• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME SHUMË DASHURI SI SHENJT TEREZA

September 5, 2024 by s p

Albert HABAZAJ/

5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë është dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë. Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë, është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës, Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë: “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit. Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni!

Një këngëz të vogël kam thurur për Shenjtoren, të cilën e këndojnë me zë kumbues, hijshëm, me aq ëmbëlsi e dashuri Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Vlorë: 

Për Shenjtoren Nënë Tereza

Këngën si zjarrin e ndeza.

Të ngrohtë si shpirt i saj

Të përhapet skaj më skaj.

Anjez’ Gonxhe Bojaxhiu

Shenjtore me frymë njeriu.

Shën Tereza, Nënë e Botës

Shqiponjë mbi malet e borës.

Filed Under: Analiza

ILIROLOGU ALEKSANDËR STIPÇEVIQ

September 5, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

Me rastin e përvjetorit të vdekjes.

Aleksandër Stipçeviqi (Arbënesh/Arbanasi, 10 retor 1930 – Zagreb, 1 shtator 2015) është arkeolog, bibliograf, albanolog dhe historian kroat me prejardhje shqiptare, profesor ordinar i Universitetit të Zagrebit. Shquhet në lëmin e arkeologjisë, bibliotekarisë etj.

Lindi në Arbnesh/Arbanasi afër Zagrebit në një familje shqiptare. Sot është lagje e Zarës (kroatisht: Zadar), qytet në bregdetin dalmatin. Ata ndoqi shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1954 diplomoi arkeologjinë në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Në vitin 1977 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zarës me tezën “Simbolizmi religjioz tek ilirët”. Pesëmbëdhjetë vjet ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime albanologjike”. Një kohë të shkurtër punoi në Muzeun Arkeologjik të Zarës dhe në Entin e Shkencave Historike në Zarë. Në vitin 1957 kalon në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb në detyrën e shefit të Sektorit të librave të botuar. Në vitin 1974 e merr detyrën e drejtorit të Bibliotekës së Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve (AJShA), ndërsa kah fundi i vitit 1983 kalon në Entin Leksikografik “Mirosllav Kërlezha” ku e merr detyrën e kryeredaktorit të Leksikonit Biografik Kroat.

Aleksandër Stipçeviqi ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në nëntor të vitit 1987, pas daljes nga shtypi të vëllimit të dytë, kalon në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, Dega për shkenca informatike: Katedra e bibliotekarisë, ku i ligjëron lëndët, si: Historia e librit dhe e bibliotekave, Bibliografia, dhe Sociologjia e librit dhe e bibliotekave. Në shkurt të vitit 1978 merr titullin e këshilltarit të bibliotekarisë, ndërsa po atë vit Akademia Jugosllave e Shkencave dhe të Arteve (AJShA) ia njeh titullin e këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave historike. Në vitin 1990 i jepet titulli i këshilltarit shkencor në lëmin e shkencave informatike. Në vitet 1970-1973, në cilësi të ligjëruesit të lartë, në fakultetin Filozofik të Prishtinës, si bashkëpunëtor i jashtëm, ligjëron lëndën “Bazat e arkeologjisë”. Kah fundi i vitit 1971 zgjidhet si ligjërues i lëndës “Bazat e historisë së librit dhe të bibliotekave” në studimet pasuniversitare të bibliotekarisë, të dokumentacionit dhe të shkencave informatike të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1978 zgjidhet si profesor inordinar me honorar në katedrën e sapoformuar të bibliotekarisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1987 u zgjodh profesor i rregullt në të njëjtin fakultet. U pensionua në vitin 1997.

* * *

Aleksandër Stipçeviqi është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si:

– “Gli Illiri”, 1967 (“Ilirët”);

– “Arte degli Illiri” 1967 (“Arti i ilirëve”);

– “Bibliographia Illyirica”, 1967 (“Bibliografi për ilirët”);

– “Simbolet e kultit te ilirët”, 1983; “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot” etj.

Është autor veprash edhe në fushën e albanologjisë:

– “Interpretime albanologjike”;

– “Etnogjeneza e shqiptarëve”, “Albanologjia në Kroaci” etj.

Veprat

– Arti ilir (Ilirska umjetnost; Arte degli Illiri, 1963); Bibliografia e arkeologjisë antike në Jugosllavi I-II (1977);

– Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji I–II (1977);

– Simbolet e kultit tek ilirët (Kultni simboli kod Ilira. 1981);

– Ilirët (historia, jeta, kultura) – Iliri (povijest, život, kultura) (1974);

– Historia e librit (Povijet knjige, 1985);

– Censura në biblioteka (Cenzura u knjižnicama. 1992);

– Për censorin e përsosur (O savršenom cenzoru, 1994);

– Rrëfim për leksikonin biografik kroat (Priča o hrvatskom biografskom leksikonu (1997);

– Fati i librit (Sudbina knjige, 2000);

– Historia sociale e librit te kroatët I-II (Socijalna povijest knjige u Hrvata I–II (2004-2005);

– Kultura e traditës e Arbëreshëve të Zarës (Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa) (2011).

* * *

Në vitin 2025 i është dhënë Certifikata për merita “Millan Shuflaj”.

Prej datës 12 maj 2017, dega e Bibliotekës së qytetit Zarë në lagjen Arbanasi e mban emrin Dega “Aleksandër Stipçeviq“ – Arbanasi.

* * *

Arbëneshi është lagje periferike e qytetit të Zarës në Dalmaci (Republika e Kroacisë). Dikur ka qenë fshat, i quajtur Arbanasi dhe Borgo Erico (Borgo Erizzo). U themelua në vitin 1726 nga shqiptarët të ardhur prej Briskut dhe Shestanit në perëndim të liqenit të Shkodrës. Shqiptarët ikën nga dhuna turke dhe u vendosën këtu në valë të ndryshme, në vitet 1726-1727, 1733 e më pas. Përpos nga Brisku e Shestani, ata erdhën edhe Larja që ndodhet ndërmjet Ulqinit dhe Tivarit. E folmja e arbëreshëve të Zarës i përket gegërishtes dhe përfaqëson një gjendje më të hershme të këtij dialekti.

Pra, arbëreshët e Zarës e kanë prejardhjen nga rajoni i Krajës, përkatësisht nga fshatrat Brisk, Shestan, Ljare dhe Podë, sot pjesë e Komunës së Tivarit në Mal të Zi. Si pasojë e pushtimit osman të trevave shqiptare, kjo popullatë emigroi në Kroaci, në dy periudha të ndryshme: E para, në vitin 1655 për në Pullë (Pula), Istrie (Istra) dhe e dyta, në vitet 1726-27 dhe 1733, për në rajonin e Zarës. Kjo e fundit u mbështet nga kryepeshkopi i Tivarit dhe Zarës, Vicko Zmajeviq (1670-1745) dhe nga Republika e Venedikut. Prej kroatëve quhen Arbanas, Arbanasi.

Kjo e folme është studiuar nga albanologu gjerman Gustav Vajgand (Gustav Weigand, 1860-1930), nga gjuhëtari italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1982) dhe nga gjuhëtari e akademiku Idriz Ajeti (Tupallë të Medvegjes, Kosova lindore, 1917 – Prishtinë, 2019).

Nga radhët e tyre kanë dalë veprimtarë të mirënjohur në fushën e dijes dhe të kulturës, si poeti dhe tregimtari Shime Deshpali (1897-1980) dhe Josip Rela (1895-1966), autor i një numri pjesësh melodramike dhe të shkruara në gegërishten e tij arkaike. Më e njohur nga veprat e tij është tragjedia në katër akte “Nita”, Rilindja, Prishtinë, 1976, faqe 77, e cila evokon fatin tragjik të një vajze nga Brisku, të zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Tragjedia “Nita” e Josip Relës është e para dramë shqipe e shkruar dhe e botuar në Jugosllavi.

Shime Deshpali dhe Josip Rela kanë shkruar në të folmen e arbëreshëve të Zarës. Këtij mjedisi i përket edhe Bruno Kërstiqi i cili njihet edhe për një libër kushtuar historisë së formimit të këtij ngulimi dhe për një fjalor të gjuhës së arbëreshëve.

Arbëreshë të njohur kanë qenë:

– Josip Vladoviq Rela (1895-1966) – dramaturg;

– Shime Deshpali (1897-1981) – poet, kompozitor, profesor muzike;

– Aleksandër Stipçeviq (1930- 2015) – arkeolog, historian, ilirolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;

– Pavle Deshpali (1934- ) – kompozitor, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë;

– Valter Deshpali (1947- ) – violonçelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb;

– Shime (Simeone) Duka (1915-2006) – sekretar i arkivave të Vatikanit;

– Josip Gjergja (1937- ) – basketbollist i Zarës dhe i kombëtares basketbolliste të Jugosllavisë;

– Mlladen Gërdoviq (1958- ) – këngëtar;

– Bozhidar Kalmeta (1958- ) – kryetar i Zarës në vitet 1994-2003; në vitin 2013, ministër në qeverinë kroate;

– Ratimir Kalmeta (1916-2005) – gjeograf dhe gjuhëtar;

– Bruno Kërstiq (1905-1987) – leksikograf;

– Hërvoje Macanoviq (1904-1980) – gazetar sporti;

– Gjani Marshan (1944- ) – këngëtar, muzikant, diplomat, konsull kroat;

– Bepo Mateshiq – këngëtar i tenorit;

– Berto Mateshiq – këngëtar i tenorit;

– Ivica Mateshiq Jeremija (1959- ) – shkrimtar, diplomat ushtarak;

– Ivo Peroviq (1882-1958) – Ban (guvernator) dhe regjent i Jugosllavisë në vitet 1934-1941;

– Ivan Prengja (1939-2010) – kryepeshkop i Kryepeshkopatës së Zarës;

– Ennio Stipçeviq (1959- ) – muzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë.

– Josip Gjergja (Arbënesh/Arabanasi, Zarë, 11 shkurt 1911 – Beograd, 18 shkurt 1990) – Politikan dhe diplomat kroat me prejardhje shqiptare (arbëreshe). Në vitet 1945-1948 ka qenë ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri. Pas kësaj ka qenë ambasador në Hungari, në Bullgari, në Egjipt, në Libi, në Indi dhe në Birmani. Në vitet 1970-1972 nënkryetar i Kuvendit Federativ të Jugosllavisë. Në vitin 1972, Josip Brozi i largon nga skena politike udhëheqësit “nacionalistë” kroatë. Me këtë veprim të Titos, Josip Gjergja nuk u pajtua. Dha dorëheqje nga funksionet politike.

Foto: Wikipedia.org

Filed Under: Analiza

JA PSE SKENDERBEU ËSHTË HERO KOMBËTAR I GJITHË SHQIPTARISË, PAVARËSISHT BESIMEVE FETARE

September 3, 2024 by s p

Ata të paktët që thonë (por e thonë pak si shpesh) se Gjergj Kastrioti ishte hero vetëm i të krishterëve, nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se shprehen hapur kundër pavarësimit të Shqipërisë MULTIFETARE nga Perandoria Osmane më 1912.

Ata nuk e dinë ose nuk duan ta pranojnë atë që e di dhe e kupton çdo njeri që ka minimalisht dy pare mend.

Ajo që është e papërsëritshme, unike dhe monumentale për popullin tonë është përpjekja e Skenderbeut për krijimin e një dinastie mbretërore kastriotase shqiptare të tipit perëndimor. Pra, te nje shteti ne perputhje me kerkesat e kohes kur shqiptaret ende nuk ishin myslimanizuar.

Kjo perpjekje 25 vjecare sherbeu si trashegimi dhe deshmi e vetme e dokumentuar boterisht qe tregonte se shqiptaret zoteronin garancite historike dhe juridike per te kerkuar pavaresine dhe krijimin e shtetit te tyre. Deshmi se ata kishin bere nje rezistence te organizuar kunder pushtuesit osman.

Per kete qellim praktik e nxorren nga harresa dhe e glorifikuan figuren e Skenderbeut rilindasit largpames, shumica te shkolluar ne Stamboll. Ata e ndjenin se Perandoria Osmane po merrte fund, se po vinte koha e pavaresise ne terma juridike, ndaj edhe i prodhuan ato terma duke u bazuar te Gjergj Kastrioti, te plani i tij per te bere mbreteri, pra shtet mesjetar. Keshtu, ekskluzivisht ne saje te Skenderbeut, ne u paraqitem me nje tradite shtetformuese te pakten 450 vjecare….

Para gjithe fuqive qe vendosnin per fatin e Ballkanit trashegimia skenderbejane, rropatja e tij per krijimin e nje mbreterie arberore, e dokumentuar gjeresisht e hollesisht nga kancelerite europiane, ishte nje dokument i pakundershtueshem qe vertetonte se ky popull kishte nje tradite lufte per pavaresi, se meritonte te jetonte i pavarur si popull autokton shqiptar, dhe jo si turk, si serb apo si grek.

Jo rastesisht kesaj periudhe i takojne edhe librat gjoja historike qe e bejne Kastriotin here grek, here serb dhe here boshnjak. Qellimi i fqinjeve ishte fshirja e kesaj trashegimie me vlere kaq te madhe juridike e historike per shqiptaret, qe ata (fqinjet) te mos kishin asnje pengese juridike kur iu sulen tokave shqiptare kinse po kafshonin tokat e perandorise osmane.

Trashegimia shtetformuese skenderbejane (LEGACY) eshte pra ajo cka e ben kete figure hero kombetar, sepse ne saje te Kastriotit politikan, diplomat e luftetar, shqiptaria kishte hedhur bazat juridike dhe historike per shtetet e pavarura qe gezojme sot ne Shqiperi e ne Kosove ku bashkejetojne ne harmoni si myslimanet ashtu edhe te krishteret.

Kurre nuk duhet harruar:

Skenderbeu eshte babai historik i pavaresise dhe autoktonise shqiptare pavaresisht besimeve fetare.

Virgjil Kule

Filed Under: Analiza

Biznesi dhe mikpritja në Mbretërinë e Dardanisë

September 2, 2024 by s p

Dr. Qazim Namani/

Gjurmët e gdhendjes në këtë guri, të zbuluar pranë Kulinës në Dardanë (Kamenicë), bri rrugës më të shkurtë të antikitetit Nish_ Shkup, është dëshmia e parë e reklamimit të Bujtinës (Biznesit publik), të zbuluar deri me tani në territorin e Kosovës së sotme. Kjo gjetje arkeologjike e dëshmon bujtinën e parë të reklamuar si biznes në territorin e Kosovës. Me qenë se ky guri është zbuluar së bashku me gurin e ritit të varrimit, i cili dëshmoi për një kulturë të lashtë të qytetërimit dardan, mund të pohojmë se janë të një periudhe dhe po ashtu të skalitura nga mjeshtri i njëjtë dardan. Për gurin e ritit të varrimit është shkruar mjaftë shumë, dhe është vlerësuar si zbulimi më i rëndësishëm i kulturës dardane, i cili tani është bartur për tu ekspozuar në njërin nga muzetë e SH.B.A.

Guri i cili simbolizon mikpritjen dhe biznesin e parë publik, për fat të keq nuk është trajtuar profesionalisht por më shumë se tre dekada rrokulliset nëpër hollin e Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Dardanës. Gjurmët e skalitura në gurë, ku është skalitur një njeri që bënë thirrje me buri, dhe pranë tij, në anën e djathtë, është skalitur një vorbë dhe dy këpucët që tregojnë ndaljen, pushimin, ndërsa vorba tregon ushqimin, është po aq bindëse dhe me përmbajtje bujarie për zhvillimin e kulturës dardane gjatë Mbretërisë së Dardanisë.

Është me rëndësi të thuhet se një rrugë e vjetër nga antikiteti e cila lidhte Nishin me qytetin e Shkupi, e shënuar pjesërisht në Tabula Peutingeriana (‘Tabla de Peutinger’), prej Nishi e deri në Medvegjën e sotme, në bazë të zbulimeve arkeologjike të deri tanishme mund të themi se kjo rrugë nëpër territorin e Kosovës së sotme ka kaluar kah Kroi i Ftoftë dhe Kështjellën e Hajkobillës, dhe ka vazhduar nëpër Lumin e Krilevës, në Kështjellën e Damarocit, Pogragjës, Muqibabës, Stanecit, Likovës, Llojanit e deri në qytetin e Shkupit.

Në periudhën e antikitetit, kjo ishte rruga më e shkurtë që e lidhte qytetin e Nishit me Shkupin.

Sqarim lumi prej fshatit Krilevë e deri në fshatin Damaroc, quhet Lumi i Krilevës, ndërsa sllavët me paramendim u munduan ti japin kuptim në gjuhën serbe, duke e quajtur Krivareka.

Filed Under: Analiza

Përurohet pllaka përkujtimore kushtuar viktimave të Reçit

August 31, 2024 by s p

Me 27 korrik në Reç të Ulqinit u bë përurimi i pllakës përkujtimore kushtuar katër viktimave të cilët janë likuiduar nga ushtria jugosllave e kohës me 10 nëntor 1935, ku duke i kujtuar dëshmojmë se nuk janë harruar. Për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë.

Nail Draga

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi mbledhur për përurimin e pllakës përkujtimore në nderim të katër viktimave të cilët janë likuiduar me 10 nëntor në vitin 1935!

Dita e sotme sa është e veçantë është edhe emocionale, sepse për herë të parë mbahet një takim publik në përkujtim të katër viktimave te Reçit(Ulqin).

Pllaka përkujtimore e cila po përurohet sot dëshmon nderimin e viktimave në 89 vjetorin e masakrës të realizuar nga ushtria jugosllave e kohës.

Nuk ka dilemë se ata ishin viktima të shoqërisë dhe të sistemit të kohës e cila kishte urrejtje patologjike kundër shqiptarëve.

Vrasja e katër shqiptarëve në Reç në tokë të tyre, dëshmon se sa vështirë ka qenë për të jetuar e punuar në zonën kufitare. Sipas informacioneve që disponojmë vrasje kundër shqiptarëve kanë ndodhur edhe në vendbanimet tjera shqiptare në zonën kufitare por kjo ishte me e rënda, sepse brenda disa minutave u likuiduan katër shqiptarë, tre nga familjet Zagreda e një nga Gazivoda.

Nga ana tjetër duke ditur qasjen e pushtetit ndaj shqiptarëve të cilët i trajtonte si element i padëshiruar, duke i diskriminuar në çdo aspekt, nuk ishte befasi vrasja e tyre nga ushtria e kohës.

Nga ajo kohë dhe më pas kjo masakër nuk është ndriçuar dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi, sepse me sa jemi të informuar, nuk janë bërë hetimet, nga organet kompetente. Dhe jo vetëm kaq, por për këtë masakër çdo gjë ka mbetur enigmatike sepse ende nuk dihet shkaku i kësaj, sepse ka pasur spekulime të ndryshme.

Ndonëse kjo masakër ka ndodhur para Luftës së Dytë Botërore mendojmë se duhet të angazhohemi për të hulumtuar në këtë drejtim, sepse krimet nuk vjetrohen.

Përveç familjareve dhe banorëve të Reçit, për këtë masakër pak kush ka ditur si më parë edhe tash. Andaj nga sot kjo përkujtimore është dëshmi autentike për të gjithë ata që dëshirojnë të dijnë të vërtetën. Jo vetëm kaq, por ky vend nga sot është dëshmi autentike për krimet kundër shqiptarëve.

Nga ana tjetër sa herë qe do të trajtohet zona kufitare, kjo masakër duhet të evidentohet si e veçantë për kohën tonë dhe ato qe do të vijnë pas nesh. Sepse nuk është thënë kot “sepse ka ndodhur ajo qe është shkruar”.

Andaj edhe vendosja e kësaj pllake përkujtimore me emrat e katër viktimave ka këtë mision informativ, për ti kujtuar e mos me i harruar.

Nderim për ata qe e kanë inicuar këtë ide dhe e ndërtuan këtë përkujtimore.

Ndonëse me vonesë por duke i kujtuar dëshmojmë akt qytetarie dhe nderimi!

Ndërsa ne jemi të nderuar qe sot jemi në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Reçin.

Nga sot të gjithë ata që duan të njihën me këtë ngjarje kriminale si udhërrefim do të shërbejë kjo pllakë përkujtimore, me emrat e martirëve: Kolë Gjini Zagreda(1897-1935), Mark Gjini Zagreda(1910-1935), Zekë Leka Zagreda(1918-1935) dhe Gjin Laca Gazivoda(1904-1935).

Dhe në fund duhet të them se për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë.

Në vendet e qytetëruara dhe me kulturë demokratike, te tjerët edhe për ndodhi të rastit e jo ma për masakra ngrisin pllaka përkujtimore e memoriale. Andaj me këtë përurim të kësaj pllake përkujtimore që është nderim për viktimat, ne po veprojmë sikurse vepron bota e qytetëruar, duke qenë mesazh qe krime të tilla të mos ndodhin në asnjë vend.

Nderi i së cilit në vend të vet!

Ju faleminderit!

(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të pllakës përkujtimore në Reç, më 27 korrik 2024)

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 986
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT