e mosndëshkimit të kriminelëve serbë të luftës dhe padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve në veriun e Kosovës, madje jo vetëm atje, e dëshmoi vazhdimësinë e funksionimit të papengueshëm të formacioneve paralele serbe të sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, e tregoi ndikimin e Beogradit mbi minoritarët serbë në Kosovë dhe e riaktualizoi çështjen se kriminelët serbë të luftës shëtisin lirshëm dhe nuk përgjigjen para drejtësisë edhe kur faktet janë të bollshme. I tillë është rasti i Danillo Iliqit, që nuk është rast i izoluar.

*Bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) – Prishtinë

 

Prishtinë,  qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Alush Alushi, drejtesia e munguar, Fetnete Ramosaj, rasti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 783
  • 784
  • 785
  • 786
  • 787
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT