• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Forumi i Dytë “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” në Kosovë

April 18, 2017 by dgreca

1 Mustafa5-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Sektori i energjisë faktor kyç i zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja/

1 Greg ambasad-Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Prishtinë: Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent/

2 Forumi-Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë/

3forumi energjisePRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë u zhvillua sot Forumi i Dytë i nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.

Në këtë forum, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me USAID-in, u prezantuan sfidat kryesore të sektorit të energjisë, Strategjia e Energjisë, iniciativa për liberalizimin e tregut të energjisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tregut.

Në këtë forum ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ministri Blerand Stavileci, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë nga partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo që ka ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në fokusimin në sektorët kyç të zhvillimit, siç është edhe sektori i energjisë.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social të Kosovës edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme. Konsiderojmë poashtu se aq sa ka qenë e rëndësishme aprovimi i kësaj Strategjie, aq i rëndësishëm është edhe angazhimi ynë i përbashkët për implementimin e saj dhe kjo do të jetë prioritet i veçantë i Qeverisë. Poashtu edhe prioritet i bashkërenditjes, në mënyrë që ne t’i arrijmë caqet, të cilat dëshirojmë t’i arrijmë me strategjinë tonë në këtë fushë”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi nevojën që ka Kosova për zhvillimin e burimeve të energjisë, por edhe fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si prioritet i parë i Qeverisë.“Përfundimi i suksesshëm i ndërtimit të këtij termocentrali, konsideroj se drejtpërdrejt do të ndikojë në krijimin e kushteve afatgjata për zhvillim ekonomik dhe rimëkëmbje ekonomike, do të ofrojë kushte, të cilat do t’i sigurojnë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm që ata mund të investojnë në Kosovë pa pasur problem burimin e energjisë elektrike dhe, poashtu do të sigurojë edhe qytetarët dhe bizneset tona këtu, se do të kenë furnizim të rregullt të energjisë elektrike”, tha kryeministri Mustafa.

Kosova, siç theksoi kryeministri, ka prioritet të veçantë zhvillimin ekonomik, një zhvillim propulziv të bazuar në resurse të brendshme dhe në partneritet me investitorët strategjikë të jashtëm, sidomos të sektorit privat dhe në fushën e energjisë.Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se do të punohet edhe në shfrytëzimin e burimeve tjera alternative, në mënyrë që të ketë energji të ripërtëritshme dhe të sigurohet efiçienca e energjisë elektrike, respektimi i plotë i kushteve ambientale, për të cilat duhet të sigurohen kushte të veçanta.

“Mirëpo, për të siguruar këto objektiva strategjike, Kosova ka nevojë të ketë partnerë strategjikë për investim, ka nevojë të ketë ekspertiza komerciale për këto investime, në mënyrë që pastaj të lirojmë buxhetin tonë, që më tepër atë ta angazhojmë për nevoja tjera, për nevoja të arsimit, shëndetësisë, nevoja infrastrukturore dhe për nevoja të nxitjes së sektorit privat të zhvillimit”, theksoi kryeministri Mustafa.Më tej, kryeministri tha se Qeveria ka treguar se mund të demonstrojë një vizion të qartë zhvillimor përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe përmes politikave ditore ekonomike, të cilat kanë krijuar stabilitet makroekonomik dhe buxhetor dhe mundësi për trende afatgjate të rritjes ekonomike.

“Ky është treguesi më i mirë se ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, se Kosova është një vend dhe një shtet stabil, një shtet në të cilin mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësor për investime dhe një shtet i cili mund t’i sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetën këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Një falënderim të posaçëm për bashkëpunimin e deritanishëm, kryeministri Mustafa ia ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorit Delawie, përfaqësuesve të Bankës Botërore, të Bashkimit Evropian, partnerëve gjermanë për përkrahjen në fushën e energjisë, duke shprehur interesimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në implementimin e strategjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se e gjitha që është bërë në kuadër të një vizioni strategjik për të ardhmen e sektorit është përfshirë në pesë objektiva themelore, që kanë vlerë prej rreth 3 miliardë euro, investime që priten në të ardhmen të realizohen në sektorin e energjisë.

“Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike, objektivi i dytë me integrimin në tregun rajonal nëpërmjet realizimit të masave të buta, objektivi i tretë me zgjerimin e sistemeve termike, objektivi i katërt me zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe objektivi i pestë me arritjen e caqeve në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës të realizimit të investimeve me burime të ripërtëritshme të energjisë dhe përmbushjes së detyrimeve që kemi përballë Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, tha ministri Stavileci.Më tej, ministri Stavileci theksoi se lajm shumë pozitiv për sektorin e energjisë në dy vitet e fundit është edhe miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë, që hapë rrugën për liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, e poashtu krijon mundësinë e një tregu konkurrues të energjisë elektrike, synim ky jo vetëm i Kosovës, por i të gjitha shteteve të regjionit.

Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e ka quajtur shumë të rëndësishëm këtë diskutim, meqenëse viti 2017 për Kosovën është shumë i rëndësishëm për këtë sektor.

“Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent”, tha ambasadori amerikan Delawie.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, theksoi rëndësinë që ka Strategjia e Energjisë, si një hapësirë e mirë për donatorët për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e saj. Për të, është e rëndësishme që të bëhet integrimi i tregut regjional të energjisë.

“Ne besojmë se integrimi i tregut regjional është çelës për sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike dhe për të ulur çmimin e gjenerimit dhe të vetë energjisë”, tha Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë.Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se ky është fillimi i një reforme të rëndësishme dhe të obligueshme, për të arritur standardet e BE-së.

“Energjia është thelbi i Axhendës së Reformave Evropiane, që prioritizon reformat kyçe që duhet ndërmarrë në zbatimin e MSA-së”, tha ai.Faruk Serdareviç, përfaqësues i projektit mbështetës i USAID-it, “REPOWER”, për sektorin e energjisë në Kosovë, paraqiti një ekspoze mbi zhvillimet, arritjet si dhe sfidat për të ardhmen në sektorin e energjisë.

  Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, poashtu organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, është theksuar në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

Ndërkohë, në 30 mars 2017 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin  për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe  Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë e  përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë,  për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit/OST të Republikës së Shqipërisë dhe Operatorit të Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT sh.a.

“Objektiv kryesor është krijimi i zonës rregulluese  dhe me këtë edhe integrimi në mekanizmin regjional i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare  duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike”, u theksua në seancë.

Në 28 qershor 2016 në Tiranë u zhvillua ceremonia e inaugurimit të “autostradës” energjetike-linjës së re të interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë. Përurimi i “autostradës” energjetike verën e kaluar edhe në pjesën e Shqipërisë u paralajmërua në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në 3 qershor 2016 në Prishtinë, të tretës pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015, ndërsa e katërta pritet në 24 prill 2017 në Vlorë.

Në 17 dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Shqipërisë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Forumi i Energjise, Kryeminsitri Mustafa

Kosova, Ligj për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit

April 20, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 20 Prill 2016-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, sot në mbledhjen e 85-të, të 18-tën në vitin 2016, ka miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.Fillimisht, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, i cili përcakton masat, autoritetet kompetente dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit  të terrorizmit.

Kryeministri Mustafa tha se ky ligj është tepër i rëndësishëm në këtë fazë edhe sa i përket luftës kundër krimit, korrupsionit, por edhe parandalimit të financimit të terrorizmit dhe të ekstremizmit, që është një prej masave që edhe Qeveria, edhe Parlamenti, por edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës duhet t’i ndërmarrin në këtë periudhë.

Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë, Austrisë dhe Panamasë për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës.

 Me vendim të Qeverisë, është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kryeministri Mustafa tha se është një prej shanseve shumë të mëdha të Kosovës që të përfitojë nga Korporata e Sfidave të Mileniumit.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimet që ka pasur në Uashington javën e kaluar me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj edhe me MCC-në.

Qeveria gjithashtu miratoi edhe vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatë për anëtarë në Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Filed Under: Ekonomi, Komente Tagged With: i pastrimit te parave, Kosove, Kryeminsitri Mustafa, parandalimi

Qeveria, përkrahje të fuqishme sportit

February 11, 2016 by dgreca

-Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2016 -B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të enjten në takim të gjithë drejtuesit e federatave sportive të Kosovës, ku theksoi përkrahjen e fuqishme të qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të sportit.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kërkesat, nevojat dhe për të adresuar sfidat e sportit kosovar.
“Ne mendojmë se përmes konsolidimit të sportit dhe zhvillimit të tij, ne drejtpërsëdrejti ndikojmë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, njohjen e Kosovës dhe vlerave të saj në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve kosovarë gjatë këtyre viteve, në veçanti sukseset e Majlinda Kelmendit dhe sportistëve të tjerë që kanë arritur suksese kulmore.
Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA.
“Si qeveri ne po bëjmë përpjekje që të punojmë në afirmimin e sportit”, tha kryeministri, duke premtuar investime të mëtejshme në sport.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, bëri të ditur se tani është në procedurë edhe Ligji për Sponsorizimin e Kulturës dhe Sportit, i cili ofron mbështetje dhe krijon kushte të reja për sportin.
Në fund, kryeministri Mustafa ka thënë se me qëllim që të arrihen të gjitha synimet e përbashkëta duhet që të gjitha proceset në Kosovë të zhvillohen në tryeza, me argumente dhe përmes këmbimit të mendimeve.
“Mundësitë për këto ekzistojnë, disponimi ekziston, dhe edhe kjo e sotmja është një shprehje e këtij vullneti dhe disponimi tonë që së bashku me ju të bisedojmë për këto çështje”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, përgëzoi federatat sportive për sukseset e arritura deri më tani.
“Ne jemi tani para një rrethane të re apo para një vendimi të ri që do të mund të merret edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ne jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit, ndërsa mendoj se kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme, disponimi është i mirë, opinioni është shumë i mirë, është një mbështetje e gjerë për anëtarësimin tonë, që do të hapet një perspektivë jashtëzakonisht e madhe edhe sa i përket futbollit”, tha zëvendëskryeministri.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të përmbyllet edhe procesi për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar dhe se do të vazhdohet me punë më të madhe për Ligjin për Sponsorizime, që të filloj edhe implementimi.
Duke përmendur sukseset e jashtëzakonshme që janë arritur dhe pritet të arrihen, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, zëvendëskryeministri Thaçi, tha se për të arritur suksese të mëtejshme duhet një imazh i mirë.
“Këtë imazh të Kosovës do të mund ta forconi ju edhe më tepër, ta afirmoni edhe më tepër. Por e theksoj përsëri çdo imazh i keq për çfarëdo çështje që paraqitet në Kosovë do të jetë edhe një lëndim edhe për sportin kosovar kudo që jeni. Qoftë imazh i keq në politikë ndikon edhe në mosafirmimin tuaj”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Kujtim Shala, zëvendëskryeministër, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vlerësuar punën e bërë deri më tani nga punëtorët sportivë në Kosovë.
“Unë besoj që hapi më i madh në raportet e Qeverisë me Komitetin Olimpik dhe me Federatat është bashkëpunimi që kemi vendosur. Ne bashkë me ju dhe me Departamentin e Sportit kemi insistuar që së pari të bëjmë pavarësimin financiar të Komitetit Olimpik dhe të Federatave, dhe këtë e kemi arrit vitin që shkoi. Tani jemi në fazën e vlerësimit dhe po ashtu në fazën e licencimit të federatave, i cili është një proces tepër i rëndësishëm sepse përcakton raportin tonë për tri vitet e ardhshme”, tha ministri Shala, duke folur edhe për punën e madhe që po bëhet në fushën e legjislacionit.
Zëvendëskryeministri Shala ka theksuar edhe investimet e bëra në sport, në veçanti dinamikën e madhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar.
“Po ndërtojmë palestra, janë në proces 7 palestra, pjesa më e madhe e të cilave do të kryhet sivjet, ndërsa pjesa tjetër do të përfundoj vitin e ardhshëm. Po ashtu gjatë këtij viti do të fillojmë edhe katër palestra tjera”, tha Shala, duke folur edhe për përpjekjet që po bëhen për krijimin e një zone, një kampusi për objekte nacionale të sportit, i cili do të jetë në Prishtinë, në zonën e Bernicës.
Më tutje, zëvendëskryeministri Shala ka përmendur rezultatet e vitit të kaluar, medaljen e Nora Gjakovës, kthimin e Majlindës pas lëndimit fuqishëm me rezultate të jashtëzakonshme, titullin e klubit të basketbollit Prishtina, organizimin e Kampionatit Botëror të vendeve në zhvillim në hendboll, etj.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se ky takim dëshmon një kontinuitet të bashkëpunimit jashtëzakonisht të lartë dhe të mirë ndërmjet Qeverisë, Ministrisë, Komitetit Olimpik dhe federatave sportive.
“Padyshim se ky bashkëpunim ka dhënë edhe frytet e veta dhe sot pothuajse të gjitha federatat që nga viti 2003 kur për herë të parë është pranuar Federata e Pingpongut, janë 29 federata të pranuara, mbetet edhe Federata e Futbollit, dhe do të kurorëzohet ndërkombëtarizimi i sportit, e që padyshim një meritë e jashtëzakonshme u takon drejtuesve të sportit”, tha Hasani, duke shtuar se këto rezultate janë fryt i bashkëpunimit qeveritar dhe joqeveritar, por edhe i rezultateve mahnitëse dhe spektakulare që kanë arritur sportistët e Kosovës së bashku me trajnerët e tyre.

Filed Under: Sport Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminsitri Mustafa, përkrahje të fuqishme sportit, qeveria

KOSOVA DO VAZHDOJË DIALOGUN ME SERBINË, POR ZBATIMI I MARRËVESHJEVE ËSHTË I DOMOSDOSHËM

July 24, 2015 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë për shtyp deklaroi edhe se:/
-Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale/
-Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja/
-Marrëveshje edhe me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim/
Në foto: Kryeministri i Kosovës, Isa-Mustafa dhe ministri i Financeve, Avdullah Hoti në konferencë shtypi-Foto nga B.Jashari/
—
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Korrik 2015/-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi sot se dialogu në Bruksel me Serbinë do të vazhdojë, por zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm.
“Dialogu do të vazhdojë, mirëpo çdo vazhdim i dialogut ndërlidhet me kërkesën tonë në Bruksel që të bëhet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Këtë e kemi biseduar edhe me përfaqësuersit e BE-së edhe me SHBA-të. Fuqishëm na mbështesin në këtë pjesë. Zbatimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm”, theksoi Mustafa.
Gjatë një konference shtypi, në përgjigje të interesimit për mosfillimin e zbatimit sot të marrëveshjes Prishtinë-Beograd për njohjen reciproke të policave të sigurimit, Mustafa tha se “kemi mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë”.
“Serbia nuk i është përmbajtur afateve që sot të fillojë përmbushja e marrëveshjes. Nuk kemi anulim dhe as pezullim të marrëveshjes. Serbia ka informuar se nuk është në gjendje, nga dita e sotme, të zbatojë marrëveshjen, për arsye se duhet të punojë që t’i përmbushë edhe disa prej detyrimeve që janë në të”, tha Mustafa në konferencën për shtyp.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “çështja e Gjykatës Speciale është ajo mbi të cilën po punohet”.
“Ajo që mund t’ju them sot për sot është se ne kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë me pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë në Kuvend.Nuk mund të flasë për data, por po flas për një përkushtim tonin që kjo çështje të kryhet dhe jemi të përkushtuar që të përfundojë para pushimeve të Kuvendit të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Në konferenca për shtyp, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka prezantuar realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika. Në fillim të konferencës po ashtu ka theksuar se në ditët në vijim, opinioni publik dhe mediat do të informohen edhe për çështjet e tjera të rëndësishme aktuale.

FJALA HYRËSE E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA NË KONFERENCËN PËR SHTYP:

Ne si Qeveri jemi angazhuar në mënyrë përmbajtjesore që të realizojmë programin tonë qeverisës gjatë kësaj periudhe kohore, veçmas i kemi dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve mbështetëse për zhvillim ekonomik.
Kemi aprovuar një pako të re fiskale e cila nxit bizneset dhe poashtu balancon kapacitetin e konsumit familjar.
Përshkallëzimi me Ligjin e TVSH-së ofron normë të zvogëluar prej 8% për një numër të konsiderueshëm të mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen si bazike për konsumin e qytetarëve. Poashtu, ulja e TVSH-së në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e çmimeve të produkteve, dhe poashtu do të ndikoj edhe çmimet e energjisë elektrike të cilat do t’i paguajnë qytetarët tanë, që janë më të ulëta për pjesën e TVSH-së se sa që kanë qenë më parë.
Për të stimuluar sektorët prodhues, të gjitha makineritë që do të përdoren në procesin e prodhimit në pajisjet teknologjike dhe Teknologjinë Informative si dhe në lëndët e para, do të kemi lirime nga TVSH-ja.
Këtë e kemi bërë me qëllim që të nxisim sektorin privat të prodhimit, dhe poashtu të ngrisim pajisjen teknologjike të ekonomisë.
Kemi bërë ndryshime edhe në Ligjin për Tatimin e të Ardhurave Personale dhe në Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.
Ligji mbi Faljen e Borxheve i aprovuar seancën e fundit të Kuvendit, konsiderojmë se është një ligj i cili është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bizneseve dhe i cili krijon një momentum të ri, dhe një atmosferë dhe klimë të re, sa i përket ngritjes së disiplinës financiare të personave fizik, përkatësisht qytetarëve tanë, në përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ndaj kompanive publike.
Ne e kemi bërë rishikimin e Buxhetit në këtë vit, e kemi finalizuar atë dhe ky rishikim është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Buxheti tani është në një vlerë prej 1 miliardë e 535 milionë euro. Kemi ulur parashikimin për Buxhetin prej 52 milionë euro, si parashikim që është vlerësuar se është real edhe nga ekspertët tanë edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krahasuar me vitin e kaluar, ne kemi të hyra më të larta prej 14%.
Me anë të rishikimit si dhe me programin e FMN-së, ne kemi bërë një kursim prej 49 milionë eurosh. Ky kursim ka të bëjë veçmas me shpenzimet rrjedhëse, përkatësisht shpenzimet korrente, mirëpo përkundër këtij kursimi, ne do të arrijmë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona sa i përket investimeve kapitale, do të paguajmë me rregull pagat deri në fund të vitit, me përvojën e punës të cilën ne kemi filluar ta paguajmë, do të paguajmë të gjitha subvencionet për kategoritë e veçanta sociale dhe ato shoqërore, do të kemi furnizim të rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe me material shpenzues për institucionet e Republikës së Kosovës.
Raporti 6 mujor financiar, i aprovuar këtë javë në Qeveri, tregon poashtu për një progres të dukshëm për sa i përket realizimit të buxhetit si në të hyra ashtu edhe në shpenzime. Sa i përket shpenzimeve, mund të them se kemi arritur që të ulim shpenzimet për 3 për qind, që kanë të bëjnë kryesisht me shërbimet dhe efektet e uljes së këtyre shpenzimeve arrijnë në 3 milionë eurove gjatë vitit. Është fjala për uljen e shpenzimeve të telefonisë, shpenzimeve për derivate, shpenzimeve për udhëtime, shpenzimeve për blerje të mobileve dhe shpenzime të tjera.
Kemi përgatitur poashtu përmes Ministrisë së Financave edhe Strategjinë e Kontrollit të Brendshëm Financiar që synon që për 4-5 vitet e ardhshme të përmirësoj sistemin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit me qëllim të mbrojtjes së burimeve publike, përkatësisht parasë publike, që është në harmoni me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe poashtu në harmoni me kërkesat e donatorëve të jashtëm financiar.
Qeveria në mbledhjen e fundit poashtu ka bërë ndryshimin e akcizave, dhe me këto ndryshime ne do të kemi efekte pozitive sa i përket buxhetit, sa i përket mirëqenies sociale, dhe sa i përket aktiviteteve ekonomike, mirëpo nuk do të kemi asnjë efekt negativ, përpos ata të cilët merren me lojëra të fatit, me kazino dhe me fishekzjarre, do të paguajnë më shumë se sa që kanë paguar deri më tani.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja. Ne këtë Marrëveshje e konsiderojmë se është shumë pozitive për Kosovën, sepse me këtë Marrëveshje ne arrijmë që të bëjmë ndryshimin e Rregullës Fiskale, e cila lejon që Qeveria për investime publike për projekte kapitale, të rrit financimin e saj përmes agjencive të ndryshme financuese, përkatësisht përmes shfrytëzimit të burimeve të jashtme, dhe poashtu përmes kësaj Marrëveshje përmirësohet dhe ruhet stabiliteti fiskal dhe stabiliteti financiar, duke ngritur nivelin e rezervës fiskale dhe duke e përmirësuar strukturën e Buxhetit. Pra, është modifikuar Rregulla Fiskale, tani jemi në fazën që po e përgatisim Ligjin për Pagat, dhe këtë Ligj për Pagat do ta procedojmë para muajit shtator në Kuvend, me të cilin do të unifikojmë tërë sistemin e pagave në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në fund të vitit do të fillojmë me aplikimin e prokurimit elektronik, që është poashtu një prej objektivave tona shumë të rëndësishme.
Tani jemi në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive. Kemi arrit marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim sa i përket financimit të hekurudhës, kemi dhënë garancionet e Qeverisë lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban për Prishtinën, dhe poashtu jemi në marrëveshje me këtë bankë për programet zhvillimore që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, që kanë të bëjnë me ujësjellësin dhe që kanë të bëjnë me kanalizimin në zonat rurale.

Tani në Qeveri kemi aprovuar Planin Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave, me cilin plan ne planifikojmë që të bashkojmë drejtorinë e të hyrave dhe drejtorinë e doganave në një drejtori të përbashkët, me të cilën ne do të racionalizojmë sa i përket organizimit të administratës së këtyre dy drejtorive të deritanishme, sa i përket mbulimit të terrenit, dhe sa i përket ngritjes së mëtutjeshme të disiplinës në grumbullimin e parasë publike dhe të efiçiencës së parasë publike.
Po punojmë edhe në projekte të tjera për të cilat unë më gjerësisht do t’iu informojë së bashku me ministrat përkatës. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, që ka për qëllim që të krijomë kushte për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për thjeshtëzimin e procedurave të tërheqjes së këtyre investimeve.
Po punojmë për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, në mënyrë që sa më shpejtë të përmbyllet edhe kjo, dhe poashtu po punojmë edhe në projektin e “Kosovës së Re”, në mënyrë që të sigurojmë energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën.
Jemi poashtu edhe në negociata në mënyrë që të shohim mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për “Kosovën A”, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe Autostradën për në Merdar, dhe në projektet tjera, për të cilat do të shfrytëzojmë rastin, edhe ato që kanë të bëjnë me bujqësi, që t’iu informojmë së bashku me ministrat e ministrive përkatëse.
Faleminderit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu me Serbine, Kryeminsitri Mustafa, zbatimi i marrveshjeve

Artikujt e fundit

  • “Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik
  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT