• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FJALOR TERMINOLOGJIK I TEORISË SE MEKANIZMAVE DHE TË MAKINAVE 

September 27, 2024 by s p

Prof. dr. Agron Duro

Terminolog, Tiranë

(Sistemor, me përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip, në anglisht dhe në gjermanisht), hartuar nga autorët  Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana

Fjalori në fjalë, hartuar nga autorët Dr. Gani S. Pllana dhe Dr. Sadete Pllana, është një kontribut me vlera të veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare të autorëve në fushën e terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të kryera nga autorët në fushën e terminologjisë. 

Duhet nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë puna e kryer për terminologjinë e fushave teknike, si: fusha e mekanikës teorike dhe të zbatuar, e kinematikës, e makinave dhe mekanizmave etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse termat e shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si terma parësorë janë dhënë termat shqip, ose, sipas rastit, termat e huaj si: bosht udhëzues (ngarës) (drive shaft; Antriebswelle), elementi i mekanizmit (mechanism element; Mechanismenelement),  nyjë  tesë (çernierë) kinematike (kinematic joint; Kinematisches Gelenk) etj.

Vlera më parësore e Fjalorit, qëndron pikërisht në paraqitjen në të të termave teknikë, që do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë që është në qarkullim, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve etj.

Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Krahas termave shqip janë lënë nganjëherë edhe termat në gjuhë të huaja dhe kjo është bërë jo vetëm pse këta të fundit janë më të njohur tani për tani në terminologjinë tonë teknike, por edhe për arsye se, në disa raste të veçanta, përkthimi shqip nuk përkon  plotësisht me termin e huaj. Ndeshemi këtu me ata terma që janë quajtur ndërkombëtarizma, d.m.th. terma që i takojmë në disa gjuhë evropiane të largëta njëra nga tjetra. Si ndërkombëtarizma janë vështruar jo vetëm ata terma që i kanë të përbashkët dy ose më shumë gjuhë romane, por që i takojmë edhe në gjuhë të tjera si anglishtja, gjermanishtja etj.

Ballafaqimi i shqipes me anglishten e  gjermanishten për Terminologjinë e Teorisë së Mekanizmave dhe të Makinave lehtëson punën edhe për trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me dy gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkomëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, e gjrmanishtes si e dytë). Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjermanishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore.

Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në dy gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç janë anglishtja e gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse këto dy gjuhë janë pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me anglishtne e gjermanishten, dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autorët (si njohës të mirë të terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë studiuesve të terminologjisë, studentëve universitarë në studim për terminologjinë e makinave dhe mekanizmave, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

Filed Under: Analiza

Pranga në duart e Opozitës!

September 26, 2024 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Dënimi i Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit, politikanit të spikatur, deputetit Ervin Salianji është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot. Dënimi, vjen në një kohë kur rilindja ka marrë revansh ndaj fjalës së lirë dhe frikës së humbjes së pushtetit. Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë!

PD nuk do të dorëzohet përballë këtij vendimi absurd.

Demokratët dhe qytetarët e këtij vendi duhet ta ndalin zhbërjen, ndalimin, asgjësimin e Opozitës! Pas politikanëve të Opozitës prangat tunden për ta. Duhet të bashkohemi fuqishëm, të ngrihemi fuqishëm, ti shtrijmë dorën njeri-tjetrit dhe ta ndalim revanshin e neodikaturës!

Filed Under: Analiza

Kalendar-Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e Shtatorit 1991

September 25, 2024 by s p

-Në Referendumin e mbajtur para 33 viteve,  nga 26 deri në 30 Shtator 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” para 33 viteve: Kosova filloi Referendumin për Sovranitet; Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës; Masivitet i madh në votime…; Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë; Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës…/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, Shtator 2024/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 33 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” të datës 27 Shtator 1991.

“Republika e Kosovës filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Në kryetituj balline gazeta “Bujku” në 28 Shtator 1991 shkruante: “Referendumi për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës”, ndërsa në 29 Shtator 1991 konstatonte: “Masivitet i madh në votime për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Referendumi në Kosovë në përfundim”.

E në numrin e 1 Tetorit 1991 gazeta “Bujku” në mbititull e kryetitull në ballinë shkruante:

“Pas pesë ditësh votimi masiv në Referendumin për Republikën e Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur  – Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë”. Tituj balline ishin edhe: “Parlamenti i Shqipërisë përkrahu Rezolutën për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur” dhe “Qeveria Amerikane ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve”…

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 34 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 Shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 30 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e Referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli – 30 viteve janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para  30 viteve, në 22 Shtator 1994, Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar – të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 Majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive para pesë vitesh.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Tani, pas 33viteve nga Referendumi historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 25 viteve, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 16 viteve nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur Shtetin e Kosovës që në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë…

Filed Under: Analiza

BE-ja sfidon shtetësinë e Kosovës

September 24, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

BE ose duhet ta tërheq vendimin për njohjen e Kosovës si ojesë e Serbisë ose dialogu përfundon në këtë pikë!

– BE nuk e njeh Kosovën si shtet, sepse 5 vende anëtare janë kundër!

– BE në mënyrë të njëanshme njeh territorin e Kosovës si pjesë të territorit të Serbisë!

– BE, po ashtu, është është lehtësues i dialogut të Brukselit;

– Për më tepër, qeveria e Kosovës ka detyrimin që të shpallë zyrtarisht si të pavlefshme dhe ilegale pasaportat e Serbisë, të lëshuara nga e ashtuquajtura “Drejtori Koordinuese për Kosovë dhe Metohi” për serbët e Kosovës. Kjo është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e shtetit dhe për të forcuar sovranitetin e tij.;

– Në këtë situatë, edhe opozita, OJQ, gazetarë dhe të gjitha instituciomet në vend duhet të ngrejnë zërin për këtë cenim brutal të shtetësisë së Kosovës;

– Nëse të gjithë heshtim, sinderi më tani, mos u befasoni kur BE do të kërkoj kthimin e disa trupave serbe në Kosovësë, pasi Rezoluta 1244 ende është në fuqi;

– A ka kuptim të bisedohet në Bruksel derisa mbetet në fuqi një vendim që cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës?

Vendimi i BE-së për njohjen e pasaportave të paligjshme serbe brenda Kosovës, i publikuar sot në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, është një tjetër tregues i këtyre tensioneve. Është koha që të gjithë aktorët në Kosovë të reagojnë dhe të insistojnë për një qasje më të drejtë dhe të respektueshme ndaj sovranitetit të vendit. Shih më posjtë linkun:

https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=OJ:L_202402495

Filed Under: Analiza

DIARIO CRÍTICA (1939) / NËNAT ARGJENTINASE SOLIDARIZOHEN ME MBRETËRESHËN GERALDINË TË SHQIPËRISË

September 23, 2024 by s p


Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)
Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shtator 2024

“Diario Crítica” ka botuar, të premten e 14 prillit 1939, në faqen n°4, një shkrim asokohe rreth solidarizimit të nënave argjentinase ndaj fatit tragjik të mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Drama e mbretëreshës Geraldinë ka një ndikim të madh në shpirtrat e nënave argjentinase.

Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4
Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4

Me rastin e letrës që publikuam dje, drejtuar CRITICA-s nga një nënë argjentinase, ku kërkonte solidaritetin e të gjitha grave të vendit përballë situatës tragjike të Mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, ne kemi mundur të marrim një ton të admirueshëm simpatie kolektive dhe mbështetje të përgjithshme përballë këtij episodi të dhimbshëm, i cili ka bërë përshtypje të thellë dhe tronditur fibrën emocionale të të gjitha mendjeve.

Që nga botimi i letrës në fjalë, gazetën tonë e kanë vizituar shumë nëna të cilat kanë ardhur të shoqëruara nga fëmijët e tyre të vegjël. Vizitat, letrat dhe telefonatat, në një numër të pazakontë dhe në vazhdimësi të pandërprerë, thonë qartë se mbretëresha Geraldinë nuk është e vetme në këtë orë ankthi dhe se krahas shtratit të saj të dhimbjes të gjitha nënat argjentinase, të gjitha zemrat femërore dridhen nga keqardhja, me merak, me trishtim.

Mesazhi që CRITICA do t’i dërgojë Mbretëreshës së Shqipërisë do të jetë një shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor dhe do të pasqyrojë, në të njëjtën kohë me dhimbjen e grave argjentinase, refuzimin e procedurave të dhunshme, të cilat nuk kursejnë asnjë mjet apo burim.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT