• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAPORTI I KESHILLIT TE ATLANTIKUT LIDHUR ME NDERHYRJEN RUSE NE UKRAINE

June 4, 2015 by dgreca

Nga Ron Sinivic/
Perktheu GJON KADELI/
Me 28 te muejt qe kaloi, Enti i Keshillit Atlantik, qe merret me ceshtjet nderkombetare, i cili e ka qendren ne Uashington, ne raportin ne fjale, kritikon shume ashper, nderhymjen e dretjtperdrejte ushtarake Ruse, ne Ukrainen Lindore, tuej ardhun ne perfundim se Presidenti Putin, e udhehoqi vendi e tij ne lufte, dhe rreni [genjeshtroi] rreth kesaj ceshtjeje. Ne ate raport, gjithashtu, akuzohet Putini, se asht tuej e perdorun, paksimin e luftime, si rrjedhim i marrveshjes per paqe qe umbrrijte ne Minsk ne Fruer, per te perforcue forcat kryengritese Ruse me ushtare dhe me paisje, per t’i pergadit ato, per fazen e ardheshme te luftimeve.
Ne te njejten kohe, analistet e Keshillit Atlantik, thone se ,”Kremlini asht tuej koreografue planin, qe forcat qe mund te marrin pjese, ne rifillimin e luftimeve jane vendase, dhe jo foca te krijueme
nga Moska,” Raporti titullohet “Tuej e fshehun te verteten e pamohueshme, luften e shkaktueme nga Putini ne Ukraine.”
Megjithe mohimet e vazhdueshme nga Putini, faktet e vertetueme po shtohen, qe tregojne nderhymjen Ruse ne ate konflikt, ndermjet qeverise Ukrainase dhe Kryengritesve; gja qe ka shkaktue vdekjen e 6100 njerezve ne Ukraine, lindore, qe nga Prilli i vjetit te kaluem.
Ne te njejten kohe kjo gja ka shkaktue, keqsimin ma te madh te marredhanjeve, ndermjet Rusise dhe vendeve perendimore, qe nga mbarimi i Luftes se Ftohet.
Analistet qe u mueren me kete ceshtje, bane kerkime shume te hollsishme, tuej perdorun burime te rregullta, tuej mbledhun hetime te ndryshme, tuej perfshi fotografi te marruna nga satelite, nga interneti, te dergueme nga banoret ne te dy anet e kufinit, si edhe fotografi nga rrjeti social, te dergueme nga ushtaret ruse, ne zonen lindore te Ukraines.
Perfundimet jane, ato qe perpilusite e raportit, i quejne,”prova te
pamohueshme” se konflikti ne Ukraine, “asht nji krijese Ruse, e cila
perkrahet nga armet qe dergon Rusia, si edhe nga ushtaret e saj, dhe
qe perkrahet, drejte per drejte nga Zotni Putini.”
Nenpresidenti ekzekutiv i Keshillit te Atlantikut, Zotni Demon
Uillson, tha se raporti paraqet,”historine e vertete te luftes Ruse ne
Ukraine. ” kjo nuk asht lufte civile, por asht nji lufte e rregullt,
ku ushtaret Ruse, jane gati per luftime, ne bazat e perkohshme,
pergjate kufinit Ruso Ukrainase, qe perkrahen nga dergimi i
vazhdueshme, i armeve dhe paisjeve te tjera ushtarake, dhe nganjkihere
e perkrahun nga gjuetje me aretileri, ne anen e kufinit Rus.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, nderhyrja ruse, Raporti i Atlantikut, Ukrahine

E drejta e pakufizuar e mafies dhe liria e dhunuar e qytetarit

June 4, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Shqipërinë dhe rajonin i sundon pushteti i mafies. Kjo është një e dhënë, të cilën na e ka komunikuar me kohë sekretari i Shtetit Amerikan, Xhon Kerry, që do të thotë se nuk është një fenonem i panjohur. Por ajo që shohim në praktikë duhet të na bëjë të mendojmë thellë e të nxjerrim mësime.
Kur një vend e sundon mafia (Me vullnetin “e lirë: të qytetarëve), atëherë ajo krijon strukturat e veta legale, me të cilat shkruan ligje e regulla, të cilat nuk mbrojnë qytetarin, por mbrojnë mafien. Në këto struktura shkrihen të gjitha mjetet e kontrollit. Të kontrollit të politikës që nuk është inkuadruar në grupet mafioze. Të kontrollit të biznesit që nuk bashkëpunon me mafien. Të kontrollit të statistikave që nuk përputhen me shplarjen e trurit të qytetarëve. Të kontrollit të mediave dhe uzurpimit të saj, madje deri te emërimet e stafit të drejtimit dhe menaxhimit mediatik. Me kontrollin e rrjeteve sociale dhe ngritjen e ushtrisë së anonimëve për komente, gazeta online, me qëllim lënien në minorancë të papërfillshmetë medies investigative e kritike. Të kontrollit të mendimit dhe të supervizionit. Pra, mafia në pushtet është gjithçka, bën edhe biznesmenin, edhe aksionerin, edhe arkën e shtetit, edhe arkën e biznesit, edhe policin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe politikanin, edhe kriminelin e vrasësin, edhe opinionbërësin, edhe komentatorin, edhe të diturin, edhe budallain, bën atë që nuk mund ta bëjnë në këso forme as diktatorët më të zëshëm të njerëzimit.
Nëse monitorojmë vetëm një ditë atë që ndodh në këtë vend, ose në Maqedoni, Kosovë e vende të tjera të rajonit tonë, përfshirë Greqinë e Turqinë, atëherë nuk e ka askush të vështirë të kuptojë dhe qëmtojë se mafia e sundon jetën tonë të përditshme. Ajo kujdeset sa cm3 ajër duhet të thithim, sa gram bukë duhet të konsumojmë, sa mililitra ujë duhet të pijmë, sa km rrugë duhet të bëjmë më këmbë e sa me automjet, sa me transport urban e sa me transport ptivat, sa me tren e sa me autobuzë. Me çfarë duhet të udhëtojë qytetari, me autobus apo me furgonë, më këmbë apo në biçikletë. Mafia vendos për çmimet e mallrave, të cilat i blejmë në treg. Psh sa do të paguajmë për bukën, për energjinë elektrike, për karburantin, sa do jetë akciza e sa taksat e tjera. Dhe mafia kurrë nuk na llogarit ne që paguajmë, jemi apo nuk jemi në gjendje ta mbyllim muajin, mafia të fut në burg nëse nuk paguan një faturë të vetme, të shkarkon nga puna, ta nxin jetën, të bën të flasësh në rrugë me veten tënde, të bën të ulësh kokën para fëmijëve të tu. Madje nganjëherë edhe me çmimin e marrjes përsipër të fajit, me arsyetimin absurd “pse unë jam kaq i paaftë. Se mafia e ka këtë zotësi, i ka këto mekanizma, të të rrahë, të të dhunojë e të të mos lejë të qash.
Nëse biznesi i mafies ka ndër mend të zbatojë ndonjë projekt autobuzësh, atëherë mafia i ndalon qytetarët të udhëtojnë me furgonë dhe e kundërta. Nëse duhet ndërruar monopli i kontrollit të kazinove, atëherë shpik një aksion të tipit “Çmenduria” dhe bën kalimin nga një mafioz te mafiozi tjetër, ndoshta të tipit Zdakashvili. Nëse një i ndershëm bashkëpunon rastësisht me njerëz si Zdakashvili, atëherë mediat do ta denigrojnë me ditë, me javë e me vite, ndoshta do ta shtyjnë drejt vetëvrasjes. Nëse do të bashkëpunojë një ministër mafioz, apo gruaja e tij, atëherë mafia në pushtet i shtrëngon dhëmbet kujtdo që mund të fjalsë, ose blen heshtjen me parimin se kjo harrohet shpejt. Nëse një i ndershëm ndërton një vilë, mafia në pushtet do ta denoncojë papra, para buke e mbas buke, në mëngjes, në drekë e në drakë. Fotografia e kësaj vile do ta shetit botën. Nëse mafia në pushtet ndërton vila me paratë e krimit, korrupsionit dhe gjakut, atëherë ajo ia mbyll gojën çdo televizioni e radioje, çdo gazete e reviste, gjithkujt që ka mision shoqërinë e lirë prej mafias e diktaturës. Nëse mafien e shqetëson ngjyra e pallatit përballë, urdhëron menjëhere ndryshimin e fasadës. Nëse përballë shtëpisë së tij ia prishin imazhin e pamjes disa hije njerëzish që punojnë, ose sillen në hallet e tyre, atëherë ai urdhëron policinë që këta njerëz të “vizitojnë: dhomat e paraburgimit.
Mafia në pushtet punon me pseudonime, njësoj si edhe spiunët. Me pseudonime i kalojnë mafiozët pushtetarë aksionet nga një kompani te tjetra. Po me pseudonime udhëtojnë drejt metropoleve europiane e më gjerë, ku kanë ndërtuar rrjeti n e trafikut. Kur mbërrijnë në këto metropole nuk e fshehin fytyrën, sepse nuk kanë as mundësi ta bëjnë këtë, se ata janë njerëz që i njeh gjithkush, kryeministra, kryetarë parlamenti, ministra, deputetë, zëdhënës, drejtorë kabinetesh, këshilltarë. Pa patur frikë bëjnë pazaret në restorantet e mafiozëve trafikantë, ku ata ushqehen apo hotelet ku qëndrojnë dhe po aty ndajnë fitimet. Pastaj mafia në pushtet kujdeset që mafiozët e vegjël të stacionohen kudo në rrjetin e veprimtarisë mafioze, në banka, përmes të cilave pastrohen paratë, në zyrat e tenderimit, ku favorizohen gjithashtu mafiozët, në sportelet e shërbimit, nga ku duhet të kalojnë paratë e bizneset e pista.
Në rajonin tonë “kopsht “ mafiozësh, bizneset e mafias në pushtet këmbehen midis shtetarëve mafiozë. Edhe “paqja” e përkohshme që duket se përjeton rajoni, ka në themel bashkëpunimin e mafies së pushtetit në shpërndarjen dhe këmbimin e biznesit. Një bos i mafies politike të Tiranës ka partner bosin e mafies politike të Prishtinës, Shkupit a Beogradit. Dhe anasjelltas kjo formulë vlen për të gjithë bosët rajonalë të mafies politike e shtetbërëse. Për këtë arsye mafia politike shtetërore e rajonit i koordinon punët e veta, madje aq mirë sa qytetarëve t’u duket se këta janë si Feniksi që kanë zbritur nga qielli. Por sa duket se merren vesh për të bërë paqen, kurdisin incidente, kriza dhe ngjarje, si ajo e Kumanovës. Në atë ngjarje kanë gisht të katër kupolat e mafies ballkanike e përtej saj, ajo e Beogradit, e Shkupit, e Prishtinës dhe e Tiranës.
Se mafia politike, sidomos kur vjen në pushtet, nga njëra anë punon që të ruajë standardin e varfërisë te qytetarët, nga ana tjetër sajon ngjarje, incidente dhe konflikte të vogla, me të cilat tërheq vëmendjen nga problemet e varfërisë, kjo mund të provohet çdo ditë. Se mafia në pushtet e rajonit tonë punon me skenarë për ruajtjen e pozitave të saj, këtë mund ta vemë re lehtë nga spekullimet me reklamat dhe çoroditjet që krijon me idenë nacionaliste. Ndërkohë mafies në pushtet i duhet varfëria, sepse ndryshe nuk ka sesi tua blejë votën varfanjakëve. Varfëria i duhet mafies në pushtet ose në politikë, sepse ndryshe nuk mundet të tërheqë bashkëpunëtorë në trafiqe. Me anën e varfërisë ajo sundon më lehtë, manipulon më lehtë, mashtron më lehtë. Nuk asnjë vështirësi ta mashtrosh të uriturin.
Mafia është mashtrim, është manipulim, është vetë djalli. E djalli gjithmonë ka aftësinë ta mundë engjëllin, ta fundosë atë e ta zhdukë nga faqja e dheut. Madje mafia në pushtet ka aftësinë që engjëllin ta shesë te njerëzit për djall dhe anasjelltas, djallin për engjëll. Mafia të blen, mafia të shet, ajo të jep lëmoshë, por edhe të vret. Si lëmosha, si frika nga vrasja e likuidimi e bëjnë shoqërinë civile, median, të heshtin, si mali “që s’bëzanë”. Mafia bën presion edhe kur i bën karshillëk fukarait me dasma në kështjella me paratë e shtetit, të taksapaguesve. Mafia nuk jep llogari, mafia sundon plebejtë e vet.
Mafia në pushtet nuk ka parime, nuk i përmbahet ligjit të traditës e as ligjit të respektit për njerëzit, nuk pyet për ligjet e shtetit, edhe pse vetë i harton dhe miraton, nuk njeh familjen, nuk njeh e nuk nderon as fëmijën, madje as fëmijët, pjellën e vet. Mafia vret ditën për diell, sidomos kur vrasësi mafioz mbrohet nga uniformat e shtetit mafioz. Vret kryesisht ata që nuk i qëndrojnë paktit të ndarjes së pasurive e të parave, por vret dhe ata që ndodhen në vendin dhe kohën e gabuar. Vret me papunësi e varfëri, më shumë se me plumba e tritol. Dhe nuk trembet nga askush. Madje as nga ndërkombëtarët, sepse është e lidhur me segmente mafioze të institucioneve ndërkombëtare. Si e tillë ajo financon gjithçka e gjithkënd që i shërben asaj. Financon psh njerëz të tipit Stefan Fyle, a ku e di unë se kë tjetër. Financon komisione e komisionerë të shumtë, financon artikuj në gazetat dhe revistat prestigjioze, të cilat në të shumtën e rasteve nuk e kanë idenë se me kë kanë të bëjnë. Mafia financon komisionerë e kryekomisionerë zgjedhjesh, financon kundërshtarët politikë, madje udhëheq trafikun e politikanëve deputetë, kryetarë bashkish, pastaj blen miell, e ua jep varfanjakëve për një votë. Për vota shpërndan xhinse, orë, aifonë e aipadë, laptopë e bluza. Gjithçka që i tërheq sidomos të rinjtë.
Në fakt rreziku më i madh është rekrutimi I të rinjve dhe të rejave, me të cilët mafia në pushtet, manipulon aq lehtë. Mjafton sponsorizimi i një mbrëmjeje në një pab ose disko dhe me kaq fiton simpatinë e tyre. Mjafton një uikend të këndshëm në një pikë turistike dhe rekrutimi del i sukseshëm. Një premtim për punë në këmbim të 100 votave dhe me kaq ushtria e mashtruarve naivë shtohet në progresion gjeometrik. Mafia shqiptare në veçanti di t’i bëjë këto më mirë sesa mafia në Kosovë e në Maqedoni, sepse asnjë prej vendeve të rajonit nuk e ka eksperiencën e saj të trashëguar nga përvoja e sigurimit të shtetit. Mafia blen sondazhe, edhe kur bëhen përmes “kompanive ndërkombëtare”. Dhe i blen sondazhet për të bërë trysni ndaj votuesve, në dhunim të votës së lirë. Liria dhe mafia janë të papajtueshme. Liria e mafies në pushtet nuk ndalon te liria e individit. Mafia, kur drejton shtetin është e lirë vetëm të seleksionojë qytetarët që qeveris, në të vetët e në të huaj. Ata të rrethit mafioz mund të ndërtojnë hotele në breg të detit, madje brenda në det, të huajt nëse ndërtojnë një kasolle ose hangar përfundojnë në burgje. Me arrogancën e vet ndaj shumicës, mafia kërkon të mbulojë aktivitetin kriminal të vetin e të fshehë imoarlitetin e saj.
Sigurimi i shtetit është burimi i të gjithë veprimtarisë mafioze në këto 25 vite në Shqipëri, por me një ndikim e ndërlidhje të hershme edhe me mafien politike të Kosovës e Maqedonisë. Eshtë e tmerrshme që rrënjët ë së keqes thellohen vazhdimisht në këtë vend. Dhe do të thellohen sa kohë që imoraliteti na shitet për moral, hajdutëria na shitet për zotësi, korrupsioni na serviret si e mirë e shoqërisë, ndërtimet me para të pista na shiten si përparim, sa kohë që pragmatizmi sundon mbi idealizmin dhe etja për pushtet e pasuri bëhet motiv iI vetëm i qeverisjes.
Jemi ne, qytetarët e këtij vendi, të cilët duhet ta ndryshojmë këtë situatë! NATO, BE, SHBA na ndihëmojnë, por nuk janë ato që mund të na çlirojnë nga sundimi i mafies! Nëse Maqedoninë po e ndihëmojnë europianët dhe amerikanët të çlirohet nga mafia në pushtet, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera zor se do të marrin gjithë atë investim ndërkombëtar për këtë. Vota është instrumenti kryesor, me të cilën ne mund të çlirohemi nga modeli autoritar i qeverisjes, sepse modeli I qeverisjes mafioze është arbirtrariteti dhe arroganca, pasi vetëm ky lloj modeli e merr atë në mbrotjje dhe I jep jetë pushtetit të mafies.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhunimi i qytetarit, E drejta e Mafies, Enver Bytyci

MAQEDONËT DOMETHËNË SHQIPTARËT MAQEDONË

June 4, 2015 by dgreca

Nga Saimir Lolja/
Historikisht është e pamundur më qenë njëkohësisht edhe Maqedon edhe Sllav. Një maqedon i cili i përket vitit 300 p.e.s. ndahet me 1000 vjet nga një sllav i ardhur në vitin 700 e.s. Që domethënë se në rajonin e Maqedonisë ndodhen vendasit Shqiptarë Maqedonë (ose shkurt, Maqedonë) dhe popullsi e ardhur sllave, turke, rumune dhe roma. Bullgarët e kanë të pasaktë t’i mëtojnë Maqedonët (Shqiptarët Maqedonë) si “vëllezër”, sepse kurdoherë është e pamundur me qenë njëkohësisht edhe maqedon edhe sllav ngase 700 – (-300) = 1000.
A do ishte zgjuarsi mos me kryer veprimin aritmetik 700 – (-300) = 1000 ? A është zgjuarsi me ia dhënë apo pranuar emërtimin Maqedon një sllavi dhe më pas me e dëgjuar veten ardhacak dhe popullatën sllave vendase? A nuk lexohet Lumi i Bardhë ose Bardhari “Vardar” në gjuhët e kishave ortodokse bizantine? Ky lumë kalon nëpër Shkup, më pas në Maqedoninë lindore dhe vazhdon drejt jugut derisa derdhet në Detin Egje në të djathtë të Selanikut. A nuk e vërteton edhe kjo se gjuha shqipe ka qenë e shkruar shumë kohë para dyndjes së sllavëve në Europën juglindore?
Perandoria romane lindore (ortodokse e krishtere, bizantine) dhe ajo osmane si vazhdim i saj i njihnin, i ndanin, përkufizonin, gruponin njerëzit sipas besimeve fetare. Njësitë fetare ishin njësi vet-administrimi në shërbim të perandorit bizantin dhe sulltanit të mëvonshëm. Edhe pas rrëzimit me luftë të perandorit bizantin nga hordhitë osmane, patriarkana kishtare ortodokse në Stamboll nuk e humbi vlerën e komisarit edhe nën sulltanin osman. Degët kishtare ortodokse, rrjeti i xhamijave të sulltanatit dhe degët kishtare katolike në varësi të Vatikanit ishin në garë për t’i marrë e rimarrë sa më shumë territor, toka, popullata njëra tjetrës. Rrjetet e kishave ortodokse bizantine u treguan shumë të afta në përhapjen e gjuhëve kishtare dhe mbulimin e gjuhëve natyrore tek popullatat që futnin në vathë. Për shembull, gjuha sllave zyrtare në Maqedoni i përket të folurës së Shkupit dhe ngjason më shumë me gjuhën bullgare se sa me atë serve. Veç investimit të hershëm bullgar që më 1893 në Organizatën e Brendshme Revolucionare Maqedone (VMRO, edhe sot) e cila kërkontë bashkim me Bullgarinë, ky ishte një shkak tjetër pse ushtria fashiste bullgare hyri pa pengesa në Maqedoni gjatë Luftës II Botërore.
Faqja e parë në përfitimin dhe tretjen e popullatave të reja ishte [dhe është] ndarja nga e shkuara e tyre, harrimi i saj dhe i vetvetes, harrimi dhe edukimi i urrejtjes ndaj lidhjeve apo përkatësive të shkuara shoqërore. Rrjeshti i parë për atë qëllim ishte vendosja e emrave të rinj, emrave fetarë apo ndryshimët e emrave. Fakti se emrat apo mbiemrat në Servi, Malsi, Kroaci mbarojnë më -iç ose -viç, në Maqedoni me -ovski ose -ski, në Greqi me -os, -is tregon se këto popuj nuk janë kombe por grupe shoqërore.
Në ngjashmëri, popullatat e besimit mosleman përmbajnë emra turk, osmanë, arabikë dhe fetarë islamikë. Sllavëve, e së pari servëve dhe rusëve në shpinë të tyre, iu interesonte [dhe iu intereson edhe] sot që shqiptarët e patretur nën kishat bizantine ortodokse të ishin islamikë në dukje dhe besim fetar, jo arbërorë, jo ilirë, jo shqiptarë, sepse ashtu ato shpërnguleshin (si ndodhte) më lehtë me forcë dhe në marrëveshje me Turqinë drejt Turqisë.
Për t’i vënë vulën atij rrjeshti të parë ndryshimi përdoreshin regjistrimet e popullatave. Regjistrimi në Jugosllavinë Nr.1 u bë në vitin 1921, në Jugoslavinë Nr. 2 u bë në vitin 1931 dhe në Jugoslavinë Nr. 3 (Jugoslavia komuniste, e fundit) u bënë në vitet 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991. Në ato regjistrime, veç detyrimit të vendosjeve të prapashtesave -iç, -viç, -ov, -ski, -ovski në mbiemra, u përdor edhe një taktikë për të këputur lidhjen me lashtësinë arbërore të vendasve shqiptarë. Shqiptarëve iu kërkohej që zyrtarisht, në dokumenta, të mbanin si mbiemër të familjes emrin e gjyshit të fundit që nuk ishte gjallë. Emri i atij gjyshi zakonisht ishte emër fetar ose islamik ose ortodoks. Brezat e rinj në rritje dalëngadalë dhe pa dashje harronin trashëgiminë përtej dy brezave të vjetër dhe përfytyrimi tyre për vetveten, përkatësinë dhe kombin bëhej “i riu”.
Megjithatë, shqiptarët i mbijetuan planeve të shfarosjeve dhe shpërnguljeve fizike dhe mendore të tyre. Për shqiptarët, besimi fetar nuk është përcaktues i kombit apo i kufinjve shtetërorë. Dallgët luftarake dhe fetare që janë derdhur ndër shekuj në rajonin e Maqedonisë kanë ndikuar harrimin e vetvetes tek shqiptarët maqedonë (maqedonët), sidomos tek ato të besimit fetar të krishterë ortodoks. Megjithatë, ato tani po zgjohen dhe në rajonin e Maqedonisë gjithnjë e më shumë besimtarë të krishterë ortodoksë po dalin vetë në dukje si shqiptarë. Një rreze drite mbi to ndriçon shumë.
Prandaj gjithë rajoni i Maqedonisë, si pjesë e Gadishullit Ilirik, është Shqipëri, Iliri, Arbëri. Gjithë maqedonët janë shqiptarë maqedonë, domëthënë shqiptarë, vendas. Nëse egziston përplasje në rajonin e Maqedonisë, ajo është midis vendasve maqedonë (shqiptarëve maqedonë) dhe sllavëve të ardhur përfshirë shërbëtorët dhe të gënjyerit e tyre; sepse 700 – (-300) = 1000.
Maqedonët domethënë Shqiptarët Maqedonë

Filed Under: Analiza Tagged With: dmth shqiptaret maqedone, Maqedonet, Saimir Lolja

PANORAMË POLITIKE SHQIPTARE

June 3, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
“Arti i luftës është arti i shkatërrimit të njerëzvet, politika është arti i të gënjyerit”- D’ALEMBERT/
Edhe se të nxehtit e stinës nuk është ndier ende shumë, matësit e etheve politike shqiptare shënojnë “temperatura” të larta, që janë të zakonëshme për një fushatë zgjedhore kudo, por marrin trajta të veçanta “lufte të ftohtë” në Shqipëri. Në më shumë se një shekull shteti të pavarur nuk arritëm ende të njohim e respektojmë etikën njerëzore edhe në garat zgjedhore. Ulja e personalitetit të kundërshtarit, në shumicën e rasteve, mbetet arma e zgjedhur e kandidatëve apo atyre që i kanë caktuar ata.
Ndoshta këtë herë ka një qëndrim disi ndryshe e ndonjë shembull i Shkodrës e Tiranës japin nota optimizmi. Në Shkodër dy kandidatet femra, (Bazhdari e Ademi), bëjnë një ballafaqim korrekt para studentëve, në të cilin shpalosin programet e tyre. Më duket një veprim mjaft i vlerësueshëm, madje të cilin nuk e has as në Itali , ku këto ditë ka qenë një fushatë zgjedhore. Në Tiranë kandidatët Kosova dhe Veliaj, më shumë i pari se i dyti, përqëndrohen në problemet reale, të mprehta e të shumta të kryeqytetit, pa u ndalur në propagandën politike të partive. Kjo mënyrë të biseduari me votuesit më duket më e zgjuara dhe më e pëlqyeshmja.
Ndërkaq vazhdon në largësi dyluftimi i kryetarëve : në një anë ai i PD-së, z. Basha, e në tjetrën ai i PS-së, kryetari i Qeverisë, z. Rama, e ai i Kuvendit e LSI-së, z. Meta. Duket, në pamje të parë, se ka një farë korrektësie në këta dyluftime të përditëshme por, në thelb, jemi të pranishëm në një garë të pafund për të personalizuar proçesin në një ballafaqim meritash apo të metash vetiake. Kështu Basha vazhdon të përdorë armën e vet të parapëlqyer, atë të padisë së “mos mbajtjes së premtimeve” kundrejt dyshes Rama – Meta, një armë e zakonshme në politikë, sidomos në opozitë. Por kur kjo armë fillon të mbahet e zhveshur edhe mbas 15 ditësh të marrjes së pushtetit nga kundërshtari, e humbet disi rolin e saj. Nga ana e saj, dyshja Rama – Meta, sidomos i pari, gjithandej e quajnë të paqenë punën e të zgjedhurve të PD-së, si një “vegjetacion” në pushtetin vendor, duke filluar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Hasim në një farë manikeizmi të dyanshëm në paraqitjen e kundërshtarit dhe punës së tij, gjë që nuk tregon ftohtësi e ndershmëri gjykimi, mbasi mungon kurajua për të njohur e vlerësuar edhe punën e kundërshtarit, kur ajo është e dobishme, në ligje apo veprime të veçanta që shkojnë në favor të bashkësisë e të shtetit. Megjithë dobinë e një mendësie të ndryshme nga ajo e gjithë këtyre viteve të pas komunizmit, që karakterizon marredhëniet pushtet – opozitë, me gjithë bagazhin e veprimeve shpesh të pafrytëshme e të dëmshme si braktisjet e Kuvendit, apo mobilizimet e manifestimevet thjesht për qëllime politike, të zbatuara njësoj, si dy pika uji, nga dy forcat kundërshtare, nuk është ky aspekti më negativ i panoramës politike shqiptare.
Atë duhet t’a kërkojmë tek korrupsioni, një dukuri e shpalosur si flamur, përpara çdo fushate zgjedhore, për të marrë votat e për të zhvendosur kundërshtarin nga pushteti, por e vënë në letargji, sapo të merret ky i fundit. Muajt e fundit kemi qënë të pranishëm në një dukuri të paparë ndonjëherë, atë të ndërhyrjes në forma të ndryshme të autoriteteve politike të huaja, përfaqësues organizmash ndërkombëtare apo shtetesh miq, ndonjëherë me tone shumë të forta në ngritjen e problemeve. Është një tregues jo vetëm i paaftësisë apo mungesës së vullnetit të klasës sonë politike për t’u ballafaquar seriozisht me patologjinë e sëmundjes, për të ndërhyrë kirurgjikisht mbi të, por edhe i shqetësimit të dukshëm të të huajve për të shëndoshur gjëndjen tonë që, n’atë drejtim i ngjan një kome klinike. Po mundohen, me të gjitha mënyrat, të huajtë të na bindin të çrrënjosim tumorin nga nivelet e larta të shtetit. Prokurori kroat dhe ministreja rumune vijnë e japin përvojën e tyre. I pari ka vënë në bangën e t’akuzuarvet ish kryeministrin Sanader, duke filluar hetimet nga një orë dore, e dyta ka dërguar në hetime e proçese më shumë se 1400 vetë, ndërmjet të cilëve ministra e deputetë.
Por çfarë ndodh tek ne ? Merremi me muaj të tërë, gjykata, prokurori, qeveri e parlament me telenovelën Doshi – Frroku. Autoriteti për kontrollon e pasurisë del herë mbas here me shifra të pajustifikueshme mbi pasuritë e politikanëve, me miliona euro, por askush nuk merr mundimin të zbulojë prejardhjen e tyre, kur llogaria është fare e thjeshtë të bëhet. Thuhet se Tom Doshi ka 23 mil. ndërsa Dritan Prifti rreth 10 të tillë. Shifrat e tyre dalin sepse ata kanë hyrë në kundërshti me kryetarin e LSI-së, por deklarimi dhe vërtetësimi i pasurive duhet t’ishte një praktikë e zakonshme që nuk zbatohet apo bëhet tepër formalisht. Si ka mundësi që organet e kontrollit dhe të garancisë, si Kryetari i shtetit, Gjykata kushtetuese, Prokuroria e përgjithëshme, Kontrolli i lartë i shtetit, nuk ngrenë kurrë zërin për këtë anomali të jetës shqiptare ? Apo vlen më shumë privatësia e banditëve të shoqërisë ?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë në një përfundim tepër zhgënjyes : shoqëria jonë, në nivelet e saj të larta t’administrimit, nuk është e interesuar për zbatimin e ligjshmërisë. Ja sepse korrupsioni nuk luftohet, ja sepse zv. Ambasadori amerikan, duke dalë jashtë perimetrit të detyrës së tij, i bën thirrje nxënësve të exellence-s në Tiranë, të mos qëndrojnë indiferentë kundrejt fateve të Vendit të tyre.
Para 135 vjetësh Kryeministri i Britanisë së Madhe, Disraeli, shprehej kështu : “Ushtrimi i politikës në Lindje mund të përcaktohet me një fjalë të vetme : skuthërí”. Atëherë ne nuk përfshiheshim në këtë përcaktim, sepse nuk kishim një politikë tonën, edhe se kishim treguar, nëpërmjet Lidhjes së Prizrenit, se ishim të lidhur me tokat dhe zakonet tona. Fatkeqësisht sot në përballimin e problemeve qëndrore tonat mund të përdorim termin e Disraelit, skuthëri. Të gjithë janë të vetëdijshëm se korrupsioni ka rrënjë të thella e të gjithë i janë nënështruar idesë se askush nuk mundet t’a zhdukë, sepse ata që e kanë për detyrë shmangen, tërhiqen, sepse ndoshta çmimi i luftës është shumë i shtrenjtë.
Rezultati është se në parlament shkojnë edhe njerëz me proçese kriminale të hapura jashtë shtetit e në kandidaturat për organet vendore ka edhe nga ata që janë të përfolur. Shpjegimi është i thjeshtë : forca e parasë që arrin të blejë gjithshka edhe pozitën edhe paprekshmërinë. Përballë kësaj gjëndjeje politika nuk paraqet alternativa, dhjetra partitë fiktive vrapojnë të vihen në rradhë për të marrë ndonjë thërrime lëmoshë nga partitë e mëdha që e kanë blinduar sistemin me një marrëveshje të vitit 2008.
Kohët e fundit ka patur zgjedhje edhe në Vende të tjera t’Evropës. Kanë dalë në skenë forca të reja, herë për mirë e herë për keq, por janë dëshmi e ndryshimeve të opinioneve publike, shumë prej të cilëve bëjnë levë mbi faktorin korrupsion. Dukuria nuk është vetëm e jona, e kanë në forma e përmasa të ndryshme edhe të tjerët. Ndërsa ata, mirë apo keq, mundohen t’a luftojnë, ne kënaqemi me qëndrimin vend numuro, presim të tjerët të marrin përsipër zgjidhjen e problemeve tona, për të dëgjuar në shqip nga ambasadori amerikan se “gomarin e nxjerr nga balta i zoti”. Përpjekjet për moralizimin e politikës duhet të jenë të përherëshme, mbasi prirja për të fituar me rrugë të lehta është gjithmonë e pranishme në racën njerëzore. Ato nuk duhet të jenë mjete për luftimin e kundërshtarit e për fitime politike të çastit, por kostante e jetës së shtetit e shoqërisë.
Së pari ky proçes është i lidhur me respektimin e rregullave, gjë e cila vazhdon të mbetet problematike për ne, si pasojë e një mendësie të rrënjosur thellë nga gjysëm shekulli komunist, në të cilin rregullat ishin në funksion të “përkatësisë klasore” e zbatimi i tyre subjekt i “luftës së klasave”. Sot nuk hasim të tilla mynxyra juridike, por në lëmin e drejtësisë kanë hyrë interesat financiare, shumë më të fuqishme se sa udhëzimet për karakterin klasor të saj dikur. Një shembull i thjeshtë, por tregues i mendësisë së shkeljes së rregullave qe edhe fillimi i fushatës zgjedhore para datës së caktuar me rregulloren e K.Q.Z. Përgëzime kryetares së saj që i vuri në dukje partive shkeljen e rregullores.
Për të ngulitur këtë mendësi qeveria aktuale ka ngulur këmbë që në krijimin e saj, por mjetet e përdorura janë shumë të diskutueshme. Rreptësia në kërkimin e zbatimit të ligjeve e rregulloreve është një domosdoshmëri, që duhet t’i nënështrohet një ligji të pashkruar, të zbatohet njëlloj për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim ankesat janë të shumta e nuk është e lehtë dalja në përfundime të sigurta. Ana tjetër e këtij problemi rrënjësor për të sotmen dhe t’ardhmen tonë, është zbatimi i forcës vepruese të shtetit mbi qytetarët shkelës të rregullave, në masën e kriteret e duhura. Në këtë drejtim besoj se ka teprime, mbasi nuk mund të konceptohet largimi nga puna e një punonjësi sepse nuk ka paguar një faturë të korrentit, aq më tëpër arrestimi e dënimi me gjyq i tij, kur nuk ka raste të përsëritura vjedhjesh të mëdha të energjisë. Dhënia policisë kompetenca të shtetrrethimit çon në veprime herë herë të pajustifikueshme e shpesh në kundërshtim me normat evropiane. Para disa ditësh policia i ka hequr të drejtën e patentës për gjashtë muaj një qytetari, sepse ka hyrë gabimisht në një rrugë me kah të kundërt . Pakujdesia në trafikun duhet ndëshkuar, por n’asnjë Vend t’Evropës nuk hiqet patenta për një veprim të tillë, pa asnjë pasojë apo dëm kundrejt të tretëve. Gjoba, në masën e duhur, është ndëshkimi që duhet të parashikojë ligji.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i realitetit shqiptar është ai i marredhënieve me Vendet e rajonit e të botës. Takimet dhe mbledhjet e fundit të kryeministrave ballkanas në Tiranë, besoj se mund të quhen një tregues i mirë i veprimtarisë së shtetit. Ka një keqësim të marredhënieve me Greqinë, që kalon periudhën e saj më të vështirë nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Nuk do t’a dëshironim një gjë të tillë, sepse kemi atje më shumë se gjysmë milioni shqiptarë të mërguar, por nëse përmirësimi i atyre marredhënieve do të ishte kusht sine qua non për lëshime të interesave kombëtare, ai bëhet i papranueshëm. Përmirësimi i marredhënieve me Sërbinë, i nxitur dhe i detyruar nga Evropa, shkon në drejtimin e duhur. Projekti i ndërtimit të një autostrade nga Nishi në Durrës është një sihariq, tregues i një perspektive të mirë për të dy Vendet e për gadishullin.
Bashkëpunimi me fqinjët është një detyrim, jo vetëm për shpresën e hyrjes n’Evropë, për të cilën kohët nuk do të jenë të shkurtëra, por edhe për vetë dialektikën ballkanase, të vështirësuar nga trashëgimi historike, ndërthurje interesash të të mëdhenjve e probleme kombëtare të lëna nga vendimet e shekullit të shkuar. Çështja kombëtare duhet të mbetet gjithmonë në qendrën e projektit tonë për t’ardhmen, por nuk mund të trajtohet në fundin e këtij shkrimi, për hapësirën e nevojshme që kërkon. Mendoj se filozofija, që duhet të na paraprijë në strategjinë e saj, është ajo e ish Presidentit Rugova, kurse episode si ai i dronit në stadiumin e Beogradit apo i aksionit të Kumanovës, megjithë respektin e thellë për ndjenjat atdhetare të protagonistëve, nuk janë më të këshillueshmet në rrugën tonë.
Ishin këto disa nga problemet me të cilët ballafaqohemi këto ditë. I duhen shtuar këtyre ata të zhvillimit ekonomik, të punës e të ngritjes së standartit të jetesës, për të cilët premtimet e politikës janë të pakursyera, pa spjeguar kurrë se ku do të gjenden paratë për të sendërtuar projektet. Fakti që flitet për ulje taksash në fushatën zgjedhore për administratat vendore e, njëkohësisht për projekte faraonike të qyteteve tona, pa mbulesën e duhur financiare, janë demagogji që nuk dëshmojnë seriozitetin e një klase drejtuese. Ato vetëm vërtetojnë fjalët e iluministit të madh francez D’Alembert, të vendosura në krye të këtij shkrimi.
Ngopja me lugë të zbrazur ka qenë kostanteja e 70 vjetëve të fundit të jetës sonë shtetërore. Do të ishte më e dobishme të na thuhej e vërteta, qoftë edhe e hidhur, për t’u vetëdijësuar për vështirësitë e sakrificat që na presin për t’arritur ata synime, që të tjerë popuj të Lindjes ish komuniste i kanë realizuar.
Qershor 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Panorame e politikes, shqiptare

Kufiri KOSOVE-MALI I ZI: A po i shkojnë Kosovës edhe 12 mijë hektarë?!

June 3, 2015 by dgreca

Ndonëse kanë kaluar më tepër se tri vite në takime dhe diskutime, çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka mbetur ende e pazgjidhur. Banorët e brezit kufitar ( Kosovë- Mal i Zi) theksojnë se kërkesat e Malit të Zi janë të papranueshme.
Përfaqësuesi i banorëve të brezit kufitar( Kosovë-Mal i Zi), Ali Lajçi, i cili njëherësh është anëtari (në cilësinë e vëzhguesit) i Komisionit për demarkacionin e kufirit, ka thënë për Telegrafin se Mali i Zi po tenton që njëanshëm ta zgjidh problemin e kufirit me Kosovën.
Sipas tij, shënjimi i kufijve sipas asaj që parashihet të bëhet tani, është totalisht i papranueshëm për banorët e brezit kufitar, duke shtuar se “Komisioni i ngarkuar për zgjidhjen e kësaj çështje, është treguar i ngathët përballë këtij problemi”.
“Nëse realizohen kërkesat e palës malazeze, Kosova do t’i humb 12 mijë hektarë nga territori i saj. Zonat që Mali i Zi pretendon se janë pjesë e territorit të tij, kanë qenë të banuara vazhdimisht me banorë shqiptarë. Në vijën kufitare Kullë, Kosova dëmtohet rreth 5 kilometra (hyrje brenda territorit), nëse gjendja mbetet e tillë. Mijëra hektarë do t’i humbim më këtë marrëveshje në qarkoren Qakor-Moknë-Kullë”, ka theksuar ai.
Çështja e demarkacionit do të prolongohet derisa të respektohen interesat e banorëve të asaj pjesë, duke shtuar se “duhet të riformatohet Komisioni dhe të riformatohen kërkesat. Përndryshe, çështje do të mbetet sikurse tash, pa zgjidhje”.
Në anën tjetër, Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror në sqarimin e bërë për punën dhe angazhimin e tyre, thekson se ata kanë shqyrtuar, analizuar dhe debatuar me ekspert, me zyrtar të lartë të Qeverisë Kosovës, me kryetar komunash dhe me qytetarë vazhdimisht çështjen e brezit kufitar.
Sipas tyre, për më shumë së tri vite komisioni ka kërkuar rregullisht dokumentacion lidhur me vijën kufitare nga të lartë cekurit.
“Gjatë analizave janë marrë për bazë të dhënat zyrtare kadastrale, hartat topografike, atlaset e ndryshme, skicat, është hulumtuar edhe terreni, janë bërë matje nga komisionet shtetërore. Veçanërisht është diskutuar me kryetarin e komunës se Pejës, ish kryetarin e komunës, Ali Berisha dhe tani me kryetarin aktual Gazmend Muhaxheri, me ekipet e tyre për vijën kufitare, të cilin e menaxhojnë dhe e posedojnë dokumentacionin në kadastrën e Pejës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ata theksojnë se Komisioni pret nga qytetaret dhe të gjitha institucionet e vendit që të ofrojnë ndihmën e tyre me dokumente apo në forma të ndryshme, të cilat do të mund të qartësonin çështjet pretenduese që kanë në bëjnë me shënimin e vijës kufitare.
Ndërsa, sa i përket dokumentacionit të përdorur nga ky komision për shënjimin e kufirit, ai sipas tyre, është i bazuar në dokumentacionin relevant shtetëror si vijon: Kufiri i Kosovës në harta kadastrale, 1974, 1988, 2015, Harta topografike me shkallë1:25.000, të viteve 1963, 1987, në Hartat topografike të KFOR-it nga qershori i vitit 1999, Atlase të ndryshme tematike, 1974, 1988, 2015, Harta historike të periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme.
“Madje janë trajtuar, dokumente, shkresa, foto-skicat dhe koordinatat nga matjet e viteve ,1931/32, 1974-1988-2015, prej të cilave janë përpiluar dhe janë duke u përditësuar hartat kadastrale në shkallë 1:2500, për vijën kufitare me Malin e Zi. Është në përfundim edhe atlasi i gjithë dokumentacionit të trajtuar nga komisioni”, sqarohet në këtë njoftim.
Si dokument në shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ky Komision ka përdorur edhe bazën e të dhënave të Komunës së Pejës me zonat kadastrale, ku sqarohet se kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi fillon prej tre kufirit Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, me lartësi mbidetare 2366 metra dhe vazhdon nëpër kreshta malesh, të lartësive shumë të pa përshtatshme, deri te tre kufiri Kosovë, Mal i Zi, Serbi në lartësinë mbidetare 2155 m.
“Informatat në vijim për Zonat Kadastrale të Komunës së Pejës, janë nga baza e të dhënave të zyrës kadastrale në Pejë dhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Të dhënat për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, përveç komunave Junik, Deçan dhe Istog(Burim), janë njëkohësisht të dhëna kadastrale pronësore-juridike të Komunës Pejë. Të dhënat e bashkëngjitura, janë nga viti 1974, në përputhshmëri me të dhënat e caktuara për kufi, sipas Pakos së Ahtisaarit, që ishin në fuqi me datë 31 Dhjetor 1988. Pakoja është ratifikuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës me 17 shkurt 2008”, thuhet në këtë njoftim.
Ndryshe, të enjten mbahet seanca plenare ku zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi do të jetë në interpelancë për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosove, Kufiri, Mali i Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT