• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk ikën,kufijtë e 1913 janë të gabuar

March 27, 2015 by dgreca

Nga Marcus Tanner/
Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë shkaktoi një stuhi të parashikueshme mbi komentet për bashkim kombëtar nga disa pjesëmarrës. Edhe një herë, hija e Shqipërisë së Madhe po shqetëson Ballkanin, në veçanti, Serbinë. Beogradi “nuk do të rrijë në heshtje ndërsa Shqipëria e Madhe po krijohet,” ulëriti Ministri i Drejtësisë së Serbisë. Serbët nuk janë të vetmit që ankohen. Disa në Shqipëri kritikojnë vetë politikanët e tyre për shkak të asaj që e shohin si retorikë nacionaliste të përdorur për qëllime të pista të vetë politikanëve.
Natyrisht, politikanët duhet të jenë të kujdesshëm kur merren me gjëra të tilla të rrezikshme si nacionalizmi, një tigër përrallash që shpesh i përpin ata që mendojnë se mund ta kontrollojnë atë.
Megjithatë, nacionalizmi nuk do të zhduket edhe pse shumë e dëshirojnë këtë gjë. E majta dhe aktivistët e shoqërisë civile e cilësojnë atë si një sëmundje që mund dhe duhet të izoluar, të kurohet dhe hiqet. Por historia – duke përfshirë historinë e kohëve të fundit në Ballkan – sugjeron se nacionalizmi është pjesë tepër integrale e ndjenjave të njerëzve për vetveten dhe që nuk mund të hiqet qafe lehtë.
Në rastin e Shqipërisë, nacionalizmi i “të madhes”, apo irredentizmit do të mbetet në lojë – pavarësisht nëse politikanët luajnë apo jo me të – deri sa kufijtë e vendosur në mënyrë të çmendur të këtij vendi do të bëhen të parëndësishëm nga integrimi Europian i Ballkanit. Kufijtë e vendosura më 1913 lanë shumë tepër shqiptarë jashtë shtetit kombëtar dhe kjo bën që ndjenja e Shqipërisë të Madhe të ekzistojë në një farë forme.
Shqiptarët nuk janë viktimat e vetme në Europë të kufijve që duken si pa lidhje por që zakonisht kanë një lloj logjike, bazuar qoftë në histori, qoftë në gjeografi. Kufiri mes Kroacisë dhe Hercegovinës psh, nuk ka logjikë etnike, por ai ka të paktën peshën e historisë në anën e tij.
Kufijtë e Shqipërisë nuk kanë as historinë, as gjeografinë dhe as etnicitetin e popullsive banuese për t’i justifikuar. Ato janë thjeshtë “atje”. Si trashëgimi e përjetshme e diskutimeve pas darke të diplomatëve pa kurrfarë lidhjeje që u takuan në Londër, shumicës së të cilëve, as që u bënte përshtypje se çfarë po bënin.
Duke kërkuar për një libër mbi udhëtaren angleze të Ballkanit Edith Durham, arrita të kuptoj se sa të pavlerë dhe sa të dëmshëm qenë vendimet e vitit 1913.
Vetë Durham arriti të ndryshojë kufirin e Shqipërisë së jugut duke i dërguar një telegram të shënjestruar mirë Konferencës së Londrës në të cilën ai kërkoi që qyteti i Korçës t’i jepet Shqipërisë në vend të Greqisë. Kufiri u zhvendos në jug, duke shkaktuar zemërim në Athinë. “Ndihmova për të shpëtuar Korçën,” shkroi shkurtimisht Durham pak më vonë.
Mirë për të, mund të mendojë dikush. Korça qe përfundimisht me shumicë shqiptare. Megjithatë, kjo tregon se sa të pavëmendshëm qenë diplomatët e Konferencës së Londrës në trajtimin e problemeve të kufijve. Në veri, Gjakova dhe Dibra iu dhanë Serbisë thjeshtë për shkak se Serbia i kërkoi dhe për shkak se Rusia mbështeti Serbinë. Askujt në Londër nuk iu bë vonë që Serbia nuk kishte pretendime serioze etnike apo historike për asnjërin prej këtyre qyteteve, apo që humbja e tyre për Shqipërinë do të përkthehej në rrënim ekonomik për shumicën e Shqipërisë së veriut, duke ndarë fshatin nga tregjet me të cilat qenë lidhur.
Ajo që më trondit mua më shumë mbi kufijtë që ju vendosën SHqipërisë qe një faqe në kujtimet e Ministrit të Jashtëm të Britanisë Edward Grey, i cili përshkroi ngjarjen me pasoja shkatërimtare për Shqipërinë me terma gati komike. Grey dukshëm nuk kishte asnjë dijeni se ku gjendeshin dy qytetet dhe gabimisht e quan Gjakovën “fshat,” a thua se beteja qe për disa kasolle dhe jo për një qytezë të rëndësishme tregtare.
Ajo që ai kujtonte mbi Gjakovën qe një diskutim mes tij dhe ambasadorit të Austrisë në zyrën e tij në Londër. Austriaku rrëzoi gabimisht një vazo me lule duke lagur xhaketën e tij. Vite më vonë, kujtimet e ambasadorit të lagur qenë ato që i qenë fiksuar më shumë.
Durham, një grua thellësisht serioze, u trondit nga cinizmi i diskutimeve të tilla – mënyra se si u trajtuan gjërat si një lojë shahu. E bindur se puna e të gjithë jetës së sa për Shqipërinë kishte shkuar dëm dhe se asnjë shtet me kufij të tillë nuk mund të mbijetonte, ajo u kthye në Angli një vit më pas dhe refuzoi të vizitojë më Shqipërinë me përjashtim të një udhëtimi të shkurtër të cilin e bëri me ngurrim më 1921.
“Shpresova qe po ëndërroja/ Ajo nuk qe ëndërr dhe unë tani u zgjova,” shkroi ajo duke kopjuar vargjet e trishta të një poezie nga Christina Rossetti. Ajo u zemërua por nuk u habit kur Italia pushtoi Shqipërinë 18 vjet më pas.
Tashmë është tepër vonë për të kthyer orën pas dhe për të ndryshuar kufijtë e Ballkanit. Dhënia e pavarësisë për Kosovën ka mjekuar disa nga plagët e krijuara më 1913. Nëse kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon të ekzistojë, tashmë ai ndan dy vende që flasin shqip. Sërish, dëmi i kryer më 1913 nuk është riparuar siç duhet, dhe nuk do të riparohet, deri sa i gjithë rajoni të jetë tërësisht i integruar në Europë – gjë që do t’i bëjë këto kufij gjysmë të parëndësishëm. Vetëm atëhere dhe jo më parë, fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk do të na përndjekë më. / Marcus Tanner/Reporter.al

Filed Under: Analiza Tagged With: e Shqipërisë së Madhe, Fantazma, janë të gabuar, kufijtë e 1913, Marcus Tanner, nuk ikën

Hijet e dosjes “Doshi”

March 26, 2015 by dgreca

Shkruan: Gavrosh Levonja/New York/
Pavarësisht nga fakti sa mund të jetë i justifikueshëm juridikisht vendimi për të vënë nën pranga deputetët Doshi e Frroku, pas hetimit të dosjes mbi “vrasjen” e pretenduar nga Tom Doshi, për të cilën deputeti pretendon te ketë prova se ideator i saj është kreu I parlamentit, Ilir Meta, shpejtësia me të cilën prokuroria operoi në këtë rast është për tu admiruar. Nga ana tjetër bazuar nga të dhënat e procëesit hetimor, të publikuara pothuajse në të gjitha mediat shqiptare, rezultonte qartë se “atentati” I pretenduar nga Doshi nuk qëndronte. Me të vërtetë, të gjithë personat e implikuar në telenovelën të cilës ndoshta mund t’I shkonte një titull fjala vjen “Atentati”, mohuan kategorikisht të kishin ndonjë lidhje me atentatin kundër deputetit të Shkodrës, madje, në deponimet e tyre ata deklaruan se e kishin marrë vesh implikimin e tyre në këtë aferë, vetëm nëpërmjet mediave, të cilat kishin publikuar edhe rolet e tyre në gjithë historinë e hedhur në tregun mediatik nga deputeti Doshi. Mirëpo, të mbyllësh një proces të tillë hetimor pa u thelluar më së pari në gjetjen e shkaqeve që e kanë shtyrë Doshin të prishë “martesën” me Ramën e Metën, duke i shantazhuar që para se të hidhte në treguna mediatik legjendën e “atentatit” apo pa ezauruar ndonjë pistë tjetër, si fjala vjen mundësinë që “telenovela” për vrasjen e tij të ketë qenë një kurth I përgatitur me qëllim diskreditimin e Tom Doshitj për t’u cliruar nga detyrimet që Rama e Meta mund të kenë pasur ndaj tij në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme në betejën elektorale me Berishën e partinë e tij. Nga ana tjetër, dosja “Doshi” nuk mund të mbyllej duke u mjaftuar me lëshimin e një mandati arresti për deputetët Doshi e Frroku, pa hedhur dritë plotësisht mbi atentatet kundër të implikuarve Durim Bami e Fatjon Skënderi apo “Toni I kombinatit’ dhe lidhjet e hershme që mund të kenë pasur me ta protagonistët e kësaj cështjeje. Nëse do të dihej se kush ishin ideatorët e organizatorët e atentateve kundër këtyre të dyve si dhe arsyet pse duheshin “hequr qafe” apo ndofta dhe vëtëm për t’i paralajmëriuar a kërcënuar, ka shumë mundësi që hetimet të orientoheshin edhe në pista të tjera. Mundet që Tom Doshi, I sinjalizuar nga Mark Frroku, për t’I shpëtuar atentatit , mund të ketë gjetur si zgjidhje eliminimin e atyre që kishin marrë përsipër vrasjen e tij. Por një hipotezë e tillë bie për disa arsye. Së pari, deputeti I kërcënuar, nisur dhe nga fakti që nuk kishte pasur asnjë njohje me Bamin e Skënderin e jo më ndonjë motiv me karakter personal që këta të ishin të interesuar për ta vrarë, ishte tejet I ndërgjegjshëm se “lepuri” flinte diku tjetër. Pra, në këtë aspekt Doshi jo vetëm nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë, por, në të kundërt, ishte i prirur të garantonte paprekshmërinë e tyre në mënyrë që të shkonte tek të interesuarit e vërtetë të eliminimit të tij. Blerja nga ana e Doshit të një veture të blinduar për Durim Bamin si dhe video e publikuar prej asgjësojnë plotësisht hipotezën e një implikimi të deputetit të Shkodrës në atentatet kundër tyre. Nuk përjashtohet dhe versioni sipas të cilit, njerëz të tretë, pa asnjë lidhje me politikën mund të kenë pasur hesape të pashlyera me ata të dy, por ama, do të ishte gabim I madh përjashtimi i mundësisë për një lidhje nga radhët e politikës me atentatet ndaj Bamit e Skënderit. Për më tepër kur, në hollësitë e publikuara mësohet se përsa I takon Fatjon Skënderi nuk mungonte ndonjë lidhje me botën e politikës.
Akuza kryesore mbi të cilën prokuroria kërkoi arrestimin e Doshit apo dhe Frrokut kishte të bëntë me inskenimin e atentatit kundër Doshit duke e konsideruar këtë si një mashtrim për të goditur figura të rëndësishme të politikës, konkretisht kreun e parlamentit. Por edhe për logjikën e një individi të rëndomtë një akuzë e tillë ndaj deputetit Doshi është disi e papërtypshme. Si ka mundësi që Doshi t’I hynte një aventure të tillë duke angazhuar individë me të cilët nuk kishte asnjë farë njohjeje, individë të cilët do ta “shisnin” që në momentin më të parë, ashtu sic edhe ndodhi? Njeriu, i cili kishte qenë në gjendje të dërgonte një ushtri votuesish drejt PS-së besoj se nuk do ta kishte aspak të vështirë të “peshkonte” nja tre katër individë, të cilët mund ta merrnin, madje dhe me dëshirë cfardo roli në një telenovelë të sajuar prej tij. Gjithsesi, nga mënyra si u zhvilluan ngjarjet, sidomos me vendimin e prokurorisë dhe ngutjen e parlamentit për të zhveshur Tom Doshin nga imuniteti, të krijojnë bindjen se individë ta caktuar nga politika, mund të kenë projektuar gjithë skenarin dhe për t’I a servirur Doshit, si një bllof për ta diskredituar e bërë qesharak duke mos kursyer as ndjekjen penale në rast nevoje. Në këtë kuadër Mark Frroku i shantazhuar nëpërmjet të vëllait të akuzuar për vrasjen e një ish komisari policie ka pranuar të bëhet pjesë e lojës duke I future në vesh Doshit, idenë e “vrasjes” së tij për ta njohur më pas dhe me Bamin, duke e lënë pastaj në baltë sapo cështja të hynte në ingranazhet e shtetit zyrtarisht. Shtoji këtyre dhe gatishmërinë e minsitrit të brendshëm për të takuar me Bamin me ndërmjetësinë e Doshit, moshetimin e Bamit që në fillim, për ta “ndaluar” në kufi sapo Tom Doshi plasi “bombën”. Nuk di sa përshtypje mund t’u ketë bërë hetuesve edhe ndryshimi “target-it” të telenovelës së tij duke kaluar nga Berisha tek Meta. Ndoshta, dikush mund të kishte qenë i interesuar për të goditur Berishën, por më vonë e ka gjykuar të udhës përdorimin e saj për “të shpëtuar” nga Meta. Ditët e fundit lexova një analizë të argumentuar në të gjitha aspektet të Prec Zogajt ku me një logjikë brilante rrëzohej jo vetëm vendimi por edhe mënyra e të hetuarit nga ana e prokurorisë. Vërejtja e vetme që kam lidhur me analizën e zotit Zogaj ka të bëjë me titullin. “Rënia e prokurorisë” them se nuk i përgjigjet realitetit; prokuroria në Shqipëri nuk ka qenë për asnjë moment në ndonjë farë lartësie që të bësh fjalë për rënie të saj. Prokuroria gjithmonë, gjatë gjithë këtyre 25 viteve nuk ka arritur asnjëherë të dalë jashtë kornizave të prokurorisë së kohës së komunizmit duke qenë vazhdimisht një instrument në shërbim të klaneve politike në qeveri a pushtete të tjerë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, Hijet e dosjes “Doshi”

“Zoti President, Malësia don Komunë”

March 26, 2015 by dgreca

PRESIDENTI BUJAR NISHANI VIZITOI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI/
Nga Frank Shkreli/
Në fillim të kësaj jave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi. Gjatë vizitës dy ditore në shtetin fqinj,Kreu i shtetit shqiptar u takua me udhëheqsit më të lartë të Podgoricës, përfshirë homologun e tij, Presidentin malazez Filip Vujanoviq dhe Kryeministrin Milo Gjukanoviq. Zyra e Presidentit Nishani njofton në portalin e saj se gjatë këtyre takimeve dypalëshe me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë malazez u biseduan çështje të interesit të përbashkët, por thuhet gjithashtu se ata shkëmbyen edhe mendime mbi gjëndjen rajonale, europiane dhe globale.
Presidenti Nishani gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe gjatë bisedimeve me udhheqsit më të lartë malazez u kushtoi një vëmendje të veçantë të drejtave të pakicave kombëtare. Në takimin me Presidentin malazez, Vujanoviq, Presidenti Nishani theksoi se kishin trajtuar edhe çështjen e pakicave kombëtare, të cilat sipas tij, luajnë një rol shumë të rëndësishëm si ura lidhëse miqësie midis dy vendeve. Ai nënvijoi rëndësinë e dialogut mbi pakicat kombëtare duke shtuar se, “pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë kontekst”, nënvijoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike.” Presidenti Nishani përmendi edhe disa probleme aktuale me të cilat po përballen shqiptarët në Ulqin, (siç është rasti i uzurpimit të pronës private nga shteti i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit) dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në fuhsën e arsimit dhe të përdorimit të simboleve kombëtare. Në lidhje me këto probleme që vazhdojnë të ndjekin shqiptarët edhe pas pavarësisë së Malit të Zi, Presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Podgoricë, bëri thirrje që shqiptarëve tu, “Respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore të shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare”, u shpreh Kreu i shtetit shqiptar.
Në lidhje me kërkesat e malësorëve për Komunën e Tuzit, një problem ky që me të drejtë tashti ka marrë përmasa ndërkombëtare, si një çështje e përfaqësimit demokratik që po u mohohet shqiptarëve të Malësisë në nivel vendor, Presidenti Nishani sugjeroi se, “Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.” Në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare mbi pakicat, si edhe me ligjet dhe kushtetutën e Malit të Zi, Z. Nishani tha se, “Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgiminë e identitetit historik e kulturor kombëtar.” Njoftohet se edhe në takimin e tij me Kryeministrin malazez Gjukanoviq, Presidenti Nishani ritheksoi të njëjtat tema dhe probleme përsa i përket të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Pas takimeve zyrtare midis delegacioneve të dy vendeve, gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Presidenti Nishani kishte rezervuar një agjendë të ngjeshur për takime të veçanta me komunitetin shqiptar atje — autokton në trojet veta — si dhe me përfaqsuesit e tij politikë dhe fetarë.
Kreu i shtetit shqiptar filloi takimet e tija me shqiptarët në Tuz, Ulqin e Tivar, ndërkohë që zhvilloi edhe një takim të veçantë me përfaqsuesit politikë nën ombrellën e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi. Kreu i shtetit amë u prit ngrohtë nga malësorët në Tuz, përfshirë mësues dhe nxënës të një shkolle lokale, ku u takua me përfaqësues të partive politike dhe me të zgjedhurit vendorë të kësaj komune. Sipas medias vendore, ra në sy pankarta në tubimin e pritjes në të cilën shprehej dëshira e popullësisë shqiptare të atyre anëve: “Zoti President, Malësia don Komunë”. Zyra e Presidentit Nishani njofton se, “Në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella”, dhe se “Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe do ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.”
Gjatë udhtimit nga Tuzi për në Ulqin, Presidenti Nishani zhvilloi një vizitë në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit ku u prit nga Kryeipeshkvi, Imzot Zef Gashi dhe Kryekancelari i Ipeshkvnisë dhe Famullitar i Kishës së Tuzit, At Pashko Gojçaj. Kryeipeshkvënia Arbërore e Tivarit ka një histori të lashtë dhe të lavdishme prej pothuaj 1000-vjetësh si qëndër e katolicizmit shqiptar në atë troje, e cila sipas disa historianëve, konsiderohet si vazhduese e Kishës së Ilirikut Lindor, themeluar në Shkup prej Justinianit të Madh në shekullin e VI. Në atë vend të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, njoftohet se “Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për vizitën në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit duke vlerësuar institucionet fetare si një ndihmesë e madhe për ruajtjen e vlerave, traditave, identitetit kombëtar dhe gjuhës sonë, tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës apo në diasporë”, u shpreh presidenti Nishani gjatë pritjes së tij në Kryeipeshkvëninë Arbërore të Tivarit.
Ndërsa, Kryeipeshkvi Imzot Zef Gashi falënderoi Presidentin Nishani për këtë vizitë në një objekt kulti shqiptar në Mal të Zi, që vitin e kaluar ka festuar 925-vjetorin e ekzistencës së vet. Imzot Gashi e siguroi Presdientin Nishani duke theksuar se “institucionet tona fetare do të jenë në shërbim të përjetshëm të fesë dhe të kombit, ashtu siç kanë vepruar edhe para-ardhësit tanë që i kanë drejtuar këto institucione”, pohoi Imzot Zef Gashi.
Kreu i shtetit shqiptar e përfundoi vizitën e tij në trojet shqiptare në Mal të Zi me arritjen e tij në qytetin e lashtë bregdetar shqiptar të Ulqinit ku u prit nga Kryetari i Komunës, Fatmir Gjeka dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Ulqinit. Presidenti Nishani u bëri thirrje udhëheqsve vendorë të Ulqinit, ndërkohë që kufijtë janë të hapur dhe munëdsitë janë të mëdha për shkëmbime në të gjitha nivelet, “duhet të shfrytëzojmë maksimalisht hapësirat që krijon liria dhe demokracia, të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencë, dije, investime dhe të jemi më afër se asnjëherë tjetër me njëri-tjetrin.” Ndërsa Kryetari i Komunës së Ulqinit, komunë e cila gëzon një shumicë shqiptare prej 85%, sipas burimeve, e informoi Kreun e shtetit amë, mbi zhvillimet ekonomike, kulturore dhe të fushave të tjera të asaj zone dhe e falënderoi atë për interesimin e tij për fatin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndërsa, thuhet se Presidenti Nishani u bëri thirje autoriteteve të komunës së Ulqinit që të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar, si vlera më e shquar që kemi si komb, ka thënë Z. Nishani. “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare”, u premtoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë të pranishëmve, gjatë vizitës së tij në Ulqin në fillim të kësaj jave.
Vizita e Presidentin Nishani në trojet autoktone shqiptare nën Mal të Zi është një gjest më se i mirëpritur. Ndonëse mbeten për tu parë rezultatet eventuale të kësaj vizite dhe nëse kjo vizitë do të ndihmojë në përmirësimin e gjëndjes së shqiptarëve atje, besoj se të pakën mbrenda një të ardhme të afërt, vizita e Kreut shqiptar në Mal të Zi, në mos asgjë tjetër, do të ndihmojë, në sensibilizimin e mëtejshëm të opinionit zyrtar dhe publik shqiptar mbi gjëndjen aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi. Ta quajmë këtë vizitën e Presidentit Nishani si fillimi i “shqiptarizimit” të çështjes shqiptare në atë vend. Por do tu tregojë edhe udhëheqsve malazez se shteti amë kujdeset për fatin e shqiptarëve në atë vend. Ka rëndësi fakti që Kreu i shtetit amë gjatë një vizite zyrtare në Podgoricë – në kuadër të marrëdhënjeve të mira midis dy shteteve fqinje dhe në bazë të standardeve europiane dhe ndërkombëtare – fletë për çështjet dhe problemet me të cilat përballen sot shqiptarët në Mal të Zi. Ato janë të shumëta dhe përfshijnë shumë fushë, mbi të gjitha në arenën e përfaqësimit politik, në fushën arsimore dhe kombëtaro- kulturore, por edhe në fushën ekonomike. Është me rendësi gjithashtu angazhimi i Presidentit Nishani se nga pikëpamja e Kreut të shtetit shqiptar, “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.” Ky është një angazhim që duhet ta bëjë edhe Prishtina zyrtare ndaj shqiptaëve në Mal të Zi. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone në Mal të Zi, nuk meritojnë as më pak as më shumë të drejta se sa ato që i janë akorduar pakicave serbe dhe malazeze në Republikën e Kosovës.
Por ama, pa marrë parasyshë interesimin e Tiranës dhe të Prishtinës për fatin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe megjithë sfidat dhe problemet e shumëta që paraqet Podgorica zyrtare ndaj zhvillimit të jetës normale politike, kombëtare dhe ekonomike për komunitetet shqiptare në Mal të Zi, përgjëgjësia më e madhe për përmirësimin e jetës dhe për fatin e mirë në përgjithësi të shqiptarëve në atë vend, bie mbi shpatullat e të zgjedhurve dhe përfaqsuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi. Përçarjet dhe mosmarrveshjet politike midis tyre janë tanimë të njohura mirë, për të mos thënë legjendare. Por, janë ata që para të gjithëve duhet të tregojnë përgjegjësi të lartë politike, morale dhe kombëtare dhe të dëgjojnë thirrjet, pikëspari nga zgjedhsit e vet, por edhe nga të tjerët, për një bashkim të forcave politike atje me qëllim të përmirësimit të përgjithshëm të jetës së shqiptarëve në të gjitha fushat dhe aktivitetet e tyre në Mal të Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: "Zoti President, don Komunë", Frank shkreli, Malesia

SHQETËSIMET E KONGRESIT AMERIKAN MBI LIRINË E MEDIAS NË TURQI

March 25, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Zyra e Senatorit demokrat të shtetit të New Yorkut, Charles E. Schumer njoftoi javën që kaloi se ai dhe mbi 70-senatorë të Shteteve të Bashkuara — republikanë dhe demokratë — i dërguan një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry që të interesohet mbi atë që ligjvënsit amerikanë thonë se është një frikësim dhe kërcënim i vazhdueshëm ndaj medias dhe një praktikë censurimi e shtypit në Turqi, nga ana e administratës së Presidentit Taip Erdogan. Senatorët amerikanë theksojnë, në letrën e tyre se kohët e fundit, dy gazetarë që drejtojnë media të rëndësishme në Turqi dhe të cilët njihen si kritikë të administratës së Presidentit Erdogan, janë arrestuar. Para këtij incidenti, shumë gazetarë kanë humbur punën pasi kishin shkruar artikuj kritikë ndaj Presidentit Erdogan dhe administratës së tij.
Duke venë në dukje traditën e gjatë të Turqisë ndaj demokracisë dhe tolerancës ndaj mendimeve ndryshe dhe të kundërta, Senatori Schumer dhe kolegët e tij në Senatin amerikan shprehin shqetësimet e tyre mbi frikësimin e medias në atë vend dhe i bëjnë thirrje Departmentit Amerikan të Shtetit që të bashkpunojë me qeverinë turke për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore dhe sa më parë që jetë e mundur.
Senatori Schumer dhe 74 senatorë të Shteteve të Bashkuara të cilët nënshkruan letrën drejtuar Sekretarit Kerry – që mund të jetë ndër paralajmërimet më të forta të Kongresit amerikan ndaj Turqisë — thonë se duke u bazuar në lajmet e botuara në median dhe shtypin turk dhe amerikan, administrata e Presidentit Erdogan ka frikëson dhe ngacmongazetarë turq, të cilët ajo i konsideron si kritikë të qeverisë së tanishme. Senatorët shkruajnë në letrën e tyre drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, se më 14 dhjetor ishte arrestuar krye-redaktori i gazetës Zaman, (i cili tani është liruar) një gazetë kjo me qarkullim të gjërë anë e mbanë Turqisë, si dhe pronari i Grupit të Medias Samanyolu i cili, sipas senatorëve, fatkeqsisht mbetet nën arrest. Të dy këta, thonë ligjvënsit amerikanë, janë të njohur si kritikë të administratës Erdogan. Senatori Schumer dhe kolegët e tij i bëjnë thirrje kryediplomatit amerikan që, “ta bisedojë këtë çështje me Presidentin Erdogan dhe me përfaqsues të administratës së tij, në një mënyrë që të inkurajojë një zgjidhje të
shpejtë, të nevojshme dhe paqësore të këtyre rasteve.”
Senatorët vunë në dukje se këto raste arrestimesh dhe frikësimesh të përfaqsuesve të medias janë një devijim nga tradita e gjatë e Turqisë ndaj demokracisë dhe tolerancës, duke thekësuar se, “Si një demokraci me një traditë të gjatë tolerance dhe diskutimi të lirë dhe si një vend partner i vlefshëm i Amerikës në shumë ndërmarrje, qeveria e tanishme e Turqisë nën Presidentin Erdogan duhet të ndërpresë shtypjet ndaj lirisë së shtypit dhe njëkohsisht t’u japë fund frikësimeve flagrante ndaj pjestarve të medias të cilët shprehin mendime ose raportojnë mbi ngjarjet, në një mënyrë që regjimi mendon se janë në kundërshtim me interasat e tij.
Është e rrallë që në Senatin amerikan të shfaqet një unanimitet i tillë për çfardo kauze, por në letrën që u nënshkrua nga shumica e senatorëve amerikanë (73 nga 100 senatorët gjithsejt), thuhet gjithashtu se Sekretari i Shtetit John Kerry duhet të përqëndrojë vëmendjen rreth prirjeve shqetësuese ndaj sjelljeve jo demokratike në radhët e qeverisë së presidentit turk Erdogan dhe njëkohsisht t’i bëjë thirrje qeverisë turke që të zbatojë parimet bazë të demokracisë, përfshirë edhe lirinë e shtypit, diçka që për një kohë të gjatë konsiderohej si një vlerë në Turqi, tha ndër të tjera, Senatori demokrat Charles Schumer.
Ndërsa kolegu i tij republikan dhe bashk-autori i letrës drejtuar Departmentit Amerikan të Shtetit, Senatori Roger Wicker i shtetit Mississippi u shpreh se, “Administrata e Presidentit Erdogan duhet të mbahet përgjegjëse për këto shkelje të rënda ndaj fjalës së lire dhe lirisë së medias. Arrestimi i gazetarëve dhe censurimi i medias janë shënja të një regjimi autoritar dhe jo të një demokracie të mirëfilltë. Shpresoj që Sekretari Kerry do të zgjidhë së shpejti këto zhvillime shqetësuese”, tha Senatori republikan i shtetit Mississippi.
Ndërkaq, në një deklaratë që bëri në Dhomën e Senatit, një ditë para se të botohej letra e Senatorëve drejtuar John Kerry-t, Senatori Patrick Leahy u ngrit për të denoncuar masat e qeverisë turke ndaj lirisë së medias duke thënë se, “Jo vetëm që këto masa nuk janë në përputhje me normat dhe vlerat që pritet të zbatohen nga Turqia, një vend aleat i NATO-s.” Ato masa shtoi Senatori Leahy, jo vetëm që ” Dhunojnë vet angazhimet që ka marrë përsipër Turqia në bazë të marrveshjeve ndërkombëtare, por nxisin edhe kundërshtime dhe mospajtime të mëtejshme dhe njëherazi vërtetojnë akuzat që janë bërë kundër Administratës së Erdoganit.” Senatori Leahy shprehu zhgënjimin dhe shqetësimin e tij si dhe të shumë eskpertëve të marrëdhënjve amerikano-turke se një, “zmbrapsje nga demokracia në Turqi, do të dobësonte partneritetin tonë të rëndësishëm strategjik në atë rajon.” Senatori i shtetit Vermont deklaroi se bashkohet me të gjithë ata që kanë bërë thirrje për zgjidhjen e menjëhershme të këtyre rasteve dhe që t’i, “Jepet fund arrestimeve nga ana e qeverisë turke të personave që ushtrojnë të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes. Komuniteti ndërkombëtar dhe njerëzit vullnet mirë presin më shumë nga qeveria e këtij kombi të madh. Populli turk meriton më mirë se kaq”, përfundoi deklaratën e tij në Dhomën e Senatit amerikan, Senatori Patrick Leahy.
Reagimet ishin të shpejta kundër kësaj letre të Kongresit amerikan, nga ambasadori turk në Washington, nga media pro-Erdogan në Turqi e cila pretendoi se kongresmnët kishin marrë ryshvet për të shkruar një letër të tillë dhe nga vet Presidenti Taip Erdogani cili gjatë një vizite në Meksikë, i cilësoi anëtarët e Kongresit amerikan si “ligjvënës me qira”. Disa nga kongresmenët që kanë nënshkruar letrën thanë se reagimeve zyrtare turke “u mungon respekti”.
Ndërsa gazeta turke Zaman sjellë reagimin e një prej zërave të opozitës, grupit parlamentar të partisë turke MHP, nepërmmjet nënkryetarit të saj, Oktay Vural, i cili u shpreh për median se letra e senatorëve amerikanë erdhi tepër vonë. Oktay Vural tha se, “Liria e shtypit ësht liria e kombit tonë. Nuk mund të ndërmarrësh operacione kundër pjesëtarve të medias vetëm e vetëm sepse ata botojnë lajme për korrupcionin. Ne nuk e meritojmë një gjë të tillë. Presioni kundër medias”, shoti ai, “ka arritur pikën që po dëmton interesat turke.”
Pa marrë parasyshë reagimet zyrtare turke ndaj shqetësimeve të Kongresit amerikan mbi mungesën e lirisë së shtypit dhe mbi kërcnimet dhe arrestimet që u bëhen gazetarve turq, trajtimi i gazetarëve turq nga administrata e Presidentit Erdogan njihet mirë dhe është publikuar nga organizata të njohura ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe me lirinë e medias në mbarë botën, siç Human Rights Watch.
Një tjetër ent ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, siç është liria e fjalës, organizata prestigjoze që merret me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë fjalës anë e mbanë botës, “Korrespondentët Pa Kufij” (Reporters Without Borders) e rendit Turqinë në vendin e 154 nga 180 vendet në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2014. Turqia, sipas kësaj organizate është ndër vendet që vazhdimisht ka numrin më të madh të gazetarve të arrestuar në botë, se bashku me vendet siç janë Kina dhe Irani.
Letra e Kongresit amerikan drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit është një mbështetje me rëndësi e lirisë së fjalës dhe të lirisë së punës së gazetarve jo vetëm në Turqi por në mbarë botën. Kjo mbështetje nga senatorët amerikanë e lirisë së medias në Turqi ka rëndësi edhe për pjesë të tjera të botës ku mungon, ku keqpërdoret, ose ku shkelet liria e medias. Sepse arrestimi ose keqtrajtimi i një gazetari, vetëm e vetëm sepse shpreh mendime ose shkruan për diçka që nuk i pëlqejnë , si për shembëll, autoriteteve qeveritare në Turqi ose në Kinë, është një sulm kundër çdo gazetari kudo në botë.
Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: E KONGRESIT AMERIKAN, Frank shkreli, MBI LIRINË E MEDIAS, ne Turqi, Shqetesimet

Hija e Takut dhe vetmia e Tomës

March 24, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
1) Nga një intervistë e Ilir Metës në studion e Babaramos, më 23/3/2015 ka një përfundim të standartizuar tashmë të shantazhit politik. E gjitha nuk ishte asgjë tjetër por një kërcënim i hapur, i vazhdueshëm ndaj ishKryeministrit Berisha. Por jo vetëm kaq. Edhe të tjerëve. Edhe atyre që ka në krahë.
Megjithëse vetë kryetari i Kuvendit shprehet se po i hamë kohën teleshikuesit me këto probleme të pa rëndësishme, prapë e mban pezull këtë auditor. Nuk përgjigjet. I bishton pyetjeve. U shmanget me buzëqeshje. Me qetësi. Ndërsa fut midis hera-herës një figurë klasike të politikës sonë. Takun nga Durrësi. Një hije e demokracisë shqiptare. Për të cilën nuk duhet thënë më, që çuditërisht, është pjesë e të gjitha qeverive dhe komisioneve. Apo krejt çuditërisht mbin, shfaqet, në të gjitha skenat e tronditjeve të politikës sonë. Sa herë që ka plasje të nxehta, skupe politike, apo përmëndje emrash. Sidomos i Ilir Metës, shfaqet hija kërcënuese e Takut.
Që nga koha e katarsist të largët, e mbaj mend si sot ku nga lozha e katit të sipërm, në teatrin e Durrësit. Taku i thërriste Nanos, o pijanec. Kam menduar që atëhere se ky njeri duhet të kishte medoemos një lloj pushteti magjik, zotërues, pasi është një prezent i përjetshëm i politikës së ashtuqujtur të re në demokracinë shqiptare.
Ndryshe nga një prokuror kroat me emrin Mesiç, që iu fut politikës për të mirën e vendit, e qytetarëve të tij. Ky prokurori ynë mbeti hija e kërcënimit të përjetshëm i politikanëve kolegë. Hija e myrrëtyer e shantazhit. Hija prezente e prokurorit të diktaturës. Në demokracinë treçerekshekullore e debateve për hapjen e dosjeve. Jo magjistari i çudindryshimit. I tipit Mesiç. Asesi. Por asi magjik i shantazhit.
Këtu me të drejtë ngrihem me mijra habitje. Çfarë janë këto video? Kujt dhe në cilës kohe i adresohen? Kush ndihet i kërcënuar.? A ka të drejtë një deputet i lartë të bëj shantazhe të tilla në një shtet demokratik? A janë këto të lejueshme? A bëjnë vepër penale?
Përse nuk i kërkohen nga prokuroria? Ndërsa paralelisht me këtë, i kërkohet Kuvendit në kohë rekord, heqja e imunitetit për një apo dy deputetë. Më qëllim vëninen në dispozicion të prokurorisë, me akuzën për padi të rreme! Edhe pse ka ditë me radhë që deputetët në fjalë kanë shkuar rregullisht me dëshirën e tyre në prokurori.
Kjo është absurde…. dhe në të gjitha versionet që ta kthesh. Ka një përfundim. Hijen e Takut.
2)Kam vërejtur këto ditë se vëmendja e publikut ndaj murit në fejsbukun e Tom Doshit, është gati trefishuar. Trefishuar rekordet me fjalë mbështetëse. Ka një lloj solidariteti që të habit. Aty përfshihen edhe emra të dëgjuar nga shoqëria civile, nga arti i skenës, nga fushat e sportit. Njerëz të thjesht. Votues. Adhurues, që janë gati të sakrifikohen. Ndihen të fyer. Përballë qëndron një makineri e tërë shtetërore me një akuzë dhe një premtim.
Akuza është për padi të rreme që një deputet i inkriminuar i bën krerëve më të lartë të shtetit duke i presupozuar si vrasës. Dhe premtimi, ai i qeverisë, ndaj administratës së Europës për dekriminalizimin e Kuvendit, që njëherazi është edhe një nga detyrat e shtëpisë që duhet të bëj Shqipëria.
Toma ka kundër edhe Amerikën e madhe. Mirëpo sa më shumë vetmohet Toma, aq i madh numri i nxitësve për kurajo. Sa më shumë izolohet Toma, po aq përkundër vijon e rritet numri i adhuruesve nga populli. Ata nuk reshtin, i kërkojnë të mos stepet, të vazhdojë të kërkojë të drejtën, të luftojë për nderin e nëpërkëmbur. Çfarë po ndodh? A është Toma kriminel? A është Toma kaq mafioz sa duhet të urdhërohen në kohë rekorde, komisionet përkatëse të heqjes së imunitetit? A është Toma me lebrozë, kolerë a tuberkuloz…, që shokët krahas tij, politikëbërisit e tij, aradha që e shikonte nga duart, që i gëzoheshin ndeshjeve të forta me pozitën e kohës. Që nuk i flasin me gojë sapo tha kryetari që ”ta çlirojmë Tomën nga xhindet e folkut”. A është i tillë heroi i tyre?
Përse kjo dashuri kaq e madhe? Përse ky solidaritet? Përse njerëzit përpiqen ta mbrojnë të dobtin?
3)Do të kisha shumë të dëshirë të jepja një përgjigje të saktë. Por kam frikë se mos shfaqet Taku. Qënkemi të gjithë të kapur. Po për Ilirin, Takun, pse nuk ka një kërkesë për heqjen e imuntetit? Për shantazhet e hapuara publike? Për mashtrimet publike në inagurimin e pularive. Kam pasur një bisedë me një të ri shqiptar, i cili punonte në një biznes privat me priroritet internetet. Më thoshte nga dhjetë punëtorë, vetëm nipi i pronarit është i siguruar. Ne të tjerët punojmë nga ora 5 e mëngjesit deri në mesnatë, me të njëjtën pagë…, 150 dollarë. Edhe këto herë i marrim një javë me vonesë, herë nuk i marrim fare. Sapo kërkojmë një të drejtë tonën, pronari na tregon derën. Megjithatë, biznesmeni është Lsi-ist. Meta qe ai që preu shiritin.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe vetmia e Tomës, Hija e Takut, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 819
  • 820
  • 821
  • 822
  • 823
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT