-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Sektori i energjisë faktor kyç i zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja/
-Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Prishtinë: Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent/
-Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë/
PRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë u zhvillua sot Forumi i Dytë i nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.
Në këtë forum, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me USAID-in, u prezantuan sfidat kryesore të sektorit të energjisë, Strategjia e Energjisë, iniciativa për liberalizimin e tregut të energjisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tregut.
Në këtë forum ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ministri Blerand Stavileci, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë nga partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo që ka ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në fokusimin në sektorët kyç të zhvillimit, siç është edhe sektori i energjisë.
“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social të Kosovës edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme. Konsiderojmë poashtu se aq sa ka qenë e rëndësishme aprovimi i kësaj Strategjie, aq i rëndësishëm është edhe angazhimi ynë i përbashkët për implementimin e saj dhe kjo do të jetë prioritet i veçantë i Qeverisë. Poashtu edhe prioritet i bashkërenditjes, në mënyrë që ne t’i arrijmë caqet, të cilat dëshirojmë t’i arrijmë me strategjinë tonë në këtë fushë”, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi nevojën që ka Kosova për zhvillimin e burimeve të energjisë, por edhe fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si prioritet i parë i Qeverisë.“Përfundimi i suksesshëm i ndërtimit të këtij termocentrali, konsideroj se drejtpërdrejt do të ndikojë në krijimin e kushteve afatgjata për zhvillim ekonomik dhe rimëkëmbje ekonomike, do të ofrojë kushte, të cilat do t’i sigurojnë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm që ata mund të investojnë në Kosovë pa pasur problem burimin e energjisë elektrike dhe, poashtu do të sigurojë edhe qytetarët dhe bizneset tona këtu, se do të kenë furnizim të rregullt të energjisë elektrike”, tha kryeministri Mustafa.
Kosova, siç theksoi kryeministri, ka prioritet të veçantë zhvillimin ekonomik, një zhvillim propulziv të bazuar në resurse të brendshme dhe në partneritet me investitorët strategjikë të jashtëm, sidomos të sektorit privat dhe në fushën e energjisë.Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se do të punohet edhe në shfrytëzimin e burimeve tjera alternative, në mënyrë që të ketë energji të ripërtëritshme dhe të sigurohet efiçienca e energjisë elektrike, respektimi i plotë i kushteve ambientale, për të cilat duhet të sigurohen kushte të veçanta.
“Mirëpo, për të siguruar këto objektiva strategjike, Kosova ka nevojë të ketë partnerë strategjikë për investim, ka nevojë të ketë ekspertiza komerciale për këto investime, në mënyrë që pastaj të lirojmë buxhetin tonë, që më tepër atë ta angazhojmë për nevoja tjera, për nevoja të arsimit, shëndetësisë, nevoja infrastrukturore dhe për nevoja të nxitjes së sektorit privat të zhvillimit”, theksoi kryeministri Mustafa.Më tej, kryeministri tha se Qeveria ka treguar se mund të demonstrojë një vizion të qartë zhvillimor përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe përmes politikave ditore ekonomike, të cilat kanë krijuar stabilitet makroekonomik dhe buxhetor dhe mundësi për trende afatgjate të rritjes ekonomike.
“Ky është treguesi më i mirë se ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, se Kosova është një vend dhe një shtet stabil, një shtet në të cilin mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësor për investime dhe një shtet i cili mund t’i sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetën këtu”, tha kryeministri Mustafa.
Një falënderim të posaçëm për bashkëpunimin e deritanishëm, kryeministri Mustafa ia ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorit Delawie, përfaqësuesve të Bankës Botërore, të Bashkimit Evropian, partnerëve gjermanë për përkrahjen në fushën e energjisë, duke shprehur interesimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në implementimin e strategjisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se e gjitha që është bërë në kuadër të një vizioni strategjik për të ardhmen e sektorit është përfshirë në pesë objektiva themelore, që kanë vlerë prej rreth 3 miliardë euro, investime që priten në të ardhmen të realizohen në sektorin e energjisë.
“Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike, objektivi i dytë me integrimin në tregun rajonal nëpërmjet realizimit të masave të buta, objektivi i tretë me zgjerimin e sistemeve termike, objektivi i katërt me zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe objektivi i pestë me arritjen e caqeve në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës të realizimit të investimeve me burime të ripërtëritshme të energjisë dhe përmbushjes së detyrimeve që kemi përballë Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, tha ministri Stavileci.Më tej, ministri Stavileci theksoi se lajm shumë pozitiv për sektorin e energjisë në dy vitet e fundit është edhe miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë, që hapë rrugën për liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, e poashtu krijon mundësinë e një tregu konkurrues të energjisë elektrike, synim ky jo vetëm i Kosovës, por i të gjitha shteteve të regjionit.
Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e ka quajtur shumë të rëndësishëm këtë diskutim, meqenëse viti 2017 për Kosovën është shumë i rëndësishëm për këtë sektor.
“Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent”, tha ambasadori amerikan Delawie.
Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, theksoi rëndësinë që ka Strategjia e Energjisë, si një hapësirë e mirë për donatorët për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e saj. Për të, është e rëndësishme që të bëhet integrimi i tregut regjional të energjisë.
“Ne besojmë se integrimi i tregut regjional është çelës për sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike dhe për të ulur çmimin e gjenerimit dhe të vetë energjisë”, tha Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë.Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se ky është fillimi i një reforme të rëndësishme dhe të obligueshme, për të arritur standardet e BE-së.
“Energjia është thelbi i Axhendës së Reformave Evropiane, që prioritizon reformat kyçe që duhet ndërmarrë në zbatimin e MSA-së”, tha ai.Faruk Serdareviç, përfaqësues i projektit mbështetës i USAID-it, “REPOWER”, për sektorin e energjisë në Kosovë, paraqiti një ekspoze mbi zhvillimet, arritjet si dhe sfidat për të ardhmen në sektorin e energjisë.
Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, poashtu organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, është theksuar në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.
Ndërkohë, në 30 mars 2017 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë e përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit/OST të Republikës së Shqipërisë dhe Operatorit të Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT sh.a.
“Objektiv kryesor është krijimi i zonës rregulluese dhe me këtë edhe integrimi në mekanizmin regjional i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike”, u theksua në seancë.
Në 28 qershor 2016 në Tiranë u zhvillua ceremonia e inaugurimit të “autostradës” energjetike-linjës së re të interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë. Përurimi i “autostradës” energjetike verën e kaluar edhe në pjesën e Shqipërisë u paralajmërua në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në 3 qershor 2016 në Prishtinë, të tretës pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014 dhe të dytës në Tiranë në 23 mars 2015, ndërsa e katërta pritet në 24 prill 2017 në Vlorë.
Në 17 dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Shqipërisë.
Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.