• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SHKUPIN SHQIPTAR,2015?!

April 29, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Besojeni ose jo, por është e vërtetë — kjo është një demonstratë që u zhvillua të premtën në sheshin para xhamisë së Murat Pashës në Shkup, në mbështetje të tezës së Turqisë se gjenocidi kundër popullit armen nga otomanët, fillim shekullin e kaluar, nuk ishte i tillë. Agjencia e lajmeve INA njofton se protestuesit — me flamuj boshnjakë, turqë dhe shqiptarë — “Kanë theksuar se në protestë janë mbledhur shqiptarë, turq e boshnjakë për të kundërshtuar siç thuhet pretendimet e armenëve se ndaj tyre është bërë gjenocid gjatë luftës së vitit 1915 nga ana e Turqisë”. Kjo është një çështje për historianët, për të vendosur më në fund nëse masakra turke kundër armenëve ishin gjenocid ose jo, por pyetja është se ç’duan shqiptarët në protestë në mbrojtje të një politike që kishte për synim zhdukjen e një populli. Sikurë shqiptarët në Maqedoni nuk kanë mjaft probleme të vetat për të cilat duhet të dilnin në protesta?!
INA njofton se protesta është kritikuar në rrjetët sociale, ku komentues të ndryshëm shfaqin zemërimin e tyre duke u shprehur se është “turp për shqiptarët” që në vend të kësaj proteste, në favor të interesave interpretimeve turke të historisë, “Nuk organizojnë protesta kombëtare kundër diskriminimit dhe montimeve kundër shqiptarëve në atë vend”, nga ana e shtetit sllavo-maqedonas. Në vend që të mbrojnë të drejtat, interesat, gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare, shqiptarët në Shkup protestojnë në favor të interesave dhe agjendave të qarqeve të huaja, të cilat nuk kanë të bëjnë as me çështjen shqiptare në Maqedoni dhe as me interesat kombëtare të shqiptarëve në të kaluarën as tani — në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.

Fatkeqsisht, gjëja e vetme që simbolizon kjo demonstratë është zhdukja dal ngadalë e identitetit kombëtar në Shkup dhe në krahina të tjera shqiptare të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Por,përveç kësaj, kjo protestë demonstron gjithashtu edhe depërtimin e thellë agjenturave të huaja, kryesisht turko-sllave në ato vise shqiptare, të cilat jo vetëm tashti, por historikisht, kanë punuar kundër interesave kombëtare të shqiptarëve — duke bërë ç’mos që të zbehet dhe më në fund të zhduket identiteti i shqiptarëve, siç ka venë në dukje gazetari Marin Mema i Top Channel Albania në këtë raport, https://www.youtube.com/watch?v=OEfd940Lwhs, ku dokumenton një realitet tepër të dhimbshëm në Ohër — zhdukjen e identitetit të shqiptarëve në atë qytet dikurë me shumicë shqiptare.
Realiteti është se armiqët e kombit shqiptarë kanë punuar gjithmonë dhe punojnë tani kundër interesave kombëtare historike të shqiptarëve në trojet e veta, madje disa prej zyrtarëve më të lartë të këtyre vendve bëjnë thirrje zyrtare, jo vetëm për rishkimin, por edhe për ndryshimin e historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, për tua përshtatur historinë e trojeve shqiptare interesave të tyre afatgjata.
Dihet se armiqtë shekullorë të kombit shqiptar nuk do të heqin kurrë dorë nga politikat e tyre antishqiptare — por fatkeqsisht duket se, siç ka thënë Faik Konica, armiku më i madh i shqiptarëve kanë qenë dhe janë vet shqiptarët!

Filed Under: Analiza Tagged With: 2015, Frank shkreli, NË SHKUPIN SHQIPTAR

Maqedonisë po i shterin rezervat e themelimit të shtetit falso!

April 27, 2015 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
Se kriza politike në Maqedoni po merr dita ditës përmasa ma dramatike nuk ka dyshim!Keqësimin e situatës atje,po e nxisin forcat maqedonase duke provokuar dhe duke ndjek një diskriminim ndaj shqiptarëve. Forcat e tyre po e ngacmojnë griazin,ku nuk po i dinë hallin vetes së vet ngase janë të rrethuar me shqiptarë,në të gjitha anetë, edhe se faktori shqiptar është shumë i dobët në proceset politike?!.. – Akoma në këtë shekull dhe në këtë kohë që demokratizimi përfshiu të gjitha shtete e Evropës. -Vetëm në Maqedoni dhe Serbi diskriminimi akoma vjen si forcë e një politike zyrtar e Maqedonisë po edhe te Serbisë!. Një mininoritet barbar sllavo-maqedone duhet të bien sa ma parë nga skena politike,duke e ndihmuar edhe politika zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës. Ky fenomen po praktikohet edhe këto ditë me një ofensivë të fuqishme nga forcat maqedonase kundër fshatrave etnike shqiptare. Ata janë duke inskenuar gjeja aktivitete të shqiptarëve kundër Maqedonisë ,po edhe sikur të jete e sigurt ajo as pak nuk duhet të gjykohet as të hamenden maqedonasit ngase shqiptarët janë në tokat e veta në vendin e vet . Të vazhdoje një dhunë aq brutale nga një pakice sllavo-maqedone nuk tolerohet as nga faktori shqiptar. Nuk tolerohet kur dihet se maqedonasit atje janë pakicë në raport me shqiptarët akoma qe kanë ngel si shqiptare. Po të merren parasysh edhe numri i shqiptarëve ortodoks afër 300.000 , po edhe pjesëtarët turq që deklarohen të gjithë ishin shqiptarë dhe prapë herëdokur ata do t’i kthehen të kaluarës së vet etnike. Kështu që po shihet se Maqedonisë i erdhi fundi dhe po i shtirren rezervat e themelimit të shtetit falco në ish Jugosllavi!

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, maqedoni, shteti falso

Mbrojeni Blushin, shqiptarë …

April 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Ato 118 apo 120 pika që shtron Blushi, nuk janë vetëm për të majtën. Por edhe për të djathtën. Nuk janë për të gëzuar të djathtëtn dhe hidhëruar të majtën. As edhe anasjelltas nëse do të kishim të djathtën në pushtet. Dhe një Blush të djathtë që t’i konstatojë ato. Ose më saktë të guxojë. Nuk janë as për të demaskuar të majtën. Një frymë e tërë statuore politike që nuk respektohet është prezente prej kohësh në politikën shqiptare. Që nuk ka as kontrata me popullin, e as kontrata mes aleancave. Kësisoj nuk ka se si të bëhet fjalë për ato soj marrëveshjesh mes burrash fisnik. Të cilët janë në fundin e hinkës. Rrethorja e madhe e hinkës është plot me llum. Por janë për të kujtuar popullin që sa në krizë është e ardhmja e vendit tonë për shkak të këtij llumi. 
Sikur Shqipëria të kishte ca më shumë Ben Blushë në politikën e saj, nga të dy krahët. Sigurisht tranzicioni nuk do ishte përjetësisht tranzicion. Nuk do kishim eksode të njëpasnjëshme. Nuk do kishim humbje kohe të merreshim me dekriminalizimin e Kuvendit. Por me alencat e Uninonit ku bëjmë pjesë. Nuk do kishim koalicione me 39 vagonë dhe 17 vagonë, por mjaftushëm tri a katër parti. Nuk do të kishim Ndokër herë demokrat, here socialist, herë kristian pa demo dhe herë kristian me demo. Nuk do të kishim minoritarë të Jurgucatit, dhe minoritarë të Himarës. Nuk do kishim çamër të Tahirit, çamër të Muhedinit e së fundi të Idrizit. Nuk do të kishim turq për inat të serbëve dhe maqedonas për inat të shqiptarëve. Nuk do të kishim kryetarë bashkish një tip individi që herë është lësëist, herë demokrat, herë socialist. Dhe asnjeherë i as njërës apo tjetrës palë, e për rrjedhojë as edhe i juaji. Por nuk do të kishim edhe atë lloj drejtësie horror të së dielës ku shqiptarët ngelën duke u parë nëpër gjyqe. Nuk do të valvisnim flamurin e Turqisë në mes të Shkodrës, për inat të flamujve grekë në jugun e Shqipërisë.
Një Blush i vetëm nuk është asgjë. Edhe pse po u thotë të vërtetën. Edhe pse po i flet një populli të tërë. Madje i duhet thënë këtij populli të angazhuar, të çangazhohet. Të kuptojë se demokraci nuk do të thotë të angazhohesh. Por të çangazhohesh. Të jesh qytetar që denoncon. Një tullë e hequr në Korçë, të jeni të bindur që ka plasaritur edhe muret e shtëpisë tuaj. Edhe pse ajo mund të ndodhet në Luginën e Preshevës. Madje u duhet thënë, mbrojeni Blushin. Që të mbroni vetveten.
Po shoh çdo ditë që ka individë të cilët perms parasë së kapur vuajnë si dema të plagosur të blejnë pak sharm aristokracie. Periudhë që ka perënduar. Vendi nuk ka nevojë për aristokratë, por për qytetarë demokratë. Intelektual nuk të bën diploma e blerë, por botkupimi, leximi dënimi më i ashpër që mund t’i bësh vetvetes për të qënë shërbëtor i qytetarisë. Këtë po bën edhe Ben Blushi ndaj mbrojeni Benin. 
Një Blush i vetëm, nuk është asgjë. Edhe pse po bën më shumë se të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mbrojeni Blushin, shqiptare

Një terrorist i shovenizmit grek për Himarën

April 27, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
O Zot na ka mbarue shteti, të rrosh vetë, o krahëthati popull. Po si more të kandidojë Fredi Beleri, një njeri që ka bërë vrasje në një akt terrorist të mirëfilltë në repartin ushtarak në fshatin Peshkëpi më 10 prill 1994 për llogari të qarqeve shovinistëve fqinjë. Për atë ngjarje kemi shkruar gjerësisht në faqet e gazetës shqiptare “Egnatia” që nxirrnim aso kohe në Athinë si emigrantë. Për atë ngjarje kanë qenë indinjuar edhe vetë shtypi e opinioni përparimtar grek të cilin nuk duhet ta ngatërrojmë me krahun ekstremist e ultra shovinist, me plehrat e Greqisë. Dy të vrarë pra në krye të detyrës në mbrojtje të Atdheut, ushtari Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç nga Semani i Fieri dhe oficeri Fatmir Sali Shehu, 34 vjeç, nga Tepelena. Një akt terrorist i një grupi të ndihmuar nga nacionalistët grekë dhe të organizuar nga terroristët e organizatës MAVI, me frymëzues gazetën “Stohos” të banditit Kapsali, ku ndër kryesorët ka qënë edhe Fredi Beleri dhe ky na qenka kandidat për Himaren.
Ju plaçin sytë, o shtetarët tanë që nuk e ndaloni, që nuk ja hiqni nënshtetësinë e ta përzini prej Shqipërisë si qen i lagur. Si nuk keni turp more? I bini popullit tonë të varfër e të urtë (doni t’u merrni edhe shtëpitë kur nuk kanë para të paguajnë energjinë- apo jo more ministri ynë mendjengushtë Gjiknuri), e u përkdhelni bishtin zagarëve të ekstremistëve të Greqisë. O qorra! O guakë ! Bëhuri more të gjallë se na mori shovinizmi grek Atdheun. Po ku është truri i Inteligjent Servicit tonë Visho Ajazi, mese merret. Po Spartaku i Sigurisë Kombëtare në parlament, ku e ka çantën me sekretet e zezonat? Po pse e doni ta krijoni FBI-shqiptare, me mbledh kanaçe në bregdet kur lejoni një vrasës e kriminel antishqiptar të kandidojë për kryebashkiak në Himarë. A mundet për analogji, që një nacionalist shqiptar që ka vrarë dy grekë të shkojnë në Greqi dhe të shpallë kandidaturën për kryebashkiak i Janinës apo i Selanikut?
Kaq soj plehu qenkemi ne që e pranojmë terroristin të garojë në zgjedhje ku në garë duhet të shkojnë ajka e kombit e jo mutsihanet e fqinjëve. Ku je, o Komision i Zgjedhjeve ( KQZ) me çfarë përralliseni, si ja keni pranuar kandidaturën këtij krimineli. A ka ndonjë shqetësim Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. A e kanë menduar si do ta përballojnë një terrorist në pushtet nëse e fiton-blen elektoratin me pensionet e Greqisë, kur ai të kërkojë bashkimin e Himarës me Greqinë? Faqja e zezë, nuk jemi shqiptarë ju more, jo, por me sa po duket, të gjithë të shitur tek greku. Mbase jam gabim po dilni bëhuni të gjallë e na e vërtetoni të kundërtën. Ne ashtu duam, të jeni atdhetarë. Po hë, ne cfare vrime miu jeni futur?!
Mjer populli çfarë bij plangprishës paska rritur. Kjo nuk është Shqipëria që duam ne. Kjo është poshtërim dhe një qëlbësirllëk i pa parë në historinë tonë kombëtare. Çohu, o Faik Konica nga varri e tregoju këtyre memurëve e matrahulëve që na drejtojnë se çfarë janë grekët.
Çohu, o Fan Noli! Çohu edhe ti, o Papa Kristo Negovani, o Martir i Ortodoksisë, që duhej të ishe shenjtor e jo i harruar nga Janullat e partullat e Kishës së pushtuar Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Poshtë armiqtë e Shqipërisë – akoma më poshtë legenat shqiptarë që u shërbejnë atyre të huajve që kërkojnë copëtimin e shkatërrimin e trojeve shqiptare!

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Trboini, Një terrorist i shovenizmit grek për Himarën

Përballja e një krimineli me legjendën e shqiptarëve, Ibrahim Rugova

April 27, 2015 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Një nga figurat më të errëta të politikës dhe nëntokës shqiptare, pra ish-kreu i SHISH-it shqiptar Fatos Klosi, shkoi para pak ditësh në Prishtinë dhe përmes një ekrani televiziv provokoi shqiptarët e Kosovës dhe të të gjitha territoreve ballkanike e në diasporë, ku ata jetojnë, duke hedh vrer mbi personalitetin e Ibrahim Rugovës. Ai tha në Prishtinë se “Kosova kurrë nuk do të çlirohej – po të varej nga Ibrahim Rugova” dhe se “politika e Ibrahim Rugovës ishte pa krye”. Më pas u zhduk prej andej, duke vrapuar drejt strofkës së vet prej spiuni në Tiranë. Ky farë spiuni dhe krimineli është shpall nga komisioni si veteran i luftës në Kosovë, vendim prej të cilit zotit Klosi do t’i vijnë në konto 300 euro në muaj. Mesa duket nuk i kanë mjaftuar qindramijë markat gjermane, të cilat në vitin 1998-1999 Xhavit Haliti, Ibrahim Kelmendi e të tjerë ia sillnin në zarfe e thasë nga Zvicra e Gjermaniai. Asokohe më ka rastisur të kontaktoj e të ndihmoj pa asnjë qindarkë shpërblim shumë patriotë shqiptarë që vinin nga Zvicra e Gjermania për t’u bashkuar më luftën. Kam takuar dhe prej atyre që në koinfidencë m’i tregonin zarfet e shamitë në brez të përgatitura e të porositura për ministra, si dhe shefin e shërbimit sekret, Klosin. I shihja me habi dhe i mëshiroja këta njerëz idealistë, të cilët besonin fort te liria e pavarësia e Kosovës e nga ana tjetër ndjenin nevojën e ndihmës nga ana e“shtetit amë”.
Klosi, nga ana e tij, këtë ndjenjë të natyrshme të njerëzve në dëshprim e në nevojë të Kosovës e shfrytëzoi mrekullisht përmes parimit marksist e stalinist:“Përça e sundo”. Ai kaloi përtej qëndrimeve të shefit të tij, Fatos Nano, i cili mesa duket kishte vënë re rrezikshmërinë e shefit të shërbimit sekret, të lidhur ngushtë me kreun e parlamentit, kreun e shtetit dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Të katër këta ishin dhe ruajnë të njëjtat pozicione midis tyre sa i përket luftës në Kosovë dhe figurës e rolit të Ibrahim Rugovës për çlirimin e saj. Rexhep Qosja dhe Jakup Krasniqi ishin aso kohe koordinatorët e veprimit përçarës antirugovë në Tiranë. Vila 31 e ish-diktatorit shqiptar ishte bërë qendra e projekteve për përçarjen e shqiptarëve. Aty u hartuan e deklaratat pro Milosheviçit dhe kundër Ibrahim Rugovës, të cilat iu servirën publikut si deklarata në emër të presidentit. Të gjithë ata që e kanë jetuar atë periudhë nuk kanë harruar se atë ditë të fillimit të prillit 1999 presidenti i Shqipërisë, bazuar në informacionet e shtrembëruara të Fatos Klosit dhe presionin e kreut të parlamentit e të ministrit të Jashtëm dënoi në media “tradhëtinë e Rugovës” në Beograd. Kjo deklaratë u dha, sapo presidenti Rugova u shfaq në ektanin e TV Beogradit së bashku me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç.
A kishim të bënim në këtë rast me një inskenim të aranzhuar nga ana e Klosit me Milosheviçin, sepse nuk besoj se presidenti i vendit tim kishte dijeni për këtë aranzhim? Po i referohemi disa fakteve. Renata Flottau ishte e vetmja gazetare perendimore, e cila e maskuar qëndroi asokohe në shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Në ditaret e saj, të botuara në revistën e famshme gjermane “Spiegel”, ajo sqaron të gjitha momentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur brenda atyre mureve. Ai ditar shpërndau mjergullën që kishte krijuar takimi i Rugovës me Milosheviçin, sepse Flotau ditarin e saj ende të pabootuar ia dha ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Dy herë Joschka Fischer ishte bërë garant te kolegët e tij amerikanë e europianë për realitetin dramatic të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Herën e parë Fischer mori në dorë nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë projektin e shpërnguljes dhe asgjësimit të shqiptarëve të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe,të nënshkruar prej Milosheviçit dhe e përdori këtë dokument sekret si dëshmi për të bindur partnerët europianë në luftën e shenjtë për drejtësi e humanizëm në Kosovë. Herën e dytë ai pati në dorë ditarin e gazetares së famshme, Renate Flottau, në të cilin qartësohej fakti se Ibrahim Rugova ishte peng në duart e Milosheviçit. Dhe pengun Fatos Klosi e bashkëpunëtorët e tij e trajtuan si si “tradhëti” të kombit. Madje pak minuta pasi vetë kasapi i Ballkanit dhe i shqiptarëve në Beograd ua dha këtë mundësi, duke pozuar me Rugovën në selinë e tij.
Në ditarin e saj të datës 2 prill 1999 Renate Flottau shkruan se, Rugova i ka deklaruar asaj shprehimisht: “Milosevic spielt mit mir jetzt Katz und Maus. Er ëill mich, ëenn er die Ëelt mit unseren angeblichen Vereinbarungen genügend verëirrt hat, vor meinem Volk als Verräter diskriminieren:. Kushdo që kupton gjermanisht mund të dallojë se në këto dy rrjeshta Rugova ka thënë se “Milosheviçi po luan me mua si macja me miun. Ai do që me mua të çoroditë opinionin ndërkombëtar dhe të më diskriminojë si tradhëtar para popullit tim”. Se Milosheviçi kishte një projekt për diskriminimin e Rugovës në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm, kjo tashmë është faktuar nga shumë analistë dhe kronikanë të ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovë. Dhe se Rugova doli i pastër dhe vital nga kjo përpjekje, këtë e dëshmoi gjithashtu në ballafaqimin e tij me Milosheviçin në Hagë si dhe në rezultatet e zgjedhjeve të pasluftës në Kosovë.
Dhe megjithatë Fatos Klosi vazhdon ta sulmojë Rugovën. Po kështu dhe disa miq të tij të kauzës antirugovë. Ndërkohë vetë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër ta Ramush Haradinaj, tashmë betohen për Rugovën. Mos harrojmë se Haradinaj në kohën e luftës, i ndikuar nga Fatos Klosi e bashkëpunëtorët e tij, e kishte shpallur Rugovën “tradhëtar. Por ai pati guximin ta ndryshojë qëndrimin ndaj liderit historik të Kosovës, sepse duket që nuk është i kapur nga kurtha e Milosheviçit dhe e Serbisë..
Ndërsa Fatos Klosi dëshmoi në intervistën e tij në Kosovë se nuk ka ndërmend të korrigjohet e të ndryshojë mendim për rolin dhe kontributin e Dr. Rugovës për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kanë kaluar 16 vite nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe po bëhen dhjetë vjet që kur Rugova ndërroi jetë. Kanë ndodhur ngjarje të shumta dhe janë publikuar dëshmi të panumërta për këtë kontribut. Bill Clinton, Tony Blair, Chrisofer Hill dhe aktorë të tjerë prominentë të luftës në Kosovë e kanë krahasuar Rugoën me Papën dhe. Megjithatë Fatos Klosi mbetet stoik në akuzat e tij të linjës së Milosheviçit sa i përket rolit dhe kontributit të Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Deklaratat e Klosit janë përçarëse, provokative dhe për pasojë në të njëjtën linjë me politikën e Milosheviçit të ndjekur në raport me Rugovën. Klosi nuk shfaqet vetëm si metafizik në gjykimet e tij. Kur shtrembërohet kësisoj e vërteta, duhet gjurmuar në shkaqet e qëndrimit metafizik të stoicuar. Pse ndodh kjo te Klosi dhe miqtë e tij, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se janë personalitete me mend?! Eshtë e çuditshme! Të katër protagonistët antirugovë në Tiranë të kohës së luftës e që vazhdojnë të mbrojnë pikëpamjet e tyre të gabuara, janë profesorë-doktorë, tre prej tyre në (meta) fizikë dhe njëri prej tyre në histori. Pra nuk janë njerëz që nuk dinë të ballafaqojnë provat e faktet që dalin në dritë, pas atij momentit të parë, kur ata gabuan. Atëherë pse veprojnë me vetëdije kësisoj dhe bëjnë interpretime subjektive permanente kundër njeriut më të merituar në historinë modern të kombit shqiptar?! A thua Klosi të jetë ndikuar nga ato 300 eurot e veteranit të veprimtarisë antishqiptare, për të vijuar të bëjë shërbimin e radhës kundër Kosovës dhe shqiptarëve?!
Klosi, në kohën e luftës më 1998-1999 i udhëzonte drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare që të mos pranonin asnjë bashkëpunim dhe asnjë marrëveshje me forcat e armatosura të krahut të Rugovës. Ai u thoshte atyre që t’i shpallnin luftë me të gjitha mënyrat Rugovës, LDK-së dhe të gjithë shqiptarëve në Kosovë që besonin tek ato. Madje deri në këshillën e modelin enveristo-stalinist: “Këdo që merrni në radhët e UÇK-së do të duhet t’i provoni se ai “e urren Ibrahim Rugovën”. Dhe për këtë qëllim, Klosi udhëzonte që kur bëheshin rekrutime të vinin diku në dysheme fotografinë e Rugovës e t’i kërkonin kandidatit për rekrutim ta shkelte atë, si shenjë besnikërie antirugovë. Këto ndodhnin shumë kohë para se Rugova të merrej peng në Beograd.
Po kush e dëshironte përçarjen e shqiptarëve në këtë kohë lufte, krize e konflikti, përveçse Milosheviçit? A ishte e mundur që shefi i shërbimit sekret të Tiranës të mos e njihte këtë strategji të Milosheviçit?! Sigurisht, që askush nuk beson të kundërtën, pasiqë këtë strategji e njihnin shumica dërmuese e shqiptarëve në Kosovë, të cilët i besuan presidentit të tyre në kohët më të vështira, edhe atëherë kur ata nuk dinin sa viktima kishin lënë në oborret e familjeve të tyre. I besuan e madje, sipas Christofer Hill, i lëshoheshin në gjunjë duke u përkulur me respekt para tij, sikur të ishte Papa. Fatos Klosi ishte në dijeni nga informacionet dhe nga leximi i veprimeve të Beogradit, se Milosheviçi dëshironte ta linçonte presidentin e liderin shpirtëror të shqiptarëve në Kosovë. Megjithatë aso kohe e mbështeti këtë strategji të Beogradit kundër Rugovës. Edhe sot vazhdon t’i bëjë shërbimin e radhës ish-Hitlerit të Ballkanit, tashmë në ferr. Kjo ndodh, sepse Klosi ka mision përçarjen e shqiptarëve, jo bashkimin e tyre, ka mision të krijojë konflikte të brendshme dhe jo homogjenitet te ata.Këtë konstatim e ka artikuluar në reagimin e tij ndaj deklaratave të Klosit shumë saktë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: “Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar. Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës”, shkruan zoti Mustafa.
Në këtë kontekst unë vetëm mund të sjell ndonjë argument shtesë rreth kësaj të vvërtete. Një nga gazetarët më me emër të Kosovës menjëherë pas deklaratave të Klosit e ka etiketuar atë si “kriminel nga Tirana”. A është Fatos Klosi kriminel?! Përveç faktit se veprimet kriminale të tij i kam përjetuar vetë në nëntorin e vitit 2000 dhe në pranverën e vitit 2002, do të doja të jepja dhe disa fakte të tjera. Sa për sqarim Klosi bëri përpjekje asokohe të më likuidonte fizikisht, histori, të cilën e kam denoncuar në kohën e duhur. Por ky nuk është problemi i vetëm. Të gjithëve na kujtohet vizita e ish-liderit të opozitës shqiptare në maj të vitit 2000 në Vlorë dhe dekonspirimi i planit të Klosit për vrasjen e tij. Të gjithë e njohin faktin se si Klosi u denoncua nga personat e ngarkuar për këtë vrasje, madje me detaje të organizimit të vrasjes, duke dëshmuar për llojin e armës që do përdorej si dhe për shumën e dollarëve të vënë në dispozicion nga ana e Klosit. Të gjithë e njohin faktin se çfarë roli pati Klosi në mbrojtjen që u dha vrasësve të Azem Hajdarit për më shumë se dy vite, duke i garantuar ata se nuk do të ndëshkoheshin. Dhe kur ndëshkimi u pa si i paevitueshëm, ai i likuidoi me bomba me telekomandë vrasësit kryesorë, me të cilët kishte pasur kontakte, me qëllim humbjen e gjurmëve të krimit. Janë me dhjetra qytetarë shqiptarë, madje gazetarë, politikanë, njerëz publikë dhe atdhetarë, të cilët mund të sjellin dëshmi të pafund për krimet e Fatos Klosit.
Në Kosovë SHIK-u i shumëpërfolur për aktet makabre krimininale ishte vepër e Fatos Klosit. Njerëzit e Klosit qëndruan me muaj e me vite në Hotel Grand të Prishtinës, me qëllim instalimin e krimit atje, për likuidimin e figurave politike e publike të saj, përfshirë dhe presidentin, Ibrahim Rugova. Ata u paguan nga Klosi, morën gjithnjë udhëzime prej tij, madje u ngarkuan me detyra konkrete në veprat e tyre kriminale. Ky kriminel i klasit të parë, të cilin në prill të vitit 2002 e krahasoja me Bin Ladenin, sot është “bërë veteran” i luftës së Kosovës! Nëse do të duhej gjetur një mënyrë tjetër më diskrutuese për luftën e Kosovës dhe për UÇK-në, është e sigurt se do të ishte e pamundur. Vetëm nëse do të shpallej edhe Milosheviçi veteran i kësaj lufte. Karta e veteranit për Fatos Klosin i thotë të gjitha, kompromenton gjithçka. Por është e pabesueshme si ka mundësi që luftëtarët e UÇK-së, sot pas 16 vitesh kur lufta ka mbaruar të jenë kaq të dhënë pas një krimineli, si Fatos Klosi?!
Jo Ibrahim Rugova, pa të cilin nuk do të kishte kompaktësim të shqiptarëve në Kosovë, strategji dhe vision për çlirimin e Kosovës dhe nuk do të kishte përkrahje ndërkombëtare për luftën, por Fatos Klosi dhe shërbëtorët e tij janë turpi i luftës në Kosovë. Ibrahim Rugovës nuk mund t’i njihet asnjë gabim sa i përket krijimit të harmonisë dhe homogjenitetit të shqiptarëve në Kosovë. Fatos Klosi është sinonimi i përçarjes. Kriteri i bashkimit dhe përçarjes së anëtarëve të një kombi është kriteri themelor i përcaktimit të tyre si heronj apo si tradhëtarë. Kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri, Kosovë e kudo. Mjafton kjo diferencë për të kuptuar se kush ishte atdhetari e kush është tradhëtari, kur ishte i urti e kush është përçarësi. Ishte Rugova që me pak bashkëpunëtorë, si Fehmi Agani e ndonjë tjetër shpërndau mjergullën që Serbia kishte krijuar në gati dy shekuj për Kosovën e kundër shqiptarëve. Me qindra tituj librash antishqiptarë ka shpërndarë e shpërndan Serbia në mijëra biblioteka e librari, arkiva dhe institute në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë, duke luajtur rolin e viktimës, me qëllim krijimin e epersisë së saj në rajon e në luftën kundër shqiptarëve dhe me qëllim ruajtjen e mbështetjes së perendimit për Serbinë.
Ibrahim Rugova në dhjetë vite e çmontoi nga themelet këtë investim serb, duke e bindur botën se viktima nuk ishin serbët, por ishin shqiptarët. Ky është kontributi më i madh i tij në shërbim të kombit e të atdheut, shërbim i cili e mobilizoi NATO-n të bombardonte Serbinë e të çlironte Kosovën. Kjo vepër e Rugovës është unikale jo vetëm në historinë e shqiptarëve, porn ë historinë e Europës e të të gjithë botës.Por unë nuk dua të jem metafizik si Klosi. Eshtë e vërtetë gjithashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe rezistenca e saj e thelloi konfliktin, duke nxit Milosheviçin të ushtrojë dhunë e terror në vend. Pa këtë akt ndoshta NATO nuk do të ishte kompakte në veprimet e saj luftarake të vitit 1999.
Klosi e kishte mundësinë t’i trajtonte në lidhje dhe harmoni këto shërbime të Kosovës në dobi të lirisë e pavarësisë së saj. Por nuk do që ta bëjë këtë. Së pari se është kriminel dhe së dyti se vazhdon të shërbejë për llogari të Milosheviçit, edhe pse ky i fundit ka vite që ka shkuar tek të shumtët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Bytyci, Ibrahim Rugova, Përballja e një krimineli me legjendën e shqiptarëve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • 813
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT